Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Vendlindja- gjurmë e përthyer në romanet e Namik Dokles

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,946
Behar GJOKA

Dëshmi letrare, madje gati e pashmangshëm, si fat dhe frymë ekzistence, si ngjyresë që bartet si prani në çdo tekst, ku me domosdoshmëri vendlindja shndërrohet në identitet shumëngjyrësh. Megjithatë, në lavrimin e letërsisë, ka raste kur shenjat identifikuese, të vatrës së lindjes, e tejkalojnë ngjyrën përveçuese, e prandaj gjurma e këtillë, receptohet si shenjëzim estetik. Në romanet e botuara pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, e sidomos në shekullin e njëzet e një, si shqiptim i qartë i vendlindjes, i koloritetit origjinar, janë edhe tre romanet e autorit Namik Dokle. Shqyrtimi, i pranëvënë i teksteve, e kuptimëson hetimin e shenjave përbashkuese dhe veçuese, që pasohen nga njëri libër në tjetrin. Ligjërata mbi gjurmimin e vendlindjes, në secilin prej romaneve dhe kundrimin përbashkues të tyre, do të ndalet në disa çështje tipologjike:

A – Triptik apo triologji

B – Dyzimi i kohës reale dhe letrare

C – Zhanri i romanit postmodern

D – Materia letrare në mes jetësores dhe imagjinares

Tre romanet e N. Dokles, veçmas krijimtarisë së endur në dramatikë dhe në prozën e shkurtër, pak më herët, që ndërkaq përfaqësojnë hapësirën e sugjeruar, si shenjëzim etik dhe estetik, ndonëse janë tregues identitar të vendlindjes, të Gorës, ku takohen kufijtë, besimet, etnitë dhe gjuhët e ndryshme. Pikërisht në kapërthimin e ndërliqshëm, ky pasqyrat përputhen dhe përplasen, marrin dhe japin, në hapësirën tekstologjike, të shtrirë në tre romane, ia ka mbërritur me ngjiz tharmin artistik, që ka në qendër vendlindjen. Pranëvënia e tyre, e të tre librave, që kanë plazmuar vendlindjen, vatrën e frymimit të shkrimtarit, ka bërë që nga njëra anë, të shihen si të ndarë, si tre tekstet që kanë në qendër Gorën, djepin ku u përkundën ëndrrat parake të autorit. Nga ana tjetër, janë tri pamje, të ndryshme dhe të përafërta, që ndërkaq kanë epiqendër Gorën. Në leximet e gjertanishme, këto tekste janë parë në një situatë të dyzuar, janë trajtuar edhe si të shkëputura, por edhe si tekste që kanë vijimësinë e imazhit të vendlindjes, jo vetëm si identifkim, por edhe si shenjë e rrokshme artistike. Në leximet dhe rileximet e këtyre teksteve, ka mbizotëruar shqyrtimi si vijimësi, pra me i pa tekstet e romaneve si të ndërlidhura, që madje pasojnë njëri-tjetrin, duke e përcaktuar si triptik apo triologji. Në procesin e leximit dhe zbulimit të realiteti letrar, që bartin romanet, herë kundrohen si tripik, e herë si triologji, pavarësisht se jam lëkundur midis të dy përcaktimeve, tashmë jam i prirur të përqafoj përcaktimin triologji. Në librin Fjalorth Termash Letrar, me autor Gjergj Zhejin, ndër të tjera theksohet: Triologji-a (gr. Trilogia). Tri vepra letrare të karakterit dramaturgjik ose narrativ të bashkuara nga e njëjta ide e autorit. (1968: 219, Rilindja, Prishtinë). Ky formulim, me ndonjë nuancë ndryshe, ripërcaktohet në librin Fjalor i gjuhës shqipe: Triologji-a, seri prej tri tragjedishë a dramash, subjektet e së cilave janë vazhdim i njëri tjetërit. (2005: 574, Botime Çabej), ndërkohë që formulimi tripik nuk haset në këto fjalor.

Dyzimi i kohës reale dhe letrare

Kundruar brenda tekstit/teksteve romanore, pra pikërisht në atmosferën e kohës si pakohësi, e dëshmisë si shenjë artistike, lënda e shtrirë në tri tekste, si gjendje e përveçme shpërfaqen dy rrafshe:

Së pari: Koha konkrete, që në romanin e tretë, Ditët e lakuriqëve të natës, sjell për lexuesin gjendjen e viteve ’60, të shekullit të kaluar, pra është më e largët. Ndërkaq romani i parë, Vajzat e mjegullës, në materien letrare, plason klimën e viteve 78, që përkon më dyzimin e qenies, pothuajse me tëhujasimin e plotë të saj. Romani i dytë si radhë botimi, Lulet e skajbotës, ndërkohë sendërton kohën e tanishme, diçka më në brendësi, fatin e hidhur të njeriut si mërgimtar.

Së dyti: Koha letrare, në pjesën dërrmuese të hapësirës tekstologjike, përgjithësisht e ka përmbysur kohën jetësore, dhe më së shumti ka endur, gati Gorën magjike, të përthyer në tre pamje thelbësisht imagjinare, e ku fillesa shënohet me “Vajzat e mjegullës”, dëshmi e kredhjes së autorit në shkrimin e prozës. Zhanri i hapur letrar, pra romani, ku rrëfen fëmija përmes dyzimit të kujtesës, që më tepër i vë në përleshje dy kohët, pagëzoi lavrimin e romanit nga ana e autorit. “Kthimi i dytë”, me gjasë si vijim malli, në gjirin e vendlindjes, tanimë si dhimb dhe ankth, skicohet në disa përthyerje të befta në hapësirën e tekstit “Lulet e skajbotës”, një pasqyrë e dyfishtë, ku e sotmja zbulon shpërfytyrimin e frikshëm, që ndodhi dje dhe ngjet edhe tani. Megjithatë, rrathët e ferrit, rrënjët e shkatërrimit të humanes, së shtjelluar vetëm në gjashtë ditë, vizatohen me penelime të shpejta, por edhe më vija të thella rembrandiane, pra te romani “Ditët e lakuriqëve të natës”, që në shijen time shenjon pikën më të lartë të vëllimit si marrëdhënie me vendlindjen, e po kaq si vlerë e shpaluar artistike.

Kuptohet se koha reale, është vetëmse sfondi, ka të bëjë me kontekstin jetësor, që megjithatë shkërmoqet ditë pas dite në vetëdijen tonë, ndërsa në tre tekstet, në tri pasqyrat, është shpalosur mishërimi estetik, ku imagjinata ka tejkaluar konkreten, si dhe ka shtampuar marrëdhënien e qenies me kohën gri, të fasadës shkëlqyese, në përmbysjen e plotë kohore, tanimë si tmerr i pasojës. Endur në dyzimin kohor, letrarja e teksteve, sugjeron mos-harrimin, sepse e keqja përsëritet pambarimisht, ashtu siç e përmend Kundera marrëdhënien me kujtesën, e po kaq, koha letrare, e fton lexuesin, qenien njerëzore, që të largohet prej makthit kohor, ku madje vrasja e dashurisë valëvitet si fitore. Romanet e autorit, tre tekste të të njëjtit zhanër, kanë fiksuar kohën letrare, përthyerjen imagjinare, me kahje fantastike dhe magjike, si dëshmi dhe çlirim shpirtëror, si dhe shenjë estetike, e derdhur në një formë e ndryshme që e kapërcen realitetin, siç e formulon H. Bloom, pra vendlindja është hapësira reale dhe imagjinare e realitetit letrar. “Rikthimi” në vendlindje, përmes shkrimit letrar, pra vetëm si projeksion imagjinar, e cila ka në mes distancën e kohës dhe të moshës, nuk e ka penguar autorin për të endur tekste, që anësohen nga tharmi fantastik, e përpos tjerash buron nga kapërthimi ndërkohor.

Romanet postmoderne të shenjuara si triologji

Tre tekstet e autorit, përveç përafrimeve të pranishme, si vijimësi e “ndriçim”t” të vatrës së vendlindjes, ndërkaq përveçohen në tipologjinë e zhanrit, si romane. Kapërcimet kohore dhe hapësinore, që shqiptojnë protagonistët dhe ngjarjet, narrativa dinamike dhe detajet përshkrimore, të vendit dhe kohës, kanë përtheksuar tipologjinë e romanit, të shpërfaqur si sendërtim i triologjisë, në kuptimin e plazmimit të skicës së trefishtë të Gorës, vendlindja e shkrimtarit. Megjithatë, përbashkësimi në brendësi, në gjasat e projektimit të triologjisë, si vizatim i Gorës në tre pamje, lidhet pashmangshëm me atmosferën e shkrimit letrar, ku ndërthuret realizmi me fantastiken, e mbi të gjitha aty sendërtohet ngjyresa postmoderne, si një rikthim në të djeshmen, e kujtesës së autorit, e po kaq në të dikurshmen e qenies njerëzore. Nëse ikja në kohën tjetër, në romanet “Vajzat e mjegullës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës”, është realizuar si një rikthim imagjinar, në kohën që e kemi lënë pas, gjë dikur është sugjeruar nga U. Eco, si tregues i pastër i ironisë intertekstuale, e cila përkon me poetikën postmoderne, si shkrim i risemantizuar. Nga ana tjetër, romani “Lulet e skajbotës”, krahas ndërthurjeve të pranishme kohore, sugjeron arratinë hapësinore në ndërkohësi, si përplotësim i ngjyresave postmoderne, e rizbuluar në hapësirën e tekstit. Vetë akti i rikthimit në vendlindje, çka e rizbulon botën që e ka bartur si kujtesë/e rikujtuar, kuptimson mallin dhe nostalgjinë, prej nga nuk mundesh të ikësh kurrë, vendlindjes së ngulitur në mendje dhe zemër, është formësim i një reflektimi të kujtesës dhe rizbulimit, që e plason fatin e qenies, në klimën e postmodernes, si një proces vetëdije.

Në mes jetësores dhe imagjinares

Realiteti letrar, thurur në tre imazhe, që e vizatojnë triologjinë e vendlindjes, pavarësisht përthyerjeve kohore dhe narrative, sendërtohet përmes dy elementëve thadrues:

A – Konkretes, si hapësirë e Gorës, e vendlindjes, e pamjeve të saj të larmishme, në dy kohë, së paku në motet e monizmit dhe në gjoja demokracinë, ku ma tepër notojmë si të dehur. Jetësorja mishërohet në përshkrimin e mjedisit, e bukurive mahnitëse, e po kaq në praninë e leksikut të përdorur nga protagonistët, që anësohet nga riaktivizimi i frazeologjive, si dhe i ligjërimit të figurshëm.

B – Imagjinarja në triologjinë e autorit, madje në secilin tekst të saj, është thelbi endës estetik, pavarësisht një situate paqëllimore për ta thurur si të këtillë. Anësimi kah imagjinarja, lidhet me sjelljen në kujtesë të gojëdhënave, siç ngjet me shkallët e dritareve të dashurisë, që shpaloset në romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”. Imagjinarja me tharm të dukshëm fantastik, ngjet edhe si proces legjendarizues, pra si mëveshje me tis legjende të përditshëmrisë, e cila shpallet në romanin “Lulet e skajbotës”, ku Gora projektohet si pasqyrë e dyfishtë. Kurse për romanin “Vajzat e mjegullës, i cili plazmon kujtesën e kujtesës, ka vlerë pohimi i Zija Çelës: Ndërkohë që mjegulla ngrihet, pas grisë së saj shfaqen ngjyrat e një tabloje që, ndonëse aq e veçantë për autenticitetin e vet… Përveç treguesve të jashtëm, të shenjuar në secilin tekst të triologjisë, imagjinarja/fantastikja, sendërgjohet nga prania e narrativës dhe dinamikës shpaluese dhe të subjektivizuar, së paku në dy kohë. Universi letrar, plazmuar në tre romane, që përbëjnë fondamentin e triologjisë, të endjes së tablosë së vendlindjes, të “makondës” së autorit, parësisht lidhet me shkrimin e ndërliqshëm:

  • Të kohës së largët, si kujtesë e fëminisë, ku zbulohet vendlindja dhe shkruhet e gdhendur në vetëdijen, e përhekimit dykohor.
  • Të kohës së shkrimit letrar, si një distancë e gjatë kohore, ku malli i mungesës nuk ka gjasa që të zëvendësohet me pamjet e shkëlqimit të kujtesës.

Shkrim i gërshetuar, tashmë si kohë e kujtesës, ku gëlojnë legjendat dhe gojëdhënat, me shkrimin e kohës letrare, ku mbishtresohet prania dhe mungesa, ka bërë të mundur thurjen e një realiteti letrar të përveçëm, me tharm fantastik, që nganjëherë anon kah poetika e realizmit magjik. Gora nuk është shpikur, ajo ka qenë dhe është aty, një realitet konkret. Gora, thelbësisht imagjinare, në tekstet e autorit, megjithatë është rishpikur dhe përthyer, në magjenë e shkrimit letrar. Mbase diçka dinim, ose kishim dëgjuar, ndonëse fytyrën dhe shpirtin e Gorës, me shkëlqimin e plotë, ose ajo gjendje unike, siç e formulon J. Asensio, “historia e përjetshme e njerëzve”, i zbuluam në tri pamjet e mishëruar në tre romanet e N. Dokles.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.