Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Pushtetarët, në shënjestër të pamfletizmit sarkastik të poetit Arif Hasko

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,919
Nga Sejdo Harka

Poezia kohët e fundit ka pësuar një rënie të dukshme, jo vetëm sasiore, por edhe cilësore. Aq i vërtetë është ky fakt, saqë disa sociologë dhe studiues të artit dhe letërsisë botërore arritën të pranojnë vdekjen e saj të bardhë. Por pati edhe sociologë, si francezi Edgar Morin, i cili mbrojti tezën e sfidës mbijetuese të poezisë, edhe në kohërat e sotme të shoqërive postmoderniste. Kjo sfidë shpjegohet me faktin se shoqëria e sotme, nuk ka nevojë vetëm për botën materiale utilitare, vulgare e shkencore, drejt të cilave është e prirur, por edhe për botën poetike e shpirtërore të njeriut. Këto dy anë të botës njerëzore, jo vetëm që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por dhe bashkëveprojnë në harmoni të plotë, për ta vënë universin në shërbim të mirëqenies dhe lumturisë së njeriut të kohës. Një kuptim i tillë i ri për domosdoshmërinë e vazhdimësisë së poezisë, edhe në shoqëritë postmoderniste të kohës, ka bërë që poezia, si një lloj i veçantë i artit të fjalës, pas luhatjeve të frikshme të saj, të rifillojë ripërtëritjen e saj, jo vetëm sasiore, por edhe cilësore. Janë të shumtë poetët e vjetër dhe të rinj, që i janë rikthyer poezisë, sepse kanë bindjen, se atje ku hyn magjia e fjalës poetike, nuk hyn dot as fantazia e shkencëtarit dhe as bisturia e mjekut më të zot.

Një nga shkrimtarët që kohët e fundit i është përkushtuar më tepër vjershërimit është dhe poeti Arif Hasko Gjongjini, i cili vetëm brenda vitit 2019 ka botuar dy vëllime të reja me poezi. Ai u lind dhe u rrit në një familje dukatase vlonjate me tradita të hershme kulturore, atdhetare dhe arsimore. Për të mbajtur lidhje më të fuqishme shpirtërore dhe tradicionale me fisin e tij të lashtë, ai mban si mbiemër të dytë edhe mbiemrin më të hershëm të fisit të tij “Gjongjini”. Mbasi mbaroi arsimin e lartë, Arifi kreu detyra të rëndësishme shtetërore. Ndërsa vitet e fundit, para se të dilte në pension, ai punoi si mësues dhe drejtor në disa shkolla të Tiranës. Krahas punës së përditshme, si hobi të veçantë, ai ka patur letërsinë. Geni i trashëguar krijues dhe shembulli i dy vëllezërve të tij më të mëdhenj, si Birçia, si aktor i spikatur i ekranit e Skënderi, si shkrimtar i papërsëritshëm e tepër prodhimtar, dhe veçanërisht pasioni e përkushtimi ndaj shkrimtarisë, ka bërë që edhe Arifi ,me krijimtarinë e tij modeste,të mundohet për të vendosur qoftë dhe një guriçkë të vogël në themelet e letërsisë së sotshme moderrne shqipe.Deri tashti ai ka botuar 8 libra artistike,nga të cilat 3 romane satirike,një vëllim me tregime dhe 4 përmbledhje me poezi. Objekt i këtyre shënimeve të shkurtra janë dy librat e tij më të rinj me poezi ”Ku je” dhe “Krizat e krijimit”, të cilat kanë dalë në qarkullim kohët e fundit.

Disa nga tiparet e veçanta që i karakterizojnë poezitë e këtyre dy vëllimeve poetike janë: trishtimi dhe shpresa e sfilitur, meditacioni i thellë dhe ndjeshmëria e lartë, abstraksioni depërtues dhe koherenca e gjallë, figuracioni i ngjeshur dhe vargu i bardhë, mesazhi i ngrohtë dhe fshikullimi i ashpër sarkastik e sfidant ndaj dukurive ne gative të pushtetarëve dhe shoqërisë së kohës. Në përgjithësi vjershërimi i A.Haskos është i stilit të mbyllur hermetik. Është kjo arsyeja, që mesazhin dhe mendimin e tyre nuk e gjen mbi sipërfaqen e brazdave të vjershërimit, por në pjesën e nënujshme të ajsbergut të tyre metaforik. Edhe kur ai shkruan me metrin e matur dhe koloritin popullor, ndjesia poetike mer natyrë eterike,që provokon zgjimin e kureshtjes,për t’i lexuar poezitë deri në fund.

Tematika dhe problematika e poezive të këtyre vëllimeve është sa e gjerë,aq dhe e larmishme,sa provokuese ,aq dhe sugjestionuese,për të përjetuar mesazhet dhe ndjesitë që i provokon magjia e fjalës poetike. Objekt frymëzimi për poetin A.H. Gjongjini janë bërë vendlindja dhe atdhedashuria,Shqipëria ,shqiptari dhe shqiptaria, urrejtja dhe dashuria, pushteti, pushtetarët dhe liria,besa dhe tradhtia,shpresa dhe pasiguria,drejtësia dhe padrejtësia,koha dhe historia, kainizmi, hakmarrja dhe egërsia.

Janë të shumta poezitë e peizazhit dhe të dashurisë që i këndojnë bukurive të rralla të natyrës shqiptare dhe virtyteve të papërsëritshme të vajzave dhe grave shqiptare. Për poetin Arif Hasko Gjongjini, vendlindja është një magji, që të tërheq si magnet. Edhe pse ai jeton në Tiranë, e bren malli për Dukatin dhe Llogaranë, për Orikumin,Vlorën dhe detin e saj mahnitës. Malli për Atdheun e vendlindjen është aq i thellë dhe me dimensione të gjera universale, sa që e ndjejnë jo vetëm njerëzit, por edhe zogjtë shtegtarë, të cilët siç shkruan autori “pa mbarim pranverën presin”, për t’u rikthyer në foletë e tyre. Për poetin ky mall është kimi e gjallë, e cila “bren dhe gurin e jo burrin”.

Pushtetarët e këqij janë vënë në shënjestër të pamfletizmit sarkastik të shumë vargjeve të dy librave të fundit të poetit Arif Hasko Gjongjini. Për të ata janë varrmihës të lirisë dhe “arkitektë” të varfërisë e pasigurisë. Edhe pse në të vërtetë janë kanibalë e horra, ata, për çudi “me privilegje i presin edhe në Had”. E megjithatë nuk i shpëtojnë dot fundit të keq grotesk. Pasi ngjiten shumë lart, të verbuar nga egoizmi dhe cinizmi, rrëzohen nga ajo majë e pamerituar, ku janë ngjitur, duke u shkërrmoqur copë e çikë. Ka të tjerë, që nga pangopësia, pësojnë fatin e këpushës,e cila, pasi ka thithur shumë gjak, pëlcet, atje, në honet e pista, ku ka zhytur kthetrat gjakatare. Sundimtarët poeti i personifikon me korbat kryekusare që luftojnë t’i tjetërsojnë në “toka të xanuna”, edhe foletë e zogjve shtegtarë. Në poezi të tilla, sa fabulike aq dhe sarkastike, poeti stigmatizon xhelatët dhe grabitqarët që në “meze për korbat e zullumqarët tjetërsojnë Shqipërinë dhe shqiptarët”. Fantazmat e “korbave” të tillë kanë bërë që shqiptarët të lëngojnë për një kohë të gjatë mes luftërash “ndër gryka e shpate malesh/me pushkën gati e tytën drejt qiellit”(25). Por fatkeqësisht, shqiptarët, edhe pse në shekuj kanë humbur shumë gjak e kohë, ende s’po e gjejnë dot rrugën e duhur. Plagët e vjetra dhe të reja, si masmarrëveshja dhe varfëria, përçarja dhe skllavëria, kurbeti dhe emigracioni, papunësia dhe korrupsioni , po ja zbehin shpresën për të ardhmen. Për të stigmatizuar padrejtësinë dhe pabarazinë e thellë shoqërore,grykësit ,barbarët dhe cinikët e ditëve të sotme, poeti përdor vargje të tillë sarkastiko-pamfletikë : “Në terrin e skutave…/ku dergjet skamja,/gazmore vjen muzika/ku vallzojnë barbarët/si në pishina lluce derrat/zhyten e zhurmojnë kusarët”(14)Tradhtia dhe pabesia, për poetin kanë fytyrën e ujkut me këmbët e lyera me miell, që troket në derën e “kecave fillikat” natën me bomba në duar, të cilët në shpirt e mendje kanë ligësi dhe gjak, tradhti e egërsi, të cilët në porta shtëpish varfnore dhe kështjellash trokasin natën, por jo për miqësi, por vetëm për gllabërim e tradhëti. Poezia “Urat” të kujton groteskun sarkastik të Migjenit, përmes të të cilit zbulohen paçavrat e skamjes dhe të varfërisë së tejskajshme, që fatkeqësisht vazhdon të zvarritet edhe në ditët e sotme. I shqetësuar thellë poeti sheh se si edhe në ditët e sotme, në atë ura, sa të vërteta aq dhe fluide, vazhdojë të udhëtojnë e bashkëjetojnë edhe mjerimi “që s’ka fat, por vetëm zhele”, edhe “derrat e kënaqun”, që shëtisin për të tretur dhjamin e “barkut shekullor të panginjur”. Janë këta çibanë të shoqërisë, që përherë riciklojnë vetveten, të cilët e bëjnë poetin Arif Hasko të shkruajë vargje të tillë metaforiko-alegorikë: “Kohën ma hëngrën/male,fushëtira e lumenj pakënaqësie/tërë jetën më vunë/të ngre në këmbë strehën time/me kashtë psesh/mbledhur shkretëtirave fije-fije”(101) Ndërsa para lexuesve shfaqen konturet e pyetjes retorike legjitime: Ku po shkon kjo botë…!?Pas vegullimit të saj të mjegullt, autori sheh “shpresat e pashpresa” që zor se do gjejnë shpëtim, mbasi “doktor shpëtimin” njerëzit “nuk po gjejnë dot as në amshim”.(114) Këtë shqetësim autori do ta stigmatizojë përmes vargjeve të poezisë alegorike “Trenat hergjele të stinëve”. Duke kërkuar t’i japë përgjigje poetike pyetjes, se cilët janë shkaktarët kryesorë që “trenat metaforikë të stinëve” herë ngecin në vend dhe herë rikthehen mbrapa”, autori shkruan vargjet alegorikë: “Ndoshta pushtetarët/administratorët e trenave të të gjitha kohërave…”.Prandaj “linjat dhe stinët e çmendura/udhëtojnë kuturu në trena hergjele”(178)

Për poetin dallkaukët dhe kopukët, hipokritët dhe hajdutët, shpifësit dhe harbutët, narcistët, mburravecët dhe hajdutët, mbijnë si kërpudhat e helmatisura në çdo “stinë moçalore”, kur ato ushqehen nga heshtja dhe flirtimi, frika dhe ngujimi në llogore ndarjesh dhe jo ura bashkimi. Vrasësi i Bankos në koncepsionin figurativ të poetit të këtyre librave është ende gjallë. Ai rron, jo vetëm në fantazmën e Bankos, që i vrau gjumin Makbethit, por dhe në çdo pabesi që bren shpirtin dhe fatin e njerëzve “të vrarë” nga tradhtia. Është e vërtetë se Kaini,vëllavrasësi i parë, nuk jeton më, por vepra e tij mizore, ende bën kërdinë. Uni poetik i autorit, edhe pse i stërmunduar nga pritja e gjatë e pashpresë, ka filluar ta ndjejë erën e shpresës që diktojnë kohërat,të cilat herë shfaqen si “një ndriçim i turbullt” dhe herë si “vagëllim i ëndërrt”. Megjithatë, shqiptarët edhe në kohërat më të turbullta të historisë dhe të jetës së tyre të vështirë e kanë ndjerë dhe e ndjejnë qartë zërin e mekur të “natës”, që deklaron: “Jam duke ikur” dhe zërin e kthjellët të “dritës”: “Jam duke ardhur”, që simbolizon ringjalljen e shpresës për të ardhmen, e cila vdes e fundit.

Capture-158-300x186.png
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.