Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Për fytyrën e vërtetë djallëzore të Enver Hoxhës

Regjistruar më
Kor 20, 2017
Mesazhe
670
Prof.asoc.dr. Gjergj TITANI

Këto ditë, ka filluar një debat i gjerë për të analizuar e vlerësuar edhe një herë (për keq apo mirë) figurën e Enver Hoxhës. Emisioni, në dukje mjaft simpatik, me gjithë ato mundësi teknike dhe jo vetëm teknike të TV Klan, me keqardhje po e them që në fillim të shkrimit, mund dhe duhej të ishte shumë më i mirë, më i plotë, më i paanshëm, më shkencor, rrjedhimisht më i drejtë, më i dokumentuar etj., etj. Dëgjuam e pamë dëshmitarë të shumtë, bashkëkohës dhe më të rinj, nga ata që i jepnin diçka të re shkencore, historike, studimore e metodologjike emisionit, por dëgjuam edhe nga ata ose ato që u kishte mbetur ora shumë prapa, ose shkurt me thënë, që emisionit jo vetëm nuk i dhanë asgjë të re, por e kompromentuan shumë keq temën e “Opinionit”. Një temë me një rëndësi shumë të madhe kombëtare, e cila, ende nuk është zbardhur plotësisht dhe ashtu siç duhet. Pyeta veten, kush ishte qëllimi i këtij emisioni “Opinion”? Kush e kish rekomanduar? Më keq akoma, kush e kish porositur, në se…? Të vjelurit e opinionit shoqëror të specializuar deri në bërthamë të problemit apo një shou, shpallja de fakto e opinionit, tashmë banal, të imponuar nga politika enveriste e Kohës, për shumë figura historike që propaganda kurrsesi nuk na i ka mbushur mendjen? Pyes ende, çfarë i tha të re opinionit shoqëror tepër të interesuar ky emision? Përse gazetari i mirënjohur dhe miku im B.Fevziu jep definicione personale, duke anashkaluar qëllimisht specialistët, sepse Fevziut, çdo gjë mund t’i thuhet, po kurrsesi gazetar pa përvojë. Ai, me të vetmin përjashtim, zotit profesor Paskal Milo dhe profesor Xhelal Gjeçovit, të cilët dallonin dukshëm nga të gjithë të pranishmit e tjerë si studiues historianë, të cilët ishin njohur bindshëm me arkivat dhe problematikën e shtruar për debat. S’di pse ishin mënjanuar nga ky emisioni kaq delikat, njerëzit më përfaqësues për këtë diskutim me shumë interes si: historianët, studiuesit, arkivistët, dokumentaristët, ish-të përndjekur politikë partiakë, doemos kundërshtarë të regjimit, apo nacionalistë, personalitete të besimeve të ndryshme fetare, njerëz të shquar nga fusha e artit dhe kulturës e të tjerë, gjithashtu kundërshtarë të regjimit. Nuk di pse ishin mënjanuar filmime të sinqerta e shumë kualitative për emisione speciale të kësaj natyre, të shfaqura vite më parë, po për këto probleme kur sa po lindnin lulet e para të lirisë pas përmbysjes së diktaturës enveriste. Pse janë lënë jashtë emisionit shumë studiues seriozë shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë kontestuar vendimet e Enver Hoxhës dhe lakejve të tij, Plenumeve apo Kongreseve të PKSH-së, e PPSH-së me prova dhe fakte, shkrime e vëzhgime, me vlera shumëvjeçare në Shqipëri dhe jashtë saj si në: Greqi, Jugosllavi, Rusi, Bullgari, Itali, Francë, Angli, SHBA etj. Mendoj se këto që përmenda më lart e kanë dëmtuar keqazi qëllimin, thelbin dhe boshtin e emisionit. Por, ajo që mua më shqetëson dhe më duket më kryesorja, është se në emisionin serial “Opinion”, të dy të enjteve të shkuara (të shohim në të tretin) gazetari, fatkeqësisht, nuk jep asgjë të re, nuk është në gjendje të transmetojë te teleshikuesit as një mesazh të ri. Ai ndjehet tejskajshëm i konsumuar dhe bie në sy sforcimi i tij, mungesa e rrjedhshmërisë argumentuese. Nuk e di nga i lindi dëshira Fevziut për të rihapur një diskutim kësisoji? Si mund të shpjegohet që në një dossier, me një shtrirje gjysëm shekullore, të mos jenë intervistuar apo shfrytëzuar materialet filmike e arkivore të personaliteteve kaq të rëndësishëm apo familjarëve të tyre si: Naxhije Dume, anëtare e KQ të PKSH-së, që nga Konferenca e Parë e Vendit në Labinot të Elbasanit në pranverën e vitit 1943, që ishte edhe pranvera e tretë e luftës. Naxhije Dume, (ajo ka botuar një intervistë shumë simpatike dhe realiste me pesë numra dossieri në gazetën “Panorama”). Është fat i madh që ajo jeton dhe ka një logjikë e mendje tepër të kthjellët analitike, realiste e simpatike. Për më tepër, ajo nuk është agresive, hakmarrëse, keqdashëse, provokuese në shtrimin e fakteve dhe provave, por një grua intelektuale, e cila është në gjendje të shpalosë analiza dhe të japë mendime konkrete për shumë probleme të mjegullura nga koha apo qëllimet e mbrapshta të politikës së djeshme apo edhe asaj të sotme. Nuk janë përmendur fare kujtimet problematike të një personaliteti të mençur e analitik si Nesti Kërenxhit, ish-anëtar i KQ të PKSH-së dhe i Byrosë Politike, ish-themelues e drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar në ditët e para pas Çlirimit, e në momentin e përjashtimit nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, ish-ministër i Punëve të Brendshme, (botuar katër numra dossieri, po në gazetën “Panorama”). Po ashtu, nuk u përmendën kujtimet e Pandi Kristos, ish-anëtar i Byrosë Politike e ministër Pa Portofol në momentin e arrestimit, (botuar në nëntë numra dossieri po në gazetën ”Panorama”. Kujtime këto me një informacion jashtëzakonisht të begatë e të shumanshëm dhe që po priten me interes nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Thua gazetari, tashmë, i mirënjohur e me shumë emër, të mos i ketë lexuar vallë? Me lejen e lexuesit të respektuar, pyes ende organizatorët e emisionit: Po për figurën aq të përfolur padrejtësisht, ose më të drejtë të Koçi Xoxes, numrit dy të Qeverisë shqiptare dhe të PKSH-së, nga Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithshëm, Enver Hoxha dhe lakejtë enveristë të djeshëm dhe të sotëm, të hapur e të kamufluar, gazetari duhej të ishte më i përgatitur. A ka të drejtë ai të fyejë gjashtë fëmijë të tij, shumë nipër dhe mbesa dhe aq më shumë shokë, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë të K.Xoxes, vetëm me cilësimet tashmë shumë të njohura të Enver Hoxhës? Si është e mundur kjo, sepse ne teleshikuesit e shumtë nuk na mbushet mendja aq lehtë. Me ç’të drejtë morale, juridike dhe etike, gazetari, apo cilido “ekspert” tjetër qoftë, të mbajë pozicion ex katedra përpara ekranit të televizorit, faqe publikut, si të ishte prokuror apo gjykatës i një kohe të perënduar njëherë e përgjithmonë, të shpallë plot kapadaillëk pretencën si në një gjyq enverist. Pikërisht sot, në fillimin e Shekullit të shpresës, të Milenumit të ri të paqes e antiterrorit, në një emision të TV Klan, më të ndjekurit në Shqipëri e Kosovë, të mos bëhet analizë, por një terror i ri elektronik?! Vazhdoj të përmend figurat e “harruara” dhe nuk mund të bindem se kjo është një rastësi, një lajthitje! Si është e mundur të harrohet guximtari i jashtëzakonshëm i përmasave shumë të mëdha Bedri Spahiu, i cili në moshë të thyer mbi 85-vjeçare, si rallëkush në praktikën sociale në Shqipëri, mposhti jo vetëm Enver Hoxhën, i cili vazhdonte të qëndronte në pushtet prej shumë dekadash, por triumfoi edhe ndaj vetvetes, ndaj atyre idealeve që prej shumë vitesh kishte predikuar, propaganduar e luftuar si rallë kush. Bedri Spahiu, falë përvojës tepër të begatë dhe ndershmërisë së tij apostolike, na ka lënë një testament politik brilant, që rrallë kush e ka shkruar në kushtet e përbindshme të izolimit ermetik të burgut të Burrelit. A mund të mos përfillet i urti dhe i mrekullueshmi Tuk Jakova, i cili kërkoi plot guxim rishikimin e tekstit të Historisë së Shqipërisë, ose libri i vetëm i këtij lloji, me epistolarin e letrave familjare kur ai ndodhej në burg, e që e akuzojnë aq shumë diktaturën enveriste dhe vetë diktatorin? Po kapedani dhe i mençuri gjeneral Dali Ndreu, ushtaraku i matur dhe i thellë Islam Radovicka, apo potenciale të tilla intelektuale ushtarake si gjeneralët: Petit Dume, Hito Çako, Abaz Fejzo, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Nexhip Vinçani, Muhamet Prodani, Gjin Marku, Sadik Begteshi, Andon Sheti, Abdi Mati, Edip Ohri e shumë e shumë të tjerë. Në një kohë kur Nexhmie Hoxha (Xhuglini), Vito Kapo (Kondi) e ndonjë tjetër nga personazhet e thirrur për të plotësuar rekuizitën e galerisë, të krijonin keqardhjen e neverisë diktatoriale dhe shterpësinë e argumenteve të asaj periudhe plot erë të keqe që sa kemi kaluar.

Po bëj një parantez, i detyruar nga shkrimi i Sokol Hoxhës, djalit të dytë të Enver Hoxhës. Nuk jam dakord në tërësi me këtë shkrim të tij të shkruar me nervozizëm, cinizëm, egoizëm, tendenciozitet e tjerë. Por, gjithsesi, i jap të drejtë, se ai nuk mund të mbajë krahun tonë të kundërshtarëve të të atit, por një gjë dua t’i them këtij djali fatkeq, të një diktatori të urryer nga populli shqiptar, të cilin e shtypi dhe e sakatoi si ia deshën interesat e pushtetmbajtjes dhe jo të Shqipërisë e të kombit. Kam jetuar në burgun e Burrelit me “Lubonjën e vjetër” (siç ke qejf ti ta quash Todi Lubonjën), plot 10 vjet në një birucë, nga 18 vjet që më kishin dënuar. Për dijeninë tënde dhe të gjithë opinionit publik shqiptar, kundërshtar, armik të betuar më dinjitoz se Todi Lubonjën, babai yt nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Ai, Todi Lubonja pra, kishte aq dinjitet që më 8 nëntor të çdo viti, të mos i shkruante babait tënd fatkeq, se kishte neveri për rrugën diktatoriale që babai yt ndiqte me konsekuencë. Madje, ai, me humorin e tij karakteristik, të qante hallin ty me Ilirin, se mos o Zot! Ndonjë ditë, kur të mos i mbetej më njeri për të ngrënë do t’ju hante juve djemtë e tij. Ti mund të gërmosh sa të duash në arkivat shqiptare, në Tiranë, Burrel, në arkivin qendror të shtetit, në atë të Ministrisë së Brendshme, në dosjet e ish-arkivit të KQ të PPSH-së e ku të duash, emrin e Todi Lubonjës nuk do ta gjesh. Madje të këshilloj të kesh kujdes, se mund të përballesh edhe me gjykatën për shpifje! Kam përshtypjen se Ilir Hoxha, vëllai i madh i Sokolit është më i mençur, ai hesht. Sentenca e lashtë sa vetë Bota thotë: ”Heshtja, në të tilla raste, është flori”. Në këto kushte vendosa të dërgoj për botim në gazetën “Panorama”, si fillim, këtë shkrim, i nxitur nga emisioni “Opinion” dhe shkrimet e Sokol Hoxhës, duke ruajtur të drejtën për të dalë shumë shpejt me një studim analitik të zgjeruar për figurat e dënuara nga diktatura dhe diktatori Enver Hoxha, brenda PKSH, PPSH, ushtrisë, Sigurimin e Shtetit etj.
 
Si u përgatit largimi fshehurazi i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut nga Moska me një tren të marrë me qira. Frika nga ndonjë aksident i organizuar qysh në nisje

Largimi i fshehtë i Enver Hoxhës nga Moska


Ismail Kadare & Denis Fernandez Recatala


Në kërkim të së vërtetës historike

TIRANË – Kjo mbledhje e famshme që shënoi prishjen me Moskën, divorcin e dytë të Shqipërisë me një mik të huaj, nuk është zbardhur asnjëherë tërësisht. E vërteta e plotë ndoshta nuk do të dalë kurrë. Përtej dokumentave zyrtare e jozyrtare, dëshmive të atyre që qenë në atë mbledhje e të përkthyesve që transmetuan sa në shqip e në rusisht përmbajtjen dhe nënkuptimet e bisedave mes Enver Hoxhës e Nikita Hrushovit, mund të ketë dëshmi a rezerva të tjera. Vetë Ismail Kadare, në librin e ndërtuar mbi dëshmitë e përkthyesve në mbledhjen e 81 partive në Moskë në 1960 hedh dyshimin për ekzistencën e një përkthyesi të katërt, që mbase ka ditur dhe ka ndryrë të vërtetën e fundme, atë që ndoshta ende nuk dihet. Gjithsesi ky libër i Kadaresë dhe Rekatalës, “Katër përkthyesit”, është një tentativë, më tepër gazetareske sesa letrare, për të rindërtuar dialogjet, replikat dhe atmosferën e asaj mbledhjeje të famshme, e cila është njohur deri më tani vetëm në variantin zyrtar, me rezervat dhe censurën e pamohueshme. Një pjesë të variantit të ri të shkruar nga Ismail Kadare dhe Denis Fernandez Recatala, bazuar kryesisht në dëshmitë e përkthyesve në mbledhjen e 81 partive në Kremlin, gazeta “Shekulli” e ka botuar në numrin e 18 shkurtit. Në numrin e sotëm po botojmë me shkurtime pjesën tjetër që plotëson kuadrin thelbësor historik të kësaj sekuence të historisë së Shqipërisë.
B.Budini


Drejt Moskës

Plani për të shmangur një aksident të organizuar

Ta themi edhe një herë: kinezët dyshonin se sovjetikët nuk e kanë të vështirë të organizojnë një aksident. Enver Hoxha e kishte marrë parasysh këtë. Më 1960 flotilja shqiptare kishte vetëm një avion të vogël të prodhimit rus. Enver Hoxha vendosi. Delegacioni do të ndahej. Rreziku i aksidentit i parashikuar nga Ten Siao Pini zëvendësonte çdo arsye tjetër praktike. U “rekuizuan” dy avionë. I pari siguronte shërbimin midis Pragës dhe Tiranës. Përse iu kërkua ndihmë çekëve? Thjesht sepse Çekosllovakia qeverisej nga Anton Novotni dhe se ky i fundit mbante me Enver Hoxhën marrëdhënie, në mos simpatike, të paktën njerëzore. Dashamirëse. Enver Hoxha hipi në avionin shqiptar me grupin e tij ku bënin pjesë Hysni Kapua dhe Llambi Peçini si edhe disa të tjerë. Ndërsa Mehmet Shehu, Ramiz Alia e Frederik Gjerasi zunë vend në avionin tjetër. U ngritën. U ulën në Budapest. U vendos që udhëtimi të vazhdonte me tren. Siç dukej dyshimi ishte bërë natyrë e dytë. Ndoshta Hungaria nuk ishte një vend neutral. Në Budapest u ndanë. Një pjesë me Myfit Mushin (përkthyesin) u nisën me avion. Në kryeqytetin sovjetik hierarkia diktonte ndarjen ose “decouplage” e delegatëve. Një palë u strehuan në hotel Moska, ndërsa të tjerët, me Enver Hoxhën në krye. Zunë një vilë.
Nga “Katër përkthyesit”



Pritej diskutimi i Enver Hoxhës. Delegacionet e kërkuan diskutimin e tij tri ditë para se të mbahej, me qëllim që përkthyesit ta përkthenin. Frederik Gjerasi ndihej i kënaqur kur zbatonte urdhrat. Nuk tha asgjë. Juri Andropovit, që shkoi vetë në vilën e delegacionit shqiptar, i bënë të ditur se shpërndarjen e diskutimit do ta bënin vetë ata, shqiptarët.
Një varg incidentesh të çuditshme do të dëmtonin përkthimin e diskutimit të Enver Hoxhës, që e kishte bërë Frederik Gjerasi. Kur udhëheqësi shqiptar po bëhej gati të fliste, përkthyesi i tij kishte bërë gjithçka që kishte patur në dorë, që diskutimi të dëgjohej sa më mirë. Delegacioni shqiptar ishte kujdesur për të shpërndarë kopje të shaptilogratura të diskutimit në rusisht, në anglisht dhe në frëngjisht, që Frederik Gjerasi ua kishte dhënë kolegëve të tij francezë dhe anglezë. Duke vepruar në këtë mënyrë, shqiptarët mundoheshin të shmangnin çdo përpjekje të të zotëve të shtëpisë për të mos u dëgjuar Enver Hoxha. Por, me gjithë masat e marra, shpesh herë dhe me kohën e duhur, fonisë së rusëve “i binte zali”. Vetëm përkthyesit që rrethonin Frederik Gjerasin e dëgjuan të plotë fjalën e Enver Hoxhës.
Herë pas here, mikrofonët heshtnin ndërsa altoparlantët cicërinin, a thua se komandoheshin nga regjia. Zhurmat parazite s’të linin të dëgjoje. Fjalët që vinin nga altoparlantët herë si murmurimë dhe herë si llokoçitje, shkaktuan vlerësime nga më të ndryshmet. Sidoqoftë, salla nuk u ndie dhe, kur Enver Hoxha ndërhyri, një heshtje e rëndë ra mbi të, dhe auditori mbajti frymën. Kryesia e seancës rrinte si e topitur. Fytyrat e anëtarëve të saj skuqeshin dhe zverdheshin sipas shëndetit që gëzonin. Ishte vërtet paradoksale, por nëse Enver Hoxha në dukje fliste në boshllëk, ai nuk fliste aspak në shkretëtirë. Fjala e tij shkaktoi një tronditje të fortë. Kuvendi dukej sikur po hallakatej pas goditjes që mori nga fjala therëse dhe fyese e shqiptarit. I zënë ngushtë, kryetari i seancës iu drejtua pjesëmarrësve në sallë:
-Meqë shokët që kanë kërkuar të diskutonin u tërhoqën, seanca do të vazhdojë nesër.
Ata ishin zënë në befasi dhe ishte e pamundur që të ndërhynin pa korrigjuar më parë fjalimet e tyre. Rusët mbetën zbuluar. Enver Hoxha i hodhi të gjitha kartat në tavolinë. “Babait” s’po i dilte inati, paçka se ishte në agoni.


Si e priti salla fjalën e Enver Hoxhës

Diskutimi i Enver Hoxhës bëri përshtypje. Nikita Hrushovi, me fytyrë armiqësore, dëgjonte. Përkthyesit në kabinat e tyre morën zemër dhe vazhduan të përkthenin diskutimin sipas versionit rus të Frederik Gjerasit. Atmosfera u rëndua aq shumë sa dukej sikur fjalimi i udhëheqësit shqiptar nuk do të mbaronte kurrë. Dhe kjo, për më tepër, se ky i fundit nuk harroi të paraqiste gjerë e gjatë, kritikat që drejtoheshin kundër Nikita Hrushovit dhe Bashkimit Sovjetik. Enver Hoxha shpalli hapur mosmarrëveshjet sovjeto-shqiptare. Delegatët vështronin njëri-tjetrin në sy. Nikita Hrushovin nuk e mbante vendi. Enver Hoxha vazhdonte të kthente faqet. Ai e turbulloi konsilin që në ato çaste ngjante me Konsilin e dashurisë së Oskar Panizës, ku Jezui, i ardhur nga qielli tregoi sifilizin që kishte marrë në kohën e qëndrimit në tokë. Me t’u larguar Enver Hoxha nga podiumi, Frederik Gjerasi doli nga kabina e përkthimit. Ai pyeti Ramiz Alinë me të cilin mund të bisedonte lirisht:
- Si reagoi salla ?
Ramiz Alia i tregoi se një heshtje e plotë kishte paralizuar auditorin. Vetëm Nikita Hrushovi tundte kokën. Por, të thuash të vërtetën, heshtja kishte mbuluar sallën qysh përpara ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Me t’iu dhënë fjala udhëheqësit shqiptar për herë të parë, salla u tendos, një tendosje që erdhi dhe u rrit gjatë fjalimit. Megjithëse, shqiptarët, të shqetësuar se mos s’ishin dëgjuar, shpërndanë kopje të diskutimit deri në tribunë, Nikita Hrushovi u mundua të zbuste pasojat. Të shpëtoheshin të paktën mobiljet, paçka se mbytja ishte e sigurt. Ishte në lojë prestigji i tij. Dokumentat kanë të bëjnë me problemet, që sapo trajtoi Enver Hoxha. Atëherë përse u dashkan, - tha ai dhe fytyrën ia mbuloi ngërdheshja. Për të ishin të panevojshme fjalët e tepërta dhe, ajo që është thënë, s’ka pse të jetë edhe e shkruar.

Zhurmat

Ndërhyrësit, me të mbaruar fjalën, zbrisnin me hapa të shpejtë nga tribuna, duke ua lënë vendin të tjerëve, që po me atë shpejtësi i ngjiteshin atje, dhe shpërndaheshin midis rreshtave të tryezave.
- Si ka mundësi që Bashkimi i madh Sovjetik të durojë kritikat e një vendi të vogël si Shqipëria?
Por ktheheshin përsëri te rezervat ushqimore që, sipas Enver Hoxhës, nuk mjaftonin as për dy javë. Delegatët nuk deshën t’u besonin këtyre fjalëve. Depot shqiptare të ishin pothuajse bosh dhe Nikita Hrushovi të mos kishte respektuar afatet e marrëveshjes? - Internacionalizmi çalonte dhe “babai” e la për ta zbatuar një herë tjetër. Për këtë hëngri edhe një surup të mirë.



Në tabelën e qitjes

Regjisorët sovjetikë kishin menduar për gjithçka. Si nxënës të mirë të Stanslavskit, që dikur drejtonte teatrin rus dhe kishte themeluar edhe një shkollë dramaturgjie, ata nuk kishin lënë pas dore asnjë stratagjemë. Në seancat që pasuan, ata e ngjeshën delegacionin shqiptar pranë tribunës. Podiumi ku qëndronin oratorët qëndronte pak sipër tyre. Anëtarët e të parit ishin nën zjarrin e të dytëve. Tabelën e qitjes e kishin përpara syve dhe gjatë kritikave të rrepta kundër tyre, drejtonin vazhdimisht gishtin mbi ta.

Takim i dytë i Enverit me Hrushovin?

Nikita Hrushovi dhe Enver Hoxha nuk morën pjesë në takimin e dytë. Mospjesëmarrja e njërit, përcaktoi edhe mospjesëmarrjen e tjetrit. Armiqësia e tyre i prishi bisedimet. I pari kishte pësuar një disfatë, ndërsa i dyti nuk deshte të cënonte emrin e mirë që kishte fituar. Që të dy dërguan me nxitim ndërhyrësit. Sovjetikët shkuan me shpresë që të hapnin një të çarë në bllokun që formonin shqiptarët. Kjo do të thoshte të mos përfillje shpirtin luftarak dhe kompaktësinë e tyre.
Ashtu si herët e tjera, ata vazhdonin t’i binin gozhdës në një vend: Stalinizmi, rrugët e reja të revolucionit, besnikëria ndaj partisë së tyre komuniste, reformat e pranueshme etj.. Biseda nuk shpëtoi dot nga stërhollimet dhe dredhitë dhe s’bëri gjë tjetër veçse thelloi edhe më shumë hendekun. S’lanë gjë pa i thënë njëri-tjetrit. Të sigurt në fuqinë e tyre, sovjetikët filluan pësëri nga presionet. Si pesha të rënda, ata i nënvleftësonin peshat e gjelit të kampit socialist.


Mehmet Shehu shpall largimin

Sovjetikët ishin në gjendje nokdauni, por shqiptarët nuk kishin mbaruar ende punë me ta. Ata do të shijonin edhe goditjen e fundit që do t’u jepnin sovjetikët për t’i hedhur në tapet. Mbledhja dështoi. Shqiptarët përfituan nga kjo për të mos e lënë lojën. Ata kishin vendosur të mos nënshtroheshin. Mehmet Shehu e mori përsëri fjalën:
-Shoku Mikojan, po ju vëmë në dijeni se Enver Hoxha dhe unë do të nisemi sonte për në Shqipëri. Duam të marrim pjesë në festën tonë kombëtare! Njoftimi prodhoi efektin e një bombe. Të dy udhëheqësit shqiptarë prishnin kështu ritualin e caktuar shumë kohë më parë. Ata nuk do të ishin të pranishëm në fjalimin e mbylljes, mbushur me slogan-programet, fluturimet lirike dhe pathosin e tij revolucionar. Ata as do të dëgjonin dhe as do ta këndonin Internacionalen. Ata nuk do të uronin asnjeri. Po poshtëronin kungimin, ku ishin të ftuar. Po ngriheshin nga tavolina pa u hequr ende pjatat dhe po iknin. “Mosbindja” e tyre i trembte sovjetikët që ishin në hall për njëfarë konformizmi dhe që në të vërtetë i la ata të tralisur. Megjithatë, sovjetikët i gërryente një mendim.
- Po çfarë do të bëni me konferencën e Moskës?
Mehmet Shehu ua ngrohu pak zemrën. Me përjashtim të Enver Hoxhës dhe atij vetë, delegacioni shqiptar do të qëndronte dhe do të vazhdonte punën. Stafetën do ta merrte Hysni Kapua. Nuk ishin prishur të gjitha urat. Po bënin çmos që të palarat të mos dilnin në shesh. Lëvizja komuniste ndërkombëtare ruante një unitet fasade, por e çara mbi fasada sa vinte dhe zgjerohej.


Shqiptarët largohen fshehurazi

Një pyetje e fundit vazhdonte t’i digjte buzët e Anastas Mikojanit. Me ç’rrugë mendonin shqiptarët të ktheheshin në Shqipëri. Me qetësi iu shpjegua se të dy udhëheqësit do të shkonin në Odesa me tren dhe në portin e Krimesë do të merrnin një anije. Myfit Mushi u bë dyllë i verdhë. Uli kokën dhe tha me vete:
- O zot! Çfarë rruge e gjatë… Ç’taksirat…
Për sovjetikët një e papritur më shumë, një më pak s’u prishte punë, por pas gjithë këtyre të papriturave mbetën me gisht në gojë.
- Por ne nuk ishim në dijeni...
- Do të jeni tani e tutje, - s’ia përtoi Mehmet Shehu.


Ikja e organizuar me dredhi ballkanase

Kali i Trojës nuk u shpik për qentë, aq më shumë dinakëria. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu i ruheshin rrugës së Odesës. Anija ishte një gënjeshtër që sovjetikët e hëngrën. Shqiptarët kishin sajuar në fshehtësinë më të madhe një plan tjetër. Zbatimi i tij iu besua Llambi Peçinit, koloneli i Sigurimit dhe kushëri i Frederik Gjerasit. Ai arriti të merrte me qira një tren të veçantë, mu përpara hundës së sovjetikëve.
Për fat, punonjësit e hekurudhës së Bashkimit Sovjetik nuk u treguan shumë të kujdesshëm. Mungesa e vëmendjes se tyre ndoshta, kishte ardhur nga fakti se ishte fjala për trenin e një kryetari shteti të një vendi mik. Mos ndoshta ata nuk ishin më shumë të merakosur për atë tren të tepërt, sesa për gllënjkën e tyre të parë me ujë? Po ja që ata s’kanë qenë shumë të mendimit që të lajmëronin hierarkinë e tyre. Pakujdesia e njërës palë i shkonte për shtat qëllimit të palës tjetër. Ka mundësi gjithashtu, që burokracia, ajo për të cilën Vladimir Majakovski thoshte se do ta shqyente me gjithë qejf si ujk, të ketë treguar një lajthitje të lindur.
Shqiptarët vepruan me dinakëri dhe falë trimërisë së tyre ia dolën mbanë. Në Bashkimin Sovjetik përfytyrimi kishte mbetur pa privilegjet e tij. Grekët u futën në qytet dhe në vend që ta pushtonin atë, ia mbathën me dredhi. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ia mbathën dhe u ndanë nga një botë që ata e kishin bërë lanet.


Divorci i shpallur

Frederik Gjerasi e kishte mbaruar punën e tij. Enver Hoxha kishte diskutuar. Ai e kishte lënë pa mend kuvendin. Përkthyesi i tij kishte biseduar edhe me kolegë të tjerë të tij. Atmosfera ishte acaruar dhe një maskë lufte ishte grisur.
Pas diskutimit të Dolorez Ibarurit dhe Vladislav Gomulkës, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu u larguan nga mbledhja, lanë edhe vilën ku do të qëndronin vetëm Hysni Kapua, Ramiz Alia dhe Frederik Gjerasi, dhe u vendosën në selinë e ambasadës, duke pritur zhvillimin e ngjarjes. Kur doli te hyrja e vilës jashtë nuk kishte asnjë makinë zyrtare. Në pamundësi për t’i hequr ndonjë privilegj Enver Hoxhës, sovjetikët po hakmerreshin ndaj përkthyesit. Temperatuara ishte shumë e ulët. S’kishte rëndësi në binte shi apo borë, Frederik Gjerasi kishte veshur një pardesy të hollë të këpucë të papërshtatshme për dimrin moskovit.
Nuk guxoi të merrte taksi. I kishin ngelur në mendje porositë kineze. Ai ecte pothuajse qorrazi në një qytet që kishte ndryshuar qysh nga koha e viteve të tij si student. Kur arriti në selinë e ambasadës kullonte i gjithi. Në sallon Enver Hoxha po lexonte gazetën. Pak më vonë udhëheqësi shqiptar, do t’i drejtohej për ndihmë edhe një herë talentit të përkthyesit të tij. Frederi Gjerasi përktheu disa dokumenta dhe artikuj të tjerë. Puna dhe tensionet e dëmtuan. E kishte zemrën copë. Ai nuk do të ngushëllohej dot për humbjen e miqësive sovjetike. Me t’u kthyer në Tiranë, e mbërtheu një ligështim…

Marrë me shkurtime nga “Katër përkthyesit”. Të gjithë titujt e mestitujt janë redaksionalë
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.