Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Gjuha Shqipe

Juno

Kontributor
Regjistruar më
Kor 25, 2017
Mesazhe
32,412
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjerën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjehësore indoevropiane, u arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike krahasuese. Ishte sidomos merita e njerit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das Albanesische in scinen verwandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854. Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në gjuhë lindore ose satem dhe në gjujë perëndimore ose kontum, shqipja shkon me gjuhët lindore (satem), bashkë me gjuhët indoiranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.
 
Peremri

Përemra quhen fjalët që përdorim në ligjërim në vend të emrave ose mbiemrave:
Në strehën e shtëpisë dallëndyshet vit për vit bëjnë folenë.
Ato fluturojnë me shpejtësi para shtëpisë.
Vjollca i do shumë dallëndyshet.
Ajo kënaqet kur i shikon ato duke fluturuar.

Përemrat janë shtatë llojesh :
- vetorë: unë, ti, ai, ajo, ne, ju, ata, ato;
- vetvetorë: vetja, vetvehtja;
- dëftorë: ky, kjo, këta, këto, i këtillë, e këtillë, të këtilla, i tillë, e tillë, të tillë, të tilla; ai, ajo, ata, ato, i atillë, e atillë të atillë, të atilla;


- pronorë:
Veta I. im, ime, ynë, jonë, e mi, e mia, tanë, tona,
Veta II. yt, jote, juaj, juaj, e tu, e tua, tuaj, tuaja
Veta III. i tij, e tij, i saj, e saj, e tij, e tija, e saj, e saja, i tyre, e tyre, e tyre, e tyre;

- lidhorë: që, i cili, e cila, të cilët, të cilat, çka, ç, çfarë, kush, sa,
- pyetës: kush, cili, cila, cilët, cilat, ç, çfarë, sa, i sati, (me, për, nga) se;
- të pacaktuar: dikush, ndokush, gjithkush, kushdo, askush, kurkush; një, ndonjë, njëri, ndonjëri, asnjë, asnjëri; secili, gjithsecili, cilido, çfarëdo, gjithçka, diçka, ca, disa, të gjithë etj.
 
Folje

Folje quhen fjalët që tregojnë se subjekti vepron ose pëson diçka ose ndodhet në një gjendje të caktuar.

Kur themi motra, macja, e kuptojmë se është fjala për njerëz, kafshë dhe sende, po nuk dimë se çfarë bëjnë ose çfarë ndodh me ta. Por kur themi motra punon, mollët u poqën, macja fle atëherë prej fjalës punon mësojmë se motra po kryen një veprim (punon), prej fjalës u poqën mësojmë se mollët pësuan diçka (u poqën), prej fjalës fle mësojmë se macja ndodhet në një gjendje të caktuar (fle).

Fjalët punon, u poqën, fle janë folje.
 
Foljet kalimtare

Kalimtare quhen foljet veprimi i të cilave i kalon një personi ose sendi tjetër, d.m.th. që pranojnë një kundrinor:
Beni çdo ditë lexon gazetën.

Foljet që pranojnë një kundrinor të drejtë janë folje kalimtare të drejta:
Blerta çdo ditë vadit lulet.

Foljet që mund të marrin kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë janë kalimtare të zhdrejta:
Iliri i hipi kalit.

Ndodh që një folje të marrë njëkohësisht një kundrinor të drejtë dhe një kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë, pra të jëtë njëkohësisht folje kalimtare e drejtë dhe e zhdrejtë
Ia dhashë librin Zanës.
Ia afrova Zanës tufën e luleve.

Folje jokalimtare janë ato që nuk pranojnë kundrinor: fle, eci, rri, qëndroj, dal etj.:
Agroni ecte i shqetësuar.
Dje fjeta gjithë ditën.

Disa folje përdoren herë si kalimtare, herë si jokalimtare. për të gjetur se cilit grup i përkasin duhet parë se në ç\'kuptim janë përdorur.
 
Foljet veprore dhe joveprore

Foljet kalimtare të drejta kanë dy forma , formën veprore dhe formën joveprore :

Forma veprore: laj, fshij, thaj
Forma joveprore: lahem, fshihem, thahem

Veprore ( laj, fshij, thaj ) janë foljet që tregojnë se subjekti vepron ( laj fytyrën, fshij dhomën, thaj rrobat )
kurse joveprore foljet që tregojnë se subjekti pëson, d.m.th. i nënshtrohet veprimit të një tjetri (lahem nga dikush) ose tregon se subjekti vepron dhe veprimi i tij kthehet po tek ai ( lahem = laj vetveten ).
 
Kohet e Foljes

Kohët themelore të foljes janë e tashmja, e shkuara, e ardhmja.

E tashmja tregon diçka që bëhet tani.
Fryn erë dhe bie shi.

E shkuara ka pesë nëndarje: e pakryera, e kryera e thjeshtë dhe e kryera që shprehin veprime të kryera para çastit kur flasim dhe më se e kryera dhe e kryera e tejshkuar që shprehin veprime para një çasti të caktuar të së shkuarës:
Frynte erë dhe binte shi.
Kishte fryrë erë dhe kishte rënë shi.

E ardhmja ka dy kohë të ardhmen
dhe të ardhmen e përparme.
E ardhmja shpreh një veprim që pritet të kryhet pas çastit kur flasim ose që do të kryhet në të ardhmen:
Do të bjerë shi.
E ardhmja e përparme shpreh një veprim që pritet të kryhet para një veprimi tjetër në të ardhmen:
Kur do të ktheheni ju, unë do t\'i kem mbaruar detyrat.

Përveç përdorimeve themelore kohët kanë edhe përdorime të tjera më të veçanta.

Kohët e foljeve janë: të thjeshta dhe të përbëra.

Të thjeshta janë e tashmja, e pakryera,
e kryera e thjeshtë dhe e ardhmja. Ato formohen kryesisht me mbaresa që i shtohen foljes: mëso-j, mëso-n, mëso-j-a, mëso-je, mëso-v-a, mëso-v-e

Kohët e përbëra janë:
e kryera ( kam mësuar ),
më se e kryera ( kisha mësuar ),
e kryera e tejshkuar ( pata mësuar ),
e ardhmja e përparme ( do të kem mësuar ).
Këto formohen me ndihmën e foljeve ndihmëse.
 
Menyrat e Foljes

Kuptimi i asaj që shprehet nga folja mund të paraqitet prej folësit në mënyra të ndryshme:
- si diçka e realizuar : Ne punuam.
- si diçka e dëshirueshme, e pritshme: Të punojmë apo të mos punojmë.
- si urdhër: Punoni!
- si habi: Punuakan!

Trajtat e ndryshme që merr folja për të shprehur pikërisht këta kuptime quhen mënyra. Në gjuhën shqipe folja ka gjashtë mënyra:
dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore.

Mënyra dëftore e paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka të vërtetë ose reale, qoftë ky pohim, mohim ose pyetje:
Iliri po mëson.
Iliri nuk po mëson.
A po mëson Iliri ?

Mënyra lidhore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçkaqë dëshirojmë ose presim të ndodhë
Po të punosh do të fitosh.

Mënyra kushtore e paraqet kuptimin e shprehur të foljes si diçka të mundshme që varet (kushtëzohet) nga një veprim tjetër:
Po të punoje më shumë, do ta mësoje më mirë kompjuterin.

Mënyra habitore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka të papritur që shkakton habi:
Sa qënka rritur !
Ju mësokeni shumë !

Mënyra dëshirore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes në formë urimi ose mallkimi:
Shkofsh e ardhsh shëndosh !
U bëfsh njëqind vjeç !
Të raftë pika !

Mënyra urdhërore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes në formë urdhëri, kërkesë, këshillë:
Punoni më mirë.
Mësoni më shumë.

Dëftorja, lidhorja, kushtorja, habitorja, dëshirorja dhe urdhërorja kanë forma të veçanta për kohë dhe për veta të ndryshme të çdo numri.

Veç këtyre mënyrave ka edhe forma foljore të pashtjelluara të cilat nuk kanë as kohë as vetë as numër.
Format e pashtjelluara të foljeve janë: pjesorja, paskajorja, përcjellorja dhe mohorja:
- pjesorja: punuar, mësuar, blerë, gjetur, tharë etj.;
Foljet kanë edhe një pjesore të shkurtuar e cila gjendet duke i hequr pjesores prapashtesën -r, -rë, -ur, -ë,: punua(r) - punua, bler(ë)- ble(rë), gjet(ur) - gjet
thën(ë) - thën.
- paskajorja: për të punuar, për të mësuar, për të marrë etj.;
- përcjellorja: duke punuar, duke mësuar, duke marrë etj.;
- mohorja: pa punuar, pa mësuar, pa mësuar, pa marrë etj.;

Në këto trajta, ajo që shprehet nga folja nuk mund të paraqitet prej folësit në mënyra të ndryshme, prandaj ato nuk merren si mënyra.
 
Veta dhe numri i foljes

Vetë e foljes quhet forma foljore që tregon se kush e kryen veprimin
(unë, ne, ti, ju, ai, ajo, ata, ato):

Veta I njëjës: unë punoj
Veta II njëjës ti punon
Veta III njëjës ai punon
Veta I shumës: ne punojmë
Veta II shumës: ju punoni
Veta III shumës: ato punojnë

Numër i foljes quhet forma foljore që tregon se veprimi kryhet nga një ose më shumë qënie apo sende. Folja ka dy numra, njëjësin dhe shumësin:

Unë punoj (Veta I njëjës)
Ne punojmë (Veta I shumës)
 
Ndajfolja

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi:
Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.

Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër:
Detyra ishte tepër e vështirë.
Ata u ngritën shumë herët atë ditë.

Por nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh:
mënyre, vendi, kohe, shkaku, qëllimi, sasie.

NDAJFOLJET E MËNYRËS

Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor mënyre:
Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (=në mënyrë të natyrshme) me të gjithë.

Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:
- mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm, etj.;

Vjollca flet bukur frëngjisht.

- menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur, etj. Që tregojnë ecurinë e veprimit:
Dritani u ngrit papritur.

- cekët, gjerë, gjtë, thellë, ulët që tregojnë përmasa:
Toka duhet punuar thellë.

- bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht:
Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht (në mënyrë bujare).

NDAJFOLJET E VENDIT

Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalorë plotës vendi.

Ndajfoljet kryesore të vendit janë:
- afër, larg, pranë, rreth, djathtas, majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj, që tregojnë vendin ku kryhet veprimi:
Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).

- ku, nga:
Ku po shkon ?
Nga je edhe pse ke ardhur ?
Në të vërtetë ku dhe nga janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi:

NDAJFOLJET E KOHËS

Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor kohe.

Ndajfoljet kryesore të kohës janë :
- dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit:
Erdha sot (=ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).

- njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar:
Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.

NDAJFOLJET E SHKAKUT

Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku.
Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi:
Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët?
Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon?
Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (=për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.

NDAJFOLJET E SASISË

Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie.
Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:
- shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi:
E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë.
Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.

- fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.
Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti.

SHKALLËT E NDAJFOLJEVE

Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohe: lart, poshtë, afër, larg, vonë, herët, etj.
Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.

- Shkalla pohore
Miri ecën shpejt

- Shkalla Krahasore
e barazisë : Mirri ecën aq shpejt sa Genti.
e sipërisë : Miri ecën më shpejt se Genti.
e ultësisë : Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.

- Shkalla sipërore
Miri ecën shumë shpejt.
 
Parafjala

Parafjalë janë fjalët e pandryshueshme që qëndrojnë përpara emrave, përemrave, numërorëve dhe ndajfoljeve duke vendosur marrëdhënie vartësie ndërmjet fjalëve :

Punoj me lopatë.
E njoha nga zëri.
U rreshtuan për tre.
Ka ardhur një ftesë për ty.
Beni është i dashur me të gjithë.
E njohin për mirë.

Parafjalët, sipas strukturës morfologjike, janë të thjeshta, të përngjitura dhe shprehje :

- të thjeshta : me, në, nga, afër, brenda, larg, para etj.;
- të përngjitura : nëpër, përmbi, përveç, sipas, etj.;
- shprehje : ballë për ballë, rreth e qark, në kundërshtim me, në lidhje me etj.

Parafjalët sipas lidhjeve sintaksore klasifikohen në :

- parafjalë të rasës emërore: nga, te (tek):
Është nga Tirana.
U rrëzua nga lodhja.
Nga darka do të dukemi.
Është i madh nga trupi.
Shtëpitë u ndërtuan nga vetë banorët.
Në krye doli një nga ish të burgosurit.
Rrinte te pragu i derës dhe vështronte avionët që fluturonin.

- parafjalë të rasës gjinore : me anë, me anën, në sajë, në vend, për arsye, për shkak, etj.:

Me anë të një miku arrita ta kapërcej kufirin.
Ekonomia e vendit mbahet në sajë të kontributit që jep populli.
Ju kemi në vend të prindërve.
Shtëpia mbeti përgjysëm për shkak të largimit të vëllait.

- parafjalë të rasës kallëzore: në, me, pa, për, më, mbi, nën, ndër, etj.:

Erdhi vonë në shtëpi.
U takua me vëllain në Prishtinë.
Nuk rrihet pa punë.
Mira u nis dje për Bruksel.
Më 10 qershor kam ditëlindjen.
Mos u ul mbi divan.
U shkau dheu nën këmbë.
Parisi është një ndër qytetet më të bukura.

- parafjalë të rasës rrjedhore: prej, ndaj, për, etj.

Ishte prej Durrësi.
Ndaj tij u morën masa të rrepta.
E kapi për gryke.
 
Lidheza

Lidhëzat janë fjalët e pandryshueshme që shërbejnë për të lidhur fjalë, grupe fjalësh ose fjali midis tyre: Kur vdiq Skënderbeu, Sulltani tha: "Tani Evropa dhe Azia janë të mijat! Mjerë Evropa, se i humbi shpata dhe mburoja".

Sipas kuptimit që kanë, lidhëzat janë:

- shtuese: e, dhe, edhe, si edhe, as…as…, a, hem…hem…, si…si…, si… ashtu edhe, jo vetëm… por(edhe), jo vetëm që … por as, le që… por(edhe), jo që…po, jo që… po(r) edhe, jo veç (që)… por edhe, jo vetëm (që)… por, jo vetëm (që)… por as, jo vetëm (që)… por edhe, jo vetëm (që)… porse, le që… por as (që), le që… por edhe;

- kundërshtore: po, por, kurse, megjithatë, megjithkëtë, mirëpo, ndërsa, teksa, porse, veç, veçqë, veçse, vetëm, vetëm seetj.;

- veçuese: a, apo, ose, daç… daç, ja… ja, ndo… ndo, qoftë… qoftë, ose… ose, o… o;

- përmbyllëse: andaj, ndaj, pa, prandaj, domethënë, etj.

- ftilluese: se, që, në, nëse;

- vendore: ku, tek, nga, kudo, ngado, tekdo, deri ku, gjer ku, nga ku, që ku, kudo që, ngado që, kurdoherë që, para se, posa që, që kur, që se, qysh se, sapo që, sa herë (që), sa kohë (që), përpara se;

- shkakore: se, sepse, si, pasi (mbasi), derisa, gjersa, përderisa, kur, që, sapo, meqenëse, meqë, ngaqë, ngase, duke qenë se, nga frika se, nga shkaku që, për arsye se, për shkak se, posa që, sapo që, etj.

- qëllimore: që, me qëllim që, në mënyrë që, me të vetmin qëllim që;

- krahasore: sa, aq sa, se, sesa, se ç`, nga ç`, nga sa.

- mënyrore: si, siç, ashtu si(ç), po(r) si, sikurse, sikundërse, etj.;

- kushtore: në, po, nëse, kur, sikur, në qoftë se, në është se, në rast se, po qe se, me kusht që etj.;

- rrjedhimore: sa, saqë, që, aq sa, kështu që;

- lejore: megjithëse, megjithëqe, ndonëse, sado(që), sido(që), edhe në, edhe në qoftë se, edhe po, edhe pse, edhe sepse, edhe sikur.

Lidhëzat mund të grupohen në dy grupe të mëdha: lidhëza që bashkojnë dy gjymtyrë ose dy pjesë që kanë të njëjtën vlerë në fjali (lidhëza bashkërenditëse) dhe lidhëza që bashkojnë pjesë më vlera të ndryshme, njëra kryesore dhe tjetra e varur (lidhëza nënrenditëse).

Bashkërenditëse janë lidhëzat shtuese, veçuese, kundërshtore, përmbyllëse.

Nënrenditëse janë lidhëzat ftilluese, vendore, kohore, shkakore, qëllimore, krahasore, mënyrore, kushtore, rrjedhimore, lejore.
 
Pjeseza

Pjesëzat janë fjalë që plotësojnë kuptimin e një fjalie.
Pjesëzat, sipas kuptimit, mund të grupohen si vijon:

- dëftuese: ja:
Ja kush erdhi…

- përcaktuese - saktësuese: mu, pikërisht, tamam, porsa, sapo, deri etj.:
Pikërisht ai më ka paditur.

- përforcuese: vetëm, veç, ****, sidomos, veçanërisht, madje etj.;
Të gjithë flasin mirë frëngjisht, sidomos Mira.

- përafruese - veçuese ose kufizuese: vetëm, veç, veçanërisht:
Vetëm të rinjtë punonin.

- përafruese: afërsisht, afro, aty-aty, nja, gati, rreth, pothuaj etj:
Në stadium ishin rreth 10.000 vetë.

- pohuese: po, posi, po që po, po se po, si urdhëron etj:
A do të shkosh në Prishtinë? Posi.

- mohuese: jo, nuk, s\', mos, jo që jo, as që etj.;
Nuk e kam takuar.

- pyetëse: a, ë, e:
A erdhi motra nga Vlora?

- dyshuese: ndoshta, mbase, kushedi, sikur, vallë, gjë etj.:
Përse erdhi vallë?
E keni takuar gjë Mirën?

- zbutëse: pa, as, le, para, dot etj.:
Pa shihni kush na ka ardhur.
A nuk e shihni se kush na ka ardhur.

- emocionale shprehëse: ç`, de, pa, pra, se, seç, etj.:
Ja pra kështu ndodhi.
E pse pa, për një fjalë goje u zumë.

Pjesëzat janë dy llojesh: me vend të ngulitur ose me vend të lirë.
Të parat qëndrojnë gjithmonë para apo pas fjalës ose grupit emëror a foljor të dhënë:
- para: nuk, ja, desh, sapo etj.;
- pas: de, dot etj.

Pjesëzat me vend të lirë mund të vendosen në fillim, në mes dhe në fund të fjalës:
Vallë, kush erdhi?
Kush erdhi vallë?
Kush të jetë, vallë, ky që erdhi?
 
Pasthirrmat

Pasthirrmat janë tingujt ose fjalët e pandryshueshme që shërbejnë për të treguar ndjenjat e folësit ose përdoren për të tërhequr vemendjen e dëgjuesëve:

- O, sa mirë që erdhët! Ishim bërë merak për ju.

Ato janë karakteristike për gjuhën e filur dhe kuptimi i tyre shpesh qartësohet nga intonacioni.
Pasthirrmat grupohen në pasthirrma emocionale, që shprehin ndjenja, dhe në pasthirrma urdhërore, që shprehin dëshirën ose vullnetin e folësit.

Pasthirrma emicionale që shprehin:

- ndjenja të gëzuara: o, oh, oho, hoho, ohoho, të lumtë, urra, ah, sa mirë;
- frikë, tmerr: e zeza, ububu, bobo, korba, kuku, obobo, qyqja;
- habi: au, eu, oj, ou, pa, u, ua, uh;
- mosbesim, mospërfillje, përbuzje: aha, bah, ehe, ahu, i, ohu, ptu, y etj.;
- pakënaqësi, keqardhje, mërzi, dhembje: a, ah, e, eh, of, oi, uf, etj.;
- nxitje (thirrje, urdhër, lutje): ej (hej), o, ore (or, mor, more), moj (ori, mori), pëst, o burra, forca, hop, hë, na, sus, shët, të keqen etj.;
- përshëndetje, mirnjohje, mallkime, sharje, ngushëllime etj: faleminderit, lamtumirë, mirëmëngjes, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, mirë se erdhe, mirë se vjen, mirë mbeç, ditën e mirë, natën e mirë, tungjatjeta, udha e mbarëetj.

Pasthirrmat vendosen zakonisht në fillim të fjalisë, por shpesh përdoren edhe në mes edhe në fund të saj. Pas tyre vihet presje. Kur shqiptohet me fuqi të veçantë pas tyre vihet pikëçuditje:

Oh, ç\'na gëzove.
Ua! Paske ardhur!
A! - thirri e habitur.

ONOMATOPETË

Janë fjalë që shërbejnë për të riprodhuar tingujt, zërat, zhurmat, britmat. Në dallim nga pasthirrmat ato nuk shërbejnë për të shprehur ndjenja:
Ha, ha, ha qeshte Linda.
Mjau, mjau bënte macja.
A! - thirri e habitur.
Ato mund të përfshihen edhe tek pasthirrmat, po gjithsesi dallohen prej tyre.
 
Shenjat e pikesimit

Shenjat kryesore të pikësimit janë : pika(.), pikëpyetja(?), pikëçuditja(!), tri pikat(…), presja(,), pikëpresja(;), dy pikat:) ), thonjëzat(" „), viza lidhëse(-) .

Pika , pikëpyetja , pikëçuditësja , dhe tri pikat përdoren në fund të fjalisë për të shënuar pushimin që ndan dy fjali në gjuhën e folur .

Pika shënon intonacionin zbritës që shoqëron zakonisht fundin e fjalisë dëftore :
Gazmendi erdhi vonë në shtëpi (.)
Pikëpyetja shënon gafikisht intonacionin ngjitës që karakterizon pyetjen gjatë të folurit :
Nga na vjen o djalë (?)
Pikëçuditja shënon grafikisht intonacionin ngjitës dhe intensitetin e veçantë që karakterizon shprehjen e një emocioni ( një e papritur , kundërshtim , zemërim , gëzim ) :
Merre lahutën dhe na këndo një këngë trimash (!)
Tri pikat tregojnë që fjalia përmban një nëntext ose që mbetet e pambaruar :
Komandanti i urdhëroi ushtarët të dilnin roje se shejtani besë s\'ka (…)

Presja , pikëpresja , kllapat përdoren brenda fjalisë .

Presja shënon grafikisht një pushim të shkurtër brenda fjalisë . Ajo shërben për të vënë në dukje :
- një fjalë a një grup fjalësh në rolin e një gjymtyre të veçuar :
Artani (,) djali më i madh(,) punonte në tregëti …
Një fjalë a një grup fjalësh në rolin e një gjymtyre homogjene :
Skënderbeu mishëronte vetitë më pozititve të popullit : urtësinë (,) mençurinë e trimërinë .
Fjalët e togjet e fjalëve të ndërmjetme :
Agimi (,) për çudi (,) nuk shkoi larg .
Pjesët e një fjalie të përbërë
Sançoja (,) pasi rregulloi kafshët (,) shkoi aty ku zienin ca copa mishi mbi zjarr .

Pikëpresja shënon grafikisht një pushim më të gjatë se presja . Ajo ndan në përgjithësi pjesë të ndryshme të pavarura të një fjalie të përbërë :
Ata që më donin , erdhën (;) ata që s\'më donin , nuk erdhën .

Dy pikat shënojnë një pushim që zgjat pothuajse sa pikëpresja , por ndryshe prej saj dy pikat kanë një vlerë , lajmërojnë një shpjegim , një varg shembujsh etj .
Ishte paralizuar; nuk lëvizte dot asgjë :) )as duart, as këmbët. Disa pemë p.sh.:) )
portokallat, limonat , mandarinat i pjekin frutat në dimër .

Kllapat shënojnë një pushim të shkurtër si presja e shërbejnë për të dalluar , shquar dhe veçuar një grup fjalësh që shprehin një sqarim ose një mendim të ndërshtënë :
Te fusha e kuqe ---( ajo quhej keshtu , se në mes të saj një shkëmb i kuq )--- Dritën e priste Agimi .

Thojëzat dhe vizat .
Thonjëzat dhe viza shërbejnë për të rrethuar fjalët e një ose më shumë bashkëbiseduesve në një ligjëratë të drejtë .
(") Zemra e prindit nuk gënjehet aq kollaj(") , - tha plaku .

Thojëzat shërbejnë gjithashtu për të shënuar emertimet e rrugëve , institucioneve, titujt e librave , revistave , gazetave etj .:
Banon në rrugën (")Naim Frashëri(").
 
Perdorimi i ë-se

ë-ja pa zë, ku perdoret??? Rregullen perkatese.

Shkronja ë ka nje rol shumë të vecantë dhe shumë domethënës në gjuhën shqipe.

ë- (pa zë) tregon intonacionin, pra kur në fund të një fjale qëndron shkronja ë, atëherë zanorja që qëndron para ë lexohet gjatë.
P.sh. nje mollë- ketu ë është pazë, mirëpo shkronja o lexohet gjatë (edhe ketu vërej - gjatë, ë është pazë, ndërsa a lexohet gjatë, apo sigurt-këtu u lexohet shumë shkurt, andaj edhe nuk ka në prapashtesë ë)

ë- tregon gjininë femërore, pra nje emer femëror, qoftë emër i veqant apo i pergjithshëm, ne rasën emërore merr prapashtesën ë, si Elirë, Afërditë. Në raste kur nuk je e sigurt se cilës gjini i takon një emër atëherë e bën një test në rasën kallxore, pra me pyetjen- kush?
P.sh. Emri lis - kush? Lisi- nga prapashtesa vëren që është emër mashkullor dhe shënohet pa ë në prapavi, pra vetëm LIS.

ë- tregon shumësin. p.sh. Disa femijë etj. (natyrisht që ka edhe përjashtime)

Kur është fjala për togëfjalësh, atëherë ë largohet nga mesi i togëfjalëshit vetëm atëherë nesë fjala bashkangjitëse fillon me zanore. p.sh. bukëpjekës- këtu ë qëndron, sepse fjala pjekës fillon me bashkëtingëllore. Në të kundërtën anulohet shkronja ë apo zanorja.
 
Last edited:
Emri

EMRI, Gjinia e Emrave


1. Gjinia e emrave në shumicën e rasteve mund të dallohet morfologjikisht nga mbaresat që marrin ata në trajtën e shquar të rasës emërore të njëjësit: Emrat mashkullorë marrin mbaresën -i ose -u: plep-i, mendim-i, vëlla-i, burr-i (burrë), gjum-i (gjumë), zog-u, dhè-u etj.;

Emrat femërorë marrin mbaresën -a ose -ja (këtu është fjala për në radhë të parë për emrat e përgjithshëm).

Gjinia gramatikore e emrave të përveçëm të njerëzve përcaktohen nga seksi i personit përkatës, p.sh. Lekë-Leka, Dedë-Deda, Kolë-Kola, Koço-Koçoja janë emra mashkullorë, megjithëse shkojnë sipas lakimit të emrave femërorë, nga ana tjetër, emra si Nermin-i, Antigoni etj., janë emra femërorë, megjithëse shkojnë pas lakimit të emrave mashkullorë.

Po kështu disa emra si axhë-axha, dajë-daja, gegë-gega, toskë-toska, që shënojnë frymorë të seksit mashkullor, megjithëse shkojnë pas lakimit të emrave femërorë, i përkasin gjinisë mashkullore, janë emra mashkullorë të lakimit të tretë).

Gjinia gramatikore e emrave të mësipërm, të përveçëm e të përgjithshëm, shprehet sintaktikisht:
Fjalët përcaktuese edhe fjalët e tjera që përshtaten me këta emra, vihen në trajtën e gjinisë mashkullore p.sh.: Leka i Madh; Kola është punëtor i dalluar; Nermini është punëtore e dalluar; axha im; daja i vogël etj.

2. Ka një numër emrash, të cilët dikur përdoreshin në tërë gjuhën si asnjëanës dhe e formonin trajtën e shquar të emërores me mbaresën -t, p.sh,: drithë-t, gjalpë-t etj. Kjo formë dëgjohet ende sot nëpër dialektet e në të folurit të brezit të vjetër. Në gjuhën letrare të sotme këta emra përdoren si mashkullorë, d.m.th. e formojnë trajtën e shquar të emërores së njëjësit me mbaresën -j dhe formojnë trajtën e shquar të emërores me mbaresën -in.


Emrat në fjalë janë:
ballë - balli - ballin
brumë - brumi - brumin
djathë - djathi - djathin
drithë - drithi - drithin
dyllë - dylli - dyllin
dhallë - dhalli - dhallin
dhjamë - dhjami - dhjamin
grurë - gruri - grurin
gjalpë - gjalpi - gjalpin
lesh - leshi - leshin
miell - mielli - miellin
mish - mishi - mishin
mjaltë - mjalti - mjaltin
ujë - uji - ujin
vaj - vaji - vajin


Ttrajtat asnjëanëse të këtyre emrave mund të përdoren në vepra letrare për të individualizuar ndonjë personazh me anë të gjuhës ose për të karakterizuar gjuhën e një epoke të kaluar. Ato mund të përdoren gjithashtu edhe në shprehje frazeologjike, p.sh.: m\'u ngjeth mishtë, ose kur kanë marrë një kuptim të veçantë, p.sh.: ujët (në kuptimin "ujët e hollë„ ), dhjamët (në mjeksi, p.sh.: operoi dhjamët).

Emri krye, kur përdoret me kuptimin "kokë", në rasën emërore ose kallzore, është kurdoherë asnjëanës dhe formon trajtën e shquar me mbaresën -t, p.sh.: më dhemb kryet, ndërsa, kur përdoret me kuptimin "kryetar, i parë„ ose "kapitull" (libri) është kurdoherë mashkullor dhe e formon trajtën e shquar me mbaresën -u, p.sh.: kreu i vendit, kreu i tretë e

Një numër emrash, të cilët janë përdorur më parë edhe si mashkullorë, edhe si femërorë ose përdoren ende keshtu nëpër të folme të ndryshme, kanë kaluar sot përfundimisht në gjininë mashkullore, p.sh.:

borxh-i, djep-i, kryq-i, ligj-i, lot-i, nder-i (për këtë arsye duhet thënë faleminderit, falemnderit dhe jo faleminderës, falemnderës), pyll-i, qiell-i, shëndet-i, turp-i etj.;

Po kështu edhe: problem-i, program-i, komunizm-i, marksizm-i, organizm-i, reumatizm-i, sarkazm-i, etj.

Trajtat femërore të tyre, si borxha, djepja, ligja, lodja, ndera, problema, komunizma, reumatizma, sarkazma etj, kanë dalë jashtë normës së sotme letrare dhe nuk duhen përdorur. Emri "furrë" është i gjinisë femërore: furra (dhe jo furri).
 
Mbiemri

Mbiemra quhen fjalët që shënojnë se çfarë lloji është ose çfarë vetie ka emri (qen i zi, qen i vogël, ushtria shqiptare, qeveria italiane). Mbiemri përshtatet në numër, gjini dhe rasë me emrin me të cilin lidhet:



- përshtatje në gjini :
mjeku i ri
mjekja e re

- përshtatje në numër :
mjekët e rinj
mjeket e reja

- përshtatje në rasë :
mjeku i ri
i mjekut të ri
mjekun e ri
mjekja e re
e mjekes së re
mjeken e re


Mbiemrat e shqipes ndahen në dy grupe: mbiemra të nyjshëm dhe mbiemra të panyjshëm.
Mbiemra të nyjshëm janë:

- ata që mbarojnë me -ë : i bardhë, i mirë, i gjatë;
- ata të formuar me prapashtesat -(ë)m, -shëm, -(ët): i mesëm, i shëndetshëm, i hekurt, i ftohtë etj.;
- mbiemrat e formuar nga pjesorja: i shkruar, i zënë, i lodhur;
- disa mbiemra që dalin me -ër : i vjetër, i varfër, i verbër, i shurdhër,

Mbiemra të panyjshëm janë :

- mbiemrat e formuara nga emrat përgjegjës me konversion: tiranas, shkodran, korçar, vlonjat;
- mbiemrat e formuar me prapashtesat -ar, -tar, -ik, -ist, -iv, -or, -tor: bankar, amtar, heroik, feminist, aktiv, verior, baritor;
- mbiemrat e formuar me prapashtesat -(ë)s, -ues, -yes, nga pjesorja ose e tashmja e foljes: djegës, ngjitës, vlerësues, ushqyes, rrëmbyes;
- të gjithë mbiemrat e përbërë: zemërgjerë, zemërgur, tekniko-shkencor, ekonomiko-shoqëror, largpamës, mirëbërës etj.
 
Numerori

Numërorë quajmë fjalët që tregojnë numër dhe sasi të caktuar qeniesh ose sendesh:
një, dy, tre, : dy fëmijë tri gra, katër burra, 20 metra

Fjalët që tregojnë radhë si: i parë, i dytë, i dhjetë, të cilat kanë kategoritë gramatikore të mbiemrave, nuk do të trajtohen si numërorë po si mbiemra.

Numërorët përdoren për të treguar :
- datën, vitin:
Me sa jemi sot ? - Me 28 Nëntor.
- një periudhë të caktuar kohe:-
Kur ke qënë në Amerikë ? Nga 1990 deri më 1997 .
- përmasa ose përqindje : 0,5 m, 50 përqind etj.
- notat në shkollë :
Cfarë more sot ? - Dhjetë.
-në domino: katër-treshi, pesë-gjashta.

Kur përdoret me nyjen e përparme "të" numërori ka një kuptim përmbledhës:
Erdhën të dhjetat.

Numërori për të mos përsëritur edhe një herë emrin e dhënë në fjali ose për të mos e zënë në gojë fare, përdoret i emërzuar:
C\'të bënin ata tre kundër dhjetëve ?

Numërtori përdoret i emërzuar edhe në veprime atematike:
Pesa te dhjeta hyn dy herë.
Rrënja katrore e nëntës është treshi.

Përdoret në ëmërtimin e viteve:
A anëtar shoqate i nëntëdhjetekatërshit.

Numrat një, dy, tre, emërzohen me anë të prapashtesës -sh : njësh-i, dysh-i, tresh-i.

Numërorët janë :

- fjalë të parme: zero, një, dy, tre, katër etj.;
- fjalë të përngjitura: njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, trembëdhjetë etj.;
- fjalë të përbëra: tridhjetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë;
- lokucione: tridhjetë e një, pesëdhjetë e katër etj.

Numërorët në përgjithësi nuk e kanë kategorinë gramatikore të gjinisë: katër djem, katër vajza.
Bën përjashtim numërori tre i cili e ka kategorinë e gjinisë: tre djem, tri vajza, por edhe njëzet e tre djem dhe njëzet e tri vajza.

Numërori e ka kategorinë e gjinisë edhe kur ka kuptim përmbledhës:
Sa djem erdhën ? Të dy(të tre).
Sa vajza erdhën ? Të dyja(të trija).
Ky dallim ruhet edhe kur numërori tre/tri përdoret pa emrin përkatës:
Sa djem ishin ? Tre.
Po vajza sa ishin ? Tri.

Numërorët kur tregohen si tregues të emrave, marrin kategorinë gramatikore të rasës.
 
Origjina e gjuhës Shqipe.

Problemi i origjinës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njërës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës trake. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe gjuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.

Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.

Teza e origjinës ilire te shqiptarëve është mbështetur nga albanologu i mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij “Albanesische Stidien”, publikuar më 1854.

Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën e origjinës dhe të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga këto argumente themelore, janë:

1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në trojet e sotme.

2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.

3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse.

4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.

Nga të gjithë këto argumente, të paraqitur në mënyrë të përmbledhur, rezulton se teza e origjinës ilire e gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.

Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.

Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ai që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.

Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re çrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijët e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).

“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.

Më pas, një botim filologjik të këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris 1932.

Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi për në “vendet e shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit, duke u ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln, nga E.von Grote.

I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XV është edhe një tekst tjetër i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda një dorëshkrimi grek të shekullit XIV në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos. Teksti përmban pjesë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabet grek. Ky tekst i shqipes i shkruar, njihet në literaturën shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.

Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.

Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla. “Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit. Pra, ai përmban pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën e përditshme të shërbimeve fetare. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime tekstesh fetare.

Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por libri humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909 nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe studiues i teksteve të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra Jystin rrota vajti në Romë, bëri tri fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri. Në vitin 1968 libri u botua i transliteruar dhe i transkriptuar, i pajisur me shënime kritike dhe me një studim të gjerë hyrës nga gjuhëtari i shquar, prof.E.Çabej. Në mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut, e pati transkriptuar edhe studiuesi N.Resuli.

"Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.

Prof. Eqrem Çabej, që ishte marrë gjerësisht me veprën e Gjon Buzukut, ka arritur në përfundimin, se gjuha e saj “nuk është një arë fare e papunuar”. “Duke e shkruar me një vështrim më objektiv këtë tekst – pohon ai – nga gjuha e rrjedhshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta, mjaft konsekuente e shkrimit, arrin të bindet njeriu, se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare me shkrime liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen mbështetje edhe nga gjendja kulturore e Shqipërisë mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut”.

Për një traditë të shkrimit të shqipes para shekullit XV, flasin edhe disa dëshmi të tjera të tërthorta. Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi i Tivarit dhe pati mundësi t’i njihte mirë shqiptarët, në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terrom sanctam”, dërguar mbretit të Francës Filipit VI, Valua, studiuan ndër të tjera: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”. Pra, ky autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve, duke dhënë kështu një dëshmi se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.

Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën e tij “De obsi dione scodrensi” (Mbi rrethimin shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke folur për qytetin e Shkodrës, bën fjalë për fragmente të shkruara in vernacula lingua, d.m.th. në gjuhën e vendit, të cilat flasin për rindërtimin e qytetit të Shkodrës.

Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit, dy njohës të mirë të shqiptarëve dhe të vendit të tyre, janë në pajtim edhe me të dhënat historike për këtë periudhë, të cilat flasin për një nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të viseve shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim të shekullit XV. Në atë periudhë, në veri dhe në jug të Shqipërisë, lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, të cilat u bënë qendra të rëndësishme tregtare, zejtare dhe kulturore.

Këto janë dëshmi që e bëjnë të besueshme ekzistencën e një tradite më të hershme shkrimi të shqipes, megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë nxjerre në dritë ndonjë libër tjetër, “Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë të mbetet libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.

Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Është një libër i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e jugut, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.

Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale,

Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdijshme për të ndërtuar një gjuhë letrare kombëtare, standardizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.

Dialektet e gjuhës shqipe

Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose toskërishten. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior (gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).

Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi njeri me tjetrin. Megjithatë, ekzistojnë disa dallime në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore e në leksik, nga të cilët më kryesorët janë: dialekti i veriut ka zanore ****** dhe hundore, kurse dialekti i i jugut, vetëm zanore ******; togut ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me togun ue (grua - grue); togut nistor va të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me vo (vatër - votër); â-së hundore të theksuar të gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë - nënë).

Dialekti i jugut ka dukurinë e retacizmit (kthimin e n-së ndërzanore në r (ranë - rërë), që në gegërisht mungon; në toskërisht, grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, etj. Ruhen të plota, kurse në gegërisht, janë asimiluar ne m, n, (mbush - mush, vend - ven). Në sistemin morfologjik, dialekti i veriut ka formën e paskajores së tipit me punue, kurse toskërishtja në vend të saj, përdor lidhoren të punoj. Forma e pjesores në toskërisht, del me mbaresë, kurse në gegërisht, pa mbaresë (kapur - kapë), etj. Dialekti i jugut ka format e së ardhmes: do të punoj dhe kam për të punuar , ndërsa dialekti i veriut përveç formave të mësipërme ka formën kam me punue.

Shqipja standarde

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarde), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.

Në vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punën për te krijuar alfabetin shqip dhe ne vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari qe shprehu qëllimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetar”-it të parë dhe shumë shkrimeve të tjera.

Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një vend qendror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.

Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më 1904.

Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u arrit të përvijoheshin dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëherë, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nëntor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në përdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lirë edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja lëshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.

Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.

Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njësimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarde) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi te organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.

Me 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapësirën shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë, përpjekje për njësimin e gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosove.

Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njësimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe.

Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare.

Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshet e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e bërë deri atëherë për njësimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.

Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut.

Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që kodifikojnë normat e gjuhës standarde, siç janë “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997).

Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarde

Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjetër janë zhvillime te mëvonshme.

Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.

Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z), 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).

Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjatë fleksionit. Në shumicën e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit.

Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.

Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasën gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përveç fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash - desh, marr - merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshëm (trim, besnik). Te numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj dhjetëshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave.

Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishëm. Shqipja ka një sistem të pasur formash mënyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë mënyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhshme ndërtohet në mënyrë analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).

Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshëm është rendi subjekt+verb+objekt.

Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa shtresash. Një shtresë të veçantë përbëjnë fjalët me burim vendas, të trashëguar nga një periudhë e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm). Një shtresë tjetër, përbëjnë fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve të popullit shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja. Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë indoevropiane.

Përhapja e gjuhës shqipe

Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamërisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.

Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në botë, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Leningrad, Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie etj.

Studimet për gjuhën shqipe

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, siç ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.

Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga mesi i shekullit XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studiues të tjerë, si G.Meyer, H.Pedersen, N.Jokli, studiuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G.Meyer do të hartonte që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të huaj, si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man, E.Hamp, A.Desnickaja, H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler, O.Bucholtz, M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë dhënë kontribute të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.

Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj, lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin

Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.

Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Në fushën e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr.Aleksandër Xhuvani.

Aleksandër Xhuvani (1880-1961)

Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956.

Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqrem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalëformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.

Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961).

Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.

Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).

Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.

Është bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.

Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysmëshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: "Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh.Demiraj), etj.

Eqrem Çabej (1908-1980)

Studiuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare. Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysmëshekulli, duke lënë një trashëgimi të pasur shkencore.

Eqrem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqrem Çabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.

Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944).

Ai është bashkautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.

Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetëra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.

Veprat e prof. Eqrem Çabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”.

Me veprimtarinë e shumanshme shkencore e me nivel të lartë, Eqrem Çabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.

Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof.Androkli Kostallari. Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.

Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studiuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.

Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsiderueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë. Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhënë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”.

Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, etj.
 
Dokumentet e para të shqipes së shkruar.


View attachment 15654


1. Formula e Pagëzimit (1462)
2. Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497) dhe
3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës ( fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI)

Nën pluhurin e arkivave të Evropës dhe sidomos të atyre të Vatikanit mund të gjenden edhe shumë dokumente të tjera, ndoshta më të plotë e më domethënës.

1. Formula e Pagëzimit (1462)

Më i vjetri ndër këto tri dokumente është "Formula e pagëzimit" Ajo i përket vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në mes të një shkrimi latinisht.
Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtor i Skënderbeut (1417-1469), gjatë një vizite në dioqezën e tij gjeti shumë të meta e mangësi në punët e ushtrimit të fesë. Për t`i shmangur ato ai lëshoi një qarkore në gjuhen latine. Kjo qarkore është lëshuar nga një kishë në Mat dhe mban datën 8 nëntor 1462. Me anë të saj, ndërmjet të tjerash, ai jepte leje që, në ato kohë luftërash kur prindërit nuk kishin mundësi t`i dërgonin fëmijët në kishë t`i pagëzonin vetë në shtëpi, duke thënë shqip në ketë ceremoni
" Formulën e pagëzimit" që është: "Un të pagëzonj pr`emen`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt".
Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine.
Gjuha e tekstit dhe vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave latine kanë një afri shumë të madhe me veprën e Buzukut, çka të bën të mendosh se shkrimi i shqipës duhet të ketë pasur një traditë me të vjetër, ku janë mbështetur te dy; edhe shkruesi i kësaj formule, edhe Buzuku. Dokumenti u zbuluar me 1915 nga historiani rumun Nikola Jorga në një nga bibliotekat e Milanos, Itali.

2. Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497)

Me të njëjtin alfabet latin është shkruar në shekullin e XV edhe dokumenti i dytë i gjuhës shqipe: Fjalorthi i Arnold fon Harfit, i vitit 1497
Udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) ne vitin 1496, u nis nga Kelni, për të bërë një vizitë në tokat e shenjta, në Palestinë, udhëtim që e kreu për tre vjet. Në vitin 1497 ai kaloi në bregdetin e Shqipërisë dhe konkretisht në Ulqin, Durrës e Sazan. Gjatë këtij udhëtimi për të komunikuar sadopak me njerëzit, ai shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje e numrat 1 deri 10 dhe 100 e 1000 të shoqëruar me përkthim në gjermanisht. Janë fjalë të zakonshme si: ujë, verë, bukë, mish etj., që iu deshën udhëtarit në jetën e tij të përditshme sa qëndroi ne Shqipëri.
Me përshtypjet e udhëtimit Harfi la në gjermanisht një dorëshkrim, i cili u botua më 1860, pas tre shekujsh e gjysmë. Këtu gjendet edhe ky Fjalorth i vogël i gjuhës shqipe, i cili përbën dokumentin e dytë të shqipes së shkruar.
Udhëtari, përveç listës së fjalëve, shprehjeve e numëroreve, ka lënë edhe disa shënime në ato vende të bregdetit shqiptar ku kaloi. Ndër të tjera ai shkruan se "Ulqini është një qytet shqiptar i bukur e i vogël". Për Shkodrën megjithëse kaloi nëpër të, ngaqë udhëtimi Ulqin-Durrës, e bëri me det, thotë "se është një qytet i madh i sapo pushtuar nga osmanët". Ishullin e Sazanit e përshkruan "si një liman të mirë deti, ku ka shume anije, në krahun e majtë të të cilit ndodhet një fshat i madh me 2000 vatra, i quajtur Vlorë" etj.

3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës ( fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI)

Perikopeja e Ungjillit të Pashkës ( fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI) është dokumenti i tretë i shqipes së shkruar
Ai i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përbëhet nga 2 pjesë të vogla bible në gjuhën shqipe që u gjetën në një dorëshkrim greqisht të shekullit të XIV, me të cilin ato nuk kanë asnjë lidhje. Ato janë në dialektin e Jugut, të shkruara me alfabetin grek. Këto fakte tregojnë se gjuha shqipe në atë kohë duhet të ketë qenë shkruar jo vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në Shqipërinë e Jugut.
Po para këtyre tri dokumenteve a ka qenë e shkruar gjuha shqipe?
Kjo është një pyetje që deri më sot nuk ka gjetur përgjigje të plotë. Shumë të dhëna na bëjnë të mendojmë se shqipja duhet të ketë qenë shkruar edhe me parë. Ndër të tjera arqipeshkvi francez i Tivarit, i njohur me emrin Brokard, që ka shëtitur shumë vende të Evropës dhe të Azisë, në një relacion latinisht të vitit 1332 shkruante:"Sado që shqiptarët kanë një gjuhe fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën latine". Ky fakt të bën të mendosh se shqipja duhet të ketë qenë shkruar të paktën që në shekullin XIV. Por kjo deri me sot nuk është e dokumentuar.
 

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.