Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Thërrmiza e Vogël

Harrakati

Anetar i ri
ANETAR ✓
Regjistruar më
Nën 29, 2020
Mesazhe
1,058
12744472_10154471651897656_4069921239994337688_n.png



Njëherë e një kohë ,në një stan ,banonte një bari. Ai kishte një kope më dele,një lëndinë ku i kulloste,një shtëpi të vogël prej druri ,dy djem dhe një vajzë të vogël. Bariu punonte gjithë ditën ,dhe lodhej shumë ,sepse nuk kishte askënd që ta ndihmonte. Gruaja i kishte vdekur shumë vite më parë ,kurse djemtë ishin shumë dembela dhe ja linin të gjitha punët motrës së tyre të vogël. Bariu nisej çdo mëngjes të kulloste delet,dhe kthehej në mbrëmje vonë i uritur ,ulej në sofër dhe thërriste djalin e madh.

"O bir ,më shtro sofrën", i thoshte bariu djalit të madh .

"Unë jam shumë i lodhur o im atë" ,thoshte djali i madh ,"gjithë ditën kam vrapuar fushave me shokët ,dhe nuk kam më fuqi".

Atëherë bariu thërriste djalin e mesëm.

"O bir ,më shtro sofrën" ,i thoshte bariu.

"Unë jam shumë i lodhur o im atë",thoshte djali i mesëm,"Gjithë ditën ditën kam kapërcyer gardhet me shokët ,dhe tani nuk kam më fuqi".

Atëherë bariu thërriste të bijën .

"O bijë,më shtro sofrën", thoshte bariu .

Bija e vogël çohej menjëherë ,dhe i shtronte sofrën të atit.Bariu i lodhur hante gjysmën e ushqimit ,dhe binte të flinte. Sapo e zinte gjumi ,afroheshin tinëz dy djemtë e tij, dhe hanin ushqimin që kish mbetur mbi tryezë. Kur vëllezërit shkonin të flinin me barkun plot,motra e vogël ulej në sofër dhe hante thërrimet që kishin mbetur. Kështu ,për shkak se ushqehej me thërrime ,të gjithë nisën ta thërrisnin "Thërrmiza e Vogël".

Vitet kalonin njëri pas tjetrit,dhe dukej sikur asgjë nuk do të ndryshonte.Por një ditë ,bariu plak u sëmur,dhe zuri shtratin. Pasi e pa që nuk po shërohej,ai thirri djalin e madh,dhe i dha një fuçi me djathë.

"Biri im,unë po vdes",tha bariu,"ti je shumë dembel,dhe pasi unë të kem vdekur,me siguri do të vdesësh nga uria. Pra,merr këtë fuçi me djathë ,edhe nisu për udhë. Tri male prej këtej ,në një kullë të mermertë,do të takosh një zonjë të fisme. Ajo ka tri karroca. Karroca e parë është e mbushur me ar,karroca e dytë është e mbushur me argjend,karroca e tretë është e mbushur me gurë. Kur ta takosh zonjën i thuaj se unë i bëj të fala,dhe i çoj këtë fuçi me djathë. Zonja do të gëzohet shumë ,dhe do të ofroj njërën prej tri karrocave. Por ti mos lakmo as arin dhe as argjendin,por merr karrocën e mbushur me gurë,dhe ajo do të na bëjë ta pasur".

Djali i madh,sapo dëgjoi fjalët e të atit ,rrëmbeu fuçinë me djathë ,e hodhi mbi kurriz dhe vrapoi tek kulla e zonjës. Kulla ishte e mbuluar me myshk,dhe trëndafilat skuqnin ngado. Aty pranë ishte një burim me ujë të freskët. Zonja sillej rreth trëndafilave dhe i ujiste me një ibrik prej ari. Në një cep të oborrit ,ndodheshin edhe tri karrocat për të cilat i kish folur i ati. Karroca e mbushur me ar, karroca e mbushur me argjend, dhe karroca e mbushur me gurë.

"Mirëdita, o zonjë e fisme" ,tha djali".

"Mirëdita, or djalë" ,tha zonja e fisme,"pa më thuaj nga vjen dhe ku shkon"?

"Vij nga stanet",tha djali i madh,"im atë ju bën të fala dhe ju çon këtë fuçi me djathë si dhuratë".

"Të fala paste yt atë",tha zonja e fisme,"Dhe tani zgjidh njërën prej tri karrocave".

Djalit ju kujtua porosia e të atit,që të zgjidhte karrocën me gurë , dhe tha me vete "Im atë është i marrë. Përse na duhet karroca me gurë? Mos vallë gurët do të na bëjnë të pasur? Jo,unë do të marr karrocën me ar,por nuk do të kthehem tek im atë ,sepse nuk dua ta ndaj arin me familjen time".

Kështu djali i madh mori karrocën me ar,dhe zgjodhi rrugën e kundërt me shtëpinë. Ec e ec,na i dolën përpara 12 hajdutë ,me 12 mjekra dhe 12 shpata të gjata.Djali vrapoi me sa i hanin këmbët, derisa arriti buzë një lumi. Lumi ishte i rrëmbyer ,dhe ai nuk e kapërcente dot. Hajdutët e arritën, e përlanë me gjithë karrocë ,dhe e çuan në shpellën e tyre.

"Tani or djalë do të rrish këtu në shpellë dhe do të lash rrobat tona ditë natë" ,i thanë hajdutët. "Do të kesh shumë punë ,sepse ne bredhim gjithë ditën rrugëve dhe rrobat na bëhen gjithë pluhur dhe baltë".

Kështu djali i madh ndenji në shpellë me hajdutët ,dhe lante rrobat e tyre. Kaluan disa ditë. Djali i madh nuk po kthehej ,dhe bariu e kuptoi çfarë kish ndodhur . Atëherë thirri djalin e mesëm, i dha një fuçi me gjalpë,i tregoi për tri karrocat dhe e porositi që të zgjidhte karrocën më gurë.
Djali i mesëm hodhi mbi shpinë fuçinë me gjalpë ,dhe vrapoi tek kulla e zonjës .Zonja po ujiste trëndafilat me një ibrik prej argjendi.Aty pranë ishin dy karroca,njëra me argjend,dhe tjetra me gurë .

"Mirëdita o zonjë e fisme",tha djali

"Mirëdita or djalë",tha zonja ,"nga vjen dhe ku shkon"?

"Vij nga stanet",tha djali,"im atë ju bën të fala,dhe ju çon këtë fuçi me gjalpë".

"Të fala pastë yt atë" ,tha zonja,"ja, këtu kanë mbetur dy karroca,njëra me argjend dhe tjetra më gurë Zgjidhe njërën prej tyre".

Djalit ju kujtua porosia e të atit,që të zgjidhte karrocën me gurë ,dhe qeshi.

"Im atë është i marrë",tha djali me vete,"e përse na duhet karroca me gurë? A mos vallë gurët do të na bëjnë të pasur? Jo,unë do të marr karrocën me argjend. Por nuk do të kthehem në shtëpi ,sepse nuk dua ta ndaj argjendin me familjen time".

Kështu djali i mesëm zgjodhi karrocën me argjend,dhe pasi e falënderoi zonjën,mori rrugën e kundërt me shtëpinë. Ec e ec, na i dolën përpara 12 hajdutët. Djali vrapoi me sa i hanin këmbët derisa mbërriti në breg të lumit. Aty ndaloi,sepse lumi ishte shumë i rrëmbyer,dhe ai nuk e kapërcente dot. Hajdutët e arritën ,e përlanë me gjithë karrocë ,dhe e çuan në shpellën e tyre.

"Tani or djalë do të rrish këtu në shpellë ,dhe do të gatuash gjellën për ne", i thanë hajdutët",Do të kesh shumë punë ,sepse ne bredhim gjithë ditën rrugëve ,dhe kthehemi në shpellë shumë të uritur".

Kështu djali i mesëm ndenji në shpellë me hajdutët ,dhe çdo ditë gatuante ushqimin për ta.

Kaluan disa ditë. Bariu plak po priste të kthehej i biri,por ai nuk po dukej,dhe bariu nisi të qante nga dëshpërimi.Thërrmizes, vajzës së tij të vogël, i erdhi shumë keq për të atin.

"Mos qaj,o im atë" ,tha Thërrmiza e Vogël, "sepse unë do të nisem që tani, dhe do t'i gjej vëllezërit e mij kudo që të jenë. Të premtoj se ata do të kthehen në shtëpi,përpara se të perëndoj dielli".

Bariu u gëzua shumë,dhe pastaj e urdhëroi të bijën ti sillte të gjithë qengjat e porsalindur. Vajza i mori të gjithë qengjat ,dhe ja coi bariut tek shtrati. Bariu zgjodhi njërin prej tyre dhe i tha Thërrmizës tja conte zonjës së fisme, që ta hante për darkë.Thërrmiza e hodhi qengjin mbi shpinë ,dhe u nis tek kulla e zonjës. Kur arriti aty e gjeti zonjën duke ujitur trëndafilat e saj me një ibrik prej guri.

"Nga vjen dhe ku shkon ,o vajzë e vogël?" ,tha zonja e fisme.

"Vij nga stanet",tha Thërrmiza e Vogël," Im atë ju bën të fala,dhe ju çon këtë qengj që ta hani për darkë".

Zonja e fisme u afrua ,e mori qengjin,dhe e puthi. Pastaj zbërtheu trikon e saj, nxorri gjirin e majtë dhe nisi ta ushqente qengjin me qumështin e saj. Sa hap e mbyll sytë ,qengji i vogël u kthye në një djalë të bukur me kaçurrela të arta.

"Faleminderit o vajzë e vogël" ,tha zonja, ". Ti ma riktheve përsëri tim bir. Ja, flokët e tij te arta do të rriten ,dhe unë do t'i pres,do të thurr një triko me to,dhe do tja vesh tim biri. Trikoja me flokë të arta do ta mbrojë nga mallkimet ,dhe kështu askush nuk do ta ndajë më prej meje. Do të kisha dëshirë të të jepja shumë flori dhe argjend, por,për fat të keq,këtu ka mbetur vetëm një karrocë me gurë. Unë nuk kam çfarë të të jap tjetër, veç saj".

"O, sa mirë",tha Thërrmiza e Vogël ,"unë për atë karrocë kam ardhur".

Zonja buzëqeshi,dhe u gëzua që vajza nuk i përçmoi gurët,ashtu siç bënë vëllezërit e saj.

"Dëgjo o vajzë e vogël ",tha zonja," meqenëse ti nuk e përçmove karrocën me gurë ,unë po të rrëfej sekretin e saj. Kjo karrocë është një karrocë magjike,që e gjen vetë rrugën. Mjafton që ti thuash ku dëshiron të shkosh ,dhe karroca niset menjëherë për aty. Edhe gurët e saj janë gurë magjike. Sa herë që të jesh në vështirësi ,hap derën e karrocës ,thuaj fjalët "gur-gur",dhe gurët do të vijnë në ndihmë".

Vajza e vogël e mori karrocën me gurë ,dhe pasi e falënderoi zonjën e fisme,i tha karrocës që ta çonte tek vëllezërit e saj. Karroca u rrotullua dhe mori rrugën e kundërt me shtëpinë. Thërrmiza e ndiqte pas. Sa herë që vajza e vogël lodhej ,dhe ndalej të pushonte,ndalonte dhe karroca. Kur vajza çohej dhe niste udhën ,nisej dhe karroca.Pasi kishin arritur në gjysmë të rrugës ,u dolën përpara 12 hajdutët. Vajza vrapoi me sa i hanin këmbët ,derisa mbërriti në breg të lumit. Lumi ishte shumë i rrëmbyer ,dhe ajo nuk e kapërcente dot. Befas,ju kujtua porosia e zonjës së fisme,dhe pasi hapi derën e karrocës,tha fjalët magjike "gur-gur, bëhu urë".

Menjëherë gjysma e gurëve kërcyen nga karroca,dhe formuan një urë mbi lumë. Vajza hypi mbi urë, dhe kaloi matanë. Hajdutët që po e ndiqnin,erdhën më vrap, dhe hypen dhe ata mbi urë ,por ura u shemb dhe hajdutët ranë në lumë dhe u mbytën. Thërrmiza u trishtua ,sepse ajo nuk donte që hajdutët të vdisnin,por nuk pati çfarë të bënte,dhe kështu e urdhëroi përsëri karrocën që ta çonte tek vëllezërit e saj. Karroca u rrotullua,dhe deshi te hynte në lumë ,dhe të dilte në bregun tjetër. Thërrmiza e urdhëroi të ndalonte. Karroca ndaloi. Thërrmiza e urdhëroi tri herë të tjera që ta conte tek vëllezërit e saj,dhe karroca të trija herët deshi të hynte në lumë. Vajza nuk po kuptonte çfarë po ndodhte ,dhe përse karroca donte ti conte përsëri në bregun nga kishin ardhur. Në fund, e urdhëroi karrocën ti çonte ku të donte,dhe karroca u kthye mbrapsht,dhe morri një rrugë të panjohur. Ec e ec,na mbërriten tek një shtëpi e rrumbullakët prej druri.Një gjigant banonte aty. Shpatullat e gjigantit dilnin mbi muret,dhe çatia varej mbi kokën e tij si kapele. Gjiganti po qante.

"Përse po qan, or gjigant?" ,tha vajza e vogël .

"Qaj,sepse sa herë që ngre çatinë ,harroj që e kam ngritur",tha gjiganti,"Atëherë i bie me kokë ,dhe çatia shkulet dhe varet mbi kokën time si kapele. Njerëzit më shohin ,dhe qeshin me mua".

"Mos qaj ,or gjigant" ,tha vajza,"unë do të ndihmoj".

Pastaj hapi derën e karrocës, dhe tha fjalët magjike "gur - gur ,hyp mbi mur",dhe gjysma e gurëve hipën mbi mur dhe formuan një çati të fortë. Kur gjiganti i ra me kokë ,çatia nuk luajti vendit. Gjiganti i gëzuar,nxori kokën nga dritarja.

"Faleminderit o vajzë e vogël" ,tha gjiganti ,"dhe tani më thuaj si të quajnë"?.

"Mua më quajnë Thërrmiza e Vogël ",tha vajza.

"Sa emër i bukur,"tha gjiganti ,"pa më thuaj Thërrmizë e Vogël ,për ku je nisur kështu"?

"Jam nisur të kërkoj vëllezërit e mij",tha Thërrmiza,"ata shkuan tek kulla e zonjës së fisme,që të merrnin karrocat magjike ,por nuk u kthyen më. Im atë nisi të qante,dhe mua më erdhi shumë keq për të,dhe i premtova se do t'i sillja vëllezërit në shtëpi përpara se të perëndonte dielli. Kështu u nisa vetë për tek kulla e zonjës ,dhe ajo më dha këtë karrocë magjike që e gjen vetë rrugën,të mbushur me gurë magjikë . Rrugës më ndoqën hajdutët ,dhe unë ika me sa më hanin këmbët ,dhe mbërrita në breg të lumit. Aty i thirra gurëve magjike për ndihmë ,dhe ata formuan një urë mbi lumë. Unë u hodha mbi urën, dhe kalova matanë. Hajdutët erdhën pas meje,dhe kërcyen mbi urë ,por ura u shemb ,dhe hajdutët u mbytën në lumë. Pas kësaj i kërkova karrocës të më çonte tek vëllezërit e mij,por karroca u kthye mbrapsht dhe deshi të hynte në lumë. Ajo nuk po më bindet më ,dhe tani nuk kam se si ti gjej vëllezërit e mij".

"Dëgjo, Thërrmizë e Vogël ",tha gjiganti ," vëllezërit e tu janë mbyllur në shpellën e 12 hajdutëve që u mbytën në lumë. Shpella ndodhet në anën tjetër të lumit,ndaj karroca hyri në lumë kur e urdhërove të të çonte tek vëllezërit e tu. Shpella ka një portë të lartë prej guri,12 metra të lartë ,me një vrimë çelësi në majë. Njëri prej hajdutëve e mbante gjithmonë me vete çelësin e portës. Sa herë që hajdutët ktheheshin në shpellë ,ata hypnin mbi njëri - tjetrin dhe njëri prej tyre fuste çelësin tek vrima,dhe porta hapej".

Kur dëgjoi këto fjalë ,Thërrmiza u ul përtokë dhe nisi të qante.

"E shkreta unë ",tha ajo,"hajdutët u mbytën ,çelësin e mori lumi,dhe unë tani nuk kam si ti shpëtoj vëllezërit e mij".

"Mos qaj ,Thërrmizë e Vogël ",tha gjigandi,"unë do të ndihmoj",dhe nxorri nga xhepi një çelës ,dhe ja hodhi përpara këmbëve.

Thërrmiza e mori çelësin ,dhe nisi ta vështronte. Çelësi ishte shumë i bukur ,i punuar prej floriri dhe i stolisur me dy diamante.

"Ky është çelësi i erës ,që mund të hapi të gjitha portat e kësaj bote",tha gjiganti," mbreti i katër erërave ja dhuroi stërgjyshit tim,dhe unë po ta dhuroj ty.

"Faleminderit ",tha Thërrmiza e Vogël '"veç unë nuk kam si ta kapërcej lumin ,sepse nuk kam më gurë në karrocën time,që të ndërtoj një urë tjetër".

"Merr çatinë time prej druri dhe ngarkoje mbi karrocë ,"tha gjiganti,"kur të arrish në bregun tjerët, ktheje çatinë përmbys ,lëshoje në lumë dhe hyp mbi të ,ti dhe karroca jote. Çatia do të lundrojë tamam si një barkë e vogël ,dhe do tu çoj shëndoshë e mirë në bregun tjetër. Kur të arrish tek shpella ,thuaj fjalët magjike "çelës ,o çelës i erës ,hape portën e shpellës".Çelësi do të fluturojë dhe do të hyj tek vrima,dhe porta do të hapet. Por, kij kujdes sepse porta e shpellës do të rrijë e hapur vetëm për tri orë. Nëse pas tri orëve nuk do të kesh dalë prej andej ,porta do të mbyllet ,çelësi do të zhduket,dhe do ti do të mbetesh e mbyllur në shpellë përgjithmonë.Udhë të mbarë, Thërrmizë e Vogël ,dhe mos i harro fjalët e mija".

Thërrmiza,pasi e falënderoi gjigantin ,e futi çelësin në xhep,ngarkoi çatinë mbi karrocë dhe e urdhëroi karrocën ti conte në breg të lumit. Sapo mbërritën aty,e shtyu çatinë prej druri në ujë ,dhe kërceu mbi të bashkë me karrocën. Catia pluskonte tamam si një barkë e vogël, dhe i coi shëndoshë e mirë në bregun tjetër. Kur mbërriti tek shpella,vajza pa se porta e shpellës ishte prej guri të lëmuar,dhe në majë të portës ndodhej vrima e çelësit. Thërrmiza nxori nga xhepi çelësin e erës ,dhe tha fjalët "çelës ,o çelës i erës ,hape portën e shpellës".

Menjëherë fryu një erë e fortë ,dhe e ngriti çelësin në ajër. Thërrmiza u tremb,sepse kujtoi se çelësi do të zhdukej,por çelësi pasi bëri dy tri rrotullime,shkoi e u fut në vrimë dhe porta u hap menjëherë. Thërrmiza e Vogël hyri brenda shpellës ,dhe pa vëllezërit e saj të cilët po lanin rrobat dhe po gatuanin ushqimin për hajdutët. Vajza u gëzua shumë ,dhe vëllezërit e përqafuan ,dhe i shtruan sofrën. Ishte një sofër e pasur,e mbushur me mish gjahu,fruta ekzotike dhe pije të shumë ngjyrshme.Thërrmiza e Vogël ,pasi hëngri sa u ngop,u shtri të flinte në një shtrat prej ari që hajdutët ja kishin vjedhur mbretit. Vëllezërit,si e panë që motrën e tyre e zuri gjumi , u afruan dhe nisën ta vështronin.

"Motra jonë e vogël paska fjetur",tha vëllai i madh,"ajo është shumë e lodhur ,ndaj më mirë të mos e zgjojmë ,por ta ngremë me gjithë krevat dhe ta çojmë në shtëpi tek ati ynë".

Vëllai i mesëm nuk foli.

"Mirë",tha pas pak," le ta ngremë krevatin mbi shpatullat tona,dhe ta çojmë motrën e vogël tek ati ynë. Veç, mos harro se kur të kthehemi tek babai ynë ,motra jonë e vogël do t'i tregojë atij gjithshka,dhe ne do të dukemi si frikacakë. Njerëzit nuk do të na flasin më me gojë ,dhe kur të vijë ora për tu martuar ,askush nuk do të na japi nuse. Ndaj ,le të rrijë motra jonë këtu në shpellë përgjithmonë ,kurse ne do të marrim arin dhe argjendin,dhe do të kthehemi në shtëpi. Ati ynë do të mërzitet pak kur të mos e shohi të bijën ,por kur të shohi arin dhe argjendin,do të gëzohet shumë dhe do ta harrojë të bijën e tij".

Kështu folën vëllezërit e Thërrmizës ,dhe, pasi morën karrocat me ar dhe me argjend ,dolën vrap nga shpella dhe porta u mbyll pas tyre.Pastaj vrapuan për në shtëpi ,tek i ati. Ati i tyre u gëzua kur pa karrocat me ar dhe argjend,dhe e harroi të bijën e tij. Dy vëllezërit blenë një pallat të madh,dhe pastaj u martuan dhe bënë shumë fëmijë,duke e gëzuar shumë bariun plak.

Por....çfarë ndodhi me Thërrmizën e Vogël? Pak kohë pasi të vëllezërit ishin larguar , ajo u zgjua nga gjumi. U thirri vëllezërve ,por askush nuk u përgjigj ,dhe ajo e kuptoi se ata kishin ikur dhe e kishin braktisur. Porta e shpellës ishte mbyllur.Vajzës ju kujtuan fjalët e gjigantit ,por tashmë ishte tepër vonë. E dëshpëruar ,ajo ju afrua portës së shpellës dhe nisi ti binte me grushta,por më kot ,sepse porta nuk hapej. Kështu ,Thërrmiza e Vogël mbeti brenda në shpellë përgjithmonë. Thonë se edhe sot e kësaj dite ajo ndodhet ende brenda në shpellë ,dhe vazhdon t'i bjeri portës me grushta. Shumë njerëz kalojnë afër portës së shpellës, dëgjojnë trokitjet e grushteve në shkëmb ,qeshin ,bëjnë fotografi, dhe pastaj largohen të gëzuar. Thonë gjithashtu se një ditë dikush do ta gjej sërish çelësin e erës ,do ta hapi portën e shpellës dhe do ta shpëtojë Thërmizën e Vogël...por kjo,është një përrallë tjetër.
 
Interesante...vet e ke krijuar ?
Po,si gjithë përrallat e tjera,edhe këtë e kam krijuar vetë. Kisha dëshirë që kjo përrallë të bëhej "Hirushja Shqiptare",sepse andej u frymëzova...( e kini parasysh Hirushen,me dy motrat e këqija,më njerkën që nuk e donte ,etj.)
 
Po,si gjithë përrallat e tjera,edhe këtë e kam krijuar vetë. Kisha dëshirë që kjo përrallë të bëhej "Hirushja Shqiptare",sepse andej u frymëzova...( e kini parasysh Hirushen,me dy motrat e këqija,më njerkën që nuk e donte ,etj.)
Patjetër që po...

Po pres vazhdimin atëherë,mos e vono shumë ?
 
E trishtë të përfundojë kështu...
Në fakt ,fundi mund të ishte i tillë : "Therrmiza e Vogël u mbyll në shpellën që sot mban emrin e saj,sepse vëllezërit dolën për të bërë dru,dhe humbën rrugën në pyll....". Ose "u kthyen të tre bashkë në shtëpi ,dhe jetuan të lumtur me flori,argjend dhe një pallat të madh". Por ,meqë shumica e përrallave kanë fund të lumtur,unë zgjodha një fund tjetër.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.