Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Mite dhe sinopse të historisë

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,952
MOIKOM ZEQO

EMAUSI

Bashkudhëtari misterioz për në Emaus. (Lluka, 24-13, 31): “Po atë ditë dy veta po shkonin drejt një fshati me emrin Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit. Dhe ata po bisedonin mes tyre për të gjitha që kishin ndodhur.

Dhe ngjau që, ndërsa flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecte me ta.

Por sytë e tyre ishin të penguar, kështu që nuk e njohën.

Dhe ai u tha atyre: “Ç’janë këto biseda, që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?”.

Një nga udhëtarët me emrin Kleopa, duke iu përgjigjur i tha: “Je i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat, të cilat kanë ndodhur këtu këto ditë!”

Dhe ai u tha atyre: “Cilat?”.

Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte profet i madh dhe i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara perëndisë e përpara gjithë popullit.

Dhe si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

Por ne kishim shpresë se ai do të ishte aty, që do të çlironte Izraelin, por megjithatë sot është e treta ditë që ai u kryqëzua.

Po edhe disa gra midis nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan në mëngjes te varri dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët u thanë se ai jeton.

Dhe disa nga tanët shkuan te varri, që e gjetën ashtu siç e kishin treguar gratë, por Jezusin nuk e panë”. Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemër ngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

Po a nuk duhej që Krishti të vuante gjëra të tilla për të hyrë kështu në lavdinë e tij?”

E duke nisur që nga Moisiu dhe nga të gjithë profetët ai u shpjegoi atyre në të gjithë shkrimet, gjërat që i takonin atij vetë.

Kur iu afrua fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

Por ata e detyruan duke i thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron”.

Dhe ai hyri bashkë me ta diku që të rrinte.

Dhe siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe si e theu, ua ndau.

Atëherë atyre iu çelën sytë dhe njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre”.

Tregimi i mësipërm është udhëtimi për tek Ardhmja, që edhe mund ta quajmë Emaus, ose “Utopia” e kokëprerë Tomas Morit.

I njohuri i pakalbshëm, i pashpërblyeshëm, Krishti, është me ne si i panjohur, dialogon, na shpjegon dilemat tona, na qorton, po ne vetëm në fund të jetës mund të na hapen sytë për ta parë atë, që nuk e ka ndryshuar pamjen, e që ne nuk mund ta njohim, sepse duhej të na ndryshonte neve shikimi, sepse edhe pa qenë të verbër përjetojmë verbërinë.

Kështu na ka ndodhur me të tjerë të panjohur, me të cilët shoqërohemi në kalvarët e autostradave të planetit, e kryeqyteteve, në aeroporte, hamë bukë me ta në një tryezë dhe shkëmbejmë sharje të rënda, urrejmë ata, që duhet t’i donim, ose bëjmë të kundërtën, ndërtojmë së bashku iluzione dhe prishim monumente, mallkimi i të cilave na shpagon: lindin fëmijë pa ditur se sjellin në jetë edhe të droguarit dhe kriminelët e kontrabandistët e ardhshëm.

Vetëmburrem në delir publiciteti të pështirë, çmendemi mbas parasë, nuk njohim mëshirën, e bëjmë alibinë të pabesueshme, pështyjmë atë që dje e lavdëronim, lëvizim bindjet me shpejtësi si letrat e bixhozit në gishta, luajmë rolin e profetëve të rremë, antikrishtere shtohen si epidemitë e kobshme.

Në këtë katrahurë tërë njerëzimi përsërit udhëtimin e dikurshëm për në Emaus.

Shpëtimtari është me ne, por kur e shohim, ai na zhduket nga sytë…, po jo për të na braktisur.

Sepse ne mund ta braktisim atë dhe jo ai ne. jemi nisur po nuk mbërrijmë akoma në Emaus.

Me ne është edhe Skënderbeu.

Merr pjesë, pak i tërhequr dhe pa u trazuar, në bisedat tona shpesh naive dhe vulgare, pa fantazi dhe pa meditim shpirtëror.

Ha bukë së bashku me ne.

Në një çast të paimitueshëm thyen si bukët ikonat dhe na jep nga një figurë, trupin e tij, duke e bërë eukaristinë e artit, të njëjtë me të besimit.

Kështu, Skënderbeu bëhet i dukshëm vetëtimthi dhe na zhduket për të na dhënë një shpagim morali ne, të përkohshmeve dhe kokë shkretëve, që nuk kemi kuptuar se arti është shumëfishim dhe ndriçim i jetëve të egërsuara dhe të kafshëruar nga qytetërimi i kompjuterëve, që punojnë me të njëjtin voltazh me atë të karrigeve elektrike.

Kështu mendojmë, se të stërlodhje, kemi zbritur në një liman, stacion treni, udhëkryq metropoli, në një aeroport, në një shteg fshati gjysmë gërmadhë dhe të braktisur dhe themi se mbërritëm së fundi në Emausin tonë, të vërtetë apo të ëndërruar.

Por Emausi zhvendoset para nesh, sa herë e prekim me këmbët tona truallin e tij.

Emausi lëviz vetvetiu, se nuk i përket gjeografisë së gurëzuar dhe të lëvizshme, por është më tepër kohë se sa hapësirë.(1993)

KUPTIMI I PROFETËVE

Kam lexuar librin e famshëm të Karl Jaspersit për Sokratin, Budën, Konfucin, Krishtin.

Nuk është një libër që merret me biografitë në mënyrë të letralizuar, si librat e Emil Ludvigut, të Cvajgut apo të Andre Moruasë.

Ngjan pak me librin e Platonit për Sokratin.

Sipas Jaspersit Sokrati, Buda, Konfuci dhe Krishti janë prototipa të mëdhenj të njerëzve që kanë ndryshuar historinë.

Karlajti apo dhe Lamartini duhet të shtonin dhe figurën e Muhamedit.

Në vetvete, secila nga këto figura përfaqëson dilemën filozofike dhe ftillëzimin e koncepteve ekzistencialiste.

Zhan Pol Sartri nuk ka mënuar të flasë për këtë dukuri historike.

Madje as Migjeni ynë nuk ka lënë pa shkruar një skicë ironike për filozofin Sokrat dhe derrin e tmerrshëm, jo pa një ndikim nga Kirkegardi apo Dostojevski.

\Në tërësi figura të tilla profetësh, pa harruar dhe shtjellimin e kumteve nga Zarathustra e Niçes, janë shumë të kuptueshëm dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, aq sa mund të krijohet ideja ciklike brendapërbrenda një përfytyrimi të vetëm.

Kështu edhe pa qenë në një logjikë kronologjike të historisë, figurat e mësipërme duhen lexuar për t’i kuptuar deri në fund, për të hapur portat e mbyllura të botëkuptimit dhe të ndjesive tona, përtej kufijve mendorë apo konceptualë, për të takuar në një truall emocionesh të përjetshme Shekspirin duke medituar njësoj si profetët. Nuk mund të jesh profet pa qenë njeri.

Por jo çdo njeri mund të jetë profet. por profeti dhe njeriu janë një kontradiktë e ri-shpjegimit dhe e ri-dimensionimit të vetë njeriut si totalitet.

Subjektivisht Shekspiri është një personazh që duket se nuk ka afërsi me profetët, që kanë krijuar fetë e mëdha të njerëzimit.

Por ky subjektivitet është gjithsesi i përkorë dhe jo absolut.

Ky subjektivitet nuk është gjithçka, por duke qenë diçka ka atë bërthamë inkandeshente të brendshme, ku ne mund të hyjmë në thellësi për të gjetur kuptimin e vërtetë të lartësisë, duke bërë ndërlidhje të gjërave kundërshtuese dhe nga më të zgribshmet.

Ndaj, nuk e kuptoj pse (në fakt e kuptoj përse!) duke lexuar librin e Karl Jaspersit, e ndieja mungesën e një pranie krejt të veçantë por të qëndrueshëm, një mungesë që flet dhe që mohon vetveten. (1994)

MARTIRIZIMI DHE KONVERTIMI

Po tregoj historinë e martirizimit të djaloshit Stefan.

Atë e kishin akuzuar si blasfemues dhe i kërkuan me ngulm të ndryshonte bindjet e krishtera.

Stefani nuk pranoi në asnjë mënyrë.

Atëherë akuzuesit e hodhën në gropë dhe filluan ta qëllonin me gurë stralli dhe e gjakosën furishëm, me mllef dhe zemërim.

Stefani ishte i krishteri i parë i njerëzimit, që vritej në këtë mënyrë të vjetër.

Për fat të keq dhe ironik, skena e masakrimit të Stefanit është dhe zanafilla e inkuizicionit të kishës në Mesjetë.

Stefani më tepër bashkohet me fatin e Xhordano Brunos, sesa janë kundërshtarë të skajshëm.

Kur Stefani lutej, ndërsa e copëtonin gurët, pamja e tij kishte kthyer mbrapa në kohë dhe në shekuj, djegien e turpshme të Jan Husit të madhërishëm dhe të drejtë, i cili tha fjalët: “O sancta simplicitas!”

Një nga ekzekutuesit e Stefanit qe edhe një burrë i ri nga Tarsi, i quajtur Saul.

Ai bërtiste së bashku me turmën e deliruar.

Por pa i habitur rrobat e gjakosura të Stefanit, Sauli qe nga më të zellshmit për ndjekjen dhe persekutimin e të krishterëve të parë.

Por, ndërsa vinte një ditë, që nga Damasku, atij i ndodhi diçka: e rrethoi një ndriçim i madh.

Sauli u rrëzua përtokë dhe dëgjoi një zë që i tha: “Saul, Saul, përse po më përndjek?” “Kush je ti o Zot?” – pyeti ai. “Unë jam Jezui, që ti e përndjek!”

Saulit i ranë ca luspa nga sytë dhe pa botën krejt ndryshe.

Nga kundërshtar i të krishterëve, ai u bë idhtar i Krishtit.

Nga Saul u bë apostulli Pal.

Kjo është historia e konvertimit, që ka tronditur dhe habitur tërë njerëzimin.

Në fillim nuk e besonin, po më pas Palin e pranuan si udhëheqës të padiskutueshëm të krishterimit.

Pali kishte një talent gjenial.

Letrat e shkruara prej Palit janë pjesë e pashlyeshme e teologjisë dhe argumenteve të shenjta të kishës.

Nëse Jezui qe krijuesi i fesë, i besimit, Pali qe krijuesi i kishës militante.

Pali qe një organizator i përbotshëm.

Ai ka predikuar dhe ka kaluar edhe në Durrës, kur ka shkuar për në Romë, ku edhe e kryqëzuan mes një lavdie që e pavdekësoi triumfalisht.

Kështu ndoshta shëmbëlltyra e konvertimit ka një kuptim të pashmangshëm.

Ne të gjithë kemi qenë Saulë dhe më pas u bëmë Palë.

Ky është konvertimi pozitiv, ose progresiv!?

Po ka edhe konvertim të kundërt.

Kështu Pali i rremë është një Saul i pandryshueshëm.

I pa-konvertueshëm.

Një i tillë ka gjithmonë dëshirë instiktive të vrasë me gurë, ose në vend të gurëve të qëllojë me monedha…, para, për të shkatërruar imazhin e moralit të botës.

Ka një keqkuptim të konvertimit sot.

Ka, si të thuash një imoralitet të konvertimit jo nga e Keqja tek e Mira, po nga e Mira tek e Keqja.

Ndoshta kjo ndodh dhe në Art.(1998)

ARTI I SYVE

Antikiteti është i verbër.

Sytë e statujave janë pa bebëza.

Muskujt e trupit skaliten përsosurisht.

Sytë janë sfera të bardha.

Janë krejt të mangët.

Kjo e bën artin e lashtë më tepër të jashtëm, sesa të brendshëm.

Hyjnitë mitike pagane nuk shikojnë.

Ato janë bërë vetëm për t’u parë nga të gjallët. Sytë e tyre janë të rremë. nuk janë sy.

Megjithatë sytë e Meduzës, kthejnë në gur gjithçka, sepse nuk mund të anashkalohet paradoksi universal.

Arti bizantin është art i syve.

Sytë janë shpirti.

Arti i syve është i brendshëm, jo i jashtëm.

Sytë e shenjtorëve onufrianë kanë bebëza.

Këto bebëza janë si lule misterioze të mbyllura në qelq.

Rrotat apokaliptike plot me sy janë apoteoza të qenieve vetëm e vetëm prej sysh.

Sy të pavarur nga trupat.

Larg fytyrave të mërzitshme dhe vulgare.

Mbase kafkat e të vdekurve nuk kanë sy, se sytë shtegtojnë prej tyre së bashku me shpirtin, për te mbretëria e syve, që nuk mbyllen kurrë, për të parë absolutisht gjithçka.

Thënia e shën Palit “tani ne shohim në mënyrë të paqartë si në një pasqyrë të turbullt” (“Letra e parë Korintasve” 13-12) na tundon të mos i absolutizojmë sytë.

Dihet që sytë njerëzorë nuk i perceptojnë rrezet ultraviolet, por ata nuk i shpëtojnë dot shikimit të pamëshirshëm dhe absolut të Zotit. shpikja e mikroskopit dhe e teleskopit e vërtetojnë kufizimin e syve të vdekatarëve mendjemëdhenj dhe të paturpshëm, kërkimtarë, por edhe dembelë.

Profeti Moisi e pa Zotin në formën e një shkurreje që digjej e tëra, por nuk konsumohej kurrë. kur Moisiu zbriti nga mali Tabor, këmbëzbathur, fytyra e tij ndriste nga një purpurim i brendshëm.

Maska e artë hyjnore ia kishte zëvendësuar fytyrën e rëndomtë.

Zotin nuk mund ta shikoje dot përballë, por siç thuhet në Dhjatën e Vjetër: vetëm nga shpina: Pra, Zoti është kështu një tabu për mëkatarët.

Por edhe për profetët.

Zoti e bëri njeriun e parë sipas shëmbëlltyrës së vetvetes. por asnjë njeri në botë nuk është Zoti.

Është një formë e zbrazët.

Po jo përmbajtja.

Forma përsëritet.

Përmbajtja është e përjetshme.

E pamatshme dot. (1998)

































































 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.