Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Si vdiq Hysni Kapo

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,951
Nga Isuf Kalo

Pjesa VI

Kam pasur rastin ta njoh nga afër Hysni Kapon. Kam qenë mjek personal i tij në vitet 1971 – 1973, meqenëse edhe ai vuante nga diabeti. E kam shoqëruar atë si mjek edhe gjatë shërbimeve në disa rrethe e qytete të vendit. Madje në pranverën e vitit 1974, edhe në Francë, për një problem shëndetësor, por nuk isha pjesëtar në ekipin mjekësor që e shoqëroi atë së fundmi në Paris.

Mjeku që në fakt e ka ndjekur më gjatë, thuajse gjithë jetës Hysniun si pacient, që nga koha kur atij iu shfaq diabeti e deri në çastet e fundit të vdekjes së tij në Paris, ka qenë profesor Fejzi Hoxha. Hysniu kishte vlerësim dhe respekt maksimal për të, megjithatë nuk di, pse çuditërisht, ai nuk përmendet nga ata që kanë shkruar ose folur për sëmundjen dhe vdekjen e Hysniut. Profesor Hoxha u dërgua posaçërisht, me urdhër të Enverit, si më i besuari i tij, për të qëndruar pranë Hysniut në spitalin Bruse të Parisit. Me të ishte edhe ministri i Shëndetësisë, profesor Llambi Ziçishti, mik dhe krushk me Kapot, sepse vajza e tij ishte martuar me djalin e Tanës, motrës së Vitos. Në shkrimet e prof. Ziçishtit thuhet se Hysniu e priti ardhjen e profesor Hoxhës me shumë kënaqësi.

Sëmundja që i mori jetën Hysniut iu shfaq në fund të korrikut 1979, ndërkohë që ai ndodhej me pushime në Pogradec, në vilën ngjitur me atë të Enverit. Fillimisht ajo u diagnostikua si kolecistit akut (infeksion i tëmthit) dhe duke parë se ai nuk po mposhtej me antibiotikë, pas një konsulte të zgjeruar mes patologëve dhe kirurgëve tanë më të mirë u sugjerua, që Hysniu të transportohej në Tiranë për t’u operuar atje. Duhet thënë se asokohe te ne nuk kishte aparat ekografie, as skaner, pajisje të domosdoshme për të diagnostikuar saktë raste të tilla. Ndodhi që edhe Enveri ato ditë pati një katar të rrugëve të frymëmarrjes.

Enveri më porositi që ta informoja çdo ditë për ecurinë e gjendjes shëndetësore të Hysniut. Ndër mjekët kolegë që erdhën për ta vizituar, ishin edhe prof. Hoxha, prof. Petrit Gaçe, prof. Ylli Popa, madje dhe prof. Paparisto, i sjellë posaçërisht nga Tirana, si dhe dr. Dine Abazi, mjeku i tij. Prej tyre merrja informacion rregullisht.

Nuk e di çfarë e shtyu Enverin që, pa ndonjë propozim nga mjekët, çuditërisht të urdhëronte që Hysniu të dërgohej në Paris për t’u operuar atje. Them çuditërisht, sepse Enveri ishte parimisht kundër dërgimit jashtë shtetit për arsye mjekësore të cilitdo, madje në dy raste të problemeve të mëparshme shëndetësore të Hysniut, me gjithë propozimin e mjekeve (madje në një rast edhe nga profesor Miliezi) për dërgimin e tij jashtë shtetit, Enveri pati qenë personalisht kundër.

Hysniu mbërriti në Paris me një avion të posaçëm francez më 7 gusht 1979, i shoqëruar nga një kontingjent i madh personeli shëndetësor, anëtarë të familjes, punonjës shërbimi, shoferë, oficerë, truprojë e diplomatë. Më vonë, përveç ministrit Ziçishti, aty do të mbërrinin për ta mbështetur edhe dy anëtarë të Byrosë Politike, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu.

Spitali Bruse vështirë se do të ketë pasur ndonjëherë aq shumë persona shoqërues të dërguar jashtë vendit nga shteti për një të sëmurë të shtruar në të. Që natën e mbërritjes, pas ekzaminimit ekografik të kryer me urgjencë, doli në pah se problemi ishte shumë më i rëndë e më i rrezikshëm sesa kolecistiti. Në ekografinë e parë, fill pas mbërritjes në spitalin francez, rezultuan tumore të dyshimtë, për cist dhe kancer të pankreasit, me përhapje në mëlçi dhe në gjëndrat e barkut.

Për shkak të keqësimit të shpejtë të gjendjes, profesor Aleksandri dhe ekipi i tij kirurgjikal vendosën ta operonin që atë natë. Pasi bisturia hapi trupin e tij, metastazat shikoheshin qartë me sy. Një situatë e tillë, sipas kirurgut francez, profesor Aleksandrit, ishte krejt e pashpresë. Prandaj operacioni i parë u bë i pjesshëm.

Po atë natë u njoftua urgjentisht me radiogram Enveri, i cili ishte ende në Pogradec. Fytyrëngrysur ai doli i tronditur vetëm të ecte në rrugën jashtë vilës, në gjysmerrësirë, ndonëse frynte pak erë. Enveri më thirri po atë natë që të interpretoja njoftimin ku përmendej edhe dyshimi cist në mëlçi. U tregova i sinqertë me të, por duke u përpjekur të mos e traumatizoja. Sidoqoftë, i thashë, në raste të tillë diagnoza e sigurt vendoset nga biopsia, e cila zgjat, sepse kërkon disa ditë. Të nesërmen, më 8 gusht në mëngjes më thirri përsëri dhe biseduam rreth gjysmë ore për situatën shëndetësore të Hysniut. Ishte në ankth, shumë i shqetësuar dhe i pikëlluar.

Po atë ditë, më 8 gusht, me urdhër të Enverit u nisën në Paris profesor Fejzi Hoxha, si autoritet dhe mjek personal i hershëm i Hysniut, si dhe ministri Ziçishti, me porosinë që për t’i ruajtur nga tronditja psikologjike, diagnoza fatale e kancerit, si dhe arsyeja e operacionit dhe rezultati i tij, të mos i thuhej në asnjë mënyrë Hysniut e as Vitos. Të nesërmen më 9 gusht, vetë Enveri pati një përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore. Në mbrëmje, gjatë vizitës dhe regjistrimit të elektrokardiogramit që i bëra, iu shfaqën shpeshtime të rrahjeve të zemrës dhe ekstrasistola. Situata ishte e pasigurt, prandaj iu rekomandua kthimi në Tiranë.

Hysniu e kaloi relativisht mirë fazën e parë pas operacionit, por më pas gjendja u rëndua progresivisht. Ndërkohë, Enveri ish kthyer në Tiranë dhe unë rastisa të vihesha në dijeni të zhvillimeve kryesore atje, sepse m’u dhanë disa nga radiogramet dhe letrat që i vinin Enverit nga Parisi me analizat, ekzaminimet dhe procedurat që kryheshin për Hysniun. Një herë bashkë me Mehmetin, më thirri në zyrën e tij, në ndërtesën e Komitetit Qendror t’ua komentoja ato nga ana mjekësore. Ata të dy e ndoqën me shumë emocion, me dhembje dhe përkushtim të thellë, ndonjëherë edhe të përlotur, fundin e tij.

Rreth 20 ditë pas operacionit të parë, meqenëse gjendja po përkeqësohej me sa mbaj mend u hodh në diskutim ideja e një ndërhyrjeje radikale për heqjen e gjithçkaje të dyshuar si e prekur nga kanceri. Ky opsion ishte i mundshëm nga ana profesionale, sepse profesor Aleksandri kishte aftësitë dhe përvojën e duhur për ta kryer dhe, nëse do të ishte i suksesshëm, mund të krijonte shpresë për t’ia zgjatur pacientit jetën maksimumi dy vite.

Por në rastin konkret, gjendja shëndetësore e Hysniut përmbante rreziqe të shumta reale, për shkak të disa sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore të tjera që ai vuante dhe mjekohej më parë. Operacioni i gjerë do të ishte shumë traumatik dhe pa dashur, në vend që t’ia largonte dy vjet mund edhe t’ia afronte vdekjen. Dilema ishte nëse duhej provuar shansi i operacionit radikal (me rezervën e rreziqeve që përmbante), apo Hysniu pa asnjë shpresë tjetër, të kthehej në Shqipëri (së bashku me shoqëruesit), për të vdekur pranë popullit dhe njerëzve të tij. Besoj se kjo do të ketë qenë edhe dëshira e Hysniut.

Enveri dhe Mehmeti më thirrën në Komitetin Qendror dhe më njohën me informacionin e fundit në lidhje me opsionet dhe dilemën që kish ekipi mjekësor në Paris. Të dy qëndronin të heshtur, ulur përballë njëri-tjetrit, të menduar e të pavendosur. Duke mos qenë as kirurg as onkolog qëndrova edhe unë gjithashtu disa çaste në pritje, i heshtur dhe i ndrojtur.

Por Enveri i vrenjtur në fytyrë, u ngrit, eci ca hapa mendueshëm në zyrë dhe hodhi një vështrim drejt meje teksa qëndroja në këmbë. Pashë i habitur që atij i dridhej buza e poshtme, mbyturazi, si në një ngashërim pa zë. Unë shtanga. U preka shumë. Nuk e kisha parë dhe as e pashë asnjëherë më pas atë në një tronditje të tillë. Ndjeva se duhej të thosha diçka si mjek. Atëherë me hezitim, si duke mërmëritur thashë: “Është e vështirë të parashikohen zhvillimet e mëtejshme, por nëse shoku Hysni duhet të kthehet i gjallë në Shqipëri, ndoshta momenti më i volitshëm është tani. Po u rëndua më tej gjendja, kjo do të jetë e pamundur”. Mirëpo fjalët e mia “nuk ngjitën”. Mehmeti ndërhyri menjëherë vrullshëm dhe me ton kategorik kundërshtoi: “Jo. Në asnjë mënyrë! Po ta sjellim tani në gjendje më të rëndë nga ç’ishte kur vajti, Hysniu do ta kuptojë që bëhet fjalë për sëmundje të pashërueshme. Atij dhe Vitos duhet t’ia mbajmë medoemos sekret diagnozën, që t’ua kursejmë tronditjen”. Enveri qëndroi i heshtur, as miratoi, as kundërshtoi.

Vendimin mund ta kenë marrë dhe komunikuar më pas. Siç mësova më vonë, operacioni radikal u krye me shpresë se Hysniut mund t’i shtoheshin dy vite jetë. Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, u urdhërua përsëri që Hysniut dhe Vitos të mos i thuhej diagnoza dhe as fati i mëtejshëm i pritshëm i operacionit.

Në këtë kontekst, kërkesës së kirurgut francez, që të informoheshin paraprakisht sipas rregullit pacienti dhe bashkëshortja e tij që në ndërhyrjen e parë, për çfarë dhe pse do të bëhej, si dhe të merrej miratimi i tyre, iu kundërvu ministri ynë i Shëndetësisë, i cili sipas urdhrit që kishte marrë nga Tirana e mori vetë përgjegjësinë e moskomunikimit me pacientin dhe familjarët për të marrë pëlqimin prej tyre.

Francezët nuk këmbëngulën më tej dhe e kryen edhe operacionin e gjerë, pa informuar as pacientin, as të shoqen se çfarë panë brenda trupit të pacientit dhe çfarë bënë. Ky ishte gabim etik i tyre. Ai do të ishte shmangur sikur libri “Të ndryshojmë vdekjen”, i botuar në vitin 1978 nga kancerologu francez, prof. Leon Schwarsenberg dhe gazetari i “Le Monde” Pierre Viansson Ponte, do të qe shndërruar në vitin 1979, kur ndodhi kjo ngjarje, në kod imperativ për mjekët francezë në trajtimin e të sëmurëve me diagnoza të pashpresa. Pak kohë më pas u ligjërua në Francë njoftimi i domosdoshëm personalisht i të sëmurëve të diagnostikuar me kancer, qofshin dhe në faza fatale, dhe vetëm me lejen e tyre dhe të familjarëve apo të personave të tjerë të caktuar prej tyre mund të ndërhyhej.

Në fakt, i gjithë ekipi i mjekëve shqiptarë që shoqëroi Hysniun dinte gjithçka që u bë dhe pse u bë, por edhe ata morën porosi të mos informonin as pacientin dhe as familjarët. Llambi Ziçishti i ka dëshmuar me hollësi këto në ditarin që ai ka mbajtur çdo ditë gjatë qëndrimit në Paris. Ky kujdes i tepruar psikologjik për të mbajtur sekret diagnozën dhe për të mos e tronditur shpirtërisht Hysniun dhe Viton, ndonëse nisej nga qëllimi i mirë i dy udhëheqësve kryesorë, rezultoi më pas me pasoja bumerangu dhe e mediatizoi pas gati 40 vitesh vdekjen e tij.

Hysni Kapo ishte minimalisht personi nr. 3 i nomenklaturës më të lartë dhe më i besuari i Enverit, i konsideruar me “besnikëri çelniku”. Ai, me qetësinë në komunikim dhe me mirëkuptimin që e karakterizonte, nuk besoj se do të kishte shprehur dyshime për keqbërje të qëllimshme ndaj kujtdo prej atyre, që i shërbyen me profesionalizëm dhe devocion dhe bënë më të mirën e mundshme për ta mjekuar atë.

Pavarësisht nga niveli i afeksionit të shfaqur nga Ramizi për çfarë ndodhi, zhvillimet e mëpasme mediatike, me dyshimet pasionante mjegullore për vdekjen e Hysniut, është vështirë të thuhet se i shtuan diçka të dobishme imazhit, figurës dhe kujtimit të tij. Përkundrazi! Ato padashur bënë që Hysniu të identifikohet e përmendet ende kryesisht për vdekjen sesa për jetën e tij.

Nga ana tjetër, vdekja e Hysniut, në një moshë më të re se Mehmeti, u komentua e u bë objekt hamendësimesh sikur Enveri ndryshoi planet e fshehta për pasardhësin. Mehmeti, ndërkohë ishte pothuajse maniak në përkujdesjet për shëndetin e vet. Ai mbante dietë rigoroze antisklerotike në ushqim, bënte ecje me hapa të shpejta çdo ditë, shkonte për gjueti çdo fund jave për t’u qetësuar nga stresi, maste tensionin arterial një ose disa herë në ditë dhe bënte rregullisht elektrokardiogram me ose pa shqetësime. Shëndeti i mirë ishte prioritet dhe avantazhi i tij për ngjitjen në majën e pushtetit, ndërkohë që mohimi ia vështirësonte heshturazi çdo ditë e më shumë arritjen e saj.

Ai ishte si ata lojtarët rezervë të futbollit që presin në stol, që të paduruar ngrihen e bëjnë vrap paraprak jashtë fushës që të jenë fizikisht në formë, të gatshëm të hyjnë menjëherë në lojë sapo t’u vijë rasti. Pavarësisht se pasardhës thuajse i shpallur i Enverit ishte Mehmeti, mënyra se si Nexhmija (që zakonisht ishte e përmbajtur dhe e ngurtë) e qau Hysniun me lot e ligje shpërthyese, sikur të ishte labe, duke e thirrur “o vëlla, o vëlla”, zbuloi pa dashur, se cilin prej tyre, mes Mehmetit dhe Hysniut do të kishte preferuar dhe shpresuar ajo, që të ishte pasardhësi i Enverit. Po të varej prej saj, me siguri pasardhësi i Enverit do të ishte Hysniu.

Këtë e dinin ose e ndienin të pathënë, të pashkruar, por të nënkuptuar, si Nexhmija ashtu edhe Vitoja. Ato ishin miqësuar e lidhur aq shumë mes tyre, e jo rastësisht e mbanin më larg, në marrëdhënie më të ftohta Fiqireten, të shoqen e Mehmetit. Vdekja e Hysniut, veç të tjerash, mundet t’ia ketë shuar shpresat dhe shansin Nexhmijes për të pasur një besnik si “vëllai Hysni” pasardhës të Enverit.

Ndoshta u “shua” kështu edhe ndonjë ëndërr e përligjur e Vitos, e cila e vuajti humbjen e Hysniut, jo vetëm si të njeriut më të afërt e më të dashur të jetës, por edhe si humbje e një shansi për udhëheqësin e duhur të nesërm të Shqipërisë. Për Ramizin, vdekja e tij qe një ngjarje e pritshme, pavarësisht se bëhej fjalë për një ndër shokët e Byrosë Politike. Vetëm kaq.

Gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen e Ramizit në kufijtë deri të ftohtësisë si tipar, jo i qëllimtë e jo armiqësor, por karakterial i tij, i dëshmuar në rastin e vdekjes së Hysniut, do e ndieja edhe unë pak kohë më pas në kontaktet me të, lidhur me problemet shëndetësore të Enverit. Atëherë Mehmeti ishte ende gjallë dhe dukej të ishte pas vdekjes së Hysniut më i fuqishëm, i padiskutueshëm dhe i konfirmuar përfundimisht si pasardhësi i Enverit.

Mirëpo situata ndryshoi në mënyrë të paparashikuar. Ramizi u bë i mbrojtur dhe i fuqishëm po aq sa Mehmeti, sepse prej pesë vite, përveç të tjerave, kishte hyrë në rrethin familjar të Enverit dhe Nexhmijes si krushk i tyre. Gjatë kohës që Enveri qëndronte me pushime në Pogradec në verën e vitit 1981, vizitat e Ramizit për çështje pune dhe drekat së bashku me Enverin aty ishin shumë më të shpeshta dhe më të zgjatura sesa të udhëheqësve të tjerë. Dreka e fundit e Mehmetit me Enverin në Volorek të Pogradecit ishte më 26 korrik 1981.

Ajo u zhvillua si zakonisht mjaft e përzemërt mes tyre. Në të, Mehmeti nuk e përmendi fejesën “e gabuar” të të birit. Por më 8 gusht atje erdhi Ramiz Alia, dhe drekoi në Volorek me Enverin. Kurse më 11 gusht nuk dihet pse erdhën aty Hekuran Isai dhe Simon Stefani, të dy të njohur si shumë të afërt të Ramizit. Çfarë biseduan ata me Enverin? Çfarë mesazhi i sollën apo morën vallë prej tij? Në mbrëmje, pasi ata ikën, Nexhmija më thirri ta vizitoja Enverin. Ndiente vështirësi në frymëmarrje dhe në elektrokardiogram rrahje të shpeshta dhe të çrregullta të zemrës Për disa minuta i dhamë edhe oksigjen me maskë.

Duhej të ktheheshim në Tiranë. U kthyem në fund të gushtit për të përjetuar më pas ngjarjen më enigmatike dhe më tronditëse në historinë e atij regjimi, e cila do e përmbyste dhe do i kushtonte jetën kryeministrit shqiptar. Historia nuk habitet me zhvillime të tilla. Ajo ka dëshmuar se “shumë nga ndodhitë madhore të saj, janë reflektime intime të afrimeve, simpative ose mërive dhe konflikteve njerëzore”.

(Vijon)

Botuar në Dita me lejen e autorit nga libri i sapodalë në treg BLLOKU, botim i UET Press. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen me shkrim të autorit.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.