Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Informacione rreth ujerave qe nuk perzihen.

Juno

Kontributor
Regjistruar më
Kor 25, 2017
Mesazhe
32,412
31846
Së pari, duhet të qartësojmë faktin se ujërat në dete e oqeane përzihen vazhdimisht. Pra, është keqkuptim ideja e përhapur në internet se këta ujëra nuk përzihen kurrë. Tensioni sipërfaqësor krijohet kur molekulat e një lëngu tërheqin njëra-tjetrën duke u përpjekur të krijojnë sipërfaqe sa më të vogël takuese në mes të dy lëndëve. Molekulat e ujit në dy dete, në një det e një oqean, apo në një lumë e një oqean janë identike. Dallimi mes këtyre ujërave është lënda e tretur në ta.

Së dyti, qartësojmë se fenomeni i ujit që duket se nuk përzihet është i vërtetë, ndodhë herë pas here dhe për arsye të ndryshme. Sidoqoftë, fakti që duket sikur nuk përzihen në një moment nuk do të thotë se këta ujëra nuk përzihen kurrë. Mes këtyre ujërave nuk ka pengesa, zona ndarëse apo barriera. Po të kishte të tilla, uji nga lumenjtë nuk do të arrinte kurrë në det, e për pasojë ai ose do zhvendoste detin, ose do rriste nivelin e do krijonte përmbytje. Në fakt, në shumë raste kanë ndodhur përmbytje kur grykëderdhja e një lumi nuk ka mjaftuar për derdhjen e tij në det gjatë periudhave me shumë shi apo shkrirjes së borës. Imagjino sikur aty të kishte një barrierë!

Siç u tha më sipër, njerëzit ka mijëvjeçare që e kanë vënë re këtë fenomen, sidomos në grykëderdhjen e lumenjve. Aristoteli (384 p. K. – 322 p. K.) ishte i pari që u përpoq të jepte një shpjegim. Në librin e tij “Meteorologjia” ai shkruan se uji i ëmbël është më i lehtë se uji i njelmët dhe për këtë arsye ngrihet lart. Kjo mbetet pjesërisht e saktë edhe sot. Fillimisht, uji i ëmbël e me densitet më të ulët ka tendencë të gjendet sipër ujit të njelmët, por kjo situatë nuk zgjatë për shkak të turbulencave.

Rasti specifik i përmendur në pyetje, ai i Detit Mesdhe dhe Oqeanit Atlantik, nuk është ndonjë rast me dallim shumë të madh. Dy ujërat kanë kripshmëri dhe temperatura pak të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo bën që në mungesë stuhishë, erërash, rrymash të forta ujore, ujërat të përzihen shumë ngadalë. Pra, “ndarja” paraqitet në raste specifike. Ajo paraqitet, zhduket e zhvendoset vazhdimisht. Ajo gjithashtu nuk është e prerë as vertikale. Edhe pse nëpër fotografi shpesh duket sikur kjo ndarje vazhdon drejt deri në fund, ajo është në vende të ndryshme në shtresa të ndryshme të ujit. Pra, ndarja në thellësi mund të jetë shumë larg asaj në sipërfaqe. Ajo që e dallon këtë rast nga shumë pikëtakime të tjera është fakti se bëhet fjalë për një ngushticë, nën të cilën ekziston një formacion shkëmbor, gjë që bën që zona e përzierjes të jetë shumë më e vogël se në raste të tjera. Por, uji i detit Mesdhe arrinë në Atlantik, dhe pasi bartet nga rrymat për një distancë të gjatë, pak nga pak bëhet pjesë e oqeanit.

Për të kuptuar se si ndikon densiteti në mospërzierje, sugjeroj një eksperiment të vogël, për të cilin do të të duhet ujë, sheqer dhe ngjyrues ushqimor. Fillimisht, tret një sasi të madhe sheqeri në ujë, deri sa uji të bëhet lëng i trashë. Për të ndihmuar tretjen, përzieje dhe ngrohe. Shto ngjyrues ushqimor me një ngjyrë (p.sh. blu) dhe lëre të ftohet. Kur të jetë ftohur, përziej pak ujë me një ngjyrë tjetër (p.sh. të kuqe). Këtij mund t’i shtosh pak sheqer, ose ta lësh pa sheqer fare. Me kujdes ujin e kuq hidhe sipër ujit blu, duke përdorur një lugë të kthyer përmbys që të sigurohesh se njëri ujë nuk e godet tjetrin. Në mes do të krijohet një zonë e hollë vjollcë, por ujërat nuk do të përzihen menjëherë. Zona vjollcë nuk mund të quhet pengesë apo barrierë, pasi që ajo nuk e ndalon ujin të përzihet. Ajo, në fakt, është përzierja e tyre. Ajo nuk i ndanë dy ujërat, por është të dy ujërat njëkohësisht. Varësisht nga sa ndryshe janë në densitet, koha e përzierjes së vetvetishme të tyre mund të zgjasë nga disa orë në disa ditë. Lëre gotën me ujërat të patrazuar! Densiteti luan rol me rëndësi në kohën e duhur për përzierjen ujërave. Për dallim nga gota, në dete e oqeane uji shtohet e avullohet vazhdimisht në të gjitha anët. Për pasojë, përzierja është e vazhdueshme.

Në ujëra ekzistojnë disa lloje shtresëzimesh horizontale, të cilat paraqesin shtresa që ndryshojnë nga njëra-tjetra shumë shpejt. Këto shtresëzime quhen rënie (ang. cline) dhe quhen:
  1. Piknorënie – kur mes shtresave ka ndryshim densiteti,
  2. Kemorënie – kur mes shtresave ka ndryshim përbërjeje kimike,
  3. Halorënie – kur mes shtresave ka rënie në kripshmëri,
  4. Termorënie – kur mes shtresave ka ndryshim temperature.
Vëmë re se ndarja mes ujit të Detit Mesdhe dhe Oqeanit Atlantik ka dallim në të gjitha këto kategori. Për pasojë, fillimisht njëri ujë do të kalojë poshtë tjetrit e pastaj shtresat horizontale do të përzihen vertikalisht.

Në rastin e një lumi e një deti, përsëri na paraqiten të paktën shtresëzimi në bazë të densitetit, përbërjes kimike dhe kripshmërisë. Këto delta janë më të dukshme pasi që uji ka përbërje më të ndryshme. Këtu, uji nuk bashkohet menjëherë, por pak nga pak. Sa më afër lumit, aq më pak kripë. Sa më larg lumit, aq më i kripur është uji. Kjo zonë uji të përzier (e zakonshme në estuare) nuk përbën barrierë apo pengesë. Kjo ngjanë me ujin vjollcë në gotën e eksperimentit. Në disa raste, si te ai i paraqitur në videon që i është bashkangjitur pyetjes, uji ka baltë dhe për këtë arsye ai është i mbushur me nanogrimca e mikrogrimca, të cilat rrinë pezull e nuk bashkohen për të formuar grimca më të rënda që bien në fund të lumit. Por, kur uji me këto grimca takohet me ujin e kripur të detit, kripa bën që këto grimca të bashkohen menjëherë me njëra-tjetrën dhe të fundosen. Kjo bën që të krijohet një vijë që duket sikur ndanë lumin nga deti, por që në fakt ndanë ujin me grimca nga uji pa to. Sa më shumë kripë të ketë përzierja, aq më shpejt bëhet pastrimi.

Një situatë e ngjashme është edhe ajo e paraqitur në fotografinë e parë. Aty paraqitet një rast në gjirin e Alaskës, ku uji nga akulli i shkrirë sjell me vete sedimente nga malet dhe i bartë në oqean. Edhe këtu kemi dallim shumë të prerë në përbërje kimike, kripshmëri, densitet e temperaturë. Kjo vijë që duket aq e qartë gjithashtu zhduket me kalimin e kohës dhe lëvizë. Uji, në fund, përzihet. Nuk ka “zonë ndarëse”, nuk ka barrierë.

Rasti tjetër është ai mes dy lumenjve. Këto quhen konfluenca dhe në to uji i dy lumenjve rrjedh krahas njëri-tjetrit duke u përzier pak nga pak, deri sa përzihet plotësisht. Këta lumenj kanë gjithashtu densitet e përbërje kimike të ndryshme. Në fotografinë më poshtë mund të shihni bashkimin mes Rones dhe Arves në Zvicër, ku uji nuk përzihet menjëherë. Sidoqoftë, edhe këtu vëmë re se shtresat sipër e poshtë nuk janë të ndara në të njëjtin vend, por uji më i dendur ka filluar të kalojë poshtë atij më pak të dendur dhe ujërat janë në proces përzierjeje. As në këtë rast nuk ka barriera. Zona në mes është gjithashtu përzierje e të dyve dhe jo zonë ndarëse. Në fund, ujërat përzihen.

31845
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.