Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Fëmijët e prapë të Bllokut

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,919
Isuf Kalo

Nuk dihet se si, as kur por “pësh-pëshe” lidhur me pakënaqësitë për mosndryshimin e gjendjes u shfaqën edhe brenda familjeve më elitare të Bllokut, sidomos në debatet mes brezave, ku të rinjtë ishin ata që shtronin nevojën e ndryshimit para prindërve. “Sepse meritat, jo doemos pjellin merita. Më së shumti pjellin favore”. Siç shkruan një poete e jona “jeta dembeloset në paqe”. Në Bllok dembelizmi vinte prej rehatisë, hiperproteksionit, privilegjeve, mërzisë, por edhe nga pakënaqësitë. “Fëmijët e idealistëve nuk lindin domosdo idealistë.” Në gjuhën e asaj kohe ata përkundrazi, mund të quheshin të “borgjezuar”. Nga ana tjetër (sado e çuditshme që tingëllon, por është e vërtetë), disa nga të rinjtë e Bllokut, edhe pse lindnin dhe rriteshin aty në rehati, ndiheshin të pakënaqur. Mbase, sepse besonin se “vajzë a djalë i mirë është ai që revoltohet”.

Ata i mërziste e i revoltonte presioni dhe kontrolli i rreptë etik i sjelljes, i cili i pengonte të krijonin identitetin individual dhe personalitetin e tyre dhe të shpreheshin e të kontestonin hapur. Ata i irritonte bartja mbi shpinë gjatë jetës së tyre personale i prestigjit, imazhit, emrit dhe i meritave të baballarëve, pjesë e nomenklaturës së lartë, të cilët “nuk duhej t’i turpëronin”, nuk duhej t’i “njollosnin” me sjelljet dhe mendimet e tyre jo konformiste në sytë e opinionit, publikut dhe sidomos të udhëheqjes së lartë.

Erik Segali në librin e tij “Akte besimi”, përmend një fenomen mjaft të ngjashëm i quajtur SFP (Sindroma e Fëmijëve të Predikuesve), i shkaktuar nga presioni i pazakontë moral që ushtrohej mbi fëmijët e klerikëve të lartë për të zbatuar parime, zakone, sjellje dhe dogma të vjetruara të predikuara prej tyre, çka i çoi dy personazhet kryesore të librit, fëmijë të një rabini të shquar ultrakonservator, që si revoltë ndaj predikimeve të të atit të tyre fanatik të krijonin në jetën personale bindje dhe mënyrë jetese krejt të ndryshme nga ato të predikuara prej tij dhe kjo pa i humbur ndjenjat e dashurisë dhe respektin e natyrës familjare njerëzore ndaj të atit.

Pavarësisht nga favoret, ashtu si Deborah dhe Danieli, dy personazhet e Segalit, disa të rinj, bij dhe bija të titullarëve të Bllokut të informuar e dyshues ndaj predikimeve që dëgjonin, u rebeluan brenda vetes ndaj realitetit që përjetonin. Të gjitha shkëndijat që ndezin më pas zjarre ndryshimesh kështu lindin. Shkreptijnë së pari brenda ndërgjegjes njerëzore por prej shkëndijëzave ëndërrimtare nuk shpërthejnë dot revolucione. Revolucioni është zjarr a uragan i madh. Ëndërrimtarët vetëm e ëndërrojnë ndryshimin. Kaq. Edhe djemtë e Bllokut nuk kishin plane as platforma veprimi për të ndryshuar vendin e aq më pak botën. Ishin kundër, por jo kundërshtarë veprimtarë. Ata ishin në gjendje të turbullt shqetësimi për rrugën që po ndiqej e në ç’drejtim po shkonte vendi. Ndërkohë ishin të armatosur me njohuri dhe merrnin mesazhet e ndryshimeve, mendësitë dhe vizionet e reja bashkëkohore nga bota perëndimore. Sepse mosdija mund të mos jetë shqetësuese, por kur di shumëçka mund të ndiesh dhembje e vuajtje. Dhembja dhe vuajtja për ta ishte mungesa e lirisë.

Jo rastësisht, kontestimet e heshtura ndaj sistemit lindën në Bllok, kryesisht te brezi i fëmijëve të lindur e të rritur aty në vitet e pas luftës, të cilët në vitet 1960, kur Shqipëria u shkëput nga tutela e kampit socialist (por jo nga ideologjia komuniste) ishin ose sapo e kishin kaluar moshën e adoleshencës apo të rinisë së hershme. Në atë periudhë, edhe vetë udhëheqja e lartë sapo kishte filluar t’i hidhte sytë ose edhe të krijonte kontakte (ndonëse të ndrojtura), tregtare dhe ekonomike me vendet europiane perëndimore, sidomos me Francën dhe me Italinë. Kapitalizmi në to dukej më joshës dhe jo aq i padrejtë dhe mizor nga ç’ishte propaganduar.

Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Vladimir dhe Bashkim Shehu, Ardian Klosi, Vera Bekteshi, Arben Theodhosi, Agim Myftiu e shoqja e tij, Lida Çarçani, Gramoz Pashko etj., ishin disa nga personazhet e njohur të Bllokut që përfliteshin si persona “që shprehnin kundërshti dhe pakënaqësi” për sistemin dhe qeverisjen tonë, si dhe për rrugën që po ndiqte vendi.

Ata nuk donin të ishin thjesht bij apo bija të bindur të baballarëve apo të prindërve. Donin të ishin vetvetja, me stil jete dhe mendime ndryshe për zhvillimin e vendit, më të hapura dhe moderniste, të ndryshme nga ato që propagandoheshin zyrtarisht. Ata mundën të ndanin ideologjinë, botëkuptimin dhe pikëpamjet vetjake nga ndjenjat obliguese të respektit ndaj prindërve. Kështu, me ose pa vetëdije, përsërisnin një cikël të ri të fenomenit të njohur “bijtë kundër etërve”, duke imituar “tradhtinë” e bërë nga disa prej udhëheqësve komunistë banorë të Bllokut, dikur djem “plëngprishës” ndaj prindërve pasanikë, kur në moshën rinore përqafuan me entuziazëm idetë marksiste, jo në përputhje me ato të ish-etërve të tyre bejlerë, latifondistë apo borgjezë të paraçlirimit.

Kjo që ndodhte ishte fenomen që kish ndodhur edhe gjetkë në vende të tjera ish-komuniste të Europës. Në Bullgari, Ludmilla Zhivkova, e bija e Teodor Zhivkovit, udhëheqësit nr. 1 të vendit, ndryshe nga i ati, servil i Kremlinit, u vu në krye të Ministrisë së Kulturës dhe u bë iniciatore dhe protagoniste e fuqishme e reformave liberale në art, kulturë dhe në praktikën religjioze të vendit. Ose Viktor Çaushesku, djali i madh i diktatorit rumun, i cili iu dedikua shkencës dhe akademizmit dhe qe kritik i hapur ndaj metodave udhëheqëse të të atit, të cilit ia kishte parashikuar me saktësi edhe fundin tragjik. “Edhe po të mos ishte pushkatuar, do të përfundonte i tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Bukureshtit”, kish thënë ai për të. E motra e Fidel Kastros, Juanita Kastro, ishte gjithashtu kontestuese ndaj të vëllait për përqafimin e Marksit dhe instalimin e komunizmit, çka sipas saj “e shndërroi Kubën në një burg të madh të rrethuar me ujë”. Ajo u arratis në Meksikë, pastaj në SHBA dhe nuk u kthye më në atdhe.

Ideologjia komuniste, ose më saktë dialektika marksiste, e njihte këtë fenomen si ligji i “mohimit të mohimit”. Ai përfaqëson braktisjen apo mohimin e vazhdueshëm, si zinxhirin e pandërprerë të asaj që ekziston, me synimin e zëvendësimit me një tjetër më të re, më progresiste e më të suksesshme.

Ndjenja e mendime të tilla kritike ndaj regjimit dhe aspirata liridashëse nuk ishin monopol vetëm i disa prej të rinjve të Bllokut. Të tilla kishin edhe një numër të madh të rinjsh jashtë Bllokut, sidomos ata që kishin pasur mundësi të lexonin libra të ndaluar apo kishin pasur kontakte direkte apo të tërthorta me aspekte të jetës së vendeve perëndimore.

Edhe në vendet me demokraci të vërtetë dhe efektive, kjo diskordancë e mospërputhje konceptuale e objektivave të brezave të ndryshëm, përfshirë edhe mes fëmijëve e prindërve konsiderohet e natyrshme. Danezi Petër Marti i ka sintetizuar pozicionet brenda familjes me aforizmin: “Burri është populli, gruaja është qeveria, fëmijët janë opozita”. Pushtetit i interesonte si më vitale status quo-ja, mosdevijimi, pandryshueshmëria dhe besnikëria deri në fanatizëm ndaj ekzistueses. Fillimisht fëmijët e Bllokut e shfaqnin “opozitën” në diskutimet me prindërit ofiqarë, brenda familjes. Këta mundoheshin t’i sqaronin të rinjtë për “keqkuptimet apo keqinterpretimet nga papjekuria”. Kështu, debati mes tyre mbetej brenda shtëpisë.

Më pas disa nga prindërit pushtetarë, siç kanë dëshmuar Spartak Ngjela për të atin, Kiço Ngjela, ish-ministri i Tregtisë më afatgjatë dhe më i zoti profesionalisht, dhe Arben Theodhosi, për të atin Koço Theodhosi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe intelektual i kalibrit të lartë, patën shfaqur qëndrime disi liberale, të avancuara për kohën. Koçoja nuk u zemërua me të birin kur i shkoi në një barakë, në kopshtin e vilës ku banonin, brenda Bllokut, dhe e gjeti duke pikturuar fshehurazi në stil modernist. “Në një moment të vështirë, kur pedagoget më konstatuan në studio piktura të ndaluara, im atë u mjaftua të më këshillonte thjesht: ‘Bëj kujdes'”, tregon Arbeni në një intervistë.

Po ashtu, edhe Fatos Lubonja për të dy prindërit, Todin e Lirinë, të shquar për vizione liberale, apo Vera Bekteshi për të atin Sadik Bekteshi, gjeneral me prestigj të lartë, ish-komunist i orëve të para në Shkodër, tregojnë se ata vetëm i këshillonin të ishin të kujdesshëm, të mos i diskutonin këto tema jashtë me të tjerët. Ndrojtja nga spiunimi dhe fryma e fshehtësisë përbënin tiparet më karakteristike që sundonin marrëdhëniet në mjediset brenda Bllokut.

Në krijimin e pakënaqësive për mënyrën sesi ushtrohej pushteti nga organet e udhëheqjes më të lartë, fillimisht mund të kenë ndikuar pa vetëdije “gjuha e heshtur e trupit”, mimika, gjestet, apo me ndonjë batutë spontane edhe e vetë prindërve të tyre mbajtës të pushtetit në instanca dhe poste relativisht më të ulëta.

Disa prej tyre ishin të pakënaqur me pozitën që kishin, e cila shpesh nuk ishte proporcionale dhe nuk reflektonte kontributet, vjetërsinë dhe meritat e tyre, në krahasim me disa kuadro të rinj, pak ose aspak të njohur, pa ndonjë meritë, që befas promovoheshin në pozita më të larta dhe jo rrallë si drejtues të tyre. Politika e zhvillimit logjik vertikal të karrierës, shkallë-shkallë me rregullsi nga posti më i ulët deri tek ai më i larti bazuar në përvojën, meritat dhe vjetërsinë nuk zbatohej. Kjo sigurisht krijonte njëherësh habi e zhgënjim. Mirëpo, këto ndjenja duheshin fshehur brenda vetes, përndryshe mund të dënoheshe për karrierizëm ose egoizëm.

Ndryshe nga baballarët, bijtë e bijat e Bllokut, në shoqëri të ngushtë diskutonin më hapur me njëri-tjetrin. Shumica e tyre flisnin gjuhë të huaja perëndimore, ndiqnin programe televizivë italianë, sepse brenda territorit të Bllokut, siç u tha më lart, falë një antene të posaçme, mund të shikoheshin stacione të huaja televizive, në kuadrin e privilegjeve.

Ata kishin pasur mundësi të lexonin ose të njiheshin me libra të ndaluar te ne, si ato të filozofëve dhe ekonomistëve modernë perëndimorë si Alexis Tokvilli, për filozofinë dhe principet e demokracisë amerikane, modelin për lidershipin modern të Karl Popper, të ekonomistit reformator Adam Smith, të predikuesit të tregut të lirë nobelistit Milton Friedman, të psikanalistit Zigmund Froid apo të ekzistencialistëve si Sartri e Kamy. Ata, si rrallëkush nga të rinjtë e asaj kohe, dispononin magnetofona dhe kaseta me këngë të Bitëllsave, Elvis Preslit, Adriano Çelentanos, Elton Xhonit etj., ishin të njohur me pikturën moderniste të Pikasos, të Salvador Dali, Van Gog, të impresionistëve e kubistëve etj.

Për më tepër, ata kishin pasur rastin të udhëtonin ose të specializoheshin në metropolet e Europës. Kjo u kishte dhënë mundësinë të njihnin e shijonin edhe disa nga anët joshëse të realitetit në “vendet kapitaliste” dhe të shihnin me sytë e tyre mënyrën dhe standardet e atjeshme të jetesës, e të demokracisë, të cilat dukeshin kryekëput ndryshe nga sa predikonte propaganda e Partisë së Punës. Ata nuk ishin armiq, në kuptimin klasik të armiqësisë apo tradhtisë ndaj vendit. Përkundrazi, synonin një jetë më të mirë, për brezin të cilit i përkitnin, por edhe për popullin.

Luis Pauels në librin “Letër e hapur për njerëzit e lumtur”, pat paralajmëruar që në vitin 1971, se “Shoqëritë që kanë dashur të ndryshojnë njeriun” kanë dështuar të gjitha; ato nuk kanë mundur të ndryshojnë asgjë, por vetëm kanë krijuar dhembje të mëdha dhe kanë përdorur në maksimum egërsi barbare. Njeriu pa pronë e pa interesa vetjake, pa fe, i përkushtuar vetëm ndaj atdheut, ndaj socializmit e internacionalizmit proletar, rezultoi një utopi. Ky objektiv dështoi së pari brenda Bllokut të udhëheqësve të lartë. Asnjëri nga fëmijët e tyre nuk u bë njeri i tillë i ri, as vetë fëmijët e Enverit, as ne që ishim me detyrë pranë tij; as ata as ne nuk ishim kundër Enverit person, por kundër ishin mënyrat, rrethanat dhe kërkesat e reja të jetës. Kundër tij ishte vetë koha në dimensionet e shumanshme të saj. Disa nga të rinjtë e Bllokut, falë kontakteve më të shpeshta me jetën perëndimore, e njohën më thellë sistemin kapitalist lidhur me iniciativën e lirë, konkurrencën, rolin e sindikatave, nivelin e universiteteve, mënyrën e funksionimit dhe të financimit të shëndetësisë, të cilat baballarët e tyre i kritikonin ideologjikisht, ose i mohonin me slogane shablloniste dhe sipërfaqësore, pa i njohur thellësisht.

Ata mendonin se në rrugëtimet e gjata “karroca ecën më shpejt po të ndërrohen kuajt”. Shumë vite më pas, Moikom Zeqo, një nga iniciatorët e reformimit të ish-Partisë së Punës, në librin e tij “Universi së prapthi”, do e përcillte në formë alegorike, të letrarizuar, këtë mendësi ku shkruan: “Pasi kalon shumë kohë dhe banorët binden se forca mbijetuese e prijësit të vjetër (që Moikomi në libër e quan Mrutn) duhet të zëvendësohet, në mënyrë ripërtëritëse, me një më të ri. Ata e nxjerrin atë nga “rrethi mbrojtës” dhe e copëtojnë duke marrë diçka nga fuqia misterioze e tij, ndërkohë që edhe “Ai i futur në ta shndërrohet në Ata”.

Analisti ynë Mustafa Nano ka thënë diçka që vlen edhe për ata: “Është zotësi e madhe (dhe fat duhet thënë) të jesh syhapur në një kohë që kjo përbënte krim të madh”. Realisht disa nga të rinjtë kontestatorë të Bllokut ishin më “syhapur” se sa prindërit e tyre, por nuk ishin më të paktë edhe bashkëmoshatarët e tjerë syhapur jashtë Bllokut, të cilët, madje, edhe guxuan, vepruan dhe sollën ndryshimin.

“Fëmijët e mbrapshtë” të Bllokut, siç i quante poeti rus, Sollzhenicini, të ngjashmit me ta në ish-Bashkimin Sovjetik, ndiheshin të mbrojtur e të sigurt nga rreziku i persekutimit, sepse politikisht ishin nën tutelën dhe ombrellën e besimit politik dhe të posteve të larta të etërve. Por me sa rezultoi më pas, ata nuk e patën njohur deri në rrënjë regjimin që përjetonin. Spartaku, Bashkimi dhe Fatosi përfunduan në pranga bashkë me prindërit e tyre. Vladimir Shehu, si dhe i ati Mehmeti, u tha se u vetëvra. Vera Bekteshi, fizikane dhe shkrimtare, si dhe Arbeni, piktor i talentuar modernist, u internuan. Kurse Agim Myftiu u sëmur dhe vdiq i ri.

KONTESTATORË LUKSI

I tillë kishte qenë edhe Konti Mirabeau, një aristokrat shumë i pasur, pjesëtar i oborrit mbretëror dhe këshilltar i besuar i mbretit Luigji XVI, por njëkohësisht edhe tribun popullor që me oratorinë dhe elokuencën brilante të tij udhëhoqi në fazën fillestare revolucionin francez, duke nxitur dhe ndërgjegjësuar qytetarët e pakënaqur për t’u ngritur në revoltë kundër monarkisë. Spartak Ngjela e ka qartësuar saktë këtë dallim në vlerësimin që i bën mikut të afërt të tij, Gramoz Pashkos, i cili pati fatin dhe meritën të bëhej në fillimin e viteve 1990 një ndër ideologët dhe iniciatorët e demokratizimit të vendit tonë.uhet kuptuar që “kontestimi” dhe pakënaqësitë e këtij grupi, çuna e goca baballarësh të pushtetshëm, nuk qenë të njëjta me ato të njerëzve të zakonshëm që vuanin nga njëri apo tjetri privacion dhe nevojë jetësore apo padrejtësi. Vera Bekteshi, e cila do të vuante më pas 16 vite internim, do i quante ata më vonë “kontestatorë luksi”.

“Ne ishim kundërshtarë të regjimit në funksion të lirisë, jo kundërshtarë nga e keqja”, tha për Gramozin, për veten dhe të ngjashmit me ta brenda Bllokut. Dhe vërtet, ata nuk ishin “hallexhinj. “Nuk u mungonte buka, as strehimi, as viza për të udhëtuar jashtë shtetit, as bursa e studimit. U mungonte vetëm liria. Reagimi i tyre, ndryshe nga i hallexhinjve, nuk qe protestë për të shpëtuar nga vuajtjet, por propozim për ndryshim. Dhe kjo jo vetëm në interes të tyre, por të të gjithë qytetarëve dhe vendit.

Inteligjenca në fund të fundit nuk është vetëm dije, por edhe instinkt dyshues që pyet: “Pse kështu?”. Mëkati i tyre dhe i të tjerëve si ata, jashtë Bllokut, ishte kureshtja, shqetësimi, mospranimi dhe Pse-ja? Ata donin të kuptonin, përpara se të bindeshin. Në të gjitha regjimet totalitare vënia e pikëpyetjes për ato që të thonë e të urdhërojnë përbën faj. Sepse është e kundërt me bindjen, e cila duhet të zbatohet pa hezitim dhe pa dyshim. Përndryshe, “uniteti i çeliktë” ndryshkej e thërrmohej.

Tingëllon paradoksale që edhe njerëzit e pushtetshëm e të privilegjuar ta ndienin asaj kohe veten jo të lirë, qoftë dhe për të pyetur me zë të lartë. Po një parim i mirënjohur thotë: “Cilido që i kufizon a u heq lirinë të tjerëve, në një masë të caktuar skllavëron edhe veten”.

Prindërit udhëheqës autoritarë të tyre, madje dhe vetë Enveri, e kishin lidhur që në rini vullnetarisht veten me zinxhirët e një doktrine dhe ideologjie, e cila i mbante të mbërthyer me dogmat e saj, njësoj si ato fetare. Jo vetëm me zinxhir, por edhe me shumë norma etike e protokollare, të paraqitjes, të veshjes, të shprehjes, privacione që u mohonin dëshira dhe mënyra sjelljeje të lejueshme dhe të natyrshme për njerëzit e tjerë, por jo për ta si udhëheqës. Ata krijonin standardet dhe modelet dhe bëheshin pastaj vetvetiu edhe robër të tyre.

Babai i Gramozit, Josif Pashko, ishte ministër dhe shok i preferuar i Enverit, kurse gjyshi i tij prift, vdiq në moshë të re duke e lënë atë të vogël. E ëma, Eleni, u emërua zëvendësministre dhe e mbajti atë post deri në ditën që doli në pension. Privilegjet e Bllokut familja e Gramozit dhe ai vetë nuk i humbën asnjëherë.

Megjithëse ai kish pikëpamje e kritika të njëjta me shokët e tjerë të Bllokut, veçanërisht me Spartak Ngjelën (familjet e tyre i bënin pushimet e verës të dyja njëkohësisht në të njëjtën vilë në plazhin e Durrësit në zonën e Bllokut), Gramozi pati fatin të mos arrestohej si Spartaku dhe Fatos Lubonja, madje kreu edhe studimet e larta në universitet dhe u emërua pedagog në Fakultetin Ekonomik.

Prandaj u duk si e çuditshme sesi pikërisht ai u bë një ndër nismëtarët e një ideologjie të re demokratizuese në politikë e në ekonomi, që synonte të përmbyste regjimin për vendosjen e të cilit kishte luftuar e kontribuuar i ati. Madje, siç dihet, ishte bodrumi i shtëpisë së Pashkove vendi ku u hartua nxitimthi në fshehtësi, programi i Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare, kundërshtare e regjimit. Kur mësoi për këtë Ramiz Alia, në një nga fjalimet e tij tha me shpoti për hartuesit e programit: “Janë nga ata që i ka mbajtur Enver Hoxha në prehër”.

Ramizi bënte sikur nuk e kuptonte që fjala nuk ishte për mirënjohje, nostalgji dhe sentimente, por për nevojën e ndryshimit radikal të ideologjisë dhe parimeve mbi të cilat vazhdonte të udhëhiqej vendi. Ato Gramozi i qartësoi përmbledhtazi në një konferencë, në një nga fjalimet më të mira të tij, në emër të Partisë së re Demokratike.

“Partia e Punës është për pronën kolektive, për luftën e klasave dhe për përçarje kombëtare”, tha shkurtimisht ai, “ne jemi kundër të tre këtyre. Jemi për pronën private, për bashkim dhe për pajtimin kombëtar.”

Kauza dhe ideologjia e dikurshme e të atit, ndoshta e bukur e tërheqëse për kohën e tij, ishte provuar te ne, funksionoi duke arritur disa suksese për një farë kohe, por së fundi u duk qartë që kish dështuar. I biri e quante legjitime të propozonte, në kohë e kushte të tjera, një alternativë të re, të ndryshme rrënjësisht prej saj.

Qëndrimet e sipërpërmendura të disa të rinjve të Bllokut nuk ishin të njëjta me ato të të rinjve të familjes Hoxha, Alia, Hazbiu, Balluku dhe as ata të familjes Kapo. Të tria çiftet e reja të familjes Hoxha, pas martesës, kishin si çdo familje e madhe nën të njëjtën çati pakënaqësi, qejfmbetje apo dhe rivalitet të heshtur, e hera herës edhe të hapur mes tyre, por këto mbetën kryesisht në rrafshin personal, material, emocional dhe influential, pa lidhje me kontekstin e mirëfilltë politik, ideologjik apo ekonomik në shkallë vendi.

Ata nuk u përqendruan as shprehën publikisht shqetësim për problemet sociale, nuk ndoqën me interes thelbin e zhvillimeve politike në vend dhe Europë, as evoluimin e mendësive të reja dhe as trendet bashkëkohore në fushat sociale. Kjo, sepse orientimin nga prindërit nuk e patën në ato drejtime, por edhe sepse ata vetë nuk patën pasion të veçantë në fusha jashtë profesionit të tyre.

Sidoqoftë, po të kthehemi pas në ato vite, duket e pabesueshme që ndaj të rinjve jashtë Bllokut bëheshin vërejtje, kritika dhe dënime publike nga udhëheqja më e lartë, deri nga kryeministri i vendit, për çizmet e gjata apo këpucët me taka, për xhinset apo për fundin e fustanet e shkurtra apo të gjatë të vajzave, për mënyrën si ishin qethur vajzat e djemtë e rinj të asaj kohe, ndërsa popullata përballej me probleme madhore të ekzistencës, mbijetesës. Kritikat dhe qëndrimet e rrepta ndaj modës dhe stilit perëndimor të jetesës, sidomos te studentët dhe të rinjtë, ishin parime dhe standarde ideopolitike që synonin të pengonin që në embrion tendencat moderniste në shoqërinë tonë të atëhershme.

(Vijon)

Botuar në Dita me lejen e autorit nga libri i sapodalë në treg BLLOKU, botim i UET Press. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen me shkrim të autorit.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.