Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Ali Pashai dhe Myzeqeja.

Juno

Kontributor
Regjistruar më
Kor 25, 2017
Mesazhe
32,412
Një studim në tre pjesë mbi marrëdhënien mes hambarit të Shqipërisë dhe Luanit të Janinës. Përse e lakmonte Myzeqenë Aliu i Tepelenës. Një histori që nis nga Aliu në Berat si nip i e pastaj armik i Kurt Pashait, vazhdon me karrierën gjakatare të Aliut dhe mbyllet me marrëdhënien me murgun grek Kozma Etoli dhe “dhuratën” që Pashai plak na ka lënë sot.

Në kujtesën e banorëve dhe folklorin e krahinës, emri, bëmat dhe gjëmat e Ali Pashë Tepelenës, ruhen ende ndër myzeqarë ndonëse, në dokumentat e shkruar historikë, gjenden me pakicë. Dy janë rrugët dhe “dyert”, përmes të cilave Pashai i Tepelenës dhe më vonë “Luani i Janinës”, synoi dhe luftoi të futej në Myzeqe- thënë më saktë, të fuste Myzeqenë nën sundimin e vet. Këto “porta” ishin Berati dhe Kolkondasi. Sigurisht, iu kthye rrugës së dytë, pasi dështoi me të parën. Madje, dështimi ishte i tillë që nisi me miqësi e krushqi dhe sosi me luftë, me vrasje e shkatërrime, siç dinte të bënte Pashai mizor. Dhe e tërë kjo, sepse Aliu nuk njihte kthim pas. Për tri dekada radhazi, ai ushqeu ambicien e sunduesit për ta futur në dorë Myzeqenë dhe bregdetin e saj.
Në kapërxyellin e shekujve 18/19-të, Pashallëku i Janinës dhe Vezir Ali Pashai, ishin në zenit. Këmbëngulja e Aliut për të krijuar kundërpeshat politiko-ushtarake ndaj Portës së Lartë, konkretizohej me masat që merrte për ta zgjeruar sundimin e vet drejt Beratit dhe Myzeqesë. Ishte koha kur rivalët e tij të Beratit dhe, më tej, Bushatllinjtë- sunduesit e Shkodrës, paçka qëndrimeve pro dhe kundër Pashait të Beratit, thuajse e kishin pranuar rrjedhën e lumit Shkumbin si kufindarës të pronave të tyre. Synimi kryesor i Bushatllinjve rrihte në zgjerimin e kufijve veriorë që ngjiteshin gjer në territoret malazeze. Kështu që pronat e Pashait të Beratit, posaçërisht trekëndëshi Berat-Shkumbin-Vlorë, fusha e madhe e Myzeqesë me skelat grykëlumore në bregdetin e saj, të gjitha këto pasuri, nuk mund të mbeteshin jashtë vemëndjes, planeve dhe projekteve ambicioze të Ali Pashait.

Aliu në Berat

Ç’projekte e “linin pa gjumë” Valiun e Janinës?

Aliu ngutej të gjente mjetet, rrugët dhe njerëzit për të sunduar Myzeqenë dhe Beratin, kryeqendrën e gjithë Nahijetit i cili, numëronte deri 28 Ziamete dhe 489 Timare, shtrirë deri tej Vlorës dhe qyteteve të jugut, kufi me Pashallëkun e Janinës.
Është i njohur projekti politik i Pashait të Janinës për të krijuar një shtet greko-shqiptar me qendër Janinën dhe gjuhë zyrtare greqishten, të qeverisur nga grekë dhe shqiptarë. Kësisoj Aliu krijonte një fuqi ekonomiko-politiko-ushtarake me synimin e kahershëm të shkëputjes nga Porta e Lartë. Ideja deri dhe projektet për një shtet greko-shqiptar, gjithënjë si kundërpeshë ndaj pushtuesit osman, kishin qënë më të herëshme dhe jo vetëm të Aliut. Që në luftën e përbashkët të Kollokotronit me Ali Farmakun (kapedani mysliman i Laljotëve), është folur dhe shkruar disa herë për këtë projekt bashkimi dhe bashkëqeverisje të dy popujve fqinj të cilët, sipas autorëve, e bënin me bindjen se kishin ç’t’i jepnin dhe ç’të fitonin nga njeri tjetri në luftën e përbashkët kundër të njëjtit pushtues; atij osman.
Lidhjet, njohjet, lakmitë dhe projektet e Pashait për Beratin dhe gjithë Pashallëkun e kësaj kryeqendre të Shqipërisë së Poshtëme, zenë fill që në djalërinë e Aliut. Fillimisht ato mbështeten në miqësinë mes këtyre dy familjeve të cilat, kishin edhe lidhje gjaku.
E ëma e Aliut, Hankoja, ishte bijë e Zenel beut të Konicës i cili, ishte martuar me të motrën e Kurt Pashës së Beratit. Pra, edhe Aliu mbahej për nip në familjen e Pashait të Beratit dhe si jetim, pas vdekjes së të atit, Veliut, e shikonte këtë derë pashallarësh si derën e njerëzve të nënës.
Por njohjet e para mbi karakterin dhe trimëritë e Aliut, Kurt Pashai duket se i mësoi nga emri i përsëritur i hajdutit Ali Velia nga Tepelena i cili, që i ri ishte bërë tmerri i banorëve që gjoja merrte nën mbrojtje të ruante tek kontrollonte rrugët nga plaçkitësit e karvanxhinjëve. Kurt Pashai i Beratit ishte i ngarkuari i Portës së Lartë si dervenxhiu i gjithë rrugëve të Shqipërisë së jugut. Ai kontrollonte, urdhëronte dhe ndëshkonte hajdutërinë e gjithë këtyre udhëkalimeve. Dhe ja, gjithënjë e më shumë i vijnë lajme se këtë detyrë tashmë na e bëkërka edhe kaçaku Ali Velia nga Tepelena, biri i Hankos dhe i Veliut të vdekur. Kurti merr vesh gjithashtu se egërsia ndëshkuese e këtij djaloshi-kaçak, është aq e madhe sa banorët e disa fshatrave vijnë në Berat dhe i ankohen Pashait të tyre për Aliun dhe shokët e tij hajdutë të cilët, janë të pamëshirshëm në vrasjet dhe rrëmbimin e plaçkës së sulmuar. Ankesën e parë të këtyre gjëmave e lexojmë në vargjet e “Alipashaidës” së Haxhi Shehretit, ku zagoritët i numërojnë Kurt Pashait zullumet e Aliut me lutjet që Pashai t’i shpëtonte nga kjo hata…

“Le të shkojmë te Kurt Pashai e t’i themi dhimbjen tonë,
Se mëshirë më nuk presim nga kjo derë në Tepelenë
…Duke bluar këto halle, rrugën morën për Berat “

Pavarësisht karakterit krijues dhe letrar të “Alipashaidës” të shkruar nga H.Shehreti, duke besuar parimin se e “vërteta zbukurohet edhe pa u ndryshuar”, mund të hetojmë mes mijëra vargjeve të kësaj poeme të gjatë biografike për Aliun, edhe fakte, vite, njerëz dhe ngjarje që na shërbejnë për të rikonstruktuar dhe ndriçuar momente të rëndësishme të jetës dhe të veprës së Vezirit të Janinës.
Posaçërisht, duke krahasuar të dhënat e nxjerra nga kjo vepër e H.Shehretit, me dokumente dhe botime të tjera, besojmë se mund të krijojmë kështu tablo më të plota të teatrove luftarakë të kohës së Aliut, synimeve dhe arritjeve të tij.
Njohim dy variante që rrëfejnë se si djaloshi Ali Velia i Tepelenës, u gjend në oborrin e Pashait të Beratit. Nga vepra e H.Shehretit mësojmë se e ftoi vet Kurt Pashai, pas emrit që kishte bërë Aliu si luftëtar trim i cili, vendosi qetësi në rrugët e Shqipërisë së Poshtëme.

“Biri im, Ali Velia, merre rrugën të të vish….
Ti je bir i atij babe, zemërbardhë e fatzi,
Që sa rrojti faqe botës, nuk kish tjetër si ai,
Dhe vejusha, nëna jote, më beso sa shumë më dhemb
Dhëndërr dua të të bëjë, ti i parë të jesh në këmbë …”

Por duam të besojmë se më mbushamendës është varianti tjetër, trajtuar gjatë nga Prof. I.Koçollari në librin e tij “Policia sekrete e Ali Pashës” në të cilin shkruan se:
”…Aliu u kap rob nga njerëzit e Kurt Pashait. Ndërsa shokët e Aliut Pashai i vari, Aliun e mbylli në burg. Ishin lutjet e shumta të Pashalleshës së tij dhe të së ëmës së Aliut, Hankos, mbesë e kësaj dere, që ia kursyen jetën Aliut”.
Duke e njohur nga afër zgjuarsinë, trimërinë dhe bukurinë e djaloshit Ali, Pashai i Beratit zuri ta vlerësonte edhe si mik e aleat në projektet e përplasjeve të pritëshme mes rivalëve.

Aliu mund të ndjehet i qetë “tek miku i babait
Do ta ketë mik përjetë, krah t’i gjendet si vëllait…”

Udhëtari suedez Biornstahl më 1770, shkruan se:

“…Kur ishte në të njëzetat, Ali bej Tepelena, u rekrutua në shërbim ushtarak të Pashait të Beratit… Ishte njeri nga djemtë më të pashëm të vendit,…një kryetar bande, djalosh i fuqishëm, i pasur, me shumë reputacion mes shqiptarëve…”

Sidoqoftë, në vitin 1775, Aliu është në Berat, madje, në shërbimin luftarak të Kurt Pashait. Pashai i Beratit ishte në konflikt me mytesarifin e Shkodrës, Mehmet Pashë Bushatlliun. Përplasja ndodhi sepse Sulltani i dha Kurt Pashës në zotërim pronat e Valide Sulltanës që shkonin nga Vlora në Lezhë të cilat, gjer tani i kishte zotëruar Bushatlliu. Luftimet kundër forcave të Pashait shkodran u zhvilluan në fushën e Kavajës dhe në rrethinat e Tiranës. Në këtë luftë, forcat e Kurt Pashës komandoheshin pjesërisht nga Ali bej Tepelena dhe nga kushuriri i tij, Islam bej Këlcyra. Aliu u shqua për trimëri duke i dhënë fitoren Pashait të Beratit. Lëvdatat, hyneret dhe peshqeshet e Kurt Pashait për Aliun, ishin të shumta. Por Aliu ishte zog i egër…!
Kurrsesi nuk mund të pranonte komandë e urdhra mbi vete. Ndaj projektonte arratisjen nga pashallëku ose marrjen e tij nga brenda. Hyri në lidhje me vajzën e Kurt Pashës dhe kërkoi ofiqin e dhëndërrit. Synimi merrej vesh. Dhëndërri merrte pronat si prikë ose, pse jo, gjithë pashallëkun. Nxiti edhe të ëmën, Hankon e cila i shkroi letër Kurt Pashës ku i kërkonte dorën e të bijës, për birin e saj, Ali Velia.

“Lajm i çuan Kurt Pashait, bijë e tij vatrës të vijë,
Krahpërkrah Ali Velisë, porsi yll me të të rrijë…!”

Por kërkesat e Aliut e të Hankos dhe sidomos lutjet e Pashalleshës, për ta bërë dhëndërr Aliun, nuk e bindnin Kurtin plak. Ky Pasha i regjur me dredhira e pabesi, shihte më larg se emri i mirë dhe premtimet për miqësi e besnikëri të kaçakut trim e bukurosh të Tepelenës. Ndaj i shfryhet të shoqes:

“Bijën tonë po t’ia japim, do të bëhemi pishman,
Duart larg nga Myzeqeja, ti njëherë e mirë i lan…”

Madje, Pashai ka filluar t’i trembet Aliut dhe e sheh si rrezik.
I ndodhur nëpër këmbë mes oborrtarëve, kaçaku i Tepelenës mund t’i dali nga duart e t’i kthehet kundër. Dhe, përpara se t’i ndodhi kjo, Pashai dhelparak ka filluar të mendojë,

“…Për ta vrarë a mbyt në puse/
Mos m’u lut moj pashalleshë, çupën tonë t’i japim nuse…”

Edhe të afërmit e familjes së tij e këshilluan Pashain që; ose t’i jepte vajzën për nuse, ose t’i priste kokën…
Por pabesia dhe rivaliteti kokëngrënës ndër pashallarë, ishte domosdo e kohës. Përndryshe s’mund t’i shpëtoje gjallë asaj xhungle egërsirash. Dhe Ali Velia i Tepelenës do të vërtetonte se ishte mjeshtër i kurtheve dhe pabesive, siç shkruajnë studiuesit biografë:
“Tradhëtitë, kurthet, pabesitë dhe mizoritë e Aliut, nuk janë dëgjuar në historitë e botës”

Ndërsa Kurt Pashai lodhej të bindte Pashalleshën dhe ta hiqte qafe pretendentin për dhëndërr, Aliu, pas kundërshtimit të të atit, i kërkoi të bijës që ta helmonin Kurt Pashën dhe Aliu ta zëvendësonte si Pasha i Beratit. Por vajza nuk e kapërxeu dot mizorinë e këtij krimi ndaj të atit, paçka emrit të mirë të Aliut, trimërisë dhe bukurisë së tij.
Njëherësh edhe Kurti, që e kishte ndjerë rrezikun e një dhëndrri dhelparak, nxitoi dhe e martoi të bijën me Ibrahim Pashë Vlorën.
***
Aliu, armik i Pashait të Beratit

Menjëherë dhe në fshehtësi, Aliu e la Beratin dhe u rikthye në sinoret e tij në Tepelenë. Tashmë, me përvojën dhe emrin që kishte fituar filloi të përgatitet t’ia marrë Pashait të Beratit ato që ai s’ia dha. Ndërkohë, Kurt Pashai mësoi edhe planin e Aliut për ta helmuar e për tu vetshpallur si dhëndërr dhe Pasha i Beratit, ndërkohë që ky e nderonte si mik dhe nip të oborrit. Në kulmin e zhgënjimit dhe të zëmërimit kulmor, gjen njerëzit, paguan 5000 grosh dhe i nis ta vrasin Ali Tepelenën. Por Aliu i kishte spiunët brënda oborrit të Pashait. Ky i bleu vrasësit. Këta i çuan Kurtit gjoja gunën e Aliut me mbllaca gjaku dhe vrima plumbash dhe i morën paratë e vrasjes.


Ndërkohë Aliu filloi përgatitjen dhe organizimin ushtarak për ta sulmuar Pashain e Beratit, i bindur se kjo ishte e vetmja rrugë e mbetur. Tani që miqësia kishte mbaruar, shpata dhe plumbi do vendoste fatin e dy kundërshtarëve kaq të dëgjuar për miqësi dhe pabesi ndaj njeri tjetrit. Ja, përbetimet e Aliut për Kurt Pashën, sipas poemës biografike të Haxhi Shehretit:

“Unë jam vet Aliu, miku yt, i vjetri mik
Që të bëj të ikësh natën, lakuriq nëpër çiflig,
Se Kurt Pasha gur nuk la që oxhakun tim ta shuaj,
Pronat dhe argatët unë, mbi vete do t’i shkruaj…!
Mblidhe mendjen se do shohësh çdo të bëj ty Aliu
Ku do shkojnë kufijt e Kurtit, more Pashë faqeziu

Pas kësaj ngjarjeje, të dy palët hetonin hapat e njeri tjetrit dhe përgatiteshin t’i gjejnë ditën për t’i ngrënë kokën.
Berati, Janina dhe Shkodra ishin tri qendrat e pashallëqeve shqiptare të kohës, në kapërxyellin e shekujve 18/19-të, por Janina dhe Berati ishin në konflikt gati të përhershëm mes tyre, konflikte të cilat, shpesh herë i shfrytëzonin edhe shtetet e huaja.
Në vitin 1804, guvernatori rus i Korfuzit organizoi një lidhje të feudalëve të jugut, emërtuar si“Lidhja e Çamëve” kundër Ali Pashë Tepelenës.
Në të bënin pjesë Ibrahim Pasha i Beratit (i cili pasoi Kurt Pashain), Mustafa Pasha i Delvinës, etj. Ibrahim Pashai, tashmë shumë më i fuqishëm së paraardhësi i tij Kurti, pronar sulltanor i Beratit, Vlorës, Myzeqesë dhe i serës (minierës) së Selenicës, ishte njeriu rreth të cilit grupoheshin gjithë armiqtë e Aliut.
Në korrik 1808, agallarët e Çamërisë u mblodhën në Berat dhe vendosën sulmin kundër Aliut të Janinës të cilin, do ta drejtonte Ibrahim Pashai i Beratit. Këtë sulm e mbështeste qeveria franceze e cila, i dha Ibrahim Pashës 33.330 franga, duke i vënë në dispozicion:
-Një artilier francez, një topçi (Fransua Sheze),
-Regjimentin e artilerisë që ishte në Korfuz,
-2-3 mijë luftëtarë nga Çamëria (pjesa tjetër nga Berati dhe krahinat.),
Por çuditërisht dhe pavarësisht nga këto mbështetje dhe ushtri, para dhe armatime, pas një viti, Ali Pashai realizoi pushtimin e Beratit dhe vuri aty Myftarin, djalin e madh si sanxhakbej. Në këtë fitore, Aliu kishte mbështetjen e banorëve të Beratit dhe krahinave të cilët, i ishin lutur t’i shpëtonte nga shfrytëzimi i tmerrshëm që u bënte Ibrahim Pashai.

“Luftën nuk e përballojmë sepse jemi fukarenj,
Ali Pasha ta mësojë, Ibrahimin s’e ndihmojmë,
Po arrite bir Ali, Ibrahimit t’i marrç fronin
Ne, në krahun tënd, lavdinë tënde lart do çonim.

Ibrahim Pashai, i rrethuar në Kala, i kërkon Aliut një shteg:
”Më lejo një shteg të lirë, vete të qëndrojë në Vlorë…
Çelsat ty ti le përherë…

Hyrja triumfuese e Aliut në qytetin kështjellor, në sarajet e Pashallëkut të Beratit, pas dorëzimit dhe ikjes poshtëruese të Ibrahim Pashës, përshkruhet si një batërdi çnjerëzore, bërë me një egërsi të pashoqe:

“Dhe vërsulet si orteku, ulurin porsi luani,
Shtangin trimat e Brahimit, dridhen si peshku te zalli,
Një mijë vet mbenë pa jetë, 500 vetë rob kanë rënë,
Lidhur varg me zinxhirë, rrugën drejt Janinës zënë..”

Në vitin 1810, Aliu i Janinës kishte marrë gjithë territoret e Shqipërisë së jugut, përfshi edhe Vlorën, duke e ndjekur këmba këmbës Ibrahim Pashën e Beratit i cili, vraponte të fshihej fshatrave të Vlorës, të shpëtonte kokën:

“Humbi tutje Labërisë, u fsheh sipër në Smokthinë,
Trimat e Aliut nga pas, do ta rjepin ditëzinë…!”

Në tetor 1811, pas Beratit dhe Vlorës, Aliu mori edhe Gjirokastrën e Kardhiqin, ku bëri një masakër të vërtetë, duke vrarë 600 vetë dhe duke djegur gjithë fshatin.
Në vitin 1810, anglezi Xhon Leard, njoftonte Londrën nga Durrësi, duke e “përgëzuar Aliun për pushtimin e Beratit që ia mori armikut të hershëm, Ibrahim Pashës…
Aliu së shpejti do ta qeverisë gjithë Shqipërinë…”
Dhe vërtetë, një vit më vonë, më 1812-13, Ali Pashai ishte bërë de facto sundimtari i një pjese të Greqisë dhe i Shqipërisë.
Ishte koha kur Viktor Hygo shkruante se:
“Ali Pashai i Janinës, është i vetmi burrë gjenial i kohës, i denjë të qëndrojë përballë Bonapartit…”
Ndërsa anglezët e quajtën “Bonaparti mysliman”.


Davaja e Janinës

Shprehja aq e njohur ndër myzeqarë, “ka dava Janina”, saherë dikush kërkon të zgjidhë një situatë, sherrnajë a ndodhi për të cilën duhen kohë, miq dhe para, mund ta spjegojmë pikërisht me këto ngjarje dhe figura. Pra është fjala për Janinën, qytetin emërmadh, qëndër e Vilajetit dhe e Vezir Ali Pashait. Dihet se bashkë me emrin e këtij qyteti, secili shihte a ndjente edhe emrin e Ali Pashës, i cili, paçka se që atje larg, nga Janina a më tej, buçiste dhe rrezatonte me bëmat dhe gjëmat e tij, deri këtej Vlorës dhe Vjosës, poshtë Beratit, tej e tej fushës dhe banorëve të Myzeqesë.
Është e kuptueshme se këmbëngulja e Ali Pashës deri në ethe e lakmi, për ta zaptuar dhe nënshtruar Beratin, nuk kishin të bënin vetëm për atë çka ky përfaqësonte si qytet dhe të ardhurat që jepte vetëm kasabaja e tij. Berati, siç thamë, ishte kryqendra e Shqipërisë së Poshtme apo e Toskërisë, dhe qeveriste edhe Vlorën, bitumin e Selenicës, gjithë rrethinat e jugut deri në sinoret e Pashallëkut të Janinës. Me marrjen e Beratit, Ali Pashai e shtoi pasurinë e vilajetit me një pasuri përrallore; Berati i jepte mbi 2 milion piastra në vit.
Por, gjithsesi, nuk ishte vetëm kjo…!

“…Berati ka pasur gjithënjë një rëndësi të madhe si pikë strategjike. Por mbi të gjitha, Berati sundon fushën e gjërë dhe pjellore të Myzeqesë, deri në det.. Ky sukses i solli Aliut jo vetëm kështjellën më të fortë, por edhe krahinën më pjellore të Shqipërisë, fushën e madhe të Myzeqesë që është hambari më i madh i gjithë vendit…
Gruri në fushat e Beratit e të Myzeqesë, mbillet në dy stinë; në tetor-nëntor dhe në shkurt. Gruri i këtij të fundit, është i vogël dhe i fortë dhe bënë një miell të shkëlqyer i cili quhet kuceli…”

Por pasuritë e Myzeqesë dhe të myzeqarëve nuk ishte vetëm toka pjellore, pyjet e pafundme, ujërat dhe bimët.
“…Këtu rriteshin edhe kuajt më të bukur që kam parë..me vithe e gjokse të gjëra, me krifat e dallgëzuara, kokët e vogla dhe sytë e zjarrtë, njëlloj me kuajt e shkëlqyer orientalë…”

Hapësirat e lakmuara nga Aliu brenda trikëndëshit Berat-Shkumbin-Vjosë, përbënin edhe territoret kufindarëse me pronat e Bushatllinjve për të cilat, vetë Aliu, atëhere aleat i Pashait të Beratit, luftoi dhe fitoi në fushat e Kavajës. Ndoshta në këto kohë të rinisë së tij në fushatën luftarake, Aliu pati rastin t’i shohë dhe t’i njohë nga afër këto fusha dhe të llogariste, siç dinte Aliu, zaptimin dhe fitimet e tyre.
Myzeqeja me gjithë fshatrat poshtë Beratit deri në bregdet, ishin pronë e Pashait beratas por gjithnjë e më shumë të lakmuara nga kundërshtarët e tij dhe jo më pak nga zaptuesit e huaj.
Ndaj, kur mëson Kurt Pashai se Aliu kërkonte dorën e të bijës për grua, dhe lutjen e Pashalleshës për ta pranuar Aliun si dhëndërr, e para gjë që i shkoi në mend, ishte dredhia e Ali Pashës për t’i marrë Myzeqenë. Pra, gjithësa themi për Beratin, për miqësitë, dredhitë dhe sëfundmi, sulmet fitimtare të Aliut mbi këtë pashallëk, ka të bëjë me gjithçka që zotron ai jo vetëm si pasuri oborrtarësh dhe pashallarësh të kohës, por mbi të gjitha, si prona dhe domene të patundëshme të qeverisura me ferman të Sulltanit për dekada me radhë.
Prandaj, gjithçka zhvillohet në Berat, sidomos mes ardhësve dhe vendësve, kanë pasojat e tyre edhe në Myzeqe e më gjërë. Ky vend, i populluar dendur që në lashtësi, i përshkuar nga rrugët e hershme që lidhnin deri edhe Romën me Ballkanin (Rruga Apia dhe më pas Egnatia), të shtrira mes kryeqëndrave antike qytetare si Durrësi, Apolonia, Bylisi-Berati, dhe disa qytete të dëgjuar, asokohe me pasuri të shumta, e përshkuar si edhe sot, nga tri lumenj me porte lumore në grykëderdhjen e secilit, nuk mund t’i shpëtonte vemendjes dhe syrit grabitqar të Vezirit të Janinës.

“Fusha e Myzeqesë nuk është vetëm një trevë bujqësore për kulturat e drithit por nga Vjosa deri në Durrës ishte një livadh i tërë pa ndërprerje”.
“…Trikëndëshi Berat-Durrës-Vlorë, ishte zona më nevralgjike e Shqipërisë së jugut…Kjo pjesë e Ultësirës shqiptare, ishte nga rajonet më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë, me një feudalizëm të zhvilluar…Hahni shkruante:- Myzeqeja ishte një Lombardi…”

Për më tepër, siç kemi shënuar, Myzeqeja përbënte territoret kufindarëse veriore të shtetit të pritshëm greko-shqiptar për krijimin e të cilit, Ali Pashai punoi jo pak. Idetë e Aliut për një shtet të pavarur njihen që para se të vinte në Janinë
Ideja dhe projekti i një shteti të pavarur grekoshqiptar, në dukje ishte aq joshëse dhe e realizueshme në rrethanat e kohës, sa u tentua edhe nga të tjerë burra dhe emra të dëgjuar edhe pas vdekjes ë Aliut. Më 1854, i biri i Karaiskaqit, Dhimitri, i bërë bashkë me Xhavellën e njohur, formuluan dhe paraqitën sërish një projekt të plotë për një organizim shtetëror greko-shqiptar, gjithënjë me synimin e njohur të shkëputjes nga porta e lartë e Sulltanit. Mirëpo, kur ua parashtruan këtë projekt fuqive kryesore të kohës, Anglisë dhe Francës, çuditërisht, asnjera prej këtyre nuk ishte dakort ta mbështesnin këtë ndërmarrje të luftëtarëve shqiptarë në dëm të Turqisë. Kjo sepse, të dyja këtyre fuqive, për momentin, nuk u interesonte as fuqizimi i Greqisë, as dobësimi i perandorisë osmane.
Theksuam planet dhe projektet e një shteti grekoshqiptar, sepse brenda tij, gjithnjë përfshihet Myzeqeja, dhe më gjërë, trikëndëshi Berat-Shkumbin- Vlorë-bregdet.
Tentativa e parë e Aliut për ta futur në dorë Myzeqenë, siç thamë, ishin ato të miqësisë, si nip i oborrit apo si dhendërr i Kurt Pashait. Tentativa e dytë, ndonëse shumë vite më vonë, ishte martesa e dy vajzave të Ibrahim Pashës së Beratit me dy djemtë e Aliut, Myftarin dhe Veliun.
Në të gjitha këto raste synimi i Luanit të Janinës, ishte një dhe i vetëm; Myzeqeja dhe bregdeti i saj, do të ishin prika, paja e vajzave beratase për dhëndurrët e Tepelenës.
“…Aliu martoi dy djemtë e tij me dy bijat e Ibrahim Pashë Beratit dhe arsyet ishin të rëndësisë politike por aspak të fushës së ndjenjave”.
.
Dihet se kaçaku i Tepelenës nuk i njihte këto lloj ndjenjash, siç nuk njohu tërë jetën e vet as fe e besë, as miqësi, burrëri a marrëveshje.

Po Myzeqenë dhe myzeqarët a i njihte Ali Pashai?

Besojmë se po. Këmbëngulja dhe përpjekjet e tij në disa dekada për ta shtënë në dorë këtë “Lombardi… apo hambar të Ballkanit”, tregojnë se Aliu, agjentët dhe këshilltarët e tij, dinin se ç’kërkonin. Informatorët dhe agjentët e Pashait, të shpërndarë në çdo skaj të Vilajetit, përfshi edhe murgun Kozma Etolin, (1714-1779), i cili e shkeli dy herë Myzeqenë, kishin ç’t’i rrëfenin Vezirit të tyre për këtë fushë kaq pjellore, populluar dëndur nga banorë të krishterë, me aq shumë bagëti të trasha e të imta, për kuajt e lakmuar deri edhe nga princat e kohës, me bregdetin, skelat grykëlumore dhe pyjet e pafundme aq të kërkuara nga tregjet europiane për lëndën drusore. Në këtë bregdet të rrafshët e të paqtë, gjëndej e prodhohej “nafta e kohës”-prodhimi dhe tregtimi me shumicë i kripës, prodhimi i lëkurëve, mjaltit, dyllit e mëndafshit dhe sidomos, bollëku në prodhimin e drithërave, si një “hambar i Ballkanit”.
Për të kuptuar rëndësinë e kësaj tregtie dhe interesimin e shteteve të tjera për produktet shqiptare që mund t’ju siguronte fusha dhe bregdeti i Myzeqesë, po sjellim dy nga letrat-korrespondencë të agjentëve tregtarë anglezë dërguar Vezirit të Janinës, Ali Pashait.

Maltë, 15 shtator, 1809,
Zotëri,

Bashkë me këtë letër po u bashkangjis një kopje të udhëzimeve që kam marrë nga qeveria ime (britanike-N.K.), për hapat që duhet të ndërmarrë për sigurimin e lëndës drusore për ndërtime detare nga territoret e vendit nën qeverisjen e Ali Pashait.
Dëshira e qeverisë është të kërkojë një njeri kompetent për të matur dhe vëzhguar drurët dhe për të caktuar rezervat dhe pyjet ku do të merret lënda e prerë duke filluar nga Durrësi deri në Prevezë…
Pyjet e përmendur janë të gjithë të pakultivuar, terësisht të formuar nga natyra me dru vidhi, dushku, lisi, dru arre dhe gjethe delli…
Më 1782, francezët nënshkruan një kontratë me Ali Pashën, për të prerë lëndë drusore në territoret e tija për flotën ushtarake në Tulon…
Meqë stina është e përshtatëshme për sigurimin e lëndës drusore, kam dëshirë të punojmë pa humbur kohë dhe të kem nga ana juaj mbështetjen e nevojëshme, sa më shpejt të jetë e mundur.

Perij Traser
Unë mbetem shërbëtor i juaj i bindur.

Letra e dytë:

Shkëlqesisë së Tij, Vezirit të Janinës
dhe Shqipërisë Otomane
Durrës, 8 janar, 1810

I nënshkruari i Madhërisë së Tij Britanike ka arritur në qytetin e Durrësit për t’i dhënë një shtysë tregtisë me osmanët si dhe për të bërë vëzhgimet e nevojshme lidhur me pretendimet tepër të njohura të Francës për brigjet e Shqipërisë…
Kam nderin të përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj për marrjen e qytetit fortesë të Beratit nga ana e trupave Tuaja duke shpresuar që brenda një kohe të shkurtër e gjithë Shqipëria do të ju njohi Juve si komandantin e saj… Situata tashmë në Durrës është më e përshtatëshme për të hapur një komunikim tregtar…
Prej këtu mund të transportohet lesh, lëkurë, lëndë drusore, duhan dhe çdo produkt tjetër që prodhohet këtu. Ndërsa mund të importohet sheqer, kafe dhe çdo artikull tjetër i prodhimit britanik…
Mendoj se nën mbrojtjen Tuaj, tregtia do të lulëzojë duke dhënë avantazhe reciproke si për Portën e Lartë ashtu dhe për Britaninë e Madhe.
Me konsideratat më të larta për Shkëlqesinë Tuaj,
Shërbëtori Juaj i devotshëm, W.Leard për Ali Pashain.

Në bordin e anijes,”Harmonia”, Durrës, 8 janar, 1810.

Mendojmë se njohja e Pashait të Janinës me vlerat dhe rezervat që mund t’i siguronte Myzeqeja dhe territoret e saj, përfshinte gjithë fushat ku prodhoheshin ose gjendeshin vlera, deri tek ato pak ose aspak të njohura nga popullsia vëndase, siç ishin reliket e nëntokës, thesare të historisë dhe arkeologjisë në Myzeqe.
“…Njerëzit e Ali Pashës morën, ngarkuan dhe dërguan për në Berat 17 karro me gjetje arkeologjike të marra në tempullin jonik të Apolonisë…”

Ja pra, për derisa njohjet, informimet dhe grabitjet kanë shkuar deri tek pasuritë e nëntokës, të kësaj fushe-minierë, nuk bëhet fjalë për mbitokën, ujrat, kripën, drithërat dhe pyjet e saj.
Por Vezirit, përveç pasurive i duheshin edhe njerëzit, banorët e Myzeqesë, të cilët, i llogariste si mbështetje në përplasjet ushtarake me Portën e lartë dhe Pashallarët rivalë.
Pra i duheshin myzeqarët si mish për top…!
Kjo është arsyja pse Aliu duket kaq merakli dhe i kujdesshëm ndaj të krishterëve të Myzeqesë sa nuk kursehet të harxhojë “edhe nga qesja e vet ca aspra…”(për të ndrequr manastirin e plakut Kozma në Kolkondas…!)
Në folklorin e Myzeqesë ka edhe këngë popullore për Aliun e Janinës në të cilat, pothuaj gjithënjë lëvdohet, paçka pabesive dhe mizorive të njohura mbi qytetin e Beratit e më tej.

“…Janinë e bukur Janinë/Priti djemtë se po vijnë,
Jo si me Vezir Alinë/ Por të lidhur me zinxhirë

Është fjala për djemtë myzeqarë të mobilizuar me forcë për të mbrojtur qytetin e Janinës në betejat greko-turke të dimrit të vitit 1912-1913. Ajo çka vihet re në vargjet e mësipërme është fakti se djemtë po shkonin “të lidhur me zinxhirë” dhe jo si dikur, me Vezir Alinë, kur paskin shkuar me dëshirë, a më e pakta, jo me detyrim.
Përdorimi i dëndur i emrit Janinë, në rrëfimet dhe folklorin e Myzeqesë, tregon gjithashtu për njohje dhe informim të ngjarjeve dhe figurave që lidheshin me këtë kryeqendër të dëgjuar.
Fakti që pranë qytetit të Janinës ende sot përdoret toponimi i vjetër “Burimi i Fierit”, krahas disa burimeve të tjerë ku laheshin ushtarët e grupuar sipas krahinës nga kishin ardhur, tregon se numuri i myzeqarëve të vajtur në Janinë, nuk ka qënë i paktë dhe as për pak kohë. Të bie në sy një letër e beratasve (emertim që përfshinte gjithë territoret e Nahijetit të Beratit- pra edhe Myzeqenë), dërguar Ali Pashait, të cilit i ankohen për Pashain e tyre, Ibrahimin, duke e siguruar se këtej e tutje do mbështesin Pashain e Janinës. “Ali Pasha ta mësojë se Ibrahimin s’e ndihmojmë…”
Prandaj, për të fituar “zemrat e ftohura të ortodoksve myzeqarë-E.Lieer”, 34 vjet pas vdekjes së murgut grek Kozma Etolit, Aliu ndihu edhe vet me ca qese aspra, e urdhëroi të ngrihet manastiri.


MANASTIRI I PASHAIT TEK VARRI I MURGUT GREK

Zakonshëm, pashallarët kanë ndërtuar, ngritur dhe stolisur xhami, teqe a tyrbe, por jo kisha a manastire.
Por Pashai i Tepelenës s’ishte si çdo Pasha. Madje ai s’ishte vetëm Pasha…! Aliu ka provuar me bëmat, gjëmat dhe jetën e tij aq mizore sa edhe triumfuese, se pas titujve të Pashait, Valiut e Vezirit, vlonte shpirti dhe truri i strategut largpamës, grabitqar e diplomat, i cili, ende sot përbën referenca për kohën dhe madhështinë e tij mizore.
Greqia dhe posaçërisht kisha greke, gjithënjë në shërbim të nacionalizmit grekomadh vorioepirot, ka detyrimin e parë për ta nderuar Ali Pashain e Tepelenës, pasi ky Pasha shqiptar(!?), u bë shkak dhe mundësia e vetme që Greqia të ketë ende sot një sebep, një“gozhdë të Nasradinit” të ngulur në mezin e Myzeqesë, (Kolkondas, Fier) ku, gati 300 vjet të shkuara, u varros murgu grek, Kozmai, duke na e lënë litarin jashtë…
Po ç’ishte shtysa, interesat dhe motivet që e nxitën Vezirin e Janinës të urdhëronte personalisht ndërtimin(apo ndreqjen, siç e thotë ai…?) e një manastiri këtu, për t’ju shërbyer ortodokësve myzeqarë?
Janë të njohura sajesat folklorike dhe alibitë abuzive të krijuara qëllimshëm nga njerëzit e Aliut dhe kisha greke për gjoja miqësinë e tij me plakun Kozma dhe të ëmën Hankon, të cilës i paska thënë fatin e pritshëm të të birit “me mjekër të kuqe…”
Ali Pashai nuk njihte miqësi me mbretër e perandorë, jo më me një murg si greku Kozma. Merret vesh se mitizimi dhe profecitë e Kozmait për Aliun janë “mbjellë” pas “skuqjes” së mjekrës, (prerjes së kokës së Aliut-shkurt, 1821 – Koka në Stamboll, trupi në Janinë…-I.Kadare)
Ta njohim lexuesin me dy Kartat e Ali Pashait, me të cilat, ky urdhëron dhe nxit myzeqarët të ndërtojnë (apo ndreqin…?) manastirin e plakut Kozma, ndonëse 34 vjet pas vdekjes së tij…?!
Bujurdia e Aliut për ortodoksit e Beratit:
Nga shumë i larti Vezir Ali Pashai,
Juve rumër të Beratit, myzeqarë, vllehë e grabovarë, fshatra dhe çifligje. Po ju jap zë se ja tek vura një epitrop që të më ndërtonj manastirin e xha Kozmait dhe ndiha edhe unë me aspra, dhe të ndihi edhe ju siç do t’ju thotë dhespoti që të ndërtohet ky manastir.
Dhe cilido që nuk do të jap ndihmë do më mbetet hatri dhe do ta paguanj dyfish.
Sikundër po ju urdhëronj, kështu të bëni me vendimin tim.
Më 12 të vjeshtës së parë, 1813, në Gjinokastër.

Pas një viti, Aliu dërgon letrën e dytë:
Juve duaxhinjtë e hajrit tim, dhespotit të Beratit,
Koli Mitro dhe Haxhi Janko;
Ju përshëndes dhe po ju shpërfaq se i mora vesh për sa më shkruani dhe u bëra me shumë gaz që qenkeni bërë mukajet për xha Kozmanë.
Ja tek po vjen aty igumeni Koli me ustabashin dhe ta vini të ndërtonj odat dhe hajatin e manastirit që të bëhet tekmil nga të gjithë manastiret sepse tani që po vinj edhe vet aty, dua ta gjenj të gatishmë.
Përpiquni të gjithë ta ndërtoni dhe të gjithë rumërit e Beratit të ndihin. Ja tek po i shkruaj edhe Ibrahim Arapit që të ju bënjë mysade në çdo punë. Kështu siç po ju shkruanj të bëni dhe qofshi shëndosh.
Në Janinë, vjeshtë e parë, 12, 1814.
Gjithësa ka mbetur në Myzeqe si referencë nga emri dhe vepra e Vezirit të Janinës, janë pikërisht këto dy letra të botuara në disa gazeta shqiptare, në fillim të shek. 20-të. Sipas dëshmisë së italianit Xhovani Lorenxoni dhe kulturologut beratas Llukë Karafili (Bardhyli-mësues në Lushnjë, 1940), këto dy letra origjinale, këta i kanë lexuar në Bibliotekën e hershme dhe të pasur të manastirit të Ardenicës, para se kjo të grabitej dhe të digjej, në muajin shkurt 1932.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1958599027517212&set=a.424992550877875&type=3
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.