Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Mesime nga jeta!

Juno

Kontributor
Regjistruar më
Kor 25, 2017
Mesazhe
32,412
Një çift ishin të martuar prej 10 vitesh dhe nuk kishin fëmijë. Ata qëndruan sëbashku dhe shpresonin që të kishin një fëmijë në përvjetorin e tyre të 11-të. Familjarët dhe miqtë e secilit prej tyre i këshillonin që të ndaheshin nga njëri tjetri, por ata nuk pranonin për shkak të dashurisë së madhe që kishin midis tyre.
Muajt kaluan.
Një ditë kur i shoqi po kthehej nga puna, pa të shoqen duke ecur në rrugë me një burrë. Ata dukeshin shumë të lumtur. Pas një jave, i shoqi përsëri e pa gruan e tij në shoqërine e të njëjtit burrë. Burri i pa ata shumë herë në vende të ndryshme duke përqafuar njëri tjetrin.

Një natë, kur bashkëshorti po kthehej në shtëpi, shikon atë burrë të shoqërojë gruan e tij dhe duke e puthur në faqe. Ai u mërzit dhe u inatos shumë. Pas një dite të lodhshme në punë, bashkëshorti ishte në shtëpi. Ndërkohë që po mbante një gotë në dorë për ta mbushur me ujë, bie telefoni. Sapo ngre receptorin një zë vjen nga ana tjetër duke thënë, “Çkemi e dashur, sonte do vij të të shoh, dhe siç të premtova...”
Burri e mbylli menjëherë telefonin përpara se të dëgjonte ndonjë gjë më të rëndë.

Mendoi me vete, ishte zë burri dhe jam i bindur që ishte i njejti person që kam parë shumë herë të shoqërojë gruan time. Mendoi se e kishte humbur gruan, dikush tjetër e kishte tashmë dhe i bie gota nga dora e thyhet copash.

Me të dëgjuar zhurmën, gruaja erdhi me nxitim tek ai dhe e pyeti, “A është çdo gjë në rregull i dashur?”
I zemëruar dhe i inatosur ai e shtyen, ajo rrëzohet në dysheme dhe spo lëvizte më. Pas pak burri vë re që asaj i kishte rënë koka në një copë xhami. Ulet ti dëgjojë frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës, por më kot, ajo kishte vdekur. Në dorë gruaja mbante një zarf, ai e hapi dhe filloi ta lexonte:

“Burri im i dashur, nuk mund ta shpreh dot me fjalë se si ndihem...prandaj dhe po të shkruaj këtë letër. Jam takuar me një mjek për mbi një javë dhe doja të sigurohesha para se të të jepja lajmin e madh.
Mjeku konfirmoi që jam shtatzënë. Fëmija jonë është 3 muajsh. Mjeku me të cilin jam konsultuar është vëllai im i madh që ishte zhdukur prej vitesh. Ai më premtoi se do kujdeset për mua dhe fëmijën tonë pa na marrë asnjë pagesë në këmbim. Më dha fjalën se sonte do të vijë për darkë tek ne. Dua të të shkruaj se jam shumë e lumtur. Faleminderit që më qëndron pranë gjithmonë.
Gruaja jote që të do shumë.”

Letra i ra nga dora, nderkohë hapet dera dhe vjen dikush.
Përshendetje, unë jam Xhoni... vëllai i gruas suaj. Ku është ime motër?

Mësimi:
Ne nuk duhet të gjykojmë shumë shpejt. Në një marrëdhënie duhet të flasim me njëri-tjetrin dhe ti sqarojmë gjërat. Nuk duhet të lejojmë inatin tonë të na kontrollojë, sepse asgjë nuk është ashtu si duket!
 
Teodori ishte një skulptor i famshëm dhe shumë i zoti. Skulpturat e tij dukeshin si të vërteta. Një ditë ai pa një ëndërr sikur pas 15 ditësh, ëngjëlli i vdekjes do të vinte ta merte atë.

Teodori krijoi shumë statuja të vetes së tij dhe kur ditën e pesëmbëdhjetë dëgjoi ëngjëllin e vdekjes të vinte, ai u fut midis statujave të tij që të mos njihej.

Ëngjëlli i vdekjes nuk po e njihte dot se cili ishte Teodori i vërtetë, sepse ai kishte bërë një punë prej mjeshtri, statujat ishin të padallueshme nga ai. Nga ana tjetër, Teodori qëndronte në gatishmëri, në heshtje dhe pa lëvizur as qerpikun.

Pasi u mendua për disa çaste, ëngjëlli tha: “Teodor, këto skulptura do të ishin perfekte nëse nuk do kishe bërë një gabim në njërën nga këto statuja.”

Teodori nuk mund të duronte ti poshtërohej puna. Ai doli nga statujat dhe pyeti: “Në cilën statujë është gabimi që kam bërë?”

Ëngjëlli i vdekjes e kapi dhe i tha: “KJO KËTU” (për veten e tij).

Asnjë gabim nuk kishte në statujat e tij, ato ishin perfekte por Teodori u kap për shkak të kryelartësisë së tij.

Mësimi:
Kryelartësia e ka rrëzimin shumë shpejt. Në këtë tregim të shkurtër mund të nxjerrim së paku dy mësime:

1-Askush nuk mund ti shpëtojë vdekjes, prandaj është mirë që çdo ditë ta jetoni si të ishte dita juaj e fundit e jetës.

2-Kryelartësia, fodullëku është armiku më i madh i njeriut. Dikur gjyshja ime e shkreta thoshte: “Ty nuk të lë hunda të hash bar” (dmth hundën e ke aq të gjatë saqë ajo prek tokën përpara se goja jote të prekë barin).
 
Pasi arriti shumë sukses në karrierën e tij, një djalë i ri ndjeu se duhet të paguante mbrapsht nënën e tij për gjithçka që ajo kishte bërë për të. Kështu ai e pyeti atë, “Mama çfarë mund të të jap? Çfarë mund të bëj për ty? Sinqerisht dua të të shpërblej për të gjitha sakrificat që ke bërë për mua dhe gjithë dashurinë që më ke dhuruar gjatë gjithë kësaj kohe.”

Mami u habit dhe tha, “Pse e mendon kështu? Ishte detyra ime, dhe e bëra. Nuk ke pse të më paguash. Edhe nëse do ti, nuk ka asnjë mënyrë që një burrë të ripaguajë nënën e tij.”

Pavarësisht refuzimeve të saj, ai vazhdonte të insistonte vazhdimisht. Për ti dhënë fund diskutimit, ajo tha, “Në rregull, nëse të duhet ta bësh me patjetër, atëherë sonte ti do të flesh me mua në një shtrat ashtu si ke bërë kur ishe fëmijë.”

Ai tha, “Kjo është një gjë e çuditshme për tu kërkuar, por nëse kjo gjë të kënaq, do ta bëj.”

Pasi atë e zuri gjumi, mami u ngrit dhe mori një kovë me ujë dhe e derdhi të gjithën nga ana e tij. Duke u ndjerë i shqetësuar nga lagështian që kishte nën të, nëpër gjumë ai lëvizi nga ana tjetër e shtratit. Pasi u qetësua, mami mbushi një kovë tjetër me ujë dhe ia derdhi përsëri në anën ku po flinte. Këtë herë u mundua të gjejë vend të thatë duke u spostuar në fund të krevatit.

Pas një farë kohe, ai u zgjua nga lagështira që ishte nën trupin e tij. U ngrit dhe pa mamanë e tij me me kovën në dorë.

“Çfarë po bën mama? Pse nuk më lë të fle? Si pretendon të fle në një shtrat të lagur?”, e pyeste djaloshi shumë i acaruar.

Mami iu përgjigj, “Kam fjetur me ty kur ti urinoje në shtrat natën. Ti ndërroja rrobat dhe të vendosja të flije në anën e thatë të shtratit, ndërkohë që vetë flija në anën e njomë. Kishte netë që urinoje dy a tre herë brenda natës, të ndërroja përsëri dhe kur nuk kishe më rroba, të vishja rrobat e mia. Ishim fukarenj, më duhej të flija vetëm në fill të këmishës sepse me rrobat e mia të mblidhja ty.

E pasi e kishe lagur të gjithë shtratin, të merrja e të vendosja sipër meje. Shpatullat e mia qëndronin në shtratin e lagur e të ftohtë, ndërsa shpatullat e tua në kraharorin tim të ngrohtë. Ishte e pamundur të flija nganjëherë natën, jo sepse nuk më zinte gjumi apo nuk duroja dot të ftohtin nën shpatulla, por kisha merak se gjatë gjumit ti do më ikje nga kraharori e do flije në të lagur.

Kështu biri im, meqë deshe të më paguash, do ta quaj të shlyer nëse fle një natë të vetme në këtë shtrat të lagur!”

Mësimi:
Nga të gjitha borxhet më të mëdha të botës, i vetmi borxh që nuk mund të shlyhet është ai që i detyrohesh nënës tënde. Nuk mund ta paguash kurrë dashurinë, përkujdesjen dhe kohën që nëna jote të dha për të të bërë burrë. Ti je një pjesë e mishit dhe gjakut të saj. Mos e harro këtë, sepse ajo kurrë nuk e harron. Ji një dhënës dhe jo një marrës, sidomos me prindërit e tu.
 
Ishte një herë një dijetar. Ai ishte shumë i pregatitur në çdo fushë. Ai dinte gjithçka, por ishte shumë i varfër. Nuk kishte shtëpi, madje edhe ushqimin mezor arrinte ta siguronte. Madje edhe rrobat i kishte shumë të vjetëruara e të grisura.

I ndodhur në këto kushte, dijetari lypte shpesh ushqim për të ngrënë. Ai shkonte nga njëra shtëpi në tjetrën duke lypur. “Të lutem më jep një lëmoshë”. Kur e shikonin të veshur në atë mënyrë, shumë njerëz mendonin se ishte i marrë dhe i përgjigjeshin, “Ik tutje”, dhe ia përplasnin derën në fytyrë. Për ditë me radhë ai nuk kishte ngrënë.

Një herë, në një farë mënyre ai arriti të veshë rroba të reja. Një pasanik ia kishte dhuruar atij. Tashmë i veshur me rroba të reja, ai vazhdoi të lypë si më parë. Në shtëpinë e parë që shkoi të trokasë i tha: “Ju lutem, më jepni diçka për të ngrënë!”. I zoti i shtëpisë, sapo e pa të veshur mirë e bukur mendoi ky njeri i lartë thjesht ka mbetur rastësisht pa gjë dhe do jetë i huaj në këtë fshat. “Urdhëroni zotëri, ju lutem futuni brenda e rrimë për drekë!”

Dijetari u ul në tavolinë për të ngrënë. Pasi u prezantuan dhe morën vesh se personi në fjalë ishte një dijetar i madh, shërbye një larmi supërash, ëmbëlsirash, dhe mish me bollëk.

Pasi bëri lutjen e ushqimit, dijetari mori një ëmbëlsirë dhe në vend që ta fuste në gojën e tij, ai filloi të ushqejë rrobat e tij të reja duke i thënë, “Haje, haje!”

Kur panë këtë veprim të çuditshëm, të zotët e shtëpisë u habitën dhe nuk po e kuptonin këtë gjë. Ata e pyetën, “Rrobat nuk hanë apo jo? Atëherë, pse o dijetar i madh po i ofron atyre ushqim?”

Dijetari iu përgjigj, “Po i ushqej sepse është falë këtyre rrobave që ju më ofruat mua sot ushqim. Vetëm dje, në këtë shtëpi unë lypa ushqim dhe ju më refuzuat duke ma përplasur derën në fytyrë. Duke qenë se është falë këtyre rrobave që unë mar ushqim, i jam shumë mirënjohës atyre. Kjo është dhe arsyeja që unë i ushqej ato.”

Të zotët e shtëpisë u ndjenë paksa të turpëruar.

Mësimi:
Kurrë mos gjyko nga pamja e jashtme.
 
Ishte dikur një mbretëri. Mbreti kishte vetëm një këmbë dhe një sy, por ai ishte shumë inteligjent dhe i sjellshëm. Të gjithë njerëzit atje jetonin të lumtur dhe të pasur për shkak të mbretit të tyre. Një ditë, madhëria po ecte nëpër koridoret e pallatit të tij dhe vuri re në mur portrete të të parëve të tij. Ai mendoi se një ditë fëmijët e tij do të kalonin po në të njëjtin vend dhe do të kujtonin paraardhësit e tyre.

Por mbreti nuk kishte një portret të tijin. Për shkak të kufizimeve të tij fizike, ai ishte në dyshim se si do të dilte portreti i tij. Kështuqë ftoi të gjithë piktorët e famshëm në pallatin e tij dhe i njoftoi se kishte dëshirë që dikush prej tyre ti bënte atij një portret të bukur që ta vendoste në mur. Gjithsecili prej piktorëve do të shpërblehej sipas cilësisë së portretit që do të prodhonin.

Të gjithë piktorët nisën të mendojnë se mbreti kishte vetëm një këmbë dhe një sy, si mund të dalë portreti i bukur? Nuk është e mundur dhe nëse piktura nuk del e bukur atëherë mbreti do të inatosej dhe do ti dënonte ata. Kështu, një e nga një, që të gjithë nxorrën nga një justifikim dhe refuzuan me mirësjellje ofertën e mbretit.

Por papritmas, një piktor ngriti dorën dhe tha që unë do të bëj një portret të bukur për ju dhe do ta pëlqeni atë me siguri. Mbreti u gëzua teksa dëgjoi këtë ndërsa piktorët e tjerë u bënë shumë kuriozë. Piktori vizatoi portretin e mbretit dhe e mbushi me ngjyra. Pas një kohe të gjatë, më në fund ai tha se portreti ishte gati!

Të gjithë obërrtarët, piktorët e tjerë ishin shumë kuriozë dhe mendonin: si mundet një piktor të bëjë një portret të bukur të dikujt që është i gjymtuar? Po sikur ai të mos e pëlqejë pikturën dhe të inatoset? Por kur piktori prezantoi portretin, që të gjithë në pallat, përfshi mbretin, mbetën gojëhapur.

Piktori kishte bërë një portret anësor në të cilin mbreti ishte ulur në kalë, duke mbajtur harkun dhe kishte marrë shënjestër shigjetën e tij me njërin sy të mbyllur. Mbreti u kënaq shumë që piktori i kishte bërë një portret të bukur duke fshehur me zgjuarsi mangësitë e tij.

Mësimi:
Gjithmonë duhet të mendojmë pozitivisht për tjetrin dhe ti injorojmë mangësitë e tyre. Duhet të mësohemi që të fokusohemi në gjërat e mira në vënd që të mundohemi të nxjerrim në pah dobësitë e tyre. Nëse mendojmë dhe qasemi pozitivisht edhe në një situatë negative, atëherë do të jemi të aftë të zgjidhim problemet tona me më shumë lehtësi.
 
Kohët e fundit kam lëvizur shpesh pa makinë. Një mbasdite vonë, teksa po kthehesha nga puna, vura re një burrë të pastrehë rreth të 50-tave. Më erdhi keq për të, nxorra portofolin dhe i dhashë disa të shkoqura që kamarierja mi ktheu si kusur.

Ai më falenderoi. Të nesërmen në mëngjes përsëri, i pastrehu po qëndronte po në të njëjtin vend. Këtë herë mendova se është i uritur. I bleva diçka për të ngrënë dhe ia zgjata. Ai më falenderoi për mirësjelljen time. U bëra kruioz, ishte një burë i pashëm pavarësisht situatës në të cilën ndodhej dhe e pyeta: "Si arrite në këtë pikë?"

Ai ngriti kokën, më shikoi në sy dhe me një buzëqeshje më tha: "Duke Treguar Dashuri". Nuk e kuptova me thënë të drejtën, kështuqë e pyeta përsëri: "Çfarë do të thuash me këtë"? Ai mupërgjigj: "Përgjatë gjithë jetës sime, jam siguruar që gjithsecili të jetë i lumtur. Pavarësisht se çfarë shkonte keq apo mirë në jetën time, unë gjithmonë i kam ndihmuar të gjithë".

E pyeta: "A je penduar"? Mu përgjigj: "Jo, vetëm se më vret në shpirt fakti që të gjithë njerëzve që u kam dhënë edhe bluzën e trupit nuk më dhanë as një mëngë së po të njëjtës bluzë kur kisha nevojë. Bir, është më mirë të ndërtosh shtëpinë tënde dhe të strehosh dikë brenda se sa ti japësh atyre tullat e tua të ndërtojnë shtëpinë e tyre ndërkohë që ti po ndërton tënden. Sepse një ditë do të kthehesh pas dhe do shohësh vendin ku kishe planifikuar të ndërtosh shtëpinë tënde. Do të jetë një themel bosh. Pastaj do të jesh ti ai i cili po kërkon tulla."

E kuptova shumë mirë se çfarë më tha zotëria, e falenderova për këshillën dhe u largova me keqardhje për të.

Mësimi:
Nuk po them se të ndihmosh të tjerët është gjë e keqe. Por nganjëherë, ndërkohë që po ndihmjmë të tjerët, ne harrojmë hallet dhe nevojat tona. Gjithmonë duhet mbajtur mend se të ndash diçka me dikë është më mirë se t'ia dhurosh e t'ia falësh. Ti mund të bësh më shumë dhe të ndihmosh më shumë duke qenë vetë në një pozicion të fortë se sa ta çosh veten tënde në një situatë më të dobët.

https://www.facebook.com/mesimi/photos/a.1376026862522792/1713951308730344/?type=3
 
DISA KËNDVËSHTRIME TË SUKSESIT

Kur je 4 vjeç... Suksesi është....
Që të mos bësh çiçin në brekë.

Kur je 8 vjeç... Suksesi është....
Të gjesh rrugën për në shtëpi.

Kur je 12 vjeç... Suksesi është....
Të kesh shokë.

Kur je 18 vjeç... Suksesi është....
Të marësh patentën.

Kur je 23 vjeç... Suksesi është....
Të diplomohesh ne universitet.

Kur je 25 vjeç... Suksesi është....
Të gjesh një punë.

Kur je 30 vjeç... Suksesi është....
Të jesh një burrë me familje.

Kur je 35 vjeç... Suksesi është....
Të bësh para.

Kur je 45 vjeç... Suksesi është....
Të dukesh një djalë i ri.

Kur je 50 vjeç... Suksesi është....
Të edukosh mirë fëmijët e tu.

Kur je 55 vjeç... Suksesi është....
Të jesh ende i aftë ti bësh detyrat e tua mirë.

Kur je 60 vjeç... Suksesi është....
Të jesh ende i aftë ta mbash patentën.

Kur je 65 vjeç... Suksesi është....
Të mos kesh sëmundje.

Kur je 70 vjeç... Suksesi është....
Të mos jesh barrë për askënd.

Kur je 75 vjeç... Suksesi është....
Të kesh miq të vjetër.

Kur je 80 vjeç... Suksesi është....
Të gjesh rrugën për në shtëpi.

Kur je 85 vjeç... Suksesi është....
Që të mos bësh çiçin në brekë përsëri.
 
Një burrë i moshuar ishte shtruar në spital dhe pothuaj çdo ditë, atë e vizitonte një djalë i ri. Djaloshi kalonte çdo dite nga një orë me të moshuarin e sëmurë. Ai diskutonte me të në shtratin e spitalit, e përkëdhelte dhe i jepte kurajo për shëndetin e tij.

Madje kishte edhe ditë kur ata shëtisnin përreth oborrit të spitalit. Rrallë mund të shikoje një djalosh të tillë që kujdesej kaq shumë për një të moshuar. Pasi mbaroi vizitën, si gjithmonë djali u largua dhe i moshuari u fut në dhomën e tij.

Një infermiere po bisedonte me kolegen e saj: "Sa djalë i mirë, si nuk harroi një herë ky njeri të vizitojë këtë të sëmurë!!"

"Patjetër që duhet të jetë i biri", iu përgjigj kolegia.

"Ah sikur të ishte ashtu moj bijë", ia ktheu i moshuari kur i dëgjoi. "Unë dhe gruaja ime nuk patëm fatin të kishim fëmijë në jetën tonë", vijoi të tregojë ai i pikëlluar dhe i pafuqishëm.

"E cili mund të jetë një djalë i ri kaq i edukuar dhe kaq i sjellshëm për çdo ditë me një të moshuar përveç se djali i tij?!", pyeti me habi njëra prej tyre.

Dhe plaku filloi të tregojë: "Një ditë po shkoja për në punë si gjithmonë kur në një nga rrugicat e lagjes sime pashë një fëmijë rreth 8 vjeç duke qarë i vetëm, mbështetur pas avllisë. Ishte ky djalosh për të cilin po flasim. Prindërit i kishin vdekur disa muaj më parë. E mora për dore, e ngushëllova dhe shkuam në një ëmbëltore. E lashë punën atë ditë dhe kemi ngrënë ëmbëlsira të dy deri sa u velëm. Prej asaj dite, nuk e pashë më vogëlushin.

Pas pothuaj 20 vitesh, unë dhe ime shoqe u rënduam nga shëndeti. Eh... mosha bën të sajën!! Ky djalosh u rishfaq përsëri, por tashmë nuk ishte më ai fëmija që qante pas avllisë; ai ishte bërë një burrë i fortë dhe me një punë shumë të mirë. Filloi të na vizitojë 2 deri 3 herë në javë, na bënte pazarin dhe na i sillte në shtëpi. Tani prej një muaji, gjendja ime shëndetësore u përkeqësua shumë dhe djali mua më shtroi në këtë spital ndërsa bashkëshorten time e mori në shtëpinë e tij dhe kujdeset për të.

E pyeta një ditë: 'Pse o bir po mundohesh kaq shumë për ne?!' Ai me një buzëqeshje të ëmbël dhe duke më rrahur shpatullat mu përgjigj: 'Eh o xhaxha... shijen e atyre ëmbësirave që hëngrëm atë ditë, e kam ende në gojë edhe sot!' "

Mësimi:
Veprat e një personi janë bumerang. Çfarëdo që të bësh, të mira apo të këqia qofshin, një ditë ato do të kthehen përsëri tek ti.
 
Katër shokë, Timi, Tymi, Temi dhe Tomi jetonin në një fshat të cilin e kishte mbërthyer uria. Tre prej tyre janë tmerrësisht të zgjuar dhe të edukuar dhe e konsideronin shkokun e tyre Tomin një dembel dhe budalla praktik.

Ata vendosën të shkojnë në një vend i cili ishte i njohur për pritjen dhe akomodimin e dijetarëve. Rrugës për në atë vend, ata duhet të kalonin midis pyllit dhe gjatë udhëtimit ata gjetën kocka të një luani.

Timi vendosi të tregonte talentin dhe zgjuarsinë e tij duke rikrijuar skeletin e luanit nga këto kocka. Tymi rikrijoi muskujt dhe strukturën e tij. Tani ishte radha e Temit i cili donte të shfaqte fuqitë e tij të mbinatyrshme duke i dhënë jetë luanit.

Tomi u mundua ti ndalojë ata dhe ti paralajmërojë për pasojat e veprimeve të tyre. Por ata nuk ndaleshin pasi ishin të zgjuar dhe Tomi për ta ishte thjesht një person praktik budalla. Tomi u ngjit në pemë përpara se Temi të vijonte me planin e tij.

Luani erdhi në jetë dhe sulmoi për vdekje tre gjenitë.

Natyra praktike e Tomit e shpëtoi atë nga vdekja e sigurtë.

Mësimi:
Nganjëherë është më mirë të jesh praktik sesa i zgjuar dhe i diplomuar në shumë fusha të shkencës. Si i thonë një fjale, ndërkohë që i zgjuari rri e mendohet, budallai ka mbaruar punë.
 
Një fermer po ecte në arën e tij një mëngjes të ftohtë dimri. Në tokë ishte një gjarpër thuajse i vdekur, i ngrirë akull nga të ftohtët. Fermeri e dinte se vdekjeprurës mund të ishte gjarpri, por përsëri e mori atë dhe e futi në gjirin e tij që ta ngrohë dhe ta sillte përsëri në jetë.

Së shpejti gjarpri u rigjallërua, dhe pasi mori fuqi mjaftueshëm e pickoi fermerin që u tregua aq i mirë me të. Pickimi ishte i rëndë dhe fermeri e kuptoi që po vdiste. Teksa dha frymën e fundit, ai i tha atyre që u mblodhën përreth tij, “Mësoni nga kjo që më ndodhi mua. Mos t’ju vijë keq e të kini mëshirë për një faqezi!”

Mësimi:
Ka disa që kurrë nuk e ndryshojnë natyrën e tyre, sado mirë të sillemi me ta. Qëndroni gjithmonë vigjilent dhe mbani distancë ndaj personave që mendojnë vetëm për përfitimin e tyre.
 
"Një burrë shumë i suksesshëm në biznes dhe shumë i pasur, kishte lënë takim tek mjeku i tij për të marrë përgjigjet e analizave. Në zyrën e mjekut rradha e personave që donin të vizitoheshin ishte shumë e gjatë.

Burri mer një telefonatë dhe fillon e diskuton për punën e tij gjithë zell. I vjen radha e vizitës dhe mjeku ia bën me shenjë që futet. Por ai i thotë se jam i zënë tani, le të futet një tjetër, më duhet ta përfundoj këtë telefonatë.

Sapo mjeku nisi ti thotë diçka, ai ktheu kurrizin dhe vazhdoi telefonatën. Personi që ishte i pari pas tij në radhë u acarua dhe u fut brenda duke i thënë mjekut: “Nuk kam ndërmënd të pres teksa i lutesh atij. Lëre atë dhe mbaro punë me mua!”

Mjeku i tha, “Më vjen shumë keq për atë të shkretin, gjithmonë është i zënë”. Burri që ishte i nxehur i tha: “Ty të vjen keq për atë? Ai është veshur me kostum një zot e di sa lekë kushton, telefoni i tij luksoz kushedi çfarë pune bën!”

“Po ai është shumë i pasur, ka mijëra punëtorë që punojnë për të. Por asnjë herë nuk i del koha. Gjithmonë ska kohë ai njeri. Ka vite që është pacienti im”, tha mjeku.

“Ama për të ardhur keq qenka, mijëra punëtorë që punojnë për të. Ah sikur të isha si ai unë pa le të mos kisha kohë për asgjë. Mos të të vijë keq fare për të!”, u përgjigj burri.

Mjeku i prekur i tha: “Jo vërtet më vjen shumë keq sepse kam një orë që mundohem të flas me të por nuk ka kohë. Sot kanë dalë përgjigjet e analizave të tij dhe ka dalë me kancer. Por ai nuk ka kohë as të mësojë që do të vdesë për dy muaj!”

Mësimi:
Po është trillim, po e kam sajuar vetë... Kjo ishte për të evituar komente të tipit “nuk është e vërtetë etj”. Edhe pse e kam sajuar unë këtë histori, besoj se persona të tillë ka plot që nuk kanë kurrë kohë as të mësojnë për shëndetin e tyre. Duhet të vëmë përparësi në jetë dhe për mendimin tim, përparësi mbi të gjitha ka shëndeti im.
 
Një ditë, bariu ia vuri syrin një derri të madh në livadhin ku delet dhe derrat e tij po kullosnin. Ai me shpejtësi e kapi derrin, i cili ulëriti në kupë të qiellit në momentin që bariu zgjati dorën dhe kapi këmbën e tij. Vetëm ta kishit dëgjuar, me gjithë atë ulërimë që lëshoi derri a thua sikur ia preu këmbën. Por pavarësisht ulërimave dhe tentativës së tij për tu arratisur, bariu e hodhi prenë e tij mbi supe dhe u nis drejt thertores.

Delet në livadh u habitën shumë dhe u turpëruan nga kjo sjellje e derrit dhe e ndoqën bariun deri tek porta e kullotës.

“Për çfarë arsye ulëret si budalla? A nuk të vjen turp që sillesh si i çmendur?”, pyeti njëra nga delet. “Bariu kujdeset për ne gjithë ditën, na ushqen, na ruan dhe na lan e pastron. Ai shpesh herë kap një nga ne. Por duhet të na vijë turp kur sillemi e ulërasim në këtë mënyrë si bëre ti.”

“Po po mirë e ke ti”, u përgjigj derri me një ulërimë dhe një të gjuajtur të shpejtë të këmbës. “Kur bariu të kap ty, ai nga ti do vetëm leshin tënd. Por kur më kap mua, nga unë ai do bërxollën time!”

Mësimi:
Është shumë e thjeshtë të jesh trim dhe i edukuar kur nuk ka rrezik. Mos i krahaso dy situata të ndryshme pa i kuptuar ato më parë.
 
Në një ditë shumë të ftohtë dimri, mbreti dhe këshilltari i tij i preferuar po bënin një shëtitje përgjatë liqenit. Në muhabet e sipër, këshilltari thotë se njeriu mund të bëjë gjithçka për para. Mbreti nxori dorën nga xhepi, drejtoi gishtin tek liqeni dhe e futi shpejt në xhep nga i fohti duke thënë: “Nuk mendoj se një njeri do ta kalojë natën në atë liqen të ftohtë për para”. Këshilltari ia kthen, “Jam mëse i bindur se mund ta gjej dikë që e bën këtë gjë”. Më pas, mbreti e sfidoi këshilltarin duke thënë se nëse gjen dikë që kalon gjithë natën në liqen, atëherë do ti japë atij personi 1000 monedha floriri.

Këshilltari kërkoi gjithandej derisa gjeti një burrë të varfër që ishte mjaftueshëm i dëshpëruar saqë pranoi sfidën. Burri i varfër u fut në liqen dhe mbreti vendosi roje pranë tij për të verifikuar nëse vërtet ai do të qëndronte gjithë natën aty. Të nesërmen në mëngjes, rojet e morën burrin e varfër dhe e dërguan tek mbreti. Ai pyeti rojet nëse kishte qëndruar gjithë natën në uje dhe ata iu përgjigjën po. Pastaj mbreti pyeti burrin e varfër se si ia bëri që duroi gjithë natën në atë të ftohtë.

Burri i varfër tha se në rrugë ishte një ndriçues (nga ato llambat me vajguri) dhe se të gjithë përqëndrimin e tij e kishte fiksuar tek ndriçuesi dhe jo tek i ftohti. Pastaj mbreti tha se nuk do të kishte shpërblim pasi ai e kishte kaluar natën në liqen nga ngrohtësia e ndriçuesit. Burri i varfër shkoi tek këshilltari për ndihmë.

Të nesërmen, këshilltari nuk shkoi në oborrin mbretëror. Mbreti vriste mendjen se ku ishte ai dhe dërgoi një ushtar në shtëpinë e tij. Ushtari u kthye dhe i tha mbretit se këshilltari do të vinte sapo të mbaronte së gatuari pilafin. Mbreti priti për orë të tëra por këshilltari nuk erdhi. Më në fund, mbreti vendosi të shkojë vetë në shtëpinë e këshilltarit për të parë se çfarë po bënte.

Ai e gjeti këshilltarin të ulur pranë disa shkarpave të vogla që digjeshin dhe rreth 2 metra mbi shkarpa ishte varur një enë me ujë dhe oriz. Mbreti dhe shoqëruesit e tij u shkrinë nga të qeshurat.

“Si mund të ziejë orizi e të bëhet pilaf aq larg nga zjarri?”, e pyti mbreti me ironi.

“Në të njëjtën mënyrë siç u ngroh ai burri i varfër nga ndriçuesi që ishte më shumë se 30 metra larg.”

Mbreti e kuptoi gabimin dhe i dha burrit të varfër shpërblimin që meritonte.

Mësimi:
Një rreze e vogël shprese është e mjaftueshme për të frymëzuar dikë që është i vendosur ta kthejë ëndrrën e tij realitet.
 
Një ditë të nxehtë vere, një sorrë shumë e etur fluturoi gjithandej për të kërkuar ujë. Për një kohë të gjatë ajo nuk gjeti dot. U ndje shumë e dobët, pothuaj i humbi shpresat fare. Papritur ajo pa një ibrik poshtë pemës. Fluturoi poshte menjëherë për të parë nesë brenda kishte ujë. Po, ajo mund të shihte ujin brenda ibrikut!

Sorra u mundua ta fusë kokën brenda ibrikut. Fatkeqsisht, kuptoi se gryka e ibrikut ishte shumë e ngushtë. Pastaj u mundua ta rrëzojë ibrikun që të derdhet uji, por ai ishte shumë i rëndë për sorrën.

Ajo u mendua për një farë kohe. Pastaj, duke parë përreth, pa disa guralecë (gurë të vegjël). Menjëherë i erdhi një ide e mrekullueshme që do ti shpëtonte jetën. Ajo nisi të marrë guralecët një e nga një dhe i hidhte brenda në ibrik. Sa më shumë guralecë që hidhte brenda, aq më shumë rritej niveli i ujit në ibrik. Së shpejti, uji u ngjit mjaftueshëm sa për të pirë sorra. Plani i saj funksionoi!

Mësimi:
Mendo dhe puno shumë, patjetër që do ta gjesh zgjidhjen për çdo problem.
 
Ishin disa gomerë që punonin për një zotëri. Ata transportonin kripë për zotërinë e tyre. Zotëria ishte i sjellshëm me gomerët, i mbante mirë, i ushqente dhe nuk i ngarkonte rëndë. Por njëri prej gomerëve, Tao e quante, ishte më dembeli nga të gjithë. Ai gjithmonë mundohej të bënte hile dhe ti shmangej punës.

Gomerët të ngarkuar me thasë kripe, ecnin në rresht pas njëri tjetrit derisa mbërrinin në destinacion. Një ditë, kur po kalonin lumin, Tao bëri sikur u rrëzua dhe ngarkesa e tij u bë shumë e lehtë sepse shumica e kripës u shkri në ujë.

Këtë stil i zgjuari Tao e përdori për një kohë të gjatë dhe ai mbërrinte në destinacion i freskët si një lule e sapo zgjuar në mëngjes. Ai nuk lodhej fare. Avazi i përditshëm vazhdonte.

Në një prej ditët, si zakonisht, Tao bën sikur rrëzohet në lumë por ai nuk po dilte dot më nga uji. Dukej sikur ngarkesa e taos ishte rënduar dhe jo lehtësuar. Zotëria qëndronte pas gomarit të fundit që ti kishte të gjithë në vëzhgim.

Bëj të dalë e hiç, Tao u mbyt dhe e mori rryma. Kur Zotëria e mori vesh, vrapoi me ngut për të shpëtuar Taon por tashmë ishte shumë vonë.

“Ah mor Tao, dembel dhe hilacak mbete gjithë kohës. Më vjen keq or mik që harrova të të them se ngarkesa e sotme nuk ishte me kripë si gjithmonë. Sot po transportojmë pambuk.”

Mësimi:
Puno me ndershmëri dhe sinqeritet sepse përtesa do të të shkatërrojë. Ata që punojnë nuk janë budallenj. Sado i mirë të jetë punëdhënësi jot, nëse i bën bisht punës, do të vijë dita që do të ndëshkohesh, por uro që mos të ndëshkohesh aq rëndë sa Tao!
 
Një djalë 9-vjeçar po qëndronte ulur në bankën e tij kur papritur, një pellg u formua midis këmbëve të tij dhe pantallonat përpara i ishin lagur.

Atij sa nuk po i pushonte zemra, nuk e imagjinonte dot se si ndodhi e gjithë kjo. Kurrë nuk i kishte ndodhur më parë, dhe ai e di se kur ta shohin djemtë e tjerë të klasës ata kurrë nuk do ta harrojnë dhe do të tallen gjithmonë me djalin.

Kur vajzat ta shohin, ato kurrë nuk do ti flasin më atij me gojë. Djali shumë i mërzitur dhe i turpëruar, uli kokën dhe u lut, “O Zot, është urgjente! Kam nevojë për ndihmë! Pas pesë minutash sapo të vijnë të gjithë në klasë, do të jem i mbaruar.”

Sapo ngriti kokën, ai shikon mësuesin që po vinte drejt tij me një vështrim që dukej sikur ai kishte zbuluar gjithçka. Ndërkohë që mësuesi po afrohej, një shoqe e klasës e quajtur Suzi po mbante në duar një enë qelqi me ujë që shërbente për ti ndërruar ujin peshkut të klasës. Suzi futet menjëherë përpara mësuesit dhe djalit dhe i bie nga duart ena me ujë mbi prehërin e djalit.

Djali hiqet sikur u acarua dhe u nxeh, por me veten e tij ai mendonte, “Shyqyr o Zot, shyqyr!”

Tashmë, në vend që të ishte një objekt për tu tallur, djali ishte bërë objekti i simpatisë. Mësuesi e mer djalin në sallën e fiskulturës dhe i jep atij një palë pantallona të shkurtra sa të thaheshin pantallonat e tij.

Të gjithë shokët dhe shoqet e klasës ishin mbledhur në gjunjë rreth bankës së tij dhe po pastronin ujin. Simpatia është një ndjenjë e mrekullueshme. Por jeta kështu e ka, të tallurat që duhet ti pësonte djali, tashmë i kaluan dikujt tjetër, Suzit! Ajo mundohet që të ndihmojë, por ata të gjithë i thonë asaj që të largohet. “Ik ik, ska nevojë, e bërë çkishe për të bërë ti, matufe!”

Më në fund, në përfundim të ditës kur po prisnin tek stacioni i autobuzit, Suzi shkon tek djali dhe i pëshpërit në vesh, “Mos u mërzit, edhe unë e kam bërë çiçin në brekë një herë!”

Mësimi:
Të gjithë kalojmë gjëra të mira dhe të këqia në jetë. Duhet të kujtojmë gjithmonë se sa keq jemi ndjerë kur ishim në të njëjtën situatë dhe nuk duhet të tallemi me të tjerët që janë aktualisht në situatën që ishe ti dikur. Gjithmonë mundohu të kuptosh situatën e tyre dhe ti ndihmosh sa më shumë të mundesh dhe falendero zotin që tashmë ti nuk je në atë situatë, por je në situatën që mund të ndihmosh dikë që është në nevojë.
 
Qemali po dyshonte se gruaja e tij nuk dëgjonte më aq mirë sa në fillim. Ai mendoi se gruaja kishte nevojë për të bërë një vizitë dëgjimi por nuk dinte se si t’ia shprehte asaj. Kështuqë, mori në telefon mjekun e familjes dhe i tregoi për problemin e tij. Mjeku i tha se është një test informal shumë i thjeshtë për tu bërë dhe në këtë mënyrë mund tia shpjegosh më mirë mjekut specialist rreth humbjes së dëgjimit të gruas.

“Ja çfarë duhet të bësh”, tha mjeku i familjes, “Largohu 20 metra nga gruaja, dhe foli me zë normal sikur bën bisedë dhe shiko nëse ajo do të dëgjojë dot. Nëse jo, atëherë afrohu në 15 metra, pastaj në 10 metra dhe kështu me radhë deri sa të marësh një përgjigje prej saj.”

Atë mbrëmje, gruaja po gatuante në kuzhinë, ndërsa ai ishte në oborr. “Ai mendoi me vete, jam rreth 20m larg, le të shohim a do të më dëgjojë ajo shurdhja.” Pastaj, me një zë normal pyet, “Zemër, çfarë po gatuan për darkë?” ... S’ka përgjigje...

Kështu i shoqi u afrua më shumë pranë kuzhinës, rreth 15 metra larg gruas dhe përsërit pyetjen, “Zemër, çfarë po gatuan për darkë?” ... Përsëri s’ka përgjigje...

Më pas u fut në koridorin e shtëpisë, rreth 10 metra dhe e pyet, “Zemër, çfarë po gatuan për darkë?” ... Përsëri s’ka përgjigje...

U afrua akoma më shumë dhe u fut në kuzhinë, ishte rreth 5 metra larg saj dhe pyet, “Zemër, çfarë po gatuan për darkë?” ... Për tu habitur por as këtë herë nuk pati përgjigje...

Më në fund, iu ngjit gruas tek veshi dhe i tha, “Zemër, çfarë po gatuan për darkë?”

“O Qemal të raftë një plasje ishalla se ma hëngre shpirtin!! Ç’ke ore që ulëret ashtu, ta thashë 5 herë, GROSHËËË...!!”

Mësimi:
Jo gjithmonë problemi qëndron tek tjetri si mendojmë ne, nganjëherë mund ta kemi ne problemin!

https://www.facebook.com/mesimi/photos/a.1376026862522792/1659798690812273/?type=3
 
Një ditë të bukur, mbretit i humbi unaza. Kur këshilltari i tij i preferuar hyri në oborr, mbreti i tha, “Më humbi unaza. Atë ma kishte dhuruar babai. Të lutem më ndihmo ta gjej.” Këshilltari i tha, “Mos u shqetësoni madhëri, do ta gjej unazën tuaj tani menjëherë.”

Më pas vazhdoi, “Unë e di kush e ka marrë atë. Unazën tënde e ka marrë një nga oborrtarët e tu që ke këtu. Dhe oborrtari që ka marë unazën tënde është ai që ka një fije kashte në mjekrën e tij.”

Një nga obortarët u shokua dhe menjëherë kaloi dorën tek mjekra e tij. Këshilltari e vuri re këtë veprim të oborrtarit dhe tha, “Ju lutem, kontrollojeni këtë njeri. Ai e ka unazën e mbretit.”

Pasi e kontrolluan doli vërtet që unazën e kishte vjedhur ai oborrtar. Mbreti i habitur e pyeti këshilltarin, “Ku e dije se ma kishte vjedhur ai unazën?”

Këshilltari iu përgjigj, “Nuk e dija madhëri, thjesht luajta rolin sikur e dija. Kur thashë se ai që ka vjedhur unazën ka një fije kashte në mjekër, oborrtari në fjalë menjëherë kontrolloi mjekrën e tij. Një person në faj, gjithmonë është i frikësuar dhe bën çmos që të fshehë provat e tij.”

Mësimi:
Një ndërgjegje fajtore nuk ka nevojë për akuzues.
 
Një ditë, një djalë vjen në shtëpi shumë i mërzitur. Gjyshi e pyt nipin e tij se çfarë ka që nuk shkon. Ai i përgjigjet se një shok kishte folur keq për të. “Mos u mërzit bir, thjesht duhet ti zgjedhësh shokët në bazë të vrimave që kanë”, e këshilloi gjyshi.

Djali u habit pak, “për çfare vrimash thua o gjysh?”, pyti ai me habi. Gjyshi u ngrit, shkoi tek dhoma e mbesës së vogë dhe mori tre kukulla identike dhe pas disa minutash u kthye tek djali dhe e pyeti, “Shikoji këto lodra me vëmëndje, pastaj më thuaj çfarë ndryshimi kanë.”

Djali u mundua për disa çaste, por ato ishin identike, nuk po arrinte dot të gjente dallimin midis tyre. Gjyshi i thotë, “Ashtu janë dhe njerëzit në pamje të parë, të gjithë identikë duken. Por duhet ti zgjedhësh në bazë të vrimave të tyre. Shiko mirë nëse kanë vrima ato kukulla.”

Djali i kushtoi më shumë vëmëndje këtë herë dhe vuri re se njëra kukull kishte vetëm një vrimë në njërin vesh, kukulla tjetër kishte vrima në të dy veshët, ndërsa kukulla e tretë kishte një vrimë në njërin vesh dhe një vrimë në gojë.

Djali i tha gjyshit, “Po gjysh i gjeta vrimat, vetëm nga numri i tyre dallojnë këto kukulla sepse pjesa tjetër është e njejtë midis tyre. Por nuk po kuptoj, pse i ke shpuar këto lodra?”

Gjyshi iu përgjigj, “I kam shpuar që ti të mësosh ti zgjedhësh njerëzit në bazë të vrimave që kanë!”

Gjyshi e mori nipin pranë tij dhe filloi të marrë kukullat një e nga një ti analizojë. Mori kukullën e parë që kishte vrima në të dy veshët dhe futi gjilpërën me fije. Gjilpëra hyri në njërin vesh dhe doli nga veshi tjetër. Pastaj mori kukullën e dytë që kishte një vrimë në vesh e një vrimë në gojë. E futi gjilpërën me fije në vesh dhe gjilpëra doli nga goja. Mori kukullën e tretë që kishte vetëm një vrimë në vesh dhe futi gjilpërën me fije. Gjilpëra u fut por nuk kishte nga të dilte.

Pra biri im, po të sqaroj një e nga një rastet dhe kuptimin e tyre:

“Kukulla e parë përfaqëson ata njerëzit që të rrethojnë të cilët të japin përshtypjen se po të dëgjojnë dhe se interesohen për ty. Por ata thjesht shtiren. Pasi të dëgjojnë, ashtu si gjilpëra që i doli nga veshi tjetër, ashtu i dalin dhe fjalët e tua që ia ke thënë në mirëbesim.

Kukulla e dytë përfaqëson ata njerëz që shtiren sikur të duan dhe të dëgjojnë. Por tamam si kukulla, gjilpëra del nga goja. Këta njerëz do ti përdorin gjërat që u ke thënë kundër teje, ata do ti nxjerrin fjalët nga goja dhe do tu tregojnë të gjithëve ato që ti i ke thënë për të përfituar për vete.

Kukulla e tretë përfaqëson njerëzit e duhur. Gjilpëra futet në vesh dhe nuk del më, ska nga të dalë. Këta njerëz do ta mbajnë besimin që u ke dhënë. Ata janë të vetmit të cilëve mund tu besosh dhe ti bësh miq.

Mësimi:
Gjithmonë qëndro në shoqërinë e njerëzve që janë besnikë dhe të drejtë. Njerëzit që të dëgjojnë kur ti i flet, nuk janë gjithmonë ata të cilët do të të gjenden pranë kur ti ke nevojë. Si fillim mundohuni të kuptoni sa vrima kanë këta njerëz, pastaj shoqërohuni me ata të cilët kanë vetëm një vrimë
1f609.png
 
Një ditë, një djalë i varfër filloi shiste derë më derë të mira materiale për të paguar rrugën e tij drejt shkollimit pasi e gjeti veten me asnjë të hollë ne xhep dhe shumë të uritur. Vendosi që të kërkonte ushqim në shtëpinë e radhës dhe trokiti në derë. Megjithatë, atij i erdhi zor kur pa një grua të re e të dashur të hapte derën dhe kërkoi vetëm një gotë ujë.

Ajo mendoi që djali mund të ishte i uritur dhe i solli një gotë të madhe me qumësht në vend të ujit. Ai e piu qumështin avash avash të gjithin, dhe më pas pyeti, “Sa ju detyrohem zonjë?”
“Ju nuk më detyroheni asgjë,” iu përgjigj ajo, “Mamaja na ka mësuar që kurrë të mos pranojmë pagesë për një mirësi që mund të bëjmë.”

Ai tha... “Atëherë unë ju falenderoj nga zemra.”
Teksa djali u largua nga shtëpia, ai jo vetëm që u ndje më i fortë fizikisht, por besimi i tij në Zot dhe në njeri ishte i fortë gjithashtu. Ai desh u dorëzua dhe për pak sa nuk e la shkollën.

Vite më vonë ajo grua e re u sëmur shumë rëndë. Mjekët e fshatit të saj u dorëzuan. Ata më në fund e dërguan gruan e re në qytetin e madh, ku thirrën specialistë për të studiuar sëmundjen e saj. Bashkë me të tjerët ishte dhe Dr. Hoëard Kelly. Ai seç ndjeu një gjë të çuditshme kur pa vëndlindjen e pacientes dhe iu mbushën sytë. Direkt u ngrit, veshi përparësen e mjekut dhe shkoi tek dhoma e saj.

Ai e njohu atë menjëherë. Më pas u kthye në dhomën e konsultimeve i vendosur të bëjë më të mirën e tij për ti shpëtuar asaj jetën. Që prej asaj dite ai i kushtoi vëmëndje të veçantë rastit në fjalë dhe shpenzoi kohë dhe para në kërkime shkencore. Pas një stërmundimi të gjatë, beteja u fitua.

Dr Kelly i kërkoi zyrës së financës së spitalit faturën e shërbimit për ta aprovuar. E pa faturën e kripur, dhe shënoi dicka në cep të saj me laps dhe më pas fatura iu dërgua gruas në dhomën e saj. Ajo kishte frikë ta hapte atë, ajo ishte e bindur që i duhej të punonte tashmë gjithë jetën për të paguar gjithë atë faturë.

Më në fund vendosi ta hapë, e veshtroi, dhe diçka i tërhoqi vëmëndjen në cep të faturës ndërkohë që lexoi fjalët ...

“E PAGUAR E GJITHA ME NJË GOTË QUMËSHT.”
(Firma) Dr. Howard Kelly.

Lot gëzimi i rrodhën në sy, ndërsa zemra e lumtur e saj u lut: “Faleminderit, ZOT, që dashuria jote është përhapur nëpër zemrat dhe duart e njerëzve.”
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.