Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Pakti i fshehtë Ribentrop-Molotov gjatë Luftës së Dytë Botërore

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,946
Prof. Paskal Milo

(Vijon nga numri i kaluar – lexo KETU)


“Situata e re politike”, fraza me të cilën Molotovi dhe Voroshillovi përmbyllën bisedimet me misionet ushtarake angleze e franceze ishte paralajmërimi për një negociatë tjetër që ishte zhvilluar paralelisht dhe me intensitet gjatë tri javëve të para të muajit gusht. Një komunikatë zyrtare e shpërndarë në 22 gusht njoftoi se ditën tjetër do të arrinte në Moskë ministri i jashtëm i Gjermanisë, Joakim fon Ribentrop për të nënshkruar një pakt mossulmimi midis qeverive të të dy vendeve. Ky njoftim ishte surprizë për shumicën e qeverive në Evropë e në botë. Por ai nuk ishte i tillë për qeverinë e Musolinit e për qeverinë amerikane. E para ishte njoftuar në vija të përgjithshme nga vetë qeveria gjermane, ndërsa e dyta një javë përpara nga ambasadori i saj në Moskë. Megjithatë mjaft vëzhgues të mprehtë të zhvillimeve ndërkombëtare dhe qarqe diplomatike me nuhatje profesionale në Berlin e në Moskë kishin vënë re që në pranverë një tendencë të lehtë për zbutje në marrëdhëniet sovjeto-gjermane. Sinjali i parë i kthesës u dha nga vetë Stalini në mars në kongresin e XVIII të partisë bolshevike.

Fridrih Shulenburgu, (Fridrih Verner Von der Schulenburg) ambasadori i Gjermanisë në Moskë, tepër i vëmendshëm, një diplomat i shkollës së vjetër prusiane dhe një opozitar i ardhshëm i Hitlerit, raportoi gjatë në 13 mars në Berlin për fjalimin e Stalinit, përmbajtjen dhe nënkuptimet e saj. Ribentropi, në kujtimet e tij të shkruara në qelinë e burgut të Nurembergut pak para se të ekzekutohej në 17 tetor 1946, shkruan se ai e informoi Hitlerin për fjalimin e Stalinit e për mesazhin e tij nën reshta, i kërkoi ta autorizonte “për të marrë kontaktet e nevojshme” për të provuar nëse fjalët përputheshin me dëshirën e tij për përmirësimin e marrëdhënieve gjermano-sovjetike. Hitleri u tregua skeptik dhe kërkoi që të pritej.

Marrëdhëniet sovjeto-gjermane deri në këtë kohë karakterizoheshin nga një mosbesim i thellë, nga një polemikë e ashpër e kërcënuese në rrafshin ideologjik e politik. Ekzistonin vetëm marrëdhënie ekonomike e tregtare mbi bazën e një marrëveshjeje që kishte përfunduar në fund të vitit 1938. Rinegociimi i kësaj marrëveshjeje i çoi qeveritë e të dy vendeve në bisedime të përfaqësuesve të tyre nga dhjetori 1938 deri në shkurt 1939 kur ato u ndërprenë për shkak të mosmarrëveshjeve. Gjermania ishte shumë e interesuar për lëndët e para sovjetike, aq shumë të nevojshme për një ekonomi të orientuar nga lufta. Por edhe ekonomia sovjetike kishte nevoja urgjente për teknologjinë e pajisjet industriale gjermane.

Shkëndija që ndezi fjalimi i Stalinit gati u shua pas 15 marsit 1939 kur Hitleri pushtoi Çekosllovakinë. Qeveria sovjetike u detyrua të bëjë një deklaratë të ashpër ndaj këtij akti dhe pranoi të fillojë bisedimet me qeveritë angleze e franceze për të krijuar një aleancë kundër shteteve agresore në Evropë, që në radhë të parë nënkuptonte Gjermaninë. Moska kishte mbështetur fortë idenë e sigurimit kolektiv në Lidhjen e Kombeve dhe ministri i jashtëm i saj, Litvinovi, me origjinë hebreje ishte bërë edhe një simbol i saj. Litvinovi shpresoi se me gjithë mosmarrëveshjet dhe rezervat e thella që ekzistonin mes Moskës e anglo-francezëve, përpara rrezikut e kërcënimeve që i vinin sigurisë e paqes evropiane nga shtetet fashiste, pakti i aleancës mes tre fuqive kishte shanse që të arrihej.

Çemberleini dhe Stalini nuk u morën vesh për paktin e ndihmës së ndërsjelltë dhe një nga arsyet kryesore ishte dhe garancia për mbrojtjen e Polonisë e të Rumanisë nga agresioni gjerman. Kryeministri anglez u dha në mënyrë të njëanshme këtë garanci këtyre dy vendeve, të cilat nga ana e tyre e refuzuan deri në fund një garanci sovjetike të kushtëzuar. Projekti i sigurisë kolektive evropiane dështoi pa nisur ende. Stalini nuk humbi më kohë por riaktivizoi idenë e afrimit me Gjermaninë për të fituar kohë e për të zgjeruar rrethin e sigurisë së kufijve shtetërorë sovjetikë në rast agresioni që ai kryesisht e dinte se mund të vinte nga shteti nazist.

Ambasadori sovjetik në Berlin, A.F. Merekalov, në 17 prill, gati një vit pasi kishte marrë

detyrën shkoi në Vilhelmshtrase, në takimin e tij të parë me sekretarin e shtetit Vajczeker. Preteksti për takimin ishte një çështje kontrate tregtare që fare mirë mund të trajtohej nga nivelet më të ulëta diplomatike. Në të vërtetë Merekalov kishte një mision: të përcillte mesazhin se pavarësisht se Moska zhvillonte bisedime me Londrën e Parisin, ajo dëshironte të mbante marrëdhënie normale me Gjermaninë, madje ato të bëheshin edhe më të ngushta.

Në politikën e jashtme sovjetike, ashtu si edhe në atë të brendshme çdo vendim merrej vetëm me miratimin e Stalinit. Për ta përçuar edhe më qartë dëshirën e tij në Berlin, i plotfuqishmi i Kremlinit bëri edhe një lëvizje tjetër, i bindur se do të pritej mirë në kryeqytetin e Rajhut. Në 3 maj u shpall se Maksim Litvinovi kishte dhënë dorëheqjen si komisar i popullit për punët e jashtme dhe vendin e tij e kishte zënë Vjaçesllav Molotovi, njëkohësisht edhe kryetar i këshillit të komisarëve të popullit.

Për ata që nuk i dinin ende synimet e Stalinit, largimi i Litvinovit u interpretua vetëm si dështimi i politikës së sigurimit kolektiv dhe si një kthesë në politikën e jashtme sovjetike. Në Londër e në Paris u shqetësuan për dorëheqjen e Litvinovit, tek i cili kishin parë një diplomat bolshevik liberal të nivelit të lartë. Në Berlin nuk e fshehën kënaqësinë për ndryshimin e ndodhur. Biografia e V. Molotovit u publikua në gazetën zyrtare naziste “Felkisher Beobahter”. Ishte larguar ministri çifut i punëve të jashtme që kishte qenë edhe personifikimi i politikës së sigurimit kolektiv që ishte drejtuar kundër Gjermanisë dhe ishte zëvendësuar nga një bashkëpunëtor i ngushtë e besnik i Stalinit e që nuk ishte as edhe çifut. Stalini këtë mesazh donte dhe ia dërgoi Hitlerit.

Për ta forcuar më tej këtë mesazh i ngarkuari me punë sovjetik në Berlin, Astahov shkoi dhe takoi në Vilhelmshtrase bashkëbiseduesin e tij për çështjet ekonomike, këshilltarin Julius Shnurren. E siguroi që nuk ekzistonte asnjë konflikt në politikën e jashtme midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, se nuk kishte asnjë shans armiqësie midis të dy shteteve. Mori përgjigje nga Shnurre se në Gjermani nuk kishte plane agresive ndaj Bashkimit Sovjetik, por dëshirë për përmirësimin e marrëdhënieve. Por takimi që shënoi fare qartë atë se çfarë dëshironte Moska nga Berlini ishte ai i 20 majit midis ministrit të ri të jashtëm sovjetik dhe ambasadorit gjerman Shulenburg. Përmbledhjen e bisedës nga ana sovjetike e ka bërë vetë Molotovi. Si shënimet e tij ashtu edhe çfarë raportoi Shulenburgu në Berlin në thelbin e tyre përputhen.

Diplomati gjerman sa për fillim ngriti çështjen e nisjes së bisedimeve të ndërprera për nënshkrimin e marrëveshjes së re tregtare sovjeto-gjermane dhe ardhjen e Shnurres në Moskë për vazhdimin e negociatave me komisarin e popullit për tregtinë e jashtme Anastas Mikojanin. Ministri i jashtëm sovjetik i parapërgatitur akuzoi qeverinë gjermane për vonesat në bisedime, e quajti qëndrimin e saj një lojë dhe theksoi se qeveria sovjetike nuk do të bëhej pjesë e saj. Pas këtij momenti Molotovi lëshoi frazën e paramenduar që ishte edhe synimi i takimit që “për suksesin e bisedimeve ekonomike duhet të krijohet baza e duhur politike. Pa këtë bazë politike, siç tregoi përvoja e bisedimeve me Gjermaninë, nuk mund të zgjidhen çështjet ekonomike”.

Shulenburgu u befasua nga deklarata e Molotovit dhe kërkoi shpjegime se çfarë duhej kuptuar me baza politike. Madje i kërkoi me këmbëngulje e në mënyrë të përsëritur, por siç raportojnë me saktësi të dy palët, Molotovi refuzoi të shkojë përtej frazës që lëshoi duke nënvizuar se për këtë bazë politike “duhet të mendojmë dhe ne dhe qeveria gjermane”.

Në Berlin frazën enigmatike të Molotovit me të drejtë e kuptuan si një dëshirë të Bashkimit Sovjetik për përmirësimin e marrëdhënieve politike, si një qëndrim të ri. Pas disa ditësh hezitimesh të Hitlerit, erdhi reagimi i parë nga Vilhelmshtrase që qeveria gjermane ishte e gatshme për hapa të mëtejshme në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Hezitimet buronin nga mëdyshja tradicionale gjermane ndaj sovjetikëve por edhe nga kujdesi për të mos rënë në grackën e tyre për sa kohë që vazhdonin bisedimet anglo-franko-sovjetike për një aleancë kundër tyre. Por ato u thyen dhe udhëzimet e Hitlerit ishin që të ecej me kujdes në zhvillimin e bisedimeve me Moskën edhe për të penguar një afrim të saj me Londrën e Parisin. Këtë synim gjerman Astahovi ia kishte paralajmëruar Molotovit që në fund të muajit maj.

Ecuria e marrëdhënieve sovjeto-gjermane zhvillohej kryesisht në funksion të ulje – ngritjeve të negociatave anglo-franko-sovjetike. Këtë e treguan edhe ngjarjet e muajit qershor e të tri javëve të para të muajit korrik. Gjatë kësaj kohe negociatat e Moskës për arritjen e marrëveshjes për ndihmë reciproke midis Bashkimit Sovjetik, Britanisë e Francës ishin pa nerv e thuajse të dështuara. Gjermanët që i ndiqnin këto bisedime me veshë të ngritura e sy hapur fërkonin duart, ishin relativisht të qetë dhe i minimizuan kontaktet e ulën nivelin e tyre me sovjetikët. Por kur në 23 korrik u njoftua se qeveritë sovjetike, angleze e franceze kishin rënë dakord të përqendroheshin me përparësi në arritjen e një marrëveshjeje ushtarake, në Berlin ranë sirenat e alarmit. Kishte ardhur përsëri momenti për të riaktivizuar skenarin e afrimit me Moskën.

Në javën e fundit të korrikut në Vilhelmshtrase me miratimin e Hitlerit u përgatit paketa ofertë për të joshur sovjetikët. Për të matur pulsin në Kremlin sinjalet e reja i dhanë në 24 korrik me porosi të Ribentropit nivelet e dyta të diplomacisë gjermane (Shnurre). Astahovi tashmë i stërvitur për të matur pulsin gjerman informoi menjëherë Moskën.

Hitleri nxitonte të arrinte në marrëveshje me Stalinin para se të sulmonte siç edhe e kishte vendosur në 1 shtator Poloninë. Dy takime shumë të rëndësishme, njëri në Berlin në 2 gusht dhe tjetri një ditë më vonë në Moskë vendosën bazat e diskutimit për marrëveshjen. Në të parin Ribentropi i tha Astahovit se “përfundimi me sukses i bisedimeve tregtare mund të shërbejë si fillim i afrimit politik”, se “midis vendeve tona nuk ka baza për armiqësi” dhe se “për të gjitha problemet që kanë lidhje me territoret nga Deti i Zi në Detin Balltik ne mundet të bisedojmë pa vështirësi”.

Shulenburgu ishte porositur që me qartësi t’i bënte po të njëjtat propozime Molotovit. Madje ai i detajoi edhe më tej ato dhe u përpoq fare pa argumente të mohonte të vërteta të njohura si ato që Pakti Antikomintern nuk ishte i drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik por kundër Anglisë, se marrëdhëniet e Gjermanisë me Japoninë nuk kishin funksion antisovjetik dhe se Gjermania nuk mbante pozita armiqësore ndaj shtetit sovjetik në Lindje, se respektonte interesat e tij në Poloni, Rumani e në shtetet balltike. Molotovi, i cili nuk priste të dëgjonte propozime të tjera të reja, doli siç raportonte Shulenburgu “nga rezervimi i tij i zakonshëm” dhe nuk shfaqi asnjë qëndrim konkret për ato çfarë i tha ambasadori gjerman. Veç kritikoi qëndrimet e mëparshme të Gjermanisë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe përsëriti se politika e qeverisë sovjetike ishte për normalizimin e përmirësimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve, por se gjithçka varej nga qëndrimi i palës gjermane.

Në 7 gusht në tavolinën e Stalinit mbërritën informacione sekrete se pas 25 gushtit Gjermania ishte gati të fillonte veprimet ushtarake kundër Polonisë. Udhëheqja më e lartë sovjetike ishte njoftuar gjithashtu edhe për përpjekjet e Hitlerit për të vendosur lidhje të drejtpërdrejta me Çemberleinin. Në këto rrethana, Kremlini vendosi të zhbllokonte ngecjen e bisedimeve. Astahovi i udhëzuar nga Molotovi në 12 gusht i deklaroi Shnurres se pala sovjetike ishte gati të bisedonte për disa çështje konkrete të propozuara prej tij, Vajczekerit e Ribentropit, sipas etapave e duke filluar nga jo më të vështirat.

Hitleri nuk mund të priste. Atij i duhej me çdo çmim të neutralizonte Rusinë nga çdo reagim i saj për çështjen polake dhe ta pengonte atë në arritjen e marrëveshjes ushtarake me Britaninë e Francën. Ndaj edhe në 14 gusht Shulenburgu u udhëzua në mënyrë urgjente që të takonte Molotovin e t’i kërkonte një vizitë të shpejtë të Ribentropit në Moskë për t’i paraqitur Stalinit pikëpamjet e Hitlerit dhe për të hedhur “bazat e një rregullimi përfundimtar të marrëdhënieve gjermano-ruse”.

Stalini e kishte kuptuar dhe e dinte përse ngutej Hitleri. Ai nuk mund ta linte rastin pa e shfrytëzuar për të siguruar disa objektiva të arsyeshme por edhe mjaft të tjera që kishin ndenjur përkohësisht të fjetura në vetëdijen e tij. Ndaj edhe kur Shulenburgu i lexoi Molotovit udhëzimet me shkrim të ardhura nga Ribentropi e të shoqëruara me kërkesën që për ato të informohej edhe Stalini, ministri i jashtëm sovjetik mori një qëndrim prej diplomati skolastik që nuk ngutej e që kërkonte që punët të merreshin shtruar. Molotovi paraqiti tri kushte për ardhjen e Ribentropit në Moskë: përfundimin e një pakti për mossulmim midis Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik, ushtrimin e influencës së Berlinit për të ndryshuar pozitën e Japonisë në marrëdhëniet me shtetin sovjetik dhe diskutimin e çështjes së garancive të përbashkëta ndaj shteteve balltike. Këto, paralajmëroi Molotovi, ishin çështje që kërkonin përgatitje për të marrë vendime dhe jo thjeshtë për t’u biseduar.

Hitlerit dhe Ribentropit nuk iu deshën veç disa orë që të reflektonin rreth kërkesave sovjetike të cilat i pranuan dhe i kërkuan Shulenburgut që t’ia konfirmonte ministrit të jashtëm sovjetik. Diplomati aristokrat gjerman vrapoi përsëri në Kremlin për të zbatuar porosinë e shefave të tij, por u ndodh para një memorandumi të qeverisë sovjetike në mbrëmjen e 17 gushtit. Aty ndër të tjera kërkohej për herë të parë edhe “përfundimi i një protokolli të posaçëm” në të cilin të përcaktoheshin interesat e palëve kontraktuese ndaj disa problemeve të politikës së jashtme dhe që duhej të vinte si iniciativë e të dyve. Molotovi propozoi që ato çështje që kishin të bënin me rregullime territoriale dhe që ishin paraparë të ishin pjesë e paktit të mossulmimit duhej të përfshiheshin në protokollin shtesë. Shulenburgu u befasua kur dëgjoi propozimin e ri sovjetik për protokollin shtesë dhe nuk premtoi asgjë veç ta përcillte në Berlin.

Odisea e tensionuar diplomatike gjermano-sovjetike arriti kulmin. Ngjarjet po rrokulliseshin kaq shpejt sa që telegramet dhe raportet shumë konfidenciale zhvlerësoheshin pa u

deshifruar akoma. Lëshimet gjermane u bënë gjithnjë e më të mëdha dhe ambasadori gjerman në Moskë u udhëzua që me urgjencë të kërkonte një tjetër me Molotovin. Në 19 gusht Shulenburgu në takimin e parë të asaj dite me Molotovin i paraqiti një projekt traktat mossulmimi të dërguar nga Berlini prej tre nenesh dhe kërkoi përsëri me këmbëngulje ardhjen urgjente të Ribentropit në Moskë duke deklaruar se “ai ka fuqi të pakufizuara nga Hitleri për të përfunduar çdo marrëveshje, e cila do të dëshirohej nga qeveria sovjetike”. Kjo deklaratë bëri që Stalini të hapte dritën jeshile që Ribentropi të vinte në kryeqytetin sovjetik një javë pasi të nënshkruhej marrëveshja për tregtinë e kreditin e parashikuar për 20 gusht. Molotovi në takimin e dytë me Shulenburgun i dorëzoi atij edhe projekt traktatin sovjetik të mossulmimit. Në fund projekti kishte një post scriptum në të cilin thuhej se “pakti i tanishëm hyn në fuqi vetëm me nënshkrimin e njëkohshëm të protokollit të veçantë për çështjet për të cilat Palët Kontraktuese janë të interesuara në politikën e jashtme. Protokolli është pjesë organike e Paktit”.

Hapi vendimtar për nënshkrimin e Paktit ishte hedhur. Por Hitlerin nuk e zinte vendi në alpet bavareze ku ndodhej në ato ditë gushti. Çdo vonesë për vajtjen e Ribentropit në Moskë vinte në dyshim organizimin e përgatitjeve përfundimtare për sulmin ndaj Polonisë në 1 shtator. Fyhreri ishte i fiksuar pas kësaj date dhe për hir të saj e të objektivave që do të synoheshin të arriheshin pas këtij sulmi ai bëri një lëvizje që kurrë nuk do të mund të kishte ndodhur në rrethana të tjera normale. Mori penën, u ul e i shkroi për herë të parë me përulësi armikut të tij të betuar në të gjitha pikëpamjet deri pak muaj më parë, Stalinit. Si një letër e parë ajo ishte relativisht e gjatë. Për shkak se Stalini në këtë kohë nuk kishte asnjë funksion shtetëror, letra i drejtohej në titull personal. Hitleri nënvizonte fortë të gjitha mesazhet e përcjella më parë, pranonte projekt traktatin e mossulmimit të propozuar nga Molotovi, shprehte gatishmërinë për të vendosur një formë të re marrëdhëniesh midis të dy vendeve dhe përpilimin përfundimtar të protokollit shtesë. Përfundimi i të gjithë këtyre çështjeve në rrethanat kur “tensioni ndërmjet Gjermanisë e Polonisë është bërë i padurueshëm” kërkonte sipas Hitlerit “që një burrë shteti gjerman i ngarkuar me përgjegjësi” të shkonte në Moskë. Ai i “lutej” Stalinit që të priste Ribentropin në 22 ose e shumta në 23 gusht, i cili do të kishte “të gjitha fuqitë për të hartuar dhe për të firmosur traktatin e mossulmimit dhe protokollin”. Ndërkohë që Hitleri jetonte orë ankthi në pritje të përgjigjes, Stalini me po kaq emocione e përgjegjësi u vërtit në dilemën e vendimmarrjes. Mblodhi byronë politike në zyrën e tij të Kremlinit ku pas një monologu të gjatë të tij arsyetues të shoqëruar në fund me një “дa” (po) të byroistëve u vendos që t’i kthehej përgjigja kancelarit të Rajhut gjerman. Nuk ekzistojnë dokumente për këtë mbledhje dhe askush nga të pranishmit në të nuk ka guxuar të lërë kujtime për çfarë u bisedua. Edhe më jetëgjatët prej tyre si Ll. Kaganoviç e V. Molotov apo N. Hrushovi e A. Mikojani nuk kanë folur kurrë se çfarë u tha në atë mbledhje. I vetmi ndër ta, Molotovi u ka dhënë përgjigje 140 pyetjeve që i janë bërë në një periudhë kohore të gjatë (1969-1986) nga një gazetar në të cilat përfshihen edhe marrëdhëniet sovjeto-gjermane në gusht 1939. Nga sa ka folur ai dhe nga vetë teksti i letrës që diktatori i Kremlinit i dërgoi si përgjigje diktatorit tjetër, në Berlin, në 21 gusht kuptohen edhe arsyet që çuan në një nga ujditë më të paprincipta e më të fshehta të historisë politike të shekullit të XX-të.

Letra e Stalinit ishte e shkurtër. Dy fraza përbënin thelbin e saj: “marrëveshja gjermano-

sovjetike për mossulmimin do të jetë një kthesë serioze në përmirësimin e marrëdhënieve politike midis vendeve tona” dhe “dakordësia e qeverisë gjermane për përfundimin e paktit të mossulmimit krijon bazën për likuidimin e tensioneve politike dhe vendosjen e paqes e të bashkëpunimit midis vendeve tona”. Në letër Stalini ra dakord që Ribentropi të arrinte në Moskë në 23 gusht.

Stalini e morri vendimin nën influencën e tre faktorëve kryesorë: I pari ka qenë zvarritja dhe dështimi i bisedimeve anglo-franko-sovjetike për krijimin e një aleance kundër shteteve fashiste ku përgjegjësia e qeverive të Londrës e të Parisit ishte e dorës së parë. Çurçilli e mbështet këtë argument kur shkruan se përfundimi i paktit sovjeto-gjerman “përbën pikën kulminante të dështimit diplomatik që shënuan politika e jashtme franceze dhe britanike për shumë vjet radhazi”.I dyti ka qenë interesi i vetë Bashkimit Sovjetik që në mungesë të një aleance me vendet perëndimore (Britani e Madhe, Francë) të bënte një marrëveshje me Gjermaninë për të fituar kohë kur dukej qartë se agresioni gjerman do të drejtohej në fillim nga Perëndimi, e më së pari nga Polonia që ishte fqinjë direkte e shtetit sovjetik. I treti, ishte joshja që Hitleri i bëri Stalinit me lëshimet e mëdha territoriale e ndarjen e zonave të influencës që nga Deti Balltik në Detin e Zi. Ambiciet dhe projektet sovjetike në këtë drejtim ishin të njohura dhe Molotovi e ka pohuar hapur vite më vonë se “misioni im, duke qenë ministër i punëve të jashtme, ishte që t’i zgjeroja sa më shumë të ishte e mundur kufijtë e atdheut tonë. Stalini dhe unë, me sa duket, ia arritëm kësaj”.

Në 23 gusht pasdite Ribentropi arriti në Moskë dhe në mbrëmje vonë së bashku me Molotovin e në prani të Stalinit pasi u dhanë dorën e fundit projekteve nënshkruan Paktin e Mossulmimit dhe Protokollin Shtojcë Sekret. Atmosfera e asaj mbrëmjeje të vonë e që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër ishte tejet e ngrohtë e miqësore. Dokumentet arkivore gjermane e dëshmojnë këtë por pjesërisht edhe dëshmitarë okularë gjermanë e sovjetikë. Traktati i Mossulmimit përbëhej prej shtatë nenesh. Qeveria sovjetike dhe ajo gjermane të cilësuara si Palë Kontraktuese detyroheshin të përmbaheshin nga çdo dhunë ose nga çdo veprim agresiv dhe nga çdo sulm në marrëdhëniet me njëri tjetrin si vetë ato, ashtu edhe së bashku me shtete të tjera. Në rastin kur njëra prej palëve bëhej objekt i veprimeve ushtarake nga ana e një shteti të tretë, pala tjetër nuk duhej në asnjë formë të mbështeste këtë shtet. Gjithashtu asnjëra prej Palëve Kontraktuese nuk duhej të merrte pjesë në çfarëdo grupimi shtetesh, i cili hapur apo fshehurazi ishte i drejtuar kundër palës tjetër. Kohëzgjatja e Traktatit do të ishte për dhjetë vjet dhe do të hynte menjëherë në fuqi pas nënshkrimit.

Në thelbin e vet ky traktat nuk kishte ndonjë dallim nga modelet e traktateve të tjera që qeveritë e të dy vendeve kishin nënshkruar me qeveri të shteteve të ndryshme evropiane. Traktati fillimisht ishte konceptuar që të përmbante edhe dakordësinë e palëve për respektimin e

sferave të influencës të njëra tjetrës si dhe disa ndryshime territoriale në favor të tyre. Por u ra dakord që këto çështje për shkak të ndjeshmërisë së lartë që kishin, të kundërshtisë së hapur me traktate e konventa të tjera ndërkombëtare në të cilat ishin angazhuar palët, e të sekretit që përfaqësonin, të bënin pjesë në një protokoll të veçantë shtesë.

“Protokolli Shtesë Sekret” që u nënshkrua kishte katër pika. Aty u përcaktuan sferat e influencës të BRSS e të Gjermanisë në vendet balltike (Finlandë, Estoni, Letoni dhe Lituani), në Poloni ku ato do të ndaheshin përafërsisht në vijën e lumenjve Narev, Vistul dhe San. Në Protokoll lihej e hapur për të diskutuar më vonë ekzistencën ose jo të një shteti të pavarur polak dhe të caktimit të kufijve të tij. Pala sovjetike nënvizonte interesin e saj për Besarabinë, ndërkohë që ajo gjermane deklaronte mos interesimin e saj të plotë politik për këtë çështje. Të dy palët angazhoheshin që ta ruanin rreptësisht sekret Protokollin. Përmbajtja e këtij Protokolli pësoi disa ndryshime të tjera në përcaktimin e sferave të influencës respektive me nënshkrimin e një protokolli tjetër sekret në 28 shtator 1939 po në Moskë përsëri nga Molotovi e Ribentropi.




****

Botuar në Dita. Vijon numrin e ardhshëm. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.