Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

I vetmuari i madh, Frederik Reshpja

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,951
Nga Bedri Islami

Rrallë Shqipëria ka pasur një poet të tillë, me fatin e tij të çuditshëm dhe tragjik; rebel në gen dhe paqtues në shpirt; i rënë në humnerë nga shpirti i tij dhe i ngritur në qiell përkohësisht, për të rënë edhe një herë në humnerën e tij, kësaj here përfundimisht; mjeshtër i fjalës dhe arrakat i pandreqshëm; i adhuruar dhe i mallkuar në të njëjtën kohë; me kokën e shkërleshur si një demon Lermontovian dhe i gatshëm për të qenë një duelist i kohës së shkuar; i butë si një fëmijë i rënë në prehrin e nënës dhe diellor në fjalët për miqtë.

Kam qenë tepër i ri kur e kam takuar për herë të parë dhe, së bashku me poetin e ndjerë Tonin Shtjefni, na ftoi në shtëpinë e tij, në njërën nga kthesat e para të rrugicës së Gjuhadolit, njëra nga më të vjetrat e qytetit të Shkodrës, gjysmë përdhese, me oborrin e vogël, mbushur me lule, ku trëndafilat ishin të harlisur dhe për të cilat kujdesej nëna e Frederikut, me të njëjtin mall si edhe për të birin rebel, të shkujdesur, që aso kohe ishte mësues dhe që e dinte vetëm ai dhe zemra e saj se ky ishte vetëm një çast i prehjes.

Në dhomën e vogël të tij, me dritaret e rrethuar nga ornamentet e hekurt, ishte rrëmuja e një poeti që sapo kishte nisur për botim librin e tij të parë poetik, “Rapsodi shqiptare”.

Tek ai, çuditshëm, të dyfishohej dhimbja, e befas, të krijohej iluzioni i qetësisë së përkohshme, trishtimi i jepte ngjyrë, ndërsa drita pluskuese e mëngjesit mund të ishte vetëm një dalje nga shpirti i tij.

Shpesh herë, si i kthyer nga një kohë tjetër, fliste me fjalë të mëdha, përmende gjuhët e shumta që dinte…e në fakt aso kohe fliste vetëm shqipen e tij të mrekullueshme, plot alegori, dritë, netë të brishta dhe shpirt kopshtor; të tregonte për dashuritë e tij të mbetura buzë gremine dhe nuk e dinim nëse kishte diçka të vërtetë në këtë ëndërr rrjedhëse dashurore.

Ai ishte dhe mbeti deri në fund një mikpritës besnik. Për miqtë e tij, shumë nga të cilët e tradhtuan, i dolën dëshmitarë të rremë, e përgjuan, e shanë, e flakën, e trajtuan si një të huaj, të padenjë për qytetin e lindjes, kur ishte një vazhdim i Migjenit, i cili kishte jetuar në po atë lagje, vetëm në kahun e kundërt të saj, ai, edhe kur u përmbysën kohët dhe figura e tij tani mund të ishte mitike, mbeti një portë e hapur.

Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe. Ai mbeti, në vetveten e tij, një kristian idealist, por edhe një përjetues i dhimbjes njerëzore dhe, duke e ditur se trasnia kishte qenë më e fortë në disa nga miqtë e tij se sa dëshira për të qëndruar, i falte.

Në pas vitin 1990, kur ai tani mund të ecte i qetë rrugëve të qytetit, pra, të kalonte nga rrugicat në mbrëmje apo netëve të heshtura, kur nuk donte të rëndonte askënd me takimet e tij, në mesin e Piacës, kishte mjaft njerëz që i shmangeshin, tashmë nga ndjenja e fajit.

Në njërën nga këto ditë ne ecnim në rrugën kryesore, dhe pastaj, ashtu si ecte ai, me duar të hapura që i lëvizte rrëmujshëm, kaluam para Kafes së Madhe, në sheshin para së cilës, ishin ulur shumë njerëz, duke e shijuar pranverën.

Befas, krejt afër, atij i zuri syri njërin nga denoncuesit e tij, gazetar dhe botues, i cili, ndoshta me të njëjtin kostum që kishte veshur solemnisht kur kishte vajtur për të shpallur dëshminë e tij, po rrinte dhe bisedonte gjallërisht.

Frederiku e pa dhe u ndal. Tjetri ndali fjalën, uli kokën, do të kishte dashur të zhdukej në atë çast, në buzë i ngriu fjala që kishte dashur të thoshte, shpupurishi flokët e shumtë, si do të donte të krijonte një perde.

Frederiku i thirri në emër.

Ai ngriti kokën dhe shikoi me ankth.

-Përse nuk më flet?-i tha Frederiku. Përse? Të mos të të flas unë, kjo kuptohet, por të mos më flasësh ti…?

Tjetri kishte mbetur si shtatore e ngrirë dhe vetëm pak, në njërin cep të buzës, buzëqeshi duke ngrirë.

-Unë e kam harruar atë që më ke bërë ti dhe nuk e di nëse kam bërë mirë që e kam harruar apo jam i gabuar. Ti, mos e harro të keqen dhe përmendu, se burrat përmenden!

Mbeti deri në fund me shpirt kristian të padukur dhe askush, ose më saktë, pak kush, mendoi për shpirtin e tij.

I habitshëm dhe ndryshe nga gjithçka. Ashtu i kishte edhe ditët e fundit. U largua si ato drerët e plagosur që mbajnë në brirët e tyre dritën e hënës, me mallin për nënën dhe vetminë e tij legjendare.

Nga bota e shkrimtarëve ishin në largimin e tij të fundit pak vetë, Skënder Drini, Moikom Zeqo dhe Arben Bllaci. Më tej Myftar Gjana, Shpëtim Kelmendi, Ledia Dushi, Fatime Kulli, dy pedagogë të letërsisë, Hasan Lekaj dhe Alfred Çapaliku….dukej sikur qyteti e kishte harruar, ndërsa mburrej me të.

Të tjerët, duke e pranuar heshtjen e tij si një falje, nuk kishin guximin të shkonin dhe t’i kërkonin faljen e tyre njeriut shpirtmadh, që, gjithë jetën kishte qenë në mjerimin e harresën e tij.

Nga doli kjo vetmi kështu…nuk kishte për ta parë më këtë qytet me rruginat e vjetra, as kështjellën e ngritur mbi sytë e një gruaje, as të gjallët e as të vdekurit.



x x x



Frederik Reshpja është një ndër poetët modernë më të mëdhenj të Veriut të Shqipërisë, të qytetit magjik, Shkodrës, së bashku me Ndre Mjedën dhe Migjenin. Ndërkohë është poeti më tragjik i letërsisë shqipe. Tragjik nga jeta e tij vetmitare dhe e plasaritur nga mungesat e mallit; tragjik nga ndalesat që i janë bërë përmes burgimeve në monizëm dhe “harresës“ të shtetin plural; tragjik nga miqtë që e tradhtuan në një çast; tragjik edhe në vdekjen e tij vetmitare.

I vetmuar deri në skajim, me një fëmijëri të harruar, pa rini – sepse ia morën, moshë të bardhë të zezuar, ai më pas do të shkruante se :

Pashë fëmijët në rrugë. Të qeshur,

Të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara

Ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.



Më panë dhe u trishtuan. Menduan,

Që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë




Vetmia e tij tragjike do të ishte përndjekja e shpirtit dimëror të tij, që binte pikë – pikë, një këtu – një aty, si trëndafilat e vdekur, në një muzg të ngjyer me ajër, nën shirat e heshtur të qytetit të vjetër. E ka ndjerë këtë vetmi edhe pas viteve të burgimeve të tij, pikërisht atëherë kur mendohej se tashmë do të kishte një tjetër përsiatje, më të furishme, të denjë për karakterin e tij rebel, por, si në legjendat e lashta, do të ishte pikërisht kjo ndjenjë rebele që do e ripërsëriste vetminë e tij.

Lulëzoi druri i portës së vjetër

Ah! Druri i vdekur çeli lule!

Ti këputi dhe me to bëj kurorë

Për mua që të prita deri në vdekje!


“Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar…”, megjithëse dukej se trëndafilat çelën që në mëngjes, me petalet në ngjyrën e vetëtimës, e përsëri, ai e di , fare mirë e di se “trëndafilat vetëtijnë në heshtje për gjëmën time“, e di se , edhe një herë, kështu e ka zënë nata, si statujat e pritjes, në një ajër që vdes dalëngadalë dhe dimëron,…ku në peizazhin e natës, si në një ëndërr, zhduken drurët me fjalë e me gjethe dhe luleve u rrëzohen ngjyrat….

Vetmia e tij ishte elegjike….askush nuk e zhbëri dot atë…ai mbeti nën dimrin e kësaj vetmie të madhe …duke na sjellë poezinë e tij si një stinë e re që bie nga qiejt te xhamat e dritares së vjetër, të së dashurës botës sonë…

Në fakt, ai nuk mund të ikte ndryshe, veçse si një vetmitar, duke na lënë pas pezmin e trishtimit dhe ndjenjën e fajit të pashoq për braktisjen e tij.

Vetmia e tij ka qenë e një përmase gati biblike, ashtu si kanë qenë edhe tradhtitë ndaj tij. I ngritur në majën e Olimpit poetik për një çast të shkurtër, do e ndjente theqafjen , vërvitur nga miqtë.

x x x

-Fred, ku vete kështu? – më pyeti dikush që po hante.

-Po shkoj të gozhdohem në kryqin tim.

Ky qe njeriu që më bëri gjëmën…Do të doja më mirë të më priste në fyt. Unë i kam provuar prerjet: ato nuk të dhembin sa tradhtia e një miku. Mua më shumë më kanë tradhtuar se më kanë prerë.

Pra, armiqtë më të pamëshirshëm për mua, kanë qenë miqtë. Lavdi Zotit, tani nuk kam asnjë mik.

x x x

Askush ai nuk është ngjitur në Golgotën e pazakontë të një jete që ndërpritej nga burgimet dhe që duhej të niste nga e para.

Kokëshkretë, mohues dhe pohues njëkohësisht, mik i madh dhe i tradhtuar marrëzisht, i heshtur dhe fjalë shumë në një çast tjetër; modest i pakërkundtë dhe pak më vonë një mburravec i padëmshëm, i thyer nga poezia që i rëndonte në shpirt, por i pathyer nga mrekullia që i bulonte në pejzat e shpirtit të tij; mistik dhe i hapur; adhurues i Zotit dhe mohues i tij; mbi të gjitha ai do të ishte poeti që kishte një idhull të vetëm dhe një shenjtore të vetme: Nënën e tij.

Kryefigura e tij qe nëna. Nëna e Frederikut, të cilën e kam njohur që në rininë e hershme, qe një grua me një qëndrim dinjitoz, krenare dhe shumë autoritare. Fliste pak, qëmtonte fjalët e mira, por ishte e rreptë dhe sunduese mbi fëmijët e saj.



Frederiku, si kujton miku i tij më i afërt, Moikom Zeqo, mund të zihej me të gjithë, nuk bindej, madje edhe mund të shante gjithçka, por në praninë e nënës ai qe një qenie gati engjëllore.

Të gjithë, a thuajse të gjithë, e braktisën poetin, nëna nuk e bëri kurrë. Të gjithë mund t’i kishte harruar poeti, por nënën e tij kurrë.

Ai që nuk i binte ndër këmbë pushtetit, puthte këmbët e nënës së tij; poeti që nuk i kishte lëvizur qepallat në netët e gjata të hetuesisë dhe pyetjet absurde e kishin bërë të nënqeshte, çka ishte shoqëruar me mallkime të tjera dhe hetuesi torturuese, përlotej nga vuajtjet e nënës së tij.

Shpesh herë ai kishte menduar largimin nga jeta, qoftë edhe si heshtje e mëvetishme, por kurrë nuk i ishte afruar asaj: për deri sa ishte nëna. Në rrugicën e ngushtë drejt shtëpisë së tij, në oborrin e së cilës gjeje gjithnjë trëndafila, Frederiku shpejtonte hapat…e priste nëna. I pakujdesshëm në pamjen e tij, ai në fakt ishte i shëmtuari i bukur, aq më tepër i pakujdesshëm në ditët e burgimit të tij, ai, dy ditë para takimit me nënën, që vinte nga larg krrisur mbi vitet dhe hallet, fillonte të zbukurohej…të bëhej Frederiku i gjithëditshëm dhe i dritshëm.

Dy nga librat e tij më të shkëlqyer, që më mirë se gjithçka sjellin vetminë e tij të madhe, mbuluar nën dëborën e moteve dhe ftohtësinë e kohës, ai do ia kushtojë nënës së tij, duke bërë dedikimin “Nënës sime, e cila ka vuajtur shumë pas meje nëpër burgje, internime e spitale. Me dhembshuri, Frederik Reshpja“.

Poezitë e Frederik Reshpjes për Nënën e tij janë tronditëse, të mrekulluara nga ndjenja e një fluiditeti madhor, që duket sikur nuk është e tashme, por e ardhur që nga malli i Ajkunave për bijtë dhe, më tej akoma, që nga dëshira e Rozafës për birin e saj…një dorë jashtë për ta përkëdhelur…një sy jashtë për ta parë…një gjoks jashtë për t’i dhënë qumështin e saj..që ende rrjedh në muret e kështjellës së vjetër.

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri

Nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin.

Ave, nëna ime!

Vetëm tek ti kam besuar,

Zot tjetër nuk kam pasur kurrë, Amen!




Më tej…

Eja me mua në kopsht:

Tani që dimri iku dhe tërë dëborërat kanë rënë

Nga drurët zbresin ca statuja ajri

Dhe çelin sytë e luleve që flenë.



Por tani që nëna nuk është

Hapen dyert e hijeve e dalin perënditë ilire

Me tunikat e prera nga mjegullat e lashta

E trëndafilat janë mbyllur në pikëllimin e vet



Eja të dalim në kopsht,

Por nëna nuk është më!



Më tej



Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur!

Nënë, nënë! Do të vinë dëborërat,

Do të bien mbi barin që ka mbirë nga zëri yt…




“Ca zogj të zinj vraponin në ajër si të trembur nga një dimër që rend. Më erdhi keq për zogjtë. Befas m’u shpik një frikë e tmerrshme: nëna!

Ajo kishte nevojë për kujdesje të vazhdueshme. Flinte. E bukur, pakëz e zbehtë, me flokët e zinj dhe të gjatë të hedhur mënjanë.

Oh, nënë, nëqoftëse ti ikën tek yjet, nuk e di se ç’do të bëj më në këtë botë!

Nuk do të kalonin shumë kohë dhe unë do të puthja buzë varrit duart e njeriut që kam dashur si Zotin!



x x x

Unë e mbaj mend mirë oborrin e vogël në shtëpinë e Frederikut mbushur me trëndafila. Të shumëngjyrshëm dhe të kudoshëm. Që nga parvazet e dritareve të ulta, në skajimin e murit të gurtë, në rruginat mes kopshtit, pranë portës së hyrjes, mbi muret – harlisur nga stinët. Si rrallë poeti ai i ka trëndafilat pjesë të poezisë së tij. Ndoshta edhe ata hynin në atë pjesë që nuk e tradhtonin dhe që shihnin të heshtura vetminë e tij.

“Çelën trëndafilat në mëngjes,

Me petale në ngjyrë të vetëtimës..



Trëndafilat vetëtijnë në heshtje për gjëmën time…



“Është gjithmonë një trëndafil

Ndoshta edhe prej reje

Ose i bërë nga zëri im..



Jam i trishtuar. Trëndafilat e tu

Më mbetën në duar si plagë…



Shfaqen në muzg

Trëndafilat e thurur me diell

Ah, tani edhe trandafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë

Sa të bukur dhe të rinj ishin, o zot!




Trëndafilat nuk guxonte njeri t’i prekte, veç nënës së tij. Isha i ri aso kohe dhe nuk guxoja të mendoja se mund të prekej një trëndafil. Aq më tepër tek shtëpia e një idhulli që, ndërsa na kishte mahnitur me poezitë e tij, na bënte edhe më kureshtarë me rrëfimet e prejardhjes së fisit të tij nga Klementinët, nga Vermoshi, datuar nga viti 1100, fis papnor dhe na dukej si orakull.

Ishte një orakull ndërsa fliste, kur heshtte kthehej në statujë.

Njihja edhe vëllain e tij, mjek dhe motrën, por ata ishin, si të thuash, paradhoma për të shkuar tek dhoma e ndjenjës së tij. Edhe aty kishte trëndafila. Lulet e para që vendosi mbi varrin e nënës së tij ishin trëndafilat e shkëputur nga kopshti i vogël i oborrit, pikërisht ata që nuk kishte guxuar njeri t’i prekte.

Iku më pas në Tiranë. Trëndafilat do të harliseshin për pak kohë. Do të kthehej në shtëpinë e vjetër, ku thoshte se dikur kishte jetuar Ded Gjo Luli dhe Hilë Mosi, vetëm për të vdekur.

I braktisur. I uritur. I tradhtuar. Si një shenjtor.

Askush nuk vuri mbi varrin e tij trëndafilat e kopshtit.

Vajta këto ditë deri tek porta e jashtme e shtëpisë së vjetër. Rrugina kishte mbetur po ajo, muret e gurtë ishin të njëjtë, mbi to ishin kacavarur disa trëndafila të bardhë, nga ata që vihen mbi një arkmort. Gjithkund heshtje.

Nuk e di pse më është kujtuar një bisedë e gjatë me të, kur mendohej se më në fund kishte gjetur Itakën e tij, dhe më tregonte se shpesh herë , mëngjeseve të burgut, duke pritur në oborrin e rrethuar nga mure të lartë dhe gjemba, tasi i mbushej me dëborë dhe ai kujtonte pikërisht këto rrugina, të cilat, në ditët e dimrit, si për të sfiduar gjithçka, çelnin trëndafilat e fundit.

I çelnin në fillimin e dhjetorit.

Në një ditë tjetër dhjetori, rishtas i vetmuar, nën trëndafilat e fundit që kishin çelur, ai do të digjte tërë dorëshkrimet e punuar në dy dekada, dhe e kishte ditur se po bënte një punë të mençur.

Më pas do të shkruante:

“Çdo ditë ka dhjetorin e vet, dhe kjo mjafton“.

Isha kurioz të shihja nëse ende trëndafilat ishin në oborrin e shtëpisë së vjetër. Kisha pak hapa deri atje, krejt pak. Nëse do të ishin trëndafilat, do të ishte edhe poeti. Si një shelg i vetmuar mbuluar me dimër, i braktisur nga miqtë, zogjtë dhe gjethet… ku netët e lumtura si zilka tringëllinin në degët e kujtesës….

E mbaj mend edhe shegën e veçantë, mbjellë nga poeti Hilë Mosi në një cep të oborrit dhe kokrrat e saj që vareshin si llampadarë. Më pas mbollën edhe një dafinë, e cila, kur nëna nuk ishte më, nuk gjelbëroi, shkruante Frederiku, vetëm zëri i tij i djalërisë jehon mbi gjethet e verdha, ndërsa dafina vendos kurora mbi lavdinë e muzgut.

Ishte një botë e tërë kur ishe Ti

Por erdhi kjo vetmi e madhe që fshiu gjithçka.


x x x



Shpesh herë, ajo që duket e pamundur, nuk është e tillë. Ka fjalë që më tepër të trishtojnë se të çudisin. Një fotografi e Frederik Reshpjes është koncentrim i dhimbjes. Është dhimbja e një njeriu në zgrip, me pafajësi absolute. Rrallë herë tiparet e një njeriu kanë shprehur një gjendje të vazhdueshme, si ka ndodhur me Frederikun. Pas viteve ‘90 ai do të jetë ndër të parët që do e kuptojë se, në të vërtetë liria e krijimit ishte thjeshtë një iluzion i lirisë. I sëmurë dhe delikat, disa herë i përplasur në çimenton e të vdekurit me një gardian të tmerrshëm mbi kokë që kërkonte të dinte se si vdes një njeri, kur ndodhi e pamundura, pra e drejta e jetës, momenti kur do të vinte dita e tij dhe ai sigurisht e kishte ditur gjithnjë se Dita e tij do të ishte larg, pra, atëherë kur përballë dritares pa xhama, në shumë e shumë netë kishte pritur të pamundurën, nuk e kishte menduar se ajo përsëri do të kishte edhe zhgënjimin e saj të madh.

Do të shkruante se “Asnjeri nuk ka patur nevojë më shumë se sa unë për ishuj. Por tërë ishujt janë të rremë”.

“Në lashtësi, Lukiani pyeste: cili je ti i dashur, dhe si kërkon të bëhesh perëndi përderisa leh? Kjo aristokraci pra, e thërret edhe artistin që të lehë. Nëqoftëse ndërrohen faraonët, ndërron edhe mënyra e të lehurit. Nuk është vetëm realizmi socialist që leh. Tërë poezia politike që lexojmë përditë, është lehje. Ka gazeta që kur i merr në dorë, të duket sikur do të kafshojnë”.

Çfarë e kishte bërë heretikun e madh të kishte një pikëllim tjetër, rishtas me përmasat e një Itake që kishte kërkuar gjithë jetën dhe, kur mendoi se kishte ardhur, ajo ishte larguar përsëri?

Këtu zë fill ajo që mund të quhet pa droje tragjedia e njohur me emrin Lidhja e Shkrimtarëve dhe meskinët rreth saj, të patalentuarit, hakmarrësit e vegjël, liliputët që nuk rriteshin kurrë dhe që kënaqeshin nga mjerimi i tjetrit, mjerim të cilin vetë ia kishin përgatitur.

Historia e kësaj Lidhje është ndër më enigmatiket në historinë e komunizmit dhe më e panjohura. Me një mundim mitik ca poetë të mjerë, të neveritur, do të krijonin menjëherë pas dhjetorit 1990, një muranë të pakalueshme, që e fshehta përvëlonjëse të rrinte gjithnjë e mbyllur, misterioze dhe kështu edhe më e rrezikshme.

Frederik Reshpja e ka quajtur këtë, në dy kohrat, si Shtëpia Kriminalo-Letrare e Partisë së Punës. E ka quajtur kështu edhe kur nuk e pranonin në shkallaret e saj, edhe kur, pas ndryshimeve që dukeshin të pamundura, i afruan shpejt e shpejt një rrogë të madhe e që ai, natyrisht e refuzoi, megjithëse në ato ditë ai ishte në mesin e Tiranës pa lekë dhe pa një vend fjetje.

Drama e madhe e jetës së tij ka filluar pikërisht në këto shkallare, pastaj është sulur më tej në korridoret e mërisë, për të shkuar në sallat komforte dhe denoncimet vdektare.

Nuk besoj se ka pasur ndonjë sallë tjetër, kaq komforte, ku janë përgatitur kaq shumë krime, e, për më tepër, ndaj njerëzve me të cilit kishin qëmtuar fjalët. Vetëm salla e madhe në selinë e Komitetit Qendror kishte parë dhe përgatitur drama të tilla, por kjo e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte edhe më e përbuzshme, më meskine, ishte si një lloj maceje e egër që rridhte nga një tigër vrasës.

Më parë se të dënohej në një gjyq Frederiku, por jo vetëm ai, është dënuar në këtë sallë, në këto korridore, në shkallaret e saj, në zyrat, ku në makinat e shkrimit të porositura për të qëmtuar fjalët e bukura të kësaj bote, kërruseshin njerëz meskinë për të përgatitur denoncimet e ardhshme.

“U ngrita. Turma e shkrimtarëve të E. më përgjonte me sy armiqësor. I huaj! Armik!

Mjerë letërsia shqiptare!mendova. Mjerë De Rada dhe Fishta! Turmë e mjerë meskine! Mallkim i pyjeve dhe i celulozës!

Ktheva kokën dhe pashë Ismailin që më vështronte. U ngrit. Ku vete, Ismail, ke De Rada? Parisin nuk e përmendim asokohe”.

E kishte menduar se ndoshta një ditë do të kthehej përsëri në këto salla e ndofta atëherë kjo rrëmujë do të kishte mbaruar. E dinte se gjëma i kishte ardhur që këndej, ashtu si e dinte se letrarët e qytetit të tij, edhe ata që i dolën dëshmues të rremë, ishin tepër të parëndësishëm për t’i bërë dëm atij.

Kthimi do të ishte përsëri tragjik. Ishte, si të thuash, pjesa e dytë e një tragjedie, ku, në të parën kishte qenë vdekatari i pritshëm, ndërsa në të dytën donin ta kthenin vuajtjen e tij në një grotesk.

Kur u kthye , Jakov Xoxa kishte vdekur, Petro Marko ishte i sëmurë, Lasgushi nuk jetonte më, kishte ikur shtërgu i fundit në fluturimin e tij madhështor, Ismail qe diku larg si përtej kohës, Moikomi po përgatiste kolonën e jetës së tij, Xhevahiri ishte i mbushur me dhimbje.

Viti 1991. Ai, për herë të parë, pas kaq shumë viteve, takohet përsëri me një turmë shkrimtarësh. Tani të zymtë dhe nevrikë. Mburramendës dhe “disidentë“ të shpallur në kolonat e gazetës “Drita“. I kishte lënë marrëzisht të dashuruar me Enverin, i gjente anti-enveristë të tërbuar. I tha vetes një varg të famshëm të De Radës që e kishte më për zemër “Lis bota kish ndërruar”, por kallamishtet e Lidhjes nuk kishin ndërruar asgjë nga përdhunimi i jetës së tyre.

“Kishin tepruar vetëm këto anti-enveristë të tërbuar, të mjerë dhe mediokër, si gjithnjë të gatshëm për hymne e ditirambe, nëpër shkallë e koridore. Nëqoftëse takoj Dhimitër Xhuvanin, atëherë zoti më do”!

Në të vërtetë, Frederik Reshpja ishte si një sleg i trishtuar, fatkeq si Serembe dhe që i dogji krijimet e tij ashtu si edhe poeti arbëresh. Një kristal i akullt ka qenë mbi jetën e tij. Më të shumta ia ka patur ditët me dimër dhe të paktë një pranverizim që akullohej përsëri.

Ishte dhe mbetet poeti i munguar. Shpirttharë që çuditërisht solli tek të tjerët ndjenjën e së bukurës.

Ishte e pamundur të zemëroheshe me të. Edhe kur të shante. E dije se të do në atë mënyrën e tij të veçantë. Nëse të hapte derën, atëherë ishe i sigurtë në miqësinë e tij.

Kur dilte nga shtëpia dhe ecte nëpër shëtitoren e madhe, që asokohe i thonim “Piacë”, merrte buzë shtëpive, duke e prirur njërin sup nga e majta dhe i pabrengosur nga shirat, të dukej sikur i thirrte ato. I dashuruar me shiun, si një ndër gjërat e zakonshme të qytetit rrethuar nga ujrat. Më shumë se gjithçka tjetër, Shkodrën e kishte në vete. Shqisë të tij. Përmasë njerëzore. Dashuria e tij i kishte rrënjët në vjeshtrat e qytetit, atëherë kur bie dritë e verdhë gjethesh dhe lëkunden degët e shirave, në gravurën e saj që i rri e varur në shpirt; për hirin e saj prej legjende.



x x x

Tërë gurët e mozaikut të kujtimeve që kam për Frederikun mund të thyhen dhe të humbasin. Si shumë të tjerë, takimet me të kanë qenë të vështira, dhe shumë herë, ai vetë i bënte edhe më të vështira.

Ai , si poet i veçantë, më i shquari poet modernist i qytetit të Veriut, kishte ngritur vetë një piramidë të kujtimeve, në të cilën nuk mund të ishe lehtësisht pjesë dhe enigmën e së cilës ishte e vështirë ta kuptoje.

Nuk e kam kuptuar edhe për diçka tjetër.

Megjithëse pas vitit 1991 ndenjat me të ishin më të shpeshta, sidomos kur ai filloi të bënte gazetën “Ora”, titullin e së cilës ia propozova unë kur ishim thirrur nga Shaqir Vukaj, aso kohe drejtues i socialistëve në Shkodër, ai, asnjëherë nuk më ka folur për denoncuesit e tij.

Nuk i përmendi kurrë, nuk u shfaq asnjëherë si një denoncues i denoncuesve të tij, “lis bota kishte ndërruar” dhe as nuk u përpoq të krijonte rreth tyre dhe për to një mjedis mbytës.

Vetëm një herë ai u përvesh keqas një figure të njohur si shkrimtar në qytetin e tij dhe, për më shumë, jo për të shkuarën, por për ditët që kishin ardhur. Pasi nuk i kishte mjaftuar që kishte qenë dëshmitar në gjyqin e Frederikut, më pas, kur filloi pluralizmi, ai ishte veshur me një petk të ri dhe e sulmonte poetin e burgosur , duke u fshehur pas emrave të tjerë.

Në vargjet e tij ai i është kthyer disa herë denoncimit, por si fenomen, si ngjarje, si një dukuri që njollosi letërsinë shqipe, por kurrë me emër të veçantë.

Nuk e bënte këtë nga shpirti i tij poetik, apo nga që mendonte se gjithkush duhej të paguajë vetë mëkatet e tij, këtë nuk e kam mësuar kurrë.

Ndoshta denoncimet dhe ditët e burgimeve të herë pas hershme bënin pjesë në ato kujtime që nuk i donte afër vetes. Ku ta dish. Shpirti donte të çlirohej nga ankthi i së keqes dhe nga mëria që djeg poezinë.





Lirika moderne e Frederikut nuk ngjan me asnjë poet tjetër shqiptar. Ndonëse në jetë ai qe një njeri modest, i trishtuar tej mase, i persekutuar me të pa të drejtë, në poezi Rreshpja do të mbetet një nga krijuesit më serioz dhe më autoritar

Frederik Reshpja i takon , po ashtu, asaj pjese të krijuesve të krishterë, katolikë, të Shkodrës, të cilët ishin shquar në lëvrimin e kulturës dhe që, deri para vitit 1944, kishin qenë një ndër aureolat e letërsisë shqipe.

Bota letrare dhe kulturore e pjesës katolike të Shqipërisë ka qenë për shumë e shumë dekada, edhe për shkaqe të njohura historike, njëra ndër më perëndimoret dhe më të lidhura me rrënjët e kombit. Emrat e njohur të saj nuk përfshijnë vetëm Fishtën, Koliqin, Mjedën, Prendushin, Shtjefën Gjeçovin, Ndoc Nikajn, por është shumë e shumë më e hershme. Në fakt, ajo ka qenë trungu i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe nyja e fuqishme ndërlidhëse mes botës së qytetëruar dhe mendimit filozofik dhe letrar shqiptar.

Nëse në fushën e letërsisë ajo kishte vetëm disa maja, studimet e këtyre klerikëve në entologji, folklor, filozofi, arkeologji, shkenca politike, etj., ka patur majat e paarritshme edhe në shumë e shumë vite më pas.

Përgjithësisht ajo ka qenë një kulturë e lidhur ngushtë me vendin dhe, shumë nga liderët shpirtërorë të saj, këtë lidhje të fuqishme, fe- atdhe , e kanë paguar me jetën e tyre.

Mund të thuash se, më shumë se me gjithçka tjetër, ata e kanë shkruar historinë e kulturës shqiptare, me gjakun e tyre.

Pas vitit 1944 kjo është një e vërtetë edhe më e qenësishme dhe lehtësisht e dallueshme, çka i ka bërë nder asaj elite krijuese dhe emancipuese.

Bota krijuese shqiptare në fakt hapet me këtë letërsi, tejet e kultivuar, humanitare dhe e lidhur me kombin. Shembulli i Marin Barletit, me dy kryeveprat e tij, „Rrethimi i Shkodrës“ dhe vepra e tij madhore për jetën dhe Bëmat e Skenderbeut, janë ndër fillesat e kësaj letërsie, për të shkuar më tej me Budin, Bogdanin, Buzukun – si themeltarë të së bukurës gjuhës sonë. Për të shkuar më tej tek Koliqi, Fishta, Nikaj, Prendushi…

Bota e tyre është aq e gjerë, sa që, nuk mund të përmblidhet vetëm në një emër.

Megjithatë, si do të pohonte vetë, Frederik Reshpja nuk e ka parë veten kurrë si katolik, pasi, pohon ai, kombi është mbi fetë. Ai, megjithëse njohës i mirë i saj, ka luftuar të shkëputet nga ndikimi i tyre, sepse “po t’i ndiqja do të mbetesha epigon i një letërsie jashtëkohore”.

Duke qenë veçanërisht njohës i mirë i Fishtës dhe i Mjedës, që ishin edhe miq të babait të tij, Markut, do e ketë të vështirë të dalë nga ndikimi i tyre, por këtë e çmon si të domosdoshme. Kjo nuk ishte tradhti e traditës, por çuarje e saj përpara.

Dhe ai, ndoshta edhe pa vetëdijen e tij, por nga ajo që kishte pasur brenda vetes, sepse që në moshën 4 vjeçare lexon nga kjo letërsi, do të sjellë këtë frymë paqëtimi, edhe ndaj hetuesve të tij, ndaj atyre që e kishin burgosur dhe torturuar. Fryma e lirisë së shpirtit përmes faljes është në poezitë e Frederik Reshpjes shumë më e fortë se çdo ndjenjë tjetër.

Ne të gjithë jemi anijethyer,

unë vetë rri më këmbë në funddetin tim.


x x x

Një ndër proverbat e lashta, lakonike kineze , thotë se “Urtësia e brendshme është edhe Mbretëria e Jashtme”.

Urtësinë e brendshme Frederiku e kishte nisur ta ngjiste që kur katër vjeçar do të dëgjonte e më pas të lexonte Librat e Shenjtë, por ndikimi i tij më i madh do të ishte Nëna.

Askujt nuk i besonte si Asaj dhe askush tjetër, si Ajo, nuk do i ngjallte atij mëshirën dhe faljen. Megjithëse ende me shenjat e gozhdëve në duar, i ngarkuar me tërë trishtimin e botës, ai më shumë do i ngjajë çifutëve të endur në shkretëtirë, ai ecën e ecën për të arritur atje ku ishte nisur, mbështjellur me dimrin e dhimbjes.

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq tek koka

Dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes

Të më ndjekë mallkimi i Artit.

Mos e pastë njeri këtë fat!


x x x

Frederik Reshpja ka bërë vetëm një autoportret për vete.

E ka bërë në vetëm pesë rrjeshta.

Aty janë të gjitha çka mund të thotë një poet.

Është ajri që tingëllon, zërat e të vdekurve mbetur në kujtesë, shirat që nuk i kishte njohur kurrë, lavdia që u mbyll përmes hekurave, vetmia që ka ngritur muret e saj , drurët që bëhen shpirtra dhe pulëbardhat që vdesin në horizont, vargani i gjatë i orëve të pritjes, përrenjtë prej hëne që shpesh derdhen nëpër rrugët prej ajri.

Në pesë vargje është një jetë, duke kërkuar një vend ku dhembja të mbështesë kryet.

PËR VETEN TIME

Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje

Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij

Sepse i mungonte kafazi.



Mbi një piedestal heshtjeje

Dergjet profili im që në lindjen e gurit.




x x x



Frederik Reshpja ka qenë një poet i burgosur. Disa herë. E, megjithatë, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk ka poezi të burgut. Më pas, në lirinë e tij të shkurtër, ka shkruar , më shumë në prozën e tij poetike, për momente të burgut, por poezi të mirëfillta, nuk ka shkruar.

Askush nuk e di se si ka ndodhur kjo. Në hyrje daljet e tij të shpeshta si i burgosur politik, kohë që rëndohej më tepër nga hetimet e gjata, ai nuk ka bartur me vete poezi të një të burgosuri.

Si duket, ai e ka përjetuar edhe kohën kur ishte i lirë, si një robëri shpirti dhe, kur ishte i mbyllur, dy herë i palirë, ka ruajtur ndjenjën, atë shpirtin e tij heretik dhe demoniak, i bindur se, duke ecur, stapin e kishte harruar te një mjegull, ndoshta edhe në kopshtin e fëmijërisë, ku i dukej se barisnin të vdekurit dhe ngrohnin duart mbi flakët e trëndafilave.

Një herë, vetëm një herë, e kam pyetur përse në burgimet e tij të herëpashershme, nuk kishte shkruar poezi, pra, përse nuk kishte bërë atë që kishin bërë shumë të tjerë, që nga një emër i njohur i letrave shqipe, Arshi Pipa e deri tek poetët më minorë?

“-Unë prisja ditën time, ditën që e dija të pamundur, por që do të vinte. Shumë netë, përballë dritares pa xhama, ndërsa shihja yjet si një budalla, ndoshta krejt i çmendur duke pritur një kumt nga Nëna, kur ujrat kishin ngrirë, i pabindur, mbështjellë me një batanije të hetuesisë, më shumë ngjaja si murg franceskan, mendoja vargje të ndryshme, vinin tek unë si shirat e pikëllimit tim në një breg deti.

Pastaj vinte dita, yjet zhdukeshin, kumti nga Nëna nuk vinte, prisja perëndimin si një vrasës me thika në duar dhe e dija se vdekja nuk do të më vinte në burg.

Njerëzit në burgje shkruajnë sepse shpresa u është vrarë. Poetëve në burg edhe dritat e rrethojave të burgut nganjëherë u duken si portokallet që i lëkund era në muzg. Sepse poetët janë thirrur në këtë botë për të kënduar bukurinë e shpirtit njerëzor, tronditjet dhe mirësinë, çastin e përjetësinë.

Kam qenë poet i pabindur, sepse isha njeri i pabindur. E dija gjithmonë se dita ime ishte diku, ishte një hapësirë ku më në fund të merresha me letërsi dhe t’u tregoja njerëzve se sa fort i doja.

Në burg e ndjeja këtë hapësirë, por nuk e kapja. Unë kisha shpikur kohën time, Itakën time dhe fjalën time. Koha nuk ishte e rëndësishme”.

Si shumë poetë të tjerë, të burgosur si ai, nuk kërkoi kurrë revanshin. Miti i hakmarrjes ishte i kundërt me besimin e tij njerëzor. Mund të kishte bërë dhjetra denoncime të atyre që e linçuan, por u mjaftua me përbuzjen dhe, nganjëherë, me një goditje të rëndë, në një mënyrë të vjetër burgu.

“Para njëzet vitesh, në një nga dhomat e hetuesisë në burgun e vjetër të Tiranës, jam ballafaquar me një dëshmitar kokëfortë. Ai ngulte këmbë që unë kisha sharë Enver Hoxhën. Kur e pashë se po qante për shenjtërinë e E.H. e godita. Mua më vunë prangat dhe më thyen kyçet.

Tani, pas njëzet vjetësh, ky erdhi dhe më shtrëngoi dorën.

-Kujdes – i thashë. Unë e kam dorën e thyer, ti e din.

-Kam dëgjuar se nuk je anëtar i P(X).

-Jam tepër i vendosur në lirinë që e kam fituar vetë. Unë kam humbur çdo gjë në jetë për këtë liri.

-Atëherë, ti qenke enverist,-më tha.

E godita tepër rëndë, me një mënyrë të vjetër burgu aty te shkallët e Lidhjes. Ra praptas. Gojën e kishte me gjak. Më erdhi turp. Desha ta ndihmoja por nuk mund ta prekja me dorë. Neveri“!

Edhe poezia e tij nuk ka revansh, klithma, britma, sherr, qoftë edhe sherr poetik. Megjithëse i vuajtur, ai e filloi rikthimin e tij nga koha zero. Kërkonte të dielën e tij, dhe, kur ndjeu se fundi do të ishte i pamëshirshëm, shkroi me dhimbje se “Tani mund të them se në të vërtetë, nuk kam pasur asnjë të diel në jetën time. Kam qenë shumë fatkeq në kalendarin e ditëve, sidomos mungesën e të dielës e kam ndjerë shumë’.

Ai nuk ia lejoi vetes dalldinë e ditirambit të vetvetes. Edhe në çastet më ngazëlluese nuk u deh kurrë pas fuqisë së artit të tij; gjithnjë më pranë ndjente vdekjen se jetën; më shpesh ishte demon se sa një njeri i urtësuar; ai i shtyn orët e fundit të jetës së tij nën dritëzimin argjendor të një bote poetike, krijuar kurdoherë në zgripin e vdekjes.

Duke perifrazuar Stevan Cvajg-un , në librin e tij për filozofin poet, Niçe, që kurrë nuk shkroi poezi, do të thoja se, shpirti i tij lirik dhe demoniak njëkohësisht u largua në një terr fshehtësie dhe në një vetmi prej shenjti.

Dy poetë veriorë të papërsëritshëm, Migjeni dhe Reshpja, çuditërisht banues pranë njëri tjetrit, hapësirën e të cilëve e ndante vetëm një kuvend françeskan, do të kishin shumë të përbashkëta me Niçen, me frymën e tij, me dritën e qashtër, të ftohtë dhe mjegullore, të njëjtë në varfëri dhe shpërfillje, të ndaluar dhe të dashuruar njëkohësisht, kërkues të Mbinjeriut dhe, së fundi, të vdekur dhe të ringjallur disa herë, duke shkuar nga vdekja në ringjallje, nga harresa në piedestal, nga linçimi në adhurim dhe, si për të qenë të njëjtë në gjithçka, edhe vdekje vetmitare.

Reshpja, njëjtë si Migjeni, e ndjen veten poeti që në çastin kur provon të hyjë forcëriosht, deri diku përdhunshëm, ndër kohrat moderne të poqzisë, ndaj, as njëri e as tjetri, nuk kanë të përbashkëta me poetët pararendës të qytetit Verior; ata marrin rrugën e paprerë të gjëmimeve, shpallin kredon e tyre poetike dhe, ashtu si Niçe, nuk janë të gatshëm të mos jenë tragjik dhe të parakohshëm. Ata, lehtësisht, janë njerëz tragjikë dhe poetë tragjikë; të vetmuar, poezia e tyre nuk mund të kuptohet pa dukurinë e përplasjes; në kohra të ndryshme kanë mision të njëjtë, por flijimi është i ndryshëm.

Atyre, më shumë se gjithçka tjetër, i përshtatet thënia e Niçes, se „ Në i mbafsh gjatë sytë për greminë, atëherë edhe gremina nis e vështron nga ti“.

Ata e vështruan gjatë, shumë gjatë, greminën njerëzore në dy kohë të ndryshme dhe, si në një parathënie tragjike, edhe gremina mbajti sytë mbi to, deri sa ranë në thqafjen e jetës së tyre të shkurtër.



x x x



Kur Frederiku vdiq, lodhur nga jeta, vetmitari më i madh i letrave shqipe, poeti si një erë mbi ëndrrat e pyjeve, me fjalët që i kishin mbetë pa thënë, me dëshirën që shkallët e kësaj nate t’i ngjiste me dikë deri tek hëna, ku do të shkonte i vetëm, ai e kishte thënë parafjalën e tij , “O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri“.

Ishte shkurt, një i ftohtë i mbështjellur me mjegull dhe vetmi njerëzore. Dimri ende nuk kishte ikur dhe jo të gjithë dëbornat kishin rënë.

Tërë vdekja u rrëzua në fushën me shi…

17 shkurt 2006.

Ditëvdekjen e tij, ashtu si dhe ditëlindjen, shumë e kan harruar.

Në pragun e vdekjes dukej sikur kishte dalë nga Guernika e një nate të gjatë.

Dukej më i plakur nga sa ishte. Në të gjitha vitet e tij nuk kishte pasur asnjë stinë të re. Vjeshtë dhe dimër që përsëriteshin.

Në luginën e vdekjes e prisnin kuajt e marsit, ngjyrat ishin kthyer në shpirtra, ndërsa barbarët dukej sikur kishin ikur përkohësisht dhe ishin rikthyer.

Po bënte paqe me veten! Tashmë, në netët e tij, nuk do të shihte një anije të bardhë. Në mëngjes, një trandafil i kuq kishte çelur tek porta e shtëpisë. Pjesë lamtumire? Dorë e zgjatur përmes petaleve? Mos ishte loti i nënës shndërruar në një trëndafil?

Shega e mbjellur nga Hilë Mosi ishte ende aty, sikur kërkonte dhe priste dëshminë e saj p[r ikjen e poetit.

Në qiellin e dimrit të jetës së tij ai po ikte si një gjethe e fundit, ndërkohë hëna ishte shuar.

Nuk kishte kohë të thonte lamtumirë. Si duket, e kishte thënë prej kohësh. Pas tij nuk kishte më zogj, fluturimet u fshinë, në cilën dorë të botës do e zinte gjumi i përtej jetës?

Disa kohë më parë kishte shkruar:



Atje te ishujt e kaltër,

Pashë portretin tënd në horizont.

Ç’ban aq larg, dhe përse u bëre re?

Unë do të mbetem në këtë tokë që quhet Shqipëri.



Atë ditë ti zbrit dhe sillmë një trëndafil prej shiu!






x x x



Shpesh herë, ndërsa jam në rrugët të qytetit tim, Shkodrës dhe eci në rruginën e ngushtë që të çon drejt shtëpisë së Frederikut, ku ende bulojnë trëndafilat dhe mbi mure kanë dalë shermashekët, më pëlqen të mendoj për poetin, ndërsa ndjej hapat e njeriut, që e kam dashur më shumë në pikëllimin e tij, ndoshta edhe nga që nuk e njoha , veç fare rrallë, në çaste gëzimi.



Në rininë time kam qenë dishepull i tij, poezia e Frederikut më trondiste dhe për shumë kohë ia thoja vetes.



Më vonë, kur përmbysja kishte ndodhur dhe gjithçka kishte qenë fillimisht e madhërishme, por kurrë e plotë, kam menduar se cila ishte ajo gjë e veçantë, krejt e veçantë , e cila ishte ngjizur në poezitë e tij, çfarë e kishte bërë atë poet rebel, në fund të fundit ai kishte pasur një devizë, që duhej të ishte mbi të gjitha.

Hemingueji ka shkruar se “Letërsia e madhe lind nga njohja e padrejtësisë“.



Këtë Frederik Reshpja e kishte ditur më herët se shumë të tjerë. Dhe e kishte ndjekur , duke e ditur se mund të thërrmohej.



S’dua të trishtohet kush për fatin tim

Se për fatin tim trishtohem vetë

Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes

Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë…
 
...(Frederik Rrepshja)...
--------------------------------------
Kështu gjithmonë ardhja jote është tërë ikje
dhe unë ndiej mbi gjoks sikur më kalon një tren...
 
Pa ty

Si ike keshtu dhe me le me kufomen e diteve te harruara?
E keshtu cdo here
Cdo here pa ty me lot me mbushen keto sy...

Frederik Rrepshja
 
nga: Frederik Rrepshja

Arlekinët

Ikën arlekinët e trembur nën çatinë
e përrallës
kur putha për herë të parë.

Qau vajza e vogël or kushedi
ndofta qante fëminia.
Në kopsht nga dritarja
e përrallës arlekinët vështronin
të trishtuar,tërë lotë.

Nuk desha t'i tremb arlekinët e mirë,
Nuk desha por nuk bëj ndryshe,
nën çdo mollë, edhe nën çdo dru
kurdoherë një evë më priste.

(nga web)
 
Thone se andrrat dalin, andaj uroj me m'dale sonte n'gjume ajo andrra ime preferume.
E ne mgjes du me u zgju pritjes lumnise, e me e pa realizimin e saj sysh.

Frederik Rrepshja
 
Dil nga mbretëria e gurit!
Kam kaq kohë që trokas tek mermerët.
Njëmijë vjet dhe dymijë vjet.
Jemi puthur nëpër iliadhet e vjetra
Kur lires i binin homerët.
O hënë e shiut, e verbëra madhështore!
Bëj një iliadë për mua
Kur të rrëzohet edhe Troja e fundit.
Rri kyçur në gur zemra ime
Njëmijë vjet dhe dymijë vjet...

Frederik Rrepshja
 
Pergjithmone

O ajr i mbremjes mbeshtillme, erdhi ora te vdes perseri.
Kur te mbyllen syte e mi, nuk do te kete me det
Dhe varkat e loteve kane per te ngecur ne stere.
Shkoj dhe shirat po i le te kyçura
Por do te ktherm perseri ne çdo stine qe te dua.
Une kam qene trishtimi i botes.
O ajr i mbremjes mbeshtillme, erdhi ora te vdes perseri.

Frederik Rrepshja
 
Frederik Rrepshja
Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit

Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

(nate te ambel si vjeshta! teuta)
 
Pashe nje femije ne rruge te qeshur, te bukur dhe delikat.
Si vazot e cmuara ku nenat ruajne endrrat e tyre.
Me pane dhe kuptuan qe une nuk kisha qene kurre femije

Frederik Rrepshja
 
"Frederik Rreshpja, që s'e kuptuam kurrë"

Dritëlëshon atje ku ndonjë rreze drojshëm zbret në kujtime-kujtime, edhe në ato kujtime diejsh të thyem. Një kuvendim përmes tymit të cigareve dhe taftit të rakisë, që rreket të formëzojë përmes fjalësh dhe emrash, mëtimesh e kujtimesh, mirënjohjesh e përsiatjesh, Frederik Rreshpen njeri dhe Frederik Rreshpen poet.
Mirënjohja është më e përkora përunje që si një detyresë i shkon shkrimtarit Petrit Palushi, atij që e mbajti në jetë me jetën e vet jetën e fikun të poetit dhe njeriut Frederik Rreshpja
Po e msheli venerimin tim me konstatimin e studiuesit Agim Morina: "Libri "Frederik Rreshpja, që s'e kuptuam kurrë", paraqet kujtime tronditëse, dramatike e poetike për dy ditët e poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muej para se ai me vdekë. Të gjithë ata që s'kanë pasë fat - sikurse unë - me e taku të gjallë poetin Rreshpja, do të ndihen tanë kohën në shoqninë e tij, tue lexu këtë libër-homazh, të shkruem me shumë kujdes e dashuni nga shkrimtari Petrit Palushi... Një libër i patëdytë për nga stili, personazhi dhe shtjellimi i ngjarjeve..."
"Frederik Rreshpja, që s'e kuptuam kurrë", ndërmendja që e skaliti lirikun në ma t'ndritshmin yll
"Nuk pati asnjëherë kohë, njëfarsoj të butë për të, madje ajo qe tejet cinike, por shfajësimi i pakët i yni është se, dokurdo do të shfaqet e plotdritshme dhe e kthjellët koha mbijetuese e sahershme, koha e poezisë së tij", kumton shkrimtari Petrit Palushi për njeriun dhe lirikun modern Frederik Rreshpja, të cilin s'e njohëm e s'e kuptuam kurrë. Shumëkush që është orvatun me na tregu vdekataren jetë, ndryshe ngase e ka kallzu poeti Frederik Rreshpja për të andshmin Petrit Palushi, duket se i ngjan më shumë një maske që rri e varun diku në mur, në pritje për me gjetë fytyrën që ka nevojë për të. Kapërcyelli i 11-12 nëntorit 2005 në Kukësin e stolisun egrashe mes malesh, shplojnë përmes ndërmendjes pranverën e velun të një jete, siç ban dielli kur shkrin borën tinzare të funddimrit. Palushi na e solli mrekullisht testamentin e poetit Rreshpja, nji testament që shpalohej qetë-qetë.
Prolog
"Ftoma dhe idhtaja e kishte mbështjellë" në cohën e vet me një qetësi të trazume, mishin dhe nevojën e një jete të përndjekun prej t'pamundinës me ken ndonjiherë i gëzum. Duket se ai za i molisun mujti me e këndu deri në fund kangën e vajit, me e shkru deri në të mbramen notë elegjinë e vet. E gjithçka kishte ken e pamëshirshme si vet jeta e tij, nëse nuk do të kish ken ndoshta s'pari dhe s'mbrami herë në kohën dhe vendin e duhun, për me diftu me zemër n'dorë tançka e kishte mrujt dhe mujt atë grusht njeri. E lumja andje amshmi qi shkruhet me vepër e ngadhnjim nuk t'lshon njaq keq sa jeta. Ajo bahet vullnes e mirë e t'hedh n'prehnin e një shpirti t'dlirë qi tue dasht me t'kujtu tash mas 10 vjetësh rrugtue n'amshim, bash në 2016-n, ai t'gdhend në ma t'hyjshmen permendore.
"Kam ditur të jetoj. Unë di edhe të vdes. Të paktën, poezinë time e lashë për të tjerët. Do bindeni edhe për këtë gjë".
I pat shqiptu këto fjalë me një solemnitet ngjethës, Frederik Rreshpja, ato ditë nëntori, sikur po përpiqej jo aq me ndigju vedin e thellë që zhytej papush gjithnjë e ma poshtë, se sa me kumtu një pëshpërimë elegjiake. Kishte nevoj me ndigju zanin e vet, njat tingull t'krisun qi flatronte si zog krahëthym, me mujt me sos saora n'fole.
Nuk kishte diçka me knaq kso jete dhe kohë nuk pati me u lumtunu. Shkëndijat e dritës dhe ngjyrat e hareshme i'u mpiksën e i'u rrëzun në brazdat e thella të rrudhave qi i'a kishin shkru indhnushëm portretin qyshkur s'mbahet mend.
Të jetosh me vdekjen kaq paqësisht siç diti ai, dhe siç e rrëfeu me përvujtninë dhe përuljen e një katoliku t'devotshëm, mundet me jetu veç vdekja dhe vetja e poetit. Ta marrësh me të mirë vdekjen dhe të kuvendosh për të, sikur ajo është një foshnje që rreket të të tregojë atë vetvete, të cilën nuk duhet ta tretë dheu njiherash me atë trup të shterrun hekash e mundet, dhimbjesh e ngulmesh.
Hera-herash përpiqesh ta ledhatosh me shikimin e njomur prej pikëllimit, dorën që dridhet dhe pikon si uji i borës prej strehëve që rënkojnë prej dhimbjes dhe moshës. Heshtazi si hije i avitet dritës që e vështron me kureshti, dhe shuhet në të sapo rrezet e saj thyhen e terri kaplon. Rreket që me zërin e ngjirur të mund të tregojë rrugën prej nga ka ardhur. Ndalet në këndin e një udhë të hequr me ngut, sa për t'u ngirë me frymë dhe diftu se me çfarë i ka mbushur ato ditë që i shkrihen përmes një gjuhe shënjash dhe kodesh të vjetra në çdo copëz të atij kurmi hekakeq. Nuk vramendet me i than askujt se ku don me sos. Nji i vdekur që lyp varrin e vet duket se e ka të pamundur me tregu tjetër shteg veç atij të kujtimeve për me e çu ku i ka ngec shpirti, e masandej me ofsha për s'mbrami herë.
I tret syt e ujtisun në boshin e gjendjes që i gufon e yshtet me kap përmes formave të asgjasë, diçka që duket se e ban me u ndi mirë, diçka qi e çliron si prej nji mallkimi a pengimi. I shfleton mendimet ngadalë si faqet e një libri të vjetër, prej drojes së mos e gris. Çdo fletë e ngjyn me lot heshtje dhe nji dritë veguese, një inkandeshencë e hapërdame që i rrethvjen mbi kokë si breror shndritëse. Prej sysh që përshkëndisin e shuhen, ai kërkon të çmbush pellgun ku lodron një fëmij që u shua pa ju tharë balta e kësaj hareje shpengimi.
Cek me vështrim dhe buzë ajrin që frymëmerr dhe përpiqet përmes avujve dhe tymit, heshtjes dhe pëshpëritjeve, të mund të rikapë fillin e shkitun të rrëfimit. Dhe gjithçka, rishtaz si më parë pahet sy më sy, hija dhe përfytyrimi, njeriu dhe poeti. Ndal për një grimë herë duke mbështetur bërrylat mbi parvazin e kujtimeve të hutuara që i shëtit në mendime, si një vetëtimë në natën që zatetet prej zemëratës së motit. Rinis me tregu. Shikon duart që i dridhen e tymin e cigares që ladron duke krijuar trajtat e një kujtimi të pezullt që zë fill e endet përmes fjalësh e ndërmëndjesh. Perreth ka gjithnjë heshtje, një heshtje që e shenjtëron vetmin e tij tragjike dhe e mbush me dritë terrin ku rrëmon për të gjetur sendet e humbura, vargjet e thyera e mendimet e hapërdara si dritëzat frigane të xixëllonjave që piklojnë nëpër sfondin e zi të tablosë si njolla zjarri.
Një zë i njohur i avitet, kur rreket ta shquaj më qartë i fiket si drita e përvajshme e një qiriri që pahet me të, duke mujt me shkru vetëm tehun e profilit, kurrë nji pamje të plotë. Është vetja, copat e saj të hedhuna gjithandej si gurët e një mozaiku, t'cilin edhe pse ke kaq shumë ëndje me e rikriju, fort e pamundur asht tuj ken. Sepse copat asnjëherë nuk bashkohen njana me tjetrën. Duket sikur druhen kaq shumë si prej nji mallkimi që edhe vdekja i frigohet. Gjithqysh ai nuk ndalet me e riba veten, me bashku njeriun me poetin, me ndigju zanin qi kapt mbas fjalëve, emrave dhe mendimeve si lëmyshku mbas shpinës së mureve qi udhërrëfejnë shtegun. Ringrihet zorshëm tue mbledh copat, e niset duke u majt nëpër përfytyrime e pëshpërima, me mujt me sos për ku asht nis ai grumbull i shterrun mishi dhe kockash, me u bashku me shpirti i tij, e atje me u shu, me vdek përnjimend e mbas tre ditësh me u ngjit në ma shndritshmin yll qi pahet me muzgun, si me agun.

Epilog
In memoriam "Frederik Rreshpja, që s'e kuptuam kurrë", dritëlëshon atje ku ndonjë rreze drojshëm zbret në kujtime-kujtime, edhe në ato kujtime diejsh të thyem. Një kuvendim përmes tymit të cigareve dhe taftit të rakisë, që rreket të formëzojë përmes fjalësh dhe emrash, mëtimesh e kujtimesh, mirënjohjesh e përsiatjesh, Frederik Rreshpen njeri dhe Frederik Rreshpen poet.
Mirënjohja është më e përkora përunje që si një detyresë i shkon shkrimtarit Petrit Palushi, atij që e mbajti në jetë me jetën e vet jetën e fikun të poetit dhe njeriut Frederik Rreshpja.
Po e msheli venerimin tim me konstatimin e studiuesit Agim Morina: "Libri "Frederik Rreshpja, që s'e kuptuam kurrë", paraqet kujtime tronditëse, dramatike e poetike për dy ditët e poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muej para se ai me vdekë. Të gjithë ata që s'kanë pasë fat - sikurse unë - me e taku të gjallë poetin Rreshpja, do të ndihen tanë kohën në shoqninë e tij, tue lexu këtë libër-homazh, të shkruem me shumë kujdes e dashuni nga shkrimtari Petrit Palushi... Një libër i patëdytë për nga stili, personazhi dhe shtjellimi i ngjarjeve..."

Albert Vataj
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.