Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Petrit Kumi, si priti 13 ditë për një foto të Enver Hoxhës

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Kor 24, 2018
Mesazhe
3,954
Petrit Kumi, mjeshtri me një karrierë gjysmëshekullore në fotografinë e shtypit, është sot i fundmi i një plejade fotografësh shqiptarë që ruan ende emocionet dhe sfidat e një kohe tjetër të fotografisë, krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Atëherë asgjë nuk ishte digjitale, e çastit. Përkundrazi, rezultati i shkrepjes së kërkuar vinte pas orëve të tëra pritjeje në dhomën e errët.

TCH ka realizuar një dokumentar për të një javë më parë ku fotografi ka rrëfyer jetën e tij.

“Puna krijuese në dhomën e errët-kujton Petrit Kumi, zhvillimi i negativeve dhe fotografisë nëpër bacinela do të mbetet për mua një kujtim i përhershëm gjatë gjithë karrierës sime në fotografi, një përvojë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme, unike në llojin e vet. Kam qenë pjesë e atij grupi krijuesish të fotografisë shqiptare që i dha jetë artit fotografik në ato vite duke e zhvilluar atë brenda mundësive që kishim. Nëpërmjet kësaj përvoje jam njohur me fotografinë e vërtetë si shkencë dhe si art“.

Mbi të gjitha, ishte koha kur arti i fotografisë ashtu si dhe të gjitha artet e tjera në vend, zhvillohej krejt në kushtet e një lirie te cunguar, që kufizonte frymëzimet e bukura dhe të natyrshme të shpirtrave të lirë artistik, për t’i ndrydhur ato në thellësitë më të mëdha të ndërgjegjes, për një kohë të gjatë. Aq sa jeta e një njeriu të mos mjaftojë për t’i rinxjerrë më prej andej.

Kumi, shpreh keqardhjen që nuk është fotograf në këtë kohë, kur edhe me një celular, siç thotë ai, mund të bësh gjëra shumë të mira. ”Rëndësi ka ideja dhe mendimi i qartë për atë që dëshiron të bësh. Sot nuk ke nevojë të pyesësh sekretarin e partisë për të bërë një foto, e ke në rrugë motivin, rrëmbeje dhe nxirre në foto”.

Si u bë fotograf!

”Ishte një kohë shumë e vështirë, ku mungonte baza materiale që unë ta zhvilloja fotografinë sipas kërkesave që kisha”

Me një karrierë gati gjysmë shekullore në fotografinë e shtypit, Petrit Kumi kujton se në vitin 1952, fitoi çmim në konkursin ndërkombëtar të fotografisë së shtypit në Moskë. Në vazhdën e viteve ‘50 ai u bë pjesë e fotografëve që punuan në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku realizoi shumë fotografi të personaliteteve të rëndësishme që vizituan atëkohë Shqipërinë, përfshi Nikita Hrushovin, kryetarin e Bashkimit Sovjetik, aleatit më të madh të regjimit të kohës.

Mjeshtri Petrit Kumi u identifikua më pas me Revistën Ylli, të vetmen revistë social-kulturore të kohës së diktaturës, ku punoi si fotograf dhe fotoreporter për disa dekada. Në qendër të fotove të tij ishin më së shumti njerëzit e thjeshtë në përditshmërinë e tyre. Por dimensioni i tyre artistik i bënte ato shumë të pëlqyeshme për publikun.

Ndërsa shkrepte foto në çdo cep të Shqipërisë së kohës, ai vazhdimisht kërkonte të thellohej në debate të rëndësishme për fotografinë të cilat i gjente të trajtuara sidomos në ndonjë revistë të huaj që arrinte ti binte në dorë. Ku fillon piktura e ku mbaron fotografia? Apo anasjelltas.

Petrit Kumi bisedonte shpesh për fotografinë me intelektualët e shquar të kohës si Ismail Kadare e Dhimitër Shuteriqi, dhe mbi vargjet e tyre shkrepte fotot e tij.

“Unë përfitoja shumë nga kultura dhe informacioni që ata kishin për fotografinë – thotë Kumi, dhe një javë shkoja tek Kadare, e javën tjetër tek Dhimitër Shuteriqi. Nuk i ndahesha unë atyre. Ende sot ruaj një letër të Dhimitër Shuteriqit me komentet e tij mbi fotografinë. Ai ishte i madhërishëm në informacionet që kishte edhe në këtë fushë”.

Sa herë që në familjen Hoxha nevojiteshin fotografi artistike, do të thirrej Petrit Kumi.

Mjeshtri Kumi nuk e harron se, kur e morën për herë të fundit për të fotografuar Enver Hoxhën, ka pritur 12 -13 ditë aty, në atë dhomën që kishte krijuar për realizimin e fotos.

Më herët ai e ka rrëfyer edhe për gazetën Dita këtë moment të sikletshëm të karrierës së tij.

“Momenti i sikletshëm ka qenë fotografia e fundit e Enver Hoxhës, sepse mora një porosi kur unë isha drejtori i fotografisë në ATSH në vitin 1984. Duhej të shkoja në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe t’i bëja një foto. Më dhanë porosi të veçantë dhe një nga dhomat u kthye në studio”.

Petrit-Kumi.jpg


-Pse e bëtë dhomën studio?

Nuk e dija arsyen në atë kohë. Ashtu e bëmë, unë bashkë me kunatin tim, i cili nuk jeton më dhe që mua më ka dhënë një përvojë të madhe. E mora të më rregullonte ndriçimin sepse ai ishte specializuar në këtë pjesë. Ajo që kujtoj është se kam pritur 13 ditë rresht që Enver Hoxha të vijë të bëjë fotografinë.

-Pse u deshën 13 ditë?

Unë këtë nuk e zbuloja dot në atë kohë. Dikush thoshte se ishte shumë i zënë me punë, dikush tjetër thoshte një arsye tjetër. Po unë isha i vetëm në atë dhomë. Shkoja në orën 9 dhe rrija deri në orën 14:00 pasdite, çdo ditë. Shkoja në mëngjes dhe më thoshin rojet, “mos u mërzit se sot më duket se do dalë”. Në ditën e 13-të erdhi me të shoqen dhe shoqëruesin e tij Sulo Gradeci. Unë e kisha përgatitur studion duke marr në provë dy punonjës që ishin të gjatë si Enveri, sepse duhej të llogarisja ndriçimin për një njeri të gjatë. Kisha bërë disa foto me persona të tjerë për të llogaritur ndriçimin sipas orarit. Pas nuk mund të bëja me të njëjtin ndriçim si në orën 10 apo dhe në orën 14.00. Nexhmija më thoshte: “Jepi pra, duarve”. Por ishte absurde se më mbajti 13 ditë për të pasur një fotografi të bukur dhe në fund më thoshte: “Jepi duarve”.

Foto-e-fundit-per-E-Hoxhen.jpg


-Si arrite ta realizoje atë fotografi?

Më ndihmuan disa mësime që i kisha marrë. Më parë kisha bërë një vizitë në Kinë ku fotografi i Mao Ce Dunit më tregoi disa truke që bënte me Maon për ta fotografuar. Ai në fillim i bënte atij një bisedë, i fliste për rritjen ekonomike apo se si do të jetë koha, dhe a po mban mirë. Kjo e sillte në humor dhe i sillte një pamje më të qeshur dhe kështu çlirohej nga mendimi se do bënte fotografi. Edhe unë kur isha përballë Enverit në ato momente, e pashë që ishte pak i kontraktuar dhe i them: “Moj shoqja Nexhmije, po sikur t’i marrim ata fëmijët e t’i vendosim rreth e rrotull” – kujtova kështu fotografin kinez. Unë s’mund të flisja për bujqësi e ekonomi se s’më linte njeri, por mendova më mirë këto fjalë. Përgjigja e Nexhmijes ishte nervoze: “Po ti ç’flet”, tha, “unë them jepi duarve, ti kërkon fëmijët”. Dikush tjetër rreth e rrotull dëgjonte dhe vepronte. Pas 10 minutash erdhën fëmijët. E mora më të voglën dhe ia vendosa në prehër. Nexhmija më thotë: “Çfarë bën kështu?”. Enveri u çlirua disi dhe po i thosha që të pozicionohej pak. Unë zakonisht e kapja nga supet për ta vendosur nga duhej më mirë për dritën, por këtë herë s’më lanë ta prekja. Aty kuptova se ai ishte i sëmurë. Dhe nga krahu u djathtë s’të linte askush ta prekje. Sapo i bëra foton, iu bëra shenjë atyre që t’i hiqni fëmijët dhe i hoqën menjëherë. Në atë kohë i bëra edhe portretin e famshëm që u përdor shumë ato vite. Frika ishte se si do të dilnin këto filma. Ishin delikate solucionet e filmave me ngjyra, sepse s’të linin fare gabim. Kur doli e para, u kënaqa sepse doli mirë. Aty u çlirova. Të gjitha këto bëheshin në laboratorin e tyre se nuk të linin të shkoje në vend tjetër. Më pas i mori shoqëruesi i tij dhe iku në Paris që t’i stamponte. Atë fotografi (portretin) e përdorën kur vdiq, në 11 prill 1985. Kur Enver Hoxha u nda nga jeta, njerëz të familjes më erdhën në shtëpi dhe më thanë: “Ku i ke?”. U thashë që i kanë të gjitha vetë ata. Shkuam atje dhe zgjodhëm atë që ishte më mirë dhe doli gjitha faqja e parë te “Zëri i Popullit”. Fotoja e fundit është bërë nga unë. Edhe në album unë e kam cilësuar fotografia e fundit. Për pesë-gjashtë muaj ai vdiq.

Enver-Hoxha-me-femij-ne-nje-nga-kongreset-e-Bashkimit-te-grave-te-Shqiperise-900x656.jpg
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.