Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Kadareja dhe Sunduesit

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,953
Historia e poetit rus Mandelshtam që e quajti Stalinin “Maloku i Kremlinit”, dhe ngjashmëria e tij me shumë poetë, ish të burgosur politikë në Shqipëri, pak dekada më pas, që shkruanin “ Unë, komunisti, pa parti”. Përsiatje e Ismail Kadaresë rreth misterit të telefonimit Stalin-Pasternak në vitin 1934 në librin “Kur sunduesit grinden” dhe një paralele me Shqipërinë nën regjimin e Enver Hoxhës.

SHKRIMTARI PËRBALLË DIKTATURËS

Përsiatje rreth librit të shkrimtarit Ismail Kadare, “KUR SUNDUESIT GRINDEN”

Bedri Islami

Në majin e vitit 1934 një ngjarje e rëndë tronditi Moskën. Njëri nga poetët më të mëdhenj të vendit, Osip Mandelshtami, është arrestuar. Lajmi, sado i pabesueshëm që mund të dukej, është jo vetëm i vërtetë, por rreth tij sillen gjithëfarë hamendjesh, që nga shkaqet më absurde, që shkonin drejt shëmrive të grave, si më të ëmblat dhe njëherësh më të hidhurat në sherrnajat e tyre, dhe deri tek poezia e tij për “Malokun e Kremlinit”, nëntor 1933, e cila, megjithëse e pabotuar dhe as nuk mund të ëndërrohej botimi i saj, ishte tashmë e njohur, pasi poeti, në atë çastin e budallshëm të shpalljes së krijimit të tij, e kishte lexuar mes miqve të shumtë, poetë, si ai. Nga çasti i leximit deri tek arrestimi i tij kishin shkuar veçse disa ditë, çka tregonte se mes dishepujve të poezisë ruse kishte pasur më shumë se sa një Judë, çka ndodh jo rrallë në vendet ku egërsia e shtetit ka gjetur binjakët e vet në egërsinë lakmitare të poetëve.

Çështja Mandelshtam merr trajta të çuditshme e të ankthta. Mbi gjithçka sillet hija e keqe, e rëndë dhe mizore e njeriut që mund të kishte urdhëruar këtë arrestim, fijet e të cilit shtrihen në të gjithë atë hapësirë poetike, që mund të quhet miqtë e poetit të arrestuar. Për më tepër, poeti është nga një familje hebraike intelektuale, përherë i dyzuar, mes asaj që i kishte sjellë vrulli i parë përkrahës i revolucionit, dhe përmes këtij vrulli kishin kaluar dy arrestimet e para, kësaj here, që të dyja nga forcat e bardha, dhe, më pas, mendimi i qartë , “për mua s’pyet njeri në botë/As ju, o jetë, o bukuri, / Veç vdekja mundi të më thotë / Ç’jam unë e ç’ëndrra kam në gji”, po ashtu me dy arrestime, e kësaj here nga forcat e kuqe, ku i dyti, ai i vitit 1938, në fakt zgjatim i të parit, do të ishte fatkob dhe vrasës për poetin.

Mes miqve të poetit ishte edhe Pasternaku, poeti i lirëzuar nga më të shquarit e poezisë ruse, i brishtë, engjëllor në një çast dhe dashuronjës i lemeritur në çastin tjetër, adhurues i “mjedra fletët në argjënd do t’i veshë,/ kthyer heshtur në degë përmbys,/ Dielli ballin e fshehur mes resë, / si dhe ti,sibiriankë, e ngrys”, poeti që me shkrimin e tij të qartë do i linte shënimin gazetarit legjendë, gjermanit Gerd Ruge se, “kujtimet janë gjithnjë të mijat”, që, padashjen e tij, por ngulmueshëm nga të tjerët, bëhet përsonazhi i tretë i një historie nga më tronditëset e historisë së letërsisë botërore.

***

Poezia fatale, “Maloku i Kremlinit”, e Mandelshtamit është fillesa, por jo fundi i një historie, të cilën e ka sjellë Ismail Kadare në librin e tij të tashëm, “ Kur sunduesit grinden”.

Është krejt e mundur që “maloku” i Kremlinit të jetë ndjerë i kënaqur, fillimisht me atë përcaktim aspak naziq, çka ishte dëshira e tij të mos ishte, aq sa ishte e mundur që vetë përcaktori “malok” të mund të përkthehej edhe ndryshe, ta zëmë “Malësori i Kremlinit”, si do e përkthente më pas Dritëro Agolli, apo “Kreshniku i Kremlinit” çka mund t’i kenë thënë Stalinit njerëzit rreth tij.

Më shumë se ai përcaktim, “malok” atij i bën përshtypje njohja e thellë, jashtëzakonisht e thellë e poetit të natyrës së tij; është si një gërvishtje nga brenda dhe shpallje e pabujshme, por reale e asaj që e di fare mirë se ka në vete. Askush nuk ia ka thënë kaq hapur, kaq shkurt e kaq saktë, në vetëm 8 rrjeshta, gjithë çfarë ai përfaqëson dhe gjithë çka mbledhur në vete: “ Dhe mustaqja i qesh si i qesh buburrecit/qafë e çizmes si cipë e sedefit. / Qafëhollët drejtues rreth e rrotull i rrinë/ të zbavitet me ta si macja me minë. / Qajnë e mjaullijnë e kuisin të gjithë/ Veç ai u vërvitet me gisht në turinjtë./ Dhe vendimet gatuan me shkrim e me fjalë/ njërit plumbin mes syve dhe tjetrit në ballë”.

Pas kësaj poezie, Mandelshtami gjithsesi do të rrëzohej pa shpresë kthimi në botën e tij të poetit.

Të ringrihej, çka kishte qenë gjithnjë ëndërrzim, pasi e kishte pritur rrëzimin, nuk kishte qenë në dorën e tij, por, po ashtu, do të ishte jashtë tij ajo çka do të ndodhte disa ditë pas arrestimit gjysëm të beftë, enigma e një telefonate, në ditën e njëzetetretë të qeshorit të vitit 1934.

Në ciklonin e ngjarjes do të ishin tre vetë: Mandelshtami i arrestuar, i cili përsëriste në birucën e padritshme në Lubjanka, provat që kishte bërë me mikun e tij besnik, Arkadij Furmanov, njeriun që lozte rolin e hetuesit, duke ndjerë pranë vetes arrestimin; Josif Visarianoviç Stalini, shefi i madh i Kremlinit, për të cilin sapo u kishte lexuar miqve të tij poezinë kobndjellëse, mes të cilëve edhe Pasternakut, dhe, ky i fundit, poeti i brishtë, i cili kishte edhe ai mëkatet e tij, që, pasi nuk ishte mjaftuar vetëm me poezitë e tij për netët e dimrit, e kishte përshkruar njeriun e hekurt, si një xhuxh me trup katërmbëdhjetë vjeçari dhe fytyrë burri vjetran.

Ndërsa për të parin, Stalini e dinte me siguri se kishte bërë poezinë makabër për të dhe joshëse për kundërshtarët e tij, për poetin tjetër, Pasternakun, ndonëse mendohej se nuk dinte asgjë për poezinë që dukej e zhdukej si mjegull, dinte edhe më shumë për shpirtin, që mund të thyhej që në kërcitjen e parë e, po ashtu, ishte i bindur se, nëse ai do të thyhej, do të merrte mbi vete edhe shumë nga gjynahet e tij.

Ismail Kadare sjell këtë hapësirë të pafundme, si një rreth dantesk, më saktë, në trembëdhjetë rrethe danteske, torturues dhe rrënues njëkohësisht, të cilat përmblidhen fillimisht në një bisedë treminutëshe, për të dalë në një fushëpamje shumë të panjohur, por të llogaritur deri në detajet më të imta, për të krijuar mitin e rremë të legjendës së lënies në baltë të shokut, aq më tepër të braktisjes së poetit nga poeti, të mendimit të lirë nga një tjetër mendim i lirë, të shkëndijimit të idesë nga një tjetër shkëndijim dhe, në fund të fundit, të krijimit të asaj që ishte dëshira më e madhe, sunduesi është më i mëshirshëm se sa poeti. Ndërsa poeti hesht, sunduesi trishtohet; nëse poeti nuk ka kurajon për të thënë të vërtetën, sunduesi sjell kohën e tij, të bolshevikëve të vjetër, që kurrë nuk e braktisën njëri tjetrin; ndërsa sunduesi kërkon të hapë një portë lirie, poeti hesht dhe e mbyll këtë portë. Kjo legjendë mjerane është menduar gjatë, ndoshta që para arrestimit të Mandelshtamit, edhe më tej në kohë, që kur u bë leçitja e Dantes nga Firence, edhe më tej akoma, që kur u bë ndeshja e parë mes poetit dhe shtetit, lirisë dhe diktaturës. E hershme dhe tragjike është kjo ndeshje.

Një temë e përbotshme, të cilës Ismail Kadare i është kthyer e rikthyer me ngulm, gati të pabesueshëm, duke gjetur brenda vetes dhe për t’i përcjellë drejt nesh si kumte të pashmangshëm, të cilët, edhe pse fillimisht duheshin deshifruar, një ditë do të ishin qartësisht të dukshme.

Për poetin në diktaturë ka gjithnjë një kohë kur ai pyet veten: do të jem me shtetin apo kundër shtetit. Me askënd nuk mund të jesh. Paanësia mund të ishte kudo tjetër, por jo në një shtet diktatorial. Përballjet e hapura ishin aq të pakta sa dukej se ishin një histori pamundësish, por edhe shkreptimash.

Në çdo kohë do të kishte përballje të tilla. Shpesh herë arti është thirrur për t’i shërbyer shtetit dhe pak herë shteti është ngritur për t’i bërë strehë artit. Për të gjetur një strehëz duhej të paguaje haraçin tënd. Ja, edhe ai, i pandalshmi i kësaj ngjarjeje, Mandelshtami, historia e të cilit do të kishte ngjashmëri fatale me shumë poetë, ish të burgosur politikë në Shqipëri, pak dekada më pas, kishte shkruar një herë një varg besnikërie, “ Unë, komunisti, pa parti”, si të donte të siguronte një devizë besimi, të cilin e kishte pasur një kohë, kur pas studimeve në Universitetet e Sorbonës, Heidelbergut dhe të Sankt-Petërsburgut , ndoshta i shtyrë nga ndjenja kalorsiake, u dha fuqishëm pas lëvizjes revolucionare.

Nëse në këtë histori janë fillimisht tre vetë, Kadare bëhet i katërti i tyre. Por, krejt haptas, ai i bashkohet dy kolegëve të tij poetë, dhe, megjithëse duket i vonuar, kumti i librit të tij, “Kur sunduesit grinden” është më shumë se sa një kumt i zakonshëm poetik. Në fakt, është vazhdim i përsiatjes së tij, mesazhi se asgjë nuk duhet të humbasë nga ajo që ka ndodhur dhe, për ta zvogëluar këtë humbje, e cila është herë-herë e pashmangshme në rrjedhë të viteve, ka vetëm një mënyrë : duhet njohur e ndaluara, e pamundura dhe risjellë ajo.

Këtë bën Ismail Kadare, por edhe kjo atij nuk i është dukur e mjaftueshme.

Çdo njeriu historia i fal një ndjesi të veçantë dhe një përjetësi të vogël, e cila i lejon atij të shohë të kaluarën, por edhe të ardhmen e tij të afërt.

Stalini nuk i ka zgjedhur rastësisht dy personazhet e tjerë të kësaj historie. I ka zgjedhur sipas përcaktimit të tij satanist, por edhe që të jenë shërbenjës në të ardhmen. Mandelshtami duhet të paguajë për herezinë e tij, Pasternaku duhet të bëhet alibia e mosfajit të diktatorit. Që nga momenti i arrestimit të poetit nuk kanë shkuar veçse pak ditë, por ata kanë qenë të mjaftueshme për të bërë gati gjithë atë që do të ndodhte më pas. Ose gjithçka ka qenë e përgatitur mjeshtërisht që më parë dhe ditët e mbetura në hapësirën kohore arrestim – telefonatë, i kanë shërbyer për t’i dhënë dorën e fundit.

Pasternaku është rritur në një mjedis fluid. Nëna e tij hebreje, pianiste dhe e dashuruar pas Rubinshtejnit, njëjtë si nëna e Mandelshtamit, shpesh herë depresiv dhe i pagjumë, i lodhur nga jeta në një banesë ku shumë gjëra ishin të përbashkëta, naiv deri në dhimbje, natyrë e mënjanuar, i ftohtë ndaj njerëzve, por adhurues i Majakovskit, të cilin, po ashtu do e mohonte, i thyer në shpirt dhe i thyeshëm në bindjen e tij njerëzore. Pra, i llogaritur me detaje, duke shtuar këtu edhe emrin si poeti i parë i Rusisë.

Si për ta parë gjithçka më tragjike dhe më të pranuar, ashtu si tek Makbethi, me shfaqjen e magjistricave në fillimin e gjithçkaje që do të trondisë botën, edhe këtu, në këtë tri minutësh, shfaqet një tjetër – hije, kësaj here hija e Stalinit, që do të ikë mëpastaj sëbashku me të zotin e tij.

Është Poskrebishevi. Sekretari i Stalinit. Njeriu hije i tij. I frikshëm, megjithëse i padukshëm. Ai shfaqet i pari. Ismail Kadare nuk e harron këtë “magjistricë”, pasi, gjithë ajo që ka ndodhur nuk mund të perceptohet pa këtë, “gëzuash Pasternak, poeti i parë i vendit, rrofsh romancier, i pari nobelist që do të vritesh nga çmimi i lakmuar, i dashuri i Olga Ivinskaja –Larës shemër të pangjashme me asnjë shemër tjetër, përshendetje bashkëshorti grabitës i Zinaida Neuhaus, urime Boris, përkthyes, prozator e eseist që nesër do të jesh në gojët e përbotshme”.

Ismail Kadare nuk e ka përcaktuar librin “Kur sunduesit grinden”, as si roman, as si sprovë eseistike, as meditim. Thjeshtë ka shkruar, “Rreth misterit të telefonimit Stalin –Pasternak”, por mund të përcaktohet si roman, me 13 kapituj e tij, që përbëjnë 13 variantet e mundshme të misterit; mund të jetë një tragjedi në 13 akte, shumë nga të cilët sillen nga përsonazhet femra, ashtu si mund të jetë një përsitje eseiste e klasit të parë mbi raportet mes diktaturës dhe artit, mes sunduesit të përgjakshëm dhe sundimtarit të shpirtit, ndërlidhja kohore ,por edhe e tashme, në këtë binom të çuditshëm dhe që për shumë kohë nuk i është ndarë botës; enigmës së krijimit në diktaturë dhe mundësisë e gjetjes së rrugës së daljes prej zezimit; ankthit të përgjimit dhe çastit të krijimit, kaosit të krijuar në mendimin e poetit dhe dëshirës për të qenë i vetvetishëm; në fund të fundit një përballje ku kalërojnë pranë njëra tjetrës të dy mundësitë: vdekja dhe përsosja, nga që arti nuk do të kishte kurrë rrugë tjetër dhe ndjellësi i tij, poeti, nuk do të mund të kishte asnjë mundësi veçse të paguante një haraç kalimtar për të zhbërë rrënimin e më të rëndësishmes, kumtin e lirisë.

***

Cili është thelbi i bisedës tri minutëshe të bërë mes Stalinit dhe Pasternakut në të njëzetetretën ditë të qershorit të vitit 1934?

Ismail Kadare na sjell të gjithë variantet e mundshme, mjedisin, personazhet, të njohur që futen në dramën e tyre duke qenë të dyllojshëm, pjesë të jetës ose kureshtarë, miq apo lakmitarë, të tronditur apo duarfërkues nga gëzimi, admirues të regjimit dhe të diktatorit apo kundërshtarë të heshtur të tij, njerëz të shënuar si të kryqëzueshëm apo të tjerë që do të shpërbleheshin bujarisht, përgjues dhe rebelë.

Vendi i dyanshëm, po ashtu. Në njërin skaj zyra e Stalinit në Kremlin. Kremlin do të thotë forcë, pushtet, eliminim, vrasje, kurrëpaqe. Në skajin tjetër, apartamenti komunal i Pasternakut, rruga Volkhonka, në Moskë, me kuzhinë dhe banjo të përbashkët. Korridore të zgjatur dhe dyer që përplasen.

Poskrebishevi telefonon. Pasternaku nuk e ka dëgjuar kurrë zërin e tij. Diçka ndryshe nga zërat njerëzorë. Ftohtësisht i thotë, “Me ju do të flasë tani shoku Stalin”.

Për poetin gjithçka është e pabesueshme, por edhe e frikshme. Kërkon të shtyjë çastin e bisedës me mosbesimin e tij, por zëri i panjohur ngulmon. “Flisni shokut Stalin”.

Në anën tjetër të telefonit është tashmë zëri i njohur me theksin e veçantë gjeorgjian. Hutimi i parë nuk është asgjë. E turbullt është ajo çka do të vijë më pas. Turbullimi i arrestimit të mundshëm, si shemrit, dytëzimit të tij, mundet që është i afërt. Një bisedë e bërë në rrugë, jo shumë kohë më parë, dhe leximi i poezisë turbulluese mund të jetë i njohur. Nuk ka kohë t’i mendojë të gjitha.

“Pak kohë më parë është arrestuar poeti Mandelshtam. Çfarë mund të thoni për të, shoku Pasternak?”

Në një të dhjetën e sekondës mbi poetin shembet gjithçka. Çfarë është kjo: fillim i hetimit, hyrja në një ditë arresti, përmbysje e fatit, linçim i ardhshëm?

Përgjigjet në atë ftohtësinë e tij, që në këtë çast bëhet e akullt.

“Ne jemi të ndryshëm shoku Stalin. Unë pak e njoh atë”

“Kurse unë mund t’ju them se ju jeni një shok shumë i keq, shoku Pasternak. Ne, bolshevikët e vjetër nuk i kemi braktisur kurrë shokët tanë kur binin në fatkeqësi”.

Telefoni mbyllet.

Çasti i kthjellimit të Pasternakut vjen. Por, është vonë. Stalinit i është dashur vetëm për kaq. Jo për më tej. Për të, Stalinin, nuk janë të nevojshme bisedat filozofike për jetën a vdekjen, për poezinë apo dobësinë e Leninit ndaj Gorkit. Kaq ka qenë e menduar, e planifikuar dhe e duhur.

Pikë.

***

Në pak çaste, e gjithë Moska mëson se Pasternaku tradhton shokun e tij dhe pikërisht atëherë, kur Stalini donte ta mbronte.

Ndërsa heshtësi, Pasternaku, është i shpifuri, frikacaku, tradhtonjësi, në të kundërtën, Stalini, është mëshirmadhi, i buti, njerëzori, njeriu që nuk i braktis kurrë shokët e tij.

Në çastin e parë të zemërimit, mbamendjes, heshtjes, fjalëve pa fund, askush nuk pyet: nga kush duhej ta mbronte mikun e tij Mandelshtam? Nga vetja apo nga njeriu që kishte telefonuar?

Kush e kishte arrestuar atë dhe kush do e dërgonte drejt vdekjes?

Ndarja e fajit nuk ishte bërë si ishte dashur: vdekja ishte llogaritur të rëndonte mbi poetin, duke çliruar tiranin.

Të trembëdhjetë versionet të duket si të trembëdhjetët kundër Pasternakut, që, edhe ai, ka ngritur Tebën e tij. Nga e cila nuk ikën dot.

Kur poeti kishte dashur të bënte dëshminë e tij, në skajin tjetër të telefonit nuk do të bëhej i gjallë askush. Ai numër ishte krijuar veç për një bisedë të vetme, atë që porsa kishte ndodhur dhe që mëtohej të ishte alibia e krimit.

Poeti, për një çast, ishte mposhtur. Mposhtja duhej shpallur, duhej bërë e njohur. Hapësira e lirisë ishte zënë. Në fronin e saj ishte ulur diktatori. Njëjtë si kishte ndodhur me poetin romak, Ovidi, dy mijë e ca vite më parë; njëjtë si me poetin filozof Seneka, njëjtë si me dëbimin e Dantes, përsëritje e pafund e kësaj ndeshjeje të pafund.

Dhe ky është thelbi i librit “Kur sunduesit grinden”, një temë e gjithëkohëshme, në të cilën gjenden, edhe një herë, përballë njëri tjetrit, diktatori, sunduesi i jetës, ai që mban në duar skeptrin e jetës dhe të vdekjes, dhe në anën tjetër, magjia e fjalës, e cila krijon ndjeshmërinë, endjen dhe dhëmbshurinë, idenë dhe vizionin, besimin e poetit.

Secili poet, artist, shkrimtar, pra, krijues, përcaktohet përgjithnjë në një çast të caktuar të jetës së tij dhe ky është çasti kur ai gjendet përballë vetvetes.

Ismail Kadareja është gjendur në një çast të tillë. Në fakt, ai e ka ndjellur një çast të tillë. Është ndodhur shpesh herë mes tmerrit dhe, po të mos kishte ndodhur kjo, ky libër do të ishte i pajetë, i panjohur dhe i pandodhur.

Ai është i vetëdijshëm për çfarë ka ndodhur dhe, nëse në librin e tij sjell trembëdhjetë versionet e një misteri, asnjëherë për të rënduar poetin, por të dëshmuar për gjendjen e pazakontë, kur ndjenja e së paditurës krijon atë moment që fare lehtë mund të quhej “të të lidhet goja”.

(Vijon numrin e ardhshëm)

x x x

Të trembëdhjetë aktet e tragjedisë së këtij libri janë si një proçes hetimor, i qëmtuar ndër vite, pasi autori i është kthyer shpesh herë këtij gjurmimi, si një pjesë të vetvetes, kërkesë e vazhdueshme për të njohur të ndaluarën dhe të pamundurën.

Megjithatë një pyetje nuk është shtruar ende: Çfarë do të kishte ndodhur , nëse, në të kundërtën e asaj që dihet, pra të përgjigjes së vaktë, deri diku mohuese të Pasternakut, të kishte ngjarë krejt e kundërta:

Nëse, për një çast, në shpirtin e tij të ishte zgjuar rebeli i fjetur, të kishte ardhur çasti i guximit dhe i forcës, dhe, përkundër çdo pasoje që mund të kishte pasur, të kishte dëshmuar se Mandelshtami është një poet i madh, i matshëm me poetin e parë të Rusisë, se ai, Mandelshtami kishte qenë dikur bir e ndjekës i revolucionit, pasi dy herë rradhasi mund të ishte pushkatuar nga Të Bardhët dhe, se në fund të fundit, poezia ndjekëse nuk ishte asgjë tjetër, veçse një çast i turbullt, i parëndësishëm. Nëse do i kishte thënë se mbajtja në burg e një poeti të tillë, mik i atij vetë, nuk i bënte nder askujt, as vetë Rusisë së Madhe, e cila nuk mund të kishte drojë nga vargjet e një poeti të mrekullueshëm.

Çfarë do të kishte ndodhur?

Do të kishte poeti i burgosur një fat tjetër, krejt ndryshe, do të ishte i lirë pas kësaj bisede dhe do të kishte rendur drejt shtëpisë në ekstazën e lirisë?

I duhej vërtet Stalinit një dëshmi e poetit të parë të Rusisë për të lënë të lirë një sivëlla të tij?

Vërtet Stalini kishte nevojë për ndërhyrjen e Pasternakut për zbutjen e dënimit të Mandelshtamit?

A mund ta kishte shpëtuar ai mikun e tij nga tragjedia? A do të kishte mundur që përmes fjalës së tij të shpëtonte jetën e një poeti?

Hutimi i çastit ishte smirë e heshtur, drojë nga njeriu këmbëshkurtër, “ maloku i Kremlinit”, apo keqkuptim?

A mund të përsëritej çasti ose , më saktë, pengu i mosfoljes?

Megjithëse të gjitha mund të duken si enigmë e pazgjidhur, një gjë është e qartë:

Asgjë ndryshe nuk do të kishte ndodhur. Pasternaku ishte përllogaritur qetësisht për rolin e tij dhe, pas mpirjes, perdja kishte rënë.

Një vit pas misterit telefonik, ai do të ndërhynte te Stalini për shpëtimin e burrit të dytë të poetes rebele, Anna Ahmatova dhe djalit të saj, Lev Gumilovit.

Stalini , si për të dashur të risillte alibinë e rastit Mandelshtam, ia merr parasysh ndërhyrjen dhe, Punini bashkëshort dhe Levi, biri i Ahmatovës, një javë pas letrës, lirohen nga burgu.

Si për të dashur të risillte gjithçka që kishte ndodhur, njëri nga “magjistricët”, i njëjti, sekretari fuqiplotë i shefit, Poskrebishevi, telefon në shtëpinë e re të Pasternakut për t’i dhënë lajmin e mirë.

Mos u zbut tirani nga fjala e poetit? Do të kishte ndodhur kështu edhe në rastin Mandelshtam?

Punini, bashkëshorti i dytë i Ahmatovës do të arrestohet tri herë dhe do të vdesë në një kamp internimi. I biri, Lev Gumilov, qëndroi dhjetë vjet në burgje e kampe internimi. Ahmatova, poetja rebele, që nuk kishte pranuar të emigronte, pasi e quante tradhti ndaj gjuhës dhe kulturës së vet, të gjithë dhimbjen e saj të pashoqe do e shprehte në Requim.

Diktatura , pikërisht në çastin që shkrimtari mendon se mund të jetë zbutur, atëherë jep edhe goditjen e rradhës.

Viti 1972 në Shqipëri do e përjetonte këtë dhe do të risillte gjëmën e rradhës, por edhe më goditëse se ato që kishin shkuar, duke përjashtuar vitin 1945.Pas asaj zbutje të përkohëshme të pushtetit, që dukej si një fillesë flladuese e lirisë, fjalimit në një rrethinë kryeqytetase, në Mat, ku “prijësi” kishte shkuar deri në atë që mund të quhej absurde deri para asaj dite, pra, në këshillën e dhënë shkrimtarëve në reagimin e tyre ndaj redaktorëve, të cilëve, kur mos u pëlqenin librat e dërguar për botim, autorët t’i thonin, “ merre, bëje vetë”, kishte ardhur ngrica e marsit, përmes një plenumi të Komitetit Qendror, që shumë shpejt do të sillte akullimin e gjithçkaje. Një pyetje, në dukje e zakonshme, “ kush është më i rrezikshëm, liberalizmi apo konservatorizmi”, do të kishte një përgjigje makthi; artistë të arrestuar, drejtues të burgosur, valë largimesh dhe përjashtimesh, konservatorët janë në delir dhe njëri prej tyre, RB, do të deklarojë, duke pasur parasysh Ismail Kadarenë : “ Gabim që i çmojnë veprat tona në Francë, ata duhen çmuar nga jehona në vatrat revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizmit. Asnjë vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato, modernistet”. Nga Tirana largohen me ngut, më saktë, i largojnë ngultasi, disa nga poetët më të talentuar të një brezi të ri, të cilët synojnë poezinë moderne, janë shkëndijimet e fuqishme të një arti krejt ndryshe, e mes tyre, edhe dy nga më të shquarit e letrave shqipe, Mokom Zeqo dhe Xhevahir Spahiu, pa të cilët nuk mund të kuptohet letërsia e sotme shqipe.

x x x

Raporti mes diktaturës dhe artit është shtruar shpesh herë nga Ismail Kadare. Nëse para vitit 1990 nënkuptimi ka qenë shtresa e parë që duhej hequr, më pas, është bërë qasje e domosdoshme e pandryeshueshme dhe e kuptueshme njëkohësisht. Një qasje e tillë ka qenë e domosdoshme për shkak të shtresimeve të krijuara.

Pikëpyetja e njerëzimit ka qenë në dilemën e përzgjedhjes , mes hekurit të rëndë të shpatës së pushtetit apo poezisë, për të cilën kemi përkufizimin magjik të Platonit, “ kjo gjë e lehtë, flatrore dhe e shenjtë”.

Cila prej tyre do të humnerizonte tjetrën?

Dilema është e vjetër. E rrokullisur disa herë dhe e ringjallur po aq. E stërlashtë dhe lehtësisht e re.

Kur autori i tragjedive, Friniku (540 – 470 para erës sonë) shkroi dramën “Rënia e Miletit”, një përkujtim i ngjarjes të sapondodhur, dhe e vuri në skenë, të gjithë spektatorët u mbytën në lotë dhe autoritetet e gjobitën me njëmijë drahmi autorin; athinasit vendosën që askush mos guxonte më ta vinte sërish në skenë këtë dramë, që i kujtonte tragjedinë e bashkëkohësve të tyre. Ndoshta dënimi i parë publik për një vepër arti.

“Fatva” kundër Salman Ruzhdi është njëra nga dëshmitë më të reja.

Jashtë tyre nuk kanë mbetur edhe autorët shqiptarë.

Për dënimin e tyre janë gjetur gjithnjë shkaqe nga më absurdet, por që rrallë herë kanë pasur të bëjnë me letërsinë.

Kur arrestuan prozatoren e parë moderne shqiptare, Musine Kokolari,arsyeja e dukshme qëndronte në faktin se ajo kishte themeluar partinë e parë socialdemokrate shqiptare,bashkë me Skender Muçon, dhe kjo nuk ishte asgjë tjetër, veçse një vazhdim i Ballit Kombëtar; arestimi i Vinçens Prendushit ishte po ashtu i “justifikuar” ma bindjet e tij,por jo me artin; Petro Marku, garibaldisti i luftës së Spanjës do të arrestohej si antijugosllav, Mitrush Kuteli si një ushtar rumun në Frontin e Lindjes; Sejfulla Malëshova do të dënohej si oportunist; Fadil Paçrami si liberal; Zef Mala, ish kreu i Grupit Komunist të Shkodrës, për një mijë shkaqe që nuk kishin lidhje me artin; Jorgo Bllaci, që ishte edhe vëlla dëshmori, si kundërrevolucionar,megjithëse ishte ndër poetët dhe përkthyesit më të shquar, Trifon Xhagjika –po ashtu,i pushkatuar, Visar Zhiti, ndoshta ndër të paktët që kishte fillesën e burgimit të tij tek poezitë, për të shkuar deri tek Havzi Nela, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka që do të ekzekutoheshin barbarisht si armiq të pushtetit, ashtu si në fillimet e kësaj periudhe ishin pushkatuar apo vdekur në hetuesi Myzafer Pipa, atë Gjon Shllaku, dom Ndre Zadeja, profesor Simon Deda, dom Lazer Zadeja, Terenc Toçi, etj.

Profesor Mirash Ivanaj, ish ministri arsimit që kishte bërë reformën më të thellë dhe me dorë të hekurt kishte mbyllur shkollat private, i kthyer me dëshirë,pas luftës për të “ bërë Shqipërinë”, vdiq në burg.

Nuk kam qenë në asnjërin nga dënimet e Frederik Reshpjes. Poeti, ndoshta më vetmitar i Shqipërisë, më i braktisur, “ I vrarë nga një pranverë e kotë/ braktisur nga botë e tërë”, do të shkruante më pas, për njërin nga arrestimet e tij, se, “ letrarët e qytetit tim ishin tepër të parëndësishëm, për të më bërë dëm mua,megjithëse kanë aprovuar në kor arrestimin tim”.

Shqipëria, do të jetë vendi që në harkun e 40 viteve,nga 105 të arrestuar nga bota e ndjeshme e artit dhe historisë do të kishte rreth 40 shkrimtarë, historianë, përkthyes, gazetarë, studjues të spikatur që do të vdisnin në burgje, do të ekzekutoheshin ose do të vareshin.

Njëjtë sikur në të njëjtën kohë në Bashkimin Sovjektik të ekzekutoheshin apo të vdisnin në burgje e internime rreth 1300 shkrimtarë dhe artistë.

Asnjë shkrimtar shqiptar nuk është dënuar si konservator.

Ndoshta kjo i bën nder letërsisë shqipe.



x x x

Përse Stalini zgjodhi pikërisht Boris Pasternakun për bisedën e tij të mirë përllogaritur telefonike?

Në fakt, kur është fjala për ndeshjen, nëse e quajmë kështu, të diktaturës me artin, është fjala gjithnjë për majat e saj, për autorët që kanë krijuar kultin e tyre. Nëse nuk ka autorë të tillë, atëherë do të thotë se nuk ka as letërsi, nuk ka gjykim, nuk ka art, nuk ka ndeshje, regjimi dhe despoti nuk kanë pse shqetësohen.

Stalini nuk zgjedh rastësisht Pasternakun. Ai zgjedh majën e poezisë ruse. Por bën kujdes në përzgjedhjen e tij.

Kështu ndodh me të gjithë diktaturat.

Zogu nuk lejon Migjenin. E ndalon botimin e tij. Në një farë mënyre ai bën shpalljen e tij: është kundër “ Vargjeve të lira”. Me nuhatjen e njeriut praktik e dinak njëherësh , ai ndjen se poeti i ri është turbullirë, i cili ,që në vargun e parë paralajmëron, “ përditë prëndojnë Zotat”, çka nuk do të ndodhte ndoshta me asnjë poet tjetër në botë. Zogu ishte vetbërë mbret, ai nuk donte ta zhbënte një djalosh 20 e ca vjeçar, e për më tepër tuberkuloz. Ndërsa ndalon Migjenin, për çudi lejon botimin , fillimisht në fashikuj e më pas të plotë, të romanit “Nëna”, përkthyer pikërisht nga një tjetër kundërshtar i tij, Tajar Zavalani.

Hoxha ndalon shumë njëherësh. Fishta dhe Koliqi janë ndër të parët. I pari është quajtur poet kombëtar, i njohur si antisllav dhe hymnizues i një lufte që nuk ishte deri asaj kohe lufta e Enverit. I dyti, Koliqi, ka fatin e keq të ketë qenë ministër i një qeverie fashiste. Ka burgosur Kutelin nga një shkak absurd dhe ka mbyllur në të njëjtin burg, ku e kishin burgosur edhe fashistët, Petro Markon. Sterjo Spasse është në heshtjen e tij.Letërsia shqipe , që deri asaj kohe dukej si e argjendë, është në lëngimin e saj. Është mort i pashpallur. Më i revoltuari i letrave shqipe, Noli është larg vendlindjes dhe nuk e josh ftesa për të riardhur. E ka njohur këtë vend në të gjitha pamjet; si deputet, krijues i Kishës Autoqefale, më e madhja vepër e tij, si kryeministër, i dënuar me vdekje, mërgimtar…asnjëra nuk e ka joshur më shumë se sa fjala e ardhur në shqip, aty i ka mundur të gjithë despotët, të shkuarit dhe të ardhshmit; i mbyllur në kullën e tij është Poradeci, njeriu që fqinjëron me vdekjen….Konica, aristokrati magjik i gjuhës shqipe, bej dhe xhentelmen njëkohësisht, nuk ishte më në jetë, duke i mbyllur hesapet me Zogun, që kishte ikur dhe me veten. Një plejadë e shkëlqyer e studjuesëve të krishterë katolikë, ndoshta nga më të shquarit, ndërkaq ishin burgosur, disa do të ekzekutoheshin, disa do të vdisnin në burg, të tjerë do të dënoheshin me vite të gjata burgimi. Njëri prej tyre atë Zef Pllumbi, do të propozonte më pas Ismail Kadarenë në postin e Presidentit të Shqipërisë.

Koha e Pasternakut është ripërsëritje në një vend të largët.

Diktaturat, edhe kur duken të heshtura apo sikur janë përgjumur, ata merren jashtëzakonisht shumë me letërsinë e sidomos me majat e saj.

Është një përleshje e vazhdueshme, kurrë e terrtë sa duket, më e terrtë se kaq ,dhe kurrë më e ububushme se ndjenja e makthit që përshkon njerën palë, të pushtetit.

Gjithnjë të duket se i munduari është krijuesi, por në hapësirë e në kohë, nuk ndodh kështë. Për të sjellë një shembull: emrat e atyre sunduesve të Firences që përzunë Danten nga qyteti i tyre janë harruar, por poeti, megjithëse i vdekur në mërgim, në Verona , është i përjetshmi i pamohuar.

Përplasja është kurdoherë e pranishme, pritet vetëm çasti i përshkëndimit dhe pastaj i flakës. Ky çast, duan apo nuk duan, do të vijë.

SUNDUES DHE SUNDIMTARË NË SYRIN E KADARESË

Në të vërtetë pyetja është përsëritur nga njëri shekull në tjetrin, ajo ka qenë e pranishme në të gjitha kulturat dhe kohrat, është si të thuash një përngjeshje e habitshme që i është ngjitur aktit të madh të krijimit: cili është raporti mes tij dhe shtetit, mes të vërtetës dhe pengesës së saj dhe, në fund e ,më e rëndësishmja, mes artit dhe diktaturës!

Përsiatjet kanë qenë të shpeshta, regëtimet herë pas here janë shuar dhe rrallë janë bërë zjarre të mëdha, kalvari ka qenë i rëndë dhe i mundimshëm; në ndryshim nga strukturat e ashpra të shtetit e më tej, të hekurta të diktaturës, arti sillte emancipim, ide të lira, sillte dritëzim të pashoq dhe ndjellës për më tej drejt dritës , letërsia vinte përmes një plejadë gjenish, të cilët sendërtuan vetë kohën.

Përballë tyre prangat e shtetit, të diktaturës , synonin të zhduknin çdo gjë, rrebeshi i fushatave të tyre aq sa ishte meskin , aq ishte edhe mizor, gjurmët e gjenive ishin shpesh herë më të gdhendur se sa të pushtetarëve dhe koha , më shpesh do të mbetej nën emrin e tyre , se sa të disa njerëzve që rastësisht ose përdhunisht u bënë sundues.

Ata janë në dy botë të ndryshme dhe, po ashtu, kanë ardhur nga dy botë të kundërta.

Gjithçka e kanë të ndryshme. Gjithçka e kanë të kundërt!

Vendet ku jetojnë, njerëzit me të cilët shoqërohen, ushqimet që preferojnë, miqtë dhe bisedat, ëndrrat dhe të folurën.

E përbashkëta e tyre është se jetojnë në të njëjtën epokë dhe secili e ndjen se një ditë, kjo epokë, ose do të quhet me emërin e tiranit këmbëshkurtër ose do të marrë një shumësi emrash nga bota e panjohur e poetëve.

Kadare e qartëson këtë ide deri në imtësirën e kohës.

Ai sjell këtë botë përmes dy përsonazheve realë.

I pari, i quajtur nga një poet si “ Maloku i Kremlinit”, është ende njeriu më i plotfuqishëm i një të gjashtës së botës, i paskrupullt, mizor, inatçi, këmbëshkurtër dhe me një ecje të rëndë, duke mbajtur zakonisht duart e lidhura pas vetes, si një dëshmi se ashtu kishte lidhur gjithë një grumbuj popujsh; i dyti – fin, me një të ecur të lehtë, rrethuar nga komforti i librave të tij, erudit, poet i dorës së parë, i dashuruar nga gjysma e poetëve sovjetikë dhe i mallkuar nga gjysma tjetër; nuk i pëlqenin sherret, verë – pirës, i pasionuar pas çajit rus.

I pari kishte në kokën e tij turbullirat e një kohe të largët kur kishte dashur të bëhej murg, por edhe rrebeshin e një revolucioni ku kishte qenë pjesë dhe përmes të cilit kishte vajtur tek portat e Kremlinit, për ta sunduar atë, duke e kthyer në sinonim të së keqes.

I dyti e kishte ditur gjithnjë që do të bëhej njeri i letrave, i paqtë me veten dhe me zotin, më shumë njeri i salloneve se sa i luftës, **** këtë të dytën ,edhe kur e kishte futur në romanin e tij zëmadh, e kishte bërë me ndrojtje.

I pari ishte inatçi i pashembullt, i harbuar në tërbimin e tij, i zgjuar si një djall dhe i egërsuar , po si një djall, dyshues për gjithçka, deri për gruan e tij, të cilën e çon ftohtësisht drejt vetëvrasjes, hakmarrës i pamëshirshëm, i mbushur me një gjenialitet të shfrenuar të së keqes.

I dyti ishte një njeri i butë, grindja e tij më e madhe dhe sherri më i madh do të ishte brenda një salloni, njeriu që kishte qarë njëkohësisht me pianistin që i kishte rrëmbyer gruan,qëmtues i fjalëve të mira, më shumë aristokrat i dorës së parë se sa një qytetar apo një “ shok”, dashuronjës i pandreqshëm dhe sherrxhi vetëm për hir të dashurisë.

I pari , në moshën 24 vjeçare, i përndjekur nga qeveria e Carit, kishte ndërruar emërin e tij të zakonshëm dhe kishte marrë mbi vete nëj emër të çeliktë, Stalin, me të cilin do e njihte e gjithë bota në vitet e pasme, si të donte të fshihte të vërtetën e lindjes së tij dhe të mos i linte mëkate nënës së tij të vjetër, që kurrë nuk e pranoi emërin e dytë të të birit.

I dyti, 24 vjeçar, do të botonte librin e parë me poezi, “Një binjak në re”, si një parathënie e asaj që do të ndodhte, por që, kur ndodhi, e mori me vete edhe poetin e madh.

I pari, si kishte ndodhur shpesh me tiranët, u përpoq furishëm të shihte, në mos tjetër, fundin moral të të dytit, poetit. Nëse nuk do të kishte mundur ta burgoste, thjeshtë se nuk i burgoste dot të gjithë, ishte përpjekur të shembte botën që kishte krijuar ai përmes librave. Nëse nuk e arriti, kjo nuk ka lidhje me përpjekjet e tij dhe me mungesën e forcës: së pari, kishte mbi vete aq shumë gjëma, sa që do të trulloste gjithë botën kur do të ngrihej perdja e krimeve të tij, dhe, së dyti, sepse mes tyre ndërhyri vdekja. Por, sherrin e la pas vets.

Pjesë e këtij sherri është edhe libri i tashëm i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”.

I dyti e pa fundin e njeriut me këmbë të shkurtra. E kishte ndjerë që kur kishte botuar romanin e tij “Doktor Zhivago”, por nuk e kishte ditur se, megjithëse dukej se bota ishte përmbysur dhe kthyer nga e mbara, e keqja kishte mbetur.

Njeriu – malok i Kremlinit kishte ikur, por e keqja kishte mbetur.

Ajo nuk kishte qenë vetëm paradhoma e një njeriu, kishte qenë e gjithë struktura e ngritur përmes së keqes dhe nuk mund të hidhej poshtë, nëse më parë nuk do të hiqej e keqja.

Dhe kështu fillojnë raportet mes së mirës dhe të keqes, mes sunduesit dhe sundimtarit, dy fjalë që, megjithëse kanë kuptim të përafërt, përsëri kanë një nuancë dalluese.

Sunduesi gjithnjë ka dorën e hekurt të sundimit.

Sundimtari i shpirtit është shpesh herë i zgjedhur nga vetë ne dhe rrimë me dëshirë nën sundimin e tij.

Kam kaq dekada që rri nën pushtetin e Kadaresë dhe ndjehem i lirë!

x x x

Është e pashmangshme që në një ditë ose në një tjetër, sunduesi i pushtetit me sundimtarin e mendjes , do të ndeshen. Mund të vonojnë, por është e pashmangshme. Përballja e tyre mund të vijë, në pamjen e parë, për shkaqe krejt mediokre, por akujt e nënujshëm kanë nisur prej shumë kohësh të shkrihen dhe kanë pritur një moment të caktuar që të fillojnë një lëvizje të ububushme. Ose, ata mund të shfaqen në formën e përplasjeve tragjike,të një plenumi, mos . oh Zot, plenumi i katërt, të një përmase krejt ndryshe, por në të gjitha rastet, ajo që nxit këtë ndeshje, shpesh herë të padukshme fillimisht, është mëria e vjetër e sunduesve të shtetit, në fakt , të diktatorëve, me sundimtarët e mendjeve. Mëria e hapësirave. Jo më kot Stefan Cvajk do të shkruante se një poet në Ëeimar, Gëte, zotëronte jo më pak hapësirë se Napoleoni me armatën e tij.

Të paaftë për të qenë zotërues të mendjes , që do të thotë pushtetar mbi shpirtin, ndjenjën e të bukurën, sunduesit kanë kurdoherë të ngritur shqisën kundërshtuese të rivalit të tyre të pashpallur; pikërisht të atij që ka menduar kurdoherë se është rob i tij, kurse në të vërtetë, me kalimin e kohës e ka mësuar të vërtetën se, jo vetëm nuk mund të robërohet mendja, shpirti, ndjenja, arti, por edhe ai vetë, duke dashur ta zotërojë, e ndjen se po bie nën pushtetin e saj. Çka është e papërballueshme për çdo lloj tirani.

Diktatura dhe arti ka qenë kurdoherë një temë e dashur për Ismail Kadarenë dhe asaj i është kthyer e rikthyer jo vetëm pas vitit 1990, por edhe shumë kohë para saj.

Natyrisht ai nuk ka bërë harakiri, por duke u futur në grimasat që lejonte pushteti , ai ka gjetur mundësinë për të ngjizur hapësirat e tij, kurdoherë fine dhe në një përmasë poetike që vijonte të rritej, të bëhej e dukshme, e kapshme, shqisë njerëzore dhe që , më në fund, merrte të drejtën e kuptimësisë.

Gjithësecili krijues ka Rubikonin e tij, po ashtu si mund të ketë edhe Vaterlonë e tij. Ai është përherë i dyzuar mes shkëmbijve, por që të ndjejë këtë, në rradhë të parë duhet të jetë një krijues i madh.

Secili nga autorët e mëdhenj të letërsisë botërore ka çastin e tij të prehjes. Edhe etërit e saj. Horaci ka thënë : “ I miri Homer dremit ndonjëherë”.

Borges besonte tek vija spirale e Gëtes. Ne ecim përpara dhe tërhiqemi, por në fund të fundit bëhemi më të mirë.

Kalimi i Rubikonit është ai që i përcakton të ardhmen e një krijuesi.

Kur e kaloi Kadare Rubikonin e tij?

Nuk mendoj se ka një datë të caktuar, një moment të veçantë apo ka rendur pas një tërthoreje ndryshe.

Kadare që në fillimet e krijimit të tij të kësaj bote kaderiane ishte i kundërt në gjithçka me shkrimtarin e përfytyruar të realizmit socialist.

Asnjëherë realizmi socialist nuk do të kishte në Shqipëri, përballë pasqyrës së tij, një shembëllim kaq ndryshe, të pakontestuar, që , ndonëse e kishte thirrur në ndihmë si xhindin e llampës magjike, ai nuk do të bëhej njeriu i futur në shishe apo autori në këllëf.

Thuajse i vetëdijshëm, ai i shmangej kufirit të asaj që ndillte realizmi socialist, ai kishte në vete atë parandjenjën e frikshme se mos takimi i dy botëve dhe i dy përceptimeve, ajo e krijuar nga vetë ai, ende paradigmë, me atë tjetrën , do të sillte mpirjen, dhe kjo do të ishte e dhimbshme.

Nëse realizimi socialist kërkonte besnikërinë ndaj revolucionit dhe kthimin e shkrimtarëve në ndihmësit dhe besnikët e partisë, ai njeh në fakt pushtues të tjerë të botës, krijon perandorinë e tij vetjake, disi naive fillimisht në fëmijërinë e tij, në atë qytet enigmë dhe mister, për më tepër në një rrugë me emrin e pazakontë e të kërkundtë në botë, “Sokaku i të marrëve”.

Çdo libër i Kadaresë, ndërsa ishte gjithnjë e më shumë largim nga realizmi socialist, aq më shumë shkurtohej rruga e tij , drejt mënjanimit fillimisht, e pastaj drejt mbylljes, për të shkuar në ngrirje.

Rruga e tij shkurtohej si Lëkura magjike e Shagrenit në novelin mistike të Balzakut.

Kadare e thjeshton botën rreth tij dhe këtë e bën duke i rritur përmasat. E habitshme, por jo e pamundur. Ai e di të vërtetën se Zoti e krijoi botën përmes fjalëve. “Hyji tha: “ Le të bëhet drita”.Dhe drita u bë”….Hyji tha edhe : “ Le të bëhet ndërmjet ujërave kupa e qiellit dhe le t’i ndajë ato ujërat prej ujërave.”…..

Në kalimin e parë të Rubikonit ka fatin e pazakontë të gjejë një gjeneral. Për më tepër, një gjeneral të ushtrisë së vdekur. Më pas i dërgon përsonazhet e tij tej në botë, fillimisht në Francë, kështjella e dikurshme e Hoxhës, dobësia e tij, që, edhe e qasi, edhe e largoi. Si do e priste shemrin e tij, nga i njëjti qytet, nga e njëjta rrugë?

Pastaj përsonazhet përhapen nëpër botën e madhe, herë herë si shtergë të vetmuar, herë herë si çudia të një bote që nuk ishte njohur . Zbulon enigmën e një vendi nën akullin e idomës komuniste, por pa e shkrirë atë, shemb një mur , por pa i ngritur themelet një tjetri; nuk ka pasur pritje të tij, vendi i panjohur dhe letërsi e panjohur nuk thonë asgjë në pragardhjen e tij; i duhet vetë të fitojë karriken e tij.

Vëzhgues i jashtëzakonshëm, megjithëse i ftohtë, konservon gjithçka brenda vetes në atë kujtesë që nuk do të plakej nga vitet e nuk do të dëmtohej nga rrebeshi i kohës.

Shpesh herë më është dukur se Kadare as nuk i do dhe as nuk i urren përsonazhet e tij. Ata janë gjendje. Vetëm një herë ai del nga kjo “ gjendje” e ngritur nga ai dhe atë herë nuk bën një mrekulli letrare, por një shabllon kohor, që i ngjan në shumë kahe asaj që nuk e kishte patur e nuk do e donte më. Romani “Dasma”, ndërsa lartësohej si “ hymn i klasës punëtore”, do të ishte në fakt fillimi i Vaterlosë së Kadaresë, nëse nuk do të kryengriteshin qelizat e tjera të magjisë së tij letrare, nëse në vetëdijen e tij krijuese të mos ngrihej mendimi se , nuk mund që gjërat e levizshme, të përkohëshme të kenë njëkohësisht edhe vlera të qëndrueshme.

Në pak kohë ai fiton një popullaritet të pamatë. Librat e tij priten me padurim dhe çfarë është më e çuditshme, priten padurueshëm edhe nga ata që janë jashtë, pra në palirinë e lirisë së tyre, por edhe nga ata që janë brenda, pra të lirë në palirinë e tyre, të burgosur.Nga këto të fundit edhe më shumë, sëbashku me padurimin e pritjes së çastit kur shkrimtari i madh do të jetë mes tyre.

Duke risjellë në 13 variante të misterit e telefonatës mes Stalinit dhe Pasternakut, si dy skaje të një litari, Ismail Kadare përsiat atë që në të vërtetë ka ndodhur edhe në Shqipëri, në kthinat dhe skutat e asaj që quhej Lidhja e Shkrimtarëve, nga të cilat vetëm pjesëza e parë, “Lidhje”, të kujtonte atë që do të ndodhte më pas me mjaft kolegë shkrimtarë, lidhjen e tyre përmes prangave, por edhe përmes një proçesi inkuzional të pamatshëm me botën tjetër të artit, qoftë edhe në vendet simotra komuniste. Këtë Lidhje, poeti Frederik Reshpja do e quante Shtëpia Kriminalo-Letrare e Partisë së Punës.

Në Shqipëri prej kohësh ishin zhdukur ikonat letrare, mjaft nga ata që kishin argjenduar, tashmë ishin në heshtje; pushteti kishte qenë i ashpër mbi veprën e tyre dhe shpesh herë kjo kishte rrjedhur nga jeta, e pak herë nga fjala e shkruar. Shkrimtarët e njohur , si të thuash, ishin hirnosur; ata që do të zinin vendin e tyre ishin ende të pluhrosur nga cektina e talentit dhe nga shkrepëtima e luftës të sapo mbaruar që u kishte mbetur në mendje. Të paktët si Shuteriqi, Spasse apo Xoxa, Petro Marko apo Mitrush Kuteli, , në këtë rrëmujë të madhe, nuk arrinin dot të ngrinin një peshë kaq të rëndë të artit, për më tepër, ajo që u kërkohej, realizimi socialist, ishte i papritur, stresues, e herë herë , i papërballueshëm.

Kadare, përmes enigmës misterioze të një bisede telefonike, që nuk ishte kurrë vetëm aq, do të sjellë shemrimin e vjetër sa bota mes “princit” të shndërruar në “prijës”, “ udhëheqës i madh”, “timonier i madh”, dhe sundimtarit të mendjes, krijuesit, të kudogjindshmit; dhe këtë, jo vetëm në sinoret e mëdha të një të gjashtës së botës,në kontinentin aziatik, por edhe në këtë ngrehinë të vogël shqiptare, ku dramat dhe tragjeditë do të jenë po aq të mëdha, në mos edhe përtej tyre.

Duke perifrazuar Jorge Luis Borges, koha ose jeta për shkrimtarët shqiptarë ishte e dyllojshme : me ose pa diktaturën.

Befas, pas vitit 1945, Shqipëria ishte egërsuar, kur pritej të zbutej. Po ndjehej mungesa e hapësirës, aq e domosdoshme për shkrimtarët. Jepte një frymë të lehtë qetësimi përbërja e kryesisë së parë të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku mes të tjerëve do të ishte edhe Vinçens Prendushi apo Sejfulla Malëshova, dy poetë që cilësoheshin krejtësisht të kundërt në jetën e tyre, por që po provonin bashkëjetesën. Prendushi ishte prift, Malëshova komunist i vjetër; Prendushi ishte adhurues i traditës së vjetër zakonore dhe poezia e tij mbështetej tek kjo rrymë, Malëshova ishte revolucionar, përmbysës, pasues i Avni Rustemit dhe sekretar i Fan Nolit. Në mes njërit, si pjesë e elitës së shërbimit të krishterë katolik , dhe, tjetrit, si pjesë e nomenklaturës së lartë të shtetit komunist, paqja do të ishte më e shkurtër se sa marrëveshja. I pari do të burgosej Prendushi, që do të vdiste në burg; më pas, rradhën do e kishte Malëshova, ndoshta i vetmi nga antarët e rëndësishëm të udhëheqjes komuniste që do të vdiste në internim, pasi të tjerët, pas tij, kur shteti do të egërsohej edhe më , do të pushkatoheshin.

Zanafilla e Golgotës shqiptare të artit nis kështu.

“Kur sunduesit grinden”, megjithë hapësirën e madhe që zë në deshifrimet e pafund, hamendjet, përplasjet, studimet, marrjen me të mirë apo me të keq të poetit, nëse do të krahasohej me jetëshkrimin e njërit nga poetët e dënuar politikë në Shqipëri, do të ishte e pangjashme, pasi, qoftë dënimi, qoftë pasdënimi, do të ishin më të stërmëdha.

Ashtu si Mandelshtami, poetët shqiptarë të arrestuar dhe të dënuar, nuk u kryqëzuan për veprën e botuar, por për atë të pabotuar.

Shkaku është i thjeshtë: askush nuk e lejoi botimin e tyre.

Nëse çensura ruse kishte dy palë sy, ajo në Shqipëri kishte njëqind palë të tillë.

Nëse çensura ruse ishte e fuqishme para botimit, në Shqipëri ajo do të vazhdonte edhe pas publikimit të librave, sidomos pas tyre.

Megjithëse nuk kishte shenja të disidencës së hapur, edhe aludimi përbënte faj, ishte objekt gjykimi, mbledhjesh të pafund dhe çastesh denigruese.

Në Shqipëri, si konstaton me të drejtë studjuesi Shaban Sinani, kishte shkrimtarë të padënuar ( të paburgosur) me vepra të dënuara. Rasti më tipik i ksaj kategorie është Ismail kadare. Shprehur me fjalët e njërit prej funksionarëve më të lartë të Partisë së Punës për ideologjinë, që gjenden në një proçesverbal të mbajtur në vitin 1985, “ asnjë vepër e Ismail Kadaresë nuk i ka shpëtuar dënimit”.

A ka qenë Ismail Kadare një shkrimtar desident?

Kjo është njëra nga pyetjet që është shtruar në dy kohrat: në atë para vitit 1990 dhe në atë pas këtij viti.

Interesant është fakti se desidencën e tij e kanë kërkuar dy skaje të shoqërisë, që ishin në përleshje me njëra tjetrën: njerëzit e sigurimit të shtetit dhe kjo është në shumë nga materialet e dosjes së Kadaresë, dhe, nga ana tjetër, të burgosurit politikë të kohës.

Të parët , si ndodh rëndom, për ta mbajtur nën frerin e tyre dhe, ndoshta, për të gjetur momentin e dënimit të tij; të tjerët, për të gjetur atë që i mungonte, fillimin e rebelimit të një plejade tjetër, ndryshe nga ajo që kishte pasur kokën mbi supe në vitin 1945.

Diskutimet janë ndezur edhe më shumë pas vitit 1990. Janë hedhur hipoteza, kundërshti, është gërmuar në libra, janë dhënë kuptime të ndryshme, janë kthyer përmbys çaste e hapur dosjet e vjetra, janë ngjallur mëritë dhe hesapet e të shkuarës, janë nxjerrë nga defterët e vjetër gjithëfarë shënimesh dhe dëshmish, janë sjellë alternativa dhe përsiatje, është synuar të deshifrohet ftohtësia e tij dhe janë përmbysur në fragmente letrash.

Të dukej sikur bota ishte kthyer përmbys. Tani, ish sigurimsat, të pahumbur si mendohej, shtjellonin tezën dhe e përhapnin furishëm atë, se Kadare nuk kishte qenë asgjë tjetër, veçse poeti i përkdhelur i oborrit dhe se, çdo alternativë tjetër ishte e dështuar. Me to ishin bashkuar një tufë shkrimtarësh mediokër të së shkuarës, që mungesën e talentit e lidhnin me kohën e shkuar dhe, në kulmin e hakmarrjes së tyre meskine, donin me çdo kusht të vishnin mantelin e disidentit, ndërkohë që ende në garderobat e tyre ruanin kostumet e hirtë të realizmit socialist. Këto shkrimtarë mesataristë apo mediokër, deri dje të kënaqur për letërsinë brohoritëse që kishin paraqitur, me vullnet të plotë, si “ndihmës së partisë për edukimin e masave”, tashmë kishin gjetur një “brohoritje” të re, synimin për të linçuar atë që e kishin ndjekur nga pas gjithë jetën, me lakminë e të patalentuarit dhe kënaqësinë që u kishte falur përshendetja e tij në rrugën e kryqëzuar.

Jo çdo kundërvënie, rebelim, papajtueshmëri, mërzi dhe ashpërsim, mund të quhet disidencë. Tek Kadara ka qenë gjithçka e pamatshme: ai ka qenë shkrimtari më i botuar dhe njëkohësisht më i ndaluari. E, megjithatë, ai nuk ishte disident.

Në njërin nga prononcimet e tij, shkrimtari Ismail Kadare është shprehur se “ unë kam qenë një shkrimtar normal në një shoqëri jonormale, jo një shkrimtar disident”.

I lodhur nga mërmërimat, diskutimet pa fund, hamendjet, afrimin e kurorës së disidentit dhe largimin e saj, sidomos në pragun e nominimit për çmimin “Nobel”, i bezdisur nga pyetja, nëse ka qenë apo jo disident, ai ka përsëritur se “ nuk kam qenë i tillë dhe se ajo që kam bërë s’ka qenë veçse një letërsi normale në një kohë anormale. S’më është dashur dhe as që do më duhej tjetër titull, meritë apo krenari”.

x x x

Historia e Pasternakut me Stalinin, ajo telefonatë mister e 13 qershorit 1934, që është dukur sikur solli fitoren e tiranit mbi poetin, duke e fajësuar këtë të fundit, është ndër ato që ka vazhduar edhe më tej.

Sado që nuk është dashur kurrëtë bëhej e njohur nga shkrimtari Ismail Kadare, përballja e tij me diktatorin shqiptar, ka ndodhur dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Jo se ata, të dy vinin nga i njëjti qytet dhe nga e njëjta rrugë. Si duket , ata nuk kanë qenë fillesë dhe nuk kishte pse të ndodhte ashtu.

Herë pas here, edhe ai ka bërë lëshimet e tij, ato “ qokat” e domosdoshme, si një lloj haraçi , i cili duhej të paguhej domosdo.

Çuditërisht, këto “ qoka” janë më shumë në disa nga poezitë e tij, se sa në prozën e tij të shumëllojshme.

Mendimi, i lindur pas vitit 1990, se Ismail Kadare është një shkrimtar i klasit të parë, por, ç’e do, i prishin punët ato faqet që kishte shkruar për Enver Hoxhën, zgjohej herë pas here, pa bërë më tej, në atë që vërtet kishte ndodhur.

Romani i Kadaresë “ Dimri i vetmisë së madhe”, edhe pse është këmbëngulur fort të quhet haraçi i Kadaresë për Enver Hoxhën, në të vërtetë është requime për botën komuniste; është ripërsëritja e Makbethit në një sallë tjetër, shumë më të madhe, është vrasja në gjumë e besimit të njerëzve tek një doktrinë ere, që nga ëndërr po bëhej e përgjakshme, është, në fakt, zezona e kësaj bote.

Ata që e ndjenë më shumë këtë përballje dhe tmerr, ankth e trishtim, përmbysje dhe vrasje, ishin majat e studimit komunist në Shqipëri.

Ata, të parët, kërkuan me ngulm ndalimin e veprës. Mohimin e saj. Kalimin në karton. Furtuna e ngritur kundër veprës u bë aq e furishme , sa që ngatrroi nëpër këmbë anëtarë të Komitetit Qendror, të byrosë politike, komitete të rretheve dhe deri në qendrën fatkobe të shtetit, në Shkollën e Lartë të Partisë, që me një vendim të posaçëm, ishte njësuar si shkollë e lartë universitare.

Me datë 8 maj 1973, Komiteti i Partisë i Tiranës, i dërgon Komitetit Qendror, Ramiz Alisë, mendimet e shfaqura në organizatën e partisë të pedagogëve të shkollës së partisë “V.I.Lenin” për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të I.Kadaresë.

( Po sjell shkurtimisht 7 pikat kryesore,duke mënjanuar analizën e tyre)

1.Autori shtrembëron të vërtetën historike…

2.Situata e brendshme e vendit, marëdhëniet shoqërore e lufta er klasave gjatë periudhës së bllokadës nuk janë pasqyruar drejt e me vertësi jetësore.

3.Lufta e klasave pasqyrohet pa vertetësi dhe nga pozitat e humanizmit abstrakt.

4.Në vepër përligjet e propogandohet lufta midis brezave.

5.Përsa u përket heronjve, ndihet fryma e deheroizmit. Përsonazhet negativë janë të shumtë dhe paraqitja e tyre zë vendin kryesor.

6.Në vepër paraqiten plagë të tilla shoqërore, si alkoolimi, prostuticioni etj.

7.Veçanërisht ndihet në roman influencimi i autorit nga teoria e sotme borgjeze e “ revolucionit seksual” dhe nga filozofia ekzistencialiste…

Do të ishte mirë që ky roman të hiqet nga qarkullimi.

Historia e ndeshjes së diktaturës me shkrimtarin është e lashtë, sa bota dhe, si duket, do të vazhdojë edhe m tej. Vazhdimi i saj, edhe kur tirania merr fund, është shenja e parë se tirania vazhdon të jetë e pranishme, ajo nuk ka rënë deri në fund dhe se, hakmarrja e saj, sado e vonuar të duket, është pikërisht kundër kësaj letërsie normale t krijuar në një kohë anormale.

Për fat Shqipëria, majat e artit të saj, e krijuan këtë letërsi normale në një kohë anormale.

E krijuan mundimshëm, me vuajtje, duke lënë në atë betejë të hapur e të ashpër, shumë viktima. Por, nuk doli e mundur.

Mbyllje

Është e vështirë të flasësh për raportet e shkrimtarit me diktaturën, po aq sa është të flasësh për Kadarenë.

Ai ka pasurdhe vazhdon të ketë veçantitë e tij. Do apo nuk do, atë e ndjen deri në brendësi të vetvetes. Edhe kur është inatçi, zevzek dhe njeri që nuk e njeh faljen. Çdo herë, përballë një vepre të kufizuar, ke zbuluar të pakufishmen dhe, përmes abstraktes ke gjetur realen.

Duke perifrazuar Stefan Cvajk-un, Kadare është tepër i madh për shikimin tonë të përditshëm.

Kadarenë e duan me të njëjtën forcë të shumësisë njerëzore , që nuk e duan një pakësi e hidhur e botës jashtë letrare.

I paprituri që pritet me ankth.

Me Kadarenë, më thonte një ditë poeti i çuditshëm dhe eruditi i pashoq, Moikom Zeqo, je i sigurtë, ai nuk flet pasi t’i kthesh shpindën.

I veçantë në jetën e tij, më shumë të përkorë në dukje dhe më tepër vetëtuese në letra.

Kadare është gjirokastrit. Vlonjati, për shembull, është më vlonjat, se sa një gjirokastrit është gjirokastrit. Por ky i fundit është më fin, më mondan, i mbajtur me njërën dorë pas traditës dhe me dorën tjetër tej saj, duke braktisur ngushticat për një gjendje të re.

Askush nuk e përfytyron dot kadarenë të ulur këmbëkryq, pranë një sofre, duke pirë raki, apo duke ia kthyer në një këngë labe, e megjithatë, ai mbetet një ndër shkrimtarët më të dashur, më të njohur dhe më pasionantë të njerëzve.

“Ismail Kadare është ndoshta shkrimtari më i rrallë në botë që del fitimtar mbi diktaturën, pa u shqetësuar të shpallej si disident a kundërshtar i saj.

Kur diktatura ra, shkruan poeti Visar Zhiti, kishte edhe plagët që i bëri asaj shkrimtari”.

Një diktaturë me plagët e shkrimtarit, është gjithnjë e humbur.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.