Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Si e kam njohur Tedi Papavramin

centos

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Dhj 13, 2004
Mesazhe
39,936
Nga Mustafa Nano

Revista Mapo

Tedi Papavramin e kam takuar për herë të parë andej nga viti 2007. Ishte rasti kur e ftova për të ardhur në Deja Vu. Një i njohuri ynë i përbashkët më tha se ai do vinte në Tiranë, dhe gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte ta ftoja në programin tim, të cilin mua më dukej se e kisha konceptuar bash për personazhe të llojit të Papavramit, ndonëse, që të jem i sinqertë, nuk ia kisha shumë besën një bisede televizive me të. Natyra e tij e ndrojtur, e tërhequr, e mbyllur, plus suksesi që kishte arritur, plus fëminia e kaluar në një mënyrë jo edhe aq fëminore (legjendat urbane flisnin për një Tedi Papavrami që gdhihej e ngrysej në dhomën e tij, me violinën që i ishte shndërruar si një gjymtyrë shtesë), bënin të mos më shqitej mendimi se ai duhej të ishte një njeri trillan e me hënëz, dhe kjo gjë ma ftohte disi entuziazmin, ngaqë një nga gjërat më të vështira në jetën time kishte qenë, e është, marrëdhënia e biseda me njerëz, të cilët si janë në mëngjes nuk janë në mbrëmje.

Mbi të gjitha ishte sjellja në skenë që ta nguliste në kokë idenë e një Papavrami freakish. E kisha ndjekur në një rast në sallën e TOB-it. Qëllova që isha i ulur në rreshtat e parë, dhe imagjinatën time, krahas tingujve të violinës, e nduknin edhe lëvizjet e tij, këmbët paksa të hapura, si të kërkonte mbështetje më të sigurt për trupin e hajthëm në çastet e përhumbjes skenike, sytë pothuajse të mbyllur që ndiqnin pikën e lëvizshme të kontaktit të harkut me telat e violinës, fragmente grimasash që i përvijoheshin mbi fytyrë me ritmin e lëvizjes së harkut, fiksimi pas bluzës gjysmë golf në ngjyrë të errët, dhe përqendrimi tek ajo që bënte deri në nivele dalldie. Ishte një përqendrim i tillë sa të bëhej të besoje se në ato momente ai ishte thjesht një vrundull instinktesh, asgjë tjetër. Teksa ishte duke luajtur, vështrimi i një vajze nuk besohej se kishte ndonjë ndryshim kushedi se çfarë prej një ploje që mund t’i ndodhte mú te këmbët. Kështu dukej. Mirëpo, në të vërtetë nuk ishte kështu. Ma tha vetë gjatë bisedës në studio. Më tha – nuk po e citoj germë për germë, të merremi vesh – se pavarësisht përhumbjes, ndoshta pikërisht prej përhumbjes, ai arrinte të kishte nën kontroll gjithë sallën. Për më tepër, vështrimi i një vajze të bukur, të ulur diku në sallë, nuk do të mund t’i ikte vëmendjes së tij.

Tedi Papavrami, për befasinë time, ishte i kollajtë dhe i rehatshëm. Ta bënte çdo gjë të lehtë. M’u deshën vetëm pak sekonda për t’i shpjeguar lojën me foto, teksa komunikuam me email. Dhe më duhet të them se me të kam bërë një nga bisedat më të mira në Deja Vu. Ishte gjithçka spontane dhe e vetvetishme, sido që ishim marrë vesh për fotot. Madje, ajo bisedë me të, në televizion, përpara kamerave, ka qenë një nga bisedat më të mira që unë kam bërë me dikë në jetën time. Çdo gjë rrodhi në një mënyrë që unë s’e kisha menduar, aq sa zura të vuaja pse isha moderatori i programit, e pse nuk do kisha mundësi që atë intervistë ta ndiqja si spektator. Ishte e gjitha meritë e tij.

Unë nuk e di nëse violinistët në përgjithësi kanë ndonjë disponim intelektiv (mendja ma thotë se nuk është e thënë të kenë; me fjalë të tjera, mund të jesh një violinist i shkëlqyer pa pasur ndonjë marrëdhënie të ngrohtë e miqësore me botën e librave), por Papavrami bën pjesë tek ata artistë që kanë edhe interesa të natyrës kulturore; kulturore në kuptimin e gjerë të fjalës. Unë gjeta tek ai një njeri që informohej mbi atë që ndodhte në botë. Ai kishte qëndrime të vetat mbi ngjarje, dukuri e personalitete të ndryshme.

Ai përdor edhe penën në mënyrë të zhdërvjelltë. Është një njohës i mirë i gjuhës shqipe, por edhe i gjuhës frënge, në të cilën ka përkthyer edhe Kadarenë. Ishte një gjë që e kishte bërë me zell e pasion. E me kënaqësi. Me këtë kishte shkelur në një mbretëri tjetër. Kishte njohur më mirë edhe Kadarenë. Jo thjesht si njeri, por si autor. Duke e rilexuar, tanimë. Rileximi, në fakt, është një lexim më vete. Në ndonjë rrethanë është lexim e shkuar leximit. E prandaj, ai ngjante i eksituar prej kësaj përvoje. Nuk është se kjo e plotësonte (një violinist virtuoz është i plotësuar sa s’ka ku të shkojë më tepër). I jepte një përmasë tjetër, në të vërtetë. I zbulonte anë të tjera të botës. Dhe unë, teksa e shihja të mbushur prej kësaj përvoje, për një çast mendova: O Zot, mos ia jep truri të lërë violinën për fare, e të jepet pas shkrimeve e përkthimit! Por ishte një frikë idiote. Dhe e vagullt, fluturake, që zgjati aq sa zgjat një dridhje qepallash. Tedi Papavrami nuk mund ta lërë kurrë violinën. Do të ishte një atentat ndaj një rendi natyror të gjërave, një rebelim ndaj një urdhri të ardhur nga një botë transcendentale. Ai ka lindur për të qenë violinist. Të tjerat, edhe gjërat më të rëndësishme të kësaj bote, vijnë pas kësaj. Kështu më duket mua, të kuptohemi. Sepse vetë Papavrami mund të mendojë: Çfarë thotë ky? Është në vete, apo jo?

Papavrami ishte i tërhequr prej Shqipërisë. Më i tërhequr se sa mund të mendohet. Mund të duket, në fakt, se një njeriu që ka kapur suksesin nëpër botë nuk ka se ç’i duhet më vendi i tij i vogël, i varfër, i mjerë. Nuk do ishte çudi që të ishte kështu. Dhe në raste të ndryshme, është pikërisht kështu. Por ky nuk është rasti i Papavramit. Nuk është se kam folur gjatë me të mbi këtë temë, por fakti që ai vjen herë pas here në Tiranë, fakti që ai ndjek me interes lëvizjet e zhvillimet në Shqipëri, fakti që fansat e tij në Shqipëri, edhe pse nuk bëjnë pjesë te violinëdashësit më të stërholluar që mund të gjenden mbi faqe të dheut, mbeten prapëseprapë të rëndësishëm për të, tregon se ky vend vazhdon t’i japë diçka që askund tjetër nuk mund ta gjejë. Por në këtë mes nuk ka ndonjë mister. Është magjia e vendlindjes.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.