Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Ago Nezha, biri i denjë i Labërisë që skalit “Portrete me penë”

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,952
Nga Ali Hasani

Që në takimin tim të parë me profesor Ago Nezhën jam ndjerë tepër i emocionuar. Në momentin kur unë e pyeta se nga ishte, ai mu përgjigj me një labçe të thekur: “Jam nga Vlora’’. Mu kujtuan vargjet e një kënge labe që unë e kam shumë për zemër : “Jam nga Vlora or vëlla ….”. Kështu fjalë urti e gojë mjalti Ago Nezha, shkurtimisht filloi të më tregonte për gjithë jetën, për punët dhe për veprën e tij në vite :

Ka lindur në Dukat të rrethit të Vlorës në vitin 1945. Mbasi ka marrë arsimimin bazë në Vlorë, në vitin 1971 është diplomuar në fakultetin “Agronomi”. Në vitin 1976 është diplomuar në degën e filozofisë ndërsa në vitin 1990 është diplomuar në fakultetin ekonomi agrare (dega planifikim). Më pas kanë ardhur natyrshëm edhe titujt shkencor të cilët ja kanë ngjitur edhe më lart emrin e tij.

Për herë të parë është doktoruar në vitin 1996 me titullin Doktor i shkencave ekonomike ndërsa në vitin 2001 ka marrë edhe titullin tjetër “Profesor i asociuar“. Ka qenë viti 2009 kurë z.Ago Nezha ka marrë titullin më të lartë: “Profesor Doktor”.

Që në momentet e para të bashkëbisedimit midis nesh, gjithë emocion ai më dorëzoi ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit më të ri të tij “Portrete me penë“. Gjithashtu më dhuroi edhe disa nga librat e tij që i konsideronte si më të mirat në zhanret përkatëse ku ai ka punuar si: “Lot në sytë e detit“ (poezi), “Lypësi dhe zyrtari“ (prozë), Bali Nexha (monografi) dhe “Papagajtë e politikës “(publicistikë), çka unë e falënderova përzemërsisht autorin.

Kisha dëgjuar edhe më parë të thuhen fjalët më të mira për këtë personalitet të shquar, birin e Labërisë, dukatasin Ago Nezha. Ndërsa për mua këto ishin momentet e para të njohjes së afërmi me të, ndërkohë që atë e njohin shumë shqiptarët nga Saranda në Kukës dhe Tropojë, nga Korça e Përmeti në Shkodër, në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi por edhe në gjithë hapësirat shqipfolëse e më gjerë.

Kjo, për një arsye fare të thjeshtë se profesori ynë gjatë gjithë jetës, punës dhe karrierës së tij, e ka shkelur tokën shqiptare pëllëmbë për pëllëmbë në dy anët e kufirit ku ka njohur, kontaktuar, punuar dhe është konsultuar me shumë intelektual e qytetarë të këtyre trevave.

Natyrshëm ai na thotë se: “Gjithë suksesin në punën time e kam arritur në radhë të parë me përgatitjen intelektuale, tekniko shkencore, profesionale por edhe në sajë të njohjes, ndihmës dhe të bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me shumë kuadro, specialistë, studentë, intelektual, bashkëpunëtorë shkencorë dhe profesorë të universiteteve të Kamzës, të Tiranës e më gjerë”.

Në rrugëtimin e tij të gjatë me një karrierë profesionale shumë të frytshme 50-vjeçare, profesor Ago Nezha ka punuar me pasion e përkushtim të veçantë në shumë sektorë të jetës e të veprimtarive drejtuese, social-kulturore dhe ekonomiko-shoqërore në Ministrinë e Bujqësisë, pedagog në Universitetin e Tiranës, pedagog në Universitetin bujqësor në Kamëz, si edhe pedagog në disa universitete private, ku ka dhënë leksione dhe ka udhëhequr mbi 35 tema shkencore dhe diploma studentësh.

Konkretisht ka punuar si pedagog dhe ka dhënë mësim nga viti 1978 deri në vitin 2014. Në UT, fakulteti i inxhinierisë ka dhënë lëndën e filozofisë, në UT (fakulteti bujqësor) ka dhënë lëndën komunikim-biznes dhe shkrim akademik. Ndërkohë që ka dhënë dhe jep mësim edhe sot në disa fakultete si: Logjikë, në fakultetin e drejtësisë, Shkrim Akademik, në fakultetin e mësuesisë, Komunikim-Biznes, Marrëdhënie me Publikun, dhe Kërkim Shkencor në fakultetin ekonomik.

Por përkrah çdo punë të mirë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij si pedagog, nëpunës dhe veprimtarë shoqërorë, ai në çdo kohë e moment është marrë edhe me krijimtari të mirëfilltë tekniko-shkencore dhe letrare-artistike.

Ka përgatitur 35 artikuj studimore e shkencore, ka mbajtur 9 kumtesa në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ka shkruar mbi 3000 artikuj me publicistikë që janë përmbledhur në 4 vëllime, ka shkruar 7 tituj librash tekniko-profesional, ka shkruar 9 tituj librash tekniko shkencor, është bashkautor në Enciklopedinë e madhe “Historia e Bujqësisë Shqiptare“. Ka punuar 15 tituj të dokumentarëve bujqësorë si edhe një film dokumentar artistik me titull “Dukati një vend magjik“

Profesor Ago ka drejtuar jo vetëm shoqata por edhe forume të shumta në nivel kombëtare e ndërkombëtare por ka marrë pjesë edhe në shumë veprimtari e panaire kombëtare e ndërkombëtare për bujqësinë nga Tirana e Shkodra deri në Sarandë, por edhe në Francë, Gjermani, Itali, Poloni, Greqi, dhe Spanjë.

Gjithashtu ka një kontribut të madh edhe në letërsinë artistike mbasi ka përgatitur dhe botuar 4 vëllime me poezi, 7 vëllime në prozë, 4 vëllime me publicistikë, 3 vëllime në gjininë e portretit. Vlerësojmë se edhe në sprovën e “portretit”, si një zhanër mjaft i vështirë, pas disa punësh të realizuara, ai ka treguar se edhe në këtë fushë ka talent të veçantë. Krijimtaria e tij është sa e madhe po aq edhe e larmishme. Kur është fjala për të hulumtuar jetën e personazheve për veprën e tij, ai kurdoherë qëmton, grumbullon, seleksionon, me seriozitet të madh e vullnet të fortë prej studiuesi e biografi të kualifikuar duke sjellë fakte dhe elementë që i duhen atij për të argumentuar problemin.

Prandaj objekti im kryesor në këtë artikull është libri më i fundit me publicistikë “Portrete me penë“ që autori Ago Nezha promovoi ditët e fundit në mjediset shumë komode të hotel Piazza në Tiranë. Veprimtarinë e organizoi një mënyrë të shkëlqyer “Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria“, nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë ”Nderi i Kombit“ të cilën profesor Ago e drejton me shumë përgjegjësi prej shumë vitesh.

Në këtë këtë takim ishin ftuar dhe morën pjesë profesor, akademik, historian, studiues, fizikan, piktor, regjisor, aktor, muzikant dhe miq të autorit nga të gjitha rrethet e vendit si dhe përfaqësues të mediumeve.

Aktivitetin e moderoi poeti e kineasti Petrit Ruka, i cili pasi foli në tërësi për punën e bërë nga autori në librin “Portrete me penë“, u ndal dhe në vlerësimin që autori u ka bërë këtyre personaliteteve të përzgjedhura nga fusha e artit, kulturës, shkencës dhe ekonomisë shqiptare. U vlerësua se nga ana e autorit, ato janë paraqitur në këtë libër, jo vetëm si personalitete të shquar por dhe si “xhevahire” të shoqërisë dhe Kombit tonë që sigurisht janë me origjinë nga krahina të ndryshme mbarëshqiptare.

Më pas dikush tjetër Ago Nezhën e quajti mjeshtër të portretit (në letërsi), që ka ditur t’i mbledh ato një e nga një dhe i ka vendosur të gjithë së bashku në një mozaik shumëngjyrësh në librin “Portrete me penë”. Ata përbëjnë vetëm një pjesë e elitës krijuese shqiptare dhe janë nga fusha të ndryshme të punës dhe krijimtarisë si pjesë e rëndësishme e familjes intelektuale shqiptare pa asnjë dallim partiak, fetar apo krahinor. Gjithashtu u tha se autori nismën që ka ndërmarrë premton se do ta vazhdojnë edhe në të ardhmen. Profesor Ago deklaron se, tek punonte portretet e këtyre njerëzve të nderuar, gjithmonë tek ata ka parë vetëm lulet e frutat, por asnjëherë gjembat e tyre.

U përmendën emrat e 58 personaliteteve të shquara që profesor Ago Nezha i ka zgjedhur si më për zemër dhe që këtë radhë i ka portretizuar në librin e tij të fundit. Ja disa prej tyre: Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Alfred Moisiu, Maikom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Muntaz Dhrami, Bujar Leskaj, Paskal Milo, Arben Malaj, Gafurr Dudaj, Agim Mero, Nasho Jorgaqi, Hysen Çobani, Skënder Kamberi, Mirush Kabashi, Bardhosh Gaçe, Hasan Halili, Zhani Ciko, Petrit Rukaj, Musa Demi, Xhemil Çeli, Ismet Bellova dhe shumë e shumë të tjerë.

Për të vazhduar më tej me skicë-portretin e vendosur në ballinën e këtij libri të realizuar nga “Mjeshtri i madh”, Piktori i popullit Skënder Kamberi. Edhe në këtë rast u thanë fjalët më të mira për të dy portretistët si për z.Skënder ashtu edhe për z.Ago që megjithëse të gjinive të ndryshme, njëri në pikturë dhe tjetri i letërsisë, të dy kanë realizuar më së miri portretet e tyre.

Nuk do të lëmë pa përmendur edhe një fakt tjetër që na bëri për- shtypje: Në faqet e para të librit na ra në sy edhe një “Ftesë për lexim“, shkruar nga shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj, i cili këshillon: “Lexuesit, nëse janë adhurues të skulpturës, mundë të lexojnë Muntaz Dhramin, nëse janë adhurues të veprës letrare, mund të lexojnë Rexhep Qosen, Dritëro Agollin apo Bardhosh Gaçen, e kështu me radhë mundë të lexojmë gjithë portretet e tjera, pa respektuar radhën e vendosjes së tyre në faqet e librit. Leximi i këtij libri nis aty ku fillon shkrimi i portretit të një personazhi që dëshiron lexuesi ynë, për të vazhduar me tej me portretet e tjera“.

Pastaj Z. Petrit Ruka lexoi përshëndetjen e akademikut Rexhep Qosja, të cilin “Shoqata Labëria“ e ka shpallur prej kohësh “Kryetar Nderi” të saj. Midis të tjerash akademiku Qosja theksonte: “Ago Nezha është një profesor universiteti…por që nuk është pajtuar që të jetë vetëm profesor… madje ai është bërë publicist i angazhuar… . Në artikujt, sprovat dhe në vështrimet e tij të shumta, të botuara në shtypin e Tiranës, Ago Nezha shkruan për padrejtësinë, pabarazinë sociale, nepotizmin, militantizmin, klientelizmin, populizmin dhe korrupsionin e pandalshëm si çfaqje që cënojnë demokracinë“.

Më pas fjala ju dha shkrimtarit, poetit e publicistit, “Mjeshtrit të madh“ Maikom Zeqo, i cili e vlerësoi librin më të ri të prof. Agos si një risi në publicistikën shqiptare dhe që është shkruar me dashuri, mjeshtri dhe profesionalizëm të madh.

Për të vazhduar më tej me aktorin Mirush Kabashi, i cili recitoi disa nga poezitë më të mira të krijimtarisë së prof. Agos. Në fjalën e tij ai vlerësoi punën e Z. Ago edhe si kryetar të shoqatës “Labëria“ duke nënvizuar se: ”Ago Nezha me punën, vullnetin, këmbënguljen dhe fantazinë e tij, ka zhvilluar aktivitete të tilla të mëdha dhe të larmishme në shumë rrethe të vendit që nuk i organizon shteti“.

Mbas këtyre çasteve emocionuese prof. Pëllumb Xhufi në fjalën e tij tha se ky libër ka rendësi sa historike po kaq edhe letrare, duke pasur parasysh ndërthurjen plot talent të tyre, por edhe duke na sjellë portrete të vërteta personalitetesh të spikatura nga Labëria, Kosova, Çamëria, Minoriteti dhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Emocion të veçantë krijoi në sallë nxënësja Anxhelina Zholi e cila recitoi poezinë më të bukur që autori ja kishte kushtuar nipit të tij të dashur Elias, për të cilin ka edhe një shënim në faqet e para të “Portrete me penë“: ”Këtë libër ia dedikoj dashurisë diellore, nipit tim të shtrenjtë Elias. Kur të rritet e të lexoj librin e gjyshit “Portrete me penë”, të frymëzohet dhe të nxitet nga jeta e këtyre personaliteteve të shquar të Kombit Shqiptar…”.

Ndërsa profesor Bardhosh Gaqe në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e lidhjes së krijuesve me brezin e ri si edhe të brezit të ri me autorët e librave, si burimi më i madh dhe i vetëm i diturisë.

Autorin e përshëndeti edhe profesoresha nga Gjakova Migena Arllati, e cila në shenjë nderimi i dhuroi atij një pamje nga qyteti ku ka lidhur jtën e saj, nga Gjakova.

Shumë nga pjesëmarrësit që e njihnin z. Ago Nezha e vlerësuan atë si një kalorës të madh të diturisë, si profesor, gazetar, poet, shkrimtar, publicist, kritik dhe portretist i talentuar, si djalë i denjë i Labërisë, që në librat e tij ka pasqyruar me korrektësi vlerat e një thesari të madh moral, kulturorë, atdhetarë, patriotik dhe shoqërorë, duke skalitur me shkronja të mëdha shumë portrete të Kombit Shqiptar!

Për gjithë këtë punë të madhe krijuese me librin si dhe për kontributin e madh që ai jep në “Shoqatën Atdhetare dhe Kulturore Labëria”, Profesor Ago Nezha meriton mirënjohjen dhe respektin e gjithë shqiptarëve! Ai është vlerësuar me tituj nderi të institucioneve më të larta shoqërore dhe shtetërore brenda e jashtë vendit si:

Ø Urdhri i Presidentit të Republikës “Mjeshtër i Madh“.

Ø Urdhri i “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”.

Ø “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”.

Ø “Personalitet i shquar i Labërisë”.

Ø “Nderi i Qarkut Gjirokastër”.

Ø “Qytetar Nderi i Bashkisë Orikum”.

Ø Mirënjohje e shoqatës “Polifonia shqiptare”.

Ø Mirënjohje e “Shoqatës gazetarëve të bujqësisë”.

Ø Mirënjohje nga “Kryegjyshata botërore Bektashiane, Tiranë”.

Ø Medalje e punës, dekret nr. 4446 datë 10.10. 1968.

Ø Medalje “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore, dekret nr.6085, datë 28. 12. 1979. etj. etj.

Në fund të aktivitetit profesor Ago falënderoi përzemërsisht gjithë të pranishmit që morën pjesë në promovimin e veprës së tij si: akademikët dhe diskutantët që përshëndetën me fjalën e tyre, pronarin e hotel “Plaza“ për mjediset që vuri në dispozicion të veprimtarisë, shtëpinë botuese “Triptik“ dhe mediumet që përcollën veprimtarinë të cilave u bëri thirrje që të jenë sa më të pranishme në veprimtari të tilla e sidomos kur bëhet fjalë për librin.

Mbas gjithë këtyre vlerësimeve që i bënë shokët e miqtë e tij Profesor Ago Nezhës, të ardhur nga gjithë Shqipëria në promovimin e librit “Portrete me penë“, ju dhurua një buqetë e madhe me lule të freskëta e shumëngjyrëshe që ishte qershia mbi tortë e kësaj veprimtarie aq të bukur.

Në mbyllje të shkrimit tim do të vlerësoja gjithë punën e madhe të këtij kalorësi të letrave shqipe e veçanërisht promovimin e librit më të ri “Portrete me Penë“, çka njëkohësisht më bëjnë të ndjehem i lumtur që njoha një mik të tillë nga Dukati i Vlorës si Ago Nezhën.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.