Japrakë me lakër të bardhë
Përbërësit
1 lakër e bardhë mesatare
500 gr mish të grirë
200 gr oriz
1 qepë e thatë
1 qepë e njomë
1 karrotë
Vaj ulliri
Kripë
Piper i zi
Majdanoz/kopër/nenexhik
Për salcën:
2 të verdha veze
2 limona
1 lugë niseshte
Kopër
Përgatitja
Lakrës së bardhë i heqim pjesën e bishtit duke formuar një vrime. Në ujin që po zien, e vendosim lakrën me vrimen për poshtë dhe e ziejmë për 10 min afërsisht duke i shkëputur fletët një e nga një.
Bashkojmë mishin e grirë me orizin, qepët e grira imët, 1/4 nga tufat e majdanozit, koprës dhe nenexhikut, shtojmë kripën dhe piperin dhe formojmë brumin me të cilin do të mbushim japrakët.
Marrim gjethet një e nga një, heqim kërcellin e trashë dhe i mbushim me një lugë gjelle mbushje ose 2 nëse gjethet janë shumë të mëdhaja. I rrotullojmë duke i mbështjellë dhe i vendosim në një tavë ku në fund kemi shtruar disa fletë lakre bashkë me degë nga erëzat. I vendosim në rradhë deri lart në tenxhere, i mbulojmë me ujë, shtojmë vaj ulliri, vendosim një pjatë lart dhe i lëmë të ziejnë për 1,5 orë në temperaturë mesatare, duke shtuar ujë herë pas here në mënyre që të ketë deri në lartësinë e pjatës.
Për salcën do rrahim të verdhat e vezëve me lëngun e 2 limonave. Shtojmë niseshte, kripë si dhe e hollojmë me lëngun e tenxheres që po zien në mënyrë që të bëjmë lidhjen. Më pas e shtojmë brënda në tenxhere duke e tundur atë, që salca të shkojë kudo dhe të lidhet dhe me pjesën tjetër të lëngut të japrakëve.