Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Kënga e nizamit që e kishim harruar dhe vajtimi i nënave në ditët e sotme

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,918
– Tragjedia e moskthimit e të larguarve në tri poezi-

Nga Ndoc Logu

“Lamtumirë mos thuaj… Kjo fjalë hap dheun, kjo fjalë gurin çan …” Luigj Shyti

“Kthehuni, sa jemi gjallë. Po na tret larg, ky mall!

Kthehuni, o bij dhe bija, ju pret nënë Shqipëria… “ Vullnet Mato


Kënga e nizamit (ushtarit), që e kishim harruar m’u kujtue ato ditë kur po varroseshin ushtarakët që dhanë jetën në një vend të huaj, ashtu si nizamët gjatë shekujve të pushtimit. Ndërsa vajtimet e nënave shqiptare që prej 30 vjetësh ma rishfaqi si një skenë drame tragjike që s’paska të mbaruar, poezia e Vullnet Matos “Telefonata e një nëne”. Si “Kënga e nizamit” (ushtarit) dhe poezia e Vullnetit, kanë në brendësi dhe shprehin të njëjtën dramë tragjike të popullit tonë, largimin dhe moskthimin. Si largimi nga vendi, si moskthimi, motivet i kanë të ndryshme. Drama është moskthimi tek nëna, tek oxhaku, tek sofra e bukës që ja shtronte nëna, në rastin e poezisë Vullnetit. Ndërsa në rastin e këngës nizamit (ushtarit) tek nëna, gruaja, tek fëmijët, tek vatani dhe tek toka qe e lindi. Pas këngës nizamit dhe lotëve të nënave, të Vullnetit, fshihet drama tragjike: heshtja e të larguarit, e pas heshtjes, ndoshta edhe vdekja e pabesë, pas së cilës edhe shuarja graduale e familjes dhe vet Shqipërisë.

Vetëm në 64 vargje, Vullneti, na jep plagën e madhe të moskthimit. Vetëm në 53 vargje, kënga e nizamit, na shpreh dramën shekullore të djemve shqiptar në radhët e ushtrisë pushtuesve larg atdheut. Kënga e nizamit nuk ka autor konkret. Është populli firmëtar, që ka përjetuar dhe përballuar fatkeqësinë e largimit e moskthimit djemve të vet pasi shkonin nizam. E ndërsa nuk dimë kohë as autorin e këngës nizamit, dimë me saktësi vendlindjen e saj: Dukagjinin e Shkodrës. “Telefonatat e një nëne” e Vullnetit është e qershorit 2019. Kënga popullore e nizamit është shekullore. Pas pushtimit gjatë turk, pas vitit 1385, kur Princi i Topiajve kërkon ndihmën e turqve për të mundur një Princ tjetër po shqiptar; Ballashajt. Ata erdhën i mundën që të dy dhe sunduan popullin tonë për rreth 500 vjet. Që nga kjo kohë, deri në prag të 1912-tës, se në cilin shekull nuk i dihet, gjenden motivet e këngës nizamit, pra largimet e detyruara dhe shpeshherë edhe pa kthim. Poezia e Vullnetit i referohet kohës pas viteve 90-të. Diferenca e kohës krijimeve është shekullore. E para, kënga e nizamit, memorizon një tragjedi shekullore. E dyta është vazhdim i së parës, edhe pse kohët kanë ndryshuar. Por jo drama e popullit tonë, ikja pakthim, apo kthimi në arkivole si dy ushtarakët e fundit, apo të tjerëve para këtyre. Që të dy krijimet të emocionojnë, të tronditin, të kthejnë tek motivet e krijimit tyre që është, ikja dhe moskthimi i shumë prej tyre as në arkivole.

Kënga e nizamit (ushtarit) evidenton dhe na len si dëshmi një plagë tragjike shekullore. Pushtuesit turq kërkonin që, çdo vit e për çdo shtëpi nga një mashkull ushtar, me detyrim nga 3 deri në 7 vjet pandërprerë, pavarësisht nga rrethanat që kishte familja. Djemtë tanë, shkonin ushtar me detyrim, për të luftuar në ato vende të huaja ku Perandoria Osmane pushtonte, apo për të mbajtur të shtypura ato vende që kishte pushtuar deri në skajet më të largët të Perandorisë. Kënga e nizamit, që këndohej në Dukagjin, me realisht ajo ishte një vajtim, derisa u çlirua vendi në Nëntorin e vitit 1944, është shumë tronditëse. Pas këtij viti, kjo plagë tragjike 400 a 500 vjeçare qe mbyllur, e për rrjedhojë, as kënga e nizamit nuk kujtohej më. E kishim harruar. Djemtë shkonin ushtar pa ditur se ku, pa ditur as kohën as kthimin. Shumë nga të cilët as nuk kanë as varre, por humbnin në shkretëtirat e pamata. Kënga pas hyrjes, na jep mallin përvëlues të nizamit për nënën, për gruan e gjithçka ka lënë pas.

Na i ka ra malli i shtëpis,

Na i ka ra malli me shkue,

Kush ka nanë e kush ka grue,

Kush ka grue e kush ka nanë,

S’e lan lotët buk me ngranë
… thotë kënga.

E megjithatë, nizami, ishte i detyruar të hante bukën me helm në shpirt e të lagur nga lotët, i kërcënuar nga ligjet e luftës për të vra e shtypë të pa bindurit e Perandorisë. Më pas kënga e nizamit, na shpjegon situatën e rëndë që krijohet në familje për të caktuar nizamin që e lypte Dauleti, djali më i madh, ndryshe ai që quhej kulmi i çatisë e themeli i shtëpisë, shpjegon:

Çova babën e nuk ma deshti,

Me çue vllanë me erdh gazepi:

Kam nji vlla e s’mund ta treti,

Kam nji vlla e s’muj me tretë,

U shtrëngova e shkova vetë…


Në çdo kohë, në çdo familje e për çdo rast, emigrimi ka qenë i dhimbshëm, i vështirë, i dhunshëm nga pushuesit a vështirësitë e jetës, i rrezikshëm e shpeshherë me pasojën e rëndë të moskthimit. Prej rrezikut moskthimit e të larguarve, rrjedhin, edhe lotët e nënave të Vullnetit dhe lotët e nizamit që nuk e lënë të hanë bukën atje në llogoren e luftës padrejtë. Sepse, siç thotë nizami:

S’mund po e ham këtë peksimet,

Asht gatue tash tridhjetë vjet,

Ka xanë kryma e na pëlset…


E tërë kënga e nizamit, çdo strofë e varg i saj, janë tronditëse që buron nga një realitet po tronditës i një populli të pushtuar, ku fatin e jetës nuk e ke më vetë në dorë. Madje as natyrë, as Zoti, por pushtuesi mizor. Por kulmi i dramës tragjike e moskthimit nizamit (ushtarit) arrin kur nizami, i detyruar nga sunduesi, i nënshtrohet fatit tragjik kur thotë: “Njekje puna ka qënë kismet”. Dashuria për jetën, nënën, vëllanë, fëmijët dhe truallin e vet, por edhe shpresa se mund të kthehet gjallë, e detyrojnë nizamin t’i nënshtrohet fatit, por pa patur mundësi ta ndryshojnë rrjedhën e jetës, kur i drejtohet nënës në çastin e largimit:

Qëndro loke, ban gajret,

Në mos ardhshe për tri vjet,

Marto nusen, mos ki dert,

Fale me shënet nanës e bëbës (të nusese),

Falmeshendet kush s’i a çue?

Me i thanë nanës me qëndrue,

Me i thanë gruas me u martue,

Zgjidh një burrë ma t’mirë se mue,

Zgjidh një burrë ku të duash vetë,

Se nuk shihena ma n’kët jetë…


Duke arsyetuar rreth dhjetë vargjeve të mësipërme që shprehin kulmin tragjik dhe fundin fatal të moskthimit të nizamit, duke njohur edhe traditën e krahinës nga ku buron kënga nuk ka se si të mos mrekullohesh me poetin popullor anonim që ka thurur këngën me një besnikëri të jashtëzakonshme me të vërtetën që ndodh realisht në këto raste. Së pari, nizami (poeti) i drejtohet nënës të qëndrojnë e fort, të bëjnë gajret, të tregohet trime, për çka do t’i thotë djali. Duke i caktuar kufirin minimal, me të afërt, të kthimit ose jo, djali e porositë nënën ta martojë nusen. Vetëm ata që e kanë provuar e dinë, të tjerët mund ta mendojnë, se sa e rëndë është nxjerrja e nuses nga shtëpia (me ose pa fëmijë) për faktin se, burri i nuses, ka dhënë jetën në një vend të huaj në interes të një vendit të huaj dhe pushtues i vendit tonë. Duke i thënë nuses: “Me u martue me një burrë me të mirë se mue” dhe “ku të duash vetë“, se “nuk shihena ma në këtë jetë“, tregon nder të tjera se: ç’karakter të fortë, shpirt e ndjenjë njerëzore ka ky djalë. Se, sipas tij, nusja nuk ka pse të ngrysë jetën në pritje të burrit pakthim, qoftë edhe për vite të gjata. Personaliteti i nizamit, djalit nga Dukagjini, arrin në lartësitë e të paimagjinueshmes kur i thotë nuses: “Merr një burrë me të mirë se mue”, edhe pse jeta e vetë është me afër fatalitetit se fatit. Nga ana tjetër poeti popullor i këngës nizamit, na ka lënë edhe një enigmë për ta zgjidhur vetë lexuesi kur thotë:

Zgjidh një burrë ku të duash vetë,

Se nuk shihena ma n’këtë jetë,

Veç kur t’shihena n’ ahiret….


Në rastin e vargjeve të më sipërme kemi të bëjmë me super parashikim të çuditshëm të fatit tragjik të nizamit, po nga vetë nizami kur thotë: “Ne nuk shihena ma n’këtë jetë“. Ose kemi të bëjmë me një hiperbolë poetike të poetit popullor për ta vazhduar e gëzuar jetën e re, edhe pse e vetja pati fat tragjik. Sidoqoftë kuptimet, kënga e nizamit na ka lënë një dëshmi të dhimbshme të ikjes pa kthim të djemve tanë e në shërbim të pushtuesit tënd. Gjithsesi, kënga e nizamit, është njëra nga baladat e dhimbjes tragjike me jetëgjatë, jeta e së cilës është shoqëruar me lot e vajtime, me mallkime e vuajtje, në ato familje që patën fatin e rëndë t’i provojnë efektet e sundimit gjatë osman edhe me humbjen e djemve pa kthim. Por le të lemë nizamin e shekujve 15- të deri në fundin e atij të 19-tit që e kishim harruar; po përse po na kthehen me arkivole “nizamët” e sotëm?

Pas viteve 90-të të shekullit kaluar, largimet pa kthim, si në rastin e nizamit të kohës pushtimit gjatë turk, nga një dramë individuale e familjes, u kthye në një dramë kombëtare. Ose një tragjedi gjithëpërfshirëse, pothuajse e çdo familje. Aq e rëndë është bërë kjo sa po tronditet vetë ekzistenca e kombit tonë, nga largimet dhe mos kthimet, “Nizamët” e sotëm shkojnë me dëshirë duke paguar edhe para nendore. Nuk mund të them (jo se nuk e di) se sa të dobishme janë këto shërbime ushtarake jashtë vendit tonë, për individin, familjen e Shqipërinë? Por ndryshe nga koha e sundimit Osman, për vajtjen, kohën e qëndrimit, të kthimit a moskthimit tyre paguan populli. Për ta bëhen ceremoni shtetërore, jepen tituj, miliona lekë, dekorata të larta, shpallet ditë zie kombëtare, flitet me superlativa me shumë se për Heronjtë e Popullit të çdo kohe. Nuk kam asgjë me ata fatkeqë që kanë dhënë jetën në misionet e huaja, as me të afërmit e tyre. Kjo për faktin se vetë jam nga një familje me katër dëshmorë, dy prej tyre oficerë, njëri prej tyre pilot, që të gjithë rënë në krye të detyrës në tokën tonë, për të mbrojtur dhe forcuar shtetin tonë. Nizamët e 4 e 5 shekujve, të para 1912-tës, jepnin jetën në shërbim të Perandorisë Osmane. Po këta të sotmit në shërbim të cilës Perandori po e lënë jetën? Të Perandorisë së pushtetit të dikujt, apo të perandorive pasurore dikujt tjetër, apo të dyjave bashkë? Por le të kthehemi tek tri poezitë.

E theksuam diku më lart se: “Telefonata e një nëne” e V. Matos i kushtohet dramës sonë tragjike të moskthimit të larguarve nga vendi, e shprehur nëpërmjet mallit dhe trishtimit një nëne. Ndryshe nga “Kënga e nizamit” e poetit popullor anonim , V. Mato nuk na thotë gjë për motivet e moskthimit. Ndoshta për të mos e dramatizuar, përlotur apo dhënë nota dramaticiteti poezisë. Aq më pak mund ta bënte këtë me gojën e një nëne. Ai është mjaftuar me “gazin e lotët e nënës”. Kuptohet se edhe poeti e di fort mirë se, nga të mos kthyerit ka të humbur e të pa gjetur. Ka të vdekur dhe të paditur, në shkretëtira malesh dhe dete të pa matura, me të njëjtin fat si tek “Kënga e nizamit”. Ka të tjerë pas hekurave të kryqëzuara me afate të gjata. Ka të tjerë “qejfmbetës” me atdheun. Të tjerë të harbuar pas avantazheve të ekonomisë së tregut duke tentuar ta shijojnë jetën, pa punuar, siç reklamohet në TV. Ka jo pak të tjerë të ftohur deri në mosmirënjohje që janë larguar pa e kthyer kokën pas, pa menduar fare se ata, ose ato, nuk kanë lindur aq sa janë larguar. Ndaj me dhimbje ju thotë nëna: “Derën e parë, mos e harroni/Ku zgjatët krahët të fluturoni”.

Të gjitha këto motive largimesh janë akte të tragjedisë sonë të madhe të pambarimtë, që poeti V. Mato i di mirë. Por nuk i venë në gojën e nënës, apo të gjitha nënave. Poeti e di mirë dhe na thotë ne të gjithëve, se edhe nëna e poezisë i di këto, por nuk do ta çojnë në mendje të pa diturën, që mund të jetë edhe fatale për shumë nga të moskthyerit. Fjalët e nënës, në telefonin e supozuar, janë të paqta si vetë roli i nënës. Janë kujtesë, por edhe thirrje për ta kthyer kokën dhe shpirtin nga toka jonë, nga muri i shtëpisë, nga oxhaku i ngrohtë ku nëna piqte dhe ndante kulaçin. Sepse, “ju flet dera dhe çatia”. Kështu, nëna në telefon, poeti Vullnet Mato, pasi ju kujton bijve e bijave të larguar disa nga momentet me kulmore të lindjes dhe jetës, ku bënë thirrje, që i del nga shpirti i përvëluar.

Ju flet guri, te sofati pragut,

Ku del e pret, syri i plakut,

Ktheuni, sa jemi gjall,

Pa na tret larg, ky mall!…


Në pjesën e dytë të poezisë, siç e lexoj unë, nëna e poezisë, ju kujton të larguarve se; ç’mrekulli të vendit të vet j’u kanë kthyer shpinën pa kthim, aq sa edhe të huajt që vijnë këtu na thonë: “Këtu është *******”, se edhe këtu : “Mund të bësh miliona/ me ullinj, rrush e limona”. Nëna e poezisë, poeti dhe ne të gjithë e dimë mirë se: mbijetesa dhe vijimësia e jetës kombit tonë, në këto hapësira, është bërë e mundur në saj të vlerave të kësaj toke dhe të dashurisë njerëzve të saj për të. Nëna ju kujton të larguarve se:

Këtu kemi freski flladi,

Ujin që buron nga mali,

Keni diellin, për çdo ditë,

Qiellin, që u ndrite tek sytë…


Më pas vijon me “aromën e luleve tona”, me “gjuhën që pikon mjaltë” nga më të bukurat e botës. Në vazhdim, nëna pasi ju kërkon bijve e bijave të larguar se, nga ku dhe si ka rrjedhur jeta e rinisë tyre në gjirin e nënës e të tokës sonë, vijon duke rritur e këmbëngulur në kërkesën për kthim, “s’është për ju tokë e huaj”, se, edhe në Shqipëri, po të punohet, mund të jetohet edhe më mirë. Madje edhe me mirë se në dhé të huaj. Duke trajtuar temën e moskthimit të të larguarve, poeti, vetëm në katër vargje, nëpërmjet telefonit nënës, na ngre edhe një problem shumë shqetësues kombëtar, atë të humbjes së të drejtës, apo të tjetërsimit pronës që ju përket vetëm shqiptarëve.

Keni lënë trojet për të huaj,

T’i blejnë pronarët tuaj,

Që vijnë, për të zotëruar,

Tokën nga Zoti i bekuar…


Poezia në dukje e thjeshtë, por nuk është kështu, i ngjan një simfonie muzikore me disa akte të trishta po aq të trishta sa vetë fakti e fati i të larguarve në 30 vjetët e fundit, ku të larguarit, shumë shpejt, mund të jenë, në numër, me të shumtë se sa ne që jetojmë këtu. Poezia e Vullnet Matos me tetë vargje thirrje, por mua me duken tronditëse kur ju drejtohet të larguarve:

Ejani të më hapni derën,

T’u shoh sytë, t’u ndjej erën,

T’u shtrëngoj me mall mbi zemër,

T’u puth prap, faqen e ëmbël…


Unë si individ e familje, nuk i kemi provuar këto lloj largimesh nga vendi, përveç atyre për shkollim që në vitet 30-të të shekullit kaluar. Por vargjet e mësipërme i ndjej thellë, më tronditin deri në shpirt. Ja sepse: Nuk ka fshat të Shqipërisë që të mos ketë me dhjetëra të larguar. Nuk ka lagje qyteti që të mos kenë me qindra të larguar pa kthim ku disa mijëra familje po shkojnë drejt shuarjes, duke mbetur me nga një a dy të moshuar të cilëve nuk ka kush t’u hap derën, që gdhihen e ngrysen me muaj a vite te tera, pa u pa sytë fëmijëve, pa ju ndjere erën, pa i shtrënguar në gjoks, pa i puthë në faqe siç thotë poeti. Largimet pa kthim, lindjet e pakta, vdekjet e shumta që po mundin lindjet nga numri, na kanë çuar në një mplakje të frikshme. Shkalla e pallatit ku banoj unë, ka 15 familje dhe vetëm nipi im shkon në shkollë dhe një student jashtë vendit, sepse s’ka asnjë në moshë shkollimi. S’ka lindje, s’ka as kthim të larguarve. Për disa nga arsyet e mësipërme, por edhe të tjera, mendoj unë, u shkrue poezia “Telefonata e një nëne” nga poeti Vullnet Mato, që përfundon me thirrjen: Kushtrim, siç e kuptoj unë:

Kthehuni, o bij dhe bija,

Ju pret nënë Shqipëria,

Se në këto brigje të vjetër,

Jetuan mbretëresha e mbretër.


Temën e largimit të shqiptarëve nga vendi, në këto rreth 30 vjet, edhe pse është nga më të rëndat e historisë sonë, të paktën që nga largimet pas vdekjes Skënderbeut, është trajtuar më cekët në krijimtari, se sa disa tema të tjera pa vlerë, edhe pse është nga më të dhimbshmet, më fatalet për Shqipërinë. Për inatet e kohës 1945-1990, i është dhënë më shumë vëmendje asaj që është quajtur “Letërsi e burgjeve”, që në të vërtetë është e mbushur me urrejtje, intriga, mashtrime, me një llafazanëri mashtruesish ordiner. Ndërsa tragjedinë e largimeve masive, disa sharlatanë banal e quajnë si arritje?! Në listën e krijuesve atdhetar të pas viteve ‘90-të është edhe studiuesi i përkushtuar dhe poeti mbresëlënës Luigj Shyti. Rreth 10 vjet më parë, botoi librin me poezi: “Lamtumirë moj thuaj”. Ndryshe nga shumë krijues të tjerë, poetin Luigj Shyti, e kishte shqetësuar, jo edhe aq largimi, por shumë më shumë moskthimi i të larguarve. Këtë fakt, pra moskthimin poeti e gjykonte me të rëndë, ose afër me vdekjen. Dhe me të drejtë, se siç theksuam edhe më lart, largimi pa kthim e pakësojnë familjen, e varfërojnë edhe Shqipërinë.

Kjo e fundit është më tronditëse. Prandaj kishte të drejtë poeti Luigj Shyti, kur ju drejtohej, në poezi: “Ti po ikën/ për në dhé të huaj,/ përmbi male dhe dete,/ por, lamtumirë mos thuaj”. Më pas poeti, për ta forcuar me fort mendimin e vet, në mënyrë që vargu të jetë sa më ndikues në shpirtin e të larguarve, vazhdon më tej:

Lamtumirë fjalë e vështirë,

Kjo duhet përdorur rrallë,

Kjo fjalë hap dheun,

Kjo fjalë gurin çan…


Duke ndjerë thellë tërë pasojat e moskthimi të larguarve nga vendi, edhe pse me dhimbje, poeti na thotë hapur të vërtetën trishtuese që ai e ndjenë. Dhe me të drejtë poeti shprehet kështu:

Lamtumirë mos thuaj,

Kështu i thonë atij që zbret në varr.

Mirë u pafshim, thuaj,

Kjo mban shpresën gjallë…


Poeti e di mirë se, edhe moskthim do të kenë nga të larguarit, por me kurajo ju thotë se çdo të thotë moskthimi për individin, familjen dhe Shqipërinë. Por edhe pse poeti e parandien moskthimin e jo pak të larguarve, ai, ju kërkon atyre, të mos e thonë lamtumirën e fundit, të thonë, mirupafshim. Kjo do të ishte, apo do të linte, një shpresë, edhe pse të vakët për të vetmuarit e tyre në Shqipëri, që presin me vite e dekada nën peshën e viteve, të vetmisë dhe halleve të jetës, kthimin e të dashurve të zemrës përmalluar.

Sido qofshin motivet e “Këngës nizamit”, “Telefonatat e nënave” të Vullnet Matos apo mosthënie “Lamtumirë“ e Luigj Shytit, plaga jonë e largimit dhe moskthimit i të larguarve nga vendi, pa harruar fatin tragjik të nizamit kohës pushtimit turk, apo të “nizamëve” të kohës sonë, nuk mund të thuhet me saktësi, në se janë përjetime individuale apo shoqërore. Por sido të jenë këto poezi, kanë marrë përmasat e një vlere shoqërore dhe mbeten, ose mbartin një dramë tragjike e histori të trishtë. Në këto raste, poezitë ja kanë arritur synimeve të vete, që nga përjetimet apo ndjenja individuale të autorëve janë ngjitur deri në nivelin e memorizimit një tragjedie kombëtare, ku ka brenda lot, vuajtje e histori…

Në fund të fundit ky është misioni i poezisë atdhetare dhe i poetëve të përkushtuar.
 

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.