Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

James Joyce-Nëna

U

Universal

Guest
a0a1d5ea01676ab45e05427d33eb0f4280b37cb8.jpg


Përktheu: Erion Kristo
Zoti Holohan, sekretari i shoqërisë Eire Abu, kishte bredhur poshtë e përpjetë Dublinit për gati një muaj, me duart dhe xhepat plot me letra, duke u përpjekur të organizonte një seri koncertesh. Ishte i çalë dhe për këtë miqtë e quanin Çalashi Holohan. Ecte vazhdimisht dhe qëndronte për orë tëra nëpër këndet e rrugëve, duke diskutuar për pikëpamjet e tij e duke marrë shënime, por në fund ishte zonja Kerni që organizoi gjithçka.
Zonjusha Devlin ishte bërë zonja Kerni nga inati. Qe edukuar në një kolegj të shkëlqyer, ku kishte mësuar frëngjisht dhe muzikë. Meqë ishte e zbehtë nga natyra dhe e prerë në karakter, në shkollë nuk kishte zënë miq. Pasi arriti moshën e martesës, e dërguan në shumë shtëpi, ku mënyra e saj e të luajturit të muzikës dhe sjelljet e saj të virtytshme ishin të mirëpritura. Ulej në mes të të ftohtit me breroren e talenteve të saj, duke pritur ndonjë lajkatar që t’i afrohej dhe t’i ofronte një jetë të shkëlqyer, por të rinjtë që njihte ishin të zakonshëm dhe asaj nuk i pëlqenin fare, prandaj ngushëllonte dëshirat e saj romantike, duke ngrënë fshehtas një sasi të madhe llokumesh. Megjithatë, kur iu afrua kufirit të moshës dhe kur gjuhët e shoqeve filluan të zgjidheshin, i bëri të heshtnin duke u martuar me zotin Kerni, një këpucar i lagjes Ormond.
Ishte shumë më i moshuar se ajo. Biseda e tij serioze zhvillohej me intervale në mjekrën e madhe ngjyrë gështenjë. Pas vitit të parë të jetës bashkëshortore, zonja Kerni kishte kuptuar se një njeri i tillë do të rezistonte më shumë se një person romantik. Ishte esëll, kursimtar dhe i devotshëm. Shkonte të falej çdo të premte, herë - herë me të, por më shpesh vetëm. Nëpër festat në shtëpitë e huaja, kur ajo ngrinte padukshmërisht vetullat, ai ngrihej për të ikur dhe kur mundohej nga kolla, ajo i hidhte jorganin prej puplash dhe i bënte ponç me rum. Ai ishte një baba model. Duke i paguar një shoqërie një shumë modeste çdo javë, i kishte siguruar të dy vajzave një pajë prej 100 sterlinash. E kishte çuar vajzën e madhe, Katlinin, në një manastir të mirë, ku kishte mësuar frëngjisht dhe muzikë e më pas i kishte paguar mësimet në konservator.
Kur Rilindja Irlandeze filloi të ndihej, zonja Kerni vendosi të përfitonte nga emri i vajzërisë dhe solli një mësues të gjuhës irlandeze në shtëpi. Katlini dhe motra e saj u dërguan kartolina irlandeze të ilustruara miqve të tyre dhe miqtë po ashtu u dërguan atyre kartolina irlandeze të ilustruara. Të dielave, kur zoti Kerni shkonte me familjen në katedrale, pas meshës, një turmë e vogël njerëzish mblidhej në këndin e rrugës Katedrale. Ishin të gjithë miq të Kernit, të apasionuar pas muzikës ose patriotë. Pasi mbaronin gjithë thashethemet, shtrëngonin duart me njëri tjetrin të gjithë së bashku dhe përshëndeteshin në gjuhën e tyre, duke qeshur nga kryqëzimi i kaq shumë duarve. Shumë shpejt, emri i Katlin Kernit filloi të flitej në gojët e njerëzve. Njerëzit thoshin se ishte muzikante e mirë dhe një vajzë shumë e dashur, e përveç këtyre, besonte në lëvizjen gjuhësore. Zonja Kerni ishte shumë e kënaqur. Prandaj nuk u çudit, kur një ditë, zoti Holohan shkoi tek ajo me propozimin që e bija të ishte shoqëruese në një seri prej katër koncertesh, që shoqëria e tij do të jepte në Sallën Antike të koncerteve. E shoqëroi në sallon, e uli dhe nxori një çajnik bashkë me kutinë e biskotave. Hyri me mish e me shpirt në hollësitë e iniciativës, këshilloi e shkëshilloi dhe në fund u hartua një kontratë, ku Katlini do të merrte tetë gine për shërbimet e saj si shoqëruese në piano në katër koncertet e mëdha.
Meqë zoti Holohan ishte fillestar në punë të tilla, zonja Kerni e ndihmoi të përgatiste numrat e programit. Kishte takt. E dinte se cili artist duhej të shfaqej me germa të mëdha dhe cili artist me germa të vogla. E dinte se tenorit të parë nuk do t’i pëlqente të dilte në skenë pas një skeçi të zotit Mid. Që publiku të kënaqej vazhdimisht, futi disa numra të pasigurt midis sukseseve të vjetra. Zoti Holohan i bënte vizita çdo ditë për t’u këshilluar. Ishte gjithmonë e përzemërt dhe plot me këshilla. Një mikeshë e vërtetë. Shtynte çajnikun drejt tij duke thënë:
“Pi, zoti Holohan ! Mos ki gajle !”
Gjithçka shkoi si në vaj. Zonja Kerni bleu tek Braun Tomasi, një fustan të kuq të mrekullueshëm për Katlinin. Kushtoi goxha, por ka raste kur lejohet të shpenzosh pak. Mori një duzinë bileta nga dy shilinga për koncertin final dhe ua dërgoi atyre miqve, të cilët nuk vinin ndryshe. Nuk harroi asgjë dhe falë saj, gjithë ç’mund të bëhej u bë.
Koncertet do të jepeshin nga e mërkura në të shtunë. Kur zonja Kerni shkoi të mërkurën në mbrëmje me të bijën në Sallën Antike, nuk i pëlqyen gjërat që pa. Ca të rinj, me distinktiva blu nëpër xhaketa, qëndronin pa bërë asgjë në dhomën e zhveshjes dhe askush nuk kishte veshur kostum mbrëmjeje. Kaloi tej me të bijën dhe me një shikim të shpejtë përmes portës së hapur, kuptoi pse portierët ishin kaq të plogët. Në fillim pyeti nëse kishte gabuar orën. Jo, donte dhe 20 minuta të shkonte ora tetë.
Në dhomën e zhveshjes, pas skenës, u njoh me sekretarin tjetër të shoqërisë, zotin Ficpatrik. Buzëqeshi dhe i shtrëngoi dorën. Ishte një burrec fytyrëbardhë. Vuri re se mbante me kujdes një kapele kafe të flashkët majë kokës dhe kishte një theks të shtruar. Në dorë mbante një program dhe ndërsa fliste, këputi një copë nga programi. Dukej se i përballonte me qejf zhgënjimet. Zoti Holohan hynte çdo minutë, duke sjellë lajme nga shitësi i biletave. Artistët flisnin me shqetësim mes tyre, duke hedhur kohë pas kohe shikime në pasqyrë dhe duke mbledhur partiturat. Kur shkoi ora tetë e gjysmë, njerëzit e pakët në sallë filluan të shfaqnin dëshirën për t’u argëtuar.
Zoti Ficpatrik hyri, i buzëqeshi vakët sallës dhe tha:
“Zonja dhe zotërinj. Besoj se është më mirë të fillojmë me kërcimet”.
Zonja Kerni e shoqëroi rrokjen e fundit me një shikim përçmues, pastaj i tha së bijës me zë inkurajues:
“Je gati e dashur ?”
Kur i erdhi rasti, e mori mënjanë zotin Holohan dhe i kërkoi shpjegime. I tha se komiteti kishte gabuar me katër koncertet; katër ishin shumë.
“Kurse artistët, natyrisht bëjnë ç’është e mundur, por në të vërtetë nuk vlejnë hiç”.
Zoti Holohan e pranoi që artistët nuk vlenin hiç, por komiteti kishte vendosur që tre koncertet e para të iknin kot për të ruajtur talentet për koncertin e fundit të së shtunës. Zonja Kerni nuk tha asgjë, por ndërsa numrat mediokër vazhdonin në skenë dhe publiku pakësohej vazhdimisht, filloi të pendohej për shpenzimet që kishte bërë për një koncert të tillë. Kishte diçka që nuk shkonte në mënyrën se si paraqiteshin gjërat dhe buzëqeshja e vakët e zotit Ficpatrik e acaronte së tepërmi. Megjithatë, nuk tha asgjë dhe priti të shihte se si do të mbaronte. Koncerti mbaroi pak para orës dhjetë dhe të gjithë nxituan për në shtëpitë e tyre.
Koncerti i së enjtes mbrëma kishte më shumë njerëz, por zonja Kerni e kuptoi menjëherë se teatri ishte mbushur me biletat falas. Publiku u soll padenjësisht, sikur koncerti të ishte një provë e zakonshme pa përgjegjësi. Zoti Ficpatrik dukej se po kënaqej, ndërsa zonja Kerni po nxehej me qëndrimin e tij. Ai qëndronte në cep të siparit, duke nxjerrë herë pas here kokën dhe duke shkëmbyer të qeshura me dy miq në këndin e ballkonatës. Gjatë mbrëmjes, zonja Kerni mori vesh se koncerti i së premtes nuk do të shfaqej dhe se komiteti kishte tundur qiell e dhe’ për të shitur të gjitha biletat e së shtunës. Kur dëgjoi këtë, shkoi të gjente zotin Holohan. E zuri ndërsa dilte duke çaluar, me një gotë limonatë për një zonjushe dhe e pyeti nëse ishte e vërtetë. Po, ishte e vërtetë.
“Natyrisht kjo nuk e ndryshon kontratën” tha. “Kontrata ishte për katër koncerte”.
Zoti Holohan dukej se nxitonte; e këshilloi të fliste me zotin Ficpatrik. Zonja Kerni tani filloi të trembej. E thërriti zotin Ficpatrik nga sipari dhe i tha se e bija ishte impenjuar për katër koncerte dhe sipas pikave të kontratës duhej të merrte shumën e vendosur që në fillim, pavarësisht nëse shoqëria jepte apo jo katër koncerte. Zoti Ficpatrik që nuk e kuptoi menjëherë ç’po ndodhte, u duk i paaftë për ta zgjidhur çështjen dhe tha se do t’ia paraqiste komitetit për shqyrtim. Inati i zonjës Kerni filloi të lëvizte shpejt nëpër faqet e saj dhe iu desh të përmbahej nga të pyeturit:
“E kush është Komiteti, të lutem?”
Por e dinte se nuk ishte e hijshme, ndaj heshti.
Të premten në mëngjes nëpër rrugët e Dublinit u shpërndanë djem me pako me reklama. Reklama të veçanta dolën në të gjitha gazetat e mbrëmjes, duke i kujtuar dashamirësve të muzikës se çfarë kënaqësie i priste mbrëmjen pasardhëse. Zonja Kerni u qetësua pak, por i tregoi bashkëshortit gjithë dyshimet e saj. Ai e dëgjoi me vëmendje dhe tha se më mira do ishte që ai ta shoqëronte të shtunën në mbrëmje. Ajo pranoi. E respektonte të shoqin pikërisht siç respektonte postën qendrore, si diçka të gjerë, të sigurt dhe të qëndrueshme; e megjithëse e njihte mirë, e vlerësonte si mashkull. Ishte e kënaqur që i kishte propozuar për të ardhur me të.
Erdhi mbrëmja e koncertit të madh. Zonja Kerni, me gjithë burrin dhe të bijën, mbërritën në Sallën Antike tre çerek ore përpara fillimit të koncertit. Fati e donte që atë mbrëmje të binte shi. Zonja Kerni i la të shoqit rrobat dhe partiturat e së bijës dhe brodhi tërë ndërtesën në kërkim të zotit Holohan e të zotit Ficpatrik. Nuk arriti të gjente asnjë prej të dyve. Pyeti portierët nëse kishte ndonjë nga komiteti në sallë dhe pas shumë vështirësish, një portier solli një farë gruaje, zonjushën Beirn, së cilës zonja Kerni i tha se kërkonte ndonjë nga sekretarët. Zonjusha Beirn po i priste të vinin nga çasti në çast dhe e pyeti nëse mund të bënte ndonjë gjë për të. Zonja Kerni i hodhi një shikim depërtues fytyrës së saj të shkuar në moshë dhe iu përgjigj:
“Jo, faleminderit !”
Zonjusha Beirn shpresonte që teatri të ishte plot. Pa shiun jashtë, derisa trishtimi i rrugës së lagur fshiu gjithë besimin dhe entuziazmin e fytyrës së saj të shtrembër. Pastaj psherëtiu lehtë dhe tha:
“Ah, po ! Një Zot e di sa jemi përpjekur”.
Zonja Kerni u kthye në dhomën e zhveshjes.
Artistët po vinin. Basi dhe tenori i dytë kishin mbërritur. Basi, zoti Dugan, ishte një i ri thatim me mustaqe të zeza të rralluara, biri i një portieri të një zyre në qytet dhe kur ishte fëmijë kishte kënduar nota basi të zgjatura në hyrjen plot me jehonë të zyrës së t’et. Nga një gjendje e tillë e përulur ishte ngritur, derisa ishte bërë një artist i klasit të parë. Ishte shfaqur në një opera lirike. Një mbrëmje, pasi ishte sëmurur një artist, kishte luajtur pjesën e mbretit në operën Maritana, në teatrin e Mbretëreshës. I këndoi ariet e veta me shumë ndjenjë e volum dhe u prit ngrohtë nga publiku. Megjithatë, nuk bëri figurë të mirë, ngaqë pastronte pa dashur hundët me duart me dorashka. Ishte modest dhe fliste pak. I thoshte ju-të dhe ti-të me një zë kaq të ulët, saqë askujt nuk i binin në sy dhe nuk pinte kurrë ndonjë gjë më të fortë se qumështi, për zërin e tij. Zoti Bel, tenori i dytë, ishte një burrec biond që çdo vit konkurronte për çmimin Feis Koil. Në provën e tij të katërt kishte fituar medaljen e bronztë. Ishte tej mase nervoz dhe xheloz ndaj tenorëve të tjerë, dhe e fshihte xhelozinë me një miqësi të tepruar. Ishte i prirë nga karakteri t’i shpjegonte njerëzve, se çfarë mundimi ishte një koncert për atë. Prandaj, kur pa zotin Dugan, iu afrua dhe e pyeti:
“Edhe ju do të këndoni ?”
“Po !”, tha zoti Dugan.
Zoti Bel qeshi me shokun e vet, i shtriu dorën dhe tha:
“Jepe këtu !”
Zonja Kerni kaloi përtej dy të rinjve dhe shkoi tek cepi i siparit për të parë teatrin. Vendet po mbusheshin me shpejtësi dhe njerëzit dukeshin në humor. U kthye pas dhe filloi të fliste mënjanë me të shoqin. Biseda e tyre kishte të bënte me Katlinin, sepse e shikonin shpesh, ndërsa fliste në këmbë me një nga shoqet e saj patriote, zonjushën Hejli, kontralton. Një grua e panjohur dhe e vetmuar, me fytyrë të zbehtë, ecte nëpër dhomë. Gratë ndiqnin me sy të rreptë fustanin blu veshur shtrëngueshëm në atë trup të dobët. Dikush tha se ishte zonja Glin, sopranoja.
“Pyes veten se ku e kanë gjetur”, i tha Katlini zonjushës Hejli. “Jam e sigurt që s’kam dëgjuar të flitet ndonjëherë për të”.
Zonjushës Hejli iu desh të qeshte. Zoti Holohan në atë çast hyri duke çaluar në dhomën e zhveshjes dhe dy zonjushat e pyetën se kush ishte e panjohura. Zoti Holohan u tha se ishte madamë Glin nga Londra. Madamë Glini ndenji në një cep të dhomës, duke mbajtur rreptë përpara vetes një partiturë muzikore dhe duke ndryshuar kohë pas kohe drejtimin e shikimit të saj të trembur. Zhurma në sallë filloi të dëgjohej më shkoqur. Tenori i parë dhe baritoni erdhën së bashku. Ishin veshur mirë, të shëndetshëm e të kënaqur sollën një frymë ngrohtësie në shoqëri.
Zonja Kerni u afrua me të bijën dhe filloi të fliste ëmbël me ta. Donte ta kishte mirë, por ndërsa sforcohej të ishte e sjellshme, sytë e saj ndiqnin lëvizjet e çala dhe gjarpëruese të zotit Holohan. Kur mundi, u shkëput prej tyre dhe i shkoi pas.
“Zoti Holohan, doja t’ju flisja një minutë”, tha.
Të dy u drejtuan në një kënd të fshehtë të korridorit. Zonja Kerni e pyeti se kur do ta paguanin të bijën. Zoti Holohan i tha se një detyrë të tillë e kishte zoti Ficpatrik. E bija kishte firmosur një kontratë prej tetë ginesh dhe duhej të paguhej. Zoti Holohan tha se nuk ishin punët e tij.
“Përse nuk janë punët tuaja ?”, pyeti zonja Kerni. “A nuk e sollët ju kontratën ? Megjithatë, nëse nuk janë punët tuaja, janë punët e mia dhe dua të di ç’bëhet”.
“Do bëje mirë të flisje me zotin Ficpatrik”, tha zoti Holohan prerë.
“Nuk di asgjë për zotin Ficpatrik”, përsëriti zonja Kerni. “Kam kontratën time dhe kam ndërmend ta respektoj”.
Kur u kthye në dhomën e zhveshjes, faqet i kishte të ndezura. Dhoma ishte gjallëruar. Dy njerëz me kostum mbrëmjeje rrinin pranë oxhakut dhe bisedonin me qejf me zonjushën Hejli dhe baritonin. Ishin gazetari i “Frimanit” dhe zoti O’Maden Burk. Gazetari i “Frimanit” kishte hyrë për të thënë se nuk mund ta shihte koncertin, sepse duhej të bënte kronikën e konferencës që një prift amerikan mbante në Mansion Hauz. Tha që t’ia linin kronikën e koncertit në zyrën e “Frimanit” dhe se ai do ta fuste në gazetë. Ishte një burrë me flokë ngjyrë gri, me një zë bindës dhe i zellshëm. Mbante në duar një cigare dhe aroma e tymit fluturonte pranë. Nuk kishte qëllim të rrinte as edhe një minutë, sepse koncertet dhe artistët e mërzisnin tmerrësisht, por vazhdonte të qëndronte i mbështetur pranë oxhakut. Zonjusha Hejli rrinte para tij në këmbë, duke folur e qeshur. Ishte mjaft plak për të dyshuar ndonjë arsye për tërë atë mirësjellje, por mjaft i ri në shpirt për të mos nxjerrë ndonjë përfitim nga ato çaste. Shqisat e tij ishin të tërhequra nga ngrohtësia, aroma dhe ngjyra e atij trupi. Ishte i ndërgjegjshëm se gjoksi që ulej dhe ngrihej përpara tij, se të qeshurat, aroma dhe shikimet joshëse i dhuroheshin atij. Kur nuk mundi të ëndërronte më gjatë e përshëndeti i pakënaqur.
“O’Maden Burku do ta shkruajë artikullin”, i shpjegoi zotit Holohan, “dhe unë do ta fus në gazetë”.
“Faleminderit pafundësisht, zoti Hendrik”, tha zoti Holohan. “E di që do ta bëni. A do të pini ndonjë gjë para se të ikni ?”
“Me kënaqësi”, tha zoti Hendrik.
Dy burrat u drejtuan përgjatë korridoreve të ngushta dhe nëpër një shkallë të errët arritën në një dhomë të veçuar, ku një nga portierët po hapte ca shishe me pije. Ndërkohë O’Maden Burku e kishte zbuluar dhomën me nuhatje. Ishte një burrë i këndshëm, i moshuar, por e mbante drejt trupin e fuqishëm, kur pushonte nën një ombrellë të madhe mëndafshi. Emri i shkëlqyer i lindjes ishte si një tjetër ombrellë mbi të cilën qëndronte në ekuilibër problemi i financave të tij. Ishte shumë i respektuar.
Ndërsa zoti Holohan po bisedonte me gazetarin e “Frimanit”, zonja Kerni fliste kaq ashpër me të shoqin, saqë ai i kërkoi të ulte zërin. Në dhomën e zhveshjes biseda me të tjerët ishte bërë e rreptë. Zoti Bel, numri i parë, ishte në këmbë gati me partiturat e tij, por shoqëruesja dukej se nuk donte të lëvizte. Diçka nuk shkonte. Zoti Kerni shikonte drejt përpara vetes, duke lëmuar mjekrën, ndërsa zonja Kerni fliste në veshin e Katlinit me forcë. Nga salla vinin tinguj inkurajimi, përplasje duarsh dhe këmbësh. Tenori i parë, baritoni dhe zonjusha Hejli rrinin bashkë, duke pritur të qetë, por nervat e zotit Bel ishin shumë të tronditura, sepse kishte frikë mos publiku mendonte se kishte ardhur me vonesë.
Zoti Holohan dhe zoti O’Maden Burk hynë në dhomë. Iu afruan zonjës Kerni dhe i folën rreptë. Ndërsa flisnin, zhurma në sallë bëhej edhe më e fortë. Zoti Holohan u skuq dhe u nxeh. Fliste shpejt, por zonja Kerni thoshte prerë:
“Nuk do të vazhdojë. Duhet të marrë tetë ginetë që i takojnë”.
Zoti Holohan tregoi me dëshpërim sallën ku publiku përplaste duart dhe këmbët. I foli edhe zotit Kerni dhe Katlinit, por zoti Kerni vazhdonte të lëmonte mjekrën e vet dhe Katlini e mbante kokën ulur, duke luajtur majën e këpucës së re. Nuk ishte faji i saj. Zonja Kerni përsëriti:
“Nuk do të vazhdojë pa marrë paratë”.
Pas një dueli me fjalë, zoti Holohan u nis me shpejtësi duke çaluar. Dhoma ishte e heshtur. Kur nga heshtja tensioni u bë më i fortë, zonjusha Hejli i tha baritonit:
“A e patë zonjën Pat Kampbell këtë mbrëmje ?”
Baritoni nuk e kishte parë, por i kishin thënë se ishte shumë mirë. Biseda nuk vazhdoi më gjatë. Tenori i parë përkuli kokën dhe filloi të numëronte hallkat e zinxhirit të artë që kishte varur në brez, duke buzëqeshur dhe duke kënduar nota kot më kot me gojën mbyllur. Kohë pas kohe, të gjithë i hidhnin ndonjë shikim zonjës Kerni.
Zhurma në sallë ishte kthyer në potere, kur zoti Ficpatrik u vërsul në dhomë, ndjekur nga zoti Holohan që gulçonte. Në sallë kishin filluar fishkëllimat. Zoti Ficpatrik mbante në duar disa bankënota. Numëroi katër duke ia vënë në dorë zonjës Kerni dhe i tha se do ta merrte pjesën tjetër gjatë pushimit.
“Mungojnë katër shilinga”, tha zonja Kerni.
Por Katlini mori pelerinën dhe ia priti:
“Shkojmë zoti Bel, për numrin e parë”. Këngëtari dhe shoqëruesja dolën bashkë. Poterja në sallë u pakësua, u bë një heshtje prej disa sekondash, pastaj u dëgjua pianoja.
Pjesa e parë e koncertit pati shumë sukses, përveç numrit të madamë Glinit. Zonja e shkretë e këndoi “Kilarnein” me një zë të lodhur, me të gjitha manierizmat e intonimit dhe theksimit, që besonte se e bënin elegante këngën e saj. Dukej sikur ishte ringjallur nga ndonjë rekuizitë teatri dhe salla u tall me notat e larta dhe qaramane të saj. Megjithatë, tenori i parë dhe kontraltua e shkundën teatrin nga duartrokitjet. Katlini luajti disa pjesë të zgjedhura ariesh irlandeze dhe u duartrokit bujarisht. Pjesa e parë mbaroi me një pjesë prekëse patriotike, recituar nga një zonjushe që organizonte koncerte për amatorë. U duartrokit me meritë dhe kur mbaroi, njerëzit dolën të kënaqur.
Gjatë gjithë kësaj kohe dhoma e zhveshjes ishte si një koshere e tollovitur. Në një kënd ishin zoti Holohan, zoti Ficpatrik, zonjusha Beirn, dy nga portierët, baritoni, basi dhe zoti O’Maden Burk. Zoti O’Maden Burk tha se ishte skena më skandaloze që kishte parë ndonjëherë. Pas kësaj, karriera muzikore e zonjës Katlin Kerni në Dublin ishte e mbyllur. E pyetën baritonin se çfarë mendonte për sjelljen e zonjës Kerni. Ai nuk kishte dëshirë të fliste. Ia kishin paguar lekët që i takonin dhe donte të ishte në paqe me të gjithë. Megjithatë, tha se zonja Kerni mund t’i kishte vlerësuar pak më tepër artistët. Portierët dhe sekretarët diskutonin me zjarr se ç’duhej të bënin gjatë pushimit.
“Jam dakord me zonjushën Beirn”, tha zoti O’Maden Burk. “Mos i jepni asgjë”.
Në cepin tjetër të dhomës ishte zonja Kerni me të shoqin, zoti Bel, zonjusha Hejli dhe zonjusha që kishte recituar pjesën patriotike. Zonja Kerni tha se komiteti e kishte trajtuar në mënyrë skandaloze. Nuk kishte kursyer as mundim, as shpenzime dhe ja se si e shpërblyen.
Mendonin se kishin të bënin vetëm më një çupërlinë dhe se mund të silleshin pa respekt, por ajo do t’u tregonte se gaboheshin. Nuk do të kishin guxuar ta trajtonin ashtu, sikur të kishte qenë burrë. Ajo do të bënte që e bija të fitonte të drejtat e saj. Asnjë nuk mund t’ia hidhte. Nëse nuk i paguanin deri edhe shilingën e fundit, në Dublin nuk do të flitej për gjë tjetër. Natyrisht i vinte keq për artistët, por ç’mund të bënte tjetër ? Iu drejtua tenorit të dytë, i cili tha se sipas tij nuk e kishin trajtuar mirë. Pastaj iu drejtua zonjushës Hejli. Zonjusha Hejli donte të bashkohej me grupin tjetër, por nuk mundej, sepse ishte mikeshë e Katlinit dhe Kernët e kishin ftuar shpesh në shtëpinë e tyre.
Sapo mbaroi pjesa e parë, Zoti Ficpatrik dhe zoti Holohan iu afruan zonjës Kerni dhe i thanë se katër ginitë e tjera do t’i paguheshin pas mbledhjes së komitetit të martën e ardhshme dhe nëse e bija nuk do të luante në pjesën e dytë, komiteti do ta quante të prishur kontratën dhe nuk do t’i paguante asgjë.
“Unë nuk pashë ndonjë Komitet”, tha zonja Kerni hidhur. “Vajza ime ka kontratë. Ose do të marrë katër ginetë, ose këmba e saj nuk shkel në skenë”.
“Çuditem me ju zonja Kerni”, tha zoti Holohan. “Nuk do ta kisha besuar kurrë se do të na trajtonit në këtë mënyrë”.
“Po ju në ç’mënyrë më trajtuat ?”, pyeti zonja Kerni.
Fytyra i kishte marrë një ngjyrë të hidhur dhe dukej se donte t’i mbyste.
“Po kërkoj të drejta e mia”, tha.
“Ndoshta duhet të jesh pak më me cipë”, tha zoti Holohan.
“Ashtu, hë ?.. Por kur ju pyes se kur do të paguhet ime bijë, nuk më jep askush ndonjë përgjigje të sjellshme”.
Tundi kokën dhe imitoi me një zë të çjerrë:
“Duhet të flas me sekretarin. Nuk është puna ime. Jam i mirë për-të-bërë-mashtruesin-unë”.
“Mendoja se ishit një zonjë” tha zoti Holohan, duke u larguar befas nga ajo.
Pas kësaj, sjellja e zonjës Kerni u përçmua nga të gjithë. Të gjithë miratuan atë që kishte thënë komiteti. Ajo qëndronte tek porta, si e ndërkryer nga tërbimi, duke diskutuar me të shoqin dhe të bijën. Priti deri në çastin kur fillonte pjesa e dytë me shpresën që sekretarët t’i afroheshin, por zonjusha Hejli kishte pranuar të luante disa pjesë në piano. Zonjës Kerni iu desh të mënjanohej për të lejuar baritonin dhe shoqëruesen e tij të shkonin drejt e në skenë. Qëndroi e palëvizur për një çast, si një imazh i hirtë guri dhe kur tingujt e parë të këngës i erdhën në vesh, mbërtheu mantelin e së bijës dhe i tha të shoqit:
“Gjej një karrocë !”
Ai doli menjëherë. Zonja Kerni e mbështolli të bijën me mantel dhe e ndoqi pas. Ndërsa kapërcente pragun, u ndal dhe i hodhi një shikim të rreptë në fytyrë zotit Holohan.
“Me ju nuk mbaron këtu”, tha.
“Kurse me ju mbaron”, tha zoti Holohan.
Katlini ndoqi të ëmën butësisht. Zoti Holohan filloi të ecte poshtë e përpjetë nëpër dhomë për t’u qetësuar, sepse e ndiente lëkurën si prush.
“Ç’zonjë e bukur !”, tha. “Oh, ç‘zonjë e bukur !”
“Veproi drejt, Holohan”, tha zoti O’Maden Burk,duke u mbështetur i sigurt në ombrellën e vet.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.