Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Nëse lexon je më i lumtur. Ja prova

U

Universal

Guest
Roberto Saviano: Nëse lexon je më i lumtur. Ja prova

Nga Roberto Saviano

Isha fëmijë dhe kam ende kujtimin e nënës time që lexonte. Për të, të lexuarit ishte një gjë tejet jetike. Nuk bëhet fjalë vetëm për kënaqësi, apo për t’u informuar. Përkonte pikërisht me mundësinë e saj për të arritur dhe për të bërë gjithçka tjetër. Eshtë ky dimension i domosdoshmërisë që ka shoqëruar gjithmonë eksperiencën time të lexuesit. Që kur duart e mija ende të holla lodheshin duke mbajtur për disa orë ata libra të mëdhenj me kapakë kartoni, që shpesh herë ua dhurojnë më të vegjëlve. Kopertina shumëngjyrëshe, fletë më të rënda dhe gërma më të mëdha, me qëllim që hyrja në atë botë të imagjinatës, të ndodhte në mënyrën më të thjeshtë.

E kështu, kur që i vogël, mësohesh me ata dialogë të heshtur, pastaj kur rritesh është e vështirë të bësh pa ta. Shndërrohet në një përballje të domosdoshme, në qenien e vet të përditshme dhe konstante. Kur, për një arsye të caktuar, zvogëlohet koha që i kushtohet leximit, dita kalon pa e patur të plotë kuptimin e saj.
Dhe të mbetet përshtypja që ke humbur diçka të parikuperueshme. Koha për leximin është zvogëluar. Kriza dramatike e botimeve nuk është prodhuar prej librave elektronikë, apo prej botimeve super ekonomikë. Aspak. Kriza është shkaktuar nga mungesa e kohës, të cilën na e ka gllabëruar furia e Internetit. Në tren, në avion, në shtrat, mes duarve nuk ka më faqe, por smartphone. E imja është një nostalgji për të kaluarën? Ndoshta, pak. Ludizmi anti-internet: do të më pëlqente, por nuk jam kaq i pamend. Preferoj të punoj me këto platforma për t’u dhënë hapësirë librave. Për t’u rikthyer kohën

I urrej lëvizjet sepse bëj shumë, por ka vetëm një gjë që më jep kënaqësi në këtë lodhje mekanike: rimarrjen në dorë të librave që kanë bashkëjetuar me mua dhe ndaj ata vende, për disa muaj.

Më ndodh të citoj një shprehje të Umberto Ecos: “Kush nuk lexon, në moshën 70 vjeçare do të ketë jetuar vetëm një jetë: të tijën! Kush lexon do të ketë jetuar 5 000 vite: do të mbaj mend kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Lucian, kur Leopardi admironte infinitin… sepse letërsia është një përjetësi përsëprapthi”. Kështu që, kush lexon do të ketë instrumenta që i shtohen jetës së tij; instrumenta që vijnë prej eksperiencave që, i kanë jetuar të tjerët për ne.

I jam mirënjohës nënës time dhe gjyshit tim, për nxitjen e vazhdueshme që më kanë bërë drejt librit. Eshtë një fillim që duhet të konsiderohet themelor; asnjë fëmijë nu do të lexojë, nëse nuk sheh prindërit të lexojnë, asnjë fëmijë nuk do të lexojë, nëse shtëpia e tij është pa libra.

Kjo për shkak të letërsisë, të rëndësisë së shembullit, të imitimit. Do të jetë më e lehtë që të më vijë dëshira për të leuar, nëse shoh persona përreth meje që lexojnë. Nëse dikush që është në krahun tim më fton të lexoj. Nëse dikush që shtë në krahun tim, më mëson të gjej kohë për t’iu kushtuar librave.



Por, pastaj lexova një sondazh që më bëri shumë kurioz. Bëhet fjalë për tregun e botimeve, cilët libra shiten, cilët janë klasifikimet e më të pëlqyerve. Se si Italia është një vend lexuesish të dobët (sipas institutit italian të statistikave, në vitin 2014, 58.6% e italianëve nuk kanë lexuar asnjë libër në 12 muajt e fundit), por nuk flitet asnjëherë, se si jeton ai që lexon dhe si jeton ai që nuk lexon. Ose më mirë, jemi të bindur se kush lexon ka më shumë instrumenta, është më pak i pavetëdijshëm dhe ndoshta edhe më pak i ndikueshëm, se sa ai që nuk lexon. Por jo vetëm kaq, me sa duket, është edhe më i lumtur.

“Lumturia e leximit”, quhet një kërkim i porositur nga GeMS (Grupi i Botimeve Mauri Spagnol), me rastin e përvjetorit të tij të dhjetë, dhe që ia ka besuar Cesmer, Qendrës së Studimeve mbi Tregjet dhe Marrëdhëniet Industriale në Universitetin e Romës. Studimi ka përdorur parametra të ndryshëm.
Dallimet në jetët e lexuesve dhe jolexuesve janë paraqitur në tre shkallë të ndryshme (shkalla e Veenhovenit, shkalla e Cantrilit dhe shkalla e Diener dhe Bisvas-Diener) dhe rezultatet përkojnë: kush lexon është më i lumtur, provon një gamë më të gjerë ndjesish pozitive dhe më të ngushtë ndjesish negative dhe arrin të përmbajë zemërimin.
Fakti që është studim e ka porositur një botues flet shumë për një aspekt që e konsideroj qendror: nuk është e rëndësishme vetëm të vlerësohet ajo që lexohet më shpesh dhe mbi të gjitha çfarë blihet, por të dihet se kush boton libra, të çfarëdolloj zhanri dhe niveli, po punon për t’i bërë të tjerët pak më të lumtur. Nuk ka asgjë më të bukur se sa të dish që puna jote mund të kontribuojë për lumturinë e të tjerëve.

L’Espresso-Bota.al
 
#Tinuklexon...

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë, nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa, xerxelera, grricje, kërruajtje. Je gjithë kohën i mërzitur. Ke probleme me shëndetin. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Hak e ke. Këto dhe të tjera taksirate i ke dhe do t’i kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti mor’ zotni, ti moj zonjë, ti mor’ djalë, ti moj vajzë, nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më gjakatare të botës, gjatë së cilës u përdhosën të gjitha vlerat dhe u kultivuan e u himnizuan veset më të ndyra dhe më kriminale; pabesia, hajdutllëku, spiunllëku, dembelizmi.

Prej një çerek shekulli vendi yt nuk është më diktaturë, por vend i lirë ku fatet nuk i vendos 1 njeri i vetëm por vullneti i shumicës. Megjithatë ti gjithë kohën ankohesh. Ankohesh dhe do ankohesh, sepse ti nuk di, ti nuk kupton, ti s’ke se si të dish, ti s’ke sesi të kuptosh, sepse ti nuk lexon.

Ti pi kafe dhe sodit njerëzinë. Habitesh, mendohesh, dhe nuk e gjen dot, se si dhe pse nuk janë të gjithë si ty, por njëri kështu e tjetri ashtu, dhe kafja të duket zeherr. Kafja zeherr e helm do të bëhet sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk do ta kuptosh kurrë madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë, të cilët po aq sa janë identikë, janë edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ndërsa pretendimi yt idiotesk që të gjithë të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte groposja për së gjalli e të gjithëve.

Qëllon ndonjëherë që ti del në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të rregulluara, jo rrallë edhe me shatërvane dhe pishina. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet;

-Nuk janë bërë me punë të ndershme. Janë bërë me pare droge, me trafiqe, me dallavere.

-Ore eja në vete, të thotë ndonjëri që eventualisht të ndodhet pranë. Kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Këto shtëpi nuk i kanë ngritur në 1 ditë, por tullë pas tulle për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Eja në vete. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota.

E kotë. S’ka spjegim që të bind, s’ka argument që të sjell në vete ty që nuk lexon, ty që duke mos lexuar nuk kupton, duke mos kuptuar nuk ndjen.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve, deri edhe filipinit, u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i bësh pa të lëvizur qerpiku ti që nuk lexon asgjë. A e kupton se çfarë shtaze të bën mos-leximi ?

Ti udhëton. Duke udhëtuar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra të çuditëshme banorësh lokalë. Por ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr e kjo llahtarë nuk ndodh për absolutisht asnjë arësye tjetër por vetëm sepse ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon

Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, letrën e Tatjanës Onieginit, por mban ment batuta të pështira soc-filmash. Nuk lexon, prandaj.

Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. E ke gabim. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit pa pik’ turpi ankohesh ndaj atij ose atyre që votove vetë. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.

Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet kafeneje. Ky, ai, ai tjetri, trokiti në një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, poqi gështenja mbi prush, u ankua nga majasilli, bërtiti, doli. Shumica e librave kështu janë vërtet. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë me miliona herë më të vlefshëm se këta me acar dhe mangall, sepse ti nuk lexon.

Nuk ke sukses me femrat. Dhe nis e i shan e mallkon kot së koti ato të shkretat. Ulu lexo, mëso të sillesh me to, bëju komplimenta, sa më inteligjente, sa më turbulluese, sa më të bukura. Nëse përsëri nuk u mbushet mendja, ulu lexo edhe më tepër.

Ti çfaqesh në Fejsbuk në foto me gjithato të ngrëna përpara. Është turpi më i madh, njëlloj sikur ta pështysh veten në surrat, më zi se ulja e brekëve tek Zogu i Zi. Por ty nuk të bën asnjë përshtypje. Ti vazhdon të dalësh në fotografi krenar dhe i pamposhtur fill pasi ke gromësitur me sa më tepër tasa dhe pjata të sapo boshatisura, gota të rrëkëllyera, mbeturina mishrash dhe mëlçirash të ngrëna përpara. Sepse ti nuk lexon.

Sheh ndonjëherë në televizor shurdhmemeca që mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë. Habitesh pa masë, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë që fatkeqi, fatkatrani, fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.

Edison Ypi
 
Gjalle me je, e shtrenjteza nenoke!
Gjalle dhe une. Te fala, shpirt nga larg
U mbulofte paqe izba jote
nga dritat e muzgjeve perqark!

Thone ti, e dhembshura e heshtur,
per mua te mbyt nje brenge e rende
edhe del ne rruge e shkujdesur
mbeshtjell me te vjetrin shallin tend.

Per mua te behet here pas here
se ne terr te mbremjes, ne nje skute,
ne taverne, pas pijesh me sherre,
dikush thiken ne zemer me fut!

Ti m’u shlodh u shpirti im! Rri qete!
Kjo qe sheh eshte enderr, nje perqart.
Une s’jam me i ligu nder poete
qe te vdes, pa pare nenen prape!

Jam ai i pari, shpirtfloriri
vec nje enderr bluaj perseri,
qe se shpejti, me mallin prej biri,
vatres sime t’i vij prape ne gji.

Do te vij, kur kopsht’ i perterire
te bleroje, e gjethi i ri te dale
Dhe ti s’do me zgjosh me qe pa gdhire
sic me zgjoje tete vjet me pare.

E c’ta zgjosh te zgjuarin nga te tjeret!
C’ta shqetesosh te prerin keq ne bese!
Ndodhi, jeta m’i dha teper heret
lodhje e humbje, me helmin ne mes.

Dhe mos me meso si behet lutja!
C’ta kujtojme ate qe na la shkrete!
Gaz e zemer kam vec ty, e urta!
Ti, e vetmja drite, qe pres ne jete.
 
Nese lexon je me i lumtur?
Varet cfare lexon. lexo lajme dhe shiko sa i lumtur behesh.
Lexo romane dhe perralla me mbret dhe shiko sa i lumtur behesh kur do shikosh se ne realitet shumica e tyre nuk realizohet.

Por nese lexon ato qe te bejne te lumtur je me i lumtur
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.