Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Heroi Llazar Cauli pat mbetur mbi supet e kohës

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,951
Nga Dhimitër Shtëmbari

Teksa para nja tre muajësh bisedonim me ish ministren e Bujqësisë, Themije Thomaj, vajzë nga Goriçaj – fshat në përbërje të ish kooperativës bujqësore Këmishtaj të rrethit të Lushnjes, dëgjoj të na thotë, ndër të tjera, se Llazar Cauli nga Këmishtaj ka qënë njëri i jashtëzakonshëm. Te ky Hero i Punës, na qe shprehur ajo, ishin mbledhur e bërë njësh cilësitë më të mira të njeriut.

I nxitur edhe nga ky vlerësim i lartë i ish ministres së shquar të Bujqësisë, shkëputem prej Tiranës dhe, ditët e fundit, shkoj në Këmishtaj, pikërisht atje ku banon Thomaj, djali i të ndjerit Llazar Cauli – Hero i Punës Socialiste.

Është lehtë të thurësh një kurorë me lule, por është tepër vështirë të gjesh një kokë që e meriton atë

Ishte shtatori i vitit 1969. Në të mbaruar të fjalës së tij para punonjësve të aparatit të Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjes, Rrapi Gjermëni – Sekretar i Parë i këtij Komiteti, u qe drejtuar të pranishmëve:
– A ju kanë ardhur emrat e më të dalluarëve të kooperativave bujqësore?
Pat qendruar një çast dhe pat vazhduar:
– Javës tjetër këto emra i duhen dërguar sektorit të dekorimeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor…
Qe ngritur Vasil Kaçi dhe pat treguar, se vetëm nga tri – katër ekonomi bujqësore nuk kishin ardhur emrat e më të dalluarëve që kërkoheshin.
Në çast ishte çuar në këmbë korrespondenti lokal i gazetës “Bashkimi”. Petrit Kraja, dhe pat treguar:
– Para pak javësh kam botuar në gazetën “Bashkimi” për Llazar Caulin nga Këmishtaj, i cili çdo vit bën nga mbi 600 ditë – norma, që, mesatarisht, i bie të ketë realizuar mbi 2 ditë – norma në çdo ditë kalendarike…
Të gjithë kishin hapur sytë.
– Me këta tregues kaq të lartë, – kishte folur Niko Bano, punonjës i aparatit të Komitetit të Partisë të rrethit, – nuk kemi asnjë tjetër në shkallë rrethi…
Të gjithë kishin heshtur. Qe krijuar përshtypja, se ajo që kërkohej ishte gjetur. Ndërkohë, Sekretari i Parë pat ndërhyrë sërish:
– Atëhere ju, shoku Vasil (Kaçi), shkoni në Këmishtaj dhe mësoni se ku janë realizuar këto ditë – norma. I ka marrë drejtëpëdrejt në punë fizike, apo…
Të nesërmen Vasili pat shkuar në Këmishtaj, qe ndalur pikërisht në brigadën ku punonte Llazar Cauli dhe kishte mësuar diçka jo të zakonshme: I dalluari vërtet realizonte çdo ditë të javës nga mbi dy ditë – norma. Dhe ku? Në hapje apo pastrim kanalesh, në qilizmë, në prashitje misri a pambuku, në …
– Paska pasur të drejtë gazetari Petrit Kraja që e paska quajtur “ekskavatori” i Myzeqesë Llazar Caulin, – i qe drejtuar Vasili Sekretarit të Parë.
Në nëntor të vitit 1969 Llazarit i qe akorduar titulli Hero i Punës Socialiste.

“Ekskavatori” i Myzeqesë

Tregimin e mëposhtëm na e shtjellon Mihal Gjini, një nga intelektualët më të shquar të Këmishtajt, për mjaft vite drejtor i shkollës së mesme të fshatit:
… Thuajse tërë asaj dite shiu vazhdoi të binte në mënyrë të pandërprerë. Aty para se të ngrysej, Llazari vesh një mushama të gjatë, vesh çizmet dhe mer lopatën me vete dhe nxiton për te arat e Zaimajt. Ngastrat sapo ishin mbjellë me grurë. Shkon atje dhe ia nis punës për të hapur vija deri në kanalet kulluese për largimin e ujrave, mbledhur në pellgje të mëdha. Punoi deri në t’u errur.
– Po mirë, more burrë, – i qe drejtuar e shoqja, Kristina, në mbrëmje, – vetëm ti u dashka të mendosh për kooperativën?!
Si zakonisht, ashtu me zë të ulët, Llazari i qe kthyer:
– Te ai grurë e kemi kismetin të gjithë. Unë bëra timen…
Të nesërmen brigadieri u pat thënë burrave e djemve të brigadës që të shkonin në ngastrat e mbjella me grurë që të hapnin vija kulluese.
– Në Zaimaj nuk ka nevojë të shkojë njëri, – i ishte drejtuar Llazari brigadierit. – I kam hapur unë dje pasdite, deri vonë…
– I keni hapur ju?!… Po si të shënoj për ju në fletoren time të brigadierit! Sepse ditën e djeshme të gjithëve do t’jua paguaj si “ditë shiu”.
Llazari e pat shikuar në sy dhe i qe drejtuar:
– Ama për këtë shqetësoheni ju?! As mos shëno gjë fare. Unë dola vullnetarisht për të punuar; nuk më dërguat ju në punë.
Brigadieri, një zotni burrë, nuk pat folur. Pak më pas, i pat bërë zë shokut pranë: Ka pasur të drejtë ai korrespondenti i gazetës “Bashkimi” që e pat quajtur këtë njëri “Ekskavatori i Myzeqesë”.

Shpesh ka më shumë gjëra të mbytura në fund të një shpirti, se sa në fund të një deti

Ishte koha kur punohej për mobilimin tërësor të tokës. Koha kur hapeshin në masë kanale kullues dhe kur përgatiteshin kanale të shumtë ujitës. Ishte koha, kur sistemoheshin të gjitha ngastrat e tokave, për t’u shfrytëzuar sipas llojeve të kulturave bujqësore.
I orientuar edhe nga një urdhër i brendshëm, nga ndërgjegja, Llazari i adaptohej kushteve të punës. Nuk kishte nevojë që ta mësonin apo ta instruktonin. Teksa punonte, mendonte. Ndërsa mendonte, krijonte. E teksa krijonte, i bëhej zot punës. Çdo lloj pune.
Një të dielë Llazari kishte marrë me vete belin e lopatën me të cilat punonte dhe qe nisur për në Lushnje për t’u paraqitur te një kovaç i njohur i qytetit.
– Këtë belin dhe këtë lopatën do t’m’i zgjatosh e do t’m’i zgjerosh ca, se kështu më duhen, – i qe drejtuar kovaçit.
Dhe i qe afruar fare pranë për t’i treguar përmasat.
– T’i zmadhoj?! – qe habitur kovaçi
– Po, po, t’i zmadhosh…
– Po t’i zmadhoj, do të hollohen, kështu që do të prishen shumë shpejt… Më mirë t’i bëj të reja…
– Dakort, të reja t’i bësh, – i qe drejtuar Llazari.
Të dielën tjetër Llazari pat shkuar sërish në Lushnje, pat paguar kovaçin dhe pat marrë veglat e punës.
Gjatë një pushimi mbas thellimit të një kanali, një prej shokëve të vet, teksa i kishte parë veglën e punës, i qe drejtuar Llazarit:
– Po ky bel kaq i madh?!
– E bëra në Lushnje.
– Po përse?!
– Sepse punën e bën edhe vegla, o vëlla. Atë masë dheu qe ti e hedh jashtë kanalit me tri lopata, unë e hedh me dy lopata!
– E po, ti qofsh, o Llazar! Nuk hahemi dot me ty…
Çka shihnin te Heroi, të gjitha buronin nga bota e tij e brendshme. S’ thonë kot: shpesh ka më shumë gjëra të mbytura në fund të një shpirti, se sa në fund të një deti.

I rrinte përherë zgjuar dashuria për punën

Qe bërë problem shqetësues çështja e cilësisë së kanaleve ujitës. Gjithandej kishte çarje kanalesh ujitës, që bënin të shkonte dëm një sasi e madhe ujë nga ai i Rezervuarit të Thanës.
– Teknikët e kanaleve ujitës të marrin në dorëzim, me firmë, të gjitha kanalet ujitës, – ishte dhënë urdhëri në Drejtorinë e Ujërave të Lushnjes.
Së bashku me një brigadier dhe me një kooperativist, Tekniku i kanaleve ujitës, Rexhep Pirra vazhdonin mezhdës së një kanali ujitës te “Kolektivat” e kooperativës bujqësore të Këmishtajt.
– A, kjo po! Ky paska punuar për marak! – qe shprehur Rexhepi.
Pat qendruar dhe, duke u futur brenda në kanal, u qe drejtuar dy shokëve që e shoqëronin:
– Urdhëroni sa thellë e paska bërë kanalin!
Pat vënë metrin dhe pat folur sërish:
– Ka respektuar parametrat teknikë, jo si disa që kanë punuar cektë!
Rexhepi qe ngjitur mbi kanal dhe u qe drejtuar sërish shokëve të vet:
– Pa shikoni sa ëmbël i ka sjellë skarpatat!
Brigadieri dhe kooperativisti që e shoqëronin nuk patën folur. Mbase ndjenin një lloj përgjegjësie për atë që s’qe bërë mirë.
– Pa shikoni mezhdën? Sa fort e ka rrahur me takmak! E po kjo mezhdë nuk mund të çahet kurrë! Sepse duket sikur është bërë prej çimentoje… Brigadierit nuk i qe duruar gjatë.
– E po, jo të gjithë i kemi si Llazar Cauli!
Sapo dëgjoi emrin e Llazar Caulit, tekniku i kanaleve ua pat kthyer:
– Flisni, more burra! Qënka punë e Llazarit kjo, prandaj është sa cilësore, aq edhe e bukur!

“Falsifikimi” i ndershëm i Heroit

Ishte rregull në kooperativë që në fund të çdo viti një komision çmimtarësh shkonte pranë çdo shtëpie dhe vlerësonte dëmin që mund t’i ishte bërë ekonomisë bujqësore nga kafshët a shpendët shtëpiake të kooperativistëve.
Në këtë Komision nuk kishte se si të mungonte edhe Llazar Cauli, njëriut që i fliste vetëm ndërgjegja në çdo hap të jetës.
Në fletët e zverdhura të bllokut tim prej gazetari të hershëm gjej të shënuar një fragment interesant të punës së këtij Heroi nga Këmishtaj;
… Komisioni i Çmimtarëve shkonte pranë çdo shtëpie dhe çmonte dëmin që i ishte bërë bimëve të arave prej familjarëve. Shkoi ky Komision edhe pranë shtëpisë së Llazarit. Kuptohet, një lloj dëmi, sidoqë fare i vogël, ishte shkaktuar edhe nga njerëzit e familjes së tij. Çmohet dëmi dhe shënohet në fletën ku mbaheshin përllogaritjet e gjobave.
Në mbrëmje Llazari e dorëzon fletoren në zyrën e këshillit popullor të fshatit.
– Ja ku e keni fletoren me shënimet tona si Komision i Çmimtarëve, – i qe drejtuar Llazari kryetarit të Këshillit.
– Shumë mirë! Firmose vet, thuaju edhe dy shokëve të tu që ta firmosin.
Dy anëtarët e tjerë të Komisionit kishin shkuar te zyra e këshillit popullor, por nuk kishin vënë firmë. “Nuk e firmosim!” ishin shprehur. “Ku ishte ky “dëm” që na paska shënuar Llazari për familjen e vet!”.
Të nesërmen dy anëtarët e Komisionit kishin takuar Llazarin dhe e kishin akuzuar për “falsifikim”’.
– Keni bërë gabim që kishit ndryshuar atë çka patëm shënuar ne si dëm, – i ishin drejtuar tërë zemëratë. – S’keni arsye pse ta dënoni familjen tuaj, kur nuk keni bërë thuajse asnjë dëm.
Llazari pat qeshur dhe u qe drejtuar fare qetë:
– Për familjet tona mbase do të qe mirë që të krijohej një tjetër Komision çmimtarësh.

Ishte i dobishëm, por asnjëherë i përdorur

Llazar Cauli ka qënë i shpejtë në punë, por i ngadalshëm në bisedë. I papërmbajtur në prodhim, por i qetë në gjykim.
– Sot kemi diskutim të planit të prodhimit në një brigadë arash, – i qe drejtuar sekretari i byrosë së Partisë të kooperativës. – Do ta organizojmë në arë, në Shënmitër. Do të ishte mirë të ishit edhe ju atje. Si Hero që jeni, fjala juaj na ndihmon shumë…
– Do të vij patjetër, – i qe kthyer Llazari.
Dhe patën shkuar. Që në fillim të atij diskutimi brigadieri pat shpalosur arritjet, pat vënë në dukje disa nga rezervat që nuk ishin shfrytëzuar dhe, më pas, ia kishte lënë fjalën anëtarëve të brigadës, duke shpresuar e besuar se treguesit e vitit të ardhshëm do të mund të qenë shumë më të larta.
Kishin folur disa anëtarë të brigadës. Dhe premtimet i kishin bërë me kusht: në qoftë se do të na sjellin kaq e aq pleh, do të marrim kaq kuintal prodhim. Po qe se do të na garantohet ujitja e pandërprerë, atëhere do të…
Sekretari i byrosë së Partisë të kooperativës në një çast i kishte hedhur sytë nga Heroi, duke i dhënë të kuptonte se duhej të ndërhynte me fjalën e tij. Dhe Heroi nuk kishte nguruar; e kishte marrë fjalën, por nuk kishte bërë sugjerime konkrete, si për të nxitur të tjerët që të flisnin në frymën e tij. Gjithësesi, diskutimi kishte shkuar mbarë deri në fund, sidoqë jo plotësisht siç kishte shpresuar e besuar sekretari i byrosë së Partisë.
Në të kthyer, sekretari i Byrosë gjeti rast t’i thoshte:
– Kisha pritur më shumë prej jush si Hero që jeni, megjithatë…
Mbase paksa i prekur nga ç’dëgjoi, bashkëbiseduesi ia ktheu:
– Shifrat e planit duhen mbështetur me masa, shoku sekretar. – Në qoftë se nuk garanton plehun apo ujin, atëhere për ç’plan duhet punuar?!…
Ndërsa shprehej kështu, linte të kuptohej se si Hero që ishte, ai duhej dëgjuar e respektuar, por ama kurrësesi nuk duhej përdorur.

Heshtjen ta dëgjon vetëm ai që të respekton

Ulërimën tënde e dëgjojnë të gjithë. Pëshpërimën tënde e dëgjon kush të ka afër. Heshtjen tënde e dëgjon vetëm ai që të respekton.
Kështu ka thënë një i mënçur. Heshtjen e Llazar Caulit e dëgjonin të gjithë. Që nga familja e deri lart, në parti e në pushtet.
Organizohej në Pallatin e Kulturës të qytetit të Lushnjës një takim i zgjeruar me punonjësit më të dalluar të bujqësisë të rrethit. Pritej që në këtë takim të merte pjesë edhe anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH dhe kryetar i Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani.
– Do të jeni në presidiumin e takimit, shoku Llazar, – i qe drejtuar një nga instruktorët e Komitetit të Partisë. – Atje… me kujdes, sepse do të marin edhe televizori. Ja ku e ke diskutimin që do të mbash po t’u dha fjala…
– T’i lidhim një kollare të bukur, – shtoi një tjetër. – Ja, t’i vendosim këtë kollaren time, sepse i shkon bukur, – do të shtonte një tjetër.
– Nuk kam nevojë për kollare. Jam shumë mirë edhe kështu, – pat folur vet Heroi.
Adil Çarçani e pat ulur fill mbas vetes Heroin. Kur i erdhi rasti të diskutonte, i deleguari nga lart i sugjeroi që të fliste pa letër.
– Na thuaj, shoku Llazar, se si duhet të punojmë ne, të gjithë, që të jemi si ju, Hero.
Heroit kjo kërkesë iu duk disi e çuditshme.
– Shoku Adil, do të flas se si punoj unë si person atje në kooperativë…
– Se si punoni ju, e dijnë shumë mirë atje në Këmishtaj, sigurisht që e marrim me mend edhe ne këtu, por juve na thoni se si duhet të punojmë ne që të bëhemi të dalluar si ju.
Heroi nuk vazhdoi më tej. Heshti. Heshti pak gjatë. Si duket, nuk po arrinte të kuptonte se ç’dëshironte konkretisht të dëgjonte i deleguari.
Në çast e mori fjalën sërish Kryeministri:
– E shikoni Llazarin? Këtë e kanë bërë Hero jo shpatullat. E ka bërë Hero ndërgjegja. Në heshtjen e tij ne duhet të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes së tij.

* * *

Ndërsa dëgjojmë të na flasë Alma, bashkëshortja e nderuar e Thomait – djalit të Heroit, na bëhet sikur nga çasti në çast do të na vijë pranë vet Heroi.
– Sa i thjeshtë ishte babaj! ((kështu fliste Alma për të vjehrrin). Edhe në bisedat e bëra para se të ndahej nga jeta, ai fliste e fliste vetëm për punën e ndershme. Me mendjen dhe me duart e veta, na thoshte ai, njëriu bën edhe hatanë, edhe kalanë. Neve na duhet të bëjmë kalanë…
– Mundohemi të veprojmë siç na porosiste babaj, – përfundon Alma.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.