Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Mrekullitë më të famshme të Shëna Ndout, shenjtorit mrekullibërës

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731

Mrekullitë më të famshme të Shëna Ndout, shenjtorit mrekullibërës​



Mrekullitë më të famshme të Shëna Ndout, shenjtorit mrekullibërës

Shëna Ndou njihet si Shenjti i Mrekullive, ose Mekullbâsë, domethënë shenjt që bën mrekulli. E i bën pambarimisht. Që nga koha kur jetoi – e deri në kohët tona… Po cilat janë më të famshmet? Po nisim me mrekullinë e mushkës.

R.SH. – Vatikan
Shëna Ndou njihet si Shenjti i Mrekullive, ose Mekullbâsë, domethënë shenjt që bën mrekulli. E i bën pambarimisht. Që nga koha kur jetoi – e deri në kohët tona… Po cilat janë më të famshmet? Po nisim me mrekullinë e mushkës.

Mrekullia e Mushkës
Gjatë një debati të Shëna Ndout me një heretik lidhur me praninë e Krishtit në Eukaristi, heretiku e sfidoi Shenjtin. I kërkoi diçka, në dukje të pamundur: ta bindte me një mrekulli për praninë e vërtetë të Zotit në hosten e shuguruar, duke i premtuar se po të ndodhte kjo, do të kthehej e do t’i besonte fesë së vërtetë. Shpjegoi, më pas, edhe planin: do ta mbante mushkën të mbyllur për disa ditë në stallë, pa i dhënë asgjë për të ngrënë. Pastaj do ta sillte në shesh, përballë turmës, e do t’i vinte para tagjinë. Njëkohësisht Antoni do të vinte Hosten përballë kafshës. Nëse mushka do të gjunjëzohej para hostes, pa e përfillur fare tagjinë, ai do të kthehej në fenë e vërtetë. Ditën e caktuar heretiku e solli mushkën në sheshin përplot me sehirxhinj. E edhe Shenjti doli menjëherë aty. I tregoi mushkës hosten e shuguruar e i tha: “Për virtyt e në emër të Krijuesit, të cilin unë, edhe pse i padenjë, e kam në duar, po të them ty, o kafshë, e po të urdhëroj t’i afrohesh përvujtërisht e t’i bësh nderimin, që meriton!”. E kështu edhe ndodhi: Antoni nuk i kish kryer ende mirë fjalët, kur mushka uli kokën deri ndër thundra në shenjë nderimi e u gjunjëzua para Sakramentit të Korpit të Krishtit.

I posalinduri që flet
Një familje, që jetonte në Ferrara të Italisë, po kalonte ditë e netë të tmerrshme. Me sherr e shamatë, që tundte mëhallën, lindur nga xhelozia e burrit, i cili besonte se gruaja e kish tradhtuar e se fëmija e posalinduir ishte pikërisht fryt i kësaj paudhësie. Ditë-natë me britma. Ditë-natë me nëmë. Ditë-natë me vajin e fëmijës, që nëna nuk arrinte ta pajtonte. Vaj që tundte mëhallën. E, duke dashur ta pushonin, fqinjët iu luten Shëna Ndout të ndërhynte… Ai erdhi menjëherë në shtëpinë, ku nuk pushonte vaji i ferishtes. E mori në krahë të sapolindurin e i tha: “Të përbetohem në emër të Jezu Krishtit, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, i lindur nga Maria Virgjër: më thuaj me zë të qartë , që ta dëgjojnë të gjithë: “Kush është yt atë?”. Fëmija, duke i ngulur syçkat në sytë e babit të vet, mbasi nuk mund t’i lëvizte duart, sepse i lidhur në fasha, tha: “Ja, ky është babi im!”. E Shenjti, duke iu kthyer burrit dyshimtar, shtoi: “Merre tënd bir, e duaje tënde shoqe, të cilën vijon ta tmerrosh prej ditësh me dyshime të kota, ndërsa meriton gjithë mirënjohjen tënde!”.

Buka e të varfërve a “Buka e Shëna Ndout”
Tomazini është një djalë i vogël, vetëm 20 muajsh: e ëma e lë vetëm në shtëpi, duke luajtur. Po kur kthehet, e gjen të mbytur në një mastelë uji. E dëshpëruar, thërret në ndihmë Shenjtin e mrekullive e, duke e lutur, siç na ndodh shpesh edhe ne, bën një kusht; po të fitojë hirin, do t’u dhurojë të varfërve aq bukë, sa peshon fëmija i mbytur. Një të thënë, një t’u bërë: fëmija kthehet menjëherë në jetë. E lind, kështu, ajo traditë, që njihet me emrin “pondus pueri”, përmes së cilës prindërit i luten Shna Ndout t’ia mbrojë fëmijët, duke i premtuar se do t’i dhurojnë aq bukë, sa peshon fëmija, Ndoshta jo të gjithë e dinë se nga kjo mrekulli e ka zanafillën Buka e të varfërve, e pastaj edhe Karitasi Antonian a “Buka e Shëna Ndout” dhe Organizata antoniane, që vijojnë edhe sot e kësaj dite t’u shpërndajnë gjellë, bukë, veshmathje të varfërve të mbarë botës. E se edhe në Shkodër, në një skaj të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, Shëna Ndou ka hapur një strehë të vogël, ku u jep të hanë atyre që nuk kanë – për ditë e më të shumtë – gjellë të ngrohta e të shijshme. E ata kthehen në shtëpi duke e bekuar Shenjtin dhe pasardhësit e tij, fretërit françeskanë, që i shndërrojnë ndihmat e besimtarëve, në “ bukën e përditshme” të nevojtarëve!

Këmba e ngjitur
Një burrë nga Padova, me emrin Leonardo, i tregoi një ditë Shëna Ndout se i kishte ra me shkelm së ëmës. Shenjti, i trishtuar pa masë, ia ktheu: “ Këmba, që çohet kundër nënës a atit, meriton të pritet që atë çast”. Burri, i prekur thellë nga këto fjalë, ndjeu një shqetësim aq të stuhishëm në shpirt sa, një të shkuar në shtëpi mori sakicën e, pa menduar dy herë, e këputi këmbën, që kishte goditur nënën. Lajmi mori dhenë e mbërrijti sakaq te Antoni. Shenjti u nis me vrap drejt shtëpisë së burrit e, pa trokitur fare, hyri brenda. E pa në sy e nisi të lutej në heshtje. Mori, mandej, këmbën e prerë nga dyshemeja e gjakosur e, duke bërë shenjën e kryqit, e vuri në vend të vet. E këtu ndodhi mrekullia e jashtëzakonshme: këmba u ngjit, si të mos ishte prerë kurrë, në vendin e vet, aq sa burri u ngrit në këmbë e nisi të ecë. E më pas, edhe të kërcejë gjithë gëzim, duke falënderuar Zotin, e edhe Anonin !

Zemra e koprracit
Në një lokalitet të Toskanës po kremtohej me solemnitet funerali i një burri shume të pasur. I pranishëm edhe Antoni që, i tronditur nga një frymëzim i beftë, nisi të bërtasë e të thotë se i vdekuri nuk duhej varrosur në vend të bekuar, sepse kufoma ishte pa zemër. Të pranishmit mbetën me gojë hapur e nisën një diskutim të zjarrtë, aq sa u kthye morti në mbledhje. Së fundi u thirrën edhe mjekët. Ata hapën kafazin e kraharorit të njeriut të vdekur e… panë se ishte pa zemër. Zemra, që mungonte në kraharor, u gjet në kasafortë, ku burri ruante paratë!

Kthesa e Ezzelinos
Sh’na Ndou njihet si mbrojtës i madh i të varfërve. Gjithnjë e kudo mori guximin t’i sfidojë ballë për ballë shtypësit. Mjafton të tregojmë takimin me famkeqin Ezzelino da Romano. Kur mori vesh se tirani i Veronës kishte bërë një masakër të vërtetë, shkoi ta takonte e i drejtoi fjalë tejet të ashpra: “O armik i Zotit, tiran i pamëshirë, qen i tërbuar, e deri kur do të vazhdosh të derdhësh gjakun e pafajshëm të të krishterëve? Mos harro se të varet mbi krye dënimi i Zotit, tejet i tmerrshëm”.
Të pranishmit shtangën. Po reagimi i Ezzelinos qe krejt i papritur: në vend që ta zhdukte Fratin françeskan nga faqja e dheut, u dha urdhër rojeve ta largonin pa e çikur fare. E nësa Shenjti po largohej, shtoi: “Mos u çuditni, nëse po sillem kështu me të. E bëra këtë mbasi pashë një lloj vezullimi hyjnor që dilte nga sytë e tij e që më tmerroi aq, sa m’u duk se pashë vetë ferrin, duke m’u hapur nën këmbë e edhe veten, duke u rrokullisur në gropën e zjarrtë”.

Predikimi peshqve
Ashtu si në jetën e Shën Françeskut kujtohet predikimi, që u bëri zogjve, në atë të Shëna Ndout flitet për predikimin jo më pak fantastik, drejtuar peshqve. Thuhet se ngjarja ndodhi në Rimini. Qyteti kish rënë krejtësisht në duar heretikësh. Sapo arrit misionari françeskan, krerët vendosën ta rrethojnë me një mur heshtjeje. E kjo edhe ndodhi. Antoni nuk gjeti asnjëri, të cilit të mund t’ia drejtonte fjalën. Kishat ishin bosh! Doli në shesh, po askush nuk ia vuri veshin. Askush nuk ktheu kokën për ta parë. Aq më pak, për ta dëgjuar. E ai vijoi ecjen duke u lutur e duke menduar. Arriti kështu, në breg të detit. Atëherë nisi të thërrasë auditorin e tij: “ Me që ju po dëshmoni se jeni të padenjë për fjalën e Zotit, ja , unë po u drejtohem peshqve, që të dalë edhe me në shesh mosbemimi juaj”. Tha kështu e kështu edhe bëri. E sapo nisi predikimin, mbi ujë nxorrën kokën qindra- mijëra peshq, që mbetën shtang, duke dëgjuar fjalën e Zotit Krijues”.

Vegimi
Pak para se të vdiste, Antoni u tërhoq në lutje, në Camposampiero, pranë Padovës, në viset që zotëria i vendit, konti Tiso, ua kishte besuar françeskanëve pranë kështjellës së tij. Duke ecur në shtigjet e pyllit, vuri re një arrë vigane e i lindi ideja të ndërtonte ndërmjet degëve të gjëra të drurit, një lloj çelëze. Tisoja ia plotësoi menjëherë dëshirën. E shenjti u ngjit aty e kaloi ditët e kundrimit, duke u kthyer në vetmitoren e fretërve vetëm natën vonë. Një mbrëmje konti shkoi në çelën e mikut të tij. Sapo mbërriti te porta, pa, i mrekulluar, se prej aty dilte një shkëlqim verbues. Duke drashtë se aty kishte rënë zjarr, shtyu portën e…mbeti pa frymë, në prag… para një skene të mrekullueshme: Antoni shtrëngonte në krahë Krishtin Fëmijë. Ashtu si e shikojmë sot në shtatoret e Tij. Kur u zgjua nga ekstaza e pa Tison të prekur thellë në shpirt, Shenjti iu lut të mos ia tregonte askujt vegimin qiellor. E konti ia mbajti fjalën. E tregoi çka kishte parë vetëm pas vdekjes së Shenjtit! (Marrë nga www.santantonio.org)

Padova, qytet që jeton nga Pajtori i vet
Në vitin 1237 Komuna e lirë e Padovës u la me gjak. Ishte ora e tmerrshme e territ, në të cilën Ezelini III Romano sillte në majën e shpatës së tij, shfarosje e vdekje. Por ndërkaq, Komuna e veshur me petka morti, ndjen se nuk është vetëm. Mbi të vegon Mrekullibërësi! Mekullibërësi e ruan nga qielli lirinë e qytetarëve të vet. Dhe e bën përsëri të dridhet Neronin mizor të vendit.

Kupa e krimit ishte mbushur plot e po derdhej.
Një natë të vitit 1256, ishte 13 qershor – një frat i paepur – Luca Belludi, shkon te varri i mbrojtësit të qytetit. Në zemër ka ankth. Në buzë, britmën zemërçjerrëse drejtuar Shenjtit për ndërmjetësim. Për dhimbë e mëshirë. Dhe e ndjen se Shenjti është përmbi qytetin e vet. Eshtrat e tij rrënqethen në fund të urnës. Ndërsa zëri i tij frymëzues – zë kreshniku në fushën e betejës – jehon fuqishëm, si premtim për ngadhënjim: “Mos ki frikë, Lukë! Në tetëditëshin e festës sime, Padova do të jetë e lirë nga shtaza e kurorëzuar e Onarës!”.
E qyteti shpëton. I mbrojtur nga Shenjti i tij!
Antoni e tha fjalën e vet… Shoku i tij besnik, e konfirmoi.

Një 7 prill i jashtëzakonshëm
Më 20 qeshor 1256, flamuri i kryqtarëve shpaloset në erë. Në duart e fratit Chiarello të Kuvendit të Shenjtit. Era e freskët rreh palët e flamurit të Komunës. Erë lirie. Mijëra shtegtarë rrajnë te ai, që e shpëtoi qytetin.

Gjuha e gjallë e njeriut të vdekur
Më 7 prill – të Dielën in Albis të vitit 1263, një urnë, më e bukura e më denja, pret trupin e vdekur të Shenjtit, me të cilin besimtarët, tashmë jo vetëm nga Padova e rrethinat, vijojnë të takohen, t’i kërkojnë hire e të fitojnë. Pas 32 vjetësh urna hapet.
I pranishëm, Gjenerali i shtatë i Urdhërit Françeskan, Bonaventura da Bagnoreggio – i famshëm në lëmin e shkencës e të shenjtërisë. Është i pari që shikon urnën e hapur.
Trupi është hi e pluhur, po kafka – e paprekur: në të, gjuha, krejt e freskët, ngjyrë rozë, si ajo e njeriut të gjallë. Gjuha që predikoi, gjuhë që flet….
I flet Padovës e botës! E qyteti që e bëri të vetin, jeton prej disa shekujsh nga shenjti, që tërheq këtu mijëra njerëz, nga mbarë bota, verë e dimër… Edhe – e sidomos kur botën e kërcënon pandemia… I dëgjon shtegtarët, por edhe u flet. Me gjuhën e tij të artë, që nuk vdes!

Laçi i Kurbinit jeton prej Shëna Ndout
Shëna Ndou mbërrijti në Shqipëri gati-gati menjëherë pasi kishte vdekur: rreth vitit 1240, bashkë me françeskanët. Erdhi e nuk iku më kurrë nga vendi. Edhe pse iu sulën njerëz më mizorë se ata të Ezelinos, III, që mbillte shfarosje e vdekje në qytetin e Padovës. Erdhi, e shkëmbi i thatë që zgjodhi për strehë, u shndërrua menjëherë në oazë hiresh. Nisi të jetojë nga Shenjti, që mbjell jetë, kudo ndjehet emri i tij, Jo shumë kohë “pas ardhej së Tij” përmbi shkëmbin e egër, të veshur me pyje të dendura, u ngrit Shenjtërorja e, pranë saj, një kuvend françeskan, ku nisi të lulëzojë jeta rregulltare e bijve të Shën Françeskut.

E nisën të vijnë edhe shtegtarët e parë, që vijuan t’i ngjiteshin shkëmbit të egër për të kërkuar e për të nxjerrë hire, me ndërmjetësimin e Shenjtit të Mrekullive. Por në vititn ogurzi 1967, këtu mbërrijti një frymë e keqe, që mbillte shfarosje e vdekje. Një “Ezelino” i ri u duk në këto vise të serta dhe e hodhi Shenjtëroren në erë me dinamit. Quhej komunizëm. Duke e rrënuar, as nëpër mend nuk i shkoi se Shenjti, i cili ndërmjetësonte vazhdimisht te Zoti, për t’i ndihmuar shtegtarët që përballonin rrugën e gjatë e të rrëpirtë, për të ardhur tek këmbët e shtatores së Tij, do të ndërmjetësonte për vete e për Kishën e vet shqiptare në maje të shkëmbit të egër. Që jetonte prej tij. Mos ki frikë, shqiptar – i tha – Shqipëria së shpejti do të jetë e lirë nga diktatori gjakatar! Në ditën e festës sime, Laçi do të jetë e lirë.

E shqiptarët e ndjenë në shpirt se ai nuk do t’i braktiste, edhe pse ia rrënuan shtëpinë. Vijuan, prandaj, të ngjiteshin shtigjeve të kodrës, e të gjunjëzoheshin mbi gurët, ku banonte tani Shenjti i Mrekullive. Sepse ai nuk iku kurrë nga Shqipëria. Mbeti gjithnjë aty! Në pritje të atyre, që ngjiteshin, një nga një a me grupe të vogla. Deri më 13 qershor 1990, kur besimtarë nga të katër anët Shqipërisë u bashkuan haptazi rreth gurëve të Shenjtërores, për t’u lutur. Ishte ndёr shenjat e para të rilindjes së fesë, që dëshmonte se Shëna Ndou nuk ishte larguar kurrë nga Laçi!

Më 1991 nisi rindërtimi i shtëpinë së rrënuar të Shëna Ndout, përmbi themelet e lashta tё Shenjtёrores.

Më 1992, në maje të Laçit u ndez drita e elektrike.

Më 1993 u çel rruga, katër kilometra e gjatë.

Më 1994 Shenjtërorja u përfundua, për t’u përuruar më 2 maj 1993.

Këtë herë Shenjti, që kishte bërë aq shumë mrekulli për mijëra besimtarë, e bëri për vete mrekullinë: Kishën e re! Drejt së cilës rinisën shtegtimet e me ta, edhe hiret…E Laçi i Kurbinit, ku jeton Shëna Ndou, ashtu si Bolonja e largët gjallon nga Shenjti i vet…Ku është Ai, është hiri. Shpresa. Jeta, që Krishti Fëmijë, nga krahët e Shenjtit, ia bekon njeriut të gjunjëzuar para Shtatores së Shëna Ndout.

E tash mijëra shtegtarë rrajnë te ai, që e shpëtoi Laçin e vet! jeton prej Shëna Ndout
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.