Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Anekdota shqiptare.

ALekSa

I think my guardian angel drinks
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 15, 2017
Mesazhe
9,667
Anekdotat, këto thënie të mençura, këto tregime të shkurtra shpotitëse e satirike, përmes së cilave interpretohen dukurit e ndryshme shoqërore, ndodhi të personaliteteve të njohura etj., japin një pasqyrim metaforik por edhe alegorik të realitetit tonë me të cilinë përballemi çdo ditë.

Këto tregime të zgjuara, që ishin karakteristik komunikimi tek shumë popuj ballkanas në të kaluarën, e në veçanti në disa treva shqiptare (ku akoma janë prezent, edhe pse të zbehura nga evoluimi kohorë), arrijnë që përmes mesazheve të japin aspekte nga jeta, në dukje të vogla, por me vlerë përgjithësuese, duke i vënë në lojë klasat sunduese, pushtuesit, tradhtarët, qeveritarët, personalitetet publike etj., por duke mos lënë pa atakuar as problemet e ndjeshme sociale, ekonomike, politike etj.

Shkathtësia e këtij komunikimi të drejtpërdrejt me dëgjuesin dhe roli si mburojë a si shtizë ndaj kundërshtarit, i kanë siguruar anekdotave, por edhe aforizmave, fjalëve të urta etj. një vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës shqiptare, por edhe një jetë të gjallë e aktive, me një humor të hollë e satirë therëse, edhe sot e kësaj dite.

Pjesa dërmuese e anekdotave që janë të vendosura më poshtë janë të marra nga librat: “Anekdota 1 dhe 2” i botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës, dhe “Tregime shqiptare” shkruar nga Daut Demakut .

SHQIPTARËT JAN SI SHQIPET



Në një ndejë në Mal të Zi, Mark Milnai i thotë Ali pashë Gucisë:

- Ju shqiptarët jini sikur dhitë e egra. A i ke parë dhitë e egra, njëra në atë rrëpirë, tjetra në rrëpirën përball thërasin e bërtasin se nuk u rrihet vetëm, por kur bëhën bashkë, të parën punë që bëjnë, godasin njëra-tjetrën në lule të ballit, veç në këmbë të prapme për të bërë belanë...

Ali pashë Gucia buzëqeshi e tha:

- E more Mark Milani, sa di unë, edhe ti prejardhjen e ke shqiptare, por pasi u bërë malazez “të koftë me sherr kombi i ri...” E për dhitë e egra, po them, e ke gabim!

- Pse e kam gabim?

- Sepse shqiptarët nuk janë sikur dhitë e egra, por janë shqiponja. I ke parë buburrecat? Ata janë të vegjël, qyqar, rrinë bashkë e punojnë bashkë se vetëm nuk ua mban dhe s’ia dalin dot. E shqiptarët sillen sikur shqiponjat. I ke parë shqiponjat në fluturim, i bien qiellit trup e tërthor e askënd se mbajnë afër vetes, sepse ato janë sundimtare të plota të qiellit e nuk ia kanë nevojën kujt për ndihmë.

- Hollë ke qitur Ali pashë Gucia!...

- Jo, s’thashë gjë të re, o Mark Milani! Shqiptarët prej shqipeve e kanë marrë emrin, e mjerë ata që s’kanë ndenjur me shqipe, po janë bërë bashkë me buburrecat!
 
NJË PITE TË KEQE PËR MYSAFIRIN E MIRË!



Një natë dimri Ramadan Shabani shkon mysafir te Xhemajl Abria.

Te dy pleqnar të njohur që i kishte Kosova.

Të gëzuar për takimin, te dy pleqtë në kullë harrohen në bisedë.

Dikur, nëna e Xhemajlit, që e dinte se në kullë është një mysafir i mirë, shkon dhe troket në derë.

Del Xhemajli në der të kullës:

- Hë nënë, ç’e mirë të solli këtu?
- Më thanë se të ka ardhë një mysafirë i mirë bre loke?!
- Po, bre nënë, pasha zotin, mysafirë më të mirë kjo kullë nuk pret!
- Ani lokes, çka po ta do zemra të të gatuaj nana për darkë? I kemi, shyqyr zotit tana të mirat e, për mysafirin e mirë - diçka ma të mirë!
- Gatuaja nënë një pite të keqe!
- Qysh loke, pite të keqe për mysafirin e mirë?
- Oj nënë, ruaje bulmetin për llaskuçë që vijë për bark, ata ta marrin për gojë konakun, se ky ka ardhur për llaf e muhabet - tybe e treqind tybe as mendja nuk i shkon se çka i qet në sofër!..
 
THES PËR SHTROJË, THE PËR MBUOJË



I kishte pasë zënë nata dy vetë në mal. U afruan pranë një lisi she u bënë gati për të fjetur.

Njëri po i thotë tjetrit:

- A po t’merr gjumi?
- Pak, besa!
- E çka ke shtru?
- Thes.
- E me çka je mlu?
- Me thes.
- Ama bre, nja!
- S’kam valla se jam hi në ta!
 
LIVADHET E SHTRENJTA



Takohen në Fushë-Krujë Ismail Qemali dhe Ali pashë Gucia.

Ali pashë Gucia u ndal e po i sheh livadhet e bujshme, tërë rrafshinën e pëlleshme të Fushë-Krujës.

- A thua, more zotëri Ismail, këto livadhe kaq të mira e të buta, a janë të shtrenjta? - foli Ali pashë Gucia.
- Shumë të shtrenjta janë! - u përgjigj Ismail Qemali.
- Çka ta merr mendja, sa teneqe flori bëjnë?
- Eh, more Ali pashë Gucia, këto livadhe të buta e të mira e kanë vlerën e lartë, rrafsh sa një grua!
- Sa një grua, po unë në malësi...?!
- Jo Ali pashë, jo ashtu qysh po mendon ti. Këto livadhe të buta e të shtrenjta e kanë vlerën sa një grua e mirë, bujare e fisnike si ajo që ka lind një Ali pashë Guci!
 
RASHË QË RASHË, PO JU QES EDHE GJOVE

Në një fshat të malësisë së Opojes, si në shumë vende tjera të Kosovës, shkaku varfërisë, njerëzit banonin nën një çati me kafshët shtëpiake. Poshtë ahuri, lartë dhomat banuese.

Një natë, një fshatarë duke fjetur sipër ahurit, pasi dërrasat që ndanin këto dy pjesë ishin vjetruar dhe kalbur, bie brenda në të.

Fshatari i habitur, herë shikonte vrimën sipër nga kishte ra e herë vështronte gjënë në ahur.

Pasi u kthjell pak, po thotë vet me vete: “Rashë që rashë, po ju qes edhe gjove...”
 
QË KA ME HËNGËR DREQI E KOM DITUN, POR...



Një nuse e re, diku në dukagjin, kish pas qëllua me një vjehërr shumë të keqe. Vjehrra ishte shumë shpirtzezë, sa nuk ja linte nuses askund vendin. Por, nusja kish pas qëllua e familjes fisnike, dhe e duronte gjithë atë trysni.

Një ditë nusja shkon në gjini.

Pas nja dy ditësh po vjen i shoqi e po i thotë:

- Qohu moj grue se duhet me u kthye n’shpi!
- Hajr na koftë, çka paska ba vaki?
- Ashtë djege shpia. Mrena ka qellu nëna e asht djeg bash me të!

Nusja pe luan kokën e po thotë:
- Që ka me hëngër dreqi një ditë e kam ditun, por që ka me hëngër t’pjekun, s’ma ka marr mendja!
 
DIKUJT FTOHTË E DIKUJT NXEHTË



Në një odë malësorësh të Rugovës, ku nga skamja e varfëria, ishte edhe odë edhe shtëpi, se nuk kishte konak tjetër, plaka ua shtronte vendin për të fjetur dhëndrit e vajzës së vet e, pak më tutje, nën të njëjtën mbulojë, djalit e resë.

Plaku pinte duhan pranë oxhakut dhe i vështronte.

- Vendin e keni gati! - u tha plaka dhëndrit e vajzës dhe mori jorganin t’i mbulonte.
- Afrohuni pak nga njëri-tjetri se nata është e ftohtë e do të mërdhini, - u thoshte plaka derisa i mbulonte.

Pakë më tutje, plaka u bëri vend djalit e resë. Duke i mbuluar u thoshte:
- Ç’jeni ngjitur trup për trupi, largohuni pak, largohuni se natën ju vjen nxehtë e djersiteni!

Plaku, që i shihte e i dëgjonte, krejtësisht i qetë pranë oxhakut, foli ngadalë:
- Haj medet, haj medet!... Nën një jorgan dikujt ftohë e dikujt nxehtë!
 
DIKUSH HIQ E VUAJ, DIKUSH PUTH E DUAJ



Njëri prej Tushilës ishte i varfër e i vetëm.

Fejohet me shumë mundime i shkreti, se të varfëritë, si gjithkund, bartin peshën e rënd të jetës.

Gëzohet shumë për fejesën dhe nis ta çezojë nusen. Merr para hua dhe blen pambuk e qo te nusja. Ço mëndafsh, lesh... e gjithfarë harxhesh që i duheshin për çejzin e nusërisë.

“Ore, - i thoshin, - je pak i hollë prej takatit, ndale dorën se këto para që po i merr hua, një ditë duhet kthyer!”

- Veç le të çejzohet mirë nusja se unë punoj. Punoj e fitoj dhe, një ditë, edhe borxhet i kthej.

Zgjati kjo punë, po, nja dy vjet e tepër.

Erdhi koha. Nusja kishte bërë çejzin gati. Ishte caktuar edhe ditën e dasmës, u nda vadja.

Pikërisht kur u nda edhe vadja, çohet një Smakiç i Arbrisë e t’i grabitë nusen me krejt çejzin e gatshëm.

Ky i shkreti ra për tokë: ta vriste Smakiçin, nuk ishte punë që bëhej, të zinte nuse tjetër - ruajna zot, se ishte i mbytur në borxhe deri në fyt.

Mbeti edhe pa nuse, edhe duhej punuar ditë e natë për t’i kthyer borxhet.

Nuk shkoi gjatë e i doli kënga:

Dikush hiq e vuj,

Dikush puth e duj!
 
ZOR ME U PASUNUE E SHPEJT ME U FIK



Një herë e pyesin një të pasur:

- Allahile burr, a na kallxon drejt, a hoqe zor deri sa bone shpi e pasuni kaq të madhe?
- Vallahi more burra, masi po m’vetni, për t’drejtë t’zotit due me ju kallxue. Derisa e qita shpinë në t’temel e u ktheve marë e u pasunova, kom hek boll! Sa me e pasë shty ni guri t’madh me gjyks e me e qitë në maje t’bjeshkës.

Masë do kohësh, meshkuj e asaj shtëpie u ndanë, se nuk shkonin mirë njëri me tjetrin, e ky i pasuri u fik.

Shkonin prapë njerëzit me e pa, se i kishte pas ndihmuar shumë të varfëritë, e po e pyesin:

- Allahile a na kallxe drjetë? Sa shumë mall ke pas, qysh u fike kaq shpejtë, e a hoqe zor?
- Po ju kallxoj bre burra. Qysh kam pasë hekë zor me u ba shpi - me qitë me gjoks atë gurin n’maje t’bjeshkës, tash s’pata anevoj hiq me u mundue, se ai guri i madh u rrotulle meniherë vet e ra n’fund të bjeshkës. Qaq shpjet jam fik.
 
MENDJA E MADHE



Në një kuvend të burrave, hyri me pakë vonesë edhe Shaban Hoxha i Isniqit. Ishte vonuar pak dhe, natyrisht, plakun e mençur e pret kuvendi.

Mirëpo, një mendjemadh i Strellcit, me mustaqe të holla si bishti i miut, që ja kishte mbushur mendjen vetes se e ka vendin në kuvend të burrave, i hidhëruar pse kuvendi po e respektonte Shabanin, mezi priste që t’ia thoshte ndonjë fjalë.

Shaban Hoxha u rahatue në kullë. Ia sollën edhe kafen.

Njëri prej pleqve në kuvend tha:
- Fol diçka Shaban Hoxha!

Ende pa e çelur gojën Shabani, ai mendjemadhi ia priti:
- Çka ka me fol Shaban plehu që vonohet në kuvend të burrave?

Të gjithë u prekën. Ai plaku që i tha Shabanit më parë “fol diçka”, u zu ngushtë, por foli:
- Mos u hidhëro lum Shabani, se është martue rishtas dhe e ka pak veten n’qejf?
- Jo - tha Shabani Hoxha, -nuk hidhërohem. Plehut ia sheh hajrin dikush, se plehu e rrit bimën, e mendjes së madhe, pasha zotin, kush mbi dhe hajrin deri sot s’ia ka pa!
 
AI S’ASHT MSUE ME DHANË



Një zemërngushtë (tahmaçar) kishte pas ra në ujë e donte me u mbytë, se nuk kishte pas ditur not. Qëllon njëri atypari e i thotë:
- Ama dorën, bre burrë!

Një tjetër, që e kishte pas njohur këtë zemërngushtin, ia kthen këtij:
- Ai nuk asht msue me dhanë, por veç me marrë e thuj: “Ha dorën!” e jo ama dorën, n’dash me e pshtue pa u mytë.
 
PA LËSHOJE MA TË MADHE, BRE BURRË!

Ishte nisur një malësor për Gjakovë. Rruga e gjatë dhe e kishte marr uri e madhe. Afër Gjakovës e takon një bashkëvendës. Po e pyet atë:
- Ku ke, bre burrë?
- N’Gjakovë.
- A kish bukë n’Gjakovë? - po pyet prapë malësori, e prej urisë së madhe, e kishte zënë frika, se nuk do të gjente bukë atje.
- Kish boll bukë, besa, - ja kthen bashkëvendësi.
- A ishin t’mdhaja buk’t? - po e pyet prapë malësori, se prej urisë së madhe mendonte se nuk do i dilte një bukë e tërë.
- Bajagi t’mdhaja ishin.
- Pa banma me shej ni bukë qitu n’tokë, ta shoh sa janë t’mdhaja.
Ky mori një gur e fillon ta bëjë një rreth në tokë, përafërsisht sa ishte një bukë e furrës.
Malësorit iu dukë i vogël ai rreth, ngaqë kishte uri, e po i thotë atij:
- Pa lshoje ma t’madhe (bukën), bre burrë!
- More, unë po e lëshoj t’madhe sa Fusha e Bajram pashës, po s’pe lshon furrunxhija se!
 
Malësori katolik dhe Stalini

(5 Mars 1953)

‎''Kur pat vdekë Stalini, në Shqipni u ba gjamë e madhe. Partia angazhoi vendin me e qa prijësin. Nji malsor ulet në Shkoder e kur i afrohet shehrit sheh n'tana anët njerëz që qajnë edhe vajtojnë. ─ "Çka ka ba vaki burra?!" - i pyeti malësori. ─ "Ka vdekë baba Stalin!" - i thonë. ─ "Hajt kjofshi shëndosh dhe e ndihmoftë Krishti! Dritë i pastë shpirti" - ban zakonin malsori.... ─ "Mos!" - i bërtiten, "mos thuej ashtu se nuk ban!" - i thanë tanë njizani! ─ "Me m'falë burra" - tha malsori - "kenka mysliman! Atëherë Allahu e ndihmoftë edhe e pranoftë në xhenet!" ─ "Jo jo jo!" - i thanë, "as ashtu nuk ban!"... ─ "Heu, hajt pra ja hangërt Dreqi shpirtin! Krisht jo, Muhamet jo, çka dreqin asht ai!?" - u tha malsori. Sigurimi në tana anët e ta rrasin në burg të shkretin, ka ba tetë vjet burg për atë fjalë.''
(Huazuar nga baca Mexhid Yvejsi)
 
Xha Shaqua , ishte qejfli i rakisë , dhe këtë e dinte mire gruaja e tij , ndaj gjithmon përpiqej që tia largonte atë ves .

Mirepo dukej e pa mundur për një " pije pires " apo " alkoldashës " si Xha Shaqua , ishte e pa mundur që ti gjeje një mënëyrë për tia larguar shishen e rakisë nga vetja ..

Ai nuk e prodhonte vetë rakinë , por veç e blinte në treg tek disa të njohur , nga ku e kishte edhe ; të sigurt dhe te mirë rakinë që pinte ..

Kështu bëri edhe këtë herë , shkoi në treg dhe bleu dhjetë litra në një bidon plastik dhe i solli në shtëpi .. !

Kjo gjë , megjithse nuk i pëlqeu gruas së tij , të paktën do bënte që ta pinte në shtëpi rakinë dhe nuk do të " bridhte " lokaleve të qytetit ..!

Sa erdhi në shtëpi , si mjeshtër i rakisë , Shaqua u mbyll në bodrum , dhe filloi ta ndante në shishe qelqi një litërshe të cilat i kishte mbledhur aty këtu që më parë !..

Maria , e shoqja kur e pa , i tha :

- Pse mundohesh kot o dritëzi nuk të bën punë edhe aty ku është në bidonin plastik ..

- Ku di ti moj nangurridhe nga rakia .. Po rakia në bidon plastik prishet moj që u prishet nga mendja ..

- Po po , i tha ne "flakë " Maria , do ta lesh ti aq shumë sa të prishet .. !!

Dhe debati me batutat e " sherret " e përditshme vazhdoi deri sa Xha Shaqua e sistemoi në shishe të gjithë rakinë , dhe të dhjeta ato i vendosi në një raft druri , aty ku kishte errësirë .. !


Në ditët në vazhdim ai bënte ritualin e tij te përhershëm , duke rrukullisur disa gota në ditë që nga mëngjezi e deri në darkë ..
Maria , e dinte mirë , se ai nuk do të ndalonte deri sa ta mbaronte të gjithë rakinë ..deri sa biles , mos të kishte asnjë pikë për të qerasur njerëzit .. Pastaj këtë ai bënte gjithmonë . Ajo shumë herë shkonte tek komshitë e merrte " borxh " raki për ti qerasur miqtë që vinin për vizitë ..
Kështu që vendosi të bëjë edhe ajo" punën " e saj .Ndaj , me marifet mundi të hiqte nga grumbulli i shisheve, katër prej tyre dhe i fshehu në një vend që ajo e kishte si të veçantë . Dhe ky vend ishte trungu i një fiku të moçëm që kishin disa metra larg deres së shtëpisë , në fillim të baçes së poshtme .. !
Xha Shaqua , piu dhe piu përditë rakinë dhe zakonishtë nuk shkonte vetë tek bodrumi , por rakinë ia sillte Maria .
Një ditë që ajo nuk u ndodh në shtëpi , u " detyrua " të shkojë vetë tek shishet për të mbushur faqoren e tij . Mirëpo pa se i mungonin disa shishe .. !! Menjëherë e kuptoi se ishte gruaja " kusarja " , ajo që e bënte shpesh këtë . Ndaj filloi të kërkojë ,cep më cep shtëpinë ; oborrin , kopshtin ; gjithëandej , dhe më në fund e gjeti vendin ku ishin fshehur shishet e rakisë ..
Shpejt e shpejtë , i zbrazi në bidonin plastik , dhe i mbushi me ujë , me qëllim që të mos kuptonte gjë gruaja e tij " sherrxheshë " .. !
Duke qënë se edhe ekonomia familjare nuk i lejonte që të blenin prapë raki , kaq shpesh , nuk i kërkojë kurrë gruas raki , por në fshehtësi vazhdonte e pinte atë që kishte fshehur në qilar.. !
Dhe kjo punë u harrua , pasi ai nuk i tha askujt për " mjeshtërinë " që kishte bërë , kur një ditë erdhi në shtëpi Fejzua , vëllai i Maries ..
Kjo si zakonishtë , i mbushi dy gota raki , nga " rakia " që kishte fshehur tek zgavra e fikut , dhe erdhi dhe ua serviri burrit të saj dhe vëllait të saj ..
Burri nuk bëri zë , deri sa dëgjoi kunatin të thoshte :
- Na moj motër , me ujë na qerase ??
- Ç ujë more vëlla ?? Ajo është raki e mirë e kemi blerë që në Janar ??
- Që në Janar ?? Po ne atë e kishim mbaruar , ndërhyri Shaqua dhe shtoi :
- Unë nuk fola , por edhe e imja është ujë.. Thuam ku e more rakinë .
- E ti nashti do "këmbët e mizës " . Po ja këtu tek komshija e mora, dhe thashë ashtu kot ..!. - tha Maria të cilës kishin filluar që ti manushaqepsen faqet , më shumë nga turpi , pasi kushedi se çfar do të mendonte vëllai i saj i vetëm tani nga kjo që ndodhi ..
Megjithatë e mori kurajon dhe ashtu si llastika që mblidhet kur e tendosim edhe kjo u përmblodh dhe iu " lëshua " burrit të saj :
- Po pse more ditëzi , ti nuk e more rakinë aty tek pazari tek miqtë e tu ?? Ata ta kanë hedhur ?? Pse nuk flet ??
- Çfarë thua moj , ne nuk e morëm dhe e ndamë bashkë në shishe qelqi ?? Dhe na mbaroi ajo që atëher ??
- Po por unë ti kisha fshehur disa shihse ..
- Aaaaa , tha " i habitur " burri i saj finok ..Pra i kishe fshehur dhe mua më thoshje që nuk ka më .. Po a nuk më thua se ku i kishe fshehur ??
- Po ku more harram ti fshehja nga " thapët " e tu , këtu tek zgavra e fikut tonë tek baçja ..
- Eeeehhh sa torollake që je moj grua . Po sa herë të kam thënë që rakinë kur e vendos tek bytha e fikut , merr eren e tij dhe kthehet në ujë .. ???
Nga ana e tij edhe Fejzua e kuptoi hilenë pasi e njihte prej 50 vjetësh dhënderrin e tij Shaqo , me shakatë dhe bëmat e tij gazmore .. !!
Maria ngeli e shtangur sa as dy fjalë që deshi të thoshte nuk denjoi ta zgjaste më shumë duke e mbedhur me shprehjen :
- Edhe ketë e bëre ??
Jashtë era turtullonte dhe i rrëzonte përtokë gjethet e fikut , sa kështu edhe fiku po qeshte me shakatë e Shaqos dhe " nervat " e Maries "
Shaqua qeshi dhe i tha gruas duke vendosur gishtin e tij tregues tek tëmthi i saj :
Kot nuk i thonë , që " më mirë të dish se sa të kesh " por ti nuk di ndaj ske si të kesh mor tyrifiçkë !!
 

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.