Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Motivet shtegtuese në eposin arbër, vepra poetike e Manoli Blessit dhe Pjetër Budit

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731

Motivet shtegtuese në eposin arbër, vepra poetike e Manoli Blessit dhe Pjetër Budit​


Blessi-Budi-e1618400226592-905x395.jpg
Dr. Dorian Koçi

Etnosi arbër, siç vëren me të drejtë mediavelisti i shquar kroat, Milan Shuflai, pati një parhapje të gjerë në mesjetë përgjatë gjithë bregdetit dalmat, adriatik, jonian e egjian. Kjo pozitë gjeografike dhe karakteri sulmues e luftarak i arbwrve qenë një digë e fuqishme për mbrojtjen e Europës nga sulmet e pafundme osmane. Qëndresa e kësaj popullsie ka shënuar episode të rëndësishme në historinë ballkanike dhe europiane, jo vetëm në atë që ne e quajmë sipas arbëreshëve “Moti i Madh”, por në një vazhdimësi lineare që nga shfaqja e parë e osmanëve në Ballkan e deri në në shekullin XVII.
Qendrat e rezistencës së etnosit arbër nuk ishin vetëm në Arbëri. Ato fillonin që në bregdetin dalmat, ku kjo popullsi merrte pjesë në ushtrinë e Venedikut, me emërtimin stradiotë – luftëtarë të kalorësisë së lehtë e që mund të përballonin me dinjitet kalorësit akëxhinj dhe suvarinj osmanë dhe vazhdonin në ishujt jonianë dhe në More, ku që prej shekullit XIII kishte emigruar dhe qe vendosur një popullsi e madhe arbëre. Shkaqe te kësaj rezistence të pashoq arbëre, që nuk bënte kompromis me osmanët për t’u nënshtruar, nuk janë analizuar qartë dhe shpeshherë u janë përcjellë motiveve të paqena, si kryeneçësia e racës shqiptare apo keqpërdorimi i tyre si element force nga venedikasit.

Sigurisht që në këto përfundime mund të ketë diçka të vërtetë pasi përfundimet në histori nuk mund të jenë përfundimisht të sakta, por ajo që ndikonte më tepër në vazhdimine rezistencës është motivi që nënvizon dhe Noli te “Historia e Skënderbeut”(1947). Pushteti osman ishte krejt i huaj për strukturën shoqërore arbëre. Ai ndërhynte me institucionet e tij si vakëfi, hasi, spahillëku në pronën e vogël dhe të mesme, duke shkatëruar bazën ekonomike të popullsisë. Në të kundërt, klasa fisnike arbëre arrinte të mbronte privilegjet e veta nëpërmjet konvertimeve në Islam dhe vënien në gatishmëri të trupave ushtarake (ndaj konvertimet e para i kemi nga klasa fisnike arbëre që nuk humbiste privilegje të mëdha). Mirëpo në fakt, edhe klasës fisnike i duhej të luftonte dhe të ishte në përpjekje të vazhdueshme për të konfirmuar pronën e vet e cila, si rregull rinovohej në krye të një viti nga Sulltani. Kjo lloj pasigurie pushtetesh politike reflektonte edhe pushtetet kulturore, ku ende vazhdonin të mbizotëronin gjuhët latine dhe greke, kurse lëvrimi i gjuhës vernakulare sa kishte filluar të merrte udhë. Pak a shumë kjo ishte situata politike e konfliktit arbëro-osman: Arbëria politike e ngritur me institucionet e veta u shkërmoq nën peshën e dhunës osmane dhe gjallonte vetëm në ishuj të vetëm të popullsisë që nuk ishin nënshtruar tërësisht sistemit feudal ushtarak osman.

Mirëpo duke qenë se fati i popullsive arbëre që banonin në vende të ndryshme ishte i njëjtë, jo domosdoshmërisht edhe kultura e kultivuar e tyre do të ishte e njëjtë. Në kulturën arbëre kishte pasur ndikime të ndryshme që kishin shenjuar edhe trajektoret e zhvillimit të tyre, duke filluar që nga kultura latine, sllave e bizantine. Pavarësisht faktit se ndikimet e këtyre kulturave ishin të mëdha mbi etnosin arbër – aq sa mbivendosja e tyre kishte penguar procese të natyrshme të zhvillimit të vetë kulturës arbëre, në momente të veçanta dhe të influencuar nga rrethanat, ishte zhvilluar një kulturë lokale e arbërve që kishte tentuar të shndërrohej dhe përshtatej sipas modeleve të kulturës europiane. Në të njëjtën kohë, në këtë kulturë ishin zhvilluar motive shtegtuese, tematika dhe mite popullore të ngjashme që dëshmonin për një uniformitet të habitshëm midis popullatave arbëre në rajon. Një shembull i tillë është krijimtaria poetike e Pjetër Budit (1566-1622)dhe krijimtaria poetike e personazhit kulturologjik të quajtur Manoli Blessi, luftëtarit stradiot arbër nga Napoli Di Romania – Navpaktua e sotme në Greqi.

auto_Bogdani1608626524.jpg
Pjesë e analizës sonë nuk do të jetë e gjithë krijimtaria poetike e Budit dhe Blessit dhe që në krye të herës dëshiroj të theksoj se kjo është një përpjekje e parë për të krahasuar dy poetë mesjetarë arbër që ndonëse shkruajnë në gjuhë të ndryshme – Budi në shqip dhe Blessi në grekeo/gregescho[3], një dialekt i greqishtes i mbushur plot me italianizma dhe tek – tuk, fjalë shqip mes gjuhës greke, kanë të përbashkët motivin e qëndresës antiosmane dhe të revokimit të së kaluarës historike. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për korpusin e plotë poetik të Budit, por për një poezi të tij të shquar, “Madhështi e njerëzve”, si edhe për një pjesë poetike nga poema e gjatë “I paliorkisi tis Qipru”- “Rrethimi i Qipros”, botuar më 1571, menjëherë pas ngjarjeve tragjike që sollën dhe rënien e ishullit në duart e osmanëve, me emrin e Manoli Blessit. Jeta e dy personaliteteve dhe poetëve është e ndarë si nga territoret ku banonin, po ashtu nga kultura që mbizotëronte në formimin e tyre e deri te profesionet që ushtronin.
Pjetër Budi, i njohur prej kohësh në kulturën tonë si shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare, klerik i lartë katolik dhe veprimtar i lëvizjes çlirimtare kundërosmane. Ai lindi në Gur të Bardhë të Matit. Si autodidakt, arriti të pajisej me një kulturë të mirë për kohën e tij. U shugurua meshtar qysh në moshë të re dhe shërbeu për shumë vjet si famullitar në kishat katolike të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për aftësinë e tij u emërua famullitar i përgjithshëm i kishës katolike në trevat ku shërbente.Më 1615 shkoi në Romë për t’u interesuar për botimin e veprave të tij, si edhe për çështjen e kryengritjes kundër turqve. Në një kohë të vështirë, në korrik të vitit 1621 u emërua peshkop i Sapës dhe i Sardës (Zadrimë) dhe në fillim të vitit 1622 nisi punën në këtë detyrë të re. Më 1618 u botua në Romë vepra e tij e parë “Doktrina e kërshtenë”. Më 1621 u botuan edhe dy vepra të tjera: “Netedy.com e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”. Këto vepra, prej rreth 1000 faqesh synonin t’u vinin në ndihmë besimtarëve dhe klerit katolik shqiptar. Për hartimin e veprave të tij Budi u mbështet në tekste fetare të botuara në Itali. Por ato, sidomos “Doktrina e kërshtenë” dhe “Netedy.com e rrëfyemit”, nuk janë përkthime të thjeshta, por më fort përshtatje me shtojca të shumta nga vetë Budi. Në “Doktrinën e kërshtenë” ka përfshirë edhe një varg vjershash fetare (mbi 3000), që pjesërisht i kishte të shkruara nga njëfarë frat Pali prej Hasi. Po kështu, në fund të veprës “Netedy.com e të rrëfyemit” Budi ka shkruar një letër-mesazh të gjatë (rreth 70 faqe) drejtuar besimtarëve katolikë shqiptarë me këshilla dhe porosi të shumta. Aty autori ankohet, ndër të tjera, edhe për gjendjen e vështirë të vendit, për mungesën e shkollave, për plogështinë e një pjese të klerit. Nga tri veprat e Budit më shumë jehonë ka pasur “Doktrina e kërshtenë”, e cila është ribotuar edhe tri herë të tjera (më 1636, 1664 dhe 1868). Budi ka përdorur një alfabet të ngjashëm me atë të Buzukut (me pak ndryshime). Ashtu si Buzuku, ai i dallon zanoret e gjata nëpërmjet dyfishimit të shkronjave përkatëse. E kjo dëshmon për një traditë shkrimi relativisht të vjetër ndër shqiptarët. Budi ka përdorur me kujdes gjuhën popullore, duke e pasuruar atë edhe me fjalë të reja.
Rasti i personazhit kulturor Manoli Blessi që është pseudonimi letrar i Antonio Molino ( 1495- 1571) një tregtari venecian i cili iu drejtua shkrimit të teatrit të komedisë dhe muzikës në vitet e tij të mëvonshme, pas kohës që kishte kaluar në Greqi. Atje, ai pati shans për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me disa stratiotë të shquar gjë që e lejoi atë të bashkonte në këngët e tij kujtimet e drejtpërdrejta që duhet të kishte dëgjuar nga disa prej këtyre ushtarëve me pritshmëritë e masave veneciane që vizitonin teatrin e tij-Academia Musica. Ai ka të ngjarë të ketë qëndruar në vendbanime të ndryshme në Peloponez dhe në Napoli Di Romana, një fortesë e rëndësishme e venedikasve dhe e populuar pothuasje e gjitha nga popullsia arbëre e emigruar që në shekullin e XIII në territoret e Greqisë së sotme. Në këtë përfundim arrijmë pasi në shkrimet e tij, Antonio Molino alias Blessi citon me krenari origjinën e vet nga Leon Zguro, arkondi i Napoli Di Romana dhe një shteti që shtrihej nga Navpaktua e sotme deri në Beoti, Thiva, dhëndrin e perandorit bizantin, Aleksi III dhe despotin e Perandorisë Bizantine. Antonio Molino , në traditën e personaliteteve në mesjetë, ka krijuar personazhin kulturologjik Manoli Blessi që përveçse stradiot, ishte edhe një poet i arrirë në formën e një poezie të lëvruar epike për betejat e shumta, ku mori pjesë në Evropën Perëndimore. Në veprën e tij “I fatti e prodezze di Manolis Blesis”, Molino në frymën e Comedie de la Art, i vë në lojë hapur stratiotët, por gjithashtu ai demonstroi një njohuri të plotë të zakoneve të tyre, gjë që na bën të deduktojmë se ai duhet të ketë pasur kontakte të drejtë për së drejta me disa prej tyre gjatë udhëtimeve të tij tregtare në Greqi (p.sh. stratiot i shquar Bartolommeo Minio, Venedikut komandant i stratiotëve në Napoli Di Romana), ose të paktën dëgjoi rrëfenjat lokale mbi figurat e famshme stratiote të shekullit të 15-të si Pietro Bua, babai i Merkurio Buas gjerësisht të njohur në Evropë. Në veprën «Ι fatti e prodezze», ku imitohet vepra “Orlando i tërbuar” i Ludovico Ariostos «Veggendo egli dunque in quanta stima sia J’opera dell’ Ariosto, gli cadde nell’ animo di fareancora egli un poema piacevole nella lingua greca volgare a imitazione di esso Ariosω»si shkruan Dolce në dedikimin e tij , hero kryesor është Manoli Blessi një stratitot arvanitas në shërbim të Venedikut , ku shfaqet të rrëfehet në vetën e parë aventurat fantastike dhe bëmat e tij. Me të njëjtin emër(mbiemri është tipik shqiptar i dëshmuar dhe në burime të tjera historike në atë kohë, por në të njëjtën kohë dhe me pseudonime të tjera stratiotësh greko-shqiptarë, Molino shkruan dhe si kemi parë dhe më lart por dhe boton pjesët më të shumta teatrore e me vargje në greghesco, ku Manoli Blessi shfaqet herë si hero dhe herë si poet. Është e qartë se vepra e Molinos «Ι fatti e prodezze» pasqyroi gjerësisht personazhin e njohur komik të stratiotit greko-shqiptar, po aq dhe dhe autori e adaptoi për veten e vet si pseudonim filologjik, alter egon e vet , si e pranon dhe vetë Molino në tekste të ndryshme që ka kohë që janë botuar. Në të njëjtën kohë është pranuar se emri Manoli është emër anagramë i mbiemrit të Antonio Molina, gjë e cila nuk mund të përjashtohet edhe pse emri Manoli ishte emër i përveçëm i përdorur nga grekët dhe shqiptarët e asaj kohe. Nga viti 1561 deri në vitin 1572 Molino botoi edhe gjashtë vepra të tjera të gjitha në greghesco. Në të gjitha këto vepra shfaqet emri i Manoli Blessit dhe jo emri tij. Molino ka lënë një biografi të personazhit të tij kulturor Manolis Blessi e cila fillon kronologjisht nga viti 1560, vit në të cilin Antonio Molina shkruan librin në dialektin gregescho. Sipas kësaj biografie Manoli Blessi nga viti 1560 luftoi në Dalmaci në krahun e ushtrive venedikase kundër osmanëve. Në vitin 1570 mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e Leukosias të Qipros nga forcat osmane të Selimit II. Pas këtyre luftimeve e gjejmë në vendet danubiane së bashku me katër stradiotë dhe shërbeu në forcat e Austrisë, të Bavarisë dhe të Prusisë.Gjatë këtyre luftimeve e shtegtimeve, poezitë e tij u bënë të njohura dhe shumë prej tyre u kompozuan edhe si këngë nga muzikantë flamandë dhe italianë. Qenë këngë që cilat dëgjoheshin shpesh rrugëve të Italisë ku kishte përqendrim më të madh stradiotësh. Blessi u nderua me tituj të shumtë nga Këshilli i të Dhjetëve të Republikës së Venedikut. Në burimet veneciane ai konsiderohej si një Herkul i ri. Pas kthimit të tij në Venedik, ai shkroi poema të gjata për rrethimin e Qipros dhe elegji për stradiotë të tjerë arbër që dhanë jetën në këto luftime. Fama e tij në Venedik ishte kaq e madhe, sa për të u thurrën edhe legjenda.

Blessi-Budi.jpg
Motivet shtegtuese dhe të përbashkëta të këtyre dy autorëve, që shprehin dhe lartësojnë qëndresën arbëre kundër osmanëve, përvijohen te revokimi i së kaluarës heroike të etnosit të tyre. Poezia “Madhështia e Njerëzve” nga Budi, reflekton revokimin e së shkuarës së lavdishme të arbërve, duke përcaktuar qartë jo vetëm të shkuarën e tyre të afërt, konfliktin me otomanët, por edhe një të shkuar të largët – që nga koha e Ilirisë dhe e Bizantit.

Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?



Në këtë kuptim, duket se Budi i paraprin letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare, kur bën pjesë të ligjërimit të tij poetik faktin historik të prejardhjes së perandorëve të Romës e të Bizantit me origjinë ilire që dy shekuj më vonë do përmendej në pothuajse të gjitha shkrimet e veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare. Edhe poeti e luftëtari stradiot, Manoli Blessi bën të njëjtën gjë, kur evokon të shkuarën e largët më shumë se njëshekullore. Por ai nuk ka ndërgjegjen e kultivuar historike të Budit për të përmendur perandorët e Romës dhe Bizantit. Manoli Blessi reflekton një ndërgjegje historike, që është ndërgjegjja e etnosit të tij arbër në Greqi, kur përmend kapedanët stradiotë të rreth 70 vjetëve më parë:

Ku është tanimë Kelmendi madhështor,
Kapedan i ushtrisë
Dhe ai Gërbeshi burrëror,
që i bëri turqit me dridhë,
Bashkë me Janin e Fraskiasë,
Plote me shpirt e fshehtësi…
O të varfër stratiotë


Ajo që është veçanërisht e rëndësishme nga pikëpamja historike është se të gjithë emrat e individëve dhe të disa fshatrave janë nga zona e Navpaktos. Po kështu, është interesant fakti se në vitin 1561, Blessi kujton Petro Buan, kapedanin e famshëm stradiot, i cili kishte vdekur rreth 70 vjet më parë. Në të njëjtën kohë të dy veprat kanë në themel të tyre evidentimin e një patriotizmi humanist që së pari ishte përcaktuar nga filozofi fiorentin i brezit të dytë osë të tretë të Humanistëve, Niccolò Machiavelli dhe që i referohet perceptimit të simbolit të shtepisë me konceptin e Patria, si vendlindje dhe vend i i origjinës që ia vlen të derdhësh gjakun dhe të vdesësh.
Motivi tjetër shtegtues në krijimtarinë e këtyre dy autorëve arbër është ai i keqardhjes për fatin e trishtë që ka ndjekur kapedanët e etnosit arbër. Kështu tek Budi kemi vargjet:

Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s’i shikoi,
as të vobegë,as të begatë.


Duket se koha dhe vdekja ka mbizotëruar mbi fatin njerëzor dhe politik të Arbërit, gjë që e shqetëson Budin dhe që vjen në poezi si një refektim i drejtpërdrejtë i Arbërisë së asaj kohe. Pothuajse njëlloj ndihet ky motiv për fatin njerëzor e politik të arbëreve dhe kapedanëve të tyre në vargjet e Blessit:

Dhe hymë në dimër;
Do rikthehemi në verë
Me këtë shoqëri kaq të mirë
Të kalorësve e ushtarëve,
Trima dhe luftëtarë të zotë,
Siç bënin dhe më të vjetrit tanë,
O të varfër stratiotë…


Fushatat e vazhdueshme ushtarake i kishin lodhur dhe dërrmuar forcat arbëre, që shërbenin në pothuajse të gjitha oborret e Europës Perëndimore si mercenarë. Blessi shpërthen me vargun “O të varfër stratiotë”, që përsëritet pas çdo gjashtë rreshtash. Ky refren pasqyron gjendjen shpirtërore të arbërve pa atdhe, ndryshe nga momentet, kur kishin luftuar në Navpakto që tashmë kishte rënë në duart e osmanëve.

Motivi tjetër shtegtues në krijimtarinë e këtyre dy autorëve vjen në aspektin e vargëzimit dhe sigurisht përfaqëson një lëndë të hershme folklorike, që ka ushqyer shpirtërisht gjithandej etnosin arbër. Vargu i përdorur në të dy poezitë është tetërrokësh, i përpunuar me rimë në rastin e Budit dhe ai trokaik pa rimë në rastin e Blessit. Vargu tetërrokësh është më i përdorur, jo vetëm në poezinë tonë ******, por dhe në atë të shkruar. Ai është vargu më i preferuar pasi është më i manovrueshmi e i përshtatshëm për tema të ndryshme. Për emocione nga më të larmishmet mes të tjerash dhe për epikën, lirikën e dramatikën bashkë. Me tetërrokëshin mund të kërcehet, të këndohet, të tregohet një ngjarje epike dhe muzikaliteti i saj të mos bjerë në monotoni.

Kjo mbetet pasuria e tij e brendshme dhe e larmishme dhe besojmë se kjo është arsyeja që Molina alias Blessi e ka zgjedhur për të ilustruar “Rrethimin e Qipros”. Gjithsesi, varianti i përpunuar i vargjeve të Budit, dëshmon për ekzistencën e një tradite vjeshërimi në qarkun letrar ku ai krijoi, pavarësisht burimeve të pakta dokumentare që na kanë ardhur në ditët tona. Kuptimplotë është fakti që Pjetër Budi në një sasi kaq të madhe vjershash me tema të ndryshme i përmbahet vetëm një mase metrike; kjo tregon se që në kohët e vjetra gjuha jonë gjente shprehje të natyrshme e të lehtë në tetërrokëshin; leximi dhe recitimi i tij , sic e shohim edhe sot , dilte q;atëherë i rrjedhshëm.
Në rastin e Antonio Molinos alias Blessit poezia vjen si një traditë e mirëformuar es tilit të tij por mund të jetë dhe një reflektim i drejtpërdrejtë i folklorit dhe i rapsodive popullore të arbërëve të Greqisë. Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë; madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe i origjinës së tyre të njëmendë popullore. Pa rimë, pa strofa, – thotë De Gracia, – në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare-siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetërrokësh të lirë, të përzier me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh – që të gjithë, të marrë së bashku, krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone.

Fati i përbashkët historik, që u korrespondoi sërish popullsive arbëre në konfliktin e tyre për jetë a vdekje me osmanët, rinxori në skenë motivet, tematikat dhe mënyrat e perfomancës së folklorit të pasur në jetën shpirtërore të etnosit arbër. Kur tradita e shkrimit dhe e vjershërimit vinte më e konsoliduar, siç ishte rasti i krijimtarisë së Budit, etnosi arbër e gjeti shprehinë në gjuhën shqipe me alfabet latin. Ekzistenca e një treve me një besim të vetëm edhe një vend si Shqipëria mesjetare ku ka munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, një besim ky që nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në kulturë dhe gjuhën vernakulare. Një nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin. Në këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë, duhet të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe zhvillimin e një kulture të qendrueshme arbëre me alfabet latin. Fakti e tregon se popullsitë arbëre kanë qenë shumë elastike përsa u përket identiteteve të tyre që përfitonin në mesjetë. Kështu, Antonio Molina alias Blessi lëviz lehtë nga një kulturë bizantine, të marrë në Navpakto drejt një kulture perëndimore që e përfton në Venecia, duke krijuar në dialektin graeko/gregescho, por me motive të rëndësishme nga historia dhe identiteti i vet etnik. Evidentimi i teksteve të vjetra të popullisë arbëre të Greqisë mund të na çojë në supriza të këndshme të identitetit kulturor të popullatës arbëre në rajon, të ngjashmërive si dhe të veçantive të tyre me kulturën mesjetare arbëre në tërësi.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.