Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

E doni apo e urreni, Karl Marks ripërcaktoi gjeopolitikën dhe e tronditi rendin botëror

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731

E doni apo e urreni, Karl Marks ripërcaktoi gjeopolitikën dhe e tronditi rendin botëror​



Nga Jonny Thomson

Në filozofi mund të gjesh analiza dhe ide brilante. Duke vëzhguar idetë dhe botën përreth nesh, ne mund të zbulojmë të vërteta mbi veten apo Universin, të cilat e transformojnë rrënjësisht mënyrën se si e shohim dhe bashkëveprojmë me gjithçka përreth nesh.

Por është gjithashtu e drejtë të thuhet se orët e shpenzuara dhe librat e shkruar,mbi tematika te ndryshme nëse njerëzit janë të mençur, nëse bota është një simulim, apo se çfarëdo të bënim ne po të jetonim në Gjermaninë naziste janë koncepte abstrakte. Pjesa më e madhe e kësaj filozofie lihet pas në sallat e leksioneve dhe dhomat e konvikteve studentore.

Por kjo qasje shpërfill fuqinë e madhe dhe transformuese që kanë idetë. Prapa gjithçkaje që bëjmë që të gjithë, pas arsyes pse ngrihemi nga shtrati çdo mëngjes, qëndron një ide apo synim. Ai mund të jetë një besim fetar apo ekzistencial, një vijë e kuqe etike apo një besnikëri politike me rrënjë të thella, por secili prej nesh jeton nganjëherë sipas ndonjë ideologjie të caktuar.

Në varrin e Karl Marksit janë të gdhendura fjalët: “Filozofët kanë interpretuar vetëm botën në mënyra të ndryshme. Por problemi është ta ndryshojmë atë!”. Dhe pak njerëz e ndryshuan botën sa ai. E pëlqejnë apo urrejnë, njerëzit duhet ta lexojnë Marksin për të kuptuar se pse idetë e tij kishin një ndikim kaq të madh. (Marksi u rendit si dijetari më me ndikim në historinë e njerëzimi nga një grupim prej 35.000 studiuesish).

Ndërsa historianët dhe filozofët para tij (si Ibn Khaldun në Afrikën e Veriut), kishin shkruar analiza të mëdha sociologjike të historisë, askush nuk e bëri këtë gjë me rigorozitetin sistematik të Karl Marksit.

Ai trashëgoi nga Hegeli idenë e një “dialektike”, e cila pohon se përparimi i historisë, diktohet së pari nga një “tezë” (një pozicion, teknologji, ideologji, etj), një “antitezë” (një pozicion i kundërt, ose kundërshtues), dhe ndërveprimi i të dyjave, që krijon një “sintezë” (një pozicion kompromisi më i mirë, më i plotë dhe më i avancuar).

Por Marksi e pastroi filozofinë e Hegelit nga elementët e tij më gati-fetarë shpirtërorë, duke e parë historinë sipas“dialektikës materialiste” tërësisht ateiste. Për Marksin, çdo moment në histori, nga agimi i njerëzimit deri në botët e reja të së ardhmes, mund të shpjegohet (madje edhe të parashikohet) përmes gjuhës materiale, veçanërisht asaj ekonomike.

Ne jetojmë sot në një botë të tillë. Kanë ikur “teoritë e njerëzve të mëdhenj” të historisë. Njerëzit e mëdhenj si presidentët, papët dhe pushtuesit, janë vetëm një shfaqje anësore kundër faktorëve më të gjerë sociologjikë dhe ekonomikë. Sa herë që flasim për “shkaqet rrënjësore” të krimit me armë, varfërisë, sjelljes antisociale apo kulturës së bandave, kjo është një anim nga idetë e Marksit.
Kur Xhejms Karvil, strateg i fushatës së suksesshme elektorale të Bill Klinton në vitin 1992, krijoi moton “Thelbësore është ekonomia, budalla!”, ai po rishikonte një argument të trajtuar dikur nga Marksi. Ndikimi më i madh që ka sot Karl Marks vjen nga analiza që i ka bërë kapitalizmit dhe narrativa e tij mbi komunizmin.

Marksi e analizoi kapitalizmin brenda periudhës së tij historike, dhe e pa atë si fazën aktuale të përparimin njerëzor, apo si një hap përgjatë dialektikës së tij. Ai i bëri jehonë problemeve të tij të shumta – të tilla si pabarazitë e mëdha – dhe paraqiti argumente bindëse pse ky sistem lë shumë njerëz të pakënaqur, me ndjesi të tilla ai ajo e distancimit nga punët që kemi dhe kompanitë për të cilat punojmë.

Por siç shkroi “The Economist” në vitin 2017, problemi me Marksin, është se “kura e tij ishte shumë më e keqe sesa sëmundja”. Ndaj ai gaboi shumë. Ndërkohë “Manifestit komunist” i mungonte fuqia parashikuese shkencore që Marksi mendonte se e kishte, dhe kjo edhe për shkak se kapitalizmi ngulmon me kokëfortësi në parimet e veta.

Megjithatë, kjo pjesë e dendur dhe shpesh e vështirë për t’u kuptuar e filozofisë së tij, frymëzoi revolucionet komuniste në të gjithë botën. Si për ironi, pikërisht aty ku Marksi mendonte se nuk do të ndodhnin. (Ai mendonte se ato do të ndodhnin në vendet kapitaliste të një stadi të avancuar si Britania, dhe jo shoqëritë pseudo-feudale si Rusia Cariste).

Dhe pikërisht këtu qëndron trashëgimia e madhe e Marksit. Nëpërmjet Leninit dhe Stalinit, idetë e Marksit depërtuan në atë që u bë Bashkimit Sovjetik. Nëpërmjet Maosato u trupëzuan në Partinë Komuniste Kineze. Revolucionet dhe revolucionarët në të gjithë botën, nga Vietnami dhe Kuba, në Jugosllavi dhe Kamboxhia, u frymëzuan nga ato që lexuan në “Das Kapital”.

Nga mesi i shekullit XX, pak më shumë se një e treta e botës, drejtohej nga qeveri që e quanin veten e tyre si “marksiste”. Sot, brezat e të pakënaqurve nga kapitalizmit, i rikthehen ende ideve të Marksit. Një pjesë e mirë e debatit tonë politik sot,e përdor ose sfidon atë që shkroi Marksi, dhe linjat e vjetra të Luftës së Ftohtë ende sot diktojnë gjeopolitikën.

Karl Marks është një nga mendimtarët më të diskutueshëm në botë. Veprat e tij janë sfiduese, origjinale dhe të mbushura me informacion dhe erudicion. Por ato gjithashtu nxisin një fanatizëm dhe vetëbesim të tillë që ndonjëherë i afrohet atyre fetare apo maniakale. Shumica e njerëzve gabimisht mendojnë se Marksizmi është i njëjtë me Leninizmin, Maoizmin, Luftën e Ftohtë, apo edhe idenë më të gjerë të “socializmit”.Por shumë pak njerëz kanë lexuar në fakt atë që shkroi Marksi – përfshirë ata që e adhurojnë apo denoncojnë atë. Por për cilindo është e vështirë që të hedhë poshtë trashëgiminë apo ndikimin e tij të madh, pavarësisht nëse e shihni atë më shumë si të tmerrshme sesa utopike.

Ndërsa filozofët e tjerë politikë si Adam Smith, Tomas Hobs ose Platoni, kanë pasur dhe kanë padyshim një ndikim të madh, ata nuk mund të tregohen aq lehtë si një shkak i drejtpërdrejtë apo faktor motivues për ndryshimin global (edhe pse Smith është më afër).

Dhe ndërsa është e vërtetë që Engelsi ishte përgjegjës për financimin e veprës së Marksit, dhe ishte një mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor intelektual, nuk ishte ai që prodhoi veprat bindëse dhe transformuese të Karl Marksit. Sa i përket ndikimit, Marksi vlerësohen me notën maksimale.
Shënim: Jonny Thomson, është lektor në Universitetin e Oksfordit. Libri i tij i parë titullohet “Mini-filozofia:Një libër i vogël me ide të mëdha”.


/ “Big Think” – Bota.al
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.