Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Migjeni

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,947
Nga Bedri Islami

Migjenin e kam njohur si duhet atëherë kur kam njohur edhe vuajtjen. Njohja e parë me të ka qenë një ngjarje e rëndësishme, por jo vendimtare. Ka qenë thjeshtë njëri ndër ato udhëtimet në botën e letrave, të cilat ende nuk më kishin tronditur. Më shumë se për artin, në fillim më kishte joshur për diçka krejt tjetër. Kishte të bënte me tim atë, që, ashtu si gjendej në shtëpi, ishte edhe në faqet e një libri, që më dukej i hollë, i pamundur për të tronditur një botë, e aq më pak të ishte i përjetshëm. Pas emrit të babait tonë lexoja gjithnjë shtesën, ish nxënës i Migjenit – dhe kjo ishte joshja e parë.

Natyrisht isha ende fëmijë, mirëpo nga joshja e parë, si ndodh rëndom, atë nisa ta kuptoja përmes dhimbjes, atë kohë kur im atë nuk ishte më dhe largimi i tij nga jeta ishte mbështjellë me misterin e ikjes.

Më qëllonte, më pas, të qëndroja me orë të tëra duke lexuar vetëm pak faqe të “Vargjeve të lira”, dhe, po aq tronditëse sa ishte poema e Mjerimit, e ndoshta edhe përtej saj, më sillej tabloja e malësorëve me brekë legjendare në shtat që përgjunjeshin për një kokërr misër, e më përtej saj, britëse, do të ishte “Bukuria që vret”.

Por thelbin ende nuk e dija..nuk e dija përse nga ai nuk mund ta ndahesha, si nuk ndahesha dot nga Dostojevski.. Ishte ajo që Erenburg e quan , koha e netëve pa gjumë.

Tek Migjeni rikthehesha si tek një liman si sigurt. Më vonë, kur kam parë pikturat e El Gregos, kam ndjerë diçka nga magjepsja e ndodhur nga Migjeni. Realizmi i ashpër, ironia e tej hollë britëse dhe në të njëjtën kohë dhimbja, një tkurrje patologjike e shpirtit shqiptar që ishte përkulur për një kokërr misër, mendimi ku nuk ishte retorike dhe bukuria e të shëmtuarës, njëjtë si shëmtia e bukurisë.

E gjithë kjo përafrohet me atë çka ishte fillimi i shekullit të shkuar, zemërimi i papërmbajtur dhe shprehja mahnitëse e dhimbjes njerëzore, të pasionit por edhe të pafuqisë, dhe mbi të gjitha, rreth e rrotull tij kishte shumë, ama shumë dhimbja njerëzore, por asnjëra prej tyre nuk e kishte mposhtur njeriun që mund të hidhte në erë edhe një perandori.

Si thonte Hajne, duke mësuar, ndërkohë çmësohemi, edhe njohja ime me Migjenin harroi atë që kishte mësuar në fillim, se diku, në një faqe libri, plot mrekulli, kishte disa faqe për tim atë dhe filloi të mësohej me një perceptim tjetër, gati hyjnor, pikërisht të poetit që kishte vargun e parë të denjë për një libër, ” përditë perëndojë zotat”, me faktin se Migjenit nuk i interesojnë idhujt, as flamujt e fitoreve, ai gris ato të melankolisë, shtrëngon dhëmbët, si kryengritësit spanjollë në pikturën e famshme të Goja-s dhe, kur mendon se tashmë ke gjetur çelësin tek enigma e mrekullisë së tij, atëherë vijnë përmasat e vuajtjes njerëzore, por edhe e vërteta se Migjeni vuan bashkë me to.

Befas je i bindur se shpirtin e Migjenit e ka zënë mirësia. Por edhe harmonia. Një harmoni e paparë deri asaj kohe në letrat shqipe dhe që vështirë se do të vijë. Një epokë historike e dhënë në një libër, mbetur përgjysmë nga sëmundja.

Harmonia e Veprës së tij është e përsosur, tërësia e saj mund të ngrihej vetëm nga një poet i madh.

Si duket këtë ai e ka gjetur në qytetin ku lindi, Shkodrën e mbretërve dhe të njeriut hokatar, ku të tri besimet ishin bërë bashkë, ashtu si ujrat e tre lumenjve që rrethonin qytetin dhe në të cilën, bashkësia më e vogël, ajo ortodokse, 99 familje janë e njëqind nuk bëhen – thuhej, ishte më tolerante, dhe, ashtu si tiparet e hequra të Migjenit, ishte më e hajthme.

Poeti Balmont, pak i njohur në Shqipëri, lutej dikur që të mos ngutej kurrë në çmitizimin e idhujve të djeshëm. Idhujt e shembur mund të bëhen përsëri perëndi.

Migjeni mbetet idhulli i përjetshëm, pasi e ka parë botën tragjikisht, e ka konceptuar tragjikisht dhe e ka sjellë në mënyrën më njerëzore të mundshme.
 
Migjeni-780x439.jpg

Nga: Albana Ndoja – Deda
Nëse lexon prozën e Migjenit dhe një lexues i thjeshtë nuk e ka të vështirë të dallojë se ka diçka të veçantë nga pikëpamja e koherencës dhe veçanërisht kohezionit. Në fakt këtë veçanti e dallim nga tradita paraprirëse, ose më mirë të themi nga shkrimtarë të tillë si Noli, Poradeci, Kuteli që qenë edhe paraprirës edhe bashkëkohës të tij e kanë vënë në dukje edhe studiues tanë të njohur. Kadare shprehet kështu për të “Ndarja e tij (nga tradicionalja A. N. ) është në logjikën e gjërave, është në themel të artit të tij, në gjithë strukturën dhe në çdo qelizë të këtij arti. Letërsia e tij kështu ka lindur si një gjë e veçantë , një gjë “tjetër lloj”.

Për hir të së vërtetës ky pohim përmbledh të gjithë rrafshet e analizës që mund t’i bëhet tekstit të Migjenit si në prozë, ashtu dhe në poezi.
Duhet shtuar këtu se gjithsesi pjesa më e madhe e studiuesve e kanë parë veçantinë e tij më së shumti të lidhur me tematikën specifike të teksteve të Migjenit, duke e përshkruar këtë të fundit me tone patetike, që ia lejon edhe vetë teksti i Migjenit, që është therës dhe mjaft metaforik.
Megjithatë studiuesit asnjëherë nuk kanë mohuar paralelizmat, që mund të hiqen mes kësaj vepre dhe shkrimtarëve modernë të kohës, por të mahnitur nga kjo vepër kanë preferuar ta mbajnë gjithsesi në kuadrin e një laboratori origjinal (ose të paktën nuk janë thelluar të ngjashmëritë veçanërisht kompozicionale).
Kështu, Kadare megjithëse në një pjesë tjetër të punimit të tij pohon se ai (Migjeni) ishte një njohës i mirë i letërsisë bashkëkohore europiane (pa lënë jashtë shkrimtarët rusë), përsëri nuk e specifikon saktë pozicionimin e këtij të fundit (Migjenit) ndaj kësaj letërsie, madje në ndonjë rast e përjashton[4] duke e parë si një fenomen sui generis.
Nga pikëpamja kohezive, Arshi Pipa e karakterizon metaforën e Migjenit si jo të zakonshme madje avangardë do e perifrazonim strukturën alegorike që Pipa përdor për të (“Ajo çka e shquan Migjenin prej çdo shkrimtari tjetër shqiptar është shija e tij për metaforën, e cila në veprën e tij është hiperbolike dhe eksentrike. Metafora është themeli i gjuhës poetike, nuk ka letërsi pa të. Por metafora në poezinë shqipe është zakonisht shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët, që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella. Përkundrazi, Migjeni nuk procedon shkallë – shkallë, por me hapa viganë dhe metafora i shërben si trampolinë. Mund të thuhet se metafora është forma e tij natyrore e shprehjes. ”, marrë nga “Miti i Perëndimit në poezinë e Migjenit”) .
Ernest Koliqi, shprehet se “pjesa më origjinale e Migjenit, që mund t’i japë një vend në letërsinë mikpritëse shqiptare, nuk qëndron aq në poezinë e tij të vrullshme me sfond social, sesa për disa ritme të ulëta (intime), të cilat të kujtojnë Corazzinin, ku shprehet ankthi për shkrirjen e ngadaltë të linfave vitale që, duke i holluar ndjesitë, zbulohet bukuria shkëlqyese, e paparë më parë, e botës nga e cila është e dënuar të shkëputet shpejt. ”. (Kujtojmë se Sergio Corazzini [6. 02. 1886-17. 06. 1907] krahasohej me shkrimtarë të tillë si Malarme, i cili njihet si ndër përfaqësuesit kryesorë të simbolizmit dhe avangardë dhe për rrymat e reja letrare që e ndoqën atë. ).

Kadareja po ashtu thekson se “Është quajtur disa herë Rembo shqiptar, por asnjëherë s’ka qenë e qartë se ç’pjesë ka në këtë krahasim vdekja e parakohshme , e c’pjesë ka zymtia e veprës së tij. . . . ”(I. Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, 1991, f. 111).
Në këtë kontekst referencash ne mund te dalim në përfundimin se kemi të bëjmë me një tekst komplet te veçantë si nga tradita paraprirëse, ashtu dhe ajo bashkëkohore e Migjenit (me përjashtime të vogla), kjo në lidhje me tematikën, mesazhet dhe peshën që u jep këtyre struktura metaforike jo e zakonshme.
Nga ana tjetër, pavarësisht paralelizmave me shkrimtarë të tjerë të huaj që më së shumti i përkasin o pararendësve ose avangardistëve europianë të kohës, si dhe faktit që ai ishte shumë i informuar, jo thjesht nga pikëpamja letrare, nuk besojmë se mund të mos kenë dhënë asnjë lloj reflektimi që të jetë sublimuar në aspektin kompozicional të tekstit të tij.
Përveç tematikës dhe llojit të tonit që shpesh i ka çuar kritikët të ngrenë paralele me autorë europianë, ne mendojmë se ka tipare të stilit të veprës së tij që duhen parë në këtë kontekst. I tillë është, sipas nesh, karakteri poetik i prozës së tij.

Këtë bindje tonën (dhe jo vetëm) do ta ilustrojmë me analizën e njërës nga prozat e Migjenit që gjendet në vëllimin “Novelat e qytetit të veriut” dhe përkatësisht:
Dilem
Tragjedi apo komedi
Gjini njerëzuer asht një kitarë e gjallë , mbi të cilën një dorë pasionale përfton të dridhunat e telave ndër melodina…. tragjike a komike?
Gjini njerëzuer asht një kitarë e gjallë, nëpër të cilën Shejti dhe Katili arrijtën shprehjen e …. tragjedisë apo komedisë vet.
Gjini njerëzuer asht një kitarë e gjallë ku perëndia ndër melodina të gjata, të pasosme, gjeti shprehjen madhshtore të …të tragjedisë apo komedisë së vet? Kushedi…

Janë të dallueshme në këto paragrafë përsëritje të shumta të kokave emërore të tilla si: gjini, njerëzuer kitarë , e gjallë, tragjedi komedi . Duhet thënë se në paragrafin e parë dy fjalët e fundit janë rimarrë nga mbiemri i së njëjtës familje fjalëformuese (tragjik, komik).
Po ajo që lexuesi e studiuesi dallon është se këto njësi (emra) nuk perceptohen në aparatin e tyre konjitiv si njësi të veçanta, por si grupime, sintagma (ashtu si realisht reflektohen të projektuara në tekst).
Përsëritja në struktura kaq të zgjeruara përbën skeletin kryesor koheziv të përdorur nga shkrimtari në këto paragrafë, i cili zgjerohet me njësi të tjera që shtjellojnë përkatësisht sintagmën metaforike “kitarë e gjallë. ”.
Njësia zgjeruese që gjithsesi është pjesë e komplementimit të kokës metaforike “kitarë” është struktura që dallon paragrafët njëri nga tjetri (mbi të cilën një dorë pasionale përfton të dridhunat e telave ndër melodina…tragjike a komike?/ nëpër të cilën Shejti dhe Katili arrijtën shprehjen e …. tragjedisë apo komedisë vet. / ku perëndia ndër melodina të gjata, të pasosme, gjeti shprehjen madhshtore të …të tragjedisë apo komedisë së vet?)
Në fund të tre paragrafët mbarojnë pothuajse njësoj (te i treti shtohet pjesëza dyshuese në kuadrin e fjalisë, e cila gjithsesi është pjesë e mekanizmit kryesor të ndërtimit të gjithë tekstit që është kontrasti. Tërheqim vëmendjen se kemi paragrafë me figuracion që i mbishtresohen njëri tjetrit, metafora zgjerohet me metaforë tjetër.
Përsëritja nuk ndodh vetëm formalisht, pasi nga pikëpamja perceptive koka kryesore semantike e gjithë fjalisë është sintagma “gjini njerëzuer”, e cila rimerret nga metafora “ kitarë e gjallë” (nuk mund të mos dallohen në të nuancat e perifrazës gjini njerëzuer-kitarë e gjallë). Kjo e fundit rimerret nëpërmjet përemrit ose ndajfoljes lidhore për ta zgjeruar me fjalinë relative (njësitë që ndryshojnë paragrafët) . Në këtë strukturë mbishtresimi figurativ e dendësohet, po në referencë me kokën nga varet “kitarë e gjallë” (Kjo e fundit si pjesa përbërëse e kallëzuesit tradicional emëror me vlera perifrastike e kokës semantike “gjini njerëzuar”).
Një organizim i tillë koheziv ndikon direkt në leximin dhe interpretimin verbal të tekstit nga lexuesi i çdo lloji (në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme), i cili imposton diksionin drejt një intonacioni më të ngritur, duke krijuar një ritëm të ngjashëm në të tre paragrafët.
Sintagmat kryesore që përsëriten në mënyrë te njëjtë ndahen me cezura kohore, që venë më në pah pjesën plotësuese që zgjeron sintagmën “kitarë e gjallë”, e cila përbën dhe pjesët e ndryshme në tre paragrafët. Këto ndalesa kohore (2 janë më të dallueshme: pas “e gjallë” dhe pas tre pikave kanë distancë kohore pothuajse të njejtë, duke krijuar të njëjtin ritëm në të tre paragrafët (Dihet se ritmi është një element mjaft i rëndësishëm i organizimit të strukturës së tekstit poetik. ).
Po çfarë është ky tekst, që Migjeni e quan novele, pra një lloj të prozës?
Këtu hyjmë në debat teorik mbi llojin e tekstit letrar (e jo vetëm). Në fakt ky lloj debati, i nxitur nga tekste me të dhëna të ngjashme ka lindur me kohë në studimet teorike botërore. Ai lidhet më së shumti me nocionin e “prosepoem” që teoricienët e lidhin në zanafillë me Bodlerin (Charles Baudelaire) dhe veprën e tij “Le spleen de Paris”, që ai e quante “Petit poemsonprose” (në Rusi shihet Ivan Turgenievi si përfaqësues i këtij lloj teksti me “Poems in prose”).
Poemthat në prozë të Bodlerit përbënin një prirje avangarde për kohën dhe njëkohësisht shiheshin si një përballje mes metodës tradicionale të kohës dhe asaj moderne
E përcaktuar nga një oksimoron në emër termi “prosepoem” (poemat në prozë), ai konceptohej si një tekst lirik, po pa elementet klasikë të prozodisë së tekstik poetik.
Sipas studiuesve të fushës, pikërisht ky lloj teksti (prosepoem) krijon mundësi kalimi nga poezia në prozë (dhe jo vetëm A. N. ).
Studiuesja Donika Dabishevci-Fetullahume të drejtë ka vërejtur se proza e Konicës, Koliqit, Camajt, Hanxharit janë proza poetike (Ajo përmend dhe Migjenin, por nuk merret me të, të paktën në punimin e doktoraturës, që kemi konsultuar ne. ). E duke sqaruar këtë nocion në tekstet e shkrimtarëve të lartpërmendur, ajo liston dhe një pjesë tiparesh të prozës poetike, të cilat jo të gjitha janë karakteristikë e çdo lloj proze poetike
Dhe nga ana tjetër, një pjesë prej tyre janë karakteristike dhe për prozat e zakonshme, por pa denduri përdorimi. Është pikërisht ky i fundit (denduria në përdorim) që zakonisht i kodifikon si stilema. Delville e sheh konceptin prosepoem si “aftësi të poezisë për të sfiduar pushtetin e zhanrit, si një gjest autoritar ky, që tejkalon rregullat e pranuara dhe kufijtë, në mënyrë që të na drejtojë ne për të parashikuar këto rregulla dhe kufinj”. Dhe në fakt simbolistët mbahen si prishësit e bindur të kanoneve klasike.
Në këtë kontekst duhet thënë se një ndër karakteristikat perceptive-konjitive të një teksti poetik është pikërisht ritmi, që krijohet në varësi të përsëritjes në larghedhje kohore dhe pozicionale të përafërt. Kur thuhet përsëritje kemi parasysh se një pjesë e mirë e figurave letrare që shfrytëzohen në tekstin poetik (e jo vetëm) kanë pikërisht përsëritjen në pozicione të ndryshme të fonemave (që marrin nuanca simbolike në varësi të njësisë së projektuar dhe strukturës, ku bën pjesë kjo e fundit), fjalëve që gjithashtu janë pjesë e gjithë organizimit strukturor të tekstit, e përftesave specifike që pavarësisht se nuk realizohen me të njëjtat fjalë, projektohen njësoj e krijojnë efekt poetik.
Kështu, në fragmentin më lart krijohet një ritëm në lexim, pikërisht nga struktura të zgjeruara të njejta që përsëriten në të tre paragrafët, që kanë të njëjtat pika ndërprerjeje dhe në fund mbarojnë pothuajse njësoj.
Kemi parasysh që janë tre fjali të gjata, të cilat nëse do të ishin të shtrira fizikisht vetëm në një rresht nuk do të bënin një dallim as nga pikëpamja vizive me poezinë e mirëfilltë.
Migjeni luan dhe me konjicionin e marrësit, pasi i indukton atij dhe perspektivën e situatës. Metaforën kryesore me të cilën i referohet “gjini njerëzuer ”në tre paragrafët e parë e ka përzgjedhur një instrument muzikor (kitarën) që vetvetiu në perceptim stimulon lidhjen me melodinë si tipar i zakonshëm i poezisë.
Po kështu dhe ai indukton në tekst fushën semantike muzikore që lidhet me të (melodina, dorë, të dridhunat, të telave, Te Deum etj. ) të cilat nuk i përkasin vetëm rrafshit konkret të ekzekutimit, por janë të shoqëruara me komplemente ndjesore njëkohësisht (dorë pasionale, dora me pasion të ndezun etj. , te e dyta përshkallëzohet ndjesia, pasi emërzohet mbiemri dhe merr vetë një komplement tjetër ndjesor).
Më poshtë Migjeni e indukton melodinë edhe me imitimet auditive (tingullimitimet). Kështu, marrëdhënia “e gjinisë njerëzuer” me fatin e tij që lidhet me “Tragjedinë apo komedinë?” (tragjiken apo komiken), realizohet veç perspektives gati-gati minimaliste edhe me elementet fonike të melodisëtipike të gjithë tekstit, si një dikotomi kontrastike, për të dhënë dy alternime të skajshme të situatës dhe të përjetimit (krahasojmë ting-tung-tang/ tang-tung-ting, vihet re kundërvënia e zanoreve të mbyllura drejt atyre të hapura që lidhet me gëzimin në këtë kontekst te tingullimitimi i parë, kurse te i dyti ndodh e kundërta
Në vijim melodia e brendshme e lëvizjeve ndjesore përshkruhet si rrethanë e procesit, madje me alternimet ritmike që e çojnë ndjesinë e marrësit drejt një makthi përpëlitës ndjenjash shpërthyese që ndal, pasi këto të fundit prishin (plagosin) vetë burimin e tyre (kitarën):
ngadalë-ngadalë, pak shpejt, shpejt ma shpejt, shumë shpejt, e thonjtë e shkapërthyes e plagosin kitarën, por jo gjininë! zemrën.
E natyrisht “sh-ja” aliterative shënjohet si një “sh” përpëlitëse, vuajtëse, rraskapitëse.
Duhet shtuar në këtë kontekst se sekuenca e mësipërme përbën, siç thamë, gjithë shtrirjen e mundshme të shkallëzimit në pamje të parë ndajfoljor, por që në fakt është foljor ( lidhet me foljen “lëmon”). E themi këtë se fatmirësisht shkallëzimi si figurë është njohur në letërsi dhe po këtu është pranuar dhe për emrat dhe foljet, kurse gramatika tradicionale (këtu te ne dhe jo vetëm ) nuk e ka parë të foljet e emrat, por të ndajfoljet dhe mbiemrat. Gramatika moderne e sheh në radhë të parë shkallëzimin semantik te foljet dhe te emrat dhe ndajfoljet e mbiemrat janë reflektues të shkallëzimit të këtyre të fundit.
Shkallëzimi me efekt poetik është mjaft i përdorursi përftesë dhe te Migjeni. Në vazhdim të përsëritjeve përshkallëzuese ndajfoljore të mësipërme gjejmë natyrisht ato më të zakonshmet për Migjenin foljoret (Migjeni përdor shumë folje për të thënë në mënyrë lakonike shumë, pasi folja është bombë informative edhe kur është e pashoqëruar me komplemente në strukturë sipërfaqësore. E kjo i shkon për shtat mjaft një proze të shkurtër si ajo e tij. ): gjaku pikon, pikon…teli u këput…melodia vdiq-dhe njeriu!
Vërejmë shkallëzimin foljor “pikon-u këput-vdiq”i cili ndërlidhet nga metafora e fundit (melodia vdiq) me përjetimin dhe përpëlitjen njerëzore. Kjo gjë theksohet nga lidhja direkte me vizën dhe strukturën, që paraprihet nga një lidhës shtuese, që jep semantikën e paralelizmit të procesit dhe njëkohësisht të shuarjes së tij (-dhe njeriu). Është pikërisht sekuenca e fundit që ndërpret ritmin rënës të njëtrajtshëm në mënyrë brutale, ashtu siç është dhe gjendja që përcjell ai (vdekja), një perlokucion i frikshëm dhe drithërues.
Funksioni i trepikëshit në këtë tekst është mjaft interesant. Në tre paragrafët e parë ai ishte pjesë e ilokucionit të dyshimit kontrastiv, që është pjesë e organizimit të gjithë tekstit. Po kështu ai është pjesë e organizimit ritmik të paragrafit, për arsye të projektimit të ty renë të njëjtin pozicion në të tre paragrafët e parë.
Në pjesën e mësipërme (gjaku pikon, pikon…teli u këput…melodia vdiq-dhe njeriu!) ai është tregues i një procesi që pavarësisht se po shkon drejt ndërprerjes, nuk ka përfunduar. Në rrafsh formal ndërprerja e krijuar nga trepikëshat përbën cezurat ndarëse me larghedhje të njejtë që induktojnë përsëri intonacionin poetik. Pra në këtë pjesë funksioni ritmik i tyre është më i dallueshëm.
Efekti poetik në “Tragjedi apo Komedi?” gjithashtu realizohet në enumeracionet emërore, njësitë përbërëse të të cilave janë përzgjedhur për të krijuar rimë të brendshme:
“Por tash gjini njerëzuer asht skena ku e Mira, e Keqja, Perëndia shfaqin dramëmnie e dashunie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh… “ (Është e dallueshme rima e brendshme. ).
Po kështu, sintagma të zgjeruara në lidhje bashkërenditëse me pak lidhëza, të organizuara si brenda sintagmës emërore, ashtu dhe nga bashkërenditja e kokave të zgjeruara foljore janë të zakonshme në tekst dhe i krijojnë atij një diksion poetik. Gjithnjë në proces shkallëzimi që e çon përjetimin në ekstrem, zakonisht pezhorativ:
“…. e tue shfaqë dramën luftarake, me një shkathtësi artistike dhe me një madhështi teatrale ngulin thika të mprehta, lëshojnë shëgjeta të helmueme e vjedhin plumbin e vluem dhe bërtasin me britmë ngadhnjyese. ”.
Gjithsesi më i zakonshëm në këtë kontekst mbetet rimarrjet në struktura paralele jo aq të zgjeruara sa në tre paragrafët e parë. Këto mund të jenë sintagma emërore, foljore etj. :
Të gjithë presin prej njeriut të qeshunit e tij e qashtu me ia fillue një të qeshuni universal, me ia fillue një të qeshuni që ka për të tundë Kozmosin me planetat dhe sferat në të…-ndërsa njeriut zemra do t’i pëlsasëse jeta i mvaret nga ai të qeshun, mvaret nga mshira e planetave të pamshirta, mvaret nga ndjesa e sferave të pandjesi, mvaret nga absurdi i cili e krijoi. ”
Nuk mund të anashkalohen aliteracionet e brendshme që vijnë si rezultat i përdorimit të fjalëve me të njejtën temë fjalëformuese, të cilat projektohen gjithsesi semantikisht si kontraste (mvaret nga mshira e palneteve të pashirta, mvaret nga ndjesa e sferave të pandjesi…).
Nëmakrostrukturë, sipas nesh, krijon efekt poetik vetë përftesa kryesore mbi të cilën është ndërtuar pjesa, përkatësisht kontrasti.
Ky i fundit induktohet që në titull: Dilem
Semantikisht kjo fjalë ka dyshimin, pavendosmërinë, po gjithsesi parashikon ekzistencën e dy anëve.
Titulli tjetër: Tragjedi apo Komedi?
Vini re se janë rimarrje të njëra tjetrës në strukture të thellë : Jam në dilemë. = Është tragjedi apo komedi?
Në vijim në tekst gjen: tragjike a komike; Kushedi?; Tingtungtang… tangtungting… ; krijesë e dorës së mbrame… krijesë e dorës së parë; E Mira e Keqja. . ; dramëmnie e dashunie, përbuzje e simpatie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh; tragjikomedi etj. etj.
Të gjitha këto janë të projektuara në struktura. Ato dalin herë përjashtuese dhe nga fundi vijnë dhe bëhen përplotësuese.
Kontrasti ka shkallëzimin e vet deri në paradoks. Vini re strukturat e mëposhtme:
Një krijesë e dorës së mbrame i shpallte për idhtimet e veta kufomës t’ish njeriut, ndërsa në sy i shkëlqente një lot krokodili, ku u pasqyronte tragjedia e kufomës.
Ishte të qeshunit e njeriut para fatalitetit komik.

Lufta e fitueme, tragjedia përfundohet me një “Te Deum” majestoso, me një “Te Deum Laudeamus” plot sinqeritet të qelbsuem.
Qeshu paljaco, ndërsa zemra po të pëlcet!

Dy herë del direkt sinonimi i paradoksit: absurditet, absurd.
Në konjicionin e marrësit një mekanizëm i tillë kompozicional i përsëritur kaq dendur, madje me përshkallëzim krijon predispozitën deshifruese të marrësit për tekstin vijues. Kjo i krijon më shumë mundësi këtij të fundit ta memorizojë tekstin më lehtë. Një metodë e tillë i jep gjithashtu një ritëm specifik tekstit. Marrësi nuk e ka të vështirë ta dallojë këtë mekanizëm dhe ta përjetojë thellësisht efektin përshkallëzues të tij, që del me një larmishmëri njësish të rrafsheve të ndryshme.
Nga pikëpamja tematike është një tekst i mbështetur në një diskutim filozofik: njeriu dhe fati i tij, njeriu mes tragjikes dhe komikes, njeriu me tragjiken dhe komiken. Një temë mjaft e prekur nga shkrimtarë, filozofë, psikologë, sociologë etj. etj.
Përzgjedhja e personazheve në njëjës, të paidentifikuar (gjini, qenie), shumica e foljeve në kohën e tashme, vetëm tek paragrafi i katërt, ku kemi një narracion të shkurtër (skena e vdekjes së ish njeriut) foljet kalojnë në të kryerën e thjeshtë, mbase për të dhënë efektin perlokutiv të mbarimit real, të gjitha këto specifike për një traktat filozofik.
Mjaft emra, mbiemra që vijnë nga foljet dhe gjithashtu shumë folje në përdorim. Një gjë e tillë e bën tekstin më të dendur në mendim, imazh dhe njëkohësisht i jep mundësi atij të jetë lakonik dhe poetik njëkohësisht.
Në përfundim mund të themi se edhe perceptimi poetik në strukturë që induktohet në ndjesi është i dallueshëm tek marrësi i çdo lloj niveli.
Ajo që duam të theksojmë në fund është fakti se gjenialiteti i Migjenit që shfaqet në mesazhe, në tematikë e veç të tjerash dhe në trajtën poetike të tekstit të tij lehtësisht të dallueshme dhe të perceptueshmenë nivele të ndryshme analize, nuk janë një shfaqje e veçuar nga tradita më avangardë europiane e kohës.
 
Last edited by a moderator:
  • Pëlqej
Reactions: .
Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni (Shkodër, 13 tetor 1911 - Torre Pellice, 26 gusht 1938) ka qenë poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Millosh Gjergj Nikolla
Migjeni.jpg
Ditëlindja:13 tetor 1911
Vendlindja:Shkodër, Vilajeti i Shkodrës, Perandoria Osmane
Ditëvdekja:26 gusht 1938
Vendvdekja:Torre Pellice, Torino, Itali
Pseudonim(e):Migjeni
Kombësia:shqiptar
Zhanri:prozë, poezi
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni?", etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Një shtysë te posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

PREJARDHJA
Gjyshihi, Nikolla (v. 1876) nga Reka e Dibrës (shqiptar sipas Lekosavës, vajza e axhës e Migjenit) shkoi në Podgoricë ku ushtronte zanate ndërtimi dhe mbiquhej Nikollë Dibrani. Në Podgoricë u njoh me Stanka Stanishtin, ortodokse malazeze, pasi u pëlqyen, e grabiti dhe u vendosën në Shkodër. U bënë me dy djem: Kriston/Kërston dhe Gjergjin/Gjokon (1872-1924). Sipas Pipës, familja e tij ishte me origjinë sllave.

Gjergji më 17 shtator 1900 u martua me Sofinë e Anastas Kokoshit. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Qe përfaqësues i komunitetit ortodoks në Kongresin e Beratit, ku u shpall Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli.

Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t'et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). E ëma ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane. E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër.

Shtëpia ku lindi Migjeni ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeve, shtëpi ku u bë Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1997
 
Last edited by a moderator:
Nën Flamujt e Melankonisë
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme...
... dhe askush s'mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Aty këtu në hijet
e flamujve
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plas dellin e gazit,
nsa prej marazit
pëlcasim.
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga një flamur
melankolie të trishtueshme..
 
Vuejtja
Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m'asht e hidhun...
... dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s'durohet.
Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s'po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, ojetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndërluftat e jetës.
 
E dua shume cdo rresht te tijin pothuajse gjysmat i kam lexuar e rilexuar me 10- tra here sepse eshte veshtire me i kuptu dhe pse gegnishtja osht gjuha e nanes, e nuk ngopem tuj e lexu me zemer.
Ai eshte si planetet nuk ka dy.
Ai te ndricon mendjen , zemren!
Respekt dhe mirënjohje te thellë per kete drite te pashuar?
Ku kombi dhe njerezit nuk dine te vleresojne vlera te tilla, por keshtu eshte qe kur zemrat u kthyen ne sende!
 
Misër! Misër!
Lajmi se do të shpërndahet misri doli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella deri te gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s'kanë me çka ta mbajnë frymën.
Si thneglat që mblidhen rreth një korës misri, q'ashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhur malësorët rreth depos së misrit.
... Nëpër luginat e maleve përshkohet malësori vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arritë në qendrën e nënprefekturës, për me marrë misër. Kraharori i tij asht një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. Përpara depos së misrit bjerr cilsin' karakteristike të vetën, dhe bahet frikacak, pse, - mendon ai - nj'ashtu e don ligji, nëpunësi; përndryshe s'ka misër. "Si urdhnon zotni" përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani, me gjeste majmuni - vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjujvet që ndjanë misër.
Dhe kur e marrin misrin, nisen njeni mbas tjetrit gjatë udhës së malit të ngushtë dhe të jetës...
Ushtojnë luginat e malevet nga fjalët e malësorvet t'unshëm, që varg, njeni mbas tjetrit, ecin të ngarkuem me ka një gjysmë thesi misër. Vargu i tyne asht i gjatë pa fund, si asht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi kurriz të vet barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin perëndin'. Perëndi e vërtetë-misër i dëshiruem.
Ndodh që njërit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit, shoku nga mbrapa, pa i pa, i shkel; i treti shok as një as dy, - por ia hedh mallkimin e pamëshirëshëm: "Mos shkel, he të shitoftë zana!"
Se shekulli i njëzetë asht shekulli i apoteozës së misrit ndër folet e shqipeve.
 
Kanga e Rinisë

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu...
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini... Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.



"Shekulli XXI po njesoj per shqiptaret, per me vra buzeqeshje te ciltra e zemra te bukura dhe mendje plot dije!
Dhe pak dit e po shkoj, do shkoj e mos u kthefsha me kurre, kesaj toke qe me behet e shemtuar ne zemer, per vetem nga menyra si te vrasin njerezit ketu"
 
Të Bijtë e Shekullit të Ri

Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue...
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t'u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast' i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S'duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s'i duem humbjet prore
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S'duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë "shejtnim",
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis
të jem' një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem' me ra fli.
 
Mjerimi megjithese ne si popull e kemi jetuar dhe e jetojme deri ne palce
E ka shkruar Migjeni dikur por qe i pershtatet dhe sot, prap si dikur ketij vendi te rreckosur dhe me njerez pa din e iman!

Poema e mjerimit sikur ka futur rrenjet thelle ne familjet shqiptare dhe per derisa do te kete njerz te pa ngopur dhe analfabet, sdo mbetet shpresevtjeter pos asaj, hajt zoti te dhashtë .
Lypesi nga poeti i pa vdekshem!
 
IMG_20210208_021151.jpg

Sa njeri i mençur që ka qenë ! I lexoj e stërlexoj të gjitha shkrimet , poezit e Migjenit janë diçka që nuk kanë të krahasuar me asgjë . Ka qenë unikë në llojin e vet nuk i përngjan askujt me vargjet e tij që e përshkruan aq mirë mjerimin , vuajtjen , trishtimin sa veç një Migjen ka dijtur që t'a kthej mjerimin në poezi .

Poezi ne forme monologu plot vuajtje fizike e shpirterore,zhgenjim e pamundesi veprimi.Ka nota te theksuara pesimizmi:"Gjel,rren a s'rren,cila eshte fjala jote.Kur ti kendon thone se eshte afer drita...Por une s'besoj sot ne fjalet e kesaj bote"...
 
Migjeni pat kuptue nevojën e urgjencës së ndryshimeve rranjësore në shoqninë shqiptare, dhe me forcën e artit të tij mbërrijti me i ba nji diagnozë të saktë gjendjes sonë, edhe pse zgjidhja e tij terapeutike parashikonte vdekjen e të sëmurit dhe lindjen e nji njeriu të ri.
(Shkodër 13/10/1911 – Torre Pellice 26/08/1938)
Migjeni pat kuptue nevojën e urgjencës së ndryshimeve rranjësore në shoqninë shqiptare, dhe me forcën e artit të tij mbërrijti me i ba nji diagnozë të saktë gjendjes sonë, edhe pse zgjidhja e tij terapeutike parashikonte vdekjen e të sëmurit dhe lindjen e nji njeriu të ri.
Në veprën e tij gjejmë në doza të forta filozofinë përmbytëse të Nietzsche-s, misticizmin e Dostojevskit, pesimizmin e Schopenhauer-it. E gjithë kjo peshë në gjoksin e nji djaloshi të brishtë nuk kishte sesi me u ruejt e paprekun, e kështu, mes dyshimesh, dhimbjesh, ngashnjimesh, vdiq 70 vjet ma parë në nji sanatorium valdez në Torre Pellice afër Torinos poeti Millosh Gjergj Nikolla.
Tue qenë se realizmi socialist nuk mbërrijti me e paraqitë me aq tragjicitet dhe art jetën shqiptare, atëherë ideologët e kësaj lëvizjeje u munduen me e pagzue Migjenin në burimin e kuq të asaj rryme, por doli nji ndërmarrje sa çnatyruese aq edhe e pafrytshme.
Migjeni asht i papërshtatshëm për dogmatizmin e çfarëdolloj ngjyre, e këtë gja duhet ta kenë kuptue të parët ata që drejtonin seminarin ortodoks të shën Joan Theologut në Monastir.
Ai nuk ka qenë kurrë as bolshevik e as komunist por nietzschean (niçean), ai nuk donte me ndërrue nji regjim me nji tjetër tue iu afrue horizontalisht shelbimit (shpëtimit), nuk donte me u përkundë në andrrën e rrejshme të nji mesianizmi toksor, ai donte me shpërthye, donte me fitue qiellin e tokën së bashku e me e ndrrue këtë qiell e këtë tokë me nji tjetër, që ai ruente thellë në gjoks.
Në fund të fundit ç’ndryshim do të kishte para syve të tij të qenunit ûnshëm në kohën e Zogut e të qenunit ûnshëm nën regjimin e Enver Hoxhës? Nji mjeran asht mjeran e kaq, s’ka ndryshim mes ushtrisë së mjeranave kudo që të ndodhen e nën cilindo regjim të marrin frymë!
Mjerimi kthehet në veprën e tij në nji antivlerë universale që bren njerzimin. Kjo antivlerë asht morale dhe landore, ajo gozhdon në pragjet e helmueme të jetës, në hymjen e në daljen e saj, të pasunit dhe të vorfnit. Nji lum të mjerësh, të mirë e të këqij bashkë, fajtorë e të pafajshëm për gjendjen e tyne, nji lum që përdridhet përgjatë historisë tue përshkue nji rrugë pafund - ky ishte obsesioni i poetit shkodran. Përballë këtij mjerimi ai ven mbinjeriun, atë që do të lindet nji ditë.
Njeriu që andrronte Migjeni asht pra mbinjeriu i Nietzsche-s (Uebermensch), nji qenje e huej dhe e re në këtë tokë. Vetë poeti ishte si i mërguem dhe nuk kishte miq të mëdhaj përposë letërsisë.
Shpirtvogëlsia borgjeze e neveriste, mjerimi shpirtnor i të vorfënve e trondiste, indiferenca e shtresave të tjera e trembte.
Pak gjana e tërhoqën gjatë jetës së tij të shkurtë. Migjeni mbet i mrekulluem prej krenisë së malsorëve. E tronditi vuejtja e tyne e paskaj, vetmia dhe braktisja e tyne mes maleve të kufizueme prej nji ligji të rreptë mesjetar, i cili në fillimin e shekullit XX përballej me krizën e bukës e me “dhimbën krenare” që rroposte nji epokë të tanë.
Poezia e Migjenit ka diçka prej Kurt Tucholsky-t dhe prej Karl Kraus-it, bashkëkohës të tij, vargjet e tija janë të shkrueme me sodë kaustike dhe me lot të mbajtun mbrenda vetes.
Ai nuk nuk mund t’i shërbejë kurrë asnji ideologjie, ai mbetë i vetvetes, i përket trajtave të mbinjeriut që dijti me pikzue me art në thellësitë e veta.
Trishtimi, dhimbja, e ndoshta edhe parandjenja se ishte e kotë me ngrit zanin në nji shoqni të kalbun e pa jehona shpirtnore si shoqnia shqiptare e çuen pak nga pak në shtratin e sanatoriumit ku dorzoi shpirtin e lodhun nji ditë fundgushti të vitit 1938.
Vdekja e tij kaloi në heshtje si nji «melodi e këputun».
Menjiherë mbas marrjes së pushtetit prej regjimit komunist, në mungesë artistash të mirëfilltë, nisën spekullimet. Botuesit e tij të parë, si mistifikatori Skënder Luarasi, i shtuen tragjedisë natyrale të poetit shkodran farsën e përkatësisë së tij protokomuniste dhe të konflikteve me regjimin nën të cilin kishte jetue.
Nuk e dijmë nëse Migjeni do të kishte vdekë në mënyrë natyrale prej tuberkulozit edhe nën regjimin komunist, por e kemi të qartë se ai s’do ta kishte përkrahë kurrë nji regjim që mbyste çdo lloj lirie.
E kështu në vitet ’50-‘60, Migjeni i vdekun me tuberkuloz, ishte ma shëndoshë dhe ma gjallë se gjithë redaktorët dhe botuesit e tij tjetërsuesa.
Sa qe në jetë, e vetmja e përkohshme e denjë për artin e tij ishte revista «Illyria».
Qe se çka i shkruente me 4 nandor 1935, redaksia e «Illyrisë», asokohe e drejtueme prej Ernest Koliqit, shkrimtarit të ri shkodran:
“Shkrimet e Z. S’Uaj, të cilat me një herë kemi vrojtë se kishin një thekësi ndiesije për t’u shënue e sidomos një tingull njerzuer drejtue kah vuejtjet e të vogjëlvet, jemi përpjekun t’i qesim sa mâ në shesh në faqen e të rinjve.
Për me Ju dhânë zêmër të vijoni sa mâ me zell n’udhën letrare qi aq me serjozitet qëllimesh keni kapë, këshilli i Redaksisë i Fletores s’onë vendoi me botue mbas sodit vjershat dhe copat proze të Jueja në faqen e tretë. Si e dini, në faqen e tretë shkruajnë vetëm njata autorë qi mirë o keq e kanë marrë nji farë shugurimi nga publiku. Shpresojmë se edhe mbas sodit Z. e Juej keni me bashkëpunue në mënyrë sa mâ t’afërme në Fletoren tonë e cila, ndërmjet të qëllimeve të tjera, ka edhe atê t’i përkrahi të rijtë me vlerë e me ndjenja bujare. Vendimi i Këshillit të Redaksisë për sa u përket Jue, asht një dëshmi e qartë e ksajë përkrahje.
Tue Ju uruem suksese sa mâ të gjalla për dobin e artit dhe të letërsisë shqipe, Ju lutemi të na dërgoni sa mâ parë shkrime në mënyrë qi së paku krye dy javësh êmni Juej të dali në faqen e tretë.
Si titull shpërblimi, këso here Drejtori dau me Ju dërgue fr. ari 10 (dhjetë) me mandapostë d. e sotme».
E përkohshmja «Illyria» nuk përfaqsonte zanin e regjimit të atëhershëm; Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Anton Logoreci, Karl Gurakuqi, Odise Paskali, Ismet Toto, nuk ishin njerzit e Zogut, ata ishin krijuesa dhe intelektualë që tue pasë dallue talentin letrar të Migjenit donin që ai të shndriste në yllsinë e letrave shqipe. Por ai e përshkoi qiellin shqiptar si meteor, tue u djegë i vetmuem në nji natë gushti.
Migjeni, pati fatin e keq me jetue pak, por na la nji vepër letrare të shkrueme me nji gjuhë të fortë, dinamike, të pandieme deri atëherë në poezinë tonë. Fisnik dhe i palumtun deri në fund, ai u hakmor tue i zbulue botës mjerimet e saja, tue i krue leskrat e holla me të cilat maskonte çmimin e naltë të mizerjes dhe marrisë së përditshme.
Në gjinin e letrave shqipe Migjeni asht ma realist se i gjithë “realizmi socialist” marrë së bashku, e çudia asht se ai mbërrin me e ba ketë gja pa qenë pjestar i asnji rryme apo partie politike.
Në shekullin e kaluem, pak natyra me sëmundjet e saja të bollshme e pak njerzit me egërsinë e tyne të paskaj, mbërritën me zhduk shpirtat e bukur e mendjet idealiste shqiptare, tue e lanë qiellin tonë të verbët e ndjesitë tona të përfjetuna.
Sot, atë që mund ta bante Migjeni me artin e tij në vitet ’30, nuk mund ta bajë as edhe nji grusht shtetit. Kjo asht arsyeja që Migjenin e kanë frikë të gjithë, pse nji rruzë e kuqe e tija asht ma e fuqishme se tonelata bojë të zezë që derdhet mbi letër çdo ditë.
Prej shtëpisë ku pat banue familja e tij në Shkodër asht zhdukë edhe pllaka që kujtonte këtë gja. Asnji botim i denjë për të, asnji tubim, asnji studim për të qenë, asnji fjalë.
E me mendue se nuk kemi pasë gjatë këtyne 70 viteve edhe nji shkrimtar të vetëm që të ketë qenë revolucionar si Migjeni, e kur them “revolucionar” nuk kam parasysh as Revolucionin e Tetorit dhe as atë fashist të vitit 1922. Revolucionar domethanë i gatshëm me sakrifikue vetveten për nji ide, i gatshëm me jetue idenë për të cilën jepet edhe jeta.
Revolucionarët trembin ndërgjegjet, shqetsojnë gjumin, prandaj ai sot asht i harruem, **** edhe prej qytetit të tij të lindjes, që buzë vorrit, atje ku prehet, në shenj nderimi i ofron sakrifica tue djeg plehnat e veta dhe tue i blatue coftinat e qelbta. Si gjithmonë tek ne nderi me vendet e nderit nuk përkon aspak.
E ai, poeti i mjerimeve të pasosuna të kësaj toke, si dikur, prej vorrit anonim ku prehet, u flet atyne që kanë ma shumë nevojë për zanin e tij gjëmues: plehnave dhe coftinave që na kanë mbulue gjithkah:
“Në vendin tonë / kudo valojnë / flamujt e nji melankolije / të trishtueshme / dhe askush s’mund të thotë / se këtu rron / nji popull që ndërton / diçka të re” (Nën flamujt e melankolisë).
 

PUTHJA E CUBIT​


Edhe një prandverë ka ardhë. Prandvera e 17-të për Dilen, e cila, e shtrime në bar, ndjeu se ka taman, as më pak as më tepër se 17 vjet.
– Nano! Sa vjet kam? – pyeti nanën në shtëpi.
– Tashti i mbushë 17, bijo! – I tha nana me një dorë n’ijë e me tjetrën mbi sy, për m’u mprojtë nga rrezet e diellit.
Edhe Dila, e shtrime në bar, ndjeu se ka taman 17 vjet. Ashtu e shtrime, shikon qiellën e kaltërt dhe ndigjon cingaret, një të dashit të grigjës ma e hollë, dhe tjetra e lopës me za ma të trashë. Çohet herë herë e shikon bagtinë dhe prap shtrijet, me një dëshirë të vokët në gji. Sa fort Dila që i ndjen të 17 vjetat në vete! Kur në të kapërthyemit e dëshirës, ven shplakët në krye dhe ma fort shtrihet, ndjen si nder veshë dhe nder tamtha i rreh gjaku rrjedhje të forta dhe e ban me ndie edhe me dishrue ma tepër. Atëherë Dila mbyllë sytë. Ashtu me sy mbyllë pret diçka. Buzët e saj të lagta e të çeluna për gjysë i terte flladi i lehtë.
Para ksaj prandvere bani një dimën acar. Bora që tashti shifet si kunorë vetëm nder bjeshkët e nalta, në dimën kish mbulue mbarë tokën. E stuhia e tmerrshme s’kish lanë pa futë borën deri ndër shpella mali dhe zgavrriqe drunjsh. Në kët acarim dimri dhe bishët e malit zbriten nëpër katunde te njerëzit. Por kta nuk i priten mirë. Bashkë me bishët e malit zbriti edhe Cubi, i cili ishte tmera për ata që kishin ndigjue për të e që nuk e njifshin. Në besë, në buk’e krypë, i ati i Diles e mbajti cubin si mik.
Dhe gjatë një mueji sa ndenji Cubi në shtëpi te saj, Diles iu ba se ky Cub nuk asht ai Cub për të cilinflisnin se vret, grabit, përdhunon. me të vërtet po at emen kishte; por jo nuk ishte ai. Cubit mik njezetekatërvjeçar i buzqeshej nana, i buzqeshej Prenda, e shoqja e re e vllaut, baba i fliste me za të butë e vllau këndonte me te. Cubi-mik ishte i mirë dhe të gjithë e nderojshin, Dila kanjëherë me dashje dhe pa dashje e shikonte në sy dhe kuqej, kanjëherë me dashje e pa dashje, tue bamë punë nëpër shtëpi, në të kaluem e prekte me krah dhe nga kjo prekje iu rritshin gjitë.
As nga armët e tija, rrypat me fishekë, pushka dhe revolja nga të gjitha këto Dila s’kish frigë. Një ndjesi e fshehtë rritej në zemrën e Dilës dhe sa ma shum ditë kalojshin aq ma e madhe bahej. Dhe ndiesia u ba dëshirë, dëshirë që të len pa gjumë.
Por një ditë, kur dielli sa një pare e madhe sermi u çfaq në qiell, Cubi shkoi. E dila mbet vetëm me dashurinë për Cubin.
Asht e flakët dëshira e Dilës në një ditë të shkëlqyeshme prandvere kur, e shtrime në bar, ndjen se si i rreh gjaku ndër dej. Asht edhe ma e flakët dëshira e Dilës kur i ka syt’e mbyllun e me andrim vezullues don me krijue ate që s’ka. S’ka… Nuk u pa ma Cubi. E 17 prandvera të saja janë 17 thirrje të nxehta të heshtura drejtue Cubit.
Ashtu e shtrime dhe n’andrim Dila nuk desht t’i çeli syt’ edhe se ndjeu mbi trupin e vet një peshë dhe prishi dihatunin e nji mashkulli e mbi buzët e veta të përvlueme një njomsi.
S’i çeli syt’. Ndoshta kish frigë të mos prishi ekstazën në të cilën kishte ramë… E kur ndjeu lehtësimin e trupit i çeli syt. Por aty s’pa kend. U hodh nga ana e majt. Dila u drodh. “Ai asht! tha – Cubi!” dhe u vue në ndjekje të gjurmës majtas. Sie dehun, gjithnjë n’ekstazë. La grigjen, as që i binte ndër mend, pse kërkonte Cubin. Doli në rranxë të malit shkambuer. E thirri me emën, por bashkë me këmbët e saja që përplaseshin prej shkambit në shkamb, q’ashtu dhe thirrjet e saja u përplaseshin – kot.

*
Një parandjenjë i thoshte se ai është afër, shumë afër dhe sikur e ledhatonte me atë shiqimin thumbues, u ndal dhe hodhi një vështrim si të ishte vëzhguese profesionale, e krehi me shiqim tër bjeshkën e lartë që sikur bashkohej me qiellin. Mbledhi forcë shtrëngoj duar dhe filloi të thërrs:
o Cubiiii … jehona e thirrjes si oshtimë vullkani, përplasej nga shpati në shpat duke krijuar jë eho të pafund dhe përseritej; o Cubiiii, o Cubiiii, o Cubiiii, …. Dilo u step Ju duk e quditshme, se si përseritej thirrja e saj.
sikur e harroi Cubin u thellua në mendime dhe mendja i vajti ke gigja në bregun e shqipes. Hudhi bistekët anash, u kërrus ti shtrëngon të mbathurat, dhe u kthye nga kishte ardhur, bri përroit që kishte një gurgullimë uji me karakteristikë të vëqantë. Papritmas dëgjoi një thirrje të fuqishme: Dilooooo, iloooooo, loooooo,
Është Cubi, tha.
Shiqoi rreth e rrotull por nuk vërejti askund Cubin, o zot ç’ndodh me mua, është ky një ankth ëndrreje apo ç’është duke ndodhur, nuk kuptonte më asgjë. Nuk vonoi shumë dhe Dilo shpejtoi hapat rrëzë proit që thente monotonin që ia brente shpirtin Dilos, kaloi edhe gurin e Plakës dhe për një çast filloi ti rrahën zemra furishëm, drejtoi shiqimin dhe me gjymës zëri tha Cubi, Dilo… Nga ky moment ajo nuk shiqonte nga e bartnin këmbët, për një çast u gjend në përqafimin e Cubit me trup vigani, puthjet e njëpasnjëshme, qetsuen dy zemra që vlonin nga dashuria.
Cubi ishte kurreshtar dhe e ngacmon Dilon.
O Dilo, ke humbur gigjen apo si erdhe këtej ke guri i Plakës?
E ajo shkurt.
Më mungoje ti, e ndjeva se je afër andaj të kërkoja matanë, ke shkëmbi i trimave dhe ja të gjeta, desha të të tregoj se jam rritur, edhe unë mund ta mbaj pushkën krah për krah me ty.
Apo të dukem ende e re?
Cubi e dëgjoi me vëmendje dhe mburrej me Dilen sa e vendosur që ishte.
Hë ç’thua fol pyste Dilo?
Cubi u kërrus lëshoi pushkën rrëzë një Bredhi t’badhë, ia vëri njëren dorë mbi krahun e Dilos, u bashkuan shiqimet, sytë e Dilos shkëlqenin, fytyra saj ishte kapluar nga një zjarr i paparë më herët.
Dilo je e vetëdijshme se jeta në male nuk është e lehtë?! pastaj….
Por Dilo kthej shpinën dhe nuk dëshronte spjegime, ajo dinte se çdonte, kishte vendosur.
Një lot i rrëshqiti nga faqja si zjarr, pastaj tjetri. Cubit i erdhi keq për Dilon, ai nuk e kishte të kjartë a janë lot dashurije apo lot vëndosmërie për Liri.
Dilo ti po deshe mund të vishë, por je ende e re andaj prit edhe një vit e të hedhësh shtat dhe një çik.
jo Cubi, unë nuk pres dot më, mjaft kam pritur, unë dua të jem me ty. Prap një vrushkull lotësh vërshuan faqet e Dilos!
Cubi ia vëri duart në bel me dorën e majtë ia fshiu lotët e vakët dhe i tha unë nuk të them po pa e marrë pelqimin e prindërve të tu, kjo është luftë Dilo. Ajo e gëzuar shumë iu hodh në përqafim Cubit duke e puthur si e qmendur, ngase e dinte që prindërit nuk do e pengonin kurr Dilon të jet perkrah Cubit trim.
Me ardhjen e Pranverës lindi edhe një dashuri e re, edhe një pushkë për Liri.
 

NDESHJA​


0 grue, që të ndesha në ditn e fatkobit tem,
kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesi
si ti.

0 gme, q'u ndeshme ditne e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë n'u shprehën me mall
më një vall':
sahall...

Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zemrën tonë,
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu' u gëzue - pse
panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë.

E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën, vonë,
o grue, q'u ndeshme në ditn e fatkobit tonë.
 

LULI I VOCER​


Askush s'e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s'i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe...shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrohi kambët. - Por kur s'ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis... Noshta, ndoshta...
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t'i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.
 

LAGJA E VARFUN​


Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi - askund,
vetëm errsinë e skam.

U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm' e errsinës...
n'andrra përkundet lagja.

Njerzit ndër shtëpia flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë... fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat,

Pushojnë gjymtyrt e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s'adhrueme.

Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.

Prralla mbi fëmij rrugaça
barkjashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.

Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,

të cilt nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin, -
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mbshtesin.

Kështu lagj' e varfun pëshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengritës,
i lagjës së varfun. - Këtu
nuk zbardh për ty drita e dritës.
i gjikuem je me ngordhë n'u.
 
O, si nuk kam një grusht te forte,
T’i bij m’u ne zemër malit qe s’bezane.
T’a dij dhe ai se ç’domethane i dobët,
N’agoni te perdihet si vigan i vrame.

Unë lugat si hij’ e trazueme,
Trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit.
Endem mbi bark te malit me ujen e zgjueme,
Dhe me klithma te pakenaqura t’instinktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë,
Mbi lekure te tij, ne loje varrimtare,
Kerkoj me gjete një kafshate ma te mirë…
Por me rren shaka, shpresa genjeshtare

Mali hesht, dhe ne heshtje qesh.
E unë vuej, dhe ne vuejtje vdes.
Po unë, kur? Heu! Kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma pare te vdes?

O, si nuk kam një grusht te fuqishem!
Malit, qe hesht, mu ne zemër me ia njesh!
Ta shoh si dridhet nga grusht’ i paligjshem…
E unë te kënaqem, te kënaqem tu’ u qesh.

Migjeni
 
Last edited:

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.