Korça është një qytet në Shqipërinë Jug-Lindore. Vlen të përmendet Tuma e Kamenicës. Faktet tregonin banimin e kësaj zone në epokën e bakrit. Rreth Korçës ndodhen qendra shumë të hershme si: Kamenica, Podgoria, Maliqi dhe Devolli. Korça përbën një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzeumet e shumta në qytet përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj. Është e mirënjohur shkolla e parë shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917. Edhe pse ndër vite qyteti ka qënë pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbëjnë një pjesë të vogël te kulturës korçare.
TURI I QYTETIT TË KORÇËS
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën, kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Në çdo kohë, ju mund të vizitoni të gjitha atraksionet turistike, për të cilat janë vendosur tabela informuese dhe orientuese:
- Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar;
- Muzeu Kombëtar i Arsimit;
- Xhamia e Iliaz Bej Mirahorit;
- Parku “Themistokli Gërmenji”;
- Shtëpia Muze e piktorit Vangjush Mio;
- Teatri “Andon Z. Çajupi”;
- Bulevardi “Republika”;
- Lëndina e Lotëve;
- Parku “Rinia”;
- Pazari i Vjetër;
- Katedralja “Rigjallja e Krishtit”;
- Qendra kulturore “Vangjush Mio”;
- Muzeu “Gjon Mili” ;
- Biblioteka “Thimi Mitko” ;
- Muzeu Oriental “Bratko” ;
- Muzeu Arkeologjik ;
- Lagjet e vjetra të Korçës.
E quajnë Qyteti i Serenatave, Qyteti i Dashurisë, Qyteti i Artit, Qyteti i Shkollës së Parë Shqipe, Qyteti i Birrës, Parisi i Vogël dhe po ta shohësh nga afër, gjen plot cilësi të tjera që të ftojnë ta vizitosh sërish Korçën.
Çfarë mund të bëni në Korçë?
- Vizitoni “Pazarin e Vjetër” .
- Shijoni një kafe dhe gatime tradicionale tek baret dhe restorantet e qytetit.
- Shëtisni në rrugicat me kalldrëm, karakteristike të Korçës.
- Vizitoni Xhaminë më të vjetër në Shqipëri, “Iljaz Bej Mirahori” dhe Katedralen “Ringjallja Krishtit”.
Mund të pushoni pak në parkun më të bukur në Shqipëri “Rinia”. - Vizitoni fabrikën e parë të prodhimit të birrës “Birra Korca”.
- Mund të bëni guidën “Korça me Biçikletë”.
- Vizito muzeumet e qytetit.
Kulinaria:
Petulla të fshira. Petullat e fshira janë gatuar prej shumë e shumë vitesh në këtë zonë. Shumë të mira për t’u shijuar edhe shqeto, por më tepër shijohen dhe kur shtrohen në tavolinë me djathë dhe hudhra dhe piqen në saç. Ju mund të keni provuar krepat dhe mbase s’keni kurreshtje për këtë gatim tradicional korçar, por mbase nuk e njihni shijen e petullave të fshira në tavë.
Kërnackat. Disa vite më parë shija e tyre ka qenë e pangatërrueshme. Por sot edhe në Korçë tregu është ngatërruar pak. Për të provuar kërnackat me nam të Korçës, do duhet të pyesni për vendet se ku i gatuajnë ende ato origjinalet, në zgarë me prush dhe që nuk ngatërrohen me qoftet dhe kanë një shije të papërsëritshme.
Lakrori me dy petë. Të shtunave apo të dielave në çdo shtëpi korçare gjeni patjetër një lakror për drekë, që ditëve të verës është patjetër me qepë dhe me ato domatet, që nuk i gjen në asnjë zonë tjetër. Lakrori me dy petë nuk duhet të ngatërrohet me byrekun. Është pak i ngjashëm për mënyrën si gatuhet, por ka tjetër shije dhe ai i vërteti është vetëm nëse piqet në saç. Brenda, në varësi të stinës, bëhet me kos dhe vezë, me hithra, presh, arme, spinaq.
Petaniku me fasule. Kur shkon në Korçë ia vlen të shijohet një petanik me fasule. Petët e pjekura marrin aromën e tymit dhe kurse fasulet që i hidhen brenda nuk duhen ngatërruar me gjellën e fasuleve me qepë e salcë. Janë vetëm të ziera dhe kanë shije shumë të mirë kur piqen në tavë, së bashku me petët dhe gjalpin.
Fasulet pllaqi. Një tavë aq e mirë, sa kur piqet mbush gjithë ambientin me aromë dafine dhe rigoni. Tava e faquleve pllaqi, që gatuhet me llojin e fasules kokërrmadhe, karakteristike për zonën e Korçës, është një nga pjatat shoqëruese më të mira, që kur vendoset në mes ta tavolinës, konkurron gjithçka rreth e rrotull.
Pak më shumë për Korçën:
Këto tradita ruhen ende edhe sot e kësaj dite. Në çdo shtëpi korçare nuk kanë si të mungojnë këto gatime të mrekullueshme, të cilat nuk gatuhen vetëm nga vendasit, por edhe nga qytete të tjera. Shumica e lokaleve dhe restoranteve janë me një arkitekturë të vjetër, e cila preferohet shumë nga turistët. Një atraksion tjetër brenda qytetit të Korçës është pazari i saj, i cili karakterizohet nga ndërtesa përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq shumë vizitorët. Ndonëse kanë kaluar shumë vite nga krijimi i tij, ai ende ruan po të njëjtat vlera kulturore dhe historike pasi ai më parë ka shërbyer si vend i shkëmbimeve të mallrave me tregëtarë që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Nuk mund të lihen pa përmendur serenatat e bukura të Korçarëve. Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe luan një rol kryesor në botën shpirtërore korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare e ka te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjelllë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës. Serenata është shumë modeste edhe për instrumentet muzikore. Asaj i mjafton një mandolinë apo kitarë. Në ditët e sotme serenatat e bukura korçare këndohen në çdo pjesë të saj. Ato janë shumë të dashura për banorët dhe për turistët njëkohësisht. Kjo është Korça e bukur e serenatave, ku çdo rrugicë e saj duket sikur këndon dhe vallëzon në të njëjtën kohë. Ky është qyeti që të buzëqesh pareshtur dhe të fton të hidhesh në krahët e historisë, kulturës, traditës dhe argëtimit që ta jep pa u kursyer nëpërmjet tingujve muzikorë të kitarave dhe zërave që i këndojnë dashurisë.
./turizmishqiptar/home-blog