Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Gjergj Fishta

I.B.

Shkrimi me vlere per shqiptarizmin, por urrejtja per At Gjergj Fishten nuk ishte vetem mohim, ishte shume ma teper, ishte mallkim.

Dy gjenerata shqiptaresh erdhen ne jete, u rriten e u plaken tue mesue ne shkolle, tue ndi me radio e tue pa ne televizione mallkimin e Fishtes. Ideologjia komuniste ne te tane boten, por veçanarisht ne Shqipni, adhuronte parimet imorale te stalinizmit tue neperkambe ato kombtaret.

Partia ishte mbi Atdheun!

Inteligjenca perverse e asaj ideologjie, sulmin kryesor e drejtoi kunder elites intelektuale nacionaliste. Me shpifje, falsifikime e propogande 360 grade, jo vetem e shfarosi ate elite, por edukoi thelle ne ndergjegjen e mases se madhe te shqiptareve te paditun, qe vetem mesimet e Partise i " hapen driten e syve", urrejtjen per ato intelektuale elitare.

Ajo lloj ideologjie antikombtare, pregaditi "eliten e re" (e kam shkrue ne thojza se koncepti i elites intelektuale asht krejtesisht i ndryshem prej atij qe perceptohet sot) dhe kjo " elite e re shqiptare" mori misionin historik te ndertimit te demokracise shqiptare.

Kane kalue , gadi 30 vjete mbas veteshembjes se diktatures komuniste, por ajo "elite intelektuale", vazhdon me qene " rekomandimi hyjnor" per edukimin e brezave te rij.

E kuptoni pse? Asht shume e thjeshte, jane po ato ( fanatike te indoktrinuem ne qelize me mesimet imorale e antikombetare te ideologjise komuniste te ngritun mbi themelin e mallkimit, per çdo gja ndryshe prej asaj ideologjije, qe " flasin " sot, qe kane drejtue e drejtojne sot Akademine e Shkencave, qe kane pase e vazhdojne me pase pushtetin politik, drejtesine, ekonomine e çdo instrument qe percakton manaxhimin total te nji populli.

Asht shume e qarte dhe e kuptueshme per çdokend qe ka sy e veshe! Nderohen kriminelat komuniste ( Mehmet Shehu, Rahman Parllaku,Vito Kapo & company), nderohen spijunet qe çuen ne burgje e pushkatime mijra shqiptare e nuk nderohen At Gjergj Fishta, Martin Camaj, Lazgush Poradeci, Et'hem Haxhiademi, At Vinçenc Prendushi, Pjeter Budi, Pjeter Bogdani, Marin Barleti etj.

Si perfundim, tradhetaret e kombit shqiptar, qe vune idologjine partiake, mbi ate kombtare, as sot as kurre, nuk munden me nderue elitat nacionaliste shqiptare qe ndertuen kombin tone.
 
Qëndroj përballë veprës tuaj At i nderuar dhe i ranë në gjunjë të falem, sepse çdo ditë që e shkruaj e lexoj e prek shpirtin tënd! Shkronjat që përdorim sot janë latine dhe ato, falë Kongresit të Manastirit të vjeshtës së dytë të 1908-s. Në manastire shkojnë e ndryhen vajza e dëlira, si nën porosi të Apolonit, dhe djemtë që nuk duan me provu maskulitetin e tyre.

Por ja që në historinë tonë kombëtare emri Manastir na kujton dishepujt e kombëtarisë, ata që nuk lejuan të çnatyroheshim pas 500-vjetëve robëri për t’u larguar përfundimisht nga rrjedhat historike të qytetërimit evropian.

Ju u mblodhët atje në një tubim mbarëkombëtar, sepse përfaqësuesit erdhën nga të gjithë trevat: nga Shkodra, Korça, Elbasani, Vlora, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Janinë, Shkupi, Manastiri, Kolonja, Leskoviku, Dishnica, Resnja, Ohri, Mati, Dibra, Follorina, Starja, Kërçova, Prizreni.

Kongresi që ju mbajtët ishte edhe mbarëdiasporik, sepse pati delegatë që përfaqësuan shqiptarët e Italisë, të Bullgarisë, Rumanisë (Bukureshtit, Konstancës), Amerikës, Egjiptit. Por, mbi të gjitha ju i dhatë atij karakterin e një kongresi shkencor mbarëkombëtar, me qëllim hedhjen e themelit të ngritjes së kombit e shtetit kombëtar.

Në thelb të qytetërimeve janë besimet fetare, por edhe gjuha. Tek elementi i parë nuk mund të gjendej uniteti, sepse religjioni ynë ishte një mozaik besimesh. Për shkak të pushtimi të gjatë dhe mbijetesës, ishte bërë devijimi i thellë.

Por, nën petkun mysliman, katolik, ortodoks apo bektashi, besimtari ynë kishte mbetur shqiptar; as ishte turqizuar, siç edhe paragjykoi Kongresi i Berlinit i 1878-s, as ishte greqizuar, siç edhe pretendonin “Gjitonët e sëmurur” me “I Megali Ide”-në e Jan Koletit, por as edhe ishte italianizuar.

Kishin ruajtur gjuhën e nënës, të bukur, të pastër, konservatore dhe gati, në saje të fanatizmit, me trajta arkaike. Ky përrua ekzistencial na kishte mbajtur të pa përçudnuar. Vinte nga mugëtira e fillimjetës At, nga pellazgia jetëshpërgënj, kur nisi të ngrihej njerëzimi.

Siç shkruan George Von Hahn, patre: “… Lidhjet në mes shqipes dhe emnave më të vjetër të perëndive të Greqisë së zbuluem janë dëshmia ma e fortë që shqiptarët e sotëm janë pellazgë”. Ajo nuk kishte humbur, sepse ishte brenda gjokseve të shqiptarëve, ishte në mendjet e në ëndrrat e tyre, të cilat nuk mund të vidheshin, të religjionoheshin apo visheshin ushtare për nizam.

Gaboi rëndë Kongresi i Berlinit Pater, kur tha se atje ka vetëm “shqiptarë të turqizuar”, dhe se Shqipëria është veçse një shprehje gjeografike. E ju ishit atëherë një vocërrak 8-vjeçar, por një shqiptari i rrallë për nga vlerat që do t’ju sillnin bash pas tri dekadash në atë lartësi, ku dhe ju shpuri mendja dhe vepra, penda dhe krijimtaria që shpalosët në Kongresin e Manastirit e më tej gjithë jetën tuaj.

“…Gjuha e popujve të pakulturuem mund të rrudhet dhe të degradohet, format e tyre të mendimit dhe të jetës të mbeten në mijëvjeçarë statik. Kjo dëshmohet bukur qartë në gjuhën shqipe, në të cilën çiftëzohen forma gramatikore tejet të degradueme, me fonetikën më të pasur dhe rrënjët e lashta të fjalëve, të cilat, edhe pse në pjesën më të madhe të dobësueme, mbajnë sidoqoftë aty-këtu të pastër formë e fuqishme fillestare.”

Patët përgjegjësi të dyfishtë At Gjergji: edhe kombëtare, por edhe globale, sepse kjo gjuha jonë e vjetër është edhe rrënjë e thellë e qytetërimit parahelen dhe atij romak.

Kongresi juaj i Manastirit ishte një kongres shkencor me karakter gjuhësor, filologjik dhe arsimor, por edhe në ndihmë të një kleri me fytyrë kombëtare, sepse liturgjia jashtë gjuhës amtare dhe e shprehur në gjuhë të tjera, në jo pak, por në tre, do ta fragmentizonte tragjikisht antropologjinë tonë.

Ndaj, në këtë këndshikim, ju realizuat edhe një lloj protestantizmi civil, duke i hapur rrugë një kleri dhe liturgjie kombëtare.

Kongresi ishte shkencor edhe për një arsye tjetër, sepse delegatët e zgjedhur vinin nga shoqata dhe organizata patriotike në qëllimin e tyre, por tërësisht të diturisë, të shkencës, të akademizmit dhe të letrave – në përmbajtjen e tyre dhe në aktivitetin e deriatëhershëm gjithë po aq.

Këtej buroi klima e mirëkuptimit, sjellja e tolerancës, marrëdhënia e dialogut jopërjashtues, fryma e ekzigjencës shkencore dhe e orientimit vizionar evropian të Kongresit të bekuar të Manastirit.

Ndërgjegjja shkencore akademike u shpërfaq si autoriteti vendimmarrës; ndaj dasitë antropo-kulturore, të folmet dialektore, apo arritjet e deri asaj dite nuk prodhuan dot pengesa dhe nuk u gjykuan si të tilla.

Ylli polar ishte atdheu dhe atij Ju i ishit falë.

Zgjidhjet që vijnë nga shkenca dhe nga dishepujt e saj janë të tilla që reflektojnë pjekuri, ushqejnë vetëpërmbajtje dhe dritojnë largpamësi.

Ato ngrihen mbi folklorizmin, patriotizmin kallp vetëizolues dhe vetëcopëtimin e frikshëm pseudopatriot, që shpie verbazi në pështjellime, ku njëra pjesë t’i bjerë tjetres, në interes të një triumfi separatist që deformon gjithë procesin.

Vetëm përfaqësues të tillë shkencor mund të gëzojnë edhe tagrin e përfaqësimit të bashkëkombësve jashtë dhe larg kufijve të trugut dhe kombëtar.

Dituria nuk matet me kufijtë, por me progres. At i respektuar me emrin e bukur Gjergj, dëshiroj të të them se, nga largësia e njëqind viteve kur ju e mbajtët e atë tubim, sot mund të kumtojmë që Kongresi i Manastirit, me vendimet që more e me hapësirat që çeli është i pari kongres shkencor mbarëshqiptar, dedikur elementit palcor të identitetit historik, gjuhës së nënës, që ishte gjuha shqipe.

Njëherësh, kongresi ka kontribute universale, sepse, duke e mbajtur këtë vlerë unikale në strukturë të shkronjave latine e ruajti për të mos i humbur tiparet themelore. E gjithë kjo, që të mos këputej filli historik, kontinuiteti epokal dhe vijueshmëria e qytetërimeve që sot pranohet gjerësist si qytetërimi parahelen, i cili nuk mund të ishte as memec as pa identitet.

Ruajtët Atë atë që një studues i sotëm nga treva e Matit njohës i shkëlqyer i egjiptologjisë, i mitologjisë greke e romake, i historisë dhe i liturgjisë, e quan shterueshëm dhe me formë aksiomatike: shqipja, kjo “fosile e gjallë” e pellazgjishtes. Sikur për një moment të mendojmë që të ndodhte deformimi si edhe jua kërkoj në kongres me letrën e tij të gjatë greku D. Kurilius ose Kuterius – ata që kanë zbardhur dokumentacionet shënojnë se nuk i dallohet mirë emri, por kjo pak rëndësi ka; mund ta quajmë antishqiptari – do të humbte jo thjesht gjuha jonë e bukur, por një pasuri universale unikale, shenjëzimi kuptimor i gjenezës evropiane, mitokracia pellazge, kjo formë e parë e dijes globale.

Nuk ndodhi, falë jush, njerëzve të mençur, që pikërëndesat e historisë i mbajtët në ekuilibra prej filigrani dhe patët si motive të jetës e të aktivitetit tuaj atdheun, popullin, kombin dhe dinjitetin e tij.

Ndërsa Kongresi i Manastirit hodhi themelet e pavarësisë kombëtare. Pas betejës së Sedanit të shtatorit 1870 dhe fitores mbi francezët, Bismarku, themeluesi i shtetit modern gjerman, i bashkoi protestantët dhe katolikët në shtetin modern, duke e filluar këtë njësim me Kongresin mbi Arsimin dhe duke iu dhënë organizatorëve leksionin e radhës, se “ndryshimi në arsim nuk fillon nga universitetet, por nga arsimi elementar”.

Edhe ju At i donit shkronjat dhe ABC-në latine, sepse, paçka se vijonte sundimi xhonturk, brenda asaj hapësire që lejonte kushtetuta e tyre kishit qëllim që në shkollat turke dhe në ato greke të futej edhe shqipja dhe, krahas kësaj, të hapeshin edhe shkollat shqipe, unë ndihem i turpëruar para Jush sot, por dua t’ju bëj me dije se kemi aq shumë shkolla turke e greke në Shqipëri pas 100 vjetëve të kongresit, dhe ju bëjmë aq lavdërime dhe temena – duke i quajtur, deri edhe siç ndodhi para ndocakohe, kur një shkollë e huaj ku flitet edhe pak shqip u quajt më e mira në vend – saqë Ju, themeluesit e kombit, do duhet të rimblidheshit për ta vendosur shoqërinë në udhë të drejtë dhe shqiptarizmin në binarë.

Objektivin e parë At Gjergji e patët të vështirë, se reformatorët e Portës së Lartë ju prenë në besë, ju përndoqën e arrestuan kudo, në Tiranë, Korçë, Vlorë e gjetiu. Por patriotët dhe mësimdashësit e shqipes, klubet kulturore të mendimit, nuk u thyen, nuk u trembën, nuk u tërhoqën. Edhe objektivin e dytë e bëtë realitet, sepse në vitin 1909 u mblodh Kongresi i Arsimit në Elbasan, çka solli edhe të parën shkollë normale për të përgatitur mësues. Po mbaronte periudha e gjatë e medreseve, ku përgatiteshin hoxhë, dhe po fillonte një erë e re e një protestanizmi civil laik, e dijes dhe e shkencës.

Në vitin 1879, At i respektuar, pra fill një vit pasi u shpall Lidhja e Prizrenit, që hodhi themelet e shtetit kombëtar, u krijua Alfabeti i Stambollit (që në Toskëri njihej si alfabeti i Frashërllinjve), por që barti mençurinë e krijuesve, si të Sami Frashërit, nga Dangëllia –drita e diturisë përpara le të na shpjerë; të Vaso Pashë Shkodranit nga Shkodër Locja se – feja e shqiptarit është shqiptaria; të Kostandin Kristoforidhit nga Elbasani, që më 1872-shin përktheu në shqip Biblën; të Jani Vretos nga Postenani; të Tahsim Hoxhës nga Filati, aq pranë Dodonës, qendrës së pellazgëve, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dijetar i hapësirave nga “raca e keplerianëve”.

At Gjergj Fishta, jam i mrekulluar krenarisht për ju, dhe i frigum nga situata e sotme, kur sjell në mendje se sa bukur e administruat Ju kongresin, si një forum institucional. Zgjodhët një president, të nderuarin Mit’hat Frashëri- megjithëse ende ai nuk kishte mbërritur- sepse vlerësuat kontributet, emrin e Frashërllinjve dhe mendjen e tij të thellë. Të gjithë njëzëri u gjendët në një mendje e në një fjalë. Dolët e pritët në stacion kur mbërriti në mbrëmje dhe ia lavdëruat Frashërin dhe kontributet e bijve të tij, për shërbimet e tyre ndaj atdheut. E Mit’hat beu, delegatit nga Shkodra që ia tha ato fjalë zemre, iu përgjigj se “shërbimet që Shkodra i ka bërë shqipes janë të panumërta, sepse kur shqipja qe e ndaluar kudo gjetiu, Shkodra pati privilegjin të vazhdonte ta përdorte dhe të punonte për përparimin e saj”.

E çelët Kongresin si një tubim të hapur edhe me njerëz të tjerë, e nxënësit e shkollës së mesme (idadijes) kënduan këngë patriotike, por, si europian nga qytetërimi, ju zgjodhët për mbarëvajtjen e tij një presidencë. Pas presidentit qëndronin si nënpresident zoti Gjergj D. Qiriazi dhe ziti Luigj Gurakuqi, ndërsa për sekretarë Nyzhet bej Vrioni nga Berati për gjuhën turqisht dhe Hil Mosi e Thoma Avrami për gjuhën shqipe.

Mënyra si operuat ju At Fishta më mrekullon për funksionalizmin dhe procedurat , sepse kongresi, për të kapërcyer situatën e alfabeteve që vepronin, për të mos u penguar nga dasitë dialektore dhe krahinore dhe për të mos e vënë fenë mbi kombin, e gjeti të udhës të krijonte një komision me 11 veta, që e kryesuat ju At Gjergj Fishta, dhe ku presidenti i Kongresit ishte anëtar.

Ju dhatë besën se, pa përfunduar, nuk do të informonit asnjë delegat të kongresit, i cili ju kishte mandatuar, dhe kishte vendosur unanimisht që përfundimet e komisionit do të ishin të pakontestueshme. Puna juaj nuk ishte e lehtë dhe e thjeshtë, sepse aso kohe kishte rreth gjashtë-shtatë alfabete të ndryshme, nga të cilat katër ishin më të përhapurat.

“Alfabeti i Stambollit që përdorej në Toskëri. Atë e përdorte Shkolla Shqipe e Vajzave në Korçë dhe shumë libra shkollorë ishin shtypur me të. Në Shkodër dhe në Shqipërinë e Veriut përdoreshin tri alfabete, njëri syresh njihet si Alfabeti i Jezuitëve; i dyti si Alfabeti i Bahkimit dhe i treti si Alfabeti i Agimit. Me Alfabetin e Jezuitëve kishin shtypur vetëm disa libra kishtarë dhe ndonjë revistë mujore. Ky alfabet është përdorur për 300 vjet. Dy të tjerët qenë përdorur në shkollat katolike në Shkodër dhe në fshatrat rreth e përqark këtij qyteti.”

Logjika gjithëplanësore, mbi të cilën arsyetoi kongresi, ishte se pasja e shumë afabeteve shpinte te fragmentizmi, dhe jo te bashkimi, sepse nuk mund të lexoheshin nga të gjithë ato që shkruheshin e që botoheshin. Ishte humbur shumë energji dhe pengohej përparimi kombëtar drejt pavarësisë kombëtare dhe shtetit kombëtar të pavarur, “për të mos përmendur këtu pengesën e madhe prej qeverisë (turke), e madhe sa askush nuk guxonte të thoshte se ishte shqiptar”.

At Gjergji, ndoshta të shtiva në kujtime të thella e të vyera, por për ne sot veprat tuaja janë memorie historike, nga edhe ku orientohesh për hartën e rrugës.

Ditën e tretë të kongresit, të hënën në mëngjes, e mori fjalën prifti katolik nga Durrësi Dom Nikollë Kaçori. Përtej identitetit fetar, ai u shpreh qartazi se “do të adaptonim me gëzimin më të madh të përdornim atë alfabet që do të caktohet”. Kjo nënkuptonte se shqipja e shkruar do të ishte tash e tutje edhe gjuhë liturgjike. Përpjekjet kishin filluar qysh më 1907-n, si nga shqiptarët e Amerikës ashtu edhe nga një prift amerikan në Korçë, i cili kishte ndikuar thekshëm që të kishte një bilinguizëm në liturgji, herë greqisht e herë shqip.

Nëse të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja, si gjuhë të saj do të kishin po gjuhën amtare, tanimë edhe të shkruar e me një alfabet standard latin, kjo do të thoshte se bashkëjetesa fetare dhe harmonia fetare kishin gjetur një mjet komunikimi universal të njëjtë. Shoqëria fetare nuk do të vinte më ndesh me shoqërinë laike, për shkak të komunikimit në gjuhë të ndryshme. Vetë njeriu ynë po futej në një udhë ku brenda arsyes nuk gjente pengesa komunikimi mes formave të tij të ndërgjegjes.

Hej At Gjergj Fishta, më ndalet fryma kur citoj ato fjalë që thatë Ju pas zotit Kaçorri: “Unë nuk kam ardhur të mbroj ndonjërin nga këto alfabete, por kam ardhur të bashkohem me ju dhe të adaptoj atë alfabet, të cilin Kongresi do ta vendosë si alfabetin më të dobishëm për ngritjen e popullit”. Ju kumtuat At se shqiptarët kishin humbur shumë në lëmin e qytetërimit dhe të arsimit, për shkak të mungesës së një alfabeti të përbashkët. Kulmimi juaj ishte klithmë lirie, dinjiteti ekzistence e prosperiteti historik, kur e mbyllët fjalën tuaj: “Armiqtë që e kanë rrethuar Shqipërinë janë shumë dhe secili prej tyre përpiqet të rrëmbejë për vete ndonjë copë. Por ne, edhe po të mos mundim ta mbrojmë atdheun me fuqinë morale që kemi, do ta mbrojmë atë me armë në dorë dhe nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të marrin qoftë edhe një pëllëmbë tokë shqiptare!”.

E kuptoj At, atë që po shkruan asokohe Gjergj Qiriazi për këto fjalë: “Unë nuk do jem i zoti t’i shkruaj në letër gjithë këshillat e vlefshme të Patër Fishtës, me të cilat secili nga ne u impresionua; ai na i preku zemrat aq shumë, saqë myslimanë e të krishterë nuk mundëm t’i mbanim lotët. Kur Patër Fishta po zbriste nga platform, Hafëz Ibrahim Efendi Hoxha nga Shkupi u sul drejt tij, e përqafoi me sytë mbushur me lot dhe e puthi. Kjo skemë, në praninë e treqind-katërqind njerëzve, nga të cilët tre të katërtat ishin myslimanë, la një përshtypje të madhe”.

Delegimi prej kongresit i kompetencave për hartimin e vendimeve nga një komision i mirëfilltë specialistësh prej 11 vetash, me në krye At Gjergj Fishtën, i cili nuk kishte të drejtë të merrte vendime me më pak se tetë veta, është tregues se Kongresi i Manastirit operoi me një Asamble të Gjerë Shkencore vendimmarrëse, bazuar tek autoriteti i dijetarëve të mirëfilltë. Ju e hapët mbledhjen e komisionit Patër Gjergji me fjalët e gdhendura dhe të arsyetuara për atë kohë dhe për këtë tonën: “Kjo detyrë që kombi na ka ngarkuar është një detyrë e madhe, sepse alfabeti, mbi të cilin do të vendosim, është boshti i kombit dhe i vetmi mjet, me të cilin kombi do të përparojë”.

At, më ndje, sepse ndoshta zemrën do të ta thyej, por ka gati dy dekada që shumë shqiptarë kanë marrë dhenë në kubet e të shumtit janë në Greqi e në Itali. Fëmijët e tyre nuk e mësojnë shqipen, por greqishten dhe italishten; **** edhe emrat i vënë jo më si të shqiptarëve. Kjo pjesë e breznive të reja të kombit po lëviz pa bosht dhe, dihet: rrota pa bosht të shpie atje ku s’duhet.

Po du me Ju sjell në mendje atyre dhe njerëzve që paguhen për me zgjidh këto çështje jetike do rreshta nga shkrimi yt Patër, “Gjuha shqype”, e shkurtit të 1917-s. “Ma e para punë pra qi lypet n’interese t’mbatunit t’gjuhës shqype asht kjo qi gjuha shqype të mbahet gjuhë msimi nder t’gjitha shkollat fillestare t’Shqypnis…Ata prind qi fmive t’vet nuk jau apin msimet e para n’kët gjuhë, ata, mas mendimit tonë, punojnë drejtpërdrejt kundra intereseve t’Shqypnis”.

At Gjergj Fishta, më lejo të kthehemi edhe njëherë të Kongresi i Manastirit dhe te puna e komisionit që ju drejtuat. Vendimi primordial që “të adaptohej alfabeti latin si bazë dhe pastaj të vendosej së çfarë tingulli t’i jepej çdo shenje. Dhe, sa për shenjat e tingullit, e gjetur në alfabetin latin, do të pranohej çdo lloj shenje që do të caktonte komisioni, sipas nevojës së tingujve që kërkon gjuha shqipe”.

Kjo ishte përgjegjësia dhe sfida juaj, ku edhe u sendërtua kapaciteti juaj shkencor dhe ai europian. Ju e gjetët mirëkuptimin edhe kur pranuat të përdoreshin të dyja alfabetet, edhe ai i Stambollit (Frashëri), por edhe ai latin. Veçse kambana e arsyes erdhi nga fjalët tuaja At i nderuar Fishta!

Ju e drejtuat kongresit-kur në sallë ishte edhe dërrasa e zezë ku ishin shkruar shkronjat, të cilat i solli Luigj Gurakuqi-me këto fjalë epokale që shihnin nga një e ardhme europiane e atdheut: “Alfabeti i Stambollit është i mjaftë për t’iu përgjigjur nevojës së kombit, porse, që të mund të shtypeshin libra përjashta Shqipërisë dhe për të dërguar telegrame jashtë, kemi nevojë të zotërojmë një alfabet me shkronja krejt latine”. Dhe fjala juaj u mbyll me duartrokitjet e brohoritjet “Rroftë Alfabeti!”.

E shihje gjuhën dhe kulturën si pjesë të qytetërimit europian, ndaj gjykove dhe këshillove si shkencëtari i parë europian, yni At Gjergji! Në Europë shkohej me libra e me dokumentacion; pra, me kulturë e me institucionalizëm parashikove, o mëndje horizontesh!

At Gjergj Fishta, të falem që pranove të bisedonim në këtë ditë Feste Kombëtare (jo zyrtarisht), dhe më fal se vite më parë na kishin mbyllur sy e vesh për të mos fol me ty! Aq sa njerëz të letrave, që u besonim sinqerisht, na impononin një deformim të frikshëm të gjenisë tënde. Ndaj, të lutem, sot, kur edhe eshtrat t’i kanë hudh’ në lumë e lundrojë oqeaneve, si ADN-europianizmi, thirre një meshë mëshire dhe kujdesi për të gjithë ne që çdo ditë përdorim ABC-në që krijuat ju, vetëm për një qëllim: lartësimin e atdheut e të kombit, se veç dashurisë për ta Ju nuk kishit gja tjetër më të shenjtë!

Amen!
 
LAHUTA E MALCIS NË GJERMANISHT U PËRKTHYE NGA ALBANOLOGU MAXIMILIAN LAMBERTZ
Prof. Maksimilian Lambertz, në sa përkthente “Lahutën” në gjermanisht, shkëmbente dendur letra me françeskanët shqiptarë në diasporë: ribotuesin e Lahutës, Atë Daniel Gjeçajn dhe fratin historian, atë Paulin Margjokajn, që e kalonte jetën ndërmjet altarit - e arkivave! Prandaj, kur e kishte kryer përkthimin, albanologu i madh iu lut Margjokajt, njohës i mirë i gjermanishtes, t’i hidhte një sy përkthimit, në pritje të ndonjë vërejtjeje. E Atë Paulini - siç shkruan në një letër drejtuar atë Gjeçajt - vërejti se gjermani vende-vende nuk kishte mundur të hyjë në palcën e frazeologjisë fishtjane, thellësisht popullore. Ndërmjet tjerash, mallkimin “dreqi e rroftë” e kishte përkthyer “rroftë dreqi!”.
Shkruan Atë Paulini: “Ndoshta të huejtë mendojnë se jemi komb i keq, por duhet ta dinë se nuk kena mbërrijtë kurrë deri në atë pikë, sa me i urue jetë të gjatë dreqit!”.
Kështu shkruante Lambertz për At Gjergj Fishten:
"I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta".
..."Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna."
Prof. Dr. Maximilian Lambertz.
Marr nga Vatican News.
 
Fishta per Ndre Mjeden ...

mjeshtri i nji niveli te jashtezakonshem



-Fort të Ndertit Z. D. Ndreut Mjeda
Don Ndré Mjeda – dredh mustaktë -
Na u çue ‘i nadje m’ kâmbë t’ sallaktë.
M’ kâmbë t’ sallaktë e pá bâ kriq,
Qysh se i shkuene brendë tre miq.
Qysh se i shkoj Don Gjergj Koleci,
Qi livron si kacaleci,
Thue se ‘i kûj atŷ i ká bij,
Kû i bje shpina me kufi.
Miku tjeter kje i Don Prendi
«Don Prend Mjeshteri» qi e quen vendi.
Rrin atjè, kû pallaska
Âsht tue qitë Marka Per Laska,
Qi, vjetrue e ba si grreç,
Mori nuse shtatdhetë vjeç ;
Por qi nusja ju bâ uk,
E la t’ shkretin Mark kacuk.
Me kta Priften kje nji Frat,
Qi s’ e lânë rrebujt rahat,
Por e mbajten prej Gomsiqet
E çuen n’ Vig me ndjekë rreziqet :
Thonë se kje Pater Gjergj Fishta,
Qi dynjâs shkon tue njitë bishta ;
Por ksaj here n, at udhë të Mnelës
U bâ vetë me u kndue m’ bisht t’pelës

Marr nga Nikolejda
Gomsiqe, 1901
 
Po iu postoj pjesën më të bukur të fjalimit të Gjergj Fishtës, në funeralin madhështor të Avni Rustemit…

Pjesë e fjalimit të Gergj Fishtës në varrimin e Avni Rustemit…

"Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!"
 
Sipas mbeses se Gjergj Fishtes Sonada Ndoka, ajo asht shpreh se origjina e vertete e pemes gjenealogjike te familjes Fishta rrjedh nga MALET e PASHTRIKUT te GJAKOVES, kane zbritur ne Zadrime rreth viteve 1700.

Familja Fishta

245202003_1325184237924886_8722949396999502157_n.jpg
 
Gjergj Fishta asht ne listen 10 antisllaveve me te medhenje ne bote!
 
Ne varrimin e At Gjergj Fishtes, ne vitin e larget 1940, mori pjese edhe Ali Kraja, perfaqesuesi me i larte i fese muslimane i cili mbajti nje fjalim brilant kushtuar vepres se madhe “Lahuta e Malcise” duke e krahasuar me veprat me te medhaja te njerzimit. Kjo deshmon se shqiptaret feja kurre nuk i ka ndare.
Fjalimi i Ali Kraja:
“Poet kombëtar, Pater Gjergj!
Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, ka thënë ai.

120541084_2661645470769659_2057506369549351052_n.jpg
 
Disa vargje te bukura shkrue prej At Gjergj Fishtes tek tragjedia ne vargje "Juda Makabe" shkrue ne vitin 1911 dhe shfaq dy here me 1920 dhe me 1945.

Qe kshtu pra vllazen,sot te bijt' e Abrahamit
Zot shpijet jane n'shpi t'vet.Anmiku i prujtun
Qi fen' e Atmen pa njerzi na shkelì,
Ai sot prej nesh u thye,
E t'lire,mbas ditës s'sotit
Si t'duem na mund t'sherbejme Atdheut e Zotit.
O i bukri i qiellve t'epra,
Ty lavdi t'kjofte e ndera
Qi prej verigash t'prujtuna
Na pshtove edhe nji hera
E t'huejt nen kambe na i vune,
Lirin' edhe na prune
Qi lanë të Parët na kan'
N'zi eshten shpia e tempulli,
Ku nuk sundon Liria
E shuhet gjaja e popullì,
Ku e t'huejve urdhnon lakmia
Me thember t'huej mbi krye,
Njeri nuk shef me sy
Te gjallet nuk ka shka ban.
At Gjergj FGishta

i prujtun- i poshtem
Verigash-zingjiresh
eshten- renkoj
 
Si sot 150 vjet ma pare ka lind ylli i orientimit te shqiptareve Gjergj Fishta.

Njeriu qe nxorri kulturalisht dhe politikisht shqiperine nga periudha e erret ottomane dhe e drejtoj ate drejt perendimit.

Gjergj Fishta maksimalizoi gjuhen e popullit, shqipen e paster, duke ecur ne rrugnajen e Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit, Zarishit per ti dhënë asaj statusin e eperm te gjuhes se kultures.

Me fjalet e tij, qe i zgjodhi me kujdes ne gojedhenat e maleve shqiptare per te pershkruar me kujdesin hyjnor luften dhe paqen e shqiptarve, forcen e tyre per identitet, mallin per te MADHIN Gjergj Kastriotin, zellin per qendrese, furine per beteje, deshiren per liri e shtet.

Vikama e tij ushtoj ne tane boten, per nje shqipni te lire pa tradhtare.

Fishta asht kollona qe mban ne kambe Tempullin e shqiptareve per dinjitet, identitet, ndershmeri, patriotizem, asht misherimi i Adn i te qenurit shkyptar.

Dy Gjergja ka lind Shqipnia

Gjergj Kastriotin
Gjergj Fishten

Fale atyne sot ne ekzistojme.
Dy Gjergjat jane pa varre, sepse varri i tyne asht cdo cope toke e shqiptarise.

748F0DEA-BE03-4034-B8E5-117560F15690.jpeg
 
Nga Lahuta Malcis - Kanga e nandet

~~ Lidhja e Prizrenit ~~

Kur Mar Lula, i pari i Shalës
Nji sý zjarm, nji zog sokoli,
Burrë i zoti i pushkës e i fjalës:
I a pret fjalen n' log t' kuvendit:
Se ti, pasha at Sh' Marrabé!
Sá per t' dalun zot un vendit,
Me m' qortue nevojë nuk ké.
Pse, se â zânun kjo Shqypní,
Un kam ndêjë me pushkë per faqe,
E per vend e per lirí
Kam rá pré, kam bâmun gjaqe.
Kam shkue jeten si bishë malit,
Zdathë e zdeshë e bukë pá ngrânë;
Por as Mbretit, e as Krajlit
Tungiatjeta s' i kam thânë.
Un kam ruejtë gjûhen shqyptare;
Un kam mbajtë doke e kanû,
E as per pare e as per timare,
Gjak e t' Parë s' i kam mohue.
Prandej, Shkjau me pasë per t'msý
E me dalë kndej kah Shqypnija,
( Si po thonë se ká vû sý )
Ká me u ndeshë, po m' armë të mija,
M' armë të Lekve e t'Dukagjinit,
Qi, me ndihmë të Perendís,
Kan m'i a thye pleqnín Berlinit,
Kan m'i a pshtue lirín Shqypnís.
Por pse m'thue me u vrá me Shkjá;
Tue pasë mrendë na Anadollakun,
Qi kurr t'keqen s'm' a ká dá,
Qi kurr qafet s' m' a hoq lakun:
Qi edhè zèmren m'' a ká thá
E m' ká mytë aj tatë e nânë,
E shnjerzue m' ká grue e moter,
E s' m' ká lânë me u rritë djalë n' voter?
M' ká korrë aren e punueme
M' ká mârrë token e trashgueme,
E tue m' bâ kanûn paçaver,
M' ká mârrë qét po per nên laver,
M' ká mârrë lopet me gjith viça,
M' ká mârrë delet me gji' ogiça,
M' ká mârrë dhên e m' ká mârrë dhiz,
M' ká thá vathë e m' ká thá mriz:
Edhè sod m' kâ vû leçí,
Mos me folë n'giûhe t' t' Parve t' mí;
E m' a man giûnin mbí bark,
E m' a repë shpirtin me çark,
Si mo' Zot, mâ keq per mue,
Nder thoj t'tij qi kam qillue?...
Po a pse Turqit e Anadollit
Duan të tallen këtij trollit,
Na m'i a vû pushken Nikollit?
Jo, per Zotin! - kjoftë levdue!
Se un Manov nuk kam qillue,
Qi me dalë e me luftue,
Perse Krajli a perse Mbreti
Duen të m'majn mue rob nên veti;

Un luftoj veç per lirí,
Per erz t' êm e per Shqypní:
Se un t'huej'n zot s'e due në shpí,
S' due te njof as Krajl as Mbret:
Mbret Shqyptari âsht n' vend te vet.

At Gjergj Fishta

ADN-ja e shqiptarisë.
 
Gjergj Fishta ka ditëlindjen sot

"Për inat te djallit e të shqyptarve Zoti ka me e mbajtë Shqypninë në kambë"​

 
Daniel Gazulli: Kanë thanë për At Gjergj Fishtën
(Me rastin e 71-vjetorit të vdekjes

30 Dhjetor 1940 – 2011 )


Përgatiti: DANIEL GAZULLI:
Lezhë, Dhjetor 2011.

“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ky është si të thesha “monopoliteti” gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit.”Lasgush Poradeci

“At Fishta, ky gjeni me rrajë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtnore të kombeve të Europës, u ngjit deri ndër majat ma të nalta të kulturës.”Prof. Dr. Norbert Jokl

“Kot përpiqen grekët e sotem të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se ‘Lahuta.” Faik Konica

„Fishta ishte intelektuali i kërkesave tona historike“. Engjëll Sedaj, HD, 1993/1, fq. 41

„Shqipnia pat nji fat të madh e të jashtëzakonshëm, shka nuk patën popujt e tjerë, veç mbas qindra vjetësh të një jete letrare, pat ma të madhin përmbi të gjithë, atë që u pshtet në popull të vetin e në gjuhën e tij e që me vjerrsha të veta ndezi flakë zemra në popull, pat gjeninë poetike në Fishtën“. Maksimilian Lambertz

“Lahuta e Malsisë’ mund të qendrojë përkrah veprave poetike ma të shqueme të popujve të tjerë.” M. A. Freün von Godin

„Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendësh “Lahutën e Malcisë”, përvetësuan arsimin kombëtar, kur ky mungonte“. Zekeria Cana, HD, Numër i posaçëm, 1996, fq. 50

„Fishta nuk ishte vetëm mësues dhe apostull, por edhe vizionar e profet i ideve të mëdha për çlirimin kombëtar me dimensione më të gjëra të humanizmit europian.“ Engjell Sedaj, Numër i posaçëm, 1996, fq. 69

„Fishta pra, pat meritimin ma të madh edhe në këte vepër kombëtare (alfabeti që kemi sot), e cila u plotësue në Kongresin e Manastirit ku …. ishin mbledhë mezja e shqiptarëve e ndër 53 vota, Poeti u zgjodh me 49 vota kryetar i komisionit, tue pasë si nënkryetar shoqin e vet të pandamë, Luigj Gurakuqin, me të cilin lidhei me idealet e nalta atdhetare“. At Benedikt Dema, Botim përkujtimuar, fq. 367, 1941

„Fishta, bir i popullit, ka naltue si dikur Homeri ndër grekë e Lukreci ndër romakë, gjuhën shqipe në dinjitetin e artit“. Prof. Kolë Prela, Botim përkujtimuar, fq. 292.

„Edhe ndër bisedime ma të zakonshme, aj kishte për të thanë dishka të re, ja se ata shka asht e ditun kishte për ta pru në formë përherë të re, përherë të pëlqyeshme“. At Anton Harapi, Botim përkujtimuar, fq. 56.

„Kush e takoi njëherë të vetme s’mund ta harrojë ma. Kush e njohu ma për së afërmi, s’mund ta largojë nga zemra ma. Kush jetoi e bashkëpunoi me të, s’mund e s’mund ta zevendësojë me kurrnji tjetër. Ky asht At Gjergj Fishta.“ Pal Dukagjini (At Daniel Gjeçaj), HD, nr. i posaçëm, 1996,

„E kanë quejtë mbret i polemikës shqiptare. Ai qé ndër të parët që u vu të qortojë me forcë mentalitetin e vjetër me qellim që t’i hapte rrugën së resë, përparimtares. Polemikës së Fishtës i jep shpirt satira“. Prof. Mark Vuji, Filozofia arsimore, fq. 41

„Polemika e Fishtës ka si yll polar përmirësimin e vendit moralsiht, …. çfarosjen e veseve, luftën kundra atdhetarëve me barkun kodër“ ….Lefter Dilo, Botim përkujtimuer, fq. 269

Tue pa se këto ngadhnjime të idealit po rrëxoheshin tradhëtisht rroki penden, e ngjeu në gjakun e zemrës dhe shkroi mbi “Hyllin e Dritës” atë artikullin fatal: “Nji komedi e pandershme e XX qindvjetë”.

„Në kulmin e idhnimit në një vend thekson, ndoshta pak kjartë, por fort drejtësisht, indiferentizmin e ndërkombtarëve në një kohë kur Shqipnija e shkretë, q’atëherë ndërtue prej sish, po shpartallohej, shkruen: “Gjaku i shqiptarit derdhet rrëkajë, gjaja e shqiptarit hupë ndër thoj të ma të fortit, e Mëkamësit e Europës, kur të mos kenë me zhgatërrue ndonji pshtjellim policash e faturash së veta, pa farë kujdesi rrinë, a tue rrëshitë me rrakela nëpër lame çimentojet, a tue luejtë dojkë e topash”.
Kje nji bumbe për veshët e Ndërkombtarëvet që gjindeshin në Shkodër. U dogj fort. At Justin Rrota, Botim përkujtimuer, fq. 152.

„Kritika e djeshme nuk mundi ta kuptojë se mohimi s’është kritikë e që urrejtja nuk është vlerë“. Agron Gjekmarkaj, HD 1996/12, fq. 136.

“Hylli i Dritës”, botue prej At Gjergj Fishtës, mund të krahasohet denjësisht me çdo revistë letrare, filozofike e shkencore …. Si një ndër ma të mirat që botohet në Europë“. Antonio Calducci

„Unë nuk kam pa ende një shtat e një fytyrë ma mikelanxheleske se shtatin dhe fëtyrën e Fishtës sonë. Një model i denjë për Buonarotin e pavdekshëm“. Dom Lazër Shantoja

„Mjaftonte nji emen që t’i kujtonte nji flije, nji ngadhnjim, nji virtyt, nji faj, nji padrejtësi, atëherë me e pa si ndërrote ngjyrë fytyra e tij, si ndizej, si skuqeshin sytë e tij shqiponjë, si merrte në dorë puplen e shkruente“. Gjon Kamsi, Botim përkujtimuer, fq. 71.

„Kurrë në jetën time s’kam pa nji fytyrë burri ma klasike, as kam kundrue sy ma të gjallë e ma ekspresivë, ma të fortë e ma depërtues. Para këtyne syve, peneli e ngjyrat mund të paraqesin organin e të pamit, por me kurrënji mënyrë s’mbërrijnë të shprehin si duhet shpirtin e forcën që del nga ata dy diej drite“ ….Prof. Umberto Giunti, mjeshtër pikture,
Akademia e Arteve, Siena, Itali.

„P. Fishta njifet si poeti ma populluer i shqyptarëvet, si poeti ma i përzemërt i këtij populli …. Si këtë kemi edhe nji të madh tjetër: Rabindramath Tagore“. Dr. Ervin Stranik, Neevs Ëiener Journal, 6.10.1922

“Kurrë gjuha shqipe nuk shprehu më shumë forcë se sa me gojën e Fishtës“. Abas Eermenji

“Koha e ardhshme ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e Tij të jenë përkthye ndër gjuhë ma të përhapuna.”
Prof. Dr. M. Lambertz
 
“Unë jam Gjergj Fishta, djali i vogël i Ndokës, të cilin nana e ka ba ma të menduem – thua se s’kishte dalë prej barkut të Prendës së Lazër Kaçit, por, si çmos kush, prej trunit të saj”
 

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.