Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Refugjatët

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,919
Hamdi jupe

Isha tetë vjeç atëherë. Jetonim në fshtat. E mbaj mend si sot. Ishte luftë dhe frika ishte kudo. Në fshat kishin ardhur disa ushtarë italianë. Italia kishte kapitulluar, siç i thonë, po ushtarët nuk ishin kthyer dot në dheun e tyre. Kishin mbetur rrugëve si zuzarë. Erdhën me pallaska të mëdha e me pendë kokoshi në kokë katër vjet më parë, me anije e me aeroplanë, po tani ishin bërë si pula të lagura. Punë lufte, kuptohet. Nga fashistë, ishin kthyer në qëngja të butë. Këtu ra gjemani menjëherë. Ku igente italianët, ishkonte në plumb, se i quante tradhtarë.

Italianët u fshehën nëpër fshatra, u veshën me rrobat e vendit dhe filluan të punonin tokën, për të nxjerrë bukën e gojës, bashkë me vëndalinjtë. Kush në bujqësi, kush në blegtori, nuk ishin qibarë për punë. Ishin të gjithë të rinj në moshë. S’ua hante qeni shkopin, tamam sikur të ishin fshatarë. E, mbase fshatarë ishin, xhanëm, para se t’i nisnin për luftë, kush i pyeti? Kështu, derisa të krijohej mundësia për t’u kthyer në shtëpi. Fshatarët nuk i nganë, se i dorëzuari nuk preket. Ishin punëtorë, për kokë të punëtorëve, siç thoshnin të mëdhenjtë, se unë isha akoma e vogël atëherë.

Një pjesë e tyre, nja pesëmbëdhjetë a njëzetë vetë, nuk shkuan në shtëpitë e fshatarëve, siç bënë shumica, (tek ne nuk erdhi njeri) po ngritën çadrat e tyre në një shesh me bar e rrepe pranë shtëpisë sonë dhe u ujdisën atje për të fjetur natën. E rregulluan vendin mirë e bukur, e rrethuan me thupra, bënë rrugica e i shtruan me gurë zalli, sollën edhe një çezëm të vogël me ujë atje, të marrë me tub llastiku nja dyqind metra larg, në kodër. Çadrat e mëdha ngjyrëjeshile, ishin vendosur rreth sheshit, nën hijen e pemëve. Njera prej tyre shërbente si kuzhinë, se dilte tym prej saj dhe vinte erë gjelle. Ishte vjeshtë dhe gjethet kishin filluar të zverdheshin, ashtu siç zverdheshin edhe ftonjtë, siç kuqeshin edhe shegët e çara.

Kur iknin italianët në punë, çadrat mbeteshin vetëm. Xhan – xhin njeri në to, as roje, as gjë, se s’kishte kush t’i prekte. Ata shkonin për të punuar me fshatarët, se ishte vjeshtë, kohë e mbjelljeve. Atëherë u afrohesha ngadalë e me frikë të madhe çadrave dhe shikoja se si ishin ndërtuar këto shtëpiza të vogla prej pëlhure. Çudi e madhe, thoshja. Rrija disa çaste para tyre, por me frikë se mos vinin italianët dhe më gjenin atje.

Kështu kjo gjë për ditë me radhë. Italianët kishin zënë karar. Shkonin në punë dhe vinin nga puna të lodhur. Hanin darkë, bënin ndonjë rregullim të vogël rreth çadrave mbrëmjeve dhe pastaj flinin. I dëgjoja kur bisedonin me njeri – tjetrin, por nuk mirrja vesh gjë, se flisnin në gjuhën e tyre. Ishin nja pesëdhjetë metër larg shtëpisë sonë.

Një ditë, kur ata kishin dalë, më shtyu belaja dhe u afrova te njera nga çadrat. Hapa fletën e saj që shërbente si derë dhe hodha sytë brenda. Kureshtja e fëmijës. Gjëra të çuditshme pashë në të, që nuk i kisha parë ndonjëherë dhe prandaj nuk i kuptoja. Po sytë më mbetën te koka e dyshekëve, të rregulluar mirë e bukur, njëlloj si në shtëpi, vetëm se ishin të shtruar mbi kashtë.

Atje, mbi jastëkët e bardhë, kishte nga një shami me lule të qëndisur në to, të palosura në formë trekëndëshi shamitë, njera më e bukur se tjetra dhe, mbi shami, nga një sapun. Sapunët ishin gjithë aromë të mirë që të çante hundët dhe që nuk i kisha parë ndonjëherë. Tek të katër dyshekët që ishin në çadër kjo punë. M’u morën mendtë nga kjo pamje, prandaj vendosa të largohem. Kisha frikë të qëndroja. Isha tetë vjeç atëherë. Më duket se e thashë një herë këtë. Mos më lini të përsërit gjërat, se do thonë bota që kam lajthitur, se i kam kaluar të tetëdhjetat.

Në shtëpi nuk u thashë gjë për atë që kisha bërë. Por të nesërmen, kur italianët kishin ikur përsëri në punë, vajta prapë atje, te ajo çadra. Për çudinë time, gjërat ishin ashtu siç i kisha lënë një ditë më parë, sikur nuk kishte hyrë njeri atje. Ata kishin hyrë e kishin dalë, kishin fjetur e ishin zgjuar, por i kishin rregulluar prapë sendet njëlloj si një ditë më parë. U habita.

Bëra të iki, po nuk më ikej. Mendja më thoshte të merrja një shami dhe një sapun nga ato që po shikoja atje te koka e dyshekëve dhe të ikja, por kisha frikë. Megjithatë, e bëra. Më futi shejtani në gjynah. Mora dy shami që m’u dukën si më të bukurat dhe dy sapunë erëmirë dhe u largova me vrap. Dridhesha si gjethja e lisit nga frika, por arrita të shkoj në shtëpi dhe ta fsheh mallin që kisha vjedhur në një vrimë midis rrobave. Frikën e kisha edhe nga italianët, edhe nga të mitë, nëna e babai, se mos merrnin vesh ç’kisha bërë e më rrihnin.

Kur erdhi mbrëmja e u kthyen italianët në çadra, filloi një zhurmë e një shamatà e madhe atje, dukej sikur ata po grindeshin e po shaheshin me të madhe. Sikur po akuzonin njeri – tjetrin për ndonjë gjë që u kishte ngjarë. Nuk e kishin bërë ndonjëherë më parë këtë. Nëna u shqetësua prej atyre të bërtiturave që vinin deri te shtëpia jonë.

“ – Ç’kanë ata që bërtasin? – pyeti ajo babanë për italianët. Ai kishte disa kohë që punonte me ta në ara dhe kishte mësuar disa fjalë italisht.

“Më duket se po zihen me njeri – tjetrin – tha ai. – Seç u ka humbur atje te çadra dhe akuzojnë sho –shoqin për këtë. Jo ma more ti, jo s’ta mora unë.” Ndoshta sapunë, a ku e di unë se çfarë. Po t’i ulna darkën, se jam i lodhur e më hahet bukë.

Nëna vështroi e shqetësuar nga unë. Vetëm ne të tre ishim në atë shtëpi. Unë mbaja sytë ulur dhe veshët ngrehur.

“Korbë, se mos ke vajtur gjë ti atje dhe u ke bërë ndonjë zarar në çadër atyre, se ta preva kokën me thikë, si të zogut – tha ajo, duke m’u drejtuar mua.

“Ç’ke që i bie në qafë asaj? – tha babai. – Vajza është foshnjë. Ku di ajo nga ato punë? Ç’punë ka ajo me italianët?

“I flas që të mos shkojë atje, se ata të hanë të gjallë po të kapën, me gjithë kocka të hanë” – tha ajo. Unë heshtja.

Nëna uli darkën. Nga jashtë filluan të pakësoheshin zhurmat dhe të bërtiturat e italianëve. Kishte rënë nata. Ata ndoshta tani po binin për të fjetur, të lodhur nga puna. Shkova të flija, por nuk më zinte gjumi. Thuajse s’fjeta fare atë natë. Kisha frikë se, nga era e mirë e sapunëve italianë që kisha fshehur në shtëpi, ma zbulonte mamaja të fshehtën e asaj që kisha bërë.

Të nesërmen prita të iknin italianët për në punë. Dolën edhe prindrit. Mora shamitë dhe sapunët që kisha vjedhur një ditë më parë dhe u drejtova për te çadrat. Dridhesha e tëra nga frika. E mbaja mend çadrën, ku e kisha bërë dëmin. Hapa derën e saj dhe hyra brenda. Gjithnjë duke u dridhur. Të katër dyshekët ishin atje, të rregulluar mirë e bukur, por dy prej tyre ishin pa shami e pa sapun sipër. Ishin ata dyshekë ku kisha vënë dorë unë. Ngjanin si dy tabute të shtrirë përdhe. Më tmerroi pamja e tyre. Ja se ç’kisha bërë. U drodha.

Pas pak mblodha veten, i lashë dy shamitë dhe dy sapunët atje ku i kisha marrë dhe dola me vrap nga çadra. Hodha sytë përreth se mos më kishte parë njeri dhe ika nga sytë – këmbët. Shkova në shtëpi dhe u desh të kalonin nja dy orë, derisa të merrja pak veten nga ajo që kisha bërë.

Erdhi mbrëmja dhe babai u kthye përsëri nga puna. Ishte i lodhur si gjithmonë dhe kërkoi darkën. Ishin kthyer edhe italianët, se dëgjoheshin zhurmat e tyre. Mendova se sonte nuk do kishte më grindje, se do t’i gjenin atje sapunët dhe shamitë e humbura një ditë më parë e do gëzoheshin. Kur fap, filluan të sharat e të bërtiturat prapë. Njëlloj si një natë më parë. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me ta. Nëna pa e shqetësuar nga babai.

“Filluan prapë si mbrëmë këta pipinot – tha ajo, duke ulur bukën. – Merr vesh gjë ti, ç’hall kanë që po na prishin gjakun?

“Nuk e di, nuk e di – tha babai. – Për sapunë e për shami po flasin prapë më duket. Thonë që i kanë gjetur ato që kishin humbur një ditë më parë. Por tani po grinden me njeri – tjetrin, pse akuzuan sho –shoqin kot se koti një natë më parë. Këtu e kanë sherrin tani, më duket.

“Ashtu thua? –pyeti mamaja.

“Ashtu më duket – tha babai.

“Ti ulu ha bukë, se je lodhur nga puna, pa ata kokën hëngshin, – tha mamaja. – S’kanë turp, s’kanë. Nuk thonë shyqyr që shpëtuan gjallë nga lufta, por po na prishin edhe gjakun tani, për ca sapuna e ca shamira, si gratë e liga te kroi i fshatit. Turp të kenë! Na kanë zënë edhe sheshin, ku kullosnin gomarët me çadrat e tyre.

“Mos fol ashtu. Njerëz janë edha ata – tha babai. – Me mendje të prishur janë, se kanë katër vjet rrugëve në vend të huaj, nëpër luftra e nëpër kiamete, pa farë e pa fis pranë, pa çati mbi kokë. Edhe tani nuk kthehen dot në vendin e tyre, se s’i lë gjermani. Ç’të bëjë i ziu njeri! Se mos kanë dashur ata të vijnë këtu? Kush është ai që vete me dëshirë në luftë? Ato shami dhe ato sapuna ua kanë dërguar të dashurit e tyre që kanë vite pa i parë: kush mamaja, kush motra, kush gruaja, kush e dashura dhe që nuk e dinë, nëse do t’i gjejnë më gjallë, kur të kthehen në atdhe, apo jo. Mbase, vetëm ato shami u kanë mbetur kujtim nga kjo botë, asgjë tjetër. Gjermani ka hyrë edhe në Itali dhe ka bombarduar qytetet e fshatrat për hakmarrje, pse italianët kapitulluan. Këto m’i thonë vetë ata, kur punojmë në fushë. Me ato shami e sapuna si kujtime mbajnë shpirtin gjallë. Prandaj janë prekur thellë, kur kanë parë se u mungonin ato sende. Ja, kështu.

Sa bukur fliste babai! Më erdhi keq për atë që kisha bërë. Hëngra darkë dhe shkova të flija. Isha më e qetë, se e kisha rregulluar gabimin e një dite më parë. Kohë të shkuara, kohë të vështira. Isha vetëm tetë vjeç atëherë. Ushtarët ikën pas ca muajsh, erdhi një vapor e i mblodhi e i shpuri në vend të vet. Punë lufte.

Ndërsa sot kam dhëndërrin, burrin e mbesës, italian. Është njeri i mirë dhe vjen shpesh këtu e na sheh me sy e me dhurata. Njëlloj sikur të ishte dora jonë, si djalë vendi. Si yll dhëndri, **** lejmon, të merr në qafë.

Si vijnë këto kohë kështu? Dikur ishin ata këtu, në pikë të hallit, tani shkuan djemtë e vajzat tona atje për të nxjerrë bukën e gojës, se s’i mbante vendi këtu. Fillimisht djali, pastaj nusja bashkë me të. Me anije edhe këta, refugjatë në Itali. Kush i priti, kush i ndihmoi, kush u shtroi, kush i mbuloi, kush u shtriu dorën e ndihmës me një pjatë supë të ngrohtë! Njëlloj si ushtarët italianë një herë e një kohë këtu. Ca mbetën deteve e maleve e s’u kthyen më kurrë. Nuk dihet ku kanë as varrin.

Atje u lind edhe mbesa që tani është e martuar me italianin. Mesi flet shqip vajza, shatra – patra, se lerë e rritur në Itali. Tani e kanë kapur veten thonë, kanë bërë prokopi, po kush i pa? Ne besojmë ato që na thonë. Mbase ky dhëndër është nip i ndonjërit prej atyre ushtarëve që u vodha shamitë e sapunët vite më parë. Mbase, ku i dihet. Të shkuara, të harruara. Kohë e shkuar, kohë e sotme.

Tani kanë ardhur italianët në vendin tonë. Është mbushur Tirana e Durrësi me ta, me mijëra, thonë, sa që janë rritur qiratë e shtëpive, kanë vajtur në qiell. Hanë pensionin këtu, se u del më lirë. Vijnë me aeroplana tani, po prapë, njëlloj refugjatë janë, se vijnë për copën e bukës. Mbetën në krizë gjithë jetën edhe ata të shkretët. Edhe pensionistë, edhe refugjatë. Zoti na ruajt! Po për ne mirë është, se sjellin valutë këtu. Ka rënë Euro në fund të këmbëve. Me të dëgjuar e kam, se unë s’dal dot t’i takoj.

Si u bë kjo botë, të gjithë ik e eja, të gjithë refugjatë. Si ata italianët e luftës njëherë e një kohë. Njëlloj.

Maj 2019
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.