Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Zëri i Radio Tiranës dhe liria e medias sot

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,946
Nga Ilir Xhafaj

Shumë prej nesh e kanë dëgjuar të paktën një herë përmes aparateve të radios zërin “Ju flet Tirana”. Shqiptarët do ta dëgjonin për herë të parë këtë zë në 28 Nëntor të vitit 1938 kur nisi transmetimet për herë të parë Radio Tirana.

Zërat e gazetarëve të parë të Radio Tiranës janë rrënjosur thellë në mendjen e njerëzve dhe nuk mund të harrohen. Prej 8 dekadash ajo vazhdon transmetimet, e ndërsa një prej gazetarëve që ka lënë gjurmët e veta te Radio Tirana është Demir Gjergji.

Zoti Gjergji ka nisur punë në Radio Tirana në vitin 1998 , duke kaluar aty 20 vite të karrierës së tij, fillimisht si gazetar e më pas si drejtuesi i emisionit kulturor “Fjala si fillim, fjala si flijim”, i cili është dhe emisioni më jetëgjatë në radio. Shkrimtarë, artistë e poetë shqiptarë e të huaj kanë qenë pjesë e emisionit të Demir Gjergjit.
Me origjinë nga Devolli i Korçës, Demir Gjergji e kalon fëmijërinë në Manëz të Durrësit aty ku kryen dhe shkollën fillore, për të vazhduar më pas arsimin e mesëm në Berat. Gjatë periudhës së shkollë së mesme ai dallohet për pasionin për poezinë dhe letërsinë dhe menjëherë angazhohet në shtypin e shkruar. Shkrimi i tij i parë ka qenë një reportazh i cili botohet në gazetën “Zëri i Rinisë” për të vazhduar më pas me plot shkrime në gazetën “Drita”, “Adriatiku” dhe revistën “Nëntori”.

Në këtë kohë Demir Gjergji fillon të shkruajë dhe poezitë e tij të para, të cilat po ashtu i botohen në gazetat e kohës. Pas përfundimit të shkollës së mesme ai ndjek studimet e larta në Fakultetin e Histori – Filologjisë në Tiranë në degën e Gjuhës dhe Letërsisë në vitet 1974-1980.
Pas përfundimit të universitetit Demir Gjergji boton 2 librat e tij të parë me poezi ndërkohë që njëkohësisht punonte dhe në gazetë duke shkruar reportazhe e kronika.

“Poezia është komplet tjetër nga gazetaria por unë kam ditur që ta fus poezinë në gazetari. Dhe në ato shkrime që unë kam bërë në gazetarinë e para vitit ’90, më ka ndihmuar shumë poezia që të jem ndryshe nga gazetarët e tjerë sepse fusja në shkrim përshkrimin, imazhet e metaforat. Këto gjëra i bënin reportazhe më të gjalla dhe më interesante”, thotë ai, ndërsa kujton një histori kur është dënuar të punojë në minierë 3 muaj sepse ngatërroi titullin e një shkrimi.

“Jam dënuar sepse një “o” e bëra “e”. Në vend që të thoja “Vendimet historike të Kongresit të 7-të të Partisë” shkrova gabimisht “Vendimet histerike” dhe për këtë punova 3 muaj në minierë”, shton zoti Gjergji.

Një gabim të kohës kur punonte në shtypin e shkruar Demir Gjergji kujton shkrimet “parafabrikato” të vendosura blloqe-blloqe në faqet e gazetës për Enver Hoxhën dhe prodhimeve bujqësore të krahinave të ndryshme apo kronikat për “arritjet” e regjimit siç kujton ai një prej tyre “Shqipëria fanar ndriçues në Europë”.

Gazetaria dje dhe sot
Ndërkohë nisur nga kushtet e punës që kanë gazetarët sot, ai bën një krahasim me kohën kur vet ju duhej të shpërndaheshin nga Tirana në rrethe dhe të përdornin autobusët si qytetarët e thjeshtë.

“Atëherë lëvizja ka qenë shumë e vështirë. Mua më kujtohet kur duhet të shkoja në Këlcyrë dhe autobusët niseshin nga qyteti i Ballshit. Në qendër ndodheshin vetëm 7 autobusë ndërsa përpara tyre ishin mbledhur qindra qytetarë të cilët shtyheshin të prisnin bileta por nuk dihej se ku do të hypnin të gjithë ata. Disa rriheshin e disa shtyheshin për të marrë para të të tjerëve një biletë”, thotë Demir Gjergji, duke shtuar se meqë ishte gazetar kishe “përfituar” për të dalë para të tjerëve. “Atë ditë kisha me vete një teser gazetari të revistës “Hosteni” të cilën ma kishte dhënë Niko Nikolla dhe shkova te biletaria e ju thash jam gazetar. Menjëherë në sportel më dhanë biletën dhe më ulën në vendin e parë sepse ndryshe nga sot në atë kohë gazetari vlerësohej dhe më shumë se sekretari i parë i rrethit.”

Ashtu mbështetur në krahun e vendosur sipër gjurit, ai tregon një rast kur kryeredaktori i kishte kërkuar të bënte një reportazh për makinistët e orëve të para që niseshin në orën 05:00 të mëngjesit nga Durrësi për në Pogradec. Mirëpo, kur zgjohet të nesërmen ora kishte shkuar 08:00 e mëngjesit dhe treni jo vetëm që ishte nisur por ishte gati duke mbërritur në Pogradec. Për t’i shpëtuar kritikave të kryeredaktorit Demir Gjergji telefonon Drejtorinë e Hekurudhave dhe ju kërkon disa emra makinistësh.

“Marr emrat unë dhe nis reportazhin. ‘Nisemi që në mëngjes dhe era e maleve grykës së Shkumbinit na rreh ballin, kurse krelat e Robert makinistit i merr era gjatë rrugës…”

Kështu u bë gjithë ai reportazh dhe botohet. Por të nesërmen në redaksi vjen Roberti dhe duke bërtitur fërkonte kokën me duar për të treguar se nuk kishte kaçurrelat, e jo më që ia rrihte era. Në fakt Roberti ishte pa flokë dhe në redaksi plasin të qeshurat”, tregon zoti Gjergji, ndërsa as vet nuk e mban të qeshurën, kur rrëfen ndodhinë e asaj dite.

Pas viteve 1990 Demir Gjergji largohet disi nga shtypi i shkruar i drejtpërdrejtë për të vazhduar gazetarinë në një mjedis tjetër, në redaksinë e Radio Tiranës.

Dhe pas kalimit te Radio Tirana, shkrimet dhe raportimet e transmetuara nga zyra ose rrugës, në vend që të ishte në vendin e ngjarjes nuk do të mungonin.

… në terren

“Mbaj mend në zgjedhjet e 2009-ës unë u caktova në rrethin e Fierit për të transmetuar kronika direkte në radio. Qëndrova deri nga ora 15:00 e pasdites aty dhe u mërzita sepse transmetova vetëm dy kronika e u nisa për në Tiranë. Kur në rrugës më merr në telefon drejtoresha Zamira Koleci, e cila më kërkon që të futem urgjent në transmetim. Mirë i thash se jam në Rrushdie të Fierit dhe po futem tani, por në fakt në atë moment isha në Ndroq. Hap krahun me makinë aty buzë një kanali dhe lidhem direkt në radio: Jemi këtu në qendër të Rrushdies dhe fluksi i votuesve është rritur ndjeshëm ndërsa nuk shënohen incidente. Çdo gjë duket qetë dhe njerëzit votojnë të pashqetësuar”, rrëfen ai, ndërsa kujton se kur kishte shkuar në studio iu kishte treguar kolegëve nga ku kishte raportuar në të vërtetë ata ishin shtangur.

Mirëpo teksa rrëfen plot pasion për punën në Radio Tirana dhe momente të veçanta të intervistave me poetë e shkrimtarë të shquar, ai tregon një rast kur ka rrezikuar të përjashtohej sepse kishte ftuar Rita Petron dhe sa bashku me të kishte lexuar në transmetim disa poezi të librit të saj “Vrima”.

“Në fund desh e pësova kur ftova Rita Petron. Atëherë ajo kishte botuar një libër me titull “Vrima” edhe e mora në radio dhe filluam të lexonim poezitë e saj, të cilat duhet thënë se janë erotike. Mbaroi emisioni, u transmetua. Mbaj mend të nesërmen kisha ftuar Sotir Qiriaqin dhe po bënim regjistrimet për transmetim. Në atë moment më bën me shenjë operatori dhe më thotë: Të kërkon drejtori. Mbaroj emisionin dhe dal shkoj te drejtori. Ai nxori celularin e më tregoi emisionin me Ritën dhe më bëri të qartë se për këtë do largohesha nga puna”, tregon zoti Gjergji, ndërsa thotë se marrëdhëniet me shefat asnjëherë nuk i ka pasur të mira, edhe kur punonte si gazetar në shtypin e shkruar.

Pavarësisht se kishte rrezikuar të largohej nga puna sepse kishte lexuar këto poezi në transmetim, ai tregon se puna në Radio Tirana ka pasur dhe shumë momente dhe persona të intervistuar të cilët nuk mund t’i harrojë kurrë. Si një ndër intervistat më të mira kujton atë me shkrimtarin Ismail Kadare apo dhe intervistën me poetin Pano Taçi, pas së cilës thotë nuk e kishte marrë veten dhe 3 ditë më pas.

“Pano Taci ishte burgosur vetëm pse i kishte dhënë një trëndafil një vajze të deklasuar te sheshi para Kinema “17 Nëntori”, që e donte shumë. Pas tre muajsh në burg ai kishte marrë një bisht luge dhe kishte prerë damarët e dorës për të vrarë veten. Më rrëfente se teksa shihte gjakun që i rridhte nga damarët i ishte shfaqur përballë trëndafili që i kishte dhuruar asaj vajze”, tregon Demir Gjergji, duke pohuar me bindje se ai kishte qenë emisioni që i kishte lënë përshtypje të veçanta. Në fund, i pyetur nëse tashmë pas gati 4 dekadash punë, mendon se gazetarët kanë më shumë liri se përpara vitit ’90, Demir Gjergji zgjedh të përgjigjet duke lexuar një poezi të vetën.


GRAVURË PËR ATDHEUN


Mizëri njerëzish,

Njerëzi mizash,

Marrëzi mbretërish,

Lëngatë lisash.



Qytetet, qyteza,

Rrethinat, varreza.



Vrimash të zeza,

Myket gjeneza.



Po shpresa?

Ah, shpresa!
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.