Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Fatmir Muja

Ajogoca1

Kontributor
Regjistruar më
Shk 6, 2021
Mesazhe
11,666
Jo ta presësh rastin,

por të mos e humbasësh çastin,

sepse kur humbet një çast,

humbet edhe një rast

Humbja e çastit është mendimi,

jetësimi i tij është vetëdija,

Po s’u provua ushqimi,

si mund të zbulohet shija?

 
Ditët nuk vlerësohen me sa punë ke bërë
Por me sa dashuri ke mbjell në punët e bëra
Një copëz nuk mund ta bëjë të tërën
Por në mungesë të saj, mungon e tëra.
 
Gjethet në stinën e duhur
ndërrojnë ngjyrë e ndahen nga pema
Trupi është zënie hapësire
Aty ku nuk të rri zemra
Ndaju si një gjeth i vyshkur
Nga vendi që kot e ke zënë
Po s’e dite kohën e ikjes
Do të bëhesh i përzënë.
 
I ngulitur në Pikën që askujt s’i ngjan
Vizatoj rrathët që janë të ngjashëm
Çdo rreth i vogël mbetet brenda të madhit
Po nuk pati të brendshëm, s’mund të ketë të jashtëm
Nga pika filloj, tek pika mbaroj
Çdo gjë që rrethoj, nuk e kufizoj
Çdo rreth në botë e ka një mes
Siç e ka shpirtin çdo trup që vdes

Unë jam pa emër e pa mbiemër
Me gjysmën time lëviz në çdo zemër
Me gjysmën tjetër rrënjosem në Pikë
Unë nuk jam trim por jam i pafrikë
Unë jam veç rob, por jam i lirë
Nuk jam i keq, por s’jam i mirë
Nëse të dukem i denjë për shoqërim
Të lutem bëhu armiku im!

Unë jam kompas në Pikë i ngulitur
Dhe nuk lë botë pa e shëtitur
Ata që s’më duan të gjithë i kam falur
Trupi im s’më pret, s’kam kohë për t’u ndalur
E si të mos i fal ata që më urrejnë,
Kur me zemrën time kurrë nuk mund të ndjenjë
Kur me sytë e mi kurrë nuk mund të shohin
A duhet t’i shaj vetëm pse s’më njohin?
Ata që pikën nuk e njohin dot
Mesin nuk ia gjejnë asnjë rrethi n’botë

Nëse fort në Pikë s’je i përqëndruar
Rrathët vizatohen gjithnjë të shformuar
Çdo ditë gënjeshtra rroba të reja vesh
Vjen si dashamirëse e rri midis nesh
Kur butësisht kompasi gënjeshtrën rrethon
Ajo e turpëruar falje më kërkon
I them: “Nuk ka gjë, ti je vetëm fjalë,
Është vetëm besimi që t’ka mbajtur gjallë.”
Njerëzit e ngujuar gënjeshtrën besojnë
Drynin e mallkojnë, çelësin adhurojnë
Por ç’e do që dryni është gjysmak në jetë
Pjesë tjetër e tij është mu çelësi vetë
Derisa nga jeta dry e çelës të mos flaken
Njerëzit në robëri do rriten e do plaken

Unë jam kompas në Pikë i ngulitur
Mua Pika ime më ka porositur
Mos lejo njerëzimi nga ti të jetë mërzitur
Mos i dil përpara askujt në këtë jetë
Për t’ia treguar Rrugën e Vërtetë
Mjafon në këtë rrugë ti të ecësh vetë
Njerëzit kështu udhëzimin e kanë më të lehtë

Prej dheut vij por dhé nuk jam
Drejt fundit shkoj por fund nuk kam
Unë jam kompas në Pikë i qendërzuar
Për shkak se ju dua, ju kam rrethuar
Të jeni afër Pikës që më ka frymëzuar
Ju mund të largoheni pa u ndarë me mua
Dielli që perëndoi asnjëherë s’u shua
Nga Toka ku jemi kurrë nuk u largua
Unë do mbetem këtu, më duhet të bëj rrathë
Kurdo që të ktheheni, do më gjeni prapë.
 
Çdo pikë shiu
vdes kur nga retë ndahet
ngjallet kur tokën takon,
Në ekzistencë
më e bukur është ndarja
se një takim që s’të gjallëron.
 
Kur të mungon e vërteta,
ngushëllohesh me gjërat që asaj i ngjajnë
Dhembja e fshehur në zemër,
shpaloset nga sytë që për mungesën qajnë
Dhe sado lotë të rrjedhin,
Zjarrin e Dashurisë nuk e fikin
Përveç Vetes Sate,
të gjithë nga ti do të ikin
Ç’është kjo Vetja Jote
që e vetmja s’ka për të të braktisur?!
A nuk është koha ta njohësh
se mjaft në kopshtet e të tjerëve ke gjezdisur
A nuk je lodhur nëpër bahçet e huaja
gjethe duke mbledh’
Lakmon në lulet e të tjerëve
se farën tënde s’e ke mbjellë
Ore, qaj se vërtetë është për të qarë
Në botë ke ardhur i tërë
dhe nga E Tëra je ndarë
Sa më shumë lotë të derdhësh,
aq më shumë do të çlirohesh
Me lotë ujite zemrën tënde,
deri sa me Veten të takohesh
Ditët e tua mbushi
me lutjet e përndritshme të natës
Dashurinë e ke
më afër se damarin e qafës.
 
Gjaku udhëton në damarë derisa zemra pulson
Kur zemra të ketë ndaluar, edhe gjaku ndalon
Udha e udhëtari brenda teje ndodhet
Trupi i lodhur fle, por zemra nuk lodhet
Ashtu si zemra gjakun e bën të udhëtojë
Ka diçka që zemrën e bën të pulsojë
Më thuaj në gjumë ke ndopak vetëdije?
Për gjërat që hëngre a ke ndopak shije?
Nëse trupi yt s’do kishte një çikë dije
Me jashtëqitjen tënde çdo natë do të flije
Në gjendje gjumi e gjen sigurinë
Ushqimet që hëngre brenda teje rrinë
Po kur të jesh zgjuar, do të ndryshojë gjendja
Teprica që mban, nuk do të rrijë brenda
Në gjumë ose zgjuar, fëmijë kur ishe
E bëje në rroba se siguri s’kishe
Tani që je rritur, ke kuptuar diç?
Gjithçka do të jesh, nëse bëhesh hiç
Të jesh i vetëdijshëm do të thotë tjetër gjë,
e jo në rroba të mos e bësh më.
 
Sa herë zemrën nuk e njoha
Ma plagosi zemrën koha
Dhe çdo çast i humbur quhet
Kur s’jetojmë për çfarë duhet
Mirë që koha shëron plagët
Por pa kohën plaga s’hapet
Po s’më njohe dhe s’të njoha
Di gjë ti, ç’na duhet koha?
 
S’mund të ndriçojë jashtë, çfarë s’ndizet përbrenda
Jashtë do të gjesh dritë, aq sa ndriçon zemra
Ditën e bën të bukur veç Dielli i Dashurisë
Se e jashtmja e tij s’është kundër brendisë
Kur në zemrën tënde Diellin ta kesh gjetur
Asgjë e errësuar në botë s’ka për të mbetur.
 
Do të doja të të flisja sonte, por zemra ime është e thyer
Dhe kam frikë se fjalët që prej saj mund të burojnë, pa dashje të lëndojnë
Në detin e përgjakur të kësaj zemre ti shumë herë je mbytur
Ushqimeve që hëngre s’ua di shijet se i ke gëlltitur pa i përtypur
Për gabimet e mendjes, pa faj mund të të vuajë zemra
Dashuria kur premton trëndafila, patjetër të dhuron edhe gjemba.
 
Përse do të doje ta ktheje kohën?
Koha kurrë nuk ka qenë e gabuar
Janë veprimet ato që të kanë bërë të jesh i dështuar
Të thuash “ah sikur…”, s’do të thotë se je mençuruar
Do të thotë që egoja është lidhur me diçka të mbaruar
Një lule nuk gabon në kohë, ajo në stinën e saj çel
Nga fara gufojnë petalet, aromë botës i sjell
Bëhet ushqim për bletët, pastaj natyrshëm thahet
Por kurrë për të shkuarën nuk ankohet as qahet
E mjerë është ajo zemër që lidhur me botën mbahet
Mbasi të ketë mbaruar takimi, s’di kur dhe si të ndahet
Kur të ketë mbaruar një gjë, bëje ndarjen të bukur
Takimi mbetet i vlefshëm, kur ikën në kohën e duhur.
 
Ka taksiratlinj
Fatkeqë, jo të këqinj
Kur në gjemba ngulen
Dhembjes i përulen
Gjembat nuk i duan
Me gjemba jetojnë
As nuk mund t’i nxjerrin
Po as t’i durojnë
Në qofsh nga të diturit
Bëhu dhe i urtë
Çliroji nga gjembat
Mos u bëj i ngurtë
Dija nuk mjafton
Po s’pate urtësi
E para pa të dytën
Është veç fatkeqësi
Gjembat e ngulitur
Të gjithë mund t'i nxjerrin
Por disa me nxjerrjen
Më shumë dhembje sjellin
Kush nga trupi nxjerr
Gjembin me gjithë mish
Do shmangien e dhembjes
Por e shton shumëfish
Në qofsh nga të mençurit
Bëhu dhe i urtë
Që s’do t’biesh në gjemba
A je i sigurt?
 
E djeshmja ka vdekur, por ti gjallë ke mbetur
Ku ishte koha kur ishe duke fjetur?
Kur shijon diçka, s’mendon për kohëzgjatje
Kurrë në dashuri s’ka nevojë për matje
Ata që masin, mendimet s’i shuajnë
Në çdo ditë të re, gjejnë kohë të vuajnë
Ata që shijojnë, s’kanë kohë të mendojnë
Mbeten të pranishëm edhe kur mungojnë
Dita që ka ardhur, nesër bëhet “dje”
Ashtu si e djeshmja që dje “sot” i the
Ç’do të bësh me ditën që “sot” i thua?
Po pate mjaft kohë, mos e humb me mua!
 
I pranishëm në gjithçka
I pangjashëm me asgjë
Se asgjëja me gjithçkanë
Duken dy, por janë Një
Kjo nuk është për t’u kuptuar
Ose ndihet, ose lihet
Kush ka kohë për të gjykuar
Për të madhe nuk i zihet
Vetëm zemra e dashuruar
Për gjykim kohë nuk gjen
Nga tërë bota në qoftë lënduar
Botën e tërë prapë e ndjen
Se urrejtja për të tjerët
Është urrjejtja që ndiejmë për veten
Kush s’e njeh zemrën e tij
S’mund ta njohë kurrsesi tjetrën.
 
Zemrës që nuk pëson shndërrim nga dashuria
Nuk i dhemb mungesa, nuk e gëzon prania
Dëshmitar është malli sa dhembin ndarjet
Ku s’bëhen gjynahet, s’mund të ndodhin faljet
Një zemër që ndizet, s’i bën dritë veç vetes
Ajo është kandil për rrugët e jetës
Rruga është e njëjtë, të ndryshme rrugëtimet
Kujt i dhembin ndarjet, s’i harron takimet.
 
Mos ia kujto asnjë zemre që je gjallë,
Edhe nëse për harrimtarët e tu ndien mall
Askush s’të ka harruar pa dashje, pa hir
Për secilin lutu, asnjërin mos e thirr
Lutja është Thirrje në Qendrën e Jetës
Kush të mban në zemër, nuk të ndan prej vetes
Lutja është kujtim për gjithë harrimtarët
Nga i njëjti diell ngrohen gjithë të ndarët
Lutja është çelësi që hap Shtatë Qiej
Veç kush nuk ka zemër, nuk mund të të ndiejë
Malin e harresës lutja e bën pluhur
Asnjëri s’të duhet, të gjithë janë të duhur.
 
Ujë është Dashuria për Pemën e Jetës
Kur takon rrënjën, i jep gjallëri degës
Rrënja që mban trungun duke u thelluar
Është për t’u ujitur, jo për t’u zbuluar
Thellohu në Tokë, lartësohu në Qiell
Me rrënjët në errësirë, me degët në Diell
Mos jeto me gjysma, qenie e tërë ke lindur
Zemrës nuk i duhet mendja për t’u bindur
E ke pyetur veten, di gjë, kush je ti?
Shumë fshehtësi zbulon, vetë mbetesh fshehtësi
Asgjë s’është e jotja, çdo gjë është për ty
Lotë ke brenda syve, por s’i sheh me sy
Ujë ke brenda vetes, për ujë të merr etja
Degën e mban rrënja, rrënjën s’e mban dega
Pema më e bukur je në këtë Qenësi
Jeta jote vlen sa ndien Dashuri
S’ke përse ankohesh që degët s’janë rritur
Nëse rrënjët e tua nuk i ke ujitur
Kush harron rrënjët dhe ruan degët
Pa rrënjë e pa degë në ekzistencë mbetet.
 
20210930_202031.jpg
 
Kur t’i jesh dorëzuar Dashurisë, marrin kuptim të gjithë Emrat
Fjalët bëhen të gjalla vetëm kur të jenë ngjallur zemrat
Mendimet do të jenë dorëzuar kur gjërat t’i kesh shijuar
Në kujtesë do të bëhen shëruese, kujtimet që të kanë lënduar
Për dëshirat e papërmbushura, do të jesh falënderues
Dashuria bëhet e denjë vetëm nëse je dashurues
Vetëm takimi me Veten është takim i rëndësishëm
Vetëm ku gjelbërohet dheu, uji është i pranishëm.
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.