Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Libra dhe autore.

Juno

Kontributor
Regjistruar më
Kor 25, 2017
Mesazhe
32,412
‘Mish dhe qiell’, një dhuratë për dashurinë dhe për të rinjtë
View attachment 30284
Libri me një fjali
Me anë të kësaj përmbledhjeje kërkojmë t'u japim të rinjve shqiptarë shembullin e intelektualit të angazhuar, të një personazhi të parehatshëm për pushtetet, që ngriti zërin pareshtur kundër kapitalizmit dhe parashikoi rrënimin e shoqërisë së konsumit.
Informacion i përgjithshëm
"Mish dhe qiell" është një përmbledhje me poezi kushtuar kryesisht të rinjve. Përzgjedhja e bërë me kujdes është shumë kuptimplotë për t'i shoqëruar lexuesit dhe veçanërisht të rinjtë në botën e poetit Pier Paolo Pasolini. Përmes tyre del në pah fuqia e tij shprehëse dhe përfytyruese. Boshti rreth të cilit enden të gjitha poezitë është dashuria, si një fjalë kyç drejt zemrës së rinisë, si dhe angazhimi qytetar, si shenjë e një vetëdijeje të pjekur shoqërore.
Këto poezi mund të lexohen, të recitohen, të kopjohen, të dhurohen: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, arrijnë të shprehin ndjenjat e tyre më të thella dhe komplekse.
Libri është i pajisur me një indeks të përgjithshëm të veprave të Pasolini-t, në letërsi, kinematografi, teatër etj. "Vizioni im është apokaliptik. Por sikur pranë tij dhe ankthit prej të cilit lind, të mos kisha brenda vetes edhe një element optimizmi, domethënë mendimin se ekziston mundësia për të luftuar kundër gjithë kësaj, nuk do të isha duke folur këtu, mes jush," është një prej deklaratave më të forta të Pasolinit, me vlerë të gjithkohshme dhe të përbotshme.
Kritika
Pasolini […] ishte një figurë qendrore e kulturës sonë, poet që shenjoi një epokë të tërë, regjisor gjenial, eseist i pashtershëm" Alberto Moravia
"Në këto poezi, thellësisht shpirtërore, Pasolini shfaq një religjiozitet problematik, ku duke iu drejtuar fjalës së kulluar, nxjerr në pah pa trillime dilemën e brendshme personale që e brengos. Për më tepër, këtu, shfaq gjithë zhgënjimin për një shoqëri të ngrirë nga rregullat dhe hipokrizia. Nicola Vacca / ZONA DI DISAGIO
Pasolini ishte një artist i ethshëm dhe i shumanshëm, i ngjashëm me Bembo-n (teoricien, kritik dhe poet), me Aretino-n (polemist dhe vargëzues), me Michelangelon (piktor, skulptor, shkrimtar), për të mospërmendur Leonardon (të cilin Paul Valery e vendosi mes ‘engjëlve të morfologjisë’). Valerio Magrelli
Autori

Pier Paolo Pasolini ishte poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg dhe gazetar, një nga intelektualët dhe artistët italianë më të mëdhenj të shekullit XX. Ai ishte vëzhgues i hollë i ndryshimeve që pësoi shoqëria italiane pas luftës së dytë botërore deri në mes të viteve '70, si dhe një figurë kontroverse, që nxiti polemika dhe debate të pareshtura për shkak të radikalizmit që shfaqi në gjykimet e veta; një kritik i paepur kundër zakoneve borgjeze dhe shoqërisë së konsumit që sapo kishte nisur të lulëzonte në Italinë e viteve '60 - '70.
View attachment 30285
Fragmente nga libri
1) Mish dhe qiell
O dashuri amënore,
sfilitëse, me arturinat
e trupave të pushtuar
nga e fshehta e barqeve.
Dhe sjellje të ëmbla
të pandërgjegjshme për aromën
e paturp që qesh
në gjymtyrët e dëlira.
Përshkënditje të rënda
flokësh… shpërfillje
mizore vështrimesh…
përkujdesje të pabesa…
I flashkur nga vaje
fort të ëmbla kthehem te ti
me mishrat përvëlim
buzëqeshjesh shkëlqimtare.
E çmendem në zemër
të natës festive
pas mijëra netësh të tjera
për këtë zjarr palavi.


Titulli: Mish dhe qiell
Titulli në origjinal: Carne e cielo
Autori: Pier Paolo Pasolini
 
'Pa frymë’, himni për jetën
View attachment 30286
Librat kanë një fuqi të pazakontë për të ndryshuar humorin, këndvështrimet për çështje të caktuara, ndjesitë dhe mbase edhe jetën. Një libër i veçantë ka aftësinë të shëndërrohet në një ngjarje të rëndësishme për përditshmërinë tënde dhe shërben si një kthesë për mendësinë dhe përbuzjen e paragjykimeve, të cilat na shoqërojnë këmba-këmbës.
Lorenzo Amurri ishte një muzikant, producent dhe së fundmi shkrimtar prej librit të tij të parë "Pa frymë" nëpërmjet të cilit rrëfeu aksidentin e tij të rëndë, dhimbjet, peripecitë e sëmundjes dhe vështirësitë e rikuperimit.
Jeta e Lorenzos ndryshoi rrënjësisht pas një aksidenti të rëndë me ski, nga i cili mbeti paraplegjik.
Rrëfimi i tij tronditës nis qysh në çastin e aksidentit, humbjet e vetëdijes dhe lojërat e pakëndshme të mendjes, përshkrimi i detajuar i dhimbjes, përkujdesja mjekësore, ankthi i përgjithshëm që kaplon çdokënd, mungesa e koshiencës së pacientit dhe lufta me vdekjen janë kaq të vërteta dhe të gjalla, sa që e bëjnë lexuesin menjëherë protagonist të librit.
View attachment 30287
Ky roman është një himn për jetën, i cili këndohet nëpërmjet vuajtjeve, mungesës së shpresës, dashurisë për jetën, mbështetjes së familjes e miqve. Lorenzo kaloi muaj të tëra në një spital të Zvicrës, të cilat i cilësonte si më të vështirat në jetën e tij. Shoku i përjetuar prej aksidentit të papritur, pasojat e tmerrshme, të cilat i ndryshuan përgjithnjë jetën dhe dualizimi brenda vetes mes luftës dhe dorëzimit e bëjnë rrëfimin e Lorenzos të gjallë, të afërt dhe të ndjeshëm.
Çastet e para të përplasjes me të vërtetën ai i përjetoi me ankth, pasiguri, frikë nga të shpresuarit, xhelozi për çdo njeri që kishte një fat ndryshe nga i tij, zili të pashpjeguar, inat verbues dhe mllef. Për Lorenzon fatkeqësia më e madhe ishte të mo smundej të përdorte më duart e tij, të mos luante më në kitarë, të mos kompozonte dot më muzikë. Muzika për të, tanimë ishte kthyer në një klithmë vdekje.Ai nuk mundej të dëgjonte as një notë të vetme, pa i plasur zemra dhe veshët.
Pas një periudhe reablitimi psikologjik përveçse fizik, pacienti arriti të pranonte të vërtetën dhe ky ishte moment i i kthesës në jetën e tij. Përballja me realitetin e bëri të guxonte t’i bashkohej një lufte të përbashkët me stafin mjekësor dhe miqtë e familjarët kundër aksidentit, i cili e braktisi në shtratin e palëvizshmërisë. Bashkë me përpjekjet lind frika nga paragjykimet, ankthi i braktisjes nga të afërmit dhe strukja në vetvete duke eleminuar çdo mundësi komunikimi me botën.
Dashuria ishte për Lorenzon forca më e madhe dhe durimi, përkushtimi, mirësia dhe respekti i Johanës arritën në një ngopje, shkaktuar nga indiferentizmi dhe frika e Lorenzos. Johana u largua, por për t’u rikthyer e për ta ushqyer Lorenzon me dashurinë e vërtetë.
View attachment 30288
Mënyra e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe e akullt narrative të bën të kthjellohesh, të vlerësosh shëndetin, jetën dhe gjithashtu të prezanton me dramën e përditshme të shumë njerëzve, që fati deshi të kalojnë nëpër të njëjtat monopate si Lorenzo. Njohja me botën e palëvizshmërisë, ku lind për së dyti e kalon të njëjtat faza rritje si një i porsalindur; eksplorimi i botës së ulët, asaj në të cilën e ndesh në një karrike me rrota, ku gjithçka që të rrethon është disa kokë më e lartë se ty; ndjesia e pafuqisë; plogështia dhe humbja e dëshirës për të jetuar; të gjitha japin mesazhin e rëndësishëm të të dashuruarit pa kushte, me sytë e zemrës dhe me forcën e mirësisë.
Ky libër vjen i shqipëruar nga Beti Njuma, me rrjedhshmëri të brendshme deri në faqen e fundit.
 
‘E veçanta e dhjetorit’
Kjo histori, sa e ëmbël, aq dhe e hidhur, na kujton se në jetë jemi të rrethuar nga shpirtra të thjeshtë, të cilët shpesh janë më të thellë e më të mençur se ç’mund të mendojmë.
Informacion i përgjithshëm
Romani “E veçanta e dhjetorit” rrëfen një vit nga jeta e Xhonsi Kanlajfit, një djalosh i vetmuar, pa përvojë, pa miqësi apo ambicie, që jeton në po atë zonë rurale të Irlandës ku ndodhin ngjarjet e romanit “Zemra vërtitëse”, shkruar nga i njëjti autor. Megjithëse i botuar pas këtij të fundit, ngjarjet e paraqitura në romanin “E veçanta e dhjetorit” janë më të hershme: ato zhvillohen para krizës financiare të vitit 2008, që përfshiu jo vetëm Irlandën, por gjithë Europën. Romani është i ndarë në 12 kapituj, ku në secilin prej tyre përshkruhet një muaj nga një vit jetë e Xhonsit. Teksa ekonomia e vendit është në vlim dhe makutëria kthehet në normalitet, Xhonsi përpiqet dëshpërimisht të ruajë atë çka i është familjare, e njohur dhe e ngrohtë, megjithëse ndërkohë ka humbur të gjithë ata që e kanë mbrojtur nga egërsia e jetës. Pas vdekjes së prindërve, Xhonsi trashëgon fermën e familjes dhe një llogari bankare të majme, megjithëse është i paaftë për t’u kujdesur për to. “Gangot” e fshatit dhe mashtrues të ndryshëm e përndjekin, e megjithëse copëza dashurie hyjnë në jetën e tij në vendin dhe kohën më të çuditshme, Xhonsi mbetet njeri i vetmuar, i cili ka vështirësi t’i rrijë pas botës që lëviz me ritme marramendëse. Në rrëfim gjurmohen me zgjuarsi shkaqet fillestare të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të pronave të patundshme, të vuajtjes së shumë të pafajshmëve, si dhe shfaqet shkatërrimi i komuniteteve, që dikur jetonin në harmoni.
Finalist i çmimit Romani i Vitit në Irlandë!
Finalist i çmimit Kerry Group Irish Novel of the Year!

Kritika
Donal Ryan është një shkrimtar-magjistar. Ka një aftësi aq magjepsëse për të rrëfyer një histori, sa ta ka ënda ta lexosh me zë të lartë. Ky roman do të mbushë zemrat e do të pasurojë shpirtrat e lexuesve.
The Guardian
Ky roman përligj plotësisht suksesin që arriti romani i tij i parë, duke analizuar më tej tensionet e pranishme në zemër të jetës rurale, pa lënë asnjëherë përshtypjen se kërkon të kritikojë.
The Irish Times [...]
I shpie lexuesit në mendjen e një njeriu që ka vështirësi të çajë në një botë, të cilën nuk arrin kurrë ta kuptojë plotësisht. Mahnitës!
View attachment 30289
Booklist
Vepra debutuese e Donal Ryan (“Zemra vërtitëse”) kapërcehet nga ky rrëfim (“E veçanta e dhjetorit”), i cili është i paracaktuar të mbulohet nga çmimet e jurive letrare. [...] I fuqishëm dhe përmbushës!
The (London) Sunday Times
Shkrimi i këtij romani është thjesht i jashtëzakonshëm... Herë-herë do t’i bëjë lexuesit të qajnë e herë-herë të qeshin.
Library Journal
Romani i parë i Donal Ryan “Zemra vërtitëse” ishte kandidat për Man Booker Prize dhe fitoi çmimin “Libri i vitit, 2012” në Irish Book Awards. Një fillim jo i keq për karrierën letrare, e vetmja anë negative ishte se ai përveshi mëngët për sfidën e romanit të dytë. Fakti që ai ia doli mbanë, dhe me shumë zhdërvjelltësi madje, dëshmon se kemi të bëjmë me një prej shkrimtarëve të rinj më të talentuar bashkëkohorë.
The Independent
Autori

Donal Ryan (1976) është një ndër shkrimtarët irlandezë bashkëkohorë më premtues. Ai ka lindur në Nenagh, në Kontenë Tipperary, në Irlandë. Ka qenë nëpunës i sektorit publik për shumë vjet. Dhe vetëm më 2014, pas suksesit që korri “Zemra vërtitëse”, romani që e shkroi gjatë mbrëmjeve të verës së 2010-ës, i është kushtuar tërësisht krijimtarisë letrare. Romani i tij i parë u refuzua nga 47 botues, derisa më në fund arriti të gjente një të tillë. Dy romanet e tij të para “Zemra vërtitëse” dhe “E veçanta e dhjetorit” kanë arritur majat e kritikës irlandeze dhe europiane. “Zemra vërtitëse” ka fituar The Guardian First Book Award, Çmimin Europian për Letërsinë (2015), titullin "Libri i Vitit" në Çmimet e Librit Irlandez. Donal Ryan është diplomuar në Universitetin e Limerick-ut. Ai jeton me bashkëshorten, Anne Marie, dhe dy fëmijët e tyre në rrethinat e Limerick City.
Fragmente nga libri
1) ...një gënjeshtër në letër duket më e vërtetë sesa e vërteta e shprehur nga goja enjë budallai. 2) Njerëzit çfarë nuk thonë kur mendojnë se kanë të drejtë. 3) Në njëfarë mënyre, të gjitha bisedat janë të gënjeshtërta. Vetëm veprimi i bën ato të vërteta. Të gjitha fjalët janë gënjeshtra, në mos ajo për çka flitet i vihet tjetrit përpara, që ky ta shohë eta prekë. Gjërat që thuhen në celular dhe ato që shkruhen me bojë në letër për t’u lexuar nga të gjithë e mandej ndryshohen,s’mund të merren për bazë as tani, as kurrë ndonjëherë.
Titulli: E veçanta e dhjetorit
Titulli në origjinal: The thing about december
Autori: Donal Ryan
Përktheu: Renato Kalemi
 
Një histori e vërtetë shqiptare, e gdhendur në ‘Gurët e vetmisë’
View attachment 30293
Në një vend diku mes kufijsh, një grusht njerëzish përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut… Kjo është historia që vjen nga një realitet i njohur e përcillet në botimin e ri të shtëpisë botuese “Pegi”. “Gurët e vetmisë” nga autori me pseudonimin Tom Kuka sjell një rrëfim origjinal e të sinqertë, me gjuhë të pastër e të pasur. Një histori shqiptare, gdhendur në germa.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet, herë pas here, bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë.
Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame, u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit.
Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had. Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet. Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan t’i nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën. Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa t’u shuhet fara.
View attachment 30294
Autori ka ditur të tregojë me mjeshtëri jetën e përditshme të fshatit, të ndarë vetëm teorikisht mes kaurësh dhe muhamedanësh, shoqëruar gjithnjë me nota humori, të shkaktuara hera-herës nga frika e së resë dhe padituria; ka sjellë dhembjen e dashurisë që lëshon shigjeta reale sa ta bën trupin gjak, erosin që ta humbet mendjen deri në delire.
Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe. Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall.
Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E, megjithatë, kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehen këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot.
Ky është romani i dytë i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Romani i tij i parë, “Hide mbi kalldrëm”, u botua në nëntor 2017, po nga Botime “Pegi”. Ky është një roman që nuk duhet ta humbisni.
Titulli: Gurët e vetmisë
Autori: Tom Kuka
Zhanri: Roman
 
“Ditari i një trupi”
“Ditari i një trupi”, nga autori francez, Daniel Pennac, nën përkthimin fantastik të prof. Edmond Tupes, është një roman shumë argëtues, popullor, por edhe thellësisht filozofik. Në të rrëfehet për trupin, për surprizat e shumta që na rezervon, për makthet dhe dëshirat e tij. Nëpërmjet këtij ditari tejet të sinqertë dhe frymëzues, kuptojmë rëndësinë themelore që ka trupi, çdo milimetër i tij, çdo grimcë lëkure. Shpesh, nuk identifikohemi me trupin tonë, por identifikohemi me mendimet dhe ndjenjat tona, me vuajtjet dhe lumturinë, por trupi ynë dhe gjithë imperfeksionet e tij, janë po aq përkufizuesit tanë sa edhe të fshehtat më intime.
Libri me një fjali
Ky rrëfim ka të bëjë me procesin, e gjatë sa vetë jeta, të pajtimit me trupin tonë, me këtë të huaj të brendshëm, që është njëkohësisht vetja jonë dhe një mister i përhershëm.

View attachment 30295
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Ky roman nuk është si romanet e tjera, ai merr formën e ditarit të një njeriu të vetëm, përshkon gjithë jetën e tij, nga mosha 12-vjeçare deri në moshën 87-vjeçare, por nuk rrëfen detajet biografike më themelore. Ai përqendrohet te trupi i rrëfimtarit: trupi i tij fizik dhe jo personaliteti që e mbush atë, është heroi dhe subjekti i këtij libri. Qëllimi i rrëfimtarit ishte të vërente dhe të regjistronte të papriturat e shumta me të cilat na përball trupi ynë. Kështu, ai arriti të përshkruante gjithë evoluimin e organizmit të tij, por jo nga një pikëpamje mjekësore apo anatomike, por në mënyrë intime, duke përfshirë në çdo faqe personazhe, situata, dialogë dhe mendime që na e bëjnë këtë trup të ngjashëm me tonin. Ne që ndihemi ndonjëherë kaq të vetmuar në trupin tonë, zbulojmë pak nga pak që ky kopsht sekret, në të vërtetë, është një truall i përbashkët. Gjithçka që fshehim është shkruar këtu, e zezë në të bardhë, dhe ajo që shpesh na frikësonte, tashmë kthehet në hare.
Kritika
Rrëfimtari ia dorëzon ditarit të gjitha disfatat romantike, zaptimet seksuale dhe dështimet, nga fryma e parë tek e fundit. Kjo është shprehja e trupit nëpërmjet penës. L’Express
Mbetet jetësor fakti që nuk kemi thjesht një koleksion fenomenesh fiziologjike, por një personazh, një zë, që na tërheq brenda... Pennac-u ka qenë gjithmonë një shkrimtar argëtues e njëkohësisht i aftë për të krijuar çaste bukurie të rrallë, që të lënë pa frymë; por, më shumë se gjithë këto, ai është thjesht shkrimtari më njerëzor, më bujar dhe dashamirës ndaj qenieve të tjera njerëzore. Në “Ditari i një trupi” ka gjetur një mënyrë të re dhe frymëzuese për ta treguar këtë. The Guardian
Ja pra, historia e fibrave tona, historia e njeriut që e nisi keq, vdiq e u ringjall mijëra herë dhe e mbushi jetën e tij. Le Figaro Ky rrëfim pa tabu nuk mund të jetë i pacipë, pasi secilit prej nesh i flet veç për trupin e tij. Culturebox Pennac-u përqafon tërësisht enigmën e ringjalljes: cila është lidhja midis meje dhe trupit tim? Dhe na tregon që misteri nuk shteron kurrë. Telerama
Mbi autorin
Daniel Pennac ka shkruar më shumë se 31 vepra në të gjitha gjinitë: duke filluar nga albumet për fëmijë tek esetë, te librat me ilustrime, romanet dhe autobiografitë. Me veprën autobiografike “Chagrin d’ecole”, botuar në 2007- n, ai mori çmimin Renaudot. Hoqi dorë nga profesioni i mësuesit në vitin 1995, për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë. Në shqip është botuar romani i tij “******* e gogolëve” (Botime Pegi, 2012) dhe eseja e mirënjohur “Si një roman” (Botime Pegi, 2014).
Fragmente
  1. Trupi është një shpikje e brezit tuaj, Lizon. Të paktën nga mënyra si e përdorni dhe si e ekspozoni atë. Por për sa u takon marrëdhënieve që mendja jonë mban me të si thes plot surpriza dhe si pompë jashtëqitjesh, sot heshtja është po aq e rëndë sa ishte në kohën time. Po ta këqyrnim me kujdes këtë çështje, do të vërenim që s’ka njerëz më të turpshëm sesa aktorët pornografikë më të zhveshur apo sesa artistët më të rruar e më të kruar të body art-it.
  2. Sa më shumë e analizojmë këtë trup modern, sa më shumë e ekspozojmë, aq më pak ekziston ai. E shumëzojmë me zero, në përpjesëtim të zhdrejtë me ekspozimin tij.
  3. Nëse do të më duhej ta botoja këtë ditar, do t’ua kushtoja së pari grave. Si këmbim, do të doja të lexoja ditarin që një grua do të kishte mbajtur për trupin e saj. Sa për të parë pak më qartë në misterin femëror. Ku qëndron ky mister? Në faktin, për shembull, se një burrë nuk di asgjë për atë çka ndien një grua lidhur me formën dhe peshën e gjinjve, dhe se gratë nuk dinë asgjë për atë çka ndiejnë burrat lidhur me telashet që u nxjerr penisi.
  4. Ne jemi deri në fund fëmija e trupit tonë. Një fëmijë që ka humbur pusullën.
Titulli: Ditari i një trupi
Titulli në origjinal: Journal d’un corps
Autori: Daniel Pennac
Përktheu: Edmond Tupja
Zhanri: Roman
 
Vajza e dikurshme
View attachment 30296
Një triller psikologjik, që ngërthen fatin e dy grave: të mirën dhe të mistershmen, në një vorbull dysie, vdekjeje dhe mashtrimi.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
E dëshpëruar për të gjetur një vend për të jetuar, Ema përfundon në shtëpinë e rrugës “Folgejt”. Shtëpia është vërtet një mrekulli: dizajn minimalist, ku ndërthuren xhami, guri i lëmuar dhe tavanet e varura. Por, arkitekti i mistershëm që e ka ndërtuar, ngulmon se banorët duhet të jetojnë sipas disa rregullave të rrepta. Shtëpia është ndërtuar me qëllimin e vetëm që t’i ndryshojë banorët e saj, dhe ashtu ndodh...
Pas një tragjedie vetjake, Xhejni ka nevojë t’ia nisë nga e para, dhe rruga “Folgejt” duket vendi i përkryer. Pak pasi vendoset në shtëpinë e re, merr vesh për fatin e Emës, qiraxheshës së parë. Në historinë që i shfaqet pak nga pak, ka shumë zona të errëta. Teksa përpiqet të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra, befas e shkuara nis të marrë jetë. Një triller psikologjik magjepsës, një nga librat më të shitur të vitit dhe i përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, “Vajza e dikurshme” ndërthur fatin, në dukje të mbarë, të një gruaje me fundin e mistershëm të një tjetre, në një kaleidoskop hipokrizie, mashtrimi dhe vdekjeje.
“Jeni të lutur të bëni një listë të çdo gjëje që është thelbësore për ju.” Kjo kërkesë e çuditshme dhe e bezdisshme do të jetë nisja e një rrugëtimi me pasoja shkatërrimtare.
Kritika
Një triller psikologjik gozhdues… Me saktësi dhe elegancë, Delaney zhvesh personazhet nga sekretet e tyre, pak nga pak, derisa del në shesh e vërteta e kulluar dhe pa zbukurime.
Publishers Weekly
“Vajza e dikurshme” ka një ritëm të shpejtë... Delaney servir pyetje të lidhura me etikën në faqe të veçanta, përgjatë gjithë librit... Gjetja më gjeniale: nuk na jepen përgjigjet e asnjërës prej grave.
The New York Times
Do t’ju bëhet fiksim ky roman rrëqethës për një grua që gjen shtëpinë e ëndrrave... derisa zbulon fatin e mistershëm të banores së mëparshme.
Cosmopolitan
Garanci e padiskutueshme: nuk do ta hiqni dot nga dora këtë libër. Lexuesit e librave “Vajza e zhdukur” dhe “Vajza në tren” do të kuptojnë se ka rrëfime edhe më emocionuese.
American Booksellers Association
Dy gra ndikohen ndjeshëm nga shtëpia e tyre e mrekullueshme në këtë triller psikologjik, që do të përshtatet për ekranin e madhe nga Ron Hoëard.
Variety
Delaney ka krijuar një situatë vërtet të frikshme dhe tërheqëse në shtëpinë e rrugës “Folgejt”. Struktura e romanit gërshetohet mes rrëfimeve të Emës, para, dhe të Xhejnit, pas, teksa të dyja fillojnë të dyshojnë për fatin e tyre të mirë. Faqet do t’ju ikin pa e kuptuar.
USA Today
Shtëpia ka një të kaluar të errët dhe një pronar jo tamam mikpritës.
New York Post
Delaney shkruan me hir dhe me saktësi të habitshme, aq sa i skalit personazhet, kurse sekretet e tyre i zbulon pak nga pak.
Publishers Weekly
Marramendës, befasues e, mbi të gjitha, drithërues – modeli i përkryer i një trilleri psikologjik.
Lee Child
"Vajza e dikurshme" duhet të rrijë domosdo në krye në romaneve më të mira triller.
The Washington Post
Autori

JP Delaney është pseudonimi i autorit Anthony Capella, i lindur në Ugandë, më 1962. Studimet e larta i ka kryer në Kolegjin St. Peter, në Oksford, ku u diplomua për letërsi angleze. Romanet e tij janë përkthyer në më shumë se nëntëmbëdhjetë gjuhë dhe janë përdorur si skenarë filmash të suksesshëm.
Fragmente nga libri
  1. Pikëllimi është i çuditshëm, të zë pritë pikërisht atëherë kur nuk je gati t’i bësh ballë.
  2. Kthehem në shtrat duke rrëmuar me hundë nënkresën për ndonjë shenjë nga ai. Kërkoj aromën e tij, gjurmët që ka lënë trupi i tij mbi çarçafë. Fjalët e tij më kumbojnë në vesh. Kjo është e përkryer. Gjumi më rrëmben me një buzëqeshje në fytyrë.
  3. Në fund të fundit, mendoj, njerëzit kur flasin përdorin vazhdimisht të njëjtat fraza dhe forma gjuhësore. Të njëjtën barsoletë ua tregojmë njerëzve tëndryshëm, madje ndonjëherë ua përsërisim atyre që ua kemi treguar më parë, dhe çdo herë përdorim të njëjtat fjalë. E kush nuk bie në përsëritje, herë pas here? A nuk janë “nevoja për përsëritje” dhe “rikrijimi i së shkuarës”, fjalë të mëdha akademike që thonë vetëm se të gjithë jemi krijesa të zakonit?
  4. Dikush tjetër mund të kishte pasur fëmijërinë e Eduardit dhe të kishte përfunduar krejt normal, ndërsa atë, ndjeshmëria e lartë, apo mungesa e saj, e kanë shtyrë në tjetër shteg.
  5. Ka lezet të lë një libër hapur ndërsa gatuaj dhe ta marr më pas për ta lexuar duke ngrënë. Ia vlen të kesh një tas me fruta mbi banakun e kuzhinës nga ku mund të hash ndonjë syresh, herë pas here.

Titulli: Vajza e dikurshme
Titulli në origjinal: The Girl Before
Autori: JP Delaney
Përktheu: Blendi Salaj
Zhanri: Roman
 
5 librat që duhet t’i keni patjetër nën çadër këtë verë.
Vera njihet si koha ideale për të lexuar, sepse leximi në këtë periudhë të vitit nxit dëshirën për të njohur dhe për të kuptuar më shumë. Pushimet dhe plazhin, nuk mund ta nisësh asnjëherë pa të paktën një libër me vete. Duke bërë valixhen, shumica nga ne vihet shpesh në dilemë edhe për librat që do të marrë me vete. Veç të gjithë aksesorëve të domosdoshëm, bashkë me trendet e rrobave të banjës, në valixhe duhet të ketë patjetër hapësirë edhe për librat dhe titujt e rinj.
View attachment 30297
“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukoëski-t, Henri Çinaski. i lindur dështak, me një profesion pa rrugëdalje, i cili nuk i jep asnjë kënaqësi personale e megjithatë, me mjaft vetëdije sa për të dalluar absurditetin e situatës së tij, Çinaski është emblema e njeriut të zakonshëm.
View attachment 30298
"Historia e vajzës së humbur" është vëllimi i katërt dhe i fundit i "Mikeshës gjeniale", sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Në këtë sagë rrëfehet historia e një miqësie midis dy grave, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë. Ato takohen dhe përplasen, ndikojnë mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen. Ky vëllim i katërt dhe i fundit përmbyll një vepër letrare jashtëzakonisht pjellore dhe frymëzuese, një vepër e pranuar ndërkombëtarisht si një prej më të mirave të kohës sonë.
View attachment 30299
A mund të matet lumturia? Rreth kësaj pyetjeje është ndërtuar romani “Indeksi mesatar i lumturisë” i shkrimtarit portugez David Machado. Ky roman trajton çështjen e vjetër të lumturisë, të arsyeve për të qenë të lumtur dhe hedh pikëpyetje mbi rolin e arritjeve e të sukseseve, ato që botërisht njihen dhe quhen të tilla, në jetën tonë.
View attachment 30300
“Dashuria mbi gjithçka” është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Ky koleksion do të përmbajë romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. “Dashuria mbi gjithçka” është një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.
View attachment 30301
Te “Gruaja e togerit frëng”, Çarls Smithson, një i ri në prag martese dhe me një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin, teksa ajo vështron detin, e vetmuar. Që në faqen e parë, është tejet e qartë, që rrugët e Çarlsit dhe Sarës do të puqen. Një histori magjepsëse që vë në lojë, me shumë delikatesë, paragjykimet e personazheve dhe të vetë lexuesit.
 
‘Matja e botës’
View attachment 30303
Libri me një fjali
Romani "Matja e botës" ngjall emocione thellësisht frymëzuese rreth përpjekjeve të racionalitetit më të lartë në betejë me natyrën e egër dhe mizore të njerëzimit.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Në vitin 1828, Gausi, një matematikan, fizikan dhe astronom ftohet, nga Aleksandër fon Humbold, eksplorues, gjeograf dhe shkencëtar, të shkojë në Berlin ku do të mbahet një kongres shkencëtarësh. Gausi nuk ka aspak dëshirë të marrë pjesë, nuk i pëlqen të udhëtojë, njerëzit nuk para i interesojnë; është tip i vetmuar, tejet kritik dhe gërnjar, por Humboldi është më kokëfortë dhe arrin ta bindë.
Takimi midis dy prej mendjeve më të ndritura të Gjermanisë iluministe i jep autorit shkas për të rrëfyer jetët e tyre jashtëzakonshme, që nga fëmijëria e deri në takimin e vitit 1828, duke përfshirë edhe përshkrimin lehtësisht të kuptueshëm të teorive që kanë themeluar gjeografinë dhe matematikën moderne.
Autori e shoqëron lexuesin në udhëtimet e Humboldit mbi lundra të pabindura, në majat e maleve më të larta e në thellësitë e kratereve e shpellave më të fshehta. Lexuesi përhumbet në magjinë gjeniale të zbulimeve të Gausit, duke qeshur me manitë e tij, duke u pasionuar pas ideve dhe mënyrës se si e shihte botën ai, jetën dhe të ardhmen.
Ky është portreti entuziast e i përkushtuar i gjigantëve të shkencës dhe kulturës, të cilët zbresin nga piedestali dhe kthehen në personazhet zbavitëse të një komedie tejet të saktë nga pikëpamja historike.
Kritika
Stili paksa surreal i Kehlmann-it është një përzierje e komedisë, romancës dhe makabres, me dritëhije realizmi magjik, aq sa të duket sikur po lexon Borges-in në “Pyllin e Zi”.
- The Washington Post Book World
Lexohet me një frymë; një vepër vërtet e thellësisht zbavitëse.
- Los Angeles Times
Elegant dhe i përmbajtur në formë dhe në përmbajtje... Kehlmann-i dallon për ritmin e shpejtë dhe dorën e lehtë.
- The New York Times Book Review
Ky është një roman çuditërisht i kursyer në përshkrime, i saktë dhe i gjallë.
Ia del mbanë në një sfidë të paimagjinueshme: të veshë botën e shkencëtarëve gjermanë me një humor të hollë.
- The Wall Street Journal
Nga këto ngjarje të harruara, Daniel Kehlmann ka ndërtuar një roman të shkëlqyer, që është bërë bestseller tashmë në Gjermani, po edhe në vende të tjera në Evropë.
- The Guardian
Ky roman është një xhevahir i rrallë, njëkohësisht argëtim virtuozësh dhe përshkrim prekës i dy mendjeve të çuditshme... i jashtëzakonshëm.
- The Independent
Një satirë për klasicizmin gjerman, një roman aventurash, një portret i borgjezisë në fillim të shekullit XX, një studim për sakrificën dhe moralin e shkencës, portreti i dy burrave në plakje, të vetmuar secili sipas mënyrës së vet; dhe një tekst që lexohet lehtë, gjithë aludime, citate dhe xhevahire të fshehura.
- Die Zeit
Ky libër i zgjuar është i mbushur me fakte, por edhe një rrëfim energjik... Personazhet janë kaq të gjallë... Po aq i sofistikuar, sa dhe angazhues.
- The Sunday Times (London)
Daniel Kehlmann është një rrëfimtar me përvojë, i sigurt në tonet e tij, me një kontroll të madhërishëm mbi rrjedhën e historisë... i shkëlqyer!
- Der Spiegel
Autori

Daniel Kehlmann (1975) është një shkrimtar gjerman dhe austriak, autor i dhjetëra veprave. Romani i tij më i njohur, “Matja e botës”, i përkthyer në mbi njëzet gjuhë të botës, është libri më i shitur në gjuhën gjermane, që nga botimi i romanit “Parfumi” i Patrick Süskind. Kehlmann është fituesi i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Fragmente nga libri
1)

...asnjë nuk donte të përdorte mendjen. Njerëzit donin qetësinë e tyre. Ata donin të hanin dhe të flinin, dhe donin që të tregoheshe i mirë me ta, por nuk donin të mendonin.
2)
Sa herë që trembeni nga ndonjë gjë, është mirë që ta matni.
3)
... njeriu është i gatshëm t’i durojë prapësitë, por shumë zbulime i shpëtojnë, sepse ka frikë nga dhimbja.

View attachment 30304
Titulli: Matja e botës
Titulli në origjinal:
Die Vermessung der Welt
Autori: Daniel Kehlmann
Përktheu: Sokol Mici
Zhanri: Roman
 
  • Pëlqej
Reactions: Iva
Vajza e dikurshme
View attachment 30296
Një triller psikologjik, që ngërthen fatin e dy grave: të mirën dhe të mistershmen, në një vorbull dysie, vdekjeje dhe mashtrimi.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
E dëshpëruar për të gjetur një vend për të jetuar, Ema përfundon në shtëpinë e rrugës “Folgejt”. Shtëpia është vërtet një mrekulli: dizajn minimalist, ku ndërthuren xhami, guri i lëmuar dhe tavanet e varura. Por, arkitekti i mistershëm që e ka ndërtuar, ngulmon se banorët duhet të jetojnë sipas disa rregullave të rrepta. Shtëpia është ndërtuar me qëllimin e vetëm që t’i ndryshojë banorët e saj, dhe ashtu ndodh...
Pas një tragjedie vetjake, Xhejni ka nevojë t’ia nisë nga e para, dhe rruga “Folgejt” duket vendi i përkryer. Pak pasi vendoset në shtëpinë e re, merr vesh për fatin e Emës, qiraxheshës së parë. Në historinë që i shfaqet pak nga pak, ka shumë zona të errëta. Teksa përpiqet të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra, befas e shkuara nis të marrë jetë. Një triller psikologjik magjepsës, një nga librat më të shitur të vitit dhe i përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, “Vajza e dikurshme” ndërthur fatin, në dukje të mbarë, të një gruaje me fundin e mistershëm të një tjetre, në një kaleidoskop hipokrizie, mashtrimi dhe vdekjeje.
“Jeni të lutur të bëni një listë të çdo gjëje që është thelbësore për ju.” Kjo kërkesë e çuditshme dhe e bezdisshme do të jetë nisja e një rrugëtimi me pasoja shkatërrimtare.
Kritika
Një triller psikologjik gozhdues… Me saktësi dhe elegancë, Delaney zhvesh personazhet nga sekretet e tyre, pak nga pak, derisa del në shesh e vërteta e kulluar dhe pa zbukurime.
Publishers Weekly
“Vajza e dikurshme” ka një ritëm të shpejtë... Delaney servir pyetje të lidhura me etikën në faqe të veçanta, përgjatë gjithë librit... Gjetja më gjeniale: nuk na jepen përgjigjet e asnjërës prej grave.
The New York Times
Do t’ju bëhet fiksim ky roman rrëqethës për një grua që gjen shtëpinë e ëndrrave... derisa zbulon fatin e mistershëm të banores së mëparshme.
Cosmopolitan
Garanci e padiskutueshme: nuk do ta hiqni dot nga dora këtë libër. Lexuesit e librave “Vajza e zhdukur” dhe “Vajza në tren” do të kuptojnë se ka rrëfime edhe më emocionuese.
American Booksellers Association
Dy gra ndikohen ndjeshëm nga shtëpia e tyre e mrekullueshme në këtë triller psikologjik, që do të përshtatet për ekranin e madhe nga Ron Hoëard.
Variety
Delaney ka krijuar një situatë vërtet të frikshme dhe tërheqëse në shtëpinë e rrugës “Folgejt”. Struktura e romanit gërshetohet mes rrëfimeve të Emës, para, dhe të Xhejnit, pas, teksa të dyja fillojnë të dyshojnë për fatin e tyre të mirë. Faqet do t’ju ikin pa e kuptuar.
USA Today
Shtëpia ka një të kaluar të errët dhe një pronar jo tamam mikpritës.
New York Post
Delaney shkruan me hir dhe me saktësi të habitshme, aq sa i skalit personazhet, kurse sekretet e tyre i zbulon pak nga pak.
Publishers Weekly
Marramendës, befasues e, mbi të gjitha, drithërues – modeli i përkryer i një trilleri psikologjik.
Lee Child
"Vajza e dikurshme" duhet të rrijë domosdo në krye në romaneve më të mira triller.
The Washington Post
Autori

JP Delaney është pseudonimi i autorit Anthony Capella, i lindur në Ugandë, më 1962. Studimet e larta i ka kryer në Kolegjin St. Peter, në Oksford, ku u diplomua për letërsi angleze. Romanet e tij janë përkthyer në më shumë se nëntëmbëdhjetë gjuhë dhe janë përdorur si skenarë filmash të suksesshëm.
Fragmente nga libri
  1. Pikëllimi është i çuditshëm, të zë pritë pikërisht atëherë kur nuk je gati t’i bësh ballë.
  2. Kthehem në shtrat duke rrëmuar me hundë nënkresën për ndonjë shenjë nga ai. Kërkoj aromën e tij, gjurmët që ka lënë trupi i tij mbi çarçafë. Fjalët e tij më kumbojnë në vesh. Kjo është e përkryer. Gjumi më rrëmben me një buzëqeshje në fytyrë.
  3. Në fund të fundit, mendoj, njerëzit kur flasin përdorin vazhdimisht të njëjtat fraza dhe forma gjuhësore. Të njëjtën barsoletë ua tregojmë njerëzve tëndryshëm, madje ndonjëherë ua përsërisim atyre që ua kemi treguar më parë, dhe çdo herë përdorim të njëjtat fjalë. E kush nuk bie në përsëritje, herë pas here? A nuk janë “nevoja për përsëritje” dhe “rikrijimi i së shkuarës”, fjalë të mëdha akademike që thonë vetëm se të gjithë jemi krijesa të zakonit?
  4. Dikush tjetër mund të kishte pasur fëmijërinë e Eduardit dhe të kishte përfunduar krejt normal, ndërsa atë, ndjeshmëria e lartë, apo mungesa e saj, e kanë shtyrë në tjetër shteg.
  5. Ka lezet të lë një libër hapur ndërsa gatuaj dhe ta marr më pas për ta lexuar duke ngrënë. Ia vlen të kesh një tas me fruta mbi banakun e kuzhinës nga ku mund të hash ndonjë syresh, herë pas here.
Titulli: Vajza e dikurshme
Titulli në origjinal: The Girl Before
Autori: JP Delaney
Përktheu: Blendi Salaj
Zhanri: Roman

Ky eshte liber fantastik, i radhes qe po pres te lexoj.
 
5 librat që duhet t’i keni patjetër nën çadër këtë verë.
Vera njihet si koha ideale për të lexuar, sepse leximi në këtë periudhë të vitit nxit dëshirën për të njohur dhe për të kuptuar më shumë. Pushimet dhe plazhin, nuk mund ta nisësh asnjëherë pa të paktën një libër me vete. Duke bërë valixhen, shumica nga ne vihet shpesh në dilemë edhe për librat që do të marrë me vete. Veç të gjithë aksesorëve të domosdoshëm, bashkë me trendet e rrobave të banjës, në valixhe duhet të ketë patjetër hapësirë edhe për librat dhe titujt e rinj.
View attachment 30297
“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukoëski-t, Henri Çinaski. i lindur dështak, me një profesion pa rrugëdalje, i cili nuk i jep asnjë kënaqësi personale e megjithatë, me mjaft vetëdije sa për të dalluar absurditetin e situatës së tij, Çinaski është emblema e njeriut të zakonshëm.
View attachment 30298
"Historia e vajzës së humbur" është vëllimi i katërt dhe i fundit i "Mikeshës gjeniale", sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Në këtë sagë rrëfehet historia e një miqësie midis dy grave, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë. Ato takohen dhe përplasen, ndikojnë mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen. Ky vëllim i katërt dhe i fundit përmbyll një vepër letrare jashtëzakonisht pjellore dhe frymëzuese, një vepër e pranuar ndërkombëtarisht si një prej më të mirave të kohës sonë.
View attachment 30299
A mund të matet lumturia? Rreth kësaj pyetjeje është ndërtuar romani “Indeksi mesatar i lumturisë” i shkrimtarit portugez David Machado. Ky roman trajton çështjen e vjetër të lumturisë, të arsyeve për të qenë të lumtur dhe hedh pikëpyetje mbi rolin e arritjeve e të sukseseve, ato që botërisht njihen dhe quhen të tilla, në jetën tonë.
View attachment 30300
“Dashuria mbi gjithçka” është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Ky koleksion do të përmbajë romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. “Dashuria mbi gjithçka” është një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.
View attachment 30301
Te “Gruaja e togerit frëng”, Çarls Smithson, një i ri në prag martese dhe me një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin, teksa ajo vështron detin, e vetmuar. Që në faqen e parë, është tejet e qartë, që rrugët e Çarlsit dhe Sarës do të puqen. Një histori magjepsëse që vë në lojë, me shumë delikatesë, paragjykimet e personazheve dhe të vetë lexuesit.
Na gjej ndonjë link për shkarkim në gjuhën shqipe.
Di ndonjë?
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.