Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Konfuci

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731

Konfuci​


Konfuci (nga e folmja Pin-jin Kŏng Zĭ ose Kong Fuci ; nga e folmja Uade-gjile K´ung-cu ose K'ung-fu-cu, fjalë për fjalë "Mjështër Kong", emri origjinal K´ung Q´iu, emri letrar Qung-ni), ishte një mendimtar, mësues, politikan teorik dhe filozof kinez më i famshëm, themelues i Konfucianizmit. Jetoi rreth vitit 551 p.e.s. deri në vitin 479 p.e.s..

Konfuci
Mësimet e tija kanë ndikuar thellë jetën dhe mendimin Aziatik Lindor. Filozofia e tij thekson moralitetin vetjak dhe qeveritar, përpikërinë e marrëdhënieve shoqërore, drejtësinë dhe çiltërsinë. Këto vlera fituan njohje në Kinë mbi doktrinat e tjera si Legalizimi ose Daoizmi gjatë Dinastisë Han. Përdorën që atëherë si një drejtësi perandorake, mendimet e Konfucit janë zhvilluar në një sistem të mendimit filozofik të njohur si Konfucianizem. Ato u futen në Evropë nga jezuiti Matteo Ricci në shekullin e 18-te, që ishte i pari që latinizoi emrin "Confuzius". Mësimet e tija janë të njohura më parë nëpërmjet Analekteve, një mbledhje e vogël e diskutimeve të tija me nxënësit e tij, te përpiluara pas vdekjes.


Jeta vetjake dhe familja​

"Me 15, mblodha mendjen të mësoj;Me 30, mora qëndrim;Me 40, s´kisha më dyshime;Me 50, njihja dëshirën e qiejve;Me 60, m´u mësua veshi;Me 70, ndoqa të gjitha dëshirat e zemrës sime pa thyer asnjë rregull."(Analekte, përkthyer nga James Legge)
Konfuci lindi në vitin 551 p.e.s. në vitin e 22-te të mbretërimit të Dukës Hsiang (gjatë stinëvepranverës dhe vjeshtës, në fillimin e lëvizjes filozofikë të Njëqind Shkollave të Mendimit) në qytetin Qufu, që gjendej në Shtetin Lu (sot pjesë e Krahinës Shandong afër kullës mbretërore të Zhous. Tradita pohon se ai lindi në ditën e 27-te të muajit të tetë hënor, por 28 shtatori vërehet gjerësisht në Azinë lindore si ditëlindja e Konfucit. Kjo datë madje është në Tajvan festa zyrtare e "Ditës së Mësuesit". Ai lindi në një familje fisnikesh me mbiemër K´ung dhe u quajt Q´iu, por historia kineze e njeh edhe si K´ung-cu ose K´ung-fu-cu. I ati i Konfucit vdiq kur ky ishte vetëm 3 vjeç. U edukua dhe u mësua nga e ëma në fillim. Në fëmijëri shquhej si një nxënës i palodhur. Ai kujton në fund të jetës së tij se në moshe 15-vjeçare ai i´u përkushtua mësimit.
Konfuci shërbeu në poste të vogla qeveritar duke drejtuare dhe mbajtur llogarite e grunarëve (hambarëve) përpara se të martohej në moshën 19-vjeçare me një grua të nivelit të tij shoqëror. Nuk dihet se kush ishin mësuesit e Konfucit megjithëkëtë ai u mundua me të vërtete të gjente mësuesin e duhur, para se gjithash në ritë dhe muzikë. Mjeshtëria e gjashtë-fishte e Konfucit në ritualë, muzike, shigjetari, ngarje karroje, bukurshkrim dhe aritmetike dhe njohuria me traditat klasike, me poezinë e spikatur dhe historinë i mundësuan atij të niste një karrierë të shkëlqyer mësuesi në moshën 30-vjeçare.


Mësimet​

"Këto që i mësove para se t'i zbatosh, duhesh ta dishë që je njeri dhe ke familje, ke vëlla, ke motër ke babë e nënë. Asnjë mësim nuk ka vlerë nëse nuk je njeri".
 

Kush është Konfuci, çfare bëri dhe përse është në mesin e 100 personaliteteve të historisë​



Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të pestin me radhë e ka Konfucin.
OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit

Konfuci
551-479 p.e.s

Filozofi i njohur kinez, Konfuci, është i pari që me dijet e tij sintetizoi bazat e arsyetimit të popullit kinez. Filozofia e tij mbështetet në moralin dhe arsyetimin vetjak: qeveritarët duhet t’i shërbejnë popullit duke dhënë shembullin vetjak.
Kjo filozofi ka ekzistuar në jetën dhe kulturën kineze në më tepër se dymijë vjet më parë dhe ka ndikuar te shumë njerëz të botës.
Konfuci është lindur rreth vitit 551 p.e.s në qendrën e vogël Lu, pjesë e territorit që sot bie në provincën e Shantungut në veri të Kinës. I ati i vdiq kur ai ishte ende i vogël dhe filozofi i ardhshëm jetoi me të ëmën në mjerim. Në vitet e rinisë punoi si nëpunës i ulët, por më vonë u largua nga ajo detyrë dhe në 16 vjetët e mëvonshme filloi të predikonte dijet e veta duke tërhequr gjithnjë e më shumë ithtarë.
Në moshën 50 vjeçare I dhanë një funksion të lartë shtetëror në Lu.Pas katër vjetësh,
armiqtë e tij të oborrit, jo vetëm e shkarkuan nga detyra, por edhe e burgosën. Në 13 vjetët e mëvonshme ai u bë mësues shëtitës dhe predikues.
Pas kësaj, u kthye në vendlindje, ku kaloi pesë vitet e fundit të jetës. Vdiq në 479 p.e.s., Konfucin e kanë vlerësuar si themelues të fesë, por kjo nuk është e saktë.
Ai, pothuajse asnjëherë nuk është deklaruar pas ndonjë feje, nuk ka folur për jetën përtej varrit dhe nuk ka pranuar asnjë formë pikëpamjeje metafizike. Në të vërtetë, ai është filozof botëror me interesa të mëdha për moralin vetjak dhe politik, për sjelljen morale.
Sipas Konfucit, dy janë veçoritë kryesore, që përcaktojnë sjelljen e njeriut, Jen dhe Li.
Ngandonjëherë Jen përkthehet “besnikëri” dhe “dashuri”, por më saktë mund të thuhet “meraku shpirtëror për të afërmit”.
Ndërsa Li në vetvete përmban sjelljen njerëzore, ritualin fetar, zakonet, etikën dhe korrektësinë.
Respekti ndaj të moshuarve, veçori themelore e kinezëve që para Konfucit, nga konfucizmi është forcuar në mënyrë të veçantë me besnikërinë dhe respektin e fëmijëve ndaj prindërve. Konfuci gjithashtu thoshte, që gratë duhet t’i respektojnë burrat dhe t’u binden atyre ashtu si shtetasit udhëheqjes. Mendimtari kinez nuk e pranonte tiraninë. Ai besonte në ekzistencën e shtetit për të mirën e popullit dhe ekzistencën e popullit për të; udhëheqësit duhet të drejtojnë me shembullin e tyre moral dhe jo me forcë. Një nga maksimat e tij është një variant i së Drejtës së Artë: “Atë, që nuk do të ta bëjnë të tjerët, mos ua bëj ti atyre”.
Arsyetimi bazë i Konfucit është tejet konservator. Ai besonte se epoka e artë prej kohësh kishte mbaruar dhe u bënte thirrje pushtetarëve dhe shtetasve që të kthenin vështrimin nga normat e vjetra dhe të mirat morale. Në të vërtetë, idetë e tij për të drejtuar shtetin me shembullin moral nuk gjetën zbatim të gjerë në të shkuarën, por në këtë aspekt ai ishte novator më i madh nga ç’mund ta mendonte edhe vetë.
Konfuci jetoi në kohën e Dinastisë Çou, periudhë e ideve të mëdha intelektuale në Kinë. Udhëheqësit e atëhershëm nuk i pranuan mesazhet e tij, megjithatë, pas vdekjes, ato u përhapën në të gjithë vendin. Ditë të zeza për konfucizmin erdhën në vitin 221 p.e.s. kur pushtetin e mori Dinastia Çin. Mbreti i parë i kësaj dinastie, Shi Huant Ti, vendosi ta çrrënjoste ndikimin konfucian për shkëputjen nga e kaluara.
Ai urdhëroi të dënoheshin idetë e Konfucit dhe të digjeshin të gjithë librat e tij. Kjo përpjekje për reprezalje praktikisht nuk pati sukses. Pas disa vitesh, kur erdhi fundi i Dinastisë Çin, studiuesit e Konfucit, për së dyti arritën lirisht të predikonin doktrinën e tyre.Me ardhjen në pushtet të Dinastisë Han, viti 206 p.e.s., konfucizmi u bë filozofi kryesore në shtetin kinez.
Në kohën e Dinastisë Han, mbretërit kinezë i zgjidhnin nënpunësit shtetërorë me anën e provimeve të veçanta. Konfucizmi u njoh si filozofi klasike. Me synimin për t’u ngjitur në hierarkinë shtetërore, që ishte rruga drejt pasurimit dhe prestigjit në Perandorinë Kineze, në provimet për nëpunës shtetërore paraqiteshin shumë kandidatë . Ja përse breza të tërë të rinjsh nga më inteligjentët dhe më ambiciozët e studionin Konfucin dhe në shekuj me radhë e tërë administrate shtetërore e Kinës u mbush më nëpunës, që e shikonin botë nëpërmjet filozofisë së Konfucit. Ai sistem qëndroi (me shkëputje të njohura) rreth 2000 vjet, që nga viti 100.p.e.s. deri në vitin 1900.Po konfucizmi nuk ishte filozofia zyrtare e administratës shtetërore kineze.
Idetë e tij janë zbatuar nga pjesa më e madhe e popullit kinez dhe gjatë 2000 vjetëve kanë patur ndikim të thellë lidhur me subjektin e tyre dhe mënyrën e të menduarit.
Konfuci ndikoi aq shumë te kinezët për disa arsye, si: së pari, cilësitë vetjake, si:çiltërsia, sinqeriteti dhe ndershmëria ishin veti të rëndësishme të tij; Së dyti, ai ishte praktik dhe i matur dhe nuk kërkonte gjëra të pamundura nga ithtarët e vet.
Kur u bë fisnik nuk pranoi të quhej shenjtor.
Me këto sjellje dhe të tjera si këto, Konfuci u bë personifikimi i normave morale të sjelljes së popullit kinez.
Pikërisht, këtu gjendet çelësi i suksesit të madh të ideve të tij në Kinë. Konfuci nuk kërkonte nga kinezët që të ndërronin bindjet e tyre themelore. Ai, praktikisht përsëriste në një formë të qartë dhe të besueshme idealet themelore e tradicionalte të tyre. Pothuajse nuk ka filozof të dytë në histori që të jetë i lidhur aq shumë me pikëpamjet fondamentale të bashkatdhetarëve të vet.
Konfucizmi, që këmbëngulte më shumë në detyrat sesa në të drejtat e individit, mund të kuptohet me vështirësi dhe të mos pranohet normat e sotme perëndimore. Megjithatë, si filozofi shtetërore, në praktikë ai ka patur frytshmëri të jashtëzakonshme.
Për aspektin e ruajtjes së paqes së brendshme dhe përparimit, vihet re se gjatë 2000 vjetëve, Kina ka qenë pak a shumë shteti i qeverisur më mirë në botë.
Rrënjët e thella të kulturës kineze, idealet e Konfucit nuk kanë gjetur përhapje të gjerë jashtë kufijve të Azisë Lindore.Ato kanë patur ndikim të fuqishëm veçanërisht në Kore dhe Japoni,dy shtete me ndikim të madh të kulturës kineze.
Në kohërat tona, konfucizmi në Kinë është në rënie. Duke synuar shkëputjen nga e kaluara, komunistët kinezë e sulmojnë energjjikisht Konfucin dhe doktrinat e tij. Në këtë aspekt, mund të shihet edhe fundi i periudhës së ndikimit të tij në historinë kineze.
Megjithatë ,duke ditur rrënjët thella të idealeve të Konfucit, nuk do të jetë e papritur, në qoftë se në të ardhmen në Kinë do të lindë përsëri konfucizmi.
GW1037H434-300x126.jpg

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.
Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.
Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.
Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.
Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.
Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.
Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.
 

Konfuci, moralisti që predikoi modelin e përsosur të individit si garanci të një shoqërie progresiste​






Nga Albert Vataj

Gjithçka që ka mbërritur deri në ditët e sotme nga mësimet e këtij moralisti të madh, këtij mendimtari të shquar është ajo që sollën nxënësit e tij. Nëse Jezu Krishti erdhi në të vërtetën biblike përmes ungjijve të dishepujve, këshillat dhe mësimet e vyera të këtij “shentjori” të pashpallur erdhën përmes dëshmive të nxënësve të tij, atyre që e ndoqën dhe e vazhduan këtë doktrinë të moralizmit shoqërorë. Konfuci ishte mësuesi themelues i konfucianizmit, një fe e lindur si reagim ndaj një nevoje për rend, që ndihej shumë në një periudhë historike veçanërisht të trazuar për Kinën. Prej këtu u përhap më vonë edhe në Kore dhe Japoni. Doktrina e Konfucit nuk kufizohej në respektin e riteve tradicionalë, por nxiste edhe një refleksion mbi jetën morale të qenies njerëzore, përtej hierarkisë sociale. Njeri i mirë nuk ishte ai që lindte në shtresat e sipërme të shoqërisë, por ai që demonstronte se kishte një sjellje morale të përsosur, të shoqëruar me arsimimin.
Konfuci, kinezisht Kung-fu-ce, përkatësisht Kong-fu-tse, lat.Confucius, filozof kinez (551- 479 p.e.r.).
Kongfuzi ose Konfucius, sipas formës së latinizuar të emrit u lind në vitin 551 para Jezu Krishtit, në qytetin e vogël Lu, në jug të provincës së sotme të Shatongut. Ndonëse me origjinë nga një familje e shquar (babai i tij ishte guvernator), rininë e kaloi në varfëri. Është vështirë sot në bazë të veprave të nxënësve të tij – të cilat kaluan në redaksi të ndryshme – të vërtetohet saktësisht cilat janë pikëpamjet e vetë Konfuçit dhe cilat janë shtesa të nxënësve dhe komentuesve të shumtë të tij. Por megjithëkëtë mund të nxirren disa elemente dhe tendenca fundamentale të pikëpamjeve të tij mbi botën dhe jetën.
Emanuel Kanti e krahasonte Konfucin me Sokratin, duke e vënë kështu në të njëjtin rrafsh me filozofët më të mëdhenj moralistë europianë. Kongzi – ose Kongfuzi, domethënë “mësuesi Kong”, emër i latinizuar në Konfucius nga misionarët jezuitë të shekullit XVII, që e bënë të njohur në Perendim – qe, ashtu si Sokrati dhe Buda, një mësues që mësonte mënyrat për të bërë një jetë të ndershme. Dhe, ashtu si Buda apo Sokrati, ai mblidhte rreth vetes një bashkësi të madhe nxënësish, që e përhapën dhe e përjetësuan doktrinën e tij duke e çuar më tej.
Në epokën e quajtur “Pranvera dhe Vjeshta”, pushteti i dinastisë Zhu, që siguronte bashkimin kombëtar të Perandorise së Mesit, nga fundi i mijëvjeçarit II para Jezu Krishtit ishte në perëndim e sipër. Mbreti ritual – “Biri i Qiellit” – mezi durohej; prijësit e rinj të principatave të vogla, që ndanin tashmë mes tyre perandorinë, luftonin midis tyre me të njëjtën egërsi që zhduknin në vetë territorin e tyre kundërshtarët e mundshëm të fisnikërisë së vjetër. Për të shmangur rrezikun e anarkisë, specialistë në qeverisje u përpoqën të bënin të detyrueshme respektimin e përpiktë të rregullave dhe të ligjeve. Në kundërshtim me këtë rrymë “ligjësuese”, lindi te njerëzit e ditur – kryesisht të fisnikërisë së vjetër, tashmë e mbetur pa punë – një prirje për t’u tërhequr nga jeta e gjallë dhe për t’iu përkushtuar kundrimit dhe shijimit të stërholluar të bukurive të natyrës. Kjo prirje qe pikërisht ajo e Laocise (ose Lao Ce, rreth vitit 570-490 para Jezu Krishtit), ndoshta bashkëkohës i Konfucit dhe autor i hamendësuar i Daodezhing-ut (ose Tao-to-kmg) të parë, teksti bazë i taoizmit. Sa i takon Konfucit, ai nuk ishte ithtar i tërheqjes nga jeta e gjallë dhe nga bota politike; përkundrazi, ai donte që njerëzit të mësonin për të jetuar sa më mire së bashku.
Por ai nuk mendonte aspak se njerëzit duhej të shtrëngoheshin për respektimin e ligjeve: ata duhej të deklaroheshin vetë ithtarë të vlerave të një tradite të shëndoshë.Nga ky mendim, Konfuci nxori një mësim praktik: në shkollë pranonte djem të rinj të të gjitha kategorive shoqërore që dëshironin të bëheshin pjesëmarrës të vetëdijshëm të bashkësisë kombëtare. Përveç formimit klasik, që përmbante njohjen e shenjave të shkrimit dhe të poezisë së lashtë kineze, ata mësonin zotërimin e trupit dhe bukurinë e sigurisë së vetes, për shembull në artin e kthyer në rit të gjuajtjes me hark. Mësuesi Kong ndihmoi kështu në formimin e një elite, të rekrutuar në (pothuaj) të gjitha shtresat e popullsisë dhe e aftë për t’i shërbyer shtetit pa marre parasvsh asnjë interes familjar apo fisnor. Kjo rezervë krijoi një klase të re nëpunësish, që i siguroi shtetit dhe Kinës një vazhdueshmëri të veçantë në historinë e botës.Por Konfuçi nuk kënaqej vetëm duke përhapur dijet e tij, të çfarëdo niveli të ishin ato, por kërkonte gjithashtu urtësinë e mirë dhe të drejtë.
Ai dallonte – atë që vulosi “bashkëkohësinë” e tij – zemërmirësinë, domethënë një ndjenjë të vetvetishme dhembshurie, për ritet tradicionale të domosdoshme për mbijetesën e një shoqërie. Respekti për zakonet kishte për të po aq rëndësi sa përshtatja shoqërore, duke siguruar kështu një sjellje të drejtë dhe të ndershme të individit.
Ashtu si për Sokratin dhe Budën, ne e njohim doktrinën e Konfucit vetëm përmes bisedave të përcjella nga nxënësit e tij. Në këto biseda, fjalët e mësuesit mbajnë vulën e urtësisë dhe të gjykimit të shëndoshë universal, por nuk kanë një “metafizikë” të dorës së dytë, në kuptimin perëndimor të fjalës. Te Konfuci nuk gjejmë spekulime për atë që e mban së brendshmi shoqërinë, por vetëm arsyetime praktike mbi mënyren me të cilën njerëzit duhet të rregullojnë jetën e tyre të përditshme. Biseda, vepra që përmbledh fjalët e mësuesit, është, së bashku me Daodezhing-un e Lao Çese, pikënisja e mbare filozofise kineze.
Konfuci dëshiron para së gjithash të paraqesë plotësisht dhe besnikërisht traditën dhe jo të krijojë ndonjë sistem filozofik origjinal («Nuk kam lindur i ditur. E dua antikitetin dhe përpiqem ta studiojë»). Ai gjithashtu nuk dëshiron të merret vetëm me çështje boshe dhe abstrakte teorike, por dëshiron ta zbatojë praktikisht doktrinën e tij, kurse ai shembull merr shtatë sundues të mençur. Ndaj ai është edhe reformator social edhe etik dhe kërkon shembuj në të kaluarën sipas të cilëve duhet të jetojnë gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.
Lidhur me sundimin dhe shtetin, janë të njohura maksimat e tij (për shembull: «Në qoftë se sunduesi është i drejtë, punët do të kryhen edhe nëse nuk ka urdhëruar. Në qoftë se nuk është i drejtë, mund të urdhërojë, por punët nuk do të kryhen»), të cilat kishin për qëllim racionalizimin e marrëdhënieve shoqërore. Edhe vetë ligjin kozmik tao Konfuci e shpjegon si parim aktiv, i personifikuar sidomos në funksionin e sunduesit, i cili si «bir i qiellit» duhet vazhdimisht të harmonizojë rendin njerëzor mikrokozmik me rendin qiellor, makrokozmik. Në qoftë se këtë nuk e bën, qielli do ta dëmkos sunduesin me shenjat e veta: me thatësira, vërshima dhe me katastrofa të tjera elementare, kurse populli në këtë rast ka të drejtë ta përmbysë.
Me gjithë theksimin e origjinës «qiellore» dhe të fatit të tao-s si dhe të rëndësisë së traditës, të nderimeve pas vdekjes dhe të flijimeve, mësimi i Konfucit pa dyshim ka orientim agnostik kur është fjala për çështjet fetare. («Nëse ende nuk dimë t’i shërbejmë njerëzve, si mund t’u shërbejmë shpirtërave? – «Nëse akoma nuk e njohim as jetën, si mund ta njohim vdekjen?»).
Si një njeri i etikës, Konfuci para së gjithash beson në mirësinë origjinale të njeriut. Nocion fundamental i etikës së tij është Jen-i, ligji i përgjithshëm që duhet t’i sundojë të gjitha marrëdhëniet e familjes, të shoqërisë dhe të shtetit, i shprehur si e ashtuquajtura «rregulla e artë». «Mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të tjerët ta bëjnë ty». Mirëpo, prapëseprapë, me gjithë se hasim elemente të këtilla, të ngjashme me ato të krishterimit, te Konfuci do të gjejmë më parë dhe më lehtë edhe një seri tezash të cilat janë të kundërta me çdo mësim etik dhe fetar, të cilat në vete do të kishin disa teza të doktrinës së vonshme të krishterë:
«Dikush pyeti: “Çka do të ndodhte sikur së keqes t’i përgjigjeshim me të mirë’? Mësuesi u përgjigj: Me çka do ta kthenim të mirën atëherë? Së keqes duhet përgjigjur me drejtësi, kurse së mirës me të mirë».
Për zbatimin e tërësishëm praktiko-etik të doktrinës së Konfucit është shumë karakteristik shkaku për të cilin ai e kërkon për shembull parimin e rektifikim të fjalëve. «Çdo gjë duhet emërtuar me emrin e vet të vërtetë» ngase kjo nuk është vetëm mënyrë sesi të arrihet një interpretim i caktuar i drejtë, por shumë më tepër normë e cila duhet të fusë rregull edhe në marrëdhëniet shoqërore. Sepse, sipas Konfucit, në shoqërinë e rregulluar mirë çdo gjë e ka emrin e vet të vërtetë, secili emërtim përmbajtjen konforme në vetë realitetin: «Që sunduesi të jetë sundues -, ministri-ministër, babai – baba, kurse i biri të jetë bir». Kështu kjo shkencë mbi «emrat e saktë» – e cila përmban në vete edhe disa elemente konservative bëhet kërkesë imperative, përkatësisht kërkesë që secili ta kryejë detyrën e vet në mënyrë konsekuente si funksion të dhënë në shoqëri.
Shkenca e Konfucit përjetoi më vonë shumë modifikime duke e larguar kështu konfucianizmin nga mësimi burimor i mësuesit, kështu që me transformimin e tij nga mësimi filozofik në religjion popullor, Konfuci nga mendimtari u bë figurë e shenjtë, madjje edhe hyjnore, të cilit i bënin fli dhe i përkushtonin lutje. Mirëpo, fushata kundër filozofisë së Konfucit të cilës një kohë në Kinë dhe sidomos në kohën e të ashtuquajturit revolucion kulturor i atribuoheshin të gjitha të këqijat dhe vetë obskurantizmi reaksionar më i errët – nuk është analizë serioze e kësaj doktrine të veçantë, por anatemë ideologjike, me të cilën zatën etiketohej çdo mendim që nuk ishte në përputhje me nevojat politike sunduese.
Veprat kryesore: Konfuci shkencën e tij nuk e shënonte vetë. Gjatë disa gjeneratave pas tij është rregulluar dhe shënuar doktrina e tij në tre libra, nga të cilët më të rëndësishëm dhe më të drejtpërdrejtë janë Bisedat (Lung-yii), pastaj Doktrina e madhe (Ta-hsio) dhe Rrethi i patundshëm (Çung-yung).
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E KONFUCIT
* Konfici theksonte: “Si fëmijë kam qenë i varfër, andaj di shumë shkathtësi të cilat vlejnë pak. A duhet të di shumë i mençuri? Jo! Shumësi nuk është i rëndësishëm!”
* Konfuci kur ishte 50 vjeç, u ftua në oborrin mbretëror, u bë ministër i drejtësisë, realizoi shumë reforma shoqërore, por për shkak të mospajtimit me princin mendjelehtë së shpejti largohet nga oborri mbretëror dhe udhëton nëpër vise të ndryshme të Kinës. Kah fundi i jetës i përkushtohet rregullimit dhe paraqitjes së mësimit të vet (kishte gjoja 3000 nxënës).
* Sipas Konfucit, njeriu medoemos duhet të zhvillojë vazhdimisht virtytet e veta natyrore dhe të jetë aktiv, ngase vetë virtytet, nëse nuk bën ndonjë përpjekje, akoma nuk e bëjnë të përsosur. Andaj nxënësi i vërtetë i urtësisë merr rrugën e përfeksionimit, duke dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, të drejtën nga e padrejta. Mirëpo njeriu vërtet i urtë është modest kur flet, ai në realitet gjithmonë më shumë bën se sa flet dhe veprat dhe veprimet e tij janë gjithmonë mbi mësimet e tij. Ndaj ai «urren oratorët e mirë që përzihen me njerëzit e ndershëm».
* Konfuci shkoi në Luojang krveqyteti i lashtë i Zhuve, për të studiuar aty arkivat. Sa më shumë që thellohej në burimet e historisë kineze, aq më tepër kuptonte se domethënia e koncepteve kishte ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme së bashku me kohën, madje kishte raste kur ajo ishte falsifikuar. Për shembull, në traditë, marredhënia midis një babai dhe djalit të tij, ose midis princit dhe shtetasit të tij, nuk ishte vetëm sundim dhe nënshtrim, siç udhëzonte doktrina ligjore, por kërkonte gjithashtu edhe një shkëmbim detyrimesh të dyanshme dhe nderimesh tepër të holla. Djali ose shtetasi duhej të bindej, duke patur të drejtë, madje dhe detyre t’i kundërshtonte dëshirat arbitrare të “superiorit” të tij. Konfuçi e quajti metodën e tij të mësimdhënies “korrigjimi i emrave”, për të vënë në lojë dhe për të mbuluar me turp falsifikimin e traditës. Ne flasim më shumë për “kritikë”, një kritikë që e ka zanafillën e saj tek tradita, e njohur si një traditë e mirë dhe e ligjshme. Mësuesi Kong mbante kështu për të mira dhe të ligjshme vlerat e familjes patriarkale, nderimin e të parëve dhe zhvendosjen e vlerave familjare te shteti.
* Tregimi i parë mbi jetën e tij u përpilua rreth vitit 100 para Jezu Krishtit: historiani Sima Qian i kushtoi filozofit një kapitull të tëre në vepren e tij të gjerë mbi Antikitetin kinez. Kjo biografi është një nga burimet më të rëndësishme megjithëse realiteti dhe legjendat përzihen aty në mënyrë shumë të ndërlikuar. Burimi i pranuar përgjithësisht si më i denjë për t’u besuar mbi jetën dhe vepren e Konfuçit, ku vetë ai nuk përpiloi asnjë shkrim, është Lunyu (Biseda), një përmbledhje e fjalëve të tij, e bisedave me nxënësit e vet dhe e anekdotave, që arriti të behej teksti kanonik më i madh i filozofise konfuçiane.
* Është e qartë se Konfuci synoi për karrierë politike dhe se pati ambicie për këtë fushë gjatë tërë jetës së tij, por është e pamundur të përcaktosh me siguri rolin e saktë që duhet të ketë luajtur në politikë. Ai drejtoi shumë herët, në moshën njëzetedvvjeçare, një shkollë që i shërbeu për të ushtruar veprimtaritë e mësuesit të mendimit. Krahas “gjashtë arteve” (shkrim, llogaritje, etiketë, muzikë, gjuajtje me hark dhe ngarje e koçisë), mësimi përqendrohej kryesisht mbi marredhëniet shoqërore dhe mbi njohjen e njeriut.
 

Këshillat më brilante të Konfucit, që u kanë rezistuar shekujve​

Konfuci.jpg



Veprat e mëdha të Konfucit janë disa prej klasikeve më të rëndësishme kineze.
Ja disa shprehje për ndërgjegjësimin nga Konfuci, që jo vetëm e kanë ruajtur vlerën me kalimin e shekujve, por edhe kanë fituar gjithmonë e më shumë peshë.
  1. Urtësinë mund ta mësojmë me tre mënyra: Së pari, përmes reflektimit, që është më fisnikja; së dyti përmes imitimit, që është më e kollajta; dhe së treti përmes eksperiencës, që është më e hidhura.
  2. Vullneti për të fituar, dëshira për të patur sukses, nevoja për të arritur potencialin e plotë… këto janë tre çelësat që do të hapin derën drejt përsosmërisë personale.
  3. Kudo ku shkon, shko me zemër.
  4. Zgjidh një punë që e dashuron, dhe nuk do të të duhet të punosh as edhe një ditë në jetë.
  5. Çdo gjë ka bukurinë e vet, por jo të gjithë e shohin.
  6. Eshtë e kollajtë të urresh dhe e vështirë të duash. Kështu funksionon e gjithë skema e gjërave. Të gjithë gjërat e mira janë të vështira të arrihen; dhe gjërat e këqia kapen kollaj.
  7. Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.
  8. Lavdia jonë më e madhe qëndron jo në të mos rrëzuarit, por në të ngriturit sa herë që rrëzohemi.
  9. Atij që i di të gjithë përgjigjet, me siguri nuk i janë bërë të gjithë pyetjet.
  10. Unë dëgjoj dhe harroj. Unë shoh dhe kujtoj. Unë bëj dhe kuptoj.
  11. Nëse bën një gabim dhe nuk e korrigjon, ky po që quhet gabim.
  12. Nëse ajo që do të thuash nuk është më mirë se heshtja, atëherë mbaje gojën mbyllur.
  13. Dituria e vërtetë është të dish madhësinë e injorancës tënde.
  14. Jeta është vërtetë e lehtë, por ne këmbëngulim që ta ndërlikojmë.
  15. Mbaj besnikërinë dhe sinqeritetin si parimet kryesorë.
  16. Suksesi varet nga përgatitja e mëparshme, dhe pa këtë përgatitje, e sigurtë që do të vijë dështimi.
  17. Ai që lëviz malin, e fillon duke hequr guralecë të vegjël.
  18. Kur është e qartë se objektivat nuk mund të arrihen, mos ndrysho objektivat, por hapat që ndërmerr për t’i arritur.
  19. Lëndimet harroji, por mirësinë mos e harro kurrë.
  20. Njerëzit më argëtues janë njerëzit më të trishtë.
  21. Studio të kaluarën, nëse do të përcaktosh të ardhmen.
  22. Në një vend të qeverisur mirë, duhet të kesh turp nga varfëria. Në një vend të qeverisur keq, duhet të kesh turp nga pasuria.
  23. Përpara se t’i hysh rrugës së hakmarrjes, hap dy varre.
  24. Njeriu superior është i stresuar prej limiteve të aftësive të tij; ai nuk stresohet nga fakti që njerëzit nuk ia shohin aftësinë që ai ka.
  25. Të shohësh çfarë është e drejtë dhe të mos e bësh, kjo është poshtërsia më e madhe.
  26. Nuk është asgjë të të tregojnë se e ke gabim, nëse nuk vazhdon që ta kujtosh vazhdimisht.
  27. Të dish atë që di dhe atë që nuk di, kjo është dija e vërtetë.
  28. Respekto veten, dhe të tjerët do të të respektojnë.
  29. Nëse mendon për një vit, mbill një farë; nëse mendon për dhjetë vjet, mbill pemë; nëse mendon për 100 vjet, mëso njerëzit.
  30. Heshtja është një mik i mirë, që nuk të tradhëton ansjëherë.
  31. Koha rrjedh si uji në lumë.
  32. Më mirë një diamant që ka një të metë, se sa një guralec që nuk ka asnjë.
  33. Nuk mundesh që të hapësh një libër dhe të mos mësosh diçka.
  34. Arsimi ushqen vetëbesimin. Vetëbesimi ushqen shpresën. Shpresa ushqen paqen.
  35. Mos u bëj të tjerëve, atë që nuk do të ta bëjnë ty.
  36. Sulmo të keqen që është brenda teje, në vend që të sulmosh të keqen që kanë të tjerët.
  37. Eshtë turp të jesh i pasur dhe i nderuar në një shoqëri të padrejtë.
  38. Atë që kërkon njeriu i madh e ka brenda vetes; atë që do, njeriu i vogël e kërkon tek të tjerët.
  39. Eshtë më e turpshme të mos u besojmë miqve tanë, se sa të mashtrohemi prej tyre.
  40. Kur sheh një njeri të mirë, mendo që të bëhesh si ai/ajo. Kur sheh dikë jo dhe aq të mirë, reflekto për pikat e tua të dobëta.
  41. Njeriu i madh mendon gjithmonë për virtytin. Njeriu i vogël mendon gjithmonë për rehatinë.
  42. Ai që bën një pyetje është budalla për një minutë. Ai që nuk e bën pyetjen, është budalla për gjithë jetën.
  43. Mos u anko për dëborën në çatinë e fqinjit, kur pragu yt është i mbushur plot.
  44. Muzika prodhon një kënaqësi, pa të cilën natyra njerëzore nuk do të bënte dot.
  45. Kur rritet zemërimi, mendo për pasojat.
  46. Njeriu i mençur nuk ka kurrë dy mendje; njeriu dashamirës nuk shqetësohet kurrë; njeriu kurajoz nuk ka frikë kurrë.
  47. Konsiderata dhe respekti për të tjerët është baza e një jete të mirë, shoqërie të mirë.
  48. Guri i çmuar nuk pastrohet pa e fërkuar fort. Edhe njeriu nuk përsoset pa vështirësi.
  49. Sa më shumë që njeriu mediton për gjëra të mira, aq më e mirë do të jetë bota e tij, por edhe bota në përgjithësi.
  50. Jepi një njeriu një tas oriz, dhe do ta ushqesh për një ditë. Mësoji si të rrisë vetë oriz, dhe do t’i shpëtosh jetën.
  51. Gjëja më e vështirë nga të gjitha është që të gjesh një mace të zezë në një dhomë të errët, sidomos kur nuk ka fare mace.
  52. Ai që mëson por nuk mendon, është i humbur! Ai që mendon por nuk mëson, është në rrezik të madh!
 
edhe ktu ka nje pasaktesi, kur thuhet qe Lao ci mund te ishte bashkohes i konfucit, ne fakt ay ka qene bashkohes i tij biles ka pas edhe nji takim
midis tyne Lao i vjeter konfuci i ri, dhe ay i jep ca keshilla ...

dhe qe aty konfuci filloj te kishte qasje tjeter ...?

po te duash me shume detje jap
 
edhe ktu ka nje pasaktesi, kur thuhet qe Lao ci mund te ishte bashkohes i konfucit, ne fakt ay ka qene bashkohes i tij biles ka pas edhe nji takim
midis tyne Lao i vjeter konfuci i ri, dhe ay i jep ca keshilla ...

dhe qe aty konfuci filloj te kishte qasje tjeter ...?

po te duash me shume detje jap

Përderisa ke detaje te reja nxirri akoma me mire e pasurohen shkrimet qe nxirren
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.