Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Ismail Qemali

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731
Ismail Qemali

Themeluesi i shtetit shqiptar. Kryetari i parë i shtetit dhe qeverisë.


Ismail Qemal bej Vlora i njohur thjesht si Ismail Qemali (turqisht: Avlonyalı İsmail Kemal Bey; Vlorë, janar 1844 - Peruxhia, 24 janar 1919) ka qenë nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë dhe kryetari i këshillit të ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.


Portreti

Në kujtimet e tij, Ismail Beu tek flet për Janinën si vendin ku kishte kryer studimet, si rajonin ku zbulonte gjurmë të qytetërimit parahelen ose pellazg. Për të cilin shkruan se "raca shqiptare i kishte të gjitha të drejtat ta quante të vetin dhe që ishte burimi nga kishte mbirë qytetërimi helen".

Jetëshkrimi

Femijetia dhe familja
Lindi Ismail Hakki bej Vlora, në janar (18 prill; 16 tetor) të 1844 në haremllëkun e sarajeve të familjes në Vlorë, i biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije hanëm Asllanpashali.
Nga i ati vinte nga oxhaku i sanxhakbejlerëve të trashëgueshëm të Vlorës që i dhanë Perandorisë Osmane shumë personalitete dhe ndër vezirët e fundëm shqiptarë Ferid pashë Vlorën, ndërsa nga e ëma vinte po ashtu prej njerës nga oxhaqet më të vjetra bejlere. Kur ka qenë 4 vjeç, më 1848 Vlorjatet u syrgjynosën, burrat në Konjë e gratë me fëmijët në Selanik. E gjithë pasuria iu sekuestrua - e gjitha kjo si pasojë e kryengritjes që bënë kundër Tanzimatit më 1847.

Në Selanik i vdes vëllai i vogël, Sulejmani, i cili u varros në oborrin e xhamisë Ortaj. Ismaili kishte nisur shkollën fillore ku nxuri turqishten, dhe pasi më 1852 u kthyen në Vlorë, vijoi shkollimin me mësues privat. Thelloi dijet e veta në turqishte, nxuri italishten nga një ikanak italian dhe më tej e edukuan i ati dhe e ëma.

Më 1855 u regjistrua në gjimnazin «Zosimea» në Janinë, ku ishte i vetmi nxënës mysliman në atë kohë, kaloi aty greqishten e vjetër, latinishten; mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht arabisht e frëngjisht. Pasi mori pjesë në shtypjen e revoltës së Epirit, i shpreh dëshirën e ungjmadhit, Ismail pashë Plasës dhe ministrit të Jashtëm Fuad pashës që i biri të shkonte në Stamboll. Sipas regjistrave të «Zosimeas», Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859.

Karriera në administratën osmane

Në majin e 1860 shkoi drejt Stambollit, ku banoi tek i afërmi i tij nga e ëma pojanasin Mustafa pashë Gjiritin, një ish-sadrazem. Fuad Pasha i dha një punë në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që vazhdoi dhe studimet për drejtësi me një prusian të konvertuar quajtur Emin Efendi - drejtor i bibliotekës së ministrisë. Pasi iu desht të kthehej në Janinë, valiu i vilajetit Aqif Pasha e mori si ndihmësdrejtor të çështjeve politike. shërbeu në të njëjtin post edhe me valinjtë pasues Dervish Pasha e Ahmed Pasha deri më 1864.
Me ftesë të ungjit të tij valiut të Thesalisë, Ismail Rahmi Pashës, u emërua shef i kabinetit të tij. Jo shumë kohë më pas, më 1865 u rikthye në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Vitin pasues i vdes i ati; në shenjë mirësie miku i t'et asokohe sadrazemi Fuad Pasha i gatiti emërimin si Sekretar i Përgjithshëm në Janinë. Atë kohë i vjen ftesa nga Mid'hat Pasha, asokohe vali i vilajetit të Danubit, për një post në Rusçuk - qendra e vilajetit. Në mars-dhjetor 1867 ishte gjithashtu redaktor i një reviste turko-bullgare që dilte në Rusçuk, titulluar Istoènik Mnenija/Mecra-i Efkâr (Rryma e ideve), që pati vetëm dy numra, dhe që përmbante në veçanti artikuj mbi historinë e Perandorisë osmane, kozmografinë, etikën dhe tekste të marra nga Voltaire.

Me emërimin e eprorit të tij në Şurâ-yı Devlet azası (anëtar i Këshillit të Shtetit), Ismail beu e ndoqi në kryeqytet më 1867. Pasi Mid'hat Pasha u emërua në Bagdad, Ismail Beut i dhanë emërimin e valiut të Varnës ku nisi projektin për portin. Në prill të 1870 iu dha roli i kryetarit të Komisionit Evropian të Danubit, si delegat osman. Më 1873 së bashku me ish-konsullin anglez në Varna, z. Mayers, të ngulur në Stamboll u bënë ortakë në një sipërmarrje minierash dhe për më se një vit hapën një minierë linjiti në ishullin Imbros, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës.[14] Kur Mid'hat Pasha ishte ministër Drejtësie (1873-1876) e mori në Stamboll si sekretar privat.


Më 1876 pas një gjakderdhjeje në viset bullgare, Porta e ngarkoi Ismail Beun që të studiojë dosjet dhe qe në krye të komisioneve hetimore të Filopopolit për ngjarjen. Pas zgjedhjes për së dyti të Mid'hat Pashës sadrazem, thirrej të merrte pjesë në komisionin e posaçëm për Kushtetutën e porsashpallu. U emërua Kryesekretar i Seksionit të Jashtëm të Kryeministrisë. Pas rënies së kabinetit të dytë dhe burgosjes së Mid'hat Pashës, bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij u syrgjynosën në Anadoll, Ismail Qemali përkatësisht në Kytahja. Pas një marrëveshjeje me një firmë tregtare nga Hamburgu për të blerë dru bushi nga pylli i tij në Vlorë, mund të siguronte të ardhurat për të jetuar dhe të blinte një pronë të madhe në afërsi të Eskishehrit. Pas shtatë viteve të syrgjynit, u njoftua nga sadrazemi Said Pasha se qe emëruar vali në Mardin, Mesopotami. Pasi iu dha mundësia që të zgjidhte ndonjë post tjetër nga ai në Mardin, Ismail Beu zgjodhi të ishte në krye të sanxhakut të Bolusë më 1884.
Më 1890 paraqiti tek Porta dorëheqjen nga posti, por jo shumë kohë më pas u caktua vali i vilajetit të Beirutit, ku pranë tij shërbente edhe kolegu i tij i Komisionit të Filipopolit, Vaso Pasha. Ishte në Beirut ditët kur kolegu dhe bashkëatdhetari i tij u ligështua nga zemra dhe vdiq.

Më 1892 i paraqiti Sulltan Abdyl Hamidit një memorandum, i cili propozonte ndër të tjera federalizimin e Rumelisë.
Pas një tjetër studimi, kësaj radhe për çështjen e Egjiptit, u emërua vali i Gjiritit po atë vit. Më 1897 u thirr nga Porta në kryeqytet, gjithnjë në vëmendjen e Pallatit duke shtuar edhe artikujt liberalë që kish botuar në gazetën e tij Mexhra Efqiar, u emërua Şurâ-yı Devlet azası.

Arratisja nga Perandoria, përpjekja për një komplot

Pasi qe emëruar vali në Tripoli, provincën më të qetë të perandorisë në atë kohë, kur si në Rumeli ashtu edhe në Anadoll kishte trazira, i mikluar nga nderimet dhe i përgëzuar për besnikërinë, nisi të dyshonte dhe t'i trembej emërimit. Më 1 maj 1900, pasi duhej të nisej për të marrë postin e tij, u arratis nga perandoria nën mbrojtjen e britanikëve, pasi kishte kërkuar strehim në jahtin e ambasadës angleze në Bosfor. Mori detin drejt Athinës, ku kontakti me politikanët arbërorë po i ndjellnin nevojën për rimëkëmbjen e vendit të origjinës. Më pas kaloi në Napoli dhe pas saj në Romë, ku u takua me veteranin Krispin.

Më tej u vendos në Lozanë të Zvicrës, por i shqetësuar nga ndonjë atentat i mundshëm, shkoi drejt Parisit. Pasi u mor vesh me Faik bej Konicën dhe u vendos në Bruksel, mori frerët duke drejtuar botimin e Albanisë. Por marrëdhëniet me Konicën nuk zgjatën shumë, ai u largua nga Brukseli dhe pas pak kohe Ismail Beu u detyrua të hapte një tjetër gazetë Le Salut de l'Albanie e që shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Me ftesën e kolonisë shqiptare të Egjiptit, shkoi në Kajro ku u prit nga Kedivi. Pas një trilli të sulltanit, u dënua me vdekje në mungesë, me humbjen e të drejtave civile, gradës, meritave, dekoratave dhe pronave. Në shkurt të 1902 mori pjesë në Kongresin e organizuar në Paris nga Princi Sabahedin dhe Lutfullah, si përfaqësues i shqiptarëve.

Në kontakt me mareshallin Rexhep pashë Matin, autoritetet angleze dhe princin Sabahedin po përpiqej të organizonte njëfarë komploti që të bindte sulltanin për reformat që duheshin ndërmarrë. Plani nuk u vu në jetë pasi rrethanat ndërkombëtare nuk e lejonin.

Rikthimi si deputet, aktiviteti patriotik, mbledhjet për kryengritje

Pas Revolucionit Xhonturk më 1908 dhe rishpalljes së Kushtetutës më 21 korrik, Qemali u kthye nga mërgimi. Më 17 dhjetor të po atij viti parlamenti u hap dhe Qemali u zgjodh si deputet i Beratit, pavarësisht sa kishin luftuar xhonturqit që të mos zgjidhej. Me 26 deputetët shqiptarë[28] rreshtohet me partinë opozitare “Hyrrjet ve ltilaf” (“Marrëveshje e Liri”) për decentralizimin e perandorisë dhe lirinë e mësimdhënies së gjuhëve kombëtare.[29] Gushtin e 1910 udhëtoi nëpër Evropë dhe kërkonte "autonomi administrative" për shqiptarët në kushtet e brutalitetit të xhonturqve.[30] Verën e 1911 shkoi në Cetinje të Malit të Zi te krerët e malësorëve, ku kishin gjetur strehë pas fushatës së Shefqet Turgut Pashës dhe kryengritjes së tyre. Pas një kuvendi në Gërçe, nënshkruan një memorandum me nxitjen e tij, i cili përmbante 12 pika me kërkesa kombëtare, duke shprehur edhe njëherë zotimin për lidhje me perandorinë.

Me politikat kundër kombësive të partisë xhonturke në pushtet, dhe shqiptarëve në veçanti të cilëve u kishin nisur katër ekspedita ndëshkimore, deputetët opozitarë u vetëdijësuan se pa kryengritje Porta nuk do të bindej t'i jepeshin kombit shqiptar të drejtat kombëtare.
Përveç deputetit të Pejës, Ibrahim Efendiut dhe atij të Elbasanit, Haxhi Ali Efendiut deputetë, anëtarë të parisë dhe personalitete u mblodhën në shtëpinë e Reshit Aqif Pashës, e një herë tjetër në shtëpinë e Halil pashë Alizoti-Gjirokastrës dhe disa herë në shtëpinë e Syrja bej Vlorës.
Pasi zërat e Ismail Qemalit, Hasan bej Prishtinës e Myfid bej Libohovës që qeveria t'i thërriste arsyes dhe mos hidhte farën e përçarjes, u përbuzën dhe nuk u la vend për arsyetim, kësodore deputetët shqiptarë më vete u mblodhën për t'u besatuar në shpëtimin e kombit dhe atdheut.

Mbledhja në lagjen Taksim

Pas një takimi në hotelin "Pera Palace" mes Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, më 12 janar u mblodhën në shtëpinë e Syrja bej Vlorës në lagjen "Taksim" deputetët e Beratit Ismail Beu dhe Aziz pashë Vrioni, deputeti i Gjirokastrës Myfid bej Libohova, deputeti i Durrësit Esad pashë Toptani dhe i Prishtinës, Hasan Beu. Deputetët shqiptarë pasi kuvenduan mbi masat që kërkonin nevoja e rrethanave lidhën besën, duke u betuar mbi Kuran për sakrificat e mëtejshme që do të ndërmerreshin në dobi të kombit e atdheut të tyre. Ismail Qemali dha fjalën se do të ndihmonte me armë dhe të holla që kryengritja mbarëshqiptare ta mbante nën trysni Portën deri kur të bindej për dhënien e lirive kombëtare. Lidhja mes lëvizjes në terren dhe Ismail Qemalit jashtë shtetit u vendos të mbahej përmes konsullit britanik në Shkup.

Bashkëpunimi me diplomacinë austro-hungareze, kolonia shqiptare në Rumani dhe ndihma rumune
Kushërinjtë e tij, Syrja beu me të birin, bënë përpjekje të mëdha me diplomacinë austro-hungareze dhe përgatitjen e frymës për të bërë mbledhjen e shpalljes së autonomisë dhe më pas pavarësisë.[34] Ismail Qemali u nis më 2 nëntor me avulloren Regele Carol që bënte linjën Stamboll-Kostancë, së bashku me të birin Qazimin dhe Luigj Gurakuqin. Autoritetet austro-hungareze ishin në dijeni të lëvizjeve të tij prej vetë ambasadorit të tyre në Stamboll, Markezi János von Pallavicin. Më 3 nëntor mbërritën dhe u vendosën në hotelin Kontinental në Bukuresht, në kryeqytetin rumun takoi një përfaqësi të kolonisë shqiptare nën drejtimin e Pandeli Evangjeli. Në bazë të një projekt-rezolute të parapërgatitur nga Ismail Beu dhe Gurakuqi para se të venin në Bukuresht, u shtruan bisedimet; rezoluta që doli pas konsultimeve të fundit më 5 nëntor ishte e përgjithshme dhe e mjegullt: nuk dihej se ç'trajtë do të merrte realiteti politik përgjatë dhe pas Luftës Ballkanike që kishte shpërthyer, për osmanët thuhej se "qeveria osmane ndodhet në pamundësi të mbajë administrimin e vendit." Mbrëmjen e po asaj date, Ismail beu u takua me ambasadorin e Austro-Hungarisë në Rumani, Karl Emil Prinz zu Fuerstenberg; ndërkohë që në Vjenë gazeta gjysmëzyrtare Fremdeblatt kishte botuar një paralajmërim të Ministrisë së Jashtme perandorake e mbretërore ndaj Serbisë që nuk duhej të shpërfillte "një faktor kaq të rëndësishëm të situatës ballkanike, siç është ndjenja shqiptare e pavarësisë"
Sipas Vllamasit, ministri i Brendshëm rumun Ionesku, përmes Kristo Meksit i kishte dhënë Ismail Beut një çek prej 500.000 (500) frangash ari për shpenzimet e rastit.
Beratti në kujtimet nga ajo kohë shkruan Ismaili në fakt u takua me Ioneskun, i cili "jo vetëm i shprehu simpati me fjalë të ëmbla, por e trimëroi, e siguroi për ndihmën e Rumanisë dhe në mënyrë efektive u tregua përkrahës i lëvizjes shqiptare që po fillonte." Pasi takoi edhe kryediplomatin osman pasditen e 6 nëntorit, morën fund takimet e Ismail Beut në kryeqytetin rumun.

Të nesërmen pasdite u nis në orën 5 e 30 me tren nga Bukureshti drejt Vjenës, ku u vendos në Grand Hotel. Dihej vetëm se ishte i shoqëruar nga "sekretari i tij", të cilit s'i dihej emri - më 16 gusht 1912 konsulli austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, i referohej Gurakuqit si "sekretar" i Ismail Qemalit. Më 9 nëntor u prit nga gjeneral-majori Blasius Schemua, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave austro-hungareze, në Budapest. Më 10 nëntor Ismail Beu u takua me ambasadorin britanik në Vjenë, Sir Fairfax Cartwright, të cilit i shpjegoi idenë se "Shqipëria mund të ndahej në kantone fisnore," si të modelit zviceran, me një princ të zgjedhur nga Evropa dhe se natyrshëm Ballkani do të ndahej në dy grupe që pashmangshmërisht do të ishin Bullgaria, Serbia e Mali i Zi nga njëra anë dhe Rumania, Shqipëria e Greqia nga tjetra.[40] Më 12 nëntor u shfaq në Ballplatz, ku u takua me zyrtarë të ministrisë, por Pallavicini i rekomandonte Vjenës që nga ky personazh politik. Mbrëmjen e po asaj date mori trenin për Budapest, ku u vendos në hotelin Royal. Ditën në vijim takoi mikun e tij kontin Andrashi, mikun e këtij të fundit Kontin Janos Hadik ish-nënsekretar i shtetit. Konti Hadik i bëri të mundur që të takohej me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë Kontin von Berthold, i cili "miratoi pikëpamjet e mia për çështjen kombëtare dhe pranoi kërkesën e vetme që i bëra: të më vinte në dispozicion një anije, e cila do të më bënte të mundur të arrija në portin e parë shqiptar para mbërritjes së ushtrisë serbe."

Më 17 nëntor u kthye në Vienë, disa nga planet ndryshuan dhe nuk e kishte më të mundur që të shkonte në Romë. Së bashku me Gurakuqin mori trenin ekspres për në Trieste mëngjesin e 19 nëntorit.
Në stacionin e trenit në Trieste, Ismail Beun e priti Mark Kakarriqi, që e shoqëroi në hotelin Excelsior Palace ku dhe priti shqiptarët e Rumanisë me të cilët e kishin lënë që të bëheshin bashkë. Nga ora dy rreth 15 shqiptarë i hypën avullores Brünn të linjës Lloyd dhe në det kaloi në një vapor tjetër të linjës, Graf Wurmbrand diku pranë Kepit të Rodonit. Avullorja Wurmbrand mbërriti në Durrës mëngjesin e datës 21 nëntor.

Mbërritja
Pasi ishte takuar me kreun austro-hungarez të shtatmadhorisë i telegrafoi beledijes së Vlorës ku e priste i biri, Et'hemi, që me 9 nëntor "Arriverai premier bateau. Avenir Albanie assuré."dhe siç vijon i përkthyer në AQSH:

"Ju porosis qi tyke i mbështetur fatit t`atdheut të punoni së bashku e si vëllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme, edhe të ruani qetësiën. I epni rrethevet lajmin e gëzueshme. Ju falem të gjithëve atënisht."

Me të mbërritur në Durrës i shprehu synimet e veta nënkonsullit austro-hungarez Von Rudnay. Klima për këtë nismë ishte parapërgatitur nga Syrjai dhe i biri, pasojë e së cilës ishte edhe marrja në mbrojtje e Ismail Beut nga zëvendësmytesarifi Hamid bej Toptani dhe 500 rezervistët nën komandën e tij. U vendos në hotelin Kostandinopoja pronë e Aziz pashë Vrionit, ku të nesërmen më 22 nëntor priti parinë e Durrësit që t'u shpjegonte situatën, mytesarifi beratas Mahmud Mahiri. Mëngjesin e 23 nëntorit, me një karvan prej 40-50 vetash, i shoqëruar nga Dom Nikollë Kaçorrin si përfaqësues i katolikëve shqiptarë me urdhrin e arqipeshkvit të Durrësit, Abdi e Murat bej Toptani si delegatë të Tiranës, Mustafa Merlika që përfaqësonte Krujën dhe Qemal Karaosmanin që kishte ardhur nga Berati t'i sillte kuaj karvanit për rrugëtimin nga çifligu i Aziz Pashës, u nisën.
Në fillim valiu i Janinës, Esat Pasha, lëshoi urdhër arresti; si pasojë atë natë u ndal në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu dhe biseduan se si të shmangej rruga e Lushnjës, dhe kaloi nga Divjaka. Gjatë rrugëtimit ultësira pjesë-pjesë moçalore e Myzeqesë qe përmbytur nga reshjet që po bienin dhe ishte e pakalueshme, kësodore edhe natën e datës 24 e kaluan duke bujtur në Petoshanj të Libofshës në konakun e Nedim bej Leskovikut. Me ndërhyrjen e Myfid Beut dhe kadiut të Janinës, Esat pashë Janina e tërhoqi urdhërin dhe madje udhëzonte organet që Ismail Beu të pritej njerëzisht. Me datë 25 hëngrën drekë në Fier tek Omer pashë Vrioni dhe u lajmërua nga zyra telegrafike se ushtritë serbe po ia behnin në Durrës dhe Elbasan. Ismail Qemali i udhëzonte: "T'i pritni mirë, me flamurin kombëtar në dorë dhe deklaroni se i pritni si mysafirët e Shqipërisë". Karvani mund të ishte ndarë rrugës, por Ismail Qemali mbërriti në Vlorë me shumë gjasë më 25 nëntor; udhëpërshkrues të tjerë japin edhe datat e dy ditëve pasardhëse. Me t'u përshëndetur nga mësuesi Jani Minga, Ismaili u ndal për darkë te shtëpia e Hasan agë Sharrës në lagjen Muradie (Xhamia e Muradies).

Mbledhja e mëvetësisë dhe formimi i qeverisë
Pasi kushëriri i tij i dytë, mytesarifi i Vlorës Xhemil beu dhe i biri si kapiten i milicisë vendase, Et'hem beu, kishin përgatitur terrenin dhe organizimin e kuvendit duke lajmëruar delegatët. Të gjithë delegatët që kishte me vete u vendosën në selamllëkun e sarajeve të Vlorajve, ku dhe u mbajt Kuvendi që u shpall mëvetësia më 28 nëntor, të cilin e çeli Ismail Qemali me një fjalim.dhe më pas firmosi me siglën Ismaïl Kemal në rezolutën e përpiluar nga sekretarët e mbledhjes, shqip nga Gurakuqi e osmanisht nga Shefqet Dajiu. Kryetar i qeverisë së përtashme u zgjodh Ismaili, ndërsa Kaçorri nënkryetar. Anëtarët e qeverisë u lanë për t'u zgjedhur më 4 dhjetor pasi të vinin edhe delegatët e viseve të tjera,dhe kryetari proklamoi mëvetësinë duke valvitur flamurin në njërën prej dritareve qendrore të selamllëkut të Vlorajve pak pa perënduar.

Qeverisja, misionet diplomatike
Marsin e 1913 u takua me Dukën de Monpensier, që kishte dëshirë të bëhej kandidat i fronit të Shqipërisë, i cili kishte ardhur me jahtin e tij me flamur britanik. Më 1 prill 1913 duka e kaloi në Brindizi, ku më tej do të vazhdonte takimet për çështjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë me Fuqitë në Romë, Vjenë, Paris e sidomos në Londër. Atje shtroi çështjen e kandidat frëng dhe me gjasë edhe të Princit Albert Gjika. Pas punimeve të konferencës në kryeqytetin britanik, u kuptua se gjysma e territoreve shqiptare do t'i mbeteshin fituesve të Luftës Ballkanike.

Intrigat
Diplomatët austo-hungarezë i pohuan Esad Pashës se kompetencat që Europa i njihte Qeverisë së Vlorës përfshinin qeverisjen në gjithë Shqipërinë, dhe i kërkuan atij të bashkëpunonte me qeverinë. Konsujt në Vlorë e këshilluan edhe Ismail Qemalin të bashëpunonte me Esat Pashën, prandaj ky i dha postin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa vetë hoqi dorë nga posti i ministrit të jashtëm dhe ia dorëzoi Myfit Libohovës.
Mirëpo Esat Toptani, si njeri ambicioz që ishte, nuk kënaqej me një post vartës prandaj u largua shumë shpejt nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në shtator 1913 Toptani u vendos në Shqipërinë e Mesme dhe menjëherë filloi propagandën kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë së tij. Ai shrytëzoi pakënaqësinë e opozitës me qeverisjen e Qemalit dhe e grumbulloi atë rreth vetes. Ismail Qemali nuk qëndroi duarkryq. Në shtator shkarkoi mytesarfin e pabindur të Beratit dhe kamejkamin e Peqinit, i cili qe mbështetës i Esat Toptanit. Ministri i Bujqësisë, Abdi Toptani, u shkarkua dhe u zëvendësua nga Hasan Prishtina. Më 12 tetor, Esat Pashë Toptani formoi Pleqësinë e Durrësit dhe pasi forcoi pushtetin në Shqipërinë e Mesme, ktheu vëmendjen e tij kundër Qeverisë së Vlorës, të cilën synonte ta rrëzonte ndërsa dëshironte ta largonte Qemalin pa dinjitet nga drejtimi i shtetit. Kësodore Esat Pasha duke përdorur propagandën e shfrenuar kundër Qemalit për të ulur prestigjinin e këtij, punoi paralelisht për të ngushtuar rrezen ku shtrihej autoriteti i Qeverisë së Vlorës. Për këtë qëllim Toptani bashkëpunoi edhe me Serbinë dhe Greqinë.

Tërheqja
Kandidaturat e xhonturqve për fronin e Shqipërisë ishin Ahmed Izet Pasha për Princin Burhanedin Efendiu, i biri i Sulltan Abdyl Hamidit II që u abdikua po nga Xhonturqit më 1908, dhe nisën drejt Shkodrës disa propagandues të kësaj ideje, mes tyre edhe ushtarakun Beqir Grebenenë. Dy-tre muajt e fundit të 1913 pasi Grebeneja propagandoi në Shkodër, në Tiranë tek Esad pashë Toptani, së fundmi shkoi t'i ofronte edhe Ismail Qemalit të njëjtën ide të kandidaturës princërore, aleancës bullgaro-shqiptaro-turke i kërkoi mbështetje, duke autorizuar zbarkimin dhe kalimin në territoret e qeverisur nga ai Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e mësoi më 2 janar nga anëtari shqiptar, Myfid bej Libohova, pasi që ishin nisur mbi 420 ushtarë osmanë me prejardhje shqiptare.[58] Prej tyre zbarkuan vetëm 6 oficerë së bashku me Beqir Grebenenë, u arrestuan dhe të tjerët nuk u lanë që të zbarkonin. Pas gjyqit që iu bë dhe pohimeve që implikonin Ismail Qemalin, Komisioni i kërkoi që të jepte dorëheqjen, të cilën e dha më 22 janar 1914.

Pasi ia dorëzoi pushtetin Komisionit, u nis në Nicë, ku kishte gruan dhe fëmijët. Nga mesi i majit u kthye në Durrës te Princ Vidi që t'i ofronte shërbimet e tij.[60] Më pas u largua për në Itali në mesin e gushtit 1914.[61] Në dhjetor të 1917 iu dha mandat nga Partia Kombëtare e Shqipërisë për të përfaqësuar koloninë shqiptare të Amerikës në Konferencën e Paqes që do të mbahej në Versajë të Parisit. Por familja e tij u dëbua nga Franca në majin e 1918, dhe së bashku me familje u vendos në Spanjë.

Ceremonia e varrimit dhe rivarrimit

Ndërroi jetë në Peruxhia, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «...Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme... as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit...”.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme Jone të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante Marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et'hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.

Familja
Më 1864 u martua me një vejushe nga Konica, e cila vdiq pasi lindi një vajzë në vitin e parë të jetës bashkëshortore.Vejusha quhej Nasipe hanëmi, dhe ishte kushërirë jo e afërt e Vlorajve, 19 vjeçe kur u martua me Ismail Beun.

Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk, u dashurua, e rrëmbeu dhe u martua me gruan e dytë Kleoniqinë e Anton Surmeliut (fisnik grek i Edernesë), me të cilën pati katër vajza dhe gjashtë djem: Mevedeten (1873-1954), Alijen (xx-1955) dhe Ylvijen (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes; Mahmud beun (1871-1920), Tahir beun (1875-1932), Et'hem beun (1885-1937), Xhevdet beun (1888-1910), Qazim beun (1893-1953) dhe Qamil beun (1895-1950). Kleoniqi vdiq në Spanjë më 1918, ku dhe i prehen eshtrat.

Trashëgimia
Emri
Megjithëse në të gjallë njihej nga bashkëkohësit si Ismail Qemali pasi mori titullin Qemal - i shkëlqyer, në historiografinë shqiptare përgjatë regjimit komunist nuk iu përmend kurrë mbiemri i familjes në mënyrë që të mos i bëhej hije kultit të diktatorit Enver Hoxha. Holta Vrioni këtë mospërmendje të emrit e sheh si pjesë e politikës dhe modës së ideologjisë klasore marksiste, manifestim i luftës së klasave dhe kundër fesë e autoriteteve të saj, e sheh thjeshtëzimin e emrit në Ismail Qemali si mveshje e petkut anonim proletaro-fshatar.

Vlerësimi i mëpasëm
Studjuesja frënge Nathalie Clayer ka konstatuar se figura e Ismail Qemalit u shndërrua në "baba i kombit" pas shpalljes së pavarësisë. Sipas saj shqiptarizmi i tij ka marrë një ngjyrë krejt tjetër nga ai i shqiptaristëve të tjerë, dhe imazhi i tij si udhëheqës i lëvizjes shqiptare është mjaft i mitizuar.
 
Si u sollën eshtrat e Ismail Qemalit në Vlorë

Nga Kastriot Dervishi

Megjithëse kishte vdekur qysh në vitin 1919, qe sjellë nga Italia dhe qe varrosur në Kaninë të Vlorës, varri i kryeministrit të parë shqiptar Ismail Qemali kishte mbetur i harruar dhe pa kujdes, aqsa revista "Minerva" e 8 janarit 1932 shkruan në faqe të parë të saj se ishte "zbuluar" varri i njeriut që zë fillin në krye të listës së kryeministrave të Shqipërisë.

Më mbledhjen e Parlamentit të datës 11 dhjetor 1931, deputeti Petro Poga thotë se ka vizituar së bashku me kolegun e tij Ibrahim Xhindi, varrin e Ismail Qemalit në Vlorë, dhe se është befasuar nga gjendje jo të mirë e varrit. Pasi u bisedua për rregullimin e varrit të Ismail Qemalit, sjelljen e eshtrave të tij në Vlorë si dhe ngritjen e një monumenti këtu, deputeti Abdurrahman Salihu ka thënë se për një qëllim të tillë, Mbreti Zog kishte paguar shumën e 1 mijë frangave ar.

Po në këtë seancë të Parlamentit, deputeti Fejzi Alizoti kishte kërkuar të zbardhej destinacioni i parave të grumbulluara më parë në fillim të viteve 20‑t, për qëllimin e sipërpërmendur, duke bërë përgjegjës për një shpërdorim të tillë Q.K dhe Z.P.

Disa dittë më vonë më 18 dhjetor 1931, në gazetën "Besa", ish prefekti i Vlorës, Zenel Prodani i dërgon një letër të hapur deputetit Fejzi Alizoti, të titulluar "qeveria të hetojë". Midis të tjerash në këtë letër ai thotë:

"Në një diskutim që mbajta me rastin e 28 nëntorit 1922, kur isha prefekt në Vlorë, propozova ngritjen e një monumenti plakut të kombit. Propozimi im u prit me duatrokitje të nxehta dhe pa humbur kohë u formua një komision prej patriotësh të vërtetë e të ndershëm për të përgatitur fushatën e ndihmave. Nga shumë vise të Shqipnis muarëm përgjigje përgëzimesh për iniciativën e marrë dhe s'mungonin të na siguronin se apelit tonë do t'i përgjigjeshin me gjithë shpirt. Megjithë që është kohë e gjatë prej 9 vjetësh dhe është e natyrshme që të mos mbaj mend mirë hollësitë e zhvillimit të çështjes, di me siguri se përveç 4 ‑ 5 napolonash të dërguara nga n/prefektura e Leshit (Lezhës ‑ shënim) dhe diçka nga Vlora, nuk u mblodhnë gjë tjetër sa isha unë atje mbase më vonë u transferova në Berat".


Parlamenti cakton përfaqësuesit e tij për ceremoninë e Vlorës


Më 22 nëntor 1932 nisi punimet Parlamenti shqiptar. Seanca e parë e tij u çel nga deputeti më i vjetër Petro Poga duke patur si sekretar, deputetin më të ri Zoi Xoxa. Në fillim të seancave të para të tij Parlamenti përpara se të zgjidhte kryesinë e tij (më 3 dhjetor), zgjodhi përfaqësuesit e tij në ceremonitë që do të zhvilloheshin në Vlorë për nder të kryeministrit të parë shqiptar Ismail Qemali, të cilët ishin Eshref Frashëri dhe Zoi Xoxa.

Përveç tyre në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësuesi i Mbretit Zog, gjenerali Leon Gilhardi, si dhe përfaqësuesit e qeverisë, Milto Tutulani dhe Hilë Mosi


Ceremonia e zhvilluar në Vlorë

Më 29 nëntor 1932, gazeta "Besa" përshkruan ceremonitë e zhvilluara një ditë më parë në Kaninë dhe Vlorës. Ndër të tjera gazeta shkruan:

"Një brohoritje e zjarrtë dhe e zgjatur që ushtoi tërë sheshin, i përshëndeti autoritetet kur erdhën dhe duartrokitjet vazhduan të paprera gjersa prefekti z.Abidin Nepravshta, u ngrit për të marrë fjalën e hapjes së kremtimit dhe për të përshëndetur përfaqësuesit që kishin ardhur të merrnin pjesë në gëzimin e popullit vlonjat".

Kortezhi i formuar në sheshin e Vlorës ka vazhduar më pas rrugën drejt Kaninës, ku pas hapjes së varrit, trupi i Ismail Qemalit është gjetur pjesërisht i tretur. Pas fotografimit në shumë plane, trupi pa jetë i Qemalit është vendosur në një arkivol të posaçëm.

Me flamurin që është ngritur në Vlorë më 28 nëntor 1912, janë bërë fotografitë e rastit dhe flamuri, nga Et'hem Vlora i dorëzohet prefektit i cili ja jep ministrit të Arsimit Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar.

Ceremonia në Kaninë ia ka lënë radhën asaj të që do të zhvillohej në Vlorë. Nën tingujt e muzikës së përmotshme, trupi i Ismail Qemalit pritet në Vlorë nga formacione paraushtarakësh. Në sheshin qendror të qytetit, gjeneral Leon de Gilhardi, në emër të Mbretit Zog zbuloi pllakën e monumentit të punuar nga skulptori Odise Paskal dhe mbajti fjalën në emër të Mbretit.

Pas tij ministri i Arsimit, Hilë Mosi ka thënë midis të tjerash:

"...I dashtuni Mbreti ynë, Zog I, i frymëzuem nga ndjenja e nderimit për hartonjësin plak të indipendencës sonë, desh që eshtnat e këtij veterani të prehen në një varr madhështor në një shesh të dukshëm historik të qytetit të tij lindor, për t'i simbolizuar brezave të sotëm e të ardhshëm, bindjen e dashuninë që duhet të kenë rrënjosur ndër zemrat e tyne për atdhe e për flamur".

Mesazhin telegrafik të Mbretit në këtë aktivitet e ka lexuar prefekti Nepravishta. Ai kishte këtë përmbajtje:

"Me kënaqësinë ma të madhe marr pjesë në gëzimin e popullit të Vlorës, në këtë ditëlindje për kombin tonë. Sakrificat që ka ba populli i Vlonës për pavarësinë dhe mbrojtjen e atdheut tonë janë fakte patriotizmi ta paharruem. Siguroni popullin kreshnik të Vlonës se bashkë me patriotin e madh të kombit tonë, Ismail Qemali, të gjithë dëshmorët janë gjallë në shpirtin tim".

Aktivitetet e kësaj ditë në Vlorë janë mbylluar me shfaqjen e pjesës teatrore "Agimi i Lirisë" dhe të nesërmen me pjesën "Besa shqiptare".


Kush ishte ISMAIL QEMALI (1844 ‑ 1919)

Lindi më 24 janar 1844 në qytetin e Vlorës në një familje të pasur dhe me tradita. Më 1858 studioi në gjimnazin "Zosimea" të Janinës. Në moshën 16 vjeçare ishte përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Ndoqi studimet në jurisprudencë. Në vitin 1862 ishte zv/drejtor i çështjeve politike në Vilajetin e Janinës. Më 1868 ishte kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë. Më 1870 ishte guvernator i Varnës dhe i Danubit të Poshtëm. Kalon më pas në detyra të tjera të rëndësishme në Perandorinë Osmane. Më 1990 u largua nga Stambolli për të qëndruar përkohësisht në Athinë. Më 1908 vjen në Vlorë dhe zgjidhet deputet i Beratit. Më 5 nëntor 1912 shkoi në Vienë ku bisedoi me përfaqësues të fuqive të mëdha. Inicoi një Kuvend Kombëtar i cili më 28 nëntor 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Me vendim të këtij Kuvendi u emërua kryeministri i parë i Shqipërisë, dhe ushtroi pushtet simbolik në një pjesë të vogël të vendit pasi pjesa më e madhe ishte pushtuar nga hordhitë serbo‑malazeze dhe greke. Dha dorëheqjen më 22 janar 1914 pas të ashtuquajturit komplot të Beqir Grebenesë dhe pushtetin ia dorëzoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas kësaj u largua nga Shqipëria për në Nicë të Francës, për t`u kthyer disa muaj më pas e për t'u larguar sërish në Itali. Vdes në rrethana të dyshimta në Peruxhia të Italisë më 24 janar 1919.

Është botuar libri i tij me kujtime "Kujtime" (anglisht) në Londër më 1920, i cili edhe është ribotuar këto vitet e fundit në Shqipëri.



Fotot:

1‑Ceremonia e zhvarrimit të eshtrave të Ismail Qemalit e zhvilluar në Kaninë.

2‑Momenti i transportimit të eshtrave nga Kanina për në Vlorë. Në qendër të fotos nga e majta gjenerali Leon de Gilhardi.

3‑Ceremonia e zhvilluar në Vlorë. Në qendër të fotos Leon de Gilhardi, Eshref Frashëri, Zoi Xoxa, etj.

4, 5 ‑ Varri i sapopëruruar i Ismail Qemalit..
 

Ismail Qemali që nuk kemi njohur, pa ditëlindje dhe pa mbiemrin Vlora! Kush ishte grekja Kleoniqi Surmeli, zonja e parë e shtetit shqiptar​


50 Facts About Ismail Qemali

lg.php

Ismail Qemali që nuk kemi njohur! Të tjera fakte e dëshmi mbi jetën dhe veprën e themeluesit të shtetit shqiptar u bënë publike për 100-vjetorin e Pavarësisë në vitin 2012.

Këtë radhë është gazetari i njohur Roland Qafoku, i cili pas një hulumtimi të gjatë na sjell një biografi të kompletuar të Ismail Qemal bej Vlorës, duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe veprës së tij. Dokumentari “Jeta e panjohur e Ismail Qemalit” zbulon për herë të parë profilin e plotë të familjes së krijuesit të shtetit shqiptar, raportet e tij me fisin dhe qytetin e lindjes, pronat dhe sarajet e Vlorajve, ku lindi dhe u rrit kryeministri i parë i Shqipërisë, karrierën e Ismail beut në administratën osmane, celebrimin me greken Kleoniqi Surmeli me të cilën pati 10 fëmijë etj. Investigimi i gazetarit i jep zgjidhje dilemës për ditën e lindjes së Ismail Qemalit që përkon çuditërisht me atë të diktatorit Hoxha dhe rrethanave si u shmang nga gjeneralitetet e tij mbiemri Vlora.

Ismail Qemali Jeta E Panjohur Biografia1 Panorama

DITËLINDJA DHE MBIEMRI I HARRUAR
Gjatë 50 viteve të regjimit komunist, në të gjitha tekstet e historisë shkruhej se Ismail Qemali lindi në vitin 1846, pa përmendur ditën dhe muajin. Pa datë e muaj rezultonte edhe në të gjitha tekstet shkollore. Sakaq historiani turk me origjinë shqiptare, Nexhip Alpan, në librin e tij “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, duke iu referuar arkivave të Perandorisë, shkruan se Ismail Qemali ka lindur më 16.10.1846. Pra, në 16 tetorin e famshëm, ku për gjysmë shekulli festohej me madhështi ditëlindja e Enver Hoxhës.
lg.php

Në logjikën e mbrapshtë të regjimit kjo datë nuk mund të ndahej me tjetërkënd, qoftë edhe me themeluesin e shtetit shqiptar, se ndryshe eklipsonte figurën e Zeusit. Zgjidhja ishte gjetur: për ditëlindjen e Hoxhës do tundeshin malet nga festa, për Ismail Qemalin bëhej sikur nuk i dihej data e saktë. E vërteta është se ditëlindja e tij asnjëherë nuk u festua. Një rast pa precedent ky në historinë e burrave të shtetit. Andralla tjetër, tipike komuniste, kishte të bënte me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar. Nuk ka një rast të dytë në historinë e Shqipërisë që t’i ndërrohej mbiemri.

Babai dhe themeluesi i kombit quhej Ismail Qemal bej Vlora, ndërkohë edhe sot shqiptarët vazhdojnë ta quajnë thjesht Ismail Qemali. Ndryshimi në fakt ka nisur që në kohën e mbretërimit të Ahmet Zogut dhe ka vazhduar edhe në regjimin komunist. E ndërsa në vitet ’30 ai quhej pa ndonjë arsye Ismail Qemal, komunistët gjetën arsyen për ta zhdukur fare mbiemrin Vlora. Kështu, pas vitit 1944, historiografët komunistë e zyrtarizuan zëvendësimin e mbiemrit Vlora me titullin turk Qemal, që Ismaili e përdorte prej kohës si hierarki e Perandorisë Osmane. Në asnjë rast nuk përmendet Ismail Qemal bej Vlora, por vetëm Ismail Qemali. Për ironi, duke e justifikuar me famën që kishte marrë tashmë emri i tij, në shumë raste në tekst shkruhet I.Qemali. Komunizmit nuk i shkonte për shtat as titulli bej e as fama e familjes Vlora.

Një familje me identitet të qartë shqiptar, e sërës më të lartë të bejlerëve, por që komunistët për 50 vjet i përndoqën të gjithë pasardhësit e atij që e quanin themeluesin e shtetit shqiptar. Për 50 vjet mbiemri Vlora nuk kishte lidhje me Ismailin që themeloi shtetin. Në të njëjtën kohë, ironikisht, mbiemri Qemali nuk ekzistonte në asnjë regjistër të gjendjes civile, rrjedhimisht kështu, njeriu që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë nuk mund t’i bënte hije kultit të Enver Hoxhës. Ismail Qemali ishte një i
vetëm, pa asnjë lidhje, pa asnjë famë e vlerësim paraardhës dhe pasardhës.

Ismail Qemali Jeta E Panjohur Biografia1 Panorama.al
SARAJET E PANJOHURA
Ismail Qemal bej Vlora ka lindur pikërisht në të njëjtin vend ku pas 70 vjetësh do të shpallte pavarësinë. Deri në vitin 1930, aty ngriheshin sarajet e Vlorajve, me një sipërfaqe 40 mijë metra katrorë, të cilat për afro një shekull ishin bërë simboli i familjes më të rëndësishme në Vlorë e më gjerë. (Në kadastrën e shtetit italian janë regjistruar në vitin 1860). Ato janë ndërtuar nga dy vëllezërit Ismail bej Vlora dhe Beqir bej Vlora. Nga Ismail bej Vlora rrjedh edhe dega e Ismail Qemalit, i cili është nipi i tij, pra djali i djalit. Sarajet ose konaku i Vlorajve, siç njiheshin, ishte rrethuar me mure 8 metra të lartë dhe kishin dy porta. Në hapësirën e sipërfaqes së madhe ishin ngritur dy godina të mëdha: haremi, banesa e grave dhe selamllëku, banesa e burrave. Brenda sarajeve nuk jetuan thjesht bejlerë, por korifenj që do bënin Shqipërinë.

Në morinë e krimeve ndaj familjes Vlora, prishja e sarajeve është nga më të rëndat. Ishte një vulë e thatë dhe një lajmërim që kjo familje dhe mbiemri Vlora jo thjesht nuk do përmendej, por nuk do zihej fare me gojë. Jo thjesht se aty u përkund njeriu që themeloi shtetin shqiptar, jo se aty lindën e u rritën figura të rëndësishme të historisë shqiptare, porse pikërisht aty u ngrit flamuri që simbolizoi shpalljen e Pavarësisë. Tri janë versionet që shpjegojnë arsyet e prishjes së sarajeve: i pari është ai i një tërmeti që ndodhi në Vlorë dhe i shkatërroi plotësisht sarajet. Në fakt, tërmeti i 21 nëntorit të vitit 1930 me epiqendër në Vlorë shënohet si nga më të fuqishmit në historinë e tërmeteve në Shqipëri. Sipas të dhënave të kohës, ai shkaktoi 30 të vdekur dhe afro 100 të plagosur dhe po ky tërmet shkatërroi gjithçka nga sarajet. Versioni i dytë përmban një emër të përveçëm si autor të kësaj prishjeje. Për Ago Agajn, një studiues nga Vlora, që ka botuar librin “Lufta e Vlorës”, autori dhe urdhëruesi i prishjes së sarajeve të Vlorajve është kryetari i Bashkisë së Vlorës, Qazim Kokoshi.

Ago Agaj në librin e tij shkruan: “Sarajet e Vlorajave u prishën nga Qazim Kokoshi, pasi kishte një urrejtje për bejlerët e familjes Vlora, përjashto vetëm Ismail Qemalin”. Por sa e besueshme është kjo, kur ky kryetar Bashkie ishte njëkohësisht edhe një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë? A mundet që firmëtari të shkatërronte vendin ku u ngrit flamuri dhe që ai hodhi atë firmë? A janë të justifikuara gjashtë muaj burg që Kokoshi bëri pas instalimit të komunizimit, i akuzuar për prishjen e godinës ku u ngrit flamuri? Të gjitha këto janë pyetje që ende nuk kanë një përgjigje. Varianti i tretë vjen nga një personazh i rrallë. Quhet Hana Këlcyra, e bija e Ali bej Këlcyrës, vajzë e tezes së Eqrem bej Vlorës, e cila pohon se Eqerem bej Vlora i prishi vetë sarajet e Vlorajve. Po a ishte arsye e madhe kjo që Eqrem bej Vlora prishi sarajet, që duhet thënë se herë banoheshin e herë jo? Herë rikonstruktoheshin e herë liheshin në mëshirën e fatit.


Sidoqoftë, Hëna Këlcyra shprehet se tezja i ka treguar që prishja e sarajeve solli mallkimin e familjes Vlora. Pavarësisht rrethanave si u shkatërruan sarajet e Vlorajve, shkatërrimi i tyre solli mallkimin për gjithçka që kishte lidhje me pasardhësit e Ismail Qemalit dhe gjithkënd që kishte mbiemrin Vlora. Dhe në fakt, përveç lavdisë së ngritjes së flamurit nga Ismail beu, në gjithçka tjetër këtë familje e ndoqi mallkimi.

SHKOLLA
Ishte vetëm 12 vjeç kur Ismail Qemal bej Vlora u fut në gjimnazin “Zosimea”, një shkollë e rrallë që ka nxjerrë ajkën e rilindjes shqiptare, por edhe figura greke nga më të rëndësishmet. Këtë shkollë e kishin themeluar katër të krishterë me emër që kishin bërë pasuri në Rusi dhe, pasi vendosën të mos martohen, e shkrinë të gjithë pasurinë për këtë shkollë. Çudia ishte se djaloshin
ishte se djaloshi me zell të tepruar me emrin Ismail Vlora ishte i vetmi mysliman në shkollë, përballë të gjithë të tjerëve që ishin ortodoksë. Ishte kthyer në ritual që një prift një herë në muaj futej në shkollë dhe bekonte godinën dhe nxënësit. Shkaktonte të qeshura momenti kur prifti i tundte Ismail Vlorës kryqin përpara fytyrës dhe Ismaili sprapsej.

Profesor Omer Efendi dhe profesor Cimas dalluan tek Ismail Vlora një talent të vërtetë. Pasi kishte dalë shkëlqyer në lëndët klasike greqishten e vjetër dhe latinishten, kishte marrë njohuri të shkëlqyera për fizikën dhe matematikën. Miqësia e babait të Ismail Vlorës me Fuad Pashën, ministër i Punëve të Jashtme të Perandorisë, bënë që Ismaili 16 vjeç të shkonte në kryeqytetin e Perandorisë. Fati e deshi që të niste punë si përkthyes në Ministrinë e Jashtme dhe njëkohësisht të niste studimet për jurist në Stamboll, ku edhe u diplomua. Ismail Qemali njihte shumë mirë këto gjuhë të mësuara në programet mësimore: shqip, turqisht, greqisht, frëngjisht, anglisht.

Kleoniqi Surmeli Gruaja E Ismail Qemalit Panorama Al
GRUAJA DHE FAMILJA
Ato që janë shkruar deri tani, veçanërisht për jetën familjare të Ismail Qemal Vlorës, janë në fakt shumë pak. Ismail Qemal Vlora u martua dy herë në jetën e vet. Për herë të parë u martua me një vejushë të re. Nasipe Hanëmi ishte një nga gratë e fisit Vlora, kushërirë jo e afërt, një traditë për martesë nga e njëjta sërë që ruhej prej shekujsh. Nasipe Hanëmi ishte vetëm 19 vjeç dhe kjo martesë u shoqërua me një fat të keq. Vetëm një vit më pas, gruaja bashkë me vajzën që po lindte vdiqën dhe për Ismail Qemalin kjo ishte një humbje e madhe. Por nuk vonoi shumë dhe Ismail beu u martua me një vajzë të re greke. Guvernatori i Danubit të Poshtëm ra në dashuri me Kleoniqi Surmelin, vajzën e Antonit nga Ederneja. Ishte një dashuri me shikim të parë, shumë e rrallë për kohën dhe për një shqiptar të atyre viteve.

Por, jo për Ismail beun, jeta e të cilit ishte e mbushur me të mira. Nuk janë të paktë ata bashkëkohës të Ismail beut që tregojnë se ai ra në dashuri me Kleoniqin falë bukurisë së saj, por që më pas ishte bukuria e shpirtit të kësaj gruaje që e shoqëroi Ismail beun deri në fund të jetës (Fotografia e Kleoniqi Surmelit që botojmë sot, publikohet për herë të parë). Në gjuhën e sotme, kjo është zonja e parë e Shqipërisë. Dhe nëse bëhet një listë me zonjat e para në këta 100 vjet, grekja Kleoniqi është e para fare. Ajo lindi në Bullgari dhe aty kaloi fëmijërinë dhe rininë, derisa u martua me Ismail Vlorën. Ajo i dhuroi Ismail beut 10 fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza.

Ismail beu, duke kujtuar lidhjen dhe martesën me gruan e bukur Kleoniqi, shkruan: “Në fillim ndryshimi në besim fetar qe bërë pengesë për bashkimin tim me këtë zonjushë të re që kisha rënë në dashuri, çka u kundërshtua fort nga njerka e saj. Mirëpo u morëm vesh me vajzën, si dhe me pëlqimin e heshtur të vjehrrit tim të ardhshëm, që ta rrëmbeja dhe kështu bëra një natë. Shtëpitë tona ishin fqinje me njëra-tjetrën dhe sapo e kisha futur vajzën në shtëpinë time, thirra dëshmitarë nga të dyja palët, një prej të cilëve ishte konsulli belg, dhe akti i martesës u hartua e nënshkrua në prani të tyre”. Sidoqoftë, martesa e myslimanit që themeloi shtetin shqiptar dhe vuri kurorë me ortodoksen e bukur nga Greqia, “armike” e shqiptarëve, nuk mund të kalonte pa u përmendur në librat historikë të Ballkanit. Historiani Mark Mazower, në librin e tij “Ballkani, një histori e shkurtër”, spikat këto tri raste unikale për të në Ballkanin e pushtuar nga osmanët:

Dhespoti serb George Brankoviç e martoi vajzën e tij Mara me Sulltan Muratin e Dytë më 1435. Ali Pashë Tepelena u martua me një ortodokse greke, Vasiliqia, për të cilën ndërtoi edhe një kishë. Ismail Qemal bej Vlora hodhi kurorë me një greke duke e rrëmbyer, vetëm e vetëm për të hequr paragjykimet që njerka e saj kishte kundër myslimanëve. Hëna Këlcyra shkruan se Kleoniqi nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Por grekja e bukur nga Adrianopoja, e bija e një fisniku, është bërë shpeshherë motiv për të sulmuar Ismail Qemalin. Akuzat për lidhjen e Ismail beut me Greqinë dhe grekërit nisi nga Kleoniqi e përfundojnë po te Kleoniqi. Aq i thellë ishte ky motiv, sa një studiues i njohur shkruante: “Është e habitshme se si dy antigrekët më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë, Ismail Qemali dhe Andon Zako Ccajupi, i morën gratë greke”.

ANDRALLAT E GRUAS ME ORIGJINË GREKE
Grekja me të cilën Ismail beu bëri 10 fëmijë, i solli edhe ca andrralla në të gjallë e në të vdekur, por sidomos kur as ajo e as ai nuk jetuan. Te Kleoniqi kundërsharët gjetën tabelën e qitjes për ta akuzur themeluesin e kombit si antishqiptar, grekofil në rastin modern dhe grek në rastin e drejtëpërdrejtë. Por gruas së bukur askush nuk ia pa fytyrën. As në familjen Vlora e as jashtë saj. Ajo bëri një jetë në heshtje, larg vëmendjes së njerëzve, aq sa regjimet e të gjitha kohërave nuk ia zunë as emrin në gojë. Ajo rriti me përkushtim dhjetë fëmijët e saj në heshtje pa u bërë protagoniste dhe ndërroi jetë në një nga stacionet e qëndrimit të familjes, në Spanjë. Vdiq në vitin 1918, pra një vit para Ismailit. Edhe sot varri i saj ndodhet atje, i braktisur në dhe’ të huaj. Aq është harruar kjo grua, sa edhe pasardhësit nuk kanë mundur t’i vënë një tufë lule në varrin e saj.

Sarajet E Ismail Qemalit Brenda Panorama Al

Sot ka ardhur koha që krahas burrit që themeloi shtetin shqiptar, t’i japim nderin që i takon edhe zonjës së tij, Kleoniqi Surmelit, që në fund të fundit është edhe zonja e parë e shtetit shqiptar. Paradoksalisht në Spanjë nuk ndodhen vetëm eshtrat e bashkëshortes së Ismail Qemalit, por edhe ato të bashkëshortes së Skënderbeut, Donika Kastrioti. Trupat e tyre të tretur në dheun e largët janë dëshmi e qartë se ç’bëjmë ne shqiptarët me historinë dhe me protagonistët e saj.

Dokumentet konfirmojnë që Ismail beu e shfrytëzoi për bukuri krushqinë me greken Kleoniqi në të mirën e marrëdhënieve dypalëshe. Në vizitën e tij historike në Greqi, më 1 maj 1900, ku pati takime me autoritetet e larta të Athinës dhe u prit me madhështi, ai shkruante: “Jam i sigurt se herët a vonë dashuria e përbashkët për liri e shqiptarëve dhe e grekëve do t’i shpjerë ata drejt një mirëkuptimi e drejt krijimit të një ekuilibri në Gadishullin Ballkanik për të mirën e të gjithëve”. Me Kleoniqi Surmelin Ismail Beu pati “lumturinë”, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë, një fakt ky i lënë në harresë. Shumë të paktë kanë qenë ata që e kanë ditur se themeluesi i shtetit shqiptar kishte dhjetë fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza./Panorama/
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.