Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Mikhail Lermontov !

Passion

Banned
Regjistruar më
Maj 25, 2018
Mesazhe
15,143
Unik ne letersine ruse.
Thuhet se ne krijimtarine e tija ka pas nje ndikim nga Pushkin e Bajron .

U nda nga jeta ne moshen 27 vjecare. :)


Demoni

Jam un'ai që t'u fanit
Në mes të natës në qeli
Ai mendim që të trondit
Ai trishtim që të venit
Ai që pe në ëndërr ti
Ai që s'do e që s'e duan
Që me vështrimin shpresat shuan
Kamxhiku, jam që botën rreh
Jam mbret i dijes dhe lirisë
Armik i qiellit, gjithësisë
Po ja, per ty më gjunjë bie!
Me gjithë shpirt te dashurova
Prandaj ta çfaq me përgjërim
Të vetmen vojtje që provova
Të parin lot të syrit tim
O! Kij mëshirë - u përvëlova!
Vec' fjala jote mund t'u japë
Qiejve dhe mua mirësi
Në më rrethofsh me dashuri
Do dukem ëngjëll unë prapë
Në një parajs' e qiell të ri
O, ndal, dëgjo, të përgjëroj
Jam skllavi yt, të dashuroj!
Që atë çast që të vëreva
Me shpirt, pa masë e urreva
Pavdekësnë time, moj
Zili ja pata kësaj bote
Këtë të pakët lumturi
Kur s'jam me ty më mbytin lotë
Më kap një tmerr e llahtari
Në zemrën shterpë rrez' e ndritur
Sërishmi plagët m'i mais
E ç'kish e ç'ish gjer dje dremitur
Si gjarpr' i zgjuar nis lëviz
Pa ty ç'më është gjithësia
Pushteti im, pavdekësia?
Fjalë të thata që s'm'i ka ënda
Tempull vigan pa ëngjëll brënda

Mjeshterisht perkthyer nga Petraq Kolevica. :)
 
I burgosuri
Hapmani burgun-katua,
Nëm-ni ditën plot ndriçim,
Vashën sy-zezë që dua,
Kalin, kresht-ziun t’im!
Unë nusezën e mirë
Do ta puth me ëmbëlsirë,
Do marr kalin e do shkoj
Stepave të fluturoj.


Po dritarja ësht’ e lartë,
Porta me një kyç mizor;
Dhe sy-zeza ndodhet largë,
Në hajatin madhështor;
Mbi blerime kal’ i mirë,
Pa fre, vetë, me dëshirë,
Rend gazmor e lot sa mund,
Bishtin nëpër erë e tund…


Jam i vetëm, s’kam gëzime:
Vetëm muret rrethpërqark,
Një kandil bën pak ndriçime
Me atë zjarr që vdes nga pak;
Veç se prapa aty në derë
Hap i regullt bje përherë;
Natën ec në qetësi
Roja pa përgjegjësi.

E shkëputur...

Një valë rrëshqet vetmitare
Në mjergull tej atje në det
N'kërkon ajo në vis të laget
E ç'po braktis atdheun e vet?
Lot era valët e direkun
Përulet e kërcet çdo ças'
As shkon ajo drejt lumturisë
As lumturi ajo lë pas.


Përktheu Lasgush Poradeci
 
Demoni

Me gjith' se jeta qesh perreth
Tamares zemra gjak i rrjedh,
Sikur kjo bote u permbys,
Sikur u vesh me nape zie;
Ç'do gje trishtim ne shpirt i shtie
Dhe dit' e qart' dhe nata pus.
Madje qellon qe naten vone,
Kur fryn i fresket fllad behari
Me lot ne sy si gjithmone
Pa ndjenja plaset ne altari.
E qan e qan me logori
E zeri saj ne qetesi,
I ngjethën mishrat udhetarit,
E thot' ai "diku e fshehur
ndonje fantazme po lengon"
E zemergur e veshengrehur
Me force kalin fshikullon.
Fytyre hequr, tretur fare
Tamara, ulur ne dritare
Diku pertej veshtrimin tret,
E qan e fshan e pret e pret.
E dit' e net s'nguron te rrije....
Dikush i flet - Ai do vije!
Se koti, jo s'pat enderruar
S'iu shfaq se koti ne qeli
Me ata sy te trishtuar
Edhe fjalemebel per çudi.
E s'di as vete se per ç'gje
Fillon te falet para kores.
Por zemra lutet per "ate"
Nga luft e brendeshme e drobitur;
Ne shtrat te flere, bje e shkreta
Jasteku lagur djeg... duke u ngritur
E tera dridhet si purteka;
Ka prush ne gjoks, ka zjarr ne goje
S'merr fryme dot, mezi shikon
Po pret ate te perqafoje
E buza puthje i kerkon....

Perkthim nga Petraq Kolevica
 
Në te egrin veri

Në t'egrin veri po qëndron e veçuar,
një pishë mbi mal gollomesh.
Dhe dirgjet dhe tundet dhe plot me dëborë,
si rizë atje sipër u vesh.

Sheh n'ëndërr gjith' ç'ka shkretëtin' e larguar
në vendin ku lind dielli i ri,
Në shkëmbin që ndizet , rri vetë dh' e gjorë,
një palmë për mrekulli.
 
Dhe vetmi dhe dëshpërim

Vetmi dhe dëshpërim, kur kush dorën s'ta jep
Në çastet kur shpirtit t'i bien fatkeqsira...
Dëshirat!... që sillen në boshllëk dhe ti duash përjetë?...
Vitet shkojnë - gjithë vitet më të mira!

Dashuro ... por kë?.. pak kohë – s’ja vlen për mundimin,
Por përjetë të dashurosh pamundësohet.
Në vete nëse shikon? - atje madje s'të ndjekin:
Gëzimi, suksesi, dhe gjithçka atje asgjesohet...

Ç'ndjenja? - lëngata të ëmbla që arsyeja lehtë i kuron
E shkojnë me gjykimin e fjalëve;
Dhe jeta, tek vështron me vëmendje të ftohtë ç'na rrethon,-
Është e tillë shaka shkretane dhe budallaqe...
 
TE DESHA

Ngaqe te desha aq, - ky shpirti mu be vrere.
e di te rite e tu qe ndrit gjithe shendevere,
nga pas me ndjek me qesendi te pameshirte
cdo dite bardhesie e cast i lumturise
e pac ti fatin tend me brenga e lot trazuar
une jam pike e vrere...pse ti je e gezuar?

ose

Jam pikelluar se te dua kaq shume,
edhe e di se c'flasin bota, c'bejne zhurme,
rinine ta njollosin pa pike meshire
per cdo gezim te ndritur, te emblen deshire.
paguan ti me lot t'hidhur pikellimi.
jam i trishtuar po ti pse po te mbyt gezi
 
DASHURIA E VETME

Mbi gjunje te tjerash, s'kam harruar
ate veshtrim qe gjithnje me ndjek.
te tjerat duke dashuruar,
nga dashuria e saj vuaj e heq.

Si nje demon i plotfuqishem
te vjetren zgjoja me cdo gje.
dhe perserisja dhe serishem:
une dua vetem, - vetem nje!
 
JO , UNE ME AQ ZJARR TY, JO, NUK TE DUA.

Jo, une me aq zjarr ty , jo,nuk te dua
s'ma merr mendjan , jo , bukuria shkelqimtare
te ti kerkoj vec brengen qe u shua
edhe rinine qe m'iku per fare.

Veshtimin une ta ngul ty nganjehere
dhe zhytem thelle, thelle, ne syte e tu.
E fshehurazi me ty sec bisedoj atehere
po s'eshte zemra qe te flet keshtu.

Tek ti kerkoj mikun e rinise,
te pamja jote shoh tjeter fytyre,
te buza jote at' heshtje te cuditshme.
ne syte e tu shoh syte e saj ne pasqyre.
 
TE FALEMINDERIT!

Te faleminderit!.... Mbreme ti e prite
pa buzeqeshje vjershen qe te dhashe.
pasionet s'mi kuptove dot, o vashe,
po per vemendjen tende hipokrite
te faleminderit!

Dikur ne roberi me shtire ti.
Dy syte e tu e fjalet tere thumba,
i fsheh ne gji megjithese te humba,
po s'dua te me duash ti tashti:
te faleminderit!

Nuk do te hyj ne turmen adhuruese
qe e trishtuar te vardiset pas
se mos me thuash , mua, buzagaz
ne vend te fjaleve te reda qortuese
te faleminderit!

O, le te shohe syri yt i ftohte
le te me vrase shpres e enderrime
edhe gjitheshka qe leu ne zemren time
ky shpirti im perhere do t'te thote:
te faleminderit!
 
“Libri i mbretërve”


Kaluar s’kanë shumë vjet,
Ku zbret Aragva dhe buçet
Dhe përqafon motrën Kuri,
Qëndronte heshtur në vetmi
Një manastir. Edhe tashti,
Nga mali lart po të vështrosh,
Shtylla gërmadha do dallosh,
Kupola, kulla kryeposhtë;
Por nuk meshohet më atje,
Erë temjani më nuk bje
Dhe këngë murgu më s’kumbon,
Për ne që falet deri vonë.
Roje gërmadhash veç një plak,
Që s’ka ndër dej një pikë gjak,
Që jetë e vdekje s’e kujton,
Rrasat e varreve pastron,
Ku nëpër gurë, çdo mbishkrim
Flet për lavdinë plot kumbim
Edhe për mbretin, që një herë,
Mërzitur me lavdi e nder,
Në atë kohë, te ky vis,
Atdheun ia besoi Rusisë,
Dhe hir’i Zotit, q’atëherë
Ra mbi Gruzi! – si kopsht i blerë.
Ajo në hije, lule, fletë,
Përballë armiqve shtrihet qetë,
Mbrojtur nga mikja bajonetë.


2

Një gjeneral një herë u nis
Mes maleve, për në Tiflis.
Kish rob me vete një fëmijë,
Që iu sëmur, se s’mundi ai
Të hidhte rrugë aq të gjatë.
Ende s’i kishte mbushur shtatë;
I egër, i ndrojtur si një dhi,
I epur si kallam i ri.
Por vuajtjet e tij plot duf,
I zgjuan të fuqishmin vrull
Të gjyshërve. Asnjë ankim,
Asnjë të vogël psherëtimë
Nuk nxirrte buz’e tij e njomë,
As bukë, as gjellë s’desh ai,
Krenar veç tretej në qetsi.
I prekur nga ky rast, një murg
E çoi nga i zymti burg
Në manastir. Atë sërish
E ngjalli zjarri i miqësisë.
Por s’gjente prap’ kënaqësi,
Harroi lodra, shoqëri,
I heshtur fshante me hidhërim,
Nga lindja tretur me shikim,
I djegur nga një mall e zjarr,
Atdhen’ e dashur për të parë.
Por u mësua, shumë s’desh
Të merrte gjuh’n e huaj vesh;
E pagëzoi i shenjti at
Edhe nga zhurma e botës larg,
Kur ish në lule të rinisë,
Një jetë murgu desh të nisë.
Kur ja, një natë vjeshte ai
U zhduk papritur. Pyll’i zi
Mbi male shtrihej tej’e mbanë.
Tri ditë me radhë pas i ranë,
Por veç më kot kërkimet vanë.
Në fund, pa ndjenja, stepës shtrirë
U gjet. Dhe prap’ në manastir.
I zverdhur dukej dhe i tharë,
Sikur ish shtypur nga një barrë,
Si t’ish pa ngrënë e i sëmurë,
Kurrkujt nuk i përgjigjej kurrë,
Dhe digjej brënda, bëhej zhur;
Kur po afrohej çast’i mbramë,
I erdhi kallogjeri pranë
Me lutje, bindje, butësi;
Si e dëgjoi me krenari,
Përmblodhi forcat i sëmuri
Dhe një tregim të gjatë zuri:

3

“Që të dëgjosh rrëfimin tim
Ti erdhe sot, o miku im.
Që të zbut shpirtin me tallaz,
Më mirë me dikë të flas.
Por keq s’kam bërë ndonjë herë,
Prandaj rrëfimi im s’ka vlerë.
Të flas për veten a s’ësht’ kot?
Mund të rrëfehet shpirti dot?
Jetova pak, jetova rob,
Të tillë jetë, jetë kob,
Do jipja dy, vetëm për një,
Por një, që zjarr të kish në të.
Un’njohur kam veç një pushtet,
Veç një dëshirë të zjarrt’ në jetë;
Ajo si krimb m’u rrit në trup,
Më dogj, ma bëri shpirtin shkrumb.
Mendimet, q’endeshin në llum
Të psalmeve, i thirri larg,
Ku bota zjen në zjarr e flakë,
Ku ret’ mbi shkëmbinj janë shtrirë
Edhe njeriu ësht’ shqipe e lirë.
Këtë dëshirë zjarr’ në botë
Me brenga e rrita dhe me lot
Në terr të netëve, dhe sot,
Në tok’e qiell, me zë të lartë,
Pa lutje, frikë do përhap.




4

“O plak, dëgjuar kam shpesh herë,
Nga thonjt’e vdekjes më ke nxjerrë.
Pse?... I vetëm dhe i ngrysur unë,
Si gjeth’e flakur në furtunë,
U rrita mbyllur në qeli,
Me fat si murg, me shpirt fëmije.
Askujt në jetë s’ja kam thënë
Të shenjtat fjalë: at e nënë.
Ti, sigurisht, kërkon o plak,
Të mos i njoh ata aspak,
Sikur nuk qenë e nuk janë,
Por këta tinguj lindur kanë
Me mua. Njohur kam të tjerë,
Me miq atdhe, shtëpi e nder,
Por unë s’njoha vatër e zjarr,
Jo shpirt të dashur, por as varr!
Që lotët të mos derdhja kotë,
Bëra betim me shpirt të plotë:
Që dhe për një çast, dikur,
Kraharorin tim të djegur zhur,
Në kraharor tjetër ta mbështet,
Dhe të panjohur, por të shtrenjtë.
Por, ah, gjithë ëndërrimet sot,
U vyshkën, humbën bukurin
Dhe unë, siç erdha në këtë botë,
Do iki rob edhe jetim.



5

“Jo, varri mua s’më tmerron:
Atje mundimi prehet, thonë,
Në krah’t e ftohët të qetësisë,
Por s’dua jetën ta braktis.
Un jam i ri... Ke njohur ti
Ëndrra me flatra në rini?
Apo s’i njeh? Harruar ke
Urrejtj’e dashuri mbi dhe;
Si rrihte zemra më me vrull,
Kur shihte diellin përmbi kull
Dhe fushat shtrirë gjat’e gjerë,
Ku flladi fryn e ndonjëherë
Në mure, nga e thella brimë,
I vendit të panjohur bir,
I strukur, si pëllumb i ri,
Tmerruar nga stuhia rri?
Kjo bot’e bukur ty t’u ftoh,
Je plak e thinja ke në kokë,
S’të djeg në shpirt asnjë dëshirë.
Por ç’duhen, plak? Jetove mirë!
Ti ke ç’harron e le në botë,
Un’doja, por nuk munda dot!



6

“Ti do të dish unë ç’kam parë,
Kur qesh i lirë? – Derdhur n’ar
Kam parë fusha me kurorë,
Kurorë drurësh madhështorë,
Që trumba-trumba mbledhur tok,
Vallëzonin si vëllezër, shokë.
Kam parë plot shkëmbinj të zymtë,
Q’i çante e përroit rrymë
Dhe un’u rrokja çdo mendim,
Ky art m’u dha nga qiejt vetë!
Në ajr shtrirë mot e jetë,
Të gurtat përqafime kanë
Dhe për takim të etur janë;
Por dita e viti rend me vrull
Edhe ata s’takohen kurrë.
Kam parë kreshta në hapësi,
Si ëndrrat, mbushur me çudi,
Kur qielli sapo nis të zbardhë,
Një afsh lëshonin, si altarë,
Në qiell të kaltërt ngrihen thikë
Majat e tyre; retë vrik,
Vendin e gjumit duke lënë,
Drejt lindjes radhë vrapin zenë,
Si t’ishin karvan i bardhë
Shpendësh të largët shtegëtarë!
Mes reve, në dëborë, kam parë,
Duke shkëlqyer si elmaz,
Të thinjurin gjigand, Kaukaz,
Dhe s’di sepse në shpirtin tim
Ndjeja një prehje, lehtësim.
Por pas më thoshte zër’i fshehtë
Se kam jetuar këtu vetë,
Dhe në kujtesë andaj m’u hap
E shkuara qartë e më qartë.



7

“Në mend shtëpi’e lindjes m’erdh,
Lugina jonë dhe për rreth
Aulli, që ndër hie fle;
Dhe tis’i natës kur zë bje,
Rendjen e kuajve plot zhurmë
Dhe lehje qensh dëgjoja unë.
Kujtoja pleqt’zeshkanë, thatimë,
Që ballë pragut t’atit tim,
Me pamje t’ashpër, hierëndë,
Rrinin nën hënën dritë-argjendë,
Edhe këllëfët plot shkëlqim
Të shpatave... si n’ëndërrim,
Ato kalonin para meje
Si shkrepëtim’e një rrufeje...
Po ati im? Si t’ish i gjallë
Më dilte luftarak përballë,
Edhe atëherë kujtoja unë
Të shpatës tingullin plot zulmë,
Krenarin, t’ashpërin shikim,
Motrat e reja gjithë gëzim,
Kur më shikonin ëmbëlsisht,
Me këng’e tinguj prej hyjnish,
Mbi djepin tim të fëminisë...
N’atë luginë një përrua del,
Plot zhurmë ësht’,por s’ësht’i thellë,
Në kum të tij, kur kishte diell,
Lozja dhe ndiqja me vështrim,
Të dallëndyshes fluturim,
Kur prekte valët me fletë,
Para se shi të derdhnin retë.
Kujtoja dhe shtëpinë e qetë,
Zjarrin që mbulonte shpejtë
Edhe tregimet n’ato netë,
Për njerëzit, kohën e lashtësisë,
Kur bota m\e stolisur ish.



8

“Ti do të dish se çfarë kam bërë,
Kur qesh i lirë? Një jetë të tërë.
Pa të tri ditët , me gaz që erdhë,
Do m’ishte jeta më e mjerë
Se pleqëria jote sterrë.
Prej kohësh kisha një mendim
Të shihja fushat pa mbarim,
A ka mbi tokë lulëzim.
Dhe pse njeriu lind o murg,
Për jetë vallë, apo për burg?
Dhe atë çast të tmerrshëm unë,
Kur ju u mblodhët në furtunë,
Të frikësuar kok’më kokë
E para altarit rat’për tokë,
Ika. Oho, se ç’lumturi,
Vëlla të bëhesh me stuhi!
Me syt’e mi un’ndiqja retë,
Me duart zija un’rrufetë!
Oh, thuajm’, vendin ç’mund t’ja zero
Në këto mure hierëndë,
Çastit të shkurtër, miqësisë
Mes zemrës sime dhe stuhisë?



9

“Vrapova shumë nëpër pyll
Pa ditur rrugën. Asnjë yll
S’e ndriste të vështirën rrugë.
Me sa gëzim thithja unë,
Me gjoks të vrarë, plagë-shumë,
Freskin’e netëve në pyll,
Dhe s’doja tjetër! Vetëm fill
Vrapoja, por u lodha prapë
Dhe rash diku, mbi bar të lartë;
Dëgjoj për rreth: s’më ndjek njeri,
Shtërgata heshti, qetësi...
Një brez i zbehtë drite ra
Mes tokë, qiellit, kur ja,
Si një qëndizm’u dukën larg
Majat e maleve të lartë.
S’lëvizja, s’nxirrja asnjë fjalë,
Veç herë-herë ndonjë çakall
Qante dhe çirrej si fëmijë
Dhe, me lëkurën pullali,
Rrëshqiste gjarpri tinëzisht;
Por frikë s’ndjeja un’në shpirt,
Se bish’e gjarpër isha vetë
Për njerëzit, në pyll të shkretë.



10
“Poshtë meje, në luginë thellë,
Përroi, me stuhi përzjerë,
Vërshonte me një zhurm’të mbytur,
Sikur bërtisnin me gjithë fytin
Me qindra njerëz. Ndonse fjalë
Nuk kish, për mua ish e gjallë
Kjo grindje e shekullores valë,
Me pirgje gurësh kokëfortë;
Herë qetësohej, herë m’e fortë
Shpërthente ajo në qetësi;
Dhe ja, mes mjergullës, n’ajri
Një këngë zogjsh u ndje dhe larg,
Nga lindja, qielli u përflak.
Nen fllad u drodh gjethja me brymë,
Lulet përgjumësh morën frymë,
Dhe si ato, drejt ditës s’artë
Dhe unë ngrita kokën lart...
Për rreth shikova: s’po e zbus,
Më zuri tmerri; në një buzë
Të një humnere isha shtrirë,
Ku vala çirrej egërsirë;
Një shkall’shkëmbenjsh atje ish ngritur,
Por shpirt’i keq veç kish arritur
Të hidhej, kur nga qiejt përzënë,
Në fund të ferrit kishte rënë.



11

“U gjenda në një kopsht hyjnor,
Stolit’e tij shkëlqenin prore
Me gjurmë lotësh qiellore.
Hardhia flokë-kaçurrele,
Mes pemëve përdridhte belë,
Naltohej me shkëlqim të qartë,
Dhe vilet, posi vathë t’artë
Rëndonin madhërisht dhe shpesh
Të trembura qëndronin shpesë.
Dhe prapë rashë unë në shesh
Dhe prapë fillova të mbaj vesh
Zërat e fshehtë plot magji,
Që pëshpërisnin në qetësi,
Sikur zbulonin fshehtësitë
E qiellit, tokës, atë ditë,
Dhe zërat e natyrës gjithë
Këtu bashkoheshin. Nuk rridh
Në këtë çast solemn veç një,
Krenari, njerëzori zë,
Gjithçka, që ndjeva, syt’më panë,
Gjithçka mendova, gjurmë s’lanë,
Veç t’i tregoj un’kam dëshirë,
Që qoftë me mend të rroj një grimë.
Ish kupa e qiellit aq e dlirë
Atë mëngjes, sa syr’i mirë,
Dhe engjëllin në fluturim
E rrokte veç me një shikim,
Aq e tejdukshme ish, e thellë,
Me kaltërsi për rreth e mbjellë!
Andej, me sy edhe me shpirt
Notova, gjersa në mesditë,
Gjith’ëndrat vapa m’i shpërndau
Dhe etja shpirtin krejt ma thau.



12

Athere nisa, që nga lart,
Drejt përroit thellë, pak nga pak,
Dhe degësh kapur, gur në gur,
Të zbres. Nën këmbë, gjithë vrull,
Lëshohej guri ndonjëherë
Dhe rrokullisej në humnerë.
Pas tij, me forc’duke u shtyrë,
Shkërmoqej dheu, ngrihej shtyllë
Dhe binte, valët e përpinin;
Dhe unë qesh varur mbi greminë,
Por veç rini’e lirë ka forcë
Dhe vdekja nuk më trembte dot!
Tek zbrisja poshtë tek përroi,
Fytyrën lehtë ma ledhatoi
Freski’e ujrave të malit,
Dhe rashë i etur përmbi valë.
Kur ja, një zë, një hap i lehtë...
Në çast u fsheha nëpër fletë,
I kapur nga një drithërimë
Me frikë ngrita lart shikimnë,
Duke dëgjuar, kush t’ish vallë.
Dhe derdhej, derdhej valë-valë
Zër’i gruziankës, aq i rallë,
Aq i natyrshëm, aq i gjallë.
Që hapej ëmbël dhe lirisht,
Sikur mësuar veç të ish
Të nxirrte tinguj, emra miqsh.
E thjesht’ish ajo këngë ahere,
Por veç në mend m’u rrënjos thellë
Dhe sapo dielli perëndon,
Një shpirt i fshehtë ma këndon.



13

“Me shtambën vënë përmbi kokë,
Gruzianka mori udhën poshtë
Drejt bregut. N’ecje, nganjëherë,
Rrëshqiste gadi sa të bjerë
Dhe qeshte dobësin’e ndjerë.
Mbi trup nuk kish ar e elmaz
Dhe ecte duke hedhur pas
Palët e gjata t’ferexhesë.
Vapa e verës ia kish ndezë
Me ngjyrë t’artë dhe të lehtë
Fytyr’e gji. Një afsh i nxehtë
Në faqe i dilte dhe në buzë
Dhe syt’i kishte të errët pus,
Sikur të ruanin fshehtësitë
E dashurive; atë ditë
U drodha gjithë; veç sjell ndër mend
Tingujt’e ujit të argjendtë,
Që derdhej përmbi shtambë lehtë,
Dhe fëshfëritje... asgjë tjetër!
Kur çela sytë përsëri
Dhe prapa zemra m’u çpi...
Ajo kish ecur një cop’herë,
Ngadalë, por e lehtë si erë.
Me shtambën përmbi krye drejt,
Dukej në fushë, si plepi-mbret!
Jo larg, mes mjergullës së ngrirë,
Sikur mbi shkëmbin kishin mbirë,
Dy shtëpi mike rrinin pranë,
Nga një çati, në njerën anë,
Një tym i kaltër ngrihej lart
Dhe si tashi më del e qartë,
Si u hap lehtazi një derë...
Por shpejt dikush e mbylli prapë!...
E di, që ti s’ke për t’i ndjerë
Brengën dhe pikëllimin tim...
Të mundja vetë u jepja shfrim!
Por s’mund, prandaj me mua tok
Vdisni kujtime, brenga, lot...



14

“I lodhur krejt nga nata e rëndë,
Në nj’hie rashë. Gjum’i ëmbël
M’i mbylli sytë leht’e lehtë...
Dhe prap’e gjallë më doli krejt
Fytyra e gruziankës së re
Dhe prapë në gjoksin tim u ndje
Një dhimbj’e ëmbël, pa mbarim...
Tek merrja frymë me gulçim.
U zgjova unë. – Hën’e artë
Shkëlqente an’e mb’anë, e lart
Një re veç fshihej prapa saj,
Q’e ndiqte si të vetin gjah,
Me krahët e etur shtrirë;
Bota kish rënë në errësirë.
Veç me një cipë argjendore,
Zinxhir’i majave malore,
Që larg shkëlqente me dëborë,
Dhe përroi zjente nëpër brigje.
N’atë shtëpin’e njohur digjej
Një zjarr e fikej përsëri,
Siç fiket natën në hapësi
Një yll i ndritur, lart mbi ne!
Sa do të doja... por atje
Të hyj s’guxova. Një qëllim,
Të shihja prap’atdheun tim,
Në shpirt më ndizte – dhe i shkunda
Uri e vuajtje, si munda.
Dhe ja, sërish në rrugë të drejtë
U nisa i drojtur, qetë-qetë,
Por thellë pyllit humba shpejt,
Nga sytë malet gjith’më humbën,
Dhe më nuk po e gjeja rrugën.



15

“Më kot, shpesh herë, me tërbim,
Këputja unë me dëshpërim
Ferrat me gjemba e shermashek.
Pyll’i përjetshëm, në çdo shteg,
M’i tmerrshëm bëhej në çdo kthesë
Dhe, me miliona sy të zes,
Shikonte natën errësira,
Mes gjetheve në terr të shtrira.
Filluan mentë të më mirren;
Në pemë nis të kacavirem,
Por **** dhe në buzë të qiellit
Ish po ai pyll me dhëmbë t’nxjerrë.
Atherë rash unë mbi tokë
Shpërtheva në gulçim’e lotë,
Dhe breja gjin’e njom’të dheut,
Dhe si një vesë vale e nxehtë,
Lotët e mi mbi tokë vërshuan...
Por, më beso, për t’më ndihmuar
Njeri nuk doja... qesh i huaj
Për ta, si bishë e tërbuar;
Dhe një piskamë, sado pak,
Të kisha nxjerrë, për besë, o plak,
Un’gjuhën do ta kulja – trak!




16

“Sa qesh fëmijë e u bëra burrë,
Ti e mban mend, nuk qava kurrë,
Por ja, këtu qava pa turp.
E kush më shihte? – Vetëm pylli
Dhe lart në qiell hëna a ylli!
Me rreze drite i ndriçuar,
Me myshk e rërë i mbuluar,
Rrethuar anash si me mur
Përpara një luadh u duk.
Papritur shkau atje një hie
Dhe fill pas saj nxorrën shkëndija
Dy zjarre... befas, pak më vonë,
Një bishë me një vrull u hodh
Nga pylli edhe ra mbi shpinë,
Dhe lozte, hidhej me gëzim.
I shkretëtirës mik për jetë,
Panter’e madhe brente shpejt
Një kock’dhe çirrej me gëzim,
Pastaj të egrin shikim
Nga hën’e plotë e drejtonte;
Bishtin përpjetë e rrotullonte
Dhe qimet drita ia praronte.
Un’nisa, me një dru, të pres
Çastin e ndeshjes – zemra u ndez
Me etje lufte edhe gjaku...
Po! Dorën lart e ngriti fati
Dhe tjetër rrugë më tregoi...
Tashti për veten un’besoj,
Se lart, në skajin tim amtar,
S’do isha i fundit luftëtar!



17

“Un’prisja. Kur, në terr të natës,
Armikun bisha e nuhati,
Dhe nj’ulurimë plot ankesë
U ndje papritmas... bisha u ndez
Dhe rërën nisi të rëmihë,
Përpjetë u ngrit, pastaj u shtri,
U hodh drejt meje me furi,
Me vdekje edhe tmerr në gji...
Por un’ja shkova në shpejtësi,
Goditja ime qe e saktë,
Më dysh ia çau bishës ballin...
Ajo, posi njeri i gjallë,
Rënkoi e ra. – Por, përsëri,
Megjithëse gjaku me furi
I rridhte, rendi si shigjetë, -
Përleshja ish për vdekje a jetë!



18

“Mbi gjoksin tim ajo u sul,
Por unë munda shpejt t’i ngul
Armën e mbrojtjes, gjer në fund
Të fytit... bisha ulëriti,
M’u sul në çast me gjithë fuqitë
Dhe ne të pleksur, si gjarpërinj,
Shtrënguar fort posi dy miq,
Ramë të dy – dhe n’errësirë
Lufta vazhdoi në tokë e shtrirë.
I egër isha n’atë çast,
Si bishë shfryja me inat,
Zjeja nga brenda, nxirrja shkumë,
Sikur të isha edhe unë
Një fis me ujq e me pantera,
Nën tendë të pyjeve të blerta.
M’u duk se fjalët njerëzore
Harrova ,- thellë nga gjoksi doli
Ajo e tmerrshme ulërimë,
Sikur, q’i vogël, gjuha ime
Nuk dinte tjetër tingëllimë...
Por ja, armikut, më në fund,
Ju muarr fryma, u këput
Edhe të fundit herë më shtypi...
Bebet e syve flak’i qitën
Me egërsi – dhe ranë prorë
Pastaj në gjumin shekullor.
Por me armikun ngadhënjimtar,
E priti vdekjen zjarr për zjarr
Dhe ra siç bje një luftëtar!...



19

“Ti sheh në gjoksin tim ca gjurmë,
Që lanë thonjt’e saj të murmë:
Ato s’janë ende mbyllur mirë,
Por toka e njomë, toka e dlirë
Sërish me fllad do t’i freskojë
Dhe jeta prap’ do gjallërojë.
Ato i harrova atë ditë,
Dhe duke mbledhur krejt fuqitë,
Mes pyllit mora rrugën poshtë...
Me fatin veç u grinda kot:
Ai më tallte dhe më fort!



20

“Por ja, nga pylli dola, dhe
U zgjua dita me hare.
Vallja e yjve bashkudhëtarë,
U zhduk nën dritn’ e saj të bardhë,
Pylli i mjegullt ligjërimin
Filloi. Fshati nxori tymin.
Lugina zjeu me zhurm’ e erë...
U ula zhurmën për të ndjerë;
Por bashk’ me erën zhurma heshti
Dhe un’ për rreth shikimin treta;
Ky skaj m’u duk i njohur tepër.
Më hyri tmerr e lemeri,
S’kuptoja dot, që përsëri
U ktheva un’ në burgun tim,
Që kaq ditë pa kuptim
Nj’ëndër të fshehtë përkëdhela,
Durova, u lodha dhe ngela\
Kështu. Që n’ajkë të rinisë,\
Si pashë dritn’e perëndisë,
Si njoha t\ëmblën liri,
Në zhurmë pyjesh pa kufi,
Ta marr me vete për në varr,
Qortimn’e shpresës së gënjyer,
Mëshirën tuaj të urryer!...
I zhytur thellë në mendime,
Me vete thash’ – janë ëndërrime –
Por ja, që larg një tingëllimë
Kambane u ndje në qetësi...
Çdo gjë e qartë m’u bë tashti
O! Po, e njoha menjëherë,
Nga sytë fëminor, sa herë,
Ajo m’i ndoqi gjith’vegimet
Për t’afërmit edhe për prindit,
Për t’ashprën liri në stepa,
Për kuajt azganë, të paepur,
Për luftrat ndër shkëmbinj të zjarrtë,
Ku unë dilja fitimtar!...

Pa lot dëgjoja, pa fuqi.
Më dukej, sikur thellë në gji,
Ky tingull dilte – dhe me hekur
E rrihte gjoksin tim të djegur.
Dhe e kuptova un’ atëherë,
Se në atdheun tim të blerë,
S’do shkelja rishmës asnjëherë.



21

“Po, s’meritoja tjetër fat.
Në step’ të huaj, të pamat,
Kalorësin e keq e flak
Doriu i shpejtë dhe, që larg,
Gjen rrugën për n’atdhen’e shtrenjtë...
Ç’jam para tij? Më kot troket
Në gjoks një mall e një dëshirë;
Ësht’zjarr’i mekur, vlag’ e ngrirë,
Sëmundje truri, lojë ëndrë,
Që më ka lënë vulë e rëndë
E burgut t’zi... Kjo lule burgu
U rrit në vetmi prej murgu,
E zbehtë, mes plloçave të lagët,
Dhe gjethe për shum’ kohë s’hapi,
Se priste rreze, priste dritë
Të gjalla. Rrodhën pastaj ditë,
Gjersa një dorë me pekule
U zgjat, me mall, drejt asaj lulje
Dhe mes një kopshti e pat mbjellë
Përkrah me trëndafilat... Një qiell
Me jetë e dritë syt’i panë...
Po çfarë? – Kur agimi i parë
U skuq, e bënë rrezet shkrumb
Lulen e rritur n’atë burg...



22

“Dhe mua, diell’i pamëshirshëm
Ma dogji, posi lules shpirtin.
Më kot në barin e pakorrur
E fshihja kokën aq të lodhur.
Një tuf’ e thatë nga ky bar,
Posi kuror’ mbi ball’ m’u var,
Dhe vetë toka, duke shfryrë,
Një zjarr më derdhte në fytyrë.
Duke shkëlqyer në hapësi,
Shkëndijat rendnin. Në shkëmbinj
Një avull ngrihej. Në qetësi
Kish rënë bota, si e mpirë,
Në gjum’ të zemërimit shtrirë.
Si s’ndihej qoftë një shkurtë vallë,
Si nuk këndonte një gjinkallë?!...
Apo i përroit belbëzimë?!...
Veç gjarpri me fëshfërimë,
Mbi bar duke rrëshqitur tinëz,
Me shpinën ngjyrë të verdh’ të qartë,
Shkëlqente nëpër trup, si shpatë,
Qëndisur me mbishkrim të artë,
Rërën e shkrifur duke çarë,
Kalonte para zvarrë-zvarrë
Dhe lozte, dridhej e përdridhej,
Si një unaz’ trefishe mblidhej;
Pastaj, sikur i ndezur t’ish,
Vërtitej, hidhej çmendurisht
Dhe në kaçube fshihej rishmë...



23

“Ç’do gjë në qiell e ndritshme ish
Edhe e qetë – nëpër avuj,
Së largu nxinin sterrë dy male.
Në njerin manastiri ishte,
Me murin dhëmbë-dhëmbë ndriste.
Përposh Aragva dhe Kura-ja,
Duke qarkuar nëpër skaje,
Me një shirit të gjat’ argjendi,
Ishujt’ e blertë nënë këmbë,
Nëpër kaçuba qetë-qetë,
Rendnin posi dy miq të shtrenjtë...
Sa larg prej tyre isha vallë?!
Desha të ngrihem, por vërdallë
Më erdhi bota menjëherë!
Desha të flas, por si e prerë
Edhe e tharë gjuha ish.
Po vdisja. Kapitur fort më kish
Kllapi e vdekjes:
Dhe më ngjante,
Sikur në një humnerë të lagët
Të lumit isha. Para syve
Një mjergull misterioze shtrihej
Dhe, etjen prore duke shuar,
Si akull, val’ e shkumbëzuar,
Me gurgullim’ në gjoks më binte,
Aq bukur ishte dhe aq mirë...
Lart, vala valën duke shtyrë
Bashkohej, në një trup e shkrirë,
Dhe dielli, mbi kristal të valës,
M’i ndritshëm ish nga hën’ e artë,
Dhe tufa e peshqve lara-lara,
Hidhej mes rrezeve, përpara,
Prej tyre sjell ndër mend një peshk,
Që m’ëmbël se të tjerët, shpesh,
M’afrohej pranë, ledhatohej;
Shpina e tij e gjithë përshkohej
Me luspa t’arta. – Pa u ndjerë
Rreth kokës m’erdhi jo një herë.
Shikim’ i syçkave të gjelbra,
Që thellë shprehnin ëmbëlsi...
Por s’kisha forcë për çudi! –
Zëri tingull-argjend i tij
Më pëshpëriste ëmbëlsisht,
Këndonte e heshtte sërish.

Më thoshte: “Foshnja im’e mirë
Këtu me mua rri,
Nën ujë jeta ësht’e lirë,
E ftohtë, me qetësi.

Motrat e mia do thërras!
Me këng’ e me vallzim,
Ty do t’a zbutim gjithë gaz,
Të mjegulltin shikim.

Flij, shtrat’i butë nuk të vret,
Çarçafi ësht’ si xham
Do rrjedhin vjet e qindra vjet,
Mes ëndrash si balsam.

Pëllumb’i shtrenjt’! Nuk ta fsheh,
Të dua pa mbarim,
Ashtu si dua kët’ rrëke,
Si jetën, shpirti im...”

Dhe rrija kredhur në mendime;
Më dukej: vala ligjërimin
E saj të ëmbël, posi mjaltë,
E shkrinte me të peshkut t’artë.
Dhe humba. Drit’ e Zotit krejt
Në sy m’u fik. Kllapia shpejt
Trupit të lodhur ja la vendin...



24

“Kështu u gjenda dhe më këmb’
U ngrita... Tjetrën e di vetë
Beson a nuk beson ësht’ krejt
Njëlloj për mua, miku im.
Vetëm një gjë më mbush me hidhërim:
Se trupi im i ftohtë, i shkretë,
Në dheun tim s’ka për t’u tretë,
Dhe ky tregim për fatin tim
Të hidhur, as një hidhërim
S’do ngjallë mes mureve të errët,
Për emrin tim të zymt’, të mjerë.



25

“O, lamtumirë, m’ep dorën, at!...
A nuk e ndjen? Ajo në flakë...
Ky zjarr prej viteve rinorë
Ma dogji thellë kraharorë,
Por sot, q’ushqimi mori fund,
Burgun e saj e bëri shkrumb
Dhe prapë po kthehet tek ai,
Që si me ligj e hirësi,
U jep veç prehje, qetësi...
E ç’vlen për mua? – Shpirti im,
O, le të ngjitet fluturim
Parajsës s’artë për qetim...
Por, ah! – me tri-katër minuta,
Mes shpellash, guvash krejt të ngurta,
Ku kam kaluar fëmininë,
Do kisha ndërruar qetësinë,
Parajsën dh përjetësinë...



26

“Kur vdekja të më rrok’në krahë,
- Dhe më beso – s’do presësh gjatë, -
Ti urdhër jep të më çojnë
Në kopshtin tonë, ku lulëzojnë
Të dy akaciet flokë-bardha...

O, sa i dendur ëshë bari!
Sa i kthjellët ajri pa mbarim!
Gjethja me diell atje ndrin!
Atje, mes gjetheve më shpjer,
Të dehem për të fundit herë,
Mes kaltërsisë të humbas...
Nga duket mali Kaukaz!
Nga maj’ e tij, në hapësirë,
Ndoshta të fundit lamtumirë
Do më dërgoj’ me ledhatim...
Dhe fare pranë fundit tim,
Do ndjej një tingull amtar
Dhe do mendoj se përmbi varr,
Vëllai, a miku, me kujdes,
Ma fshiu leht’ të ftohtën djersë
Të vdekjes. Dhe me zë të qetë
Këndon për truallin tim të shtrenjtë...
Dhe unë, me këtë mendim,
Bie në gjumin pa mbarim,

Pa lënë pas asnjë mallkim!”


Pak mjalte shijova,e po vdes. :(
 
  • Dashuri
Reactions: .
“Libri i mbretërve”


Kaluar s’kanë shumë vjet,
Ku zbret Aragva dhe buçet
Dhe përqafon motrën Kuri,
Qëndronte heshtur në vetmi
Një manastir. Edhe tashti,
Nga mali lart po të vështrosh,
Shtylla gërmadha do dallosh,
Kupola, kulla kryeposhtë;
Por nuk meshohet më atje,
Erë temjani më nuk bje
Dhe këngë murgu më s’kumbon,
Për ne që falet deri vonë.
Roje gërmadhash veç një plak,
Që s’ka ndër dej një pikë gjak,
Që jetë e vdekje s’e kujton,
Rrasat e varreve pastron,
Ku nëpër gurë, çdo mbishkrim
Flet për lavdinë plot kumbim
Edhe për mbretin, që një herë,
Mërzitur me lavdi e nder,
Në atë kohë, te ky vis,
Atdheun ia besoi Rusisë,
Dhe hir’i Zotit, q’atëherë
Ra mbi Gruzi! – si kopsht i blerë.
Ajo në hije, lule, fletë,
Përballë armiqve shtrihet qetë,
Mbrojtur nga mikja bajonetë.


2

Një gjeneral një herë u nis
Mes maleve, për në Tiflis.
Kish rob me vete një fëmijë,
Që iu sëmur, se s’mundi ai
Të hidhte rrugë aq të gjatë.
Ende s’i kishte mbushur shtatë;
I egër, i ndrojtur si një dhi,
I epur si kallam i ri.
Por vuajtjet e tij plot duf,
I zgjuan të fuqishmin vrull
Të gjyshërve. Asnjë ankim,
Asnjë të vogël psherëtimë
Nuk nxirrte buz’e tij e njomë,
As bukë, as gjellë s’desh ai,
Krenar veç tretej në qetsi.
I prekur nga ky rast, një murg
E çoi nga i zymti burg
Në manastir. Atë sërish
E ngjalli zjarri i miqësisë.
Por s’gjente prap’ kënaqësi,
Harroi lodra, shoqëri,
I heshtur fshante me hidhërim,
Nga lindja tretur me shikim,
I djegur nga një mall e zjarr,
Atdhen’ e dashur për të parë.
Por u mësua, shumë s’desh
Të merrte gjuh’n e huaj vesh;
E pagëzoi i shenjti at
Edhe nga zhurma e botës larg,
Kur ish në lule të rinisë,
Një jetë murgu desh të nisë.
Kur ja, një natë vjeshte ai
U zhduk papritur. Pyll’i zi
Mbi male shtrihej tej’e mbanë.
Tri ditë me radhë pas i ranë,
Por veç më kot kërkimet vanë.
Në fund, pa ndjenja, stepës shtrirë
U gjet. Dhe prap’ në manastir.
I zverdhur dukej dhe i tharë,
Sikur ish shtypur nga një barrë,
Si t’ish pa ngrënë e i sëmurë,
Kurrkujt nuk i përgjigjej kurrë,
Dhe digjej brënda, bëhej zhur;
Kur po afrohej çast’i mbramë,
I erdhi kallogjeri pranë
Me lutje, bindje, butësi;
Si e dëgjoi me krenari,
Përmblodhi forcat i sëmuri
Dhe një tregim të gjatë zuri:

3

“Që të dëgjosh rrëfimin tim
Ti erdhe sot, o miku im.
Që të zbut shpirtin me tallaz,
Më mirë me dikë të flas.
Por keq s’kam bërë ndonjë herë,
Prandaj rrëfimi im s’ka vlerë.
Të flas për veten a s’ësht’ kot?
Mund të rrëfehet shpirti dot?
Jetova pak, jetova rob,
Të tillë jetë, jetë kob,
Do jipja dy, vetëm për një,
Por një, që zjarr të kish në të.
Un’njohur kam veç një pushtet,
Veç një dëshirë të zjarrt’ në jetë;
Ajo si krimb m’u rrit në trup,
Më dogj, ma bëri shpirtin shkrumb.
Mendimet, q’endeshin në llum
Të psalmeve, i thirri larg,
Ku bota zjen në zjarr e flakë,
Ku ret’ mbi shkëmbinj janë shtrirë
Edhe njeriu ësht’ shqipe e lirë.
Këtë dëshirë zjarr’ në botë
Me brenga e rrita dhe me lot
Në terr të netëve, dhe sot,
Në tok’e qiell, me zë të lartë,
Pa lutje, frikë do përhap.




4

“O plak, dëgjuar kam shpesh herë,
Nga thonjt’e vdekjes më ke nxjerrë.
Pse?... I vetëm dhe i ngrysur unë,
Si gjeth’e flakur në furtunë,
U rrita mbyllur në qeli,
Me fat si murg, me shpirt fëmije.
Askujt në jetë s’ja kam thënë
Të shenjtat fjalë: at e nënë.
Ti, sigurisht, kërkon o plak,
Të mos i njoh ata aspak,
Sikur nuk qenë e nuk janë,
Por këta tinguj lindur kanë
Me mua. Njohur kam të tjerë,
Me miq atdhe, shtëpi e nder,
Por unë s’njoha vatër e zjarr,
Jo shpirt të dashur, por as varr!
Që lotët të mos derdhja kotë,
Bëra betim me shpirt të plotë:
Që dhe për një çast, dikur,
Kraharorin tim të djegur zhur,
Në kraharor tjetër ta mbështet,
Dhe të panjohur, por të shtrenjtë.
Por, ah, gjithë ëndërrimet sot,
U vyshkën, humbën bukurin
Dhe unë, siç erdha në këtë botë,
Do iki rob edhe jetim.



5

“Jo, varri mua s’më tmerron:
Atje mundimi prehet, thonë,
Në krah’t e ftohët të qetësisë,
Por s’dua jetën ta braktis.
Un jam i ri... Ke njohur ti
Ëndrra me flatra në rini?
Apo s’i njeh? Harruar ke
Urrejtj’e dashuri mbi dhe;
Si rrihte zemra më me vrull,
Kur shihte diellin përmbi kull
Dhe fushat shtrirë gjat’e gjerë,
Ku flladi fryn e ndonjëherë
Në mure, nga e thella brimë,
I vendit të panjohur bir,
I strukur, si pëllumb i ri,
Tmerruar nga stuhia rri?
Kjo bot’e bukur ty t’u ftoh,
Je plak e thinja ke në kokë,
S’të djeg në shpirt asnjë dëshirë.
Por ç’duhen, plak? Jetove mirë!
Ti ke ç’harron e le në botë,
Un’doja, por nuk munda dot!



6

“Ti do të dish unë ç’kam parë,
Kur qesh i lirë? – Derdhur n’ar
Kam parë fusha me kurorë,
Kurorë drurësh madhështorë,
Që trumba-trumba mbledhur tok,
Vallëzonin si vëllezër, shokë.
Kam parë plot shkëmbinj të zymtë,
Q’i çante e përroit rrymë
Dhe un’u rrokja çdo mendim,
Ky art m’u dha nga qiejt vetë!
Në ajr shtrirë mot e jetë,
Të gurtat përqafime kanë
Dhe për takim të etur janë;
Por dita e viti rend me vrull
Edhe ata s’takohen kurrë.
Kam parë kreshta në hapësi,
Si ëndrrat, mbushur me çudi,
Kur qielli sapo nis të zbardhë,
Një afsh lëshonin, si altarë,
Në qiell të kaltërt ngrihen thikë
Majat e tyre; retë vrik,
Vendin e gjumit duke lënë,
Drejt lindjes radhë vrapin zenë,
Si t’ishin karvan i bardhë
Shpendësh të largët shtegëtarë!
Mes reve, në dëborë, kam parë,
Duke shkëlqyer si elmaz,
Të thinjurin gjigand, Kaukaz,
Dhe s’di sepse në shpirtin tim
Ndjeja një prehje, lehtësim.
Por pas më thoshte zër’i fshehtë
Se kam jetuar këtu vetë,
Dhe në kujtesë andaj m’u hap
E shkuara qartë e më qartë.



7

“Në mend shtëpi’e lindjes m’erdh,
Lugina jonë dhe për rreth
Aulli, që ndër hie fle;
Dhe tis’i natës kur zë bje,
Rendjen e kuajve plot zhurmë
Dhe lehje qensh dëgjoja unë.
Kujtoja pleqt’zeshkanë, thatimë,
Që ballë pragut t’atit tim,
Me pamje t’ashpër, hierëndë,
Rrinin nën hënën dritë-argjendë,
Edhe këllëfët plot shkëlqim
Të shpatave... si n’ëndërrim,
Ato kalonin para meje
Si shkrepëtim’e një rrufeje...
Po ati im? Si t’ish i gjallë
Më dilte luftarak përballë,
Edhe atëherë kujtoja unë
Të shpatës tingullin plot zulmë,
Krenarin, t’ashpërin shikim,
Motrat e reja gjithë gëzim,
Kur më shikonin ëmbëlsisht,
Me këng’e tinguj prej hyjnish,
Mbi djepin tim të fëminisë...
N’atë luginë një përrua del,
Plot zhurmë ësht’,por s’ësht’i thellë,
Në kum të tij, kur kishte diell,
Lozja dhe ndiqja me vështrim,
Të dallëndyshes fluturim,
Kur prekte valët me fletë,
Para se shi të derdhnin retë.
Kujtoja dhe shtëpinë e qetë,
Zjarrin që mbulonte shpejtë
Edhe tregimet n’ato netë,
Për njerëzit, kohën e lashtësisë,
Kur bota m\e stolisur ish.



8

“Ti do të dish se çfarë kam bërë,
Kur qesh i lirë? Një jetë të tërë.
Pa të tri ditët , me gaz që erdhë,
Do m’ishte jeta më e mjerë
Se pleqëria jote sterrë.
Prej kohësh kisha një mendim
Të shihja fushat pa mbarim,
A ka mbi tokë lulëzim.
Dhe pse njeriu lind o murg,
Për jetë vallë, apo për burg?
Dhe atë çast të tmerrshëm unë,
Kur ju u mblodhët në furtunë,
Të frikësuar kok’më kokë
E para altarit rat’për tokë,
Ika. Oho, se ç’lumturi,
Vëlla të bëhesh me stuhi!
Me syt’e mi un’ndiqja retë,
Me duart zija un’rrufetë!
Oh, thuajm’, vendin ç’mund t’ja zero
Në këto mure hierëndë,
Çastit të shkurtër, miqësisë
Mes zemrës sime dhe stuhisë?



9

“Vrapova shumë nëpër pyll
Pa ditur rrugën. Asnjë yll
S’e ndriste të vështirën rrugë.
Me sa gëzim thithja unë,
Me gjoks të vrarë, plagë-shumë,
Freskin’e netëve në pyll,
Dhe s’doja tjetër! Vetëm fill
Vrapoja, por u lodha prapë
Dhe rash diku, mbi bar të lartë;
Dëgjoj për rreth: s’më ndjek njeri,
Shtërgata heshti, qetësi...
Një brez i zbehtë drite ra
Mes tokë, qiellit, kur ja,
Si një qëndizm’u dukën larg
Majat e maleve të lartë.
S’lëvizja, s’nxirrja asnjë fjalë,
Veç herë-herë ndonjë çakall
Qante dhe çirrej si fëmijë
Dhe, me lëkurën pullali,
Rrëshqiste gjarpri tinëzisht;
Por frikë s’ndjeja un’në shpirt,
Se bish’e gjarpër isha vetë
Për njerëzit, në pyll të shkretë.



10
“Poshtë meje, në luginë thellë,
Përroi, me stuhi përzjerë,
Vërshonte me një zhurm’të mbytur,
Sikur bërtisnin me gjithë fytin
Me qindra njerëz. Ndonse fjalë
Nuk kish, për mua ish e gjallë
Kjo grindje e shekullores valë,
Me pirgje gurësh kokëfortë;
Herë qetësohej, herë m’e fortë
Shpërthente ajo në qetësi;
Dhe ja, mes mjergullës, n’ajri
Një këngë zogjsh u ndje dhe larg,
Nga lindja, qielli u përflak.
Nen fllad u drodh gjethja me brymë,
Lulet përgjumësh morën frymë,
Dhe si ato, drejt ditës s’artë
Dhe unë ngrita kokën lart...
Për rreth shikova: s’po e zbus,
Më zuri tmerri; në një buzë
Të një humnere isha shtrirë,
Ku vala çirrej egërsirë;
Një shkall’shkëmbenjsh atje ish ngritur,
Por shpirt’i keq veç kish arritur
Të hidhej, kur nga qiejt përzënë,
Në fund të ferrit kishte rënë.



11

“U gjenda në një kopsht hyjnor,
Stolit’e tij shkëlqenin prore
Me gjurmë lotësh qiellore.
Hardhia flokë-kaçurrele,
Mes pemëve përdridhte belë,
Naltohej me shkëlqim të qartë,
Dhe vilet, posi vathë t’artë
Rëndonin madhërisht dhe shpesh
Të trembura qëndronin shpesë.
Dhe prapë rashë unë në shesh
Dhe prapë fillova të mbaj vesh
Zërat e fshehtë plot magji,
Që pëshpërisnin në qetësi,
Sikur zbulonin fshehtësitë
E qiellit, tokës, atë ditë,
Dhe zërat e natyrës gjithë
Këtu bashkoheshin. Nuk rridh
Në këtë çast solemn veç një,
Krenari, njerëzori zë,
Gjithçka, që ndjeva, syt’më panë,
Gjithçka mendova, gjurmë s’lanë,
Veç t’i tregoj un’kam dëshirë,
Që qoftë me mend të rroj një grimë.
Ish kupa e qiellit aq e dlirë
Atë mëngjes, sa syr’i mirë,
Dhe engjëllin në fluturim
E rrokte veç me një shikim,
Aq e tejdukshme ish, e thellë,
Me kaltërsi për rreth e mbjellë!
Andej, me sy edhe me shpirt
Notova, gjersa në mesditë,
Gjith’ëndrat vapa m’i shpërndau
Dhe etja shpirtin krejt ma thau.



12

Athere nisa, që nga lart,
Drejt përroit thellë, pak nga pak,
Dhe degësh kapur, gur në gur,
Të zbres. Nën këmbë, gjithë vrull,
Lëshohej guri ndonjëherë
Dhe rrokullisej në humnerë.
Pas tij, me forc’duke u shtyrë,
Shkërmoqej dheu, ngrihej shtyllë
Dhe binte, valët e përpinin;
Dhe unë qesh varur mbi greminë,
Por veç rini’e lirë ka forcë
Dhe vdekja nuk më trembte dot!
Tek zbrisja poshtë tek përroi,
Fytyrën lehtë ma ledhatoi
Freski’e ujrave të malit,
Dhe rashë i etur përmbi valë.
Kur ja, një zë, një hap i lehtë...
Në çast u fsheha nëpër fletë,
I kapur nga një drithërimë
Me frikë ngrita lart shikimnë,
Duke dëgjuar, kush t’ish vallë.
Dhe derdhej, derdhej valë-valë
Zër’i gruziankës, aq i rallë,
Aq i natyrshëm, aq i gjallë.
Që hapej ëmbël dhe lirisht,
Sikur mësuar veç të ish
Të nxirrte tinguj, emra miqsh.
E thjesht’ish ajo këngë ahere,
Por veç në mend m’u rrënjos thellë
Dhe sapo dielli perëndon,
Një shpirt i fshehtë ma këndon.



13

“Me shtambën vënë përmbi kokë,
Gruzianka mori udhën poshtë
Drejt bregut. N’ecje, nganjëherë,
Rrëshqiste gadi sa të bjerë
Dhe qeshte dobësin’e ndjerë.
Mbi trup nuk kish ar e elmaz
Dhe ecte duke hedhur pas
Palët e gjata t’ferexhesë.
Vapa e verës ia kish ndezë
Me ngjyrë t’artë dhe të lehtë
Fytyr’e gji. Një afsh i nxehtë
Në faqe i dilte dhe në buzë
Dhe syt’i kishte të errët pus,
Sikur të ruanin fshehtësitë
E dashurive; atë ditë
U drodha gjithë; veç sjell ndër mend
Tingujt’e ujit të argjendtë,
Që derdhej përmbi shtambë lehtë,
Dhe fëshfëritje... asgjë tjetër!
Kur çela sytë përsëri
Dhe prapa zemra m’u çpi...
Ajo kish ecur një cop’herë,
Ngadalë, por e lehtë si erë.
Me shtambën përmbi krye drejt,
Dukej në fushë, si plepi-mbret!
Jo larg, mes mjergullës së ngrirë,
Sikur mbi shkëmbin kishin mbirë,
Dy shtëpi mike rrinin pranë,
Nga një çati, në njerën anë,
Një tym i kaltër ngrihej lart
Dhe si tashi më del e qartë,
Si u hap lehtazi një derë...
Por shpejt dikush e mbylli prapë!...
E di, që ti s’ke për t’i ndjerë
Brengën dhe pikëllimin tim...
Të mundja vetë u jepja shfrim!
Por s’mund, prandaj me mua tok
Vdisni kujtime, brenga, lot...



14

“I lodhur krejt nga nata e rëndë,
Në nj’hie rashë. Gjum’i ëmbël
M’i mbylli sytë leht’e lehtë...
Dhe prap’e gjallë më doli krejt
Fytyra e gruziankës së re
Dhe prapë në gjoksin tim u ndje
Një dhimbj’e ëmbël, pa mbarim...
Tek merrja frymë me gulçim.
U zgjova unë. – Hën’e artë
Shkëlqente an’e mb’anë, e lart
Një re veç fshihej prapa saj,
Q’e ndiqte si të vetin gjah,
Me krahët e etur shtrirë;
Bota kish rënë në errësirë.
Veç me një cipë argjendore,
Zinxhir’i majave malore,
Që larg shkëlqente me dëborë,
Dhe përroi zjente nëpër brigje.
N’atë shtëpin’e njohur digjej
Një zjarr e fikej përsëri,
Siç fiket natën në hapësi
Një yll i ndritur, lart mbi ne!
Sa do të doja... por atje
Të hyj s’guxova. Një qëllim,
Të shihja prap’atdheun tim,
Në shpirt më ndizte – dhe i shkunda
Uri e vuajtje, si munda.
Dhe ja, sërish në rrugë të drejtë
U nisa i drojtur, qetë-qetë,
Por thellë pyllit humba shpejt,
Nga sytë malet gjith’më humbën,
Dhe më nuk po e gjeja rrugën.



15

“Më kot, shpesh herë, me tërbim,
Këputja unë me dëshpërim
Ferrat me gjemba e shermashek.
Pyll’i përjetshëm, në çdo shteg,
M’i tmerrshëm bëhej në çdo kthesë
Dhe, me miliona sy të zes,
Shikonte natën errësira,
Mes gjetheve në terr të shtrira.
Filluan mentë të më mirren;
Në pemë nis të kacavirem,
Por **** dhe në buzë të qiellit
Ish po ai pyll me dhëmbë t’nxjerrë.
Atherë rash unë mbi tokë
Shpërtheva në gulçim’e lotë,
Dhe breja gjin’e njom’të dheut,
Dhe si një vesë vale e nxehtë,
Lotët e mi mbi tokë vërshuan...
Por, më beso, për t’më ndihmuar
Njeri nuk doja... qesh i huaj
Për ta, si bishë e tërbuar;
Dhe një piskamë, sado pak,
Të kisha nxjerrë, për besë, o plak,
Un’gjuhën do ta kulja – trak!




16

“Sa qesh fëmijë e u bëra burrë,
Ti e mban mend, nuk qava kurrë,
Por ja, këtu qava pa turp.
E kush më shihte? – Vetëm pylli
Dhe lart në qiell hëna a ylli!
Me rreze drite i ndriçuar,
Me myshk e rërë i mbuluar,
Rrethuar anash si me mur
Përpara një luadh u duk.
Papritur shkau atje një hie
Dhe fill pas saj nxorrën shkëndija
Dy zjarre... befas, pak më vonë,
Një bishë me një vrull u hodh
Nga pylli edhe ra mbi shpinë,
Dhe lozte, hidhej me gëzim.
I shkretëtirës mik për jetë,
Panter’e madhe brente shpejt
Një kock’dhe çirrej me gëzim,
Pastaj të egrin shikim
Nga hën’e plotë e drejtonte;
Bishtin përpjetë e rrotullonte
Dhe qimet drita ia praronte.
Un’nisa, me një dru, të pres
Çastin e ndeshjes – zemra u ndez
Me etje lufte edhe gjaku...
Po! Dorën lart e ngriti fati
Dhe tjetër rrugë më tregoi...
Tashti për veten un’besoj,
Se lart, në skajin tim amtar,
S’do isha i fundit luftëtar!



17

“Un’prisja. Kur, në terr të natës,
Armikun bisha e nuhati,
Dhe nj’ulurimë plot ankesë
U ndje papritmas... bisha u ndez
Dhe rërën nisi të rëmihë,
Përpjetë u ngrit, pastaj u shtri,
U hodh drejt meje me furi,
Me vdekje edhe tmerr në gji...
Por un’ja shkova në shpejtësi,
Goditja ime qe e saktë,
Më dysh ia çau bishës ballin...
Ajo, posi njeri i gjallë,
Rënkoi e ra. – Por, përsëri,
Megjithëse gjaku me furi
I rridhte, rendi si shigjetë, -
Përleshja ish për vdekje a jetë!



18

“Mbi gjoksin tim ajo u sul,
Por unë munda shpejt t’i ngul
Armën e mbrojtjes, gjer në fund
Të fytit... bisha ulëriti,
M’u sul në çast me gjithë fuqitë
Dhe ne të pleksur, si gjarpërinj,
Shtrënguar fort posi dy miq,
Ramë të dy – dhe n’errësirë
Lufta vazhdoi në tokë e shtrirë.
I egër isha n’atë çast,
Si bishë shfryja me inat,
Zjeja nga brenda, nxirrja shkumë,
Sikur të isha edhe unë
Një fis me ujq e me pantera,
Nën tendë të pyjeve të blerta.
M’u duk se fjalët njerëzore
Harrova ,- thellë nga gjoksi doli
Ajo e tmerrshme ulërimë,
Sikur, q’i vogël, gjuha ime
Nuk dinte tjetër tingëllimë...
Por ja, armikut, më në fund,
Ju muarr fryma, u këput
Edhe të fundit herë më shtypi...
Bebet e syve flak’i qitën
Me egërsi – dhe ranë prorë
Pastaj në gjumin shekullor.
Por me armikun ngadhënjimtar,
E priti vdekjen zjarr për zjarr
Dhe ra siç bje një luftëtar!...



19

“Ti sheh në gjoksin tim ca gjurmë,
Që lanë thonjt’e saj të murmë:
Ato s’janë ende mbyllur mirë,
Por toka e njomë, toka e dlirë
Sërish me fllad do t’i freskojë
Dhe jeta prap’ do gjallërojë.
Ato i harrova atë ditë,
Dhe duke mbledhur krejt fuqitë,
Mes pyllit mora rrugën poshtë...
Me fatin veç u grinda kot:
Ai më tallte dhe më fort!



20

“Por ja, nga pylli dola, dhe
U zgjua dita me hare.
Vallja e yjve bashkudhëtarë,
U zhduk nën dritn’ e saj të bardhë,
Pylli i mjegullt ligjërimin
Filloi. Fshati nxori tymin.
Lugina zjeu me zhurm’ e erë...
U ula zhurmën për të ndjerë;
Por bashk’ me erën zhurma heshti
Dhe un’ për rreth shikimin treta;
Ky skaj m’u duk i njohur tepër.
Më hyri tmerr e lemeri,
S’kuptoja dot, që përsëri
U ktheva un’ në burgun tim,
Që kaq ditë pa kuptim
Nj’ëndër të fshehtë përkëdhela,
Durova, u lodha dhe ngela\
Kështu. Që n’ajkë të rinisë,\
Si pashë dritn’e perëndisë,
Si njoha t\ëmblën liri,
Në zhurmë pyjesh pa kufi,
Ta marr me vete për në varr,
Qortimn’e shpresës së gënjyer,
Mëshirën tuaj të urryer!...
I zhytur thellë në mendime,
Me vete thash’ – janë ëndërrime –
Por ja, që larg një tingëllimë
Kambane u ndje në qetësi...
Çdo gjë e qartë m’u bë tashti
O! Po, e njoha menjëherë,
Nga sytë fëminor, sa herë,
Ajo m’i ndoqi gjith’vegimet
Për t’afërmit edhe për prindit,
Për t’ashprën liri në stepa,
Për kuajt azganë, të paepur,
Për luftrat ndër shkëmbinj të zjarrtë,
Ku unë dilja fitimtar!...

Pa lot dëgjoja, pa fuqi.
Më dukej, sikur thellë në gji,
Ky tingull dilte – dhe me hekur
E rrihte gjoksin tim të djegur.
Dhe e kuptova un’ atëherë,
Se në atdheun tim të blerë,
S’do shkelja rishmës asnjëherë.



21

“Po, s’meritoja tjetër fat.
Në step’ të huaj, të pamat,
Kalorësin e keq e flak
Doriu i shpejtë dhe, që larg,
Gjen rrugën për n’atdhen’e shtrenjtë...
Ç’jam para tij? Më kot troket
Në gjoks një mall e një dëshirë;
Ësht’zjarr’i mekur, vlag’ e ngrirë,
Sëmundje truri, lojë ëndrë,
Që më ka lënë vulë e rëndë
E burgut t’zi... Kjo lule burgu
U rrit në vetmi prej murgu,
E zbehtë, mes plloçave të lagët,
Dhe gjethe për shum’ kohë s’hapi,
Se priste rreze, priste dritë
Të gjalla. Rrodhën pastaj ditë,
Gjersa një dorë me pekule
U zgjat, me mall, drejt asaj lulje
Dhe mes një kopshti e pat mbjellë
Përkrah me trëndafilat... Një qiell
Me jetë e dritë syt’i panë...
Po çfarë? – Kur agimi i parë
U skuq, e bënë rrezet shkrumb
Lulen e rritur n’atë burg...



22

“Dhe mua, diell’i pamëshirshëm
Ma dogji, posi lules shpirtin.
Më kot në barin e pakorrur
E fshihja kokën aq të lodhur.
Një tuf’ e thatë nga ky bar,
Posi kuror’ mbi ball’ m’u var,
Dhe vetë toka, duke shfryrë,
Një zjarr më derdhte në fytyrë.
Duke shkëlqyer në hapësi,
Shkëndijat rendnin. Në shkëmbinj
Një avull ngrihej. Në qetësi
Kish rënë bota, si e mpirë,
Në gjum’ të zemërimit shtrirë.
Si s’ndihej qoftë një shkurtë vallë,
Si nuk këndonte një gjinkallë?!...
Apo i përroit belbëzimë?!...
Veç gjarpri me fëshfërimë,
Mbi bar duke rrëshqitur tinëz,
Me shpinën ngjyrë të verdh’ të qartë,
Shkëlqente nëpër trup, si shpatë,
Qëndisur me mbishkrim të artë,
Rërën e shkrifur duke çarë,
Kalonte para zvarrë-zvarrë
Dhe lozte, dridhej e përdridhej,
Si një unaz’ trefishe mblidhej;
Pastaj, sikur i ndezur t’ish,
Vërtitej, hidhej çmendurisht
Dhe në kaçube fshihej rishmë...



23

“Ç’do gjë në qiell e ndritshme ish
Edhe e qetë – nëpër avuj,
Së largu nxinin sterrë dy male.
Në njerin manastiri ishte,
Me murin dhëmbë-dhëmbë ndriste.
Përposh Aragva dhe Kura-ja,
Duke qarkuar nëpër skaje,
Me një shirit të gjat’ argjendi,
Ishujt’ e blertë nënë këmbë,
Nëpër kaçuba qetë-qetë,
Rendnin posi dy miq të shtrenjtë...
Sa larg prej tyre isha vallë?!
Desha të ngrihem, por vërdallë
Më erdhi bota menjëherë!
Desha të flas, por si e prerë
Edhe e tharë gjuha ish.
Po vdisja. Kapitur fort më kish
Kllapi e vdekjes:
Dhe më ngjante,
Sikur në një humnerë të lagët
Të lumit isha. Para syve
Një mjergull misterioze shtrihej
Dhe, etjen prore duke shuar,
Si akull, val’ e shkumbëzuar,
Me gurgullim’ në gjoks më binte,
Aq bukur ishte dhe aq mirë...
Lart, vala valën duke shtyrë
Bashkohej, në një trup e shkrirë,
Dhe dielli, mbi kristal të valës,
M’i ndritshëm ish nga hën’ e artë,
Dhe tufa e peshqve lara-lara,
Hidhej mes rrezeve, përpara,
Prej tyre sjell ndër mend një peshk,
Që m’ëmbël se të tjerët, shpesh,
M’afrohej pranë, ledhatohej;
Shpina e tij e gjithë përshkohej
Me luspa t’arta. – Pa u ndjerë
Rreth kokës m’erdhi jo një herë.
Shikim’ i syçkave të gjelbra,
Që thellë shprehnin ëmbëlsi...
Por s’kisha forcë për çudi! –
Zëri tingull-argjend i tij
Më pëshpëriste ëmbëlsisht,
Këndonte e heshtte sërish.

Më thoshte: “Foshnja im’e mirë
Këtu me mua rri,
Nën ujë jeta ësht’e lirë,
E ftohtë, me qetësi.

Motrat e mia do thërras!
Me këng’ e me vallzim,
Ty do t’a zbutim gjithë gaz,
Të mjegulltin shikim.

Flij, shtrat’i butë nuk të vret,
Çarçafi ësht’ si xham
Do rrjedhin vjet e qindra vjet,
Mes ëndrash si balsam.

Pëllumb’i shtrenjt’! Nuk ta fsheh,
Të dua pa mbarim,
Ashtu si dua kët’ rrëke,
Si jetën, shpirti im...”

Dhe rrija kredhur në mendime;
Më dukej: vala ligjërimin
E saj të ëmbël, posi mjaltë,
E shkrinte me të peshkut t’artë.
Dhe humba. Drit’ e Zotit krejt
Në sy m’u fik. Kllapia shpejt
Trupit të lodhur ja la vendin...



24

“Kështu u gjenda dhe më këmb’
U ngrita... Tjetrën e di vetë
Beson a nuk beson ësht’ krejt
Njëlloj për mua, miku im.
Vetëm një gjë më mbush me hidhërim:
Se trupi im i ftohtë, i shkretë,
Në dheun tim s’ka për t’u tretë,
Dhe ky tregim për fatin tim
Të hidhur, as një hidhërim
S’do ngjallë mes mureve të errët,
Për emrin tim të zymt’, të mjerë.



25

“O, lamtumirë, m’ep dorën, at!...
A nuk e ndjen? Ajo në flakë...
Ky zjarr prej viteve rinorë
Ma dogji thellë kraharorë,
Por sot, q’ushqimi mori fund,
Burgun e saj e bëri shkrumb
Dhe prapë po kthehet tek ai,
Që si me ligj e hirësi,
U jep veç prehje, qetësi...
E ç’vlen për mua? – Shpirti im,
O, le të ngjitet fluturim
Parajsës s’artë për qetim...
Por, ah! – me tri-katër minuta,
Mes shpellash, guvash krejt të ngurta,
Ku kam kaluar fëmininë,
Do kisha ndërruar qetësinë,
Parajsën dh përjetësinë...



26

“Kur vdekja të më rrok’në krahë,
- Dhe më beso – s’do presësh gjatë, -
Ti urdhër jep të më çojnë
Në kopshtin tonë, ku lulëzojnë
Të dy akaciet flokë-bardha...

O, sa i dendur ëshë bari!
Sa i kthjellët ajri pa mbarim!
Gjethja me diell atje ndrin!
Atje, mes gjetheve më shpjer,
Të dehem për të fundit herë,
Mes kaltërsisë të humbas...
Nga duket mali Kaukaz!
Nga maj’ e tij, në hapësirë,
Ndoshta të fundit lamtumirë
Do më dërgoj’ me ledhatim...
Dhe fare pranë fundit tim,
Do ndjej një tingull amtar
Dhe do mendoj se përmbi varr,
Vëllai, a miku, me kujdes,
Ma fshiu leht’ të ftohtën djersë
Të vdekjes. Dhe me zë të qetë
Këndon për truallin tim të shtrenjtë...
Dhe unë, me këtë mendim,
Bie në gjumin pa mbarim,

Pa lënë pas asnjë mallkim!”


Pak mjalte shijova,e po vdes. :(
Postime brilante @Passion ?
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.