Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

“Ndodhi e kundërta”, rrëfimi i Kalos për eleminimin e Kadri Hazbiut

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,919
Nga Isuf Kalo

Pas arrestimeve, internimeve dhe pushkatimeve të një numri të madh zyrtarësh të lartë, anëtarë të Byrosë Politike, ministra, gjeneralë, drejtues institucionesh kombëtare do të ndodhte e pabesueshmja. Radha do t’i vinte Kadri Hazbiut. Ai që pa iu dridhur qerpiku kishte burgosur, torturuar dhe eliminuar armiq të panumërt realë dhe imagjinarë të Enverit, do të shpallej një ditë edhe vetë si ata “agjent i të huajve dhe tradhtar”.

Kadriu pat kujtuar se Enveri nuk mund të gjente person më besnik, më të devotshëm, më të vetësakrifikuar në shpirt dhe në moral sesa ai. Ai i kishte krijuar dhe i pat dhënë Enverit, në përballje me kundërshtarët, gjithçka që i ishte dashur pa asnjë hezitim, sajesa, fakte fiktive, shpifje, intriga dhe varre.

Në pozitat e ministrit të Brendshëm Kadriu i kishte acaruar marrëdhëniet edhe me Mehmetin, që e kishte epror si kryeministër për t’i dhënë Enverit të kuptojë që ai ishte në shërbim personal vetëm të atij.

Gabimisht, ndonjë gazetar, apo shërbime të fshehta të huaja e patën konsideruar Kadriun, si kushëri apo i afërt familjarisht me Mehmetin dhe si i tillë, edhe dishepull i tij. Ngatërresa lidhej me faktin që gruaja e Kadriut kishte në vajzëri mbiemrin Shehu, por ajo ishte me origjinë nga Tepelena, pa asnjë lidhje gjaku apo familjare me Mehmetin. Në këtë ngatërresë pat rënë edhe radioja jugosllave që lajmëroi, se Mehmeti me “kushëririn e tij, Kadri Hazbiu, kishin tentuar të vrisnin në mbledhjen e Byrosë Politike të 17 dhjetorit 1981 Enverin”.

Pas eliminimit të Mehmetit, në të cilin Kadriu luajti rol agresiv kryesor, familjarët e tij prisnin dhe përhapën lajmin se Kadriu do të promovohej, së paku si kryeministër. Kjo u besua gjerësisht, sepse Kadriu falë mënyrës së përzemërt, pa pompozitet dhe modestisë në sjelljen dhe komunikimin e tij me njerëzit, në disa kontingjente sidomos në Vlorë ishte mjaft popullor. Ai nuk linte rast pa bërë qokat e duhura ndaj kujtdo që kishte pasur miqësi apo njohje me të.

Por të gjithë u gabuan në parashikimet e promovimit të tij në post më lart. Ndodhi e kundërta.

Pakkush e pati kuptuar që Kadriu duke u bërë më i famshëm dhe më i adhuruar, ishte shndërruar në person të dëmshëm dhe të rrezikshëm, sepse kontrastonte me sjelljen e ftohtë, të përmbajtur pa karizmë të atij që Enveri pati projektuar të ishte i pari i vendit pas largimit të tij nga jeta. Ai ishte Ramiz Alia. Në rrethanat e reja, popullariteti i Kadriut, u bë i padëshiruar, prandaj Enveri do t’i vinte atij me nervozizëm nofkën “masoviku i zi”.

Në fakt gjatë procesit të eliminimit të Mehmetit dhe çrrënjosjes së të gjithë klanit të tij, ndihma e Kadriut ndaj Enverit pat qenë e pazëvendësueshme. Ajo shërbeu njëkohësisht për t’i hapur rrugën drejt majës së pushtetit Ramiz Alisë. Kadriu shërbeu me besnikëri dhe me më tepër ndershmëri ndaj Enverit sesa Fusheja ndaj Napoleon Bonopartit. Por rruga për pasardhësin, pasi ishte hapur, duhej edhe pastruar. Kadriu ishte shkëmb i madh për t’u kapërcyer nga Ramizi, i cili nuk kishte as kult, as energji, as admirues personalë të tij.

Problemi ishte se te ky shkëmb ishte e vështirë që të vendosej dinamit për ta hedhur në erë, sepse ndryshe nga rastet e kolegëve të tij apo edhe të Mehmetit, nuk dukej as njihej ndonjë e çarë. Kadriu nuk kishte faje të njohura, si p.sh. Mehmeti me fejesën e të birit ose Beqiri me strategjinë e fshehtë.

Një tentativë për ta lidhur Kadriun me grupin e Xhevdet Mustafës të ardhur për të vrarë Enverin, nuk ngjiti në publik. Enveri u propozoi së pari Ramizit dhe Hekuran Isait për Kadriun dënim shkallë-shkallë, duke e çuar në detyra më të ulëta, por dy beniaminët e rinj të Enverit e nxitën për ta hequr qafe Kadriun pa vonesë.

Ishin Ramizi dhe Hekuran Isai në detyrën tashmë të ministrit të Brendshëm që e shtynë dhe e ndihmuan Enverin ta arrestonte Kadriun sipas parimit paraveprues. Arsyeja, faktet dhe shkaku i arrestimit do të gërmoheshin dhe do të gjendeshin më vonë. Mjafton ky rol koleg-vrasës që ta nxijë pacifizmin dhe mospërzierjen në dhunën e pushtetit të pretenduar nga Ramizi.



Ditën e Plenumit të Partisë, i cili u bë i famshëm për nervozizmin dhe një agresivitet jo të zakontë nga ana e Enverit ndaj Kadriut, ndodhi që ta shikoja atë duke ngjitur me vështirësi shkallët e ndërtesës së Komitetit Qendror të Partisë për të qenë i pranishëm në atë plenum, ku do të bëhej gjyqi partiak ndaj tij. Ai ishte ende i padënuar, pra ende anëtar i Byrosë Politike dhe, si i tillë, i takonte të hynte në atë ndërtesë me ashensor si zakonisht nga porta kryesore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” bashkë me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike.

Kurse ai po ngjiste shkallët në këmbë nga hyrja e pasme e kopshtit, së bashku me anëtarët dhe kandidatët e Plenumit të Komitetit Qendror. Ende i padënuar ai ishte praktikisht i përjashtuar. Ishte i zbehtë, i dobësuar më shumë se zakonisht dhe nga ngadalësia me të cilën i ngjiste shkallët dukej tejet i rraskapitur.

Unë mbajta hapat i ndrojtur për të mos u ballafaquar me të. Kur hyri në sallë, ai zuri vend në radhët e pasme, ndonëse sipas postit ende i takonte të ulej bashkë me kolegët e tjerë të Byrosë Politike në podium. Gjyqi partiak kundër tij besoj se ishte më i vështiri në kuptimin e mungesës së argumenteve të dukshëm dhe të besueshëm për fajësinë e tij.

Kjo dhe temperamenti kurajoz i tij bënin që të pranishmit në sallë të dukshin të ndrojtur dhe të kontraktuar. Them se asnjëri prej tyre nuk besonte në mundësinë e tradhtisë së Kadriut ndaj Enverit. As unë. Kurrsesi. Ndërkohë ata nuk kishin të qartë se cili ishte faji real dhe as deri ku duhet të shkonte dënimi i tij. Prandaj të pranishmit në atë plenum rrinin si të tulatur.

Sulmi ndaj Kadriut nisi nga kuadro të Komitetit të Partisë së Tiranës duke e bërë përgjegjës si ministër i Brendshëm për sjelljet moralisht të papërshtatshme dhe fejesën politikisht të dënueshme të Skënderit, djalit të Mehmet Shehut. Kadriu reagoi duke argumentuar se edukimi moralo-politik i të rinjve dhe i komunistëve ishte detyrë e Komitetit të Partisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme. Një ish- koleg i tij, kuadro i lartë në Ministrinë Brendshme, i bëri disa pyetje provokuese, por Kadriu iu përgjigj qartë dhe me gjakftohtësi.

Të pranishmit në sallë ishin si të përhumbur. Ndoshta jo pak prej tyre kishin pasur marrëdhënie të përzemërta e miqësore me te. Nuk kishte atmosferë armiqësore ndaj të akuzuarit. Titullarët e drejtësisë dhe të ligjit, kryeprokurori, kryehetuesi, ministri i ri i Brendshëm, Hekuran Isai, ishin të pranishëm, por rrinin të heshtur gjithashtu në pritje të fjalës dhe dënimit që do t’i jepte të akuzuarit partia. Enveri e kuptoi që duhet të ndërhynte vetë, që të jepte orientimin dhe tonin e dënimit të tij.

Prandaj, ndonëse i rraskapitur, ai provokoi debat direkt me të ndaj kundërshtimit që Kadriu u bënte akuzave për tradhti. Atëherë Enveri nervoz si asnjëherë në plenume të tilla, u ngrit në këmbë dhe e propozoi vetë dënimin, të cilin nuk e shqiptoi asnjë nga të pranishmit e tjerë. “Atëherë unë them të arrestohesh”, tha ai me zë sa inatçor, aq dhe të drobitur. “Mirë mo mirë, Partia ime më arreston (madje në fakt vetë Sekretari i Parë…!)”, iu përgjigj aty për aty Kadriu.

Pas kësaj ai u shpall agjent dhe armik. Atëherë befas salla u zgjua. Të pranishmit deri atëherë si të ngrirë, të mpirë, si të çliruar nga një ankth që i mbante të mbërthyer, u gjallëruan. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe shpërthyen me brohoritje buçitëse. Ritmike, frenetike: Enver Hoxha, Enver Hoxha, Enver Hoxha… (Isha kurioz, por nuk kisha mundësi që ta shihja a po brohoriste vallë bashkë me ta edhe Kadriu…?)



Kadriu u mbajt disa ditë në arrest shtëpie. Si tigër në kafaz. Me vete kishte revolverin e tij personal. Atë nuk ia kërkuan ta dorëzonte. Nuk e çarmatosën. Ndoshta patën shpresë se edhe ai, si Mehmeti, do të bënte vetëvrasje. Por Kadriu i zhgënjeu. Ai thirri personin e duhur në Ministrinë e Brendshme dhe ua dorëzoi vetë armën. Me këtë gjest u dha të kuptonin se nuk kishte ndërmend të bënte të njëjtin gabim si Mehmeti. Vazhdimi më pas dihet. Kadriu u shpall agjent dhe mori pa mëshirë dhe pa lehtësim të gjitha dënimet e mundshme, të cilat edhe vetë ai u pati dhënë më parë të tjerëve. Përfshi edhe ish-kolegëve të tij.

Besoj se seanca e gjyqit partiak të Kadriut ishte më e vështira që përjetoi Enveri në vargun e gjatë të dënimeve të ish-bashkëpunëtorëve të tij. Aspekti më i papritur me fundin e Kadriut, ishte që çuditërisht edhe ai, pas burgimit nuk i shpëtoi përkuljes dhe tjetërsimit moral dhe karakterial. Aparenca burrërore, e trimit dhe shpërfillësit ndaj ndëshkimit u shkri pas torturave. Edhe ai njësoj si Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, në vend të mërisë dhe zhgënjimit ndaj Enverit, i dërgoi atij “me lot në sy” letra shfajësuese dhe përbetime me naivitet të pabesueshëm, për njohjen aq të gjatë dhe aq të ngushtë që kish patur për 30 vite me të. E sigurt është që Enverit ato i ranë në dorë, dhe po aq e sigurt është që të gjitha i trajtoi me shpërfillje. Sidoqoftë, për fat të mirë eliminimi i Kadriut ishte i fundit. Paskëtaj nuk pati më pushkatime armiqsh dhe agjentësh në nivelet e larta të pushtetit.

Madje, si sfidë, tri vite më pas si për të fshirë nga kujtesa historike Kadriun dhe çdo gjurmë të bëmave tragjike të asaj periudhe, të lidhura me të u rrafshua edhe shtëpia e tij, e cila ndodhej pikërisht në atë vend ku u vendos simbolikisht piramida e përjetësimit të kujtimit të Enverit. Ishte ky akti demonstrativ i fundit i forcës së Partisë së Punës mbi Sigurimin e shtetit?

Me këtë akt të vështirë të fundit, i cili besoj se u bë nga Enveri jo pa mundim fizik dhe jo pa brerje shpirtërore, rruga e Ramizit për në majën e pushtetit të nesërmen ishte tashmë e hapur dhe e “pastruar”. Anëtarët e tjerë të vjetër të Byrosë Politike që kishin mbetur ishin pa dhëmbë, pa muskuj për ta penguar atë. Ndonjëri, si Adili, ishte edhe mik e shok që në kohën e luftës partizane, kurse rishtarët e Byrosë Politike i kishte zgjedhur dhe promovuar vetë ai. Fati i Kadriut nuk bëri përjashtim. Ai e pësoi njësoj si homologët e tij, si Beria në Bashkimin Sovjetik, si Rankoviçi në Jugosllavi, si Mehmeti, Feçori dhe së fundi Hekuran Isai në Shqipëri fill pas tij…

Ky i fundit disa vite më pas u burgos, por nuk u torturua, as u pushkatua. Ai pohoi se akuza ndaj Kadri Hazbiut pat qenë e sajuar. Dhe u shpreh se ai vetë, asnjëherë nuk e pati besuar që Kadriu të kishte qenë agjent e armik dhe që donte të vriste Enverin.

Të gjithë këtë histori gjakatare në majat e pushtetit të atyre viteve e gjeta të shkruar simbolikisht në një libër ku thuhej:

“Në një kotec ku mbahen mbyllur për një kohë të gjatë të uritura disa pula, sapo njëra prej tyre rrëzohet përdhe nga dobësia, drejt saj sulen të tjerat dhe e çukisin si të tërbuara deri sa ajo ngordh. Ndërkaq, pulat e tjera të përlyera të gjitha me gjakun e viktimës, ndizen e ndërsehen nga ngjyra e kuqe e gjakut dhe i vërsulen me sqep njëra-tjetrës, deri sa mbetet e gjallë vetëm njëra prej tyre, e cila e rraskapitur dhe e përgjakur ngordh edhe ajo. Kështu, brenda kotecit, ato zhduken njëra pas tjetrës pa mbetur asnjëra gjallë”.

A nuk ndodhi diçka e tillë e ngjashme me eliminimet, spastrimet dhe kacafytjet e udhëheqësve me njëri-tjetrin dhe “shkundjen e institucioneve” në nivelin e lartë të udhëheqjes së Partisë së Punës dhe të shtetit tonë në harkun kohor 1972 – 1984?



*

Botuar në Dita. Marrë me lejen e autorit nga libri i sapodalë në treg BLLOKU, botim i UetPress. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë ose i pjesshëm nga media të tjera pa lejen me shkrim të autorit
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.