Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Dy romane- Dy pikëvështrime për vendlindjen

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,953
– Shënime për dy romanet e Namik Dokles (Vajzat e mjegullës dhe Lulet e skajbotës) përkthyer dhe botuar në Sarajevë –

Nga Lamia Milishiç*

Goranët jetojnë në njëzetetetë fshatra në Bjeshkët e Sharrit, në kryqëzimin e kufijve mes disa shteteve ballkanike: Shqipëri, Maqedoni, Jugosllavi ( sot Kosovë) madje pretendohen edhe nga bullgarët.

Namik Dokle, i njohur si dramaturg, gazetar dhe politikan, në romanin e tij të parë VAJZAT E MJEGULLËS e shfrytëzon titullin e veprës jo vetëm thjesht si sinonim për goranët dhe vendlindjen e tij Gorën, por me këtë “vajzat apo bijtë e mjegullës” në të vërtetë përshfaq identitetin e rigjetur të goranëve, të cilit Dokle i jep magjinë në rrjedhën rrëfyese të tekstit të vet.

Ta nisim nga rrëfyesi i tekstit. Romani është shkruar në vetën e parë, nga perspektiva e njeriut që kujton ndodhitë e vendlindjes se tij Bukojna që prej 57 vjetësh. Pa dyshim, në rrjedhën e kaq shumë viteve, në tërësinë e tekstit, rrëfyesi ia dhuron fokusin e veprës, hiç më shumë, por vetvetes në moshën dhjetëvjeçare. Historia që rrëfyesi na tregon nis me vrasjen e arushës dhe mbaron me vrasjen e njërit prej banorëve të vendlindjes së tij. Me këtë autori përmbyll romanin e vet duke i dhënë tërësinë e një jete krejt të veçantë.

Rrëfyesi i romanit në historinë e tij ecën si nëpër mjegull,- ndërkaq në çast përshfaqen disa prej skenave që ka përjetuar në fëmijëri, njerëzit që ka takuar dhe njohur në vendlindje dhe ngjarjet që ka dëgjuar. Edhe pse përshkruan histori të shkurtra të disa familjeve të fshatit, shumë shpejt lexuesi dallon se cilët janë personazhet kyç në jetën e këtij djali dhjetëvjeçar: Majka, xhaxhai dhe mësuesi, një trini, sa simbol, po aq edhe metaforë. Majka është plaka për të cilën thuhet se jeton që prej 300 vjetësh; xhaxhai i tij është njeriu që shkruan një ditar për jetën e fshatit, ndërsa mësuesi është njeriu që lexon.

Namik Dokle nëpërmjet këtyre tre personazheve ndërton pemën e historisë së romanit. Tregimet ****** të Majkës për ngjarjet e vendlindjes, marrin formën e të shkruarit në ditarin e xhaxhait, për t’u parë me risk dhe kureshti nga leximet e mësuesit. Kështu Dokle tregon, shkruan dhe lexon vendlindjen e vet. Dhe romani nuk flet vetëm për kërkimin e identitetit, por edhe për rolin e gjuhës në këtë kërkim. Ditari i xhaxhait bëhet element kyç në momentet kur skena e gjerë e politikës nis të rënkojë: dorëshkrimi i tij ndalon harrimin dhe ndërton historinë.
Të kthehemi tek rrëfyesi, narratori i këtij romani. Fokalizuesi i ngjarjes është një djalë 10-vjeçar, i cili tani, pas 57 vjetësh, dëshiron ta tregojë historinë e vendlindjes se vet dhe si kanë ndikuar mbi jetën e Gorës dhe banorëve të saj përplasjet politike të botës dhe të shteteve që takohen dhe ndahen prej kufijve të tyre në trojet e kësaj krahine, diku në askund. Djali e zhvillon historinë e vet duke treguar edhe këngët, zakonet, traditat dhe përpjekjen e njerëzve për t’i ruajtur nga kafshimi politik i kohës.
A ka problem ky tip rrëfyesi? Perspektiva e vështrimit fëminor është perspektivë margjinale në suazën e shoqërisë të cilës i përket. Ai nuk rritet në kohë, ngjarjet në të cilat ka qenë dëshmitar si fëmijë i tregon,- ta themi kështu,- në suazën e opinionit të mbyllur, drejtpërdrejt, sepse nuk bën asnjë koment për ato ngjarje nga perspektiva e vetvetes si njeri i rritur tashmë. Rrëfyesi, ashtu siç e takojmë te Vajzat e mjegullës, realisht synon të arrijë një gjë: të lërë pas çfarëdo lloj ideologjie dhe situate politike. Mendoj se kjo është arsyeja që Namik Dokle e ka treguar gjithë historinë e tij nga pikëvështrimi i një fëmije. Me duhet të pohoj: edhe nëse perspektiva fëminore është margjinale, ajo bën të mundur një gjë shumë të rëndësishme; faktet jetësore i sjell me një freski të admirueshme. Djali i romanit përshkruan shumë gjëra që nuk i kupton me një objektivitet të shprehur, madje hera-herës edhe me indiferencë. Natyrshëm kjo indiferencë buron nga moskuptimi fëminor i absurdit që ndodh përpara syve të tij.

Tregimi i fëmijës është një rrëfim krejt personal, gati-gati sikur po ia tregon dikujt që e njeh prej kohësh.( E në fakt është lexuesi vetë) Fshati i tij, Bukojna, fillon e merr kështu përmasat e një hapësirë të mbuluar me kupolën e mjegullës, i harruar, i çuditshëm dhe njëherësh i magjishëm. Është një vend vetmie dhe me këtë na kujton Makondon e Markesit.

Duke gjetur ditarin e xhaxhait, djali nis të kopjojë disa nga shënimet e tij të cilat do t’ia tregojë mësuesit. Lexuesi, natyrshëm fiton pamjen e rileximit dhe rishkrimit të djalit mbi ditarin dhe jo vetë ditarin. Fakti i rishkrimit të ditarit nga fëmija na kthen përsëri tek ai si fokalizator: gjithçka ndodh me goranët jepet nëpërmjet syrit të tij, madje edhe perspektiva e xhaxhait jepet nëpërmjet asaj që fëmija zgjedh nga ditari. Madje teksti i ditarit është dhënë i fragmentuar dhe Namik Dokle e shfrytëzon këtë element si për të futur në roman një zë të rrituri, që në një farë mënyre ta ndihmojë fëmijën për ta plotësuar historinë në një vazhdimësi vëzhgimi.
Mësuesi bëhet tërheqës që nga momenti kur i tregon fëmijës për njerëzit që shkruajnë libra, ndërkohë që ai dinte vetëm për ekzistencën e librave të shenjtë. Me këtë rrethanë autori na tërheq vëmendjen tek e shkruara si dëshmia kyç e qenësisë njerëzore. Në fund të romanit, poezia e mësuesit për vajzat e mjegullës paralajmëron fatin e vet mësuesit, siç edhe shumë këngë gorane, të cilat buthtojnë në faqet e romanit, dëshmojnë jetën e përditshme të banorëve të Bukojnës, në kufijtë e shkatërrimit të njeriut.

Dua të kujtoj edhe ëndrrën e djalit për shqiponjën, të cilën lexuesi e gjen para fundit të romanit. Në këtë pasazh, Dokle thjesht dhe me pak detaje pikturon pikëvështrimet e një gorani, një biri të mjegullës. Qielli në të cilin fluturon shqiponja në ëndërr kthehet në një masë ajri të ngjeshur, midis syrit të djalit dhe shqiponjës krijohet ajo kupola e mjegullës që mbulon gjithçka në roman. Gjithsesi, fluturimi i shqiponjës mbetet si një ëndërr e paharruar dhe e lirë…

Banorëve të Gorës dhe veçanësive të vendlindjes së tyre u kushtohet edhe romani tjetër i Namik Dokles, GORA PA ZOGJ. (Në botimin shqip LULET E SKAJBOTËS) Në ndryshim nga romani i parë, ky është i vendosur në ditët e sotme, – dhe bashkë me romanin e parë vazhdon bashkëbisedimin për identitetin e njerëzve të Gorës. Dokle tani i shikon ata si zogj me krahë të prerë, si ata që fluturojnë në dhera të huaj për t’u shndërruar në diçka tjetër. Prandaj Gora pa zogj është shkruar në vetën e tretë, ku takojmë disa personazhe të cilët kapen në kurthin e gërshetimit të rrethanave me te cilat kryqëzohen rrugët e jetëve të tyre. Ama nuk kemi më atë fëmijë që në romanin e parë na ka rrëfyer sagën e vendlindjes së tij. Dhe kjo për një arsye: Dokle nuk ka dashur të na japë përsëri atë instancë rrëfimi që bën magjinë e kujtimeve të personazheve të romanit.

Përkundër kësaj, në Gora pa zogj, autori na çon nëpër skutat e ndërgjegjes, të përbashkëta dhe individuale, të brezave të ndryshëm. Gjithsecili prej tyre sillet me mënyrën e vet me të kaluarën e tij dhe një numër i dukshëm individësh përbashkohen falë asaj të kaluare që nuk shlyhet lehte. Prandaj Dokle, në romanin e tij të dytë, portretizon njerëz në situata të veçanta,- në gjendjen e vetizolimit, e cila nuk mundëson mëtejsinë normale të jetës. Ndërsa lexoni fragmente, nganjëherë të frikshme të rrëfimit, të duket sikur ajri rreth personazheve është ngjeshur si xhelatinë,- aq shumë është mbërthyer qëndrimi apo kapja e tyre në rrjetat e jetës nga e cila nuk mund të gjejnë rrugëdalje.

Një nga këta personazhe është Halla Hasime, ish-partizania që nga tatëpjeta e ngjarjeve të para 50 vjetëve tashmë nuk mund të vendosë për të ardhmen, ajo vazhdimisht i rikthehet rileximit të gabimeve të kaluara, të lidhura me një tjetër partizane, shoqen e saj të pushkatuar nga ajo vetë. Në këtë pjesë të romanit, Dokle u jep hapësirë kujtimeve të Hasimes që të risjellë fjalët e shoqes, duke i dhënë lexuesit kujtimet sporadike të vajzës së dënuar padrejtësisht. Është gati një gjendje halucinante. Personazhi i Hasimes lufton me ato kujtime, zëri i saj gërshetohet dhe ngatërrohet me atë të shoqes së vet. Nuk kujton vetëm padrejtësinë, por edhe idealet që ajo mbronte, duke e quajtur Vajza e Lirisë. Ajo është si zogu, fluturimi i të cilit vazhdon edhe pse janë përpjekur t’i presin krahët.

Në Gora pa zogj janë disa personazhe të familjes Kallabaku. Dy prej tyre, vëlla e motër, fatkeqësisht të ndarë dhe gjatë gjithë romanit kërkojnë njëri-tjetrin, pa arritur ta gjejnë kurrë. Ata të dy i njohim që në faqet e para të romanit, kur në familje vjen arkemorti me emrin Petrit Kallabaku, por sipas një shenje motra kupton që i vdekuri nuk është vëllai i saj. Me këtë skenë fillon motivi i vdekjes që shfaqet edhe herë të tjera në roman. Me këtë motiv është i lidhur edhe Çopur Çabraku, që duke qenë biznesmen zhavorri, gërmon gjithandej tokën e Gorës, madje edhe varrezat e saj. Ky personazh është i lidhur me fijet e së shkuarës dhe të tashmes me Hasimen, kështu që autori i bën bashkë tre motive: kujtimet, vdekjen dhe fajin, – për të përshkruar kështu shkretimin e Gorës, prej të cilës kanë fluturuar të gjithë zogjtë për të cilët kujtimet, vdekja dhe faji nuk janë të paktën aq të rendë.

Megjithëse me fate të ndryshëm, personazhet e të dy romaneve janë të lidhur me njëri-tjetrin, sepse kanë të njëjtin fat, megjithëse në kohë dhe rrethana të ndryshme. Ismen Kallabaku flet edhe ai për vdekjen, por tashme nga pikëvështrimi i traditës së Gorës…

“Ti e di zakonin që kemi. Kur vdes një djalë në prag të dasmës së vet, nëna dhe motrat i bëjnë Bajrakun e Dhëndrit, e mbajnë në shtëpi, në dhomën e dhëndërisë dhe ne çdo dasmë të fshatit, në krye të krushqve që marrin nusen prin Bajraku i dhëndrit… Deri atë ditë që në fshat mund të vdesë a të vritet ndonjë djalë tjetër i pamartuar, me nusen n’vekë të cezit. Atëherë të drejtën e Bajrakut të dhëndrit e merr familja e tij… E në këto kohë na janë shtuar Bajrakët ne fshat, ikin djemtë dhe lenë nga një Bajrak pas vedit…”

Ata i lidhin vuajtjet, dyshimet, legjendat. Si legjenda e djallit në këtë roman, që gjithë inatin e botës ia vuri Gorës mbi shpinë. Dhe asaj i kanë mbetur, siç thotë Ismen Kallabaku, “ vetëm legjendat dhe bajgat.”

Gora pa zogj, ashtu si edhe Vajzat e mjegullës, është roman që dëshmon për këtë barrë të rendë që bartin personazhet, duke i bërë bashkë në të njëjtin kob, por duke i dhënë nderimin çdo jete të veçantë të tyre.



*Studiuese e letërsisë se krahasuar- Sarajevë
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.