Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Historia tragjike e ish-shokut të klasës të Enver Hoxhës, që u ekzekutua me urdhër të tij: Partizanët shkuan për ta arrestuar te shtëpia e tij…

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731

Historia tragjike e ish-shokut të klasës të Enver Hoxhës, që u ekzekutua me urdhër të tij: Partizanët shkuan për ta arrestuar te shtëpia e tij…



lg.php
akil-sakiqin.jpeg
lg.php


lg.php

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur të Akil Sakiqit me origjinë nga Dibra e Madhe, pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe të pasura të asaj krahine, (babai i tij, Rakipi merrej me tregti dhe zotëronte rreth 1500 ha. tokë e pasuri të tjera në Janica afër Selanikut), i cili falë gjendjes së mirë ekonomike familjare, pasi u shkollua në Stamboll dhe në Janinë, në vitin 1923 u kthye në atdhe dhe ndoqi studimet në Liceun francez të Korçës, ku si shok klase e dhome konvikti, kishte dhe Enver Hoxhën.

Karriera ushtarake e Sakiqit gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pasi ai kishte fituar një të drejtë studimi nga qeveria e asaj kohe dhe ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Romës në degën e “Rojes së Financës”, ku morri dhe gradën e togerit, duke shërbyer si oficer i ‘Rojes së Kufirit’ në qarkun e Shkodrës, deri në vitin 1938, kur me dekret mbretëror ai u transferua në rrethin e Durrësit, me detyrën e zv/komandantit të batalionit, ku e gjeti dhe 7 prilli i ’39-ës, kur Italia fashiste e Benito Musolinit, kreu agresion ushtarak duke pushtuar fqinjën e saj përtej Adriatiku, Shqipërinë e Mbretit Zog.

Karriera ushtarake e Sakiqit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, ku pas amnistisë së dhënë nga autoritet italiane në prillin e ’39-ës, (për të gjitha ata ushtarakë shqiptarë që e kishin pritur me pushkë pushtimin), duke shërbyer si oficer i “Rojes së Kufirit” në rrethin e Shkodrës, ku ai qëndroi deri në vitin 1943 që u emërua në Tetovë dhe pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtatorin e atij viti, ai u kthye në Tiranë, ku jetoi me familjen e tij në një banesë me qere në Rrugën e “Pishës”, deri në 28 tetorin ‘44-ës, kur një njësit partizan e morri nga shtëpia dhe e ekzekutoi diku në ‘Bregun e Lumit’, së bashku me dy shokët e tij, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla, eshtrat e të cilëve ende dhe sot nuk janë gjetur…?!

Më 7 prill të vitit 1939, plot 82 vite më parë kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak duke pushtuar fqinjën e saj përtej Adriatikut, Shqipërinë, një pjesë e madhe e ushtarakëve shqiptarë të Monarkisë së Zogut, si: kolonel Sami Koka, major Abaz Kupi, kapiten Kadri Rustem Bardulla, kapiten Nuredin Pustina, kapiten Nikoll Mëlyshi, toger Myftar Jegeni etj., i pritën me armë forcat pushtuese italiane, si në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë, etj., duke bërë një rezistencë simbolike, aq sa ç’mund të bënte një ushtri e vogël në numër dhe paisje luftarake, (siç ishte ajo e Monarkisë së Zogut) ndaj një prej fuqive ushtarake më të mëdha të kohës, siç ishte Italia e Benito Musolinit dhe Mbretit Viktor Emanueli i Tretë. Por ajo rezistencë e atyre pak ushtarakëve shqiptarë të Monarkisë, jo vetëm që nuk u përmend kurrë nga historiografia zyrtare dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për afro 45 vjte me rradhë, por përkundrazi, ata u etiketuan si “armiq e tradhëtarë” dhe pjesa më e madhe e tyre përfunduan burgjeve e kampeve të internimeve, si të dënuar politik.

Ndërsa i vetmi ushtarak i Monarkisë që regjimi komunist do ta shpallte “Dëshmor të atdheut”, dhe do të krenohej me të, duke e konsideruar si “simbol të rezistencës së armatosur të 7 prillit ’39”, ishte Mujo Ulqinaku, një kapterr i Rojes së Financës, që humbi jetën gjatë zbarkimit të trupave fashiste italiane në portin e Durrësit, duke luftuar kundra tyre. Një prej atyre ushtarakëve të karrierës së Monarkisë së Zogut që luftuan në 7 prillin e ’39-ës në Durrës, ishte dhe kapiten Akil Sakiqi, i cili u ekzekutua nga njësitë partizane në nëntorin e vitit 1944, ende pa mbaruar lufta, duke qenë një ndër viktimat e para të terrorit komunist në qytetin e Tiranës, së bashku me shumë intelektualë të tjerë, që u morrën nga shtëpitë e tyre dhe u ekzekutuan pa gjyq, siç ndodhi dhe me ngjarjen që pas viteve ’90-të njihet si “Masakra në Hotel “Bristol”, ku komunistët ekzekutuan 33 intelektualë të pafajshëm. Për më shumë rreth Akil Sakiqit dhe gjithë historisë së tij, do njihemi në këtë shkrim që e kemi përgatitur me dëshmi të personave që kanë pasur dijeni rreth saj, si kujtimet ish-ushtarakëve të Monarkisë, kolegë të Akil Sakiqit, si kapiten Nuredin Pustina, kujtimet e Enver Hoxhës, (shok klase dhe dhome i Sakiqit në Liceun e Korçës) nga dëshmitë e familjarëve të tij, studjuesve dhe historianëve të ndryshëm, si dhe nga mjaft dokumente arkivore, që Memorie.al i bën publike për herë të parë në këtë shkrim.


“Tirana e përgjakur” – Masakra komuniste, vjeshtë 1944
Tre liceistë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla

Për krimet monstruoze që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu menjëherë pas ardhjes së tij në pushtet në nëntorin e vitit 1944, me vrasje dhe ekzekutime pa gjyq të dhjetra e qindrave të pa fajshëmve, është shkruar gjatë pas viteve ’90-të dhe janë botuar edhe mjaft dokumente arkivore që hedhin dritë mbi ato ngjarje. Një nga ata studiues dhe gazetarë që është marrë me ato ngjarje dhe krime që u kryen nga komunistët që në nëntorin e ’44-ës, ende pa mbaruar mirë Lufta, është dhe Bedri Alimehmeti, i cili në librin e tij me titull “Tirana e përgjakur” – Masakra komuniste, vjeshtë 1944’, ka trajtuar edhe një histori të shkurtër të jetës, karrierës dhe ekzekutimit të ushtarakut të Monarkisë së Zogut, Akil Sakiqi. Kështu, në kapitullin me titull Tre liceistë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla”, ai ka shkruar:
“Tefta Tashko Koço” quhet në Tiranë rruga, që del nga sheshi “Avni Rustemi” dhe vijon përgjatë deri tutje në afërsi të godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vite me parë, më saktë ndoshta do të ishte të thoshim në atë kohë kur qyteti zuri të rritej nga pikëpamja urbane, kjo rrugë quhej “Pisha”, emërtim ky që rëndom vijojmë ta dëgjojmë edhe sot. E pikërisht mbi gurët e kalldrëmit të kësaj rruge, në terrin e natës së largët të 28 tetorit 1944, hapat e rëndë të një patrulle partizane, prishën qetësinë e asaj mbrëmjeje tiranse, që dalëngadalë po i ndihte krahët ngrohtësisht mbi qytet.
Banorët e rrugës të terrorizuar mbajtën frymën nën ankthin e pritjes, se ku do të ndaleshin! Me afrimin e forcave partizane në rrethinat e kryeqytetit, lajmet që qarkullonin brenda tij ishin nga më tronditëset. Gjithsesi atë natë, rrapëllima e hapave të rëndë mbi kalldrëm u sos përpara portës së shtëpisë së Ymer Dërhemit, ku banonte me qera Akil Sakiqi, oficer i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, që gjatë gjithë kohës kishte shërbyer në kufi dhe në sektorin e prapavijës. Akil Sakiqi kishte vite që ishte vendosur me banim në Tiranë, ndërkohë ishte lindur në vitin 1907 në Dibër të Madhe.
Familja e tij, për t’i shpëtuar dhunës dhe reprezaljeve të shovinistëve serbë, fillimisht u vendos me banim në Turqi. Por nga dashuria e madhe për dheun e të parëve, prindët e tij vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Duke u stabilizuar përfundimisht në Tiranë. Akili, djalë i zgjuar i etur për t’i pasuruar e përsosur sa më shumë dijet, pasi përfundoi shkëlqyeshëm Liceun e Korçës, kreu me rezultate të shumë të larta edhe Akademinë Ushtarake në Romë të Italisë, në degën e ‘Rojës së Financës’. Pas kësaj kthehet në atdhe dhe punon me përkushtim e devotshmëri së pari në Durrës, më pas në Shkodër etj. Pushtimin fashist të Italisë së Duçes më 7 prill të viti 1939, e priti me indinjatë të thellë e urrejtje të madhe.
Madje, bashkë me mikun e tij Myftar Jegenin dhe oficerë të tjerë atdhetarë, luftuan kundër agresorëve fashistë. Dëshpëruar keqas, ngaqë nuk arritën ta zmbrapsnin pushtuesin, u veçua nga gjithçka, duke mos u përzier fare me asnjë parti politike dhe përfundimisht u mbyll në jetën e tij civile. Natën e 28 tetorit të vitit 1944, kur partizanët e armatosur deri në dhëmbë trokitën në shtëpinë e tiransit zemërbardhë Ymer Dërhemi, nuk kishin punë fare me të zotin e shtëpisë.
Destinacioni i demonëve të kuq kishte qenë Akil Sakiqi, që në ato çaste po darkonte me miqtë e tij, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën, që të tre oficerë të karrierës, bashkënxënës që në Liceun e Korçës. Me që ishin duke ngrënë, Akili që i donte dhe i respektonte shumë zakonet e mrekullueshme shqiptare, i fton mysafirët e paftuar të asaj nate të uleshin e të hanin bashkërisht në tryezën e shtruar. Tek demonët e kuq, babëzia e mbushjes së barkut, ishte e njëjtë me atë të etjes për të shuar jetë njerëzish. Ndaj pa ngurrimin më të vogël, zunë vend në tryezën bujare të familjes Sakiqi dhe hëngrën sa u zhdëpën. E zonja e shtëpisë kishte gatuar mrekullisht. Vallë kush e di se sa herë e ka mallkuar atë çast më vonë ajo zonjë e fisme, tek është kujtuar, që u ka shtruar për të ngrënë vrasësve të të shoqit, atyre që do ta vishnin përjetësisht me të zeza dhe do ta rropatnin ndër vite për të rritur jetimët. ‘Haram iu qoftë buka që u dhe ti moj nënë e dhembshur. Farmak iu bëftë dhe i helmoftë e i zezoftë të gjithë brez pas brezi, këta gjakpirës bukëshkalë’.
Pas largimit të terroristëve, në dhomën ku po rrinte Akil Sakiqi bashkë me dy miqtë e tij, Nazmi Uruçin e Fahri Dabullën, hyri edhe i zoti i shtëpisë Ymer Dërhemi. Me mprehtësinë që e karakterizonte ai kishte arritur të nuhaste diçka jo të mirë, madje, ishte i bindur plotësisht, që gjakpirësit do të ktheheshin sërish, ndaj me qetësi i këshilloi të largoheshin përkohësisht nga aty. Por, Akili dhe shokët nuk e ndjenin veten aspak fajtorë, ngaqë nuk kishin bërë asnjë të keqe, faj, apo krim qoftë, vendosën të qëndrojnë. Aq më tepër iu duk i drejtë ky vendim, kur jo vetëm nuk kishin bërë ndonjë padrejtësi, por përkundrazi e kishin ndihmuar luftën aktivisht.
Por pas kësaj, kur akrepat e orës po i afroheshin dymbëdhjetës, në portën e shtëpisë u dëgjuan trokitje. Hienat ishin kthyer sërish për të rrëmbyer gjahun. Nuhatja e plakut të mirë Ymer Dërhemi kishte qenë e saktë. Pas kësaj patrulla partizane i mori të tre me vete, teksa vetëm njëri prej tyre kishte pëshpëritur nëpër dhëmbët e krimbur sloganin vdekjeprurës: “Ju kërkojnë në komandë për një sqarim”. Dhe ishin po ato njerëz, që vetëm pak orë më parë ishin ngritur bark nginjur nga tryeza e asaj shtëpie shtruar bujarisht e zemër plot.
Pas kortinkave të dritares e trishtuar në kulm, me shpresën se do të kthehej shpejt, zonja e shtëpisë e ndoqi të shoqin me sy plot ankth, bashkë me dy shokët e tij, deri sa i përpiu terri i natës, tutje poshtë rrugës që varej bregut të Lanës, tek mulliri, pa e ditur dhe pa i shkuar aspak nëpër mend, se ishte kjo hera e fundit që e shihte. Aty, duke pritur me ballin mbështetur mbi xhamin e ftohtë, e gjetën rrezet e para të diellit, që feksën si të trembura përmbi Dajt. Dhe Akil Sakiqi me të dy shokët e tij liceistë, Nazmi Uruçi e Fahri Dabulla, nuk u kthyen kurrë më. I pushkatuan po atë natë më 28 nëntor të vitit 1944. Ashtu si Akil Sakiqi edhe Nazmi Uruçi, ishte nga Dibra e Madhe. Bashkë kishin studiuar në Liceun e Korçës. Edhe Fahri Dabulla po ashtu kishte qenë liceist i Korçës. Që të tre Enver Hoxha i kishte njohur si nxënës të shkëlqyer në mësime, si atdhetarë të flaktë dhe si njerëz të respektuar, të ndershëm e korrektë. E pikërisht për këto veti, të cilat ai i urrente në mënyrë patologjike, i futi në ‘listat e zeza’ të vdekjes.

Dokumentet arkivore dëshmojnë se ekzekutimi i ushtarakëve dhe Akil Sakiqit u bë me urdhër të Enver Hoxhës
Lidhur me ngjarjet e nëntorit të vitit 1944, kur ende pa mbaruar mirë Lufta në Tiranë, u ekzekutuan pa gjyq shumë intelektualë të pafajshëm, duke u marrë me forcë nga shtëpitë e tyre, (kryesisht ish-ushtarakë të Monarkisë së Zogut dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare që kishin shërbyer në detyra të ndryshme gjatë periudhës së pushtimit, 1939-1944), siç ishte dhe ngjarja e Hotel “Bristol” në qendër të kryeqytetit, ku u pushkatuan 33 intelektualë të pafajshëm, është folur dhe shkruar shumë pas viteve ’90-të, ku sutdiues dhe historian të ndryshëm, kanë publikuar dokumente arkivore në të cilat hidhet dritë dhe del qartë roli i Enver Hoxhës si urdhërues i atyre vrasjeve që u bënë në Tiranë asokohe. Kështu në një botim të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar, me titull “Plenumi i Dytë i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare”, publikohet edhe një dokument, ku ndodhen bisedat e Gogo Nushit (asokohe, sekretar Politik i Qarkorit Komunist të Tiranës) me Kristo Themelkon (një nga krerët kryesorë të PKSH-së që në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1944), të bëra gjatë një mbledhje, ku Gogo Nushi ka shprehur shqetësimin e tij te Themelko, duke i thënë:
“Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë njerëz rreth 60 veta. Unë i njoh shumicën prej tyre dhe ansjë nuk e meritonte që të pushkatohej”. Kurse Themelko I është përgjigjur: “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka urdhëruar që kur të hyni në Tiranë, të bëni spastrimet e elementëve të rrezikshëm”. Lidhur sa më sipër ka shkruar gjatë në librat e tij me studime, edhe politikani e historian I njohur, Uran Butka, duke hedhur dritë me dokumente arkivore mbi rolin e Enver Hoxhës si urdhërues i terrorit komunist në Tiranë, në periudhën tetor-nëntor 1944, ku u ekzekutuan me dhjetra njerëz dhe intelektualë të pafajshëm ku një prej tyre ishte dhe ushtaraku nacionalist, Akil Sakiqi.

Telegrami gjeneral Dali Ndreut për kapjen e kapiten Akil Sakiqit

Lidhur me urdhërin e dhënë nga ana e krerëve më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare për arrestimin e kapiten Akil Sakiqit, dëshmon edhe një dokument arkivor i cili përmban një fletore të trashë, ku janë urdhërat e dhëna nga ana e Komandës së Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të komanduar nga gjeneral-major, Dali Ndreu e cila morri pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës, ku thuhet:
Nr. 173, gr. 37, 15/12.’44
Korparmatës së II-të

Na lajmnoni nëse ndodhet në Divizionin e 6, Kapiteni i Financës, Akil Sakiqi, Kapiteni i Financës, Fahri Dabulla dhe Kapiteni i Xhenjos, Rakip Kalenja. Na lajmëroni edhe nëse është nisur Galip Mati.
Dali
Kujtimet e Enverit për ekzekutimin e ushtarakëve në Tiranë në nëntorin e ’44-ës

Por lidhur me ngjarjet e ndodhura në Tiranë në periudhën tetor-nëntor 1944, është ndalur dhe ka shkruar gjatë edhe Enver Hoxha në kujtimet e tija të botuara në fillimin e viteve ’80-të, (libri “Kur hidheshin themelet”,), ku midis të tjerash ai kujton:
“Pak para plenumit të Beratit, më vjen Sejfulla Malëshova gjithë “alarm”.
– Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zemërim.
– Terror? – e pyeta i habitur. – Ku?
– Në Tiranë, – më përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh”?!
Terrori që ushtruan njësitë partizane me hyrjen e tyre në Tiranë nga fundi i tetorit 1944 deri në mbarim të Luftës, veç të tjerave është diskutuar edhe në Plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944), ku përpara të dërguarit të Partisë Komuniste Jugosllave, kolonel Velimir Stoiniç, Enver Hoxha pranoi vetë gjithçka kishte ndodhur aty, duke u shprehur: “Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin **** edhe njerëz të thjeshtë të popullit”.

Orhan Sakiqi: Në kërkim të eshtrave të babait!

Lidhur me historinë e jetës së Akil Sakiqit, ish-ushtarakut të Monarkisë së Zogut dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në periudhën e pushtimit 1939-1944, është marrë shumë edhe i biri, Ing. Orhan Sakiqi, një personazh i njohur jetës politike dhe shoqërore të Tiranës së pas viteve ’90-të, i cili është dhe autor i disa librave me tema në ndryshme që i ka botuar po pas viteve ’90-të. Në një nga librat e tij të fundit me titull, “Kronikë e jetëve të humbura”, (Botimet M & B, Tiranë 2019), në kapitullin me titull, ‘Në kërkim të eshtrave të babait’ ai ka shkruar:
“Babai ynë është i gjallë apo i vdekur?! Ky dyshim më ka ndjekur që në fëmijërinë e hershme. Deri në moshën 7 – 8 vjeçare kisha dyshim, se nëna thoshte se: ‘Deri sa trupi nuk është gjetur dhe autoritetet nuk e pohojnë vrasjen e tij, ai mund të jetë gjallë diku jashtë’.
Unë i thosha:
-‘Po mirë, pse nuk jep shenja apo nuk dërgon letër?!
– ‘Po mbase ka frikë nga këta.
– ‘Po, kush janë këta?
Janë pyetje kërshërie që i bëjnë fëmijët për të ditur më shumë rreth asaj që nuk kuptojnë.
Këta, ishte një shprehje që e kisha dëgjuar shpesh në bisedat e të rriturve në shtëpi, por tani., mbase doja ta kuptoja fjalën. Këta, janë komunistët, është qeveria, që asnjëherë nuk e kanë pranuar krimin. Disa persona të menduar si të vdekur, po dalin se janë gjallë jashtë së fundi, kështu që mos ta humbasim shpresën. Deri në atë kohë qeverinë e kisha kuptuar si një ndërtesë të gjatë, madje e përfytyroja sikur të ishte ish – gjimnazi i Tiranës, një ndërtesë e gjatë, ish – kazermë turke, që ndodhej mbas Kafe “Kursal”-it, ose më mirë për orientim të sotëm, afër Bankës Kombëtare. Tani kuptova që qeverisa janë personat dhe jo godinat.
Ishte viti 1946 dhe nëna shpresonte. Shpresoja dhe unë, mbas asaj. Më kujtohet babushi im që më merrte në krahë, më kujtohej se si u rrekja që t’i hiqja gjyzlyket. Më kujtohet kur përkulej për të dëgjuar radion. Si ka mundësi ta zhdukin babushin?! Edhe sot, sa herë shoh radion, (që e ruaj me kujdes), më shkon mëndja tek ai. Motra që ishte 2 vjeçe, nuk kujton asgjë. Më mirë kështu, mbase. Kujtesat jo të këndëshme të bëjnë që botën ta shohësh me sy tjetër.
Thonë se jetimët piqen më shpejt nga ata që i kanë prindërit. Kjo është e vërtetë. Në këtë kohë unë kisha pushuar së qeni fëmijë. Me vite, ndërsa zhytesha thellë, e më thellë në përsiatjet e mija, më mbushej mëndja që ta pranoja të vërtetën pa pasur forcë për ta kundërshtuar. Por siç thotë Ernesto Sabato, në librin ‘Tuneli’: “Bindja ime se sidoqoftë ekziston një tunel i vetëm e i errët vetmitar”. Mbase ky ishte tuneli nëpër të cilin kishte rrjedhur fëmijëria ime, rinia ime, e gjithë jeta ime, ishte ky tunel i errët i zhdukjes së babait tim. Shumë herë jam munduar të dal nga tuneli, por gjithmonë kishte të tillë që t’a përmendnin atë jo në sy, por prapa krahëve. “Ai e ka vendin në tunel”. Kështu kanë vendosur të vetëquajturit perënditë, komuniste.
Me kalimin e viteve, u bë e qartë se babai im, bashkë me afro 100 qytetarë, ishte vrarë pa gjyq në ‘Masakrën e Tiranës’, nga 28 tetori, deri në 16 nëntor 1944. Atëhere nënës i’u fiksua gjetja e eshtrave. Nuk ishte e lehtë një ndërmarrje e tillë. Ata që kishin kryer krimin, sigurisht që fshiheshin, dikush tjetër që kishte ndonjë dijeni qoftë të dëgjuar, kishte frikë jo vetëm që të jepte përgjigje për çka dinte, por dhe nuk pranonte që të hapte gojën.
Megjithatë nëna më ka treguar më vonë se me anën e një të afërmi, kishte mundur t’i lokalizonte në një vend varrimi diku nga Shkolla e Bashkuar, por aty tashmë ishin kryer ndërtime dhe gjurmët ishin zhdukur.

Por ajo nuk ishte e bindur për atë vend. Ngulmonte për ‘Bregun e Lumit’. “Aty i kanë çuar”, thoshte. Aty ishte vendi i shumicës së të pushkatuarve të Tiranës, si puna e vendit të qershia në Burgun e Burrelit. Po ku, bregu i lumit të Tiranës është i gjatë?! Ku ta kërkojmë e ku ta gjejmë?! Pastaj lumi është i plotë në dimër, ka rrjedhje të shumta që mbulojnë brigjet dhe merr me vete çdo gjë. Pastaj me siguri ata ishin varrosur cekët. Këto mendoja, por nuk i’a thosha nënës.
Nëna iku nga kjo botë me këtë peng në zemër, por doli se kishte të drejtë për ‘Bregun e Lumit’ gjë të cilën ma vërtetoi I ndjeri Islam Zekthi në vitin 1993. “U arrestova dhe unë më 28 tetor 1944, si një njëzet vjeçar që isha aktivizuar me ‘Ballin Kombëtar’. Na lidhën me litar njëri me tjetrin si të ishim bagëti dhe na nisën drejt Tufinës. Duke u nisur në kodër, natën vonë dëgjojmë disa batare të shtënash. Nuk kishim nevojë të pyesnim, sepse shoqëruesit na e sqaruan vetë. ‘Rrini urtë, se kështu do ta pësoni edhe ju’. Vendi ishte te ‘Bregu i Lumit’, jo larg Hotel ‘Kendi’. Mbasi na çuan në fshatin Shupal, ose Zall-Dajt, na mbyllën në një ahur dhe aty mbetëm deri më 17 nëntor. Pastaj përfundova në ‘Burgun e Tiranës’, ku u dënova me 15 vjet. Mbasi dola nga burgu, punova punëtor transporti. Ngarkonim zhavorr dhe rërë në lumin e Tiranës. Nuk më harrohet dita kur lopata ime hasi në mbetje eshtrave njerzore. Dhe ishte pikërisht poshtë kodrës së Tufinës…! Shkova me Islamin në vend dhe vumë një buqetë lulesh. Në mos për babanë tim, do jetë për dikë tjetër…”.
Nëna ishte gjithnjë në mëdyshje. I dukej sikur nuk kishim bërë aq sa duhej për gjetjen e eshtrave, sidomos pas vitit 1992.

Kemi një ngushëllim. Nuk jemi vetëm. Janë rreth 6000 të pushkatuar nga komunizmi. 2500 janë gjetur, pra kanë mbetur edhe 4000. Pak po bëhet për kërkimin e tyre, kur duket sa interes ka shteti fqinjë për ushtarët e rënë në Shqipëri në vitet 1940-1941 në luftën italo-greke. Edhe ato që janë gjetur, nga vetë familjarët. Më bëri përshtypje një pohim i një nëne, (sot 91 vjeç), Gjela Nikolla. Katër vjet jetoi me burrin, i cili në vitin 1948 u largua nga fshati se ndiqej nga forcat qeveritare. Ai nuk u pa më. E internuan Gjelën në Tepelenë me foshnjën 3 vjeçare, e cila për mungesë mjekimi i vdes atje. Bashkë me të, një mbesë një vjeçe. Mbas 55 vitesh, arritën ta gjejnë eshtrat e foshnjave të tyre. Ngjarje e tmerrshme që nuk arrin ta imagjinojë njeriu.
Por kjo ndodhi është një ngushëllim për ne të tjerët. Të paktën dy foshnja, nuk do të quhen varrë-humbura.
Por nga e fundit, ka edhe varr fiktiv, ashtu si tim eti që i vura emrin pranë nënës, që ndërroi jetë më 2001-in. Aty janë të dy. Është ky një ngushëllim”?! Shkurt 20018.

Akil Sakiqi “Nderi i Kombit” në vitin 2009

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, emri i Akil Sakiqit, jo vetëm që nuk u përmend kurrë, por ashtu nga sa theksuam edhe më lart në këtë shkrim, ai regjim e la edhe pa varr, pasi edhe sot e kësaj dite eshtrat e tij figurojnë të humbura. Emri, jeta dhe karierra e Akil Sakiqit si ushtarak atdhetar e patriot, si gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut kur ai shërbeu në armën e ‘Rojës së Financës’, ashtu dhe gjatë periudhës së pushtimit të vendit në vitet 1939-1944, kur ai shërbeu në rradhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, u vlersua vetëm pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist. Kështu në këtë kontekst, Akil Sakiqi dhe 33 intelektualë të tjerë të pafajshëm, viktima të terrorit komunist (kryesisht ata të masakrës në Hotel “Bristol” në Tiranë në nëntorin e vitit 1944), që u pushkatuan me urdhër të krerëve më të lartë Partisë Komuniste Shqiptare me në krye Enver Hoxhën, u nderuan me medalje të ndryshme, jo vetëm si viktima të terrorit komunist, por edhe sipas meritave dhe kontributeve që ata kishin dhënë gjatë jetës së tyre.
Kështu në vitin 2009, nga ana e Presidentit të Republikës, Sali Berisha, me dekretin nr.519 dt.22.IV.1993, Akil Sakiqit i’u akordua medalja “Për veprimtari patriotike” me motivacionin: “U masakrua dhe u bë viktimë e pa fajëshme e mizorisë komuniste, duke mbetur gjithnjë si një dëshmi e këtij terrori ndaj elementëve patriot dhe demokratë. Po kështu, me dekretin nr.6359, dt.9.XII.2009,

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi Akil Sakiqit dekoratën më e lartë “Nderi i Kombit”, së bashku me intelektualët e tjerë që u ekzekutuan nga terrori komunist nga data 28 tetor, deri më 16 nëntor të vitit 1944, me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist, për shkak të besimit në idetë demokratike dhe perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore”. Këto vlersime që i’u bënë Akil Sakiqit, u motivuan, si në kontributin e tij atdhetar gjatë karrierës ushtarake, ashtu dhe në rezistencën që ai bëri në 7 prillin e vitit 1939, duke luftuar për mbrojtjen e atdheut, kundra forcave pushtuese italiane në bregdetin e Durrësit.

/Memorie.al
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.