Talibanët ekzekutojnë 22 ushtarë afganë
Po intensifikohen përplasjet e armatosura mes ushtrisë afgane dhe militantëve të Talibanit që thonë se kanë marrë nën kontroll 85% të provincave të Afganistanit.
Pas maleve dhe shkretëtirës, luftimet kanë zbritur tani në qendrat e banuara dhe kanë shpërngulur me mijëra qytetarë.
Talibanët kanë sugjeruar shmangien e dhunës dhe pranimin e disfatës prej qeverisë, por nga ana tjetër, së fundmi po qarkullojnë filmime të militantëve duke kryer akte brutale ndaj kundërshtarëve të mundur.
22 komando të paarmatosur afganë mësohet se u ekzekutuan në qershor ndërkohë që ishin duke iu dorëzuar militantëve pas mbarimit të municionit në përballjen me ta.
Ministria afgane e Mbrojtjes tha të hënën, nga ana tjetër, se në frontin e luftës vrau 271 rebelë.
Lëvizja fundamentaliste po synon sërish pushtetin gati 20 vite pasi Amerika dhe NATO-ja hynë në koalicion me milicinë afgane për të larguar talibanët nga kryeqyteti dhe qeverisja.
Sipas një marrëveshjeje të shkurtit 2020, mes palës talibane dhe Amerikës, militantët nuk mund të luftojnë për kryeqendrat e provincave, por si Kandahari në jug edhe Baxhi në veri janë kthyer aktualisht në fusha betejash.
Thuajse të gjitha trupat amerikane dhe të huaja janë larguar nga Afganistani, dhe presidenti Joe Biden ka thënë se u takon vetë afganëve të vendosin si do ta zhvillojnë misionin që aleatët perëndimorë nisën në vitin 2001.