Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Poema

Rrelse

Të paktën, në ëndrra të isha e lumtur!
Award
Regjistruar më
Kor 26, 2017
Mesazhe
51,194
POEME E HAPUR NJE KANDIDATI PER LEXUES


Ti kërkon një poet të madh…të madhërishëm… madhështor
që të shkruajë për ty, lexuesin e ardhshëm?
Një poet për të cilin trumpetat e tua prej mjegulle të bien çdo ditë e çdo natë…?
Një poet që do ta dojë i gjithë soji juaj e të jetë ekskluzivisht i juaji?…
Një rapsod mjekërgjatë
të cilin do ta duartrokisni
përunjësisht…
pambarimisht….
unanimisht…?
Një ajatollah
një idhull,
një bard ?
Një gërmaxhi i cili të gërmëzojë atë që mund ta kishe bërë lehtësisht ti
nëse do kishe pasur 5 minuta të lira në intervalin e një ndeshje bilardoje në klubin aty pranë ?

Kemi mijëra vjet që keqkuptohemi ti dhe unë,
por tani së fundi nuk jam më aq i mirësjellshëm

Ne jemi të njëjtë...përdorim të njëjtin alfabet...
të njëjtat fjalë dhe gërma...
por nuk jemi njësoj
dhe ndoshta kurrë s'do të jemi,
siç nuk janë njësoj gjumi dhe ëndrra...

Unë nuk shkruaj për ty.
Kurrë nuk kam shkruar për ty.
Kurrë nuk do shkruaj për ty.
As për të tjerët.
Natyrisht as për veten time.

Nuk shkruaj.
Shkruhem.

Poeti është ai që ka dashuruar
kur ti nuk mund të dashuroje përsëri
që ka falur atë që ti nuk e fale kurrë dot,
që ka tradhëtuar atë që nuk ke mundur të tradhëtosh ti...
që kur ti gajaseshe derdhi të rëndët lotë...
që s'u habit aspak kur memecët folën
që buzëqeshi dinjitoz mbi kryq...
që jetoi edhe kur e vranë
e kur e ringjallën i talli dhe vdiq...

E di...akoma nuk je gati...
nuk je akoma lexues vargjesh,
por përtypës gërmash që si një varg gështenjash të zjera
i blen...
i ha...
i porosit kushdo...
kudo...
kurdo....
"Hej..na pesë lekë..me jep edhe dy të tjera!"

Por poezia nuk është pica që t'u dha falas ta përtypësh në
banketin promovues anës trotuarit
as haraçi që një perëndi e panjohur i paguan bujarisht paditurisë
tënde...
nuk është as hajduti bastard që tinëzisht i frikohet litarit...
e as arnimi i rradhës i një ndërgjegjeje të shqyer vende –vende...

Nuk është as buka me gjalpë e djathë që jot gjyshe ta ushqente
pasditeve të fëmijërisë tënde të krisur...
nuk është as biberoni me të cilin qetësohen grindjet e shtatanikut
që nga djepi përdhe ka rënë...
as peshqiri me të cilin fshin djersët shkujdesur pas seksit rutinor
mbi çarçafin spermëqëndisur....
e as puhiza e vonuar një mbrëmje të nxehtë gushti nën një qiell
yjesh shtatzënë ...

Hej, ti kandidat për lexues poezish!
Kur mes presjeve, pikëpresjeve, pikëve,
pikëçuditëseve, pikëpyetjeve, retiçencave, apostrofëve
si në një vrapim me pengesa
do arrish në finish bashkë me mua ...
kur të zvarritesh nënrreshtave
si poeti në skutat e panjohura të shpirtit tend...,
kur të guxosh të turbullosh një gjumë të pafjetur akoma,
ndërsa dheun të heqësh nga vargjet për të zbuluar epitafin tend
apo ndoshta edhe kufomën time...
kur të guxosh të recitosh me zë të lartë ato që u shkruan në
vetminë e heshtur...
kur çmendurinë ta njohësh për privilegj e në fund të tunelit të saj
të shohësh dritë...
kur të guxosh e riguxosh të shohësh për një çast të vetëm pa t'u
dridhur qerpiku
atje ku poeti ka parë një jetë të tërë...
kur të guxosh të verbosh sytë nëse kjo do të të ndriçojë shpirtin...
kur të jesh i gatshëm për t'u vrarë...
për t'u vetvrarë...
për t'u varur në pikëpyetjet e mia siç jam varur unë netëve
pas ëndrrës që ti nuk arrije ta shihje dot në gjumin tend të qetë...
kur të kuptosh që Triumfi i Poetit nuk ka nevojë për tuajat Harqe,
atëhere PO!
Atëherë do jesh LEXUESI dhe ajo çka shkruan poeti
do të jetë e jotja...
Përjetësisht e jotja...
....................................
Përndryshe kënaqu veç me gërmat...
Nuk i meriton vargjet!
 
Kalova përballë një prej shkollave mē në zë që sot hapi dyert për nxënësit e saj. Oborri gumëzhinte nga zërat gazmorë të fëmijëve; mësues që jepnin e merrnin përqafime dhe prindër që dukej sikur sfilonin për të sfiduar njëri-tjetrin! Hyrja përpara ishte bllokuar nga makinat.
Por...vetëm pak hapa larg kësaj panorame, në trotuarin ngjitur me kangjellat e portës hyrëse një fëmijë i ulur në një copë kartoni lypte.
Asnjë palë këmbë s'i ndaluan pranë.
Asnjë dorë s'u shqetësua t'i jepte një monedhë.
Asnjë moshatar s'e vrau mendjen pse ai gjendej aty dhe jo në shkollë.
Asnjë buzëqeshje nuk mori.
As dikush, i lartë thanë, që kish' ardhur t'ju uronte nxënësve të asaj shkolle një vit të mbarë, s'e vuri re. Me siguri xhamat e errët të makinës së tij luksoze ja pengonin pamje kaq të trishta.
E ndieva zemrën të më dridhet! Diçka m'u shkëput përbrenda. Sa fëmijë si ai i sheh rrugëve, që sot kanë zgjedhur enkas dyert e shkollave për të lypur. Me shpresë që dikujt që do t'i dhimbsen t'ju falë një qindarkë . E dinë që ajo s'do t'i shpëtojë nga mjerimi, por do t'ju sigurojë mbase një vakt; për tjetrin me shpresën tek Zoti! Por jo; dhjetëra palë këpucë firmato që hyjnë e dalin, i kalojnë ngjitur, por s'ndalojnë... ai i sheh sërish me buzëqeshje teksa largohen pa e prishur terezinë në drejtim të automjeteve të tyre, e një çast kthen kokën nga brenda oborrit ku fëmijët vazhdojnë të qeshin. I kap duart e vogla pas kangjellave dhe vështron.
Përhumbet.
Harron "misionin" për të cilin është aty. Diç bluan në mendje; me siguri që do të donte të ishte në vendin e atyre fëmijëve. Të njihte kuptimin e ditës së parë të shkollës. Fillon të imagjinojë veten të ulur në bankë, librat, mjetet, çantën, ...por zëri i ashpër i rojes që e urdhëron të largohet nga porta e sjell shpejt në realitet. Sposton kartonin pak më tutje dhe pajtohet me dhimbjen e tij që duket sikur i buçet rrëzë veshit: "Ke të njëjtën moshë me ata fëmijë, por jo edhe të njëjtin fat."
 
DASHURI E VdEKUR <3
Jam i heshtur pa fjalë,
se çdo fjalë për ty mbaj ,
jam pa shpresë , jam pa ëndërr,
jam pa shpirt jam pa zemër.
Jam pa frymë e pa jetë,
sikur një qiri duke u tret.

Urrej vetën time,
se të do kaq shumë,
i urrej ëndrrat,
se më len pa gjumë,
e urrej detin,
se nga ty më ndan,
te urrej ty,
se nuk të kam pranë,

Dua ti ndiej në ty nxehtësinë ,
në përqafimin tënd vetveten gjeta,
dua të ma kthesh dashurinë,
dhe puthjet e nxehta.

Një gjë dua që ta them,
mbaje në zemër mbaje në mend,
kur një shpirt tjetër ta duash,
dashurinë tonë atij ti thuash,
të, të dojë aq sa të desha unë,
as më pak e as më shumë.

Ti fala sytë ,ti me verbove,
ta fala zemrën , ti ma copëtove,
ti fala ëndrrat, ti i shkatërrove,
ta fala dashurinë, poshtë e hodhe,
sa e zbrazët në shpirt u tregove.
 
Nese do ta dija qe sot do te ishte hera e fundit qe do te te shihja duke fjetur, do te te perqafoja fort,fort dhe do t’i lutesha Zotit qe te behesha roja e shpirtit tend. Nese do e dija se kjo do ishte hera e fundit qe do te te shihja te dilje nga dera, do te te perqafoja dhe do te te jepja nje puthje dhe do te te therrisja perseri qe te te jepja edhe te tjera.

Nese do ta dija qe kjo do te ishte hera e fundit qe do ta degjoja zerin tend, do te regjistroja cdo fjale tenden qe te mund te te degjoja perseri,perseri.Nese do te dija qe keto do te ishin momentet e fundit qe do te te shihja, do te te thosha “te dashuroj” dhe do te supozoja jo logjikisht se e dije me pare. Ekziston gjithmone nje e neserme dhe jeta na jep edhe mundesi te tjera qe t’i bejme gjerat sic duhet, por nese bejme gabime na mbetet vetem e sotmja.

Do te doja te te thoja se sa shume te dua dhe se kurre s’do te te harroj. E nesermja nuk eshte e sigurt per askend, si i ri, si i vjeter. Sonte mund te jete hera e fundit qe i shikon njerezit qe do. Prandaj mos prit me, beje sot sepse e nesermja nuk vjen kurre. Sigurisht do pendohesh per diten kur nuk gjete kohe per nje buzeqeshje, nje perqafim, nje puthje dhe sepse ishe i zene per te realizuar nje deshire te tyre.

Mbaji ata qe dashuron prane vetes, thuaju duke mermeritur se sa shume ke nevoje per ta, dashuroji, sillu mire,gjej kohen per ta, thuaju "me vjen keq", "me fal" , “faleminderit” dhe te gjitha fjalet e dashurise qe di. Asnjeri nuk do te te mbaje mend per mendimet e tua te fshehta.
 
Vazhdimisht tradhtohet njeriu...

Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

Tradhtohet njeriu
Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.
Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.
 
Do heqësh dorë nga dashuria dhe do mendojnë që je i dobët. Do luftosh për të do të të thonë që mbase nuk ia vlen.
Do bësh thashetheme, do të thonë ska me çfarë të merret. Nuk iu mban pishtarin e thashethemit, do të të quajnë arrogant.
Do duash të qëndrosh vetëm të quajnë jo-social. Qëndron me të gjithë, thonë "miku i të gjithëve nuk është mik i askujt."
Nëse qesh, të ka kapur krizë budallallëku. Nëse qan, je shumë i dobët.
Reagon me nerv, je kokëfortë. E bën me qetësi, "ja virtyti i rradhës i naivit."
Nuk i do njerëzit, je i ligë. I do, "nuk bën ti duash aq se të zhgënjejnë."
I fal gabimet, "mos ji aq tolerant". Nuk i fal, "je pa shpirt e zemër".
Shëndoshesh, "po ti gjithë ditën ha?". Dobësohesh, "ke ndonjë gjë që të shqetëson?".
Lumturohesh, "ke rënë në dashuri?". Trishtohesh, "u ndave?".
Vishesh sipas modès së fundit, "i la lekët dyqaneve". Vishesh çtë të dalë përpara të quajnë pa shije.
I bën like edhe këtij statusi dhe thonë "mbete gjithë ditën në facebook". Nuk bën like, "stë kemi parë verdallë".
Në çdo rast bota do ketë për çfarë ta ngrejë flamurin e "gjykimit", kështuqë zgjidh atë që të bën ty më të lumtur.
 
Ra mbremja. Kam ngrene. Kam pire. Kam mbyllur dyer e penxhere per te mos lejuar shpirterat e keqinj te futen brenda dhe me ne fund ja ku jam. Ne fushebetejen time te pernatshme. Perballe nje ekrani dhe nje tastiere.
Pertej xhamit ndodhen ata, armiqte.
Duket se ata nuk e kane fort qejf luften, madje ndonjeri prej tyre as nuk e di qe po behet lufte. Jo…Edhe pse tashme e kane mesuar qe virtualiteti ne disa treva te tij eshte nje gjendje lufte konvencionale, si idiote qe jane ata akoma vazhdojne te zbresin ne mejdan me armet e tyre delikate: shkrimet e tyre – arma e tyre qesharake. Luftojne me germa dhe fjale. Por une jam nga nje fis luftarak qe nuk mesoi kurre te perdore arme te tilla paqesore, qe ata mes tyre i quajne “krijime artistike”, “studime” apo “artikuj shtypi”.
Me pak vullnet do te mund te kuptoni qe une i percmoj shume ata dhe armet e tyre. E drejta ime e pamohueshme sigurisht. Keshtu qe edhe mua disa perendi akoma te paidentifikuara te Lirise Universale me yshtin te perdor armen time. Luftoj me Yje dhe bej Lufte Yjesh. Fundja pse te mos gjuaj me Yje? Yll jam e me Yje gjuaj.

Une gjithnje e kam urryer te parin. E kam huq te vjeter. Ne femijeri urreja cdo njeri qe ishte perpara meje ne mesime apo ne lojerat e pasdites. Ne endrra shihja Koloseun dhe veten qe mes brohoritjesh ulja poshte gishtin tim perballe syve lutes te gladiatorit te rrezuar. Por me shpesh veten e shihja ne enderr si bisha qe shqyen galdiatorin. Ah sa e urreja gjumin kur me dhuronte endrra ku nuk isha bishe! Bija te flija perseri ne menyre qe te shihja endrren e deshiruar. E beja ne jete, sic thonin plakat e qemotit.
Kjo veti e imja vazhdoi edhe ne vitet e gjimnazit ku sidoqofte u be me qibare: urreja vetem te parin fare, ate te fillimit ose sic i thone ndryshe ate me te mirin. Sic duket motoja “Sundimtarin nuk e do askush” kish bere te veten edhe te une.
Yyyy… sa letra anonime kam shkruar ne ato vite! Here ua fusja poshte deres viktimave te mia. Here te tjera e beja bash si burrat: i postoja pa emrin tim pikerisht te adresa e te medhenjve te guvernes qe kishin ne dore jetet dhe fatet e njerezve. Dhe vec te shihje se si merrnin rrokullimen ata “te paret”...ata ”me te miret”…Eh..kohe te arta kane qene te dikurshmet…

Tani jetoj ne epoken e internetit. Nje epoke e cila me rezulton shume me komode se sa primitivja e letrave anonime poshte dere.
Interneti eshte vendi perfekt ku mund te hedh gurin e te fsheh doren pa me hyre asnje gjemb ne kembet e mia me kallo. M’u desh pak kohe te mesohem me kete mejdan modern. Si ne kohet e arta te qemotit kjo shpikje moderne e frengut me jep mundesine e perdorimit te llagapeve te rreme- fetishi im, sic me thote nje nipce. Mund te jem njekohesisht edhe Sheqeri edhe Piperi dhe nuk me ndryshon aspak sasia e glukozes ne gjak. Mund te jem njekohesisht edhe Morri edhe Qimja dhe koka te mos me kruhet aspak. Dhe te gjitha keto fale internetit.
Nje te keqe ka interneti ne fakt. Nuk perdor plumba pe verteti, por yje.
Ne vitrinen virtuale me te miret dekorohen me pese yje, me te keqinjte ndeshkohen me nje yll. Askush nuk mbetet pa yje gjithsesi dhe mua nuk me pelqen fare kjo gje. Ashtu si edhe ne jete, edhe ne virtualitet armiqte duhen ndeshkuar pa meshire me ekzekutim.
Eh...Gjasme bote e qyteteruar kjo e ketyre. Bote e pjerdhur… Te vrasin me pambuk. E c’u kuptua kur nuk sheh askund gjak? Njesoj si qitja e dikurshme me fisheke mesimore monovre. Tabela perpara dhe bam drejt e ne shenje me t’u dhene sinjali i shkrepjes. E beje cope e cike tabelen ti dhe fap te shfaqej perseri po ajo tabele pa asnje vrime ne trup. Terbohesha ne raste te tilla. Por me shume terbohej nga fyerja dhe zhgenjimi geni im tradicional prej luftetari.


Fillimisht rradhis para meje listen e personave qe sot duhen ekzekutuar me se s’ben.
Lista ime permban mesatarisht cdo dite 10 viktima, po aq sa permban vitrina Mund te dale edhe ndonje viktime e rastit, kur “bashke me te njomin digjet edhe i thati”, por lufte pa sakrifica nuk ka. Zakonisht viktimat e mia jane te percaktuara dhe paracaktuara shume qarte. Me yllin e pare qelloj shenjestren time te preferuar: nje poet krijimet e te cilit nuk i kam lexuar kurre. Une nuk kam lexuar poezi kurre. Por kjo gje natyrisht nuk me pengon mua te jap verdiktin e ekzekutimit te tij.
Viktima e dyte eshte nje takem si i pari qe nderkohe ushtron arkitekturen. Viktima tjeter eshte nje tip doktor- profesori erudicionin e te cilit nuk e honeps fare. Pastaj pasojne me rradhe nje mjek endokrinolog qe guxon te na jape leksione mbi diabetin, nje financier me master ne ekonomi qe ka paturpesine te na shpjegoje krizen ekonomike boterore, nje jurist i njohur qe ka huqin e keq te diskutoje sa here qe flitet per ligjet, si edhe kohet e fundit edhe nje kimiste qe me histeri kerkon te na binde qe uji eshte leng. Nuk e di biba se uji quhet leng vetem kur eshte ne trajte gjaku. “Hajde babe te te tregoj arrat” i thone kesaj pune. U bone kta capacule universitetesh t’na japin mend dhe dije ne luftetareve te vjeter te llogores!
Krahas te mesipermeve jane edhe nje duzine viktimash te cileve ua kam inatet qe nga nje fushebeteje tjeter e pasxhamit, se sic mund ta keni kuptuar une si fis luftarak qe jam nuk mund ta kuptoj jeten pa zhurmen tunduese te predhave dhe tymin e germadhave te djegura.

Shpesh per asgjesimin e viktimave me nevojitet edhe ndihma e miqve te mi te cilet si edhe une jane luftetare te shquar yjesh. Jane te rinj ne moshe, por te marrin gjak ne vetull. Te shkathet, te palodhur si ne stervitje edhe ne lufte.Disa prej tyre kane pare endrra sundimtaresh qe ne djep, ndaj e kane te forte grinten e luftes me mjete rrethanore ndaj kujtdo qe u duket se u ka zene vendin. Kane "inat derri" por kjo nuk i pengon te pelqejne shume rrushte sidomos kur vreshta eshte e larte. I perdorin aq mire katapultat dhe goditjet me te prere sa do te linin gojehapur edhe pingpongistet e kombetares kineze. Me vjen mire qe trashegimnia ime luftarake i percillet denjesisht edhe brezit te ri. “Bashkimi ben fuqine” dhe “Trimi i mire me shoke shume” thote per raste te tilla tradita jone luftarake.
Iu bej nje ze ne msn dhe shoh qe jane ne gatishmeri te plote, edhe pse shpesh aq larg nga njeri tjetri ne kontinente te ndryshme.
Pleshti,Urithi,Paterica, Zbokthi, Fytyra e dyte,Reptili, Germadha, Shkurrja, Furriku, Llogorja, Tymi, Ngrica, Xhindi i Pasmesnates e shume luftetare te tjere si une jane gjithnje ne gatishmeri nr.1 ne raste te tilla. Madje kemi ndertuar nje sistem komunikimi shqisor teper intuitiv i cili ia kalon cdo teknologjie bashkekohore wireless. Nuk thone kot qe shpirterat e medhenj takohen. Sidomos kur jane shpirtera luftetaresh.
“He mo...c’kemi…e pe cfare kish shkruar Klithma? Nuk e ke lexuar akoma? S’ka gje, as une nuk e kam lexuar dhe as qe kam ndermend ta lexoj. Po me siguri ndonje bajge jargamane do kete leshuar. I kishin dhene ca zuska vleresime me pese yje, por ia ndreqa samarin ne cast une dhe e fundosa ne te semes…dmth ne fund te tabeles me yllin tim vrastar. Na cau trapin kaq kohe ai pordhac. Si? Edhe ti ia paske keputur kokes? Hahahaha…me lumturove…E shoh e shoh…sa mire ia ke bere. Sic ia beme edhe Mergimtarit, Piktorit, Luledeles, Miroshit, Te Embles dhe Uraganit javes qe shkoi…Hahahahahahha…. Me vjen mire qe na perputhen midete, miku im…Ata kane shume nevoje per nje mesim te mire nga populli”

Lufta e Yjeve, si cdo lufte tjeter qe ka perfshire planetin tone qe nga kohet antike, kerkon taktiken dhe strategjine e saj te vecante, here here te paperseritshme…unikale.
Lufta kerkon jo vetem aleate, por edhe fonde yjesh te cilet m’i sigurojne llagapet e shumte qe kam. Kerkon sigurisht edhe “mish per top”. Sic u thashe me lart, kam shume aleate, madje ne ndonje rast edhe mes armiqve te mi nen parimin qe sidoqofte “armiku i armikut tim eshte miku im”. Arti i luftimit ne fakt eshte po aq i vjeter sa ai i prostituimit.

Ju nuk mund ta kuptoni dot lumturine qe me perfshin te terin ne castin kur shoh se si nen goditjen time te kalibruar rrezohen si prase ata…ata pra…”te paret”. Jo gjithmone goditja ime e forte shkakton fundosjen e viktimes. Rastis qe viktima noton mire edhe pas goditjes sime njeyjorshe.
Ne kete rast une kam gati si gjithnje planin B. Shtoj sasine e ujit rreth viktimes sime.Rris thellesine e ujit ku ai noton. Ia bej te paarritshem bregun e te parit ku ai kerkon te dale deshperimisht. U leshoj komordare peseyjshe atyre qe ndodhen prane tij. I mbyturi te mbyt, ndaj ata qe jane aty pari te mos mbyten nga viktima ime duhet t'u jap ndihmen time humane. Pune e madhe se behen ata te paret. Rendesi ka qe ai tipi te fundoset. Pastaj edhe atyre ua ndreq samarin ne nje moment te dyte nese ma kercet truri. Kjo manover siguron suksesshem fundosjen e plote te armikut. Ky moment perkon me triumfin tim.
Ka raste kur municioni njesh dhe komordaret pesce mbarojne dhe keshtu plani B deshton.
Detyrimisht nxjerr nga menga asin tim, sic e quaj ndryshe planin C.
Vishem me te shpejte dhe brenda nje ore frekuentoj tere internet- kafete e lagjes. Ne ndonje rast kam udhetuar edhe ne qytetet fqinje ne kerkim municioni. Sepse sic e keni kuptuar qarte jam luftetar i paepur. Nje dite kam perdorur nja 15 kompjutera per asgjesimin e armikut tim te rradhes. Fillova me kompjuterin e vjeter qe kam ne zgeqen ku banoj dhe ne vazhdim i mora me rradhe kompjuterin e sime motre ne zyren e saj, te nje kushuririt tim ne nje banke, te nje halle qyqare qe jeton ne nje azil, te nje mikut tim te ngushte qe punon ne aeroport, te komshiut ku shkova gjoja per nje kafe pas buke. Madje ate dite per bombardimin yjor te armikut perdora edhe nje kompjuter te nje rajoni policie ku kisha shkuar per te dorezuar ca dokumenta ( ose sic i themi nga anet tona “dekumenta”). Do kisha perdorur edhe te gjashtembedhjetin nese do ishte treguar e pavemendshme recepsionistja e klinikes ku kuroj prostaten time te lodhur.
Ate nate, kur u ktheva ne shtepi nga lufta ne terren, pashe se vertet armikun e kisha asgjesuar totalisht. As nami e nishani nuk i kish mbetur ne ate liste ku ai ishte “i pari”. I pari i leshit, a te qivja udhet!
Keshtu more shokeni…Keshtu i shtyj ditet qe me kane mbetur…Une ketej e ata andej…Une bam e ata tutje…Une bam e ata perdhe…Une bam…ata ringjallen…e une bam perseri…Lufte, babam, lufte…e jo shaka!
Me erdhi ora te vesh uniformen e luftetarit. Boll cava derrasa me ju ne keto caste te shkurtera armepushimi.
Sapo u shfaq prape ne vitrine armiku im i zakonshem, ai qe nuk honeps me shume.
“Hmmm... erdhe perseri, qerrata? Nuk vure mend? Po qenke i palodhur, a derman! Mire bere...ja sa te ta ngop si gjithnje yllin qe te kam taksur edhe me hipoteke e te shkosh ne te semes edhe sonte!”


ps: Nje nga prozat qe une e lexoj me shume adhurim....eshte shume aktuale.
 
LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E DASHURISE

a jemi dashur vërtet ne të dy apo ëndërr ishte?

dashuria është një aksident, përplasje,
devijim, greminë, rrëshqitje,
një autombulancë gjithmonë e vonuar
transporton viktimat...ca për në martesë
e ca për në reanimacionin apo morgun e saj
njerëz që kërkojnë provat nga vendngjarje,
kurreshtarë ngatërrestarë, dëshmitarë okularë të verbër,
është pasojë e rrugës së keqe, e rrugës së lagur, e shpejtësisë
e parkimit në vend të gabuar, e krahut të gabuar,
pasojë e motit të keq...e shiut ...stuhisë...
mjegullës a verbërisë...pasojë e një gote më shume...
në tundimin e vjeter për t'u përhumbur...

por le të themi që ne duhemi ose akoma më keq,
që ne edhe mund të duhemi , dhe pastaj
le të njihemi edhe pse pak rëndësi ka
se cilët jemi në të vërtetë për sa kohë
që ne të dy ekzistojmë veç si mirazhe përsosmërie
në sy të tulatur nga mungesa e zgjatur
e dhimbjes dhe e frikës për çka vjen më pas...

le të themi që ne nuk duhemi ose akoma më keq,
që nuk jemi dashur kurrë dhe pastaj
le të harrohemi duke kujtuar që udha ishte e pafund
të ngushëllohemi për ikanakët që nuk vinë...
dhe për gurët që kërkonin shumë mund
t’ua vinim në shpinë sizifëve që shpikëm
për t’ua bërë më të lehtë në të kuptuar
mitologjinë tonë patetikëve të ardhshëm
dhe kurreshtarëve të anës tjetër të udhës
që guxojnë të shohin edhe gjëra aspak interesante
si lumturitë e padeshifrueshme të të tjerëve

dashuria ka etjen e saj fisnike dhe privilegjin
e të çmendurve që jetojnë jashtë mureve
alkimia që gurin e rëndomtë e kthen në ar
është shpirti i thellë triumfalisht i shndrruar në sy
por hej...
si ç ‘pyet im vëlla në statuset inkurajuese të facebook-ut
a nuk është sëmundja më e përhapur e syve
dashuria me shikimin e parë?

dhe uria e saj...
më e tmerrshmja e të gjitha urive e dashurisë është...
kur s’ka tjetër për të ngrëne e vetveten tret
dashuria ha dashnorët e shndrruar në kanibalë ...
pa lotë qan fatin e vet....ashtu në heshtje ngadalë
noton...mbush...derdhet...në kupën e të tjerëve.
mbytet e vetmuar në kupën e saj

e ngopur me hiç ikën trupit e poshtë zbret...
...........................................................
aty ku dikur hutoheshin fluturat
syri shpirtit i thotë “më fal”...

gjërat janë ndryshe kur errësira bie
iluzioneve u dorëzohemi ashtu si padashur
trullosur nga tundimet e pasiguritë tona
frikërat ua lënë vendin euforive
e këto ndrojturazi kthehen në hutim
vjen çasti kur lodhemi e s’kuptojmë dot
ajo që s’shohim në syrin e të verbërit fshihet
e vështirë, e pamundur, e padukshme
hieroglife kineze me të zezë vizatuar
tatuazh për lëkurën e dirsur të negrit...

por ti do i kuptosh këto veç se në dehje...e pirë...
nga iluzioni i lehtësisë së papërballueshme të dashurisë
e mpirë nga kohët anestetike që do jetosh
kur mos të të dhëmbë asgjë në trupin tënd ...
asgjë...
asgjë veç meje…
 
Një lajmërim vdekjeje kishte në të foton dhe emrin tim. Ishte e papritur për mua kjo gjë, dhe rrija e shikoja atë njoftim si humbamen. Dhe më pas unë lëshova një britmë terrori, "Çfarë dreqin bën fotoja ime në lajmërimin e vdekjes?" Mbrëmë mbaj mend një dhimbje të mprehtë në kraharor. Shikova përreth, ishte mëngjes por kafja ime nuk ishte bërë gati. Njerëz ishin duke hyrë në shtëpi nëpërmjet derës së dhomës së gjumit. Hyra brenda dhe vështrova në shtrat. Ja aty isha, i shtrirë i gjithi i vdekur.

Njerëzit më mbanin sehir, jo shumë prej tyre qanin, madje disa dukeshin të lehtësuar. "Dëgjoni", thirra fort me zë të lartë, "Unë jam këtu, jam mirë dhe nuk kam vdekur." Askush smë dëgjonte. Të gjithë rrinin përreth shtratit tim e më bënin sehir. U ktheva dhe shkova në dhomën e ndenjes. Arkivoli kishte mbërritur. Ai ishte pozicionuar në mes të dhomës. I pashë ata te mbanin trupin tim dhe ta vendosnin në të. "Unë nuk jam gati të shkoj akoma," Bërtita unë, "Unë kam akoma punë për të bërë, mos më varrosni para se të jem gati!"

Vështrova përreth. "Ku është familja ime?" Pyeta veten. Ata ishin në dhomën tjetër, duke qarë. "Unë nuk kam vdekur," I bërtita gruas sime dhe fëmijeve. Ata vazhduan të qanin. "Si mund të shkoj unë pa të të thënë që të dua?" Pyeta gruan time. "Si mund të shkoj unë pa përqafuar ju të dyve?" Pyeta fëmijët e mi. Qava me ta.

Këngë po këndoheshin nga dhoma tjetër. Hyra brenda teksa ata këndonin këngët e mia të preferuara. Në sytë e njërit prej personave që po këndonin kishte lot. "Por ne nuk kemi folur për vite me radhë bashkë," I thashë atij. "Pse po qan? Hajt tani, ma shtrëngo dorën dhe të bëjmë paqe." Personi vazhdoi të qajë ndërkohë që këndonte. Ai nuk e pa dorën time të shtrirë drejt tij.

Qeni im u ngrit dhe nuhati arkivolin tim. Ai nuk dukej aq i shqetësuar që unë nuk isha më. "Ma mer mendja se kam qenë shumë strikt me ty," I thashë atij, "Hajde, më lër të të përkëdhel pak." Qenit ju hap goja për gjumë, u shtriq dhe ra të flejë.

Këngët pushuan dhe prifti erdhi. Ai u ul afër personit që ishte duke qarë dhe u përkul për të folur me të. U afrova afër tyre për të dëgjuar se për çfarë po e pyeste. "A ka ndonjë gjë të mirë që i ndjeri ka bërë në jetën e tij?" Pyeti prifti. Burri mohoi duke tundur kokën i mërzitur. Ishte një heshtje kur ime shoqe hyri në dhomë.

"Ajo duket shumë e bukur," Mendova unë. "Ti dukesh shumë e bukur!" I thashë me zë të lartë. Ajo nuk i dëgjoi fjalët e mia. Jo nuk i dëgjoi fjalët e mia, sepse unë kurrë nuk ia kisha thënë më parë.

"O Zot!" Bërtita në agoni, "Më jep edhe pak kohë të bëj gjërat që duhet ti kisha bërë!" I pashë ata teksa transportuan arkivolin tim dhe e vendosën tek makina e varrimit që priste jashtë. Qeni im nuk u shqetësua fare të zgjohej nga gjumi i thellë në të cilin kishte rënë. Prifti refuzoi të thoshte ndonjë fjalë për mua. Ata e kuptuan të gjithë që nuk kishte asnje fjalë të mirë për të thënë. U ktheva ti them më fal personit që kishte lot në sy. U ktheva të përqafoj fëmijët e mi. U përkula ti pëshpëris në vesh fjalët e dashurisë gruas sime, dhe më pas ngrita kokën lart nga qielli duke qare, "Zot, të lutem dhe një shans!"

"Bërtite në gjumë," tha ime shoqe nderkohë që më zgjoi me mirësjellje. "Mos vallë pe ndonjë ëndërr të keqe?" Ajo u befasua shumë pasi e shtrëngova fort e përqafova duke i përshpëritur në vesh,

"Je shumë e bukur...!"
 
Nga fundi i errët i një nate të paepur po vij
yjet i sodis krejt i habitur.
Fajin e pranoj posa te porta jote mbërrij
e një pëllumb bardhok për supi më është puthitur.

Para satës portë zemra ime e përulur ndalet në vend
me dorën e shtrirë posi një lypës i moçëm;
në kopsht qeni yt nga gëzimi leh gjithë shend,
sepse, sidoqoftë, vazhdon të jetë miku im i sotshëm.

Trëndafili që nuk rritej u rrit më në fund
tani gonxhet prapa portës së hekurt ofron:
Kam ndryshuar shumë nga ajo ditë gjithashtu edhe unë
se netët e mërgimit yjësia s’i mbulon.

Ndoshta prapa portës së mbyllur shpirti yt është i hapur;
por me ta hapur portën tënde, sikur një lypësi i hapet pa një pa dy,
shikomë ëmbëlsisht, krejt e shushatur, atëherë do ta kuptosh që s’jam kthyer… sepse gjithmonë isha me ty!

Poema e Kthimit nga Jose Angel Buesa
 

5 POEZI NGA ROBERT BERNS​

165527361-644x640.jpg

Dashuria
Si trendafil cel dashuria
Ne mes te kopshtit tim
Dhe si nje kenge bukuria
S’me ndahet ne udhetim
Kjo bukuri mbi gjitha mbetet
Asgje mbi dhe s’e tund
Me mua ecen gjersa detet
Te thahen gjer ne fund
Nuk thahen detet zemra ime
Graniti nuk firon
Nuk ndalet rera ne udhetime
Se rera vec vrapon…
Mbec me shendet per ty ngre gotten
Mos u merzit o shpirt!
Sikur te bredh me kembe boten
Te gjej, por vetem prit
Dashuria dhe Varferia
Me ndoqi dashuria bashke
Me varferine e shkrete
Ne shteg te tyre heret rashe
Me zune shpejt ne rrjete
Por varferine e zboj e tremb
Dhe s’ka me varferi
Vec dashurine dot se shemb
Se mbetet dashuri
Pse dashurise si pengese
I del perpara ndarja?
Dhe pse te mbetet robereshe
Nga smira dhe nga paraja?
Dhe pasuria dhe hambari
Pak lumturi na japin
Por frikacaku dhe truthari
Pushtetin shpejt e kapin
Me flet me sy per dashurine
Kur humb mes perqafimit
Ndersa me buzet ftohtesine
Ma shfaq permes gjykimit
Me keshillon te jem i matur
Te kem dhe pak durim
Sic duket, pret nje oxhak te pasur
Dhe s’pret oxhakun tim!
Po si ta mbaj gjakftohtesine
Kur jemi prane e prane
Kur dy veshtrime dashurine
Burim te vetem kane?
Vec fukarai ka lumturi
Me vashezen e dashur
Ai s’ka smire e s’ka zili
Per dere e rang te pasur
Ah, dashurine c’e pengon
Ky fati i lig tiran!
Dhe gonxhe e saj pse s’lulezon
Pa pasuri dhe nam?
(perkthyer nga Dritero Agolli)
Meri Morisan
O Meri eja ne dritare
Eshte ora jone e deshiruar?
C’kushtojne mijera thesare
Perpara syve te adhuruar!
Mundim te madh do te duroja
Si skllavi qe duron i strukur
Kur zemren tende ta fitoja
Moj Meri Morisan e bukur!
Dje me muzike e me vjoli’
Nder djem e vajza kercimtare
Mendimi me shkoi tek ti
Une isha atje po s’ndjeja fare
Kish fort te bukura nder to
Kish plot me nur sa s’behet me
Po une thashe: “Nuk ka jo
si Meri Morisan asnje!”
O Meri do ti ta mundosh
Ate qe zbret per ty ne varr?
Dhe shpirt e zemer t’i coptosh
Per fajin se te do me zjarr?
Ne s’me pranon si dashuror
Trego per mua pak meshire!
Ti s’mund te kesh nje shpirt mizor
Moj Meri Morisan e mire.
(perktheu Lasgush Poradeci)

Lumturia ime
Ju dua , te vegjel dhe ju te medhenj!
Sikur te me derdhen te ligjte perrenj,
U thyej dhe qafen , i coj mu ne djall
Me goten perpara, me kengen me mall!
Shpesh vuaj dhe dhembet kercas domosdo,
Po jeta eshte lufte dhe une jam hero;
Ndaj jam i shkujdesur, pa pare ne xhep,
As mbreti te drejtat s’m’i merr e s’m’i jep
Me shtyp zgjedhe e skamjes nga viti ne vit,
Por mbremjes me miqte une vitin e ndrit;
Kur mbrrijme qellimin dhe gazi na djeg,
Perse t’i kujtojme ca ferra ne shteg?
C’te merrem me fatin, me kalin germuq?
Pa hiqmu nga syte, i poshtri thuthuq!
Kur brenga dhe gazi trokasin ne xham,
U them: “Mire se vini, nje sofer e kam”!
Puthja
Gjurme e njohjes se sivjetshme
Dhe premtim me fshehtesi,-
Puthja – lulebore e hershme,
Bore e bardhe e pasterti;
Nje lekundje: desha, s’deshe!
Miqesi e njome e re
Prej pellumbi, pellumbeshe,
Gazi i pare e plot hare;
Mall i ndarjes se trishtuar
Dhe dyshimi: “po me pas”?
S’e gjej fjalen e bekuar
Qe mendimin larg ta ngas!
(perkthyer nga Dritero Agolli)
 
Vrapojnë zemrat

Me sulm të ri, me shpirtin plot
Ti bën një vrap për t’udhëtuar.
Bën dhe një si vjet dhe sot,
Dhe një dhe mot e papushuar.

Dhe nuk u pyet për ngaj po shkon,
Që ngaj po vjen ngaj të fryn era.
Veç udhëton, veç përparon,
Si vjet e sot e mot përhera.

Dhe ik…e ik…e ik…e ik…
E ja! këputet zemr` e shkretë.
E ja! përshembet vrap i lik
E bje përmbys përgjithëjetë.

E pa t’u tharë pika lot,
Vrapojnë zemërat e tjera,
Me sulm të ri, me shpirtin plot,
Si vjet e sot e mot përhera.

Lasgush Poradeci
 
Eshtë e ndaluar

Eshtë e ndaluar

të qash pa mësuar,

të zgjohesh në mëngjes pa ditur çfarë të bësh

të Kesh frikë nga kujtimet e tua.

Eshtë e ndaluar të mos u buzëqeshësh halleve,

të mos luftosh për atë që beson

dhe të heqësh dorë, nga frika.

Të mos përpiqesh të bësh realitet ëndrrat e tua.

Eshtë e ndaluar të mos tregosh dashurinë tënde,

të bësh që të tjerët të paguajnë për humorin tënd të keq.

është e ndaluar të braktisësh miqtë,

të mos mundohesh të kuptosh ata që të rrethojnë

dhe t’i telefonosh vetëm kur ke nevojë për ta.

Eshtë e ndaluar të mos jesh vetvetja para njerëzve,

të Shtiresh para njerëzve që nuk të interesojnë,

Të jesh i sjellshëm vetëm me ata që kujtohen për ty,

të harrosh të gjithë ata që të duan.

Eshtë e ndaluar të mos bësh gjëra për veten tënde,

Të kesh frikë nga jeta dhe kompromiset e saj,

Të mos jetosh çdo dite sikur të ishte fryma jote e fundit.

Eshtë e ndaluar të ndjesh mungesën e dikujt pa u gëzuar,

Të harrosh sytë dhe të qeshurën e tyre

vetëm sepse rrugët tuaja kanë pushuar së takuari.

Të harrosh të kaluarën dhe ta bësh të paguajë për të tashmen.

Eshtë e ndaluar të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,

të mendosh se jeta e tyre vlen më pak se e jotja,

të mos besosh se gjithësecili mban rrugën e vet

në duart e veta.

Eshtë e ndaluar të mos krijosh historinë tënde,

të mos kesh as edhe një moment për njerëzit që kanë nevojë për ty,

të mos e kuptosh se atë që jeta ta jep,

në po të njëjtën mënyrë mund edhe të ta heqë.

Eshtë e ndaluar të mos kërkosh lumturinë tënde,

të mos e jetosh jetën duke menduar pozitivisht,

të mos mendosh se vetëm mund të përmirësohesh,

të mos ndjesh se, pa ty,

kjo botë nuk do të ishte e njëjtë.

Të mos mendosh se kjo botë nuk do të ishte e njëjtë pa ty.
 
Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ta hedh ty dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh. ..

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë bota, me ç’ka brenda,
dhe burrë do të jesh, biri im!



“Në mundesh” nga Rudyard Kipling​

 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.