Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Mesime nga jeta!

Mamaja deve dhe djali i saj i vogël ishin shtrirë përdhe kur papritur vogëlushi pyeti: “Mami, a mund të të bëj një pyetje?” Mami iu përgjigj, “Sigurisht! A ka ndonjë gjë që të shqetëson bir?” Vogëlushi i tha: “Po mami, kam diçka që më shqetëson. O ma, pse kanë devetë gunga në kurriz?” Mami iu përgjigj: “Epo djalë, ne jemi kafshë shkretëtire, na nevojiten gungat për të depozituar ujin. Të gjithë e dinë që ne mund të mbijetojmë për një kohë shumë të gjatë pa pirë ujë.”

“Po mirë, po këmbët tona pse janë të gjata dhe shputat e tyre janë të rrumbullakëta?”, ia ktheu vogëlushi. “Bir, natyrisht ato janë krijuar për të ecur në shkretëtirë. Me këto këmbë, ne mund të ecim përreth shkretëtirave më mirë se të gjithë të tjerë!”, iu përgjigj mamaja. “Dakort, po qerpikët pse i kemi kaq të gjata? Nganjë herë më pengojnë që të shikoj!”, vazhdoi përsëri vogëlushi. “Biri im, ato qerpikë të trashë dhe të gjatë janë mbulesa jote mbrojtëse. Ato mbrojnë sytë e tu nga era dhe nga rëra e shkretëtirës”, iu përgjigj mamaja me krenari.

Djali pasi u mendua pak tha: “E mar vesh. Domethënë gungat janë që të depozitojmë ujin kur jemi në shkretëtirë, këmbët janë për të ecur në shkretëtirë dhe këto qerpikë janë për të na mbrojtur në shkretëtirë. Atëhëherë për hir të zotit, çfarë dreqin bëjmë ne këtu në kopësht zoologjik?!”

Mësimi:
Aftësitë, dija, kompetencat dhe eksperiencat janë të dobishme vetëm nëse ti je në vendin e duhur. (Në shqipëri për shembull, nuk paske qenë më i miri në të gjitha ti, po nuk pate miq ose po nuk pagove, nuk bëhet fjalë të gjesh punë!
1f61c.png
?
 
TRE TE MOSHUARIT !

Një grua doli nga shtëpia dhe pa tre burra të moshuar me mjekrra të gjata e të bardha, ulur në oborrin e shtëpisë së saj. Nuk i njohu.

Ajo u tha: “Nuk mendoj se ju njoh, por duhet të jeni të uritur. Ju lutem, ejani brenda të hani diçka”.

“A është brenda burri i shtëpisë?”, pyetën ata.
“Jo”, u përgjigj gruaja. “Ka dalë”.
“Atëherë nuk mund të hyjmë”, u përgjigjën ata.

Në mbrëmje, kur i shoqi erdhi në shtëpi, ajo i tregoi çfarë kishte ndodhur. “Shko thuaju që jam në shtëpi dhe ftoji brenda!”
Gruaja doli dhe i ftoi.

“Ne nuk hyjmë në një shtëpi së bashku”, u përgjigjën ata.
“Pse?”, pyeti gruaja.
Njëri prej burrave të moshuar shpjegoi: “Ai quhet ‘Pasuria’, tha duke treguar me gisht një prej shokëve, ai është ‘Suksesi” dhe unë jam ‘Dashuria’”.

Më pas shtoi: “Tani shko dhe diskuto me tët shoq, se cilin prej nesh do që të hyjë në shtëpinë tuaj”. Gruaja u fut brenda dhe i tregoi të shoqit atë që i ishte thënë. I shoqi u mbush me gëzim.
“Sa mirë!”, tha ai. “Meqë është kështu, të ftojmë Pasurinë. Lëre të hyjë dhe të na e mbushë shtëpinë me pasuri!”

Gruaja nuk ishte dakord. “I dashur, përse nuk ftojmë Suksesin?”
Vajza e tyre po dëgjonte nga qoshja e shtëpisë. Ajo kërceu me sugjerimin e saj: “A nuk do të ishte më mirë të ftonim Dashurinë? Kështu shtëpia do të na mbushej me dashuri”.

“Dëgjojmë këshillën e vajzën”, i tha bashkëshorti gruas. “Shko dhe fto Dashurinë, që të jetë mysafiri jonë”. Dashuria u ngrit në këmbë dhe nisi të ecë drejt shtëpisë. Edhe dy të tjerët u ngritën dhe e ndoqën pas.
6
E habitur, gruaja pyeti Pasurinë dhe Suksesin: “Unë ftova Dashurinë, pse po vini dhe ju?”

Tre burrat iu përgjigjën: “Po të kishe ftuar Pasurinë apo Suksesin, dy të tjerët do të rrinim jashtë, por duke qenë se ftove Dashurinë, kudo ku ai shkon, ne shkojmë bashkë me të”
 
Një vajzë e re e sapo martuar shkoi të jetojë në shtëpinë e saj të re me të shoqin dhe me të vjehrrën. Pas disa ditësh vajza ndjeu se nuk mund të jetonte dot në të njëjtën çati me të vjehrrën pasi ajo ishte me me të vjetrën dhe kishin shumë mendime të ndryshme në diskutime. Filluan të ziheshin e të bënin sherr çdo ditë. Muajt kaluan por jeta e saj me të vjehrrën nuk u përmirësua. Vjehrra e ndërpriste gjithmonë vajzën dhe i tregonte se çfarë duhet të bëjë.

Gjërat sa vinin e po përkeqësoheshin. Një ditë vajza i ankohet të shoqit se gjërat po shkonin keq midis saj dhe vjehrrës por ai mbajti anën e vjehrrës. Ajo e inatosur shkoi tek shtëpia e të atit i cili ishte një mjek shumë i mirë i dalë në pension. Duke qarë i tha të atit, “Baba, të lutem më jep pak helm tia jap vjehrrës sime sepse unë nuk shkoj atje për sa kohë ajo të jetë gjallë.”
I ati u mundua të ngushëllojë të bijën dhe i tha, “E dashur, nëse i jep asaj helm dhe ajo vdes, atëher policia do të të arrestojë ty e më pas do të më arrestojë mua. Nuk mendoj se është ide e mirë të veprojmë kështu.”

Vajza iu përgjigj,
“Nuk dua tia di fare. Dua të më japësh helmin ta vras atë. Nuk dua më ta shoh me sy apo ta kem në jetën time. ”

Pasi u mendua pak i ati i tha, “Në rregull, do të bëj si do ti por unë nuk mund të të shoh teksa shkon në burg, kështuqë do bëjmë sipas mënyrës sime. A je dakord?”

“Dakord jam por çfarë duhet të bëj?” iu përgjigj vajza. Babai i solli një shishe të vogël dhe i tha, “Duhet ti hedhësh vetëm një pikë helm në ushqim vjehrrës çdo ditë. Në këtë mënyrë ajo nuk do të vdesë menjëherë, por do të dobësohet nga sasia e pakët e helmit që po i jep ti dita ditës dhe brenda 5 ose 6 muajve do të vdesë. Njerëzit do mendojnë se vdiq nga dobësia dhe nuk do i shkojë mendja njeriu që e ke vrarë ti. Gjithashtu duhet të bësh kujdes që yt shoq mos të dyshojë tek ti, duhet të ndalosh së bëri sherr me vjehrrën, ta trajtosh me respekt dhe të sillesh mirë me të, edhe nëse ajo të tall apo të keqtrajton. Duke bërë kështu askush nuk do të dyshojë tek ti, as policia. Tani më thuaj, e bën dot këtë?”

Vajza mendoi dhe tha me vete, 5-6 muaj do bëj si do bëj dhe ra dakort me propozimin e të atit. Mori shishen e helmit dhe shkoi në shtëpinë e të shoqit. Filloi që të nesërmen ti hidhte nga një pikë helm vjehrrës në ushqim. Gjithashtu ajo ndryshoi sjelljen me të, tashmë ajo ia dëgjonte fjalën vjerrës dhe e trajtonte me respekt dhe dashuri sikur ta kishte nënën e saj. Këtë e bënte vetëm për mos të rënë në sy.

Pas disa javësh, filloi të ndryshojë sjellje edhe vjehrra karshi vajzës. Tashmë vjehrra filloi të kalonte më shumë kohë me vajzën dhe i uronte asaj gjithmonë gjëra të mira e falenderime. Vajza vazhdonte te hidhte nga një pikë helm në ushqimin e saj dhe muajt kaluan. Por tashmë ambienti i shtëpisë kishte ndryshuar. Zënkat dhe sherret midis tyre kishin pushuar me kohë. Ato përkujdeseshin për njëra tjetrën. Vjehrra ulej afër vajzës sa herë që hanin në tavolinë, i fliste asaj, e përkëdhelte, madje ajo nuk shkonte në gjumë pa biseduar dhe pa i uruar vajzës natën e mirë.

Pesë muaj kaluan dhe vjehrra e trajtonte nusen si vajzën e saj dhe vajza filloi ta ndjejë vjehrrën si të ishte mamaja e saj. Asaj iu kujtua helmi që i jepte çdo ditë. Nuk mund ta pranonte që po e linte të vdiste. Filloi të merakosej për shëndetin e saj. Duke menduar të gjitha këto, shkoi tek shtëpia e të atit dhe i kërkoi atij ilaç që ta shpëtonte vjehrrën nga helmi që i kishte dhënë për muaj me radhë. Ajo i tha të atit, “ Vjehrra ime tashmë është shumë e ëmbël me mua, dhe unë nuk dua më që ajo të vdesë. Të lutem më jep një mjekim që ka efekt të kundërt me helmin që më dhe më parë.”
Babai qeshi dhe i tha, “Helm? Çfarë helmi? Unë të dhashë një ilaç për të tretur ushqimin vjehrra jote !!!”
 
Një plak jetonte me djalin e tij. Por një ditë djali i tij u dënua padrejtësisht dhe e dërguan në burg. Plaku kishte një kopësht përpara shtëpisë së tij që e përdorte gjithmonë për të rritur patate. Edhe këtë vit erdhi koha e mbjelljes së patateve por plaku e kishte të pamundur ta punonte i vetëm pasi tashmë e kishin lënë fuqitë. Djali i tij ishte akoma në burg dhe plaku nuk kishte mundesi të pajtonte një avokat për ta nxjerrur atë nga burgu. Kështuqë një ditë i shkruajti atij një letër dhe i tregoi për situatën.

Ai shkruajti në letër:
Bir,
Këtë vit po ndihem keq dhe nuk kam mundësi të mbjell patatet në kopësht. Nuk dua ta lë pa mbjellë këtë vit pasi nëna jote kishte shumë dëshirë ti mbillte ato për çdo vit, por unë jam shumë i vjetër për të punuar në kopësht tashmë. Do të dëshiroja që ti tani të ishe këtu me mua, e di që ti do ta kishe punuar për mua kopështin dhe të gjitha telashet e mia do të ishin zgjidhur.
Me dashuri, babi.

Pas pak ditësh plaku mori një telegram nga i biri me një përgjigje të shkurtër:
Babi...!! Mos e puno kopështin para shtëpisë... aty unë kam groposur dhe fshehur të gjitha armët e mia...!!

Mëngjesin tjetër, plaku pa agjentët e policisë të shfaqeshin përpara shtëpisë së tij dhe e gërmuan të gjithën por nuk mundën të gjenin anjë armë dhe ikën.

I habitur nga e gjitha kjo ndodhi, plaku i shkruajti një telegram tjetër djalit duke i shpjeguar se çfarë ndodhi.
Përgjigja e djalit ishte:
Babi, vazhdo të mbjellësh patatet... Kaq kisha mundesi të të ndihmoj nga këtu...

Mësimi:
Nëse do vërtet nga thellësia e zemrës të ndihmosh dikë, do ta gjesh një mënyrë patjetër për ta bërë.
:)
 
Një herë një meso burrë kishte humbur punën e tij dhe ishte në kërkim të një pune tjetër për të mbajtur familjen e tij. Në një gazetë pa një njoftim ku kërkohej një punonjës në pozicionin “Punonjës Zyre” tek Microsoft-i. Duke qenë se kishte shumë nevojë për punë ai aplikoi menjëherë për vendin e punës “Punonjës Zyre i Microsoft”.

Ditën tjetër ai u thirr për një intervistë. Duke qenë se shtëpinë e kishte larg nga vendi ku bëhej intervista ai mori një panine dhe një kokërr domate vetë. Menaxheri e intervistoi dhe i dha një test. Burri e kaloi testin me sukses. Menaxheri i tha, “Je i punësuar... Tani më jep adresën tënde email që të dërgoj detajet se çfarë dokumentash duhet të kesh me vete ditën që do fillosh punë.”

Burri iu përgjigj, “Zotëri, unë nuk kam as kompjuter as adresë email.” Menaxheri tha, “Çfrë...? Të mos kesh një adresë email-i në ditët e sotme është si të mos egzistosh fare, e sidomos të punosh për microsoft-in. Dhe kjo do të thotë që ti nuk mund të punësohesh këtu, më vjen keq.”

Burri u largua. Ai nuk dintë më çfarë të bënte pasi kishte vetëm 10$ në xhep dhe bukën që mori nga shtëpia. Ai nuk kishte më shpresa të gjente një punë tjetër. Nuk kishte dëshirë të shkonte në shtëpi pa gjetur një punë. U ul në një stol në katin e parë të Microsoft dhe nxorri të hante paninen me domate dhe më pas do vazhdonte të kërkonte nëpër qytet një punë tjetër.

Sapo hapi paninen, një punonjës zyre i tha, “A mund të ma japësh mua atë panine dhe domaten të paguaj 5$ sepse nuk më lejohet të dal nga vendi i punës dhe jam shumë i uritur.” Burri ia dha dhe i mori paratë.

Shkoi të blejë në një dyqan afër një panine tjetër dhe një domate dhe u ul përsëri të hante drekën e tij. Në atë moment kolegu tjetër i përsonit që bleu më parë i tha, “Ma shit dhe mua këtë panine me domate të të jap dhe unë 5$ si kolegu im, sepse as unë nuk lëviz dot nga vendi i punës.” Dhe kështu bëri. Ai atë ditë skishte ku të shkonte, i papunë ishte, sado pak të fitonte për të ishte gjëja më ë mirë që mund të bënte, dhe vendosi ti shpenzojë të gjitha paratë që kishte duke blerë panine dhe domate.

U kthye nëpër zyra dhe pyeste punonjësit nëse donin të blinin një panine dhe një domate për 5$. Të gjithë ia blenin pasi nuk mund të largoheshin nga zyra. Bëri këtë gjë gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje vuri re se kishtë 4-fishuar paratë e tij.

Kjo e bëri të mendojë se mund të mbijetonte duke blerë dhe duke shitur panine me domate. Ai punonte shumë çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje duke shitur perime. Në 5 vjet ai u bë një biznesmen i suksesshëm. Tani ai ka skuadrën e tij të shpërndarjes dhe u bë një nga shitësit me pakicë më të rëndësishëm në Amerikë.

Një ditë vendosi të bënte sigurim jetë për vete dhe për familjen. Telefonoi një konsulent sigurimi dhe pas shumë diskutimesh, konsulenti i kërkoi adresën e tij të email-it. Burri you përgjigj,”Unë nuk kam adresë email-i.”

Konsulenti u habit dhe tha, “Ti pa pasur një adresë email-i dhe ndërtove një perandori... A e imagjinon dot se çfarë mund të kishe bërë nëse do kishe patur një adresë email-i...?”

Burri u mendua për një çast dhe iu përgjigj, “Një Punonjës Zyre...!!”

Mësimi:
Nëse kërkojmë diçka dhe nuk e arrijmë dot, nuk duhet ti humbim shpresat... Nuk e dimë se çfarë na ka rezervuar fati... Kurrë mos humb shpresë dhe mos u dorëzo së provuari.
:p
 
Një herë një vogëlush jetonte vetëm me mamin e tij. Ata ishin të varfër dhe fitonin sa për të përmbushur nevojat e tyre minimale. Mamaja kishte vetëm njërin sy, prej kësaj djaloshi mendonte shpesh se ajo e turpëronte atë.

Një ditë kur Mami shkoi te shkolla e djalit, të gjithë e përqeshnin atë dhe e tallnin për mamin e tij që kishte vetëm njërin sy. Për shkak të kësaj djali filloi të urrente mamanë dhe mendoi që prezenca e saj ishte vetëm një siklet për të dhe ai nuk dontë më të jetonte me nënën e tij.

Kështu vendosi të studionte shumë dhe të largohej nga shtëpia duke e braktisur nënën. Djaloshi mbaroi studimet me nota të mira dhe gjeti një punë të mirë në një qytet tjetër. Ai e la mamanë dhe u shpërngul në qytet. Bleu një shtëpi të madhe, u martua dhe u bë me fëmijë. Ai po jetonte një jetë të lumtur dhe të suksesshme. Atje ai nuk kishte asgje që i kujtonte nënën e tij dhe turpin e shkaktuar prej saj.

Një ditë mamaja erdhi ta shohë atë. Kur fëmijët e tij panë gjyshen ata u trembën dhe shkuan tek djaloshi. Kur shkoi të shohë se kush ishte në derë që i trembi fëmijët, pa që ishte nëna e tij. Duke e parë në sy i tha, “Kush je ti?? Si guxon të vish në shtëpinë time??” Mamaja e kuptoi që djali nuk donte ta shikonte dhe iu përgjigj me qetësi, “Oh, më vjen shumë keq. Do të kem ngatërruar adresën.” Dhe më pas u largua.

Pas disa ditësh, djaloshi mori një letër nga shkolla e tij rreth një mbledhjeje. Shkoi në mbledhjen e shkollës dhe më pas u kthye tek shtëpia e vjetër ku jetonte mamaja. Sapo hyri në shtëpi, pa mamanë e tij të shtrirë përtokë të pajetë duke mbajtur në dorë një copë letër. Ishte një letër për birin e saj.

Ajo kishte shkruar:
Biri im,
Mendoj se jeta ime ka qenë e gjatë mjaftueshëm. Dhe... Nuk do të të vizitoj më... por kaq shumë është të të kërkoja që hera herës të vije e të më vizitoje? Më ka marë malli shumë, dhe u gëzova shumë kur mora vesh se do vije për mbledhjen. Por vendosa të mos vij tek shkolla... që mos të të turpëroj Ty... Më fal që kam vetëm një sy, dhe që unë kam qenë një turp për ty.

Shiko, kur ke qenë shumë i vogël, ti u përfshive në një aksident, dhe humbe njërin sy. Si mama, nuk mund të duroja të të shihja teksa rriteshe me vetëm njërin sy... kështuqë të dhashë ty syrin tim... Isha shumë krenare për tim bir që po shikonte një botë të madhe të re për mua, në vendin tim, me syrin tim. Nuk jam mërzitur kurrë me ty për çdo gjë që ke bërë.

Më ka marrë malli shumë. Të dua shumë. Ti për mua je bota!
 
Një djalosh i ri, i përkëdhelur gjithmonë nga babai i tij i pasur, do të diplomohej javën e ardhshme. Disa javë më parë ai pa një makinë sportive shumë të bukur në një vitrinë dhe e donte atë si dhuratë diplomimi nga i ati.

Ditën që ai pa atë makinë, shkoi brënda dhe mori detajet e shitësit dhe të makinës. Ai i dha shenja të dukshme të atit se e donte atë makinë në ditën e tij të diplomimit. Djaloshi i ri ishte vërtet shumë i gëzuar ndërkohë që priste atë makinë si dhuratë nga i ati sepse ai merte gjithmonë atë që dëshironte nga babai i tij.

Më në fund, dita e diplomimit erdhi. Babai e thirri atë në zyrën e tij dhe i kërkoi të ulej. Babai u ngrit dhe solli një dhuratë të bukur të paketuar. Babai ia dha dhuratën duke i thënë se sa krenar ishte që kishte një djalë si ai dhe se sa shumë e donte atë. Djaloshi shumë i lumtur hapi me nxitim dhuratën, duke shpresuar se do të gjente në të çelësat e makinës sportive. Por ajo që gjeti në të ishte një libër. Ai u zhgënjye dhe u zemërua shumë kur pa vetëm një libër dhe jo çelësat e makinës sportive.

Me nerva ai ngriti zërin dhe i tha të atit, “Me gjithë ato para që ke ti më bleve këtë??” dhe doli nga shpia fluturimthi duke ia hedhur librin të atit mbi tavolinë. Djaloshi u zemërua aq shume saqë doli nga shpia e të atit pa pritur as të merte një përgjigje nga babai i tij dhe vendosi të mos kthehej më kurrë. Shumë vite kaluan dhe djaloshi u bë një biznesmen i suksesshëm tamam si i ati. Ai nuk e ka parë më të atin që prej ditës së diplomimit.

Një ditë ai mer një telegram se i ati kishte ndërruar jetë dhe se ai i kishte lënë të gjitha ato që kishte trashëgimi të birit, dhe për këtë arsye djaloshi duhej të kthehej dhe të kujdesej për gjërat që i kishtë lënë i ati. Kur arrit në shtëpinë e të atit, ai ndjeu mërzitje dhe pendimi i mbushi zemrën. Ai shkoi të zyra ku foli për herë të fundit me të atin. Ati filloi të shikonte për gjërat që do të sistemonte.

Në një nga sirtarët ai gjeti të njëjtin libër të cilin babai ia kishte dhuruar ditën e diplomimit. Të gjitha kujtimet iu kthyen rrufeshëm. U ul në të njëjtën karrige dhe me lotët që i rridhnin në fytyrë, hapi librin dhe filloi të shfletosë faqet një e nga një. Pasi kaloi disa faqe ai pa një vrimë në mes të librit ku ishin vendosur çelësat e makinës sportive dhe një shënim në të. Në shënim ishte shkruar...

“ME DASHURI PËR DJALIN TIM, I CILI MË BËRI KAQ KRENAR...”

Morali:
Shpesh herë në jetë Paragjykojmë njerëzit që takojmë dhe gjërat që përjetojmë në Jetë ngaqë ato nuk janë Paketuar ashtu si ne presim të jenë, prej kësaj ne marrim Vendime Drastike të bazuara në Keqkuptime. Kur jemi të zemëruar, duhet të ndalemi për një Çast para se të bëjmë një Gjykim të Ashpër për një person apo për një situatë. Më e rëndësishmja është se duhet të mësojmë të falim Përpara se të jetë shumë Vonë!
 
Ishte në herë një marangoz shumë i zoti në punën e tij. Ai punonte shumë dhe ndërtonte shtëpi shumë të bukura. Me kalimin e kohës ndjeu se trupi i tij nuk ishtë më aq i fortë si më parë. Gjithashtu ai kishte fituar mjaftueshëm para për të jetuar i qetë dhe i lirë pjesën e mbetur të jetës me familjen e tij. Kështu vendosi se ishte koha për të dalë në pension dhe të tërhiqesh nga e gjithë ajo punë e vështire. Ai shkoi te punëdhënësi i tij dhe e vuri në dijeni për largimin e tij. Punëdhënësi u mërzit kur dëgjoi këtë dhe të shikontë punonjësin e tij të mirë të largohej.

Para se marangozi të largohej punëdhënësi tha, “E di që do të largohesh por të kërkoj si favor personal të më ndërtosh dhe një shtëpi të fundit.” Duke qenë punonjës për kaq kohë të gjatë, marangozi pranoi dhe mori sigurinë që ky do të ishte projekti i tij i fundit.

Marangozi e kishte e kishte aq të ngritur mendjen për të ikur saqë kur pranoi propozimin nuk i kushtoi shumë rëndësi detajeve të shtëpisë që po ndërtonte si projekt të fundit.

Ai gjatë gjithë jetës e bënte punën me zemër dhe jepte maksimumin e tij të mundshëm, por këtë herë zemra e tij nuk ishte në punën e tij. Ai përdori një mjeshtëri të dobët sepse e kishte mendjen të largohej dhe të mbaronte punën e caktuar një orë e më parë. Kur puna mbaroi, marangozi thirri punëdhënësin dhe i tregoi atij shtëpinë e ndërtuar. Punëdhënësi erdhi dhe mbante disa letra në duar.

Kur marangozi i zgjati çelësat e shtëpisë punëdhënësit, punëdhënësi ia mbështolli dorën grusht duke ia kthyer çelësat mbrapsht. I zgjati dhe letrat që kishte në dore duke i thënë, “Kjo është shtëpia jote, është një dhuratë nga mua pasi ti ke punuar gjithë jetën në këtë kompani.”

Marangozi mbeti i habitur dhe i shokuar. Mendoi me vete, “Sa turp! Sikur ta dija që po ndërtoja shtëpinë time, do të kisha ndërtuar shtëpinë më të mirë që kam ndërtuar ndonjë herë në jetën time...”

Morali:
Së pari, Zoti na ka dërguar në këtë botë të jetojmë jetën në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe tani, është në dorën tonë se sa mirë e ndërtojmë dhe e jetojmë jetën tonë.
Së dyti, kurdo që pranojmë një punë, ne duhet ta bëjmë me ndershmëri dhe të japim më të mirën tonë për ta kryer atë.
 
Profesori filloi mësimin duke mbajtur në dorë një gotë të mbushur me pak ujë. Ai e ngriti lart që ta shikonin të gjithë studentët dhe i pyeti ata “Sa mendoni se peshon kjo gotë?”

“50 gramë!” … “100 gramë” … “125 gramë” … u përgjigjën studentët. “Unë vërtet nuk e di se sa peshon se nuk e kam matur,” tha profesori, “por, pyetja ime është:

Çfarë do të ndodhë nëse e mbaj kështu lart për disa minuta?”

… “Asgjë” … thanë studentët.

“Ok çfarë do të ndodhë nëse e mbaj lart si tani për një orë?” pyeti profesori.

“Do të fillojë të të dhembë krahu” tha njëri prej studentëve.
“Ke të drejtë, tani çfarë do të ndodhë nëse e mbaj lart për një ditë?”

“Do të të mpihet krahu; mund të kesh paralizë dhe stres muskuli të rëndë dhe me siguri do përfundosh në spital!” u përgjigj një tjetër dhe të gjithë studentët filluan të qeshin.

“Shumë mirë. Por gjatë gjithë kësaj kohe a ndryshoi pesha e gotës?” Pyeti profesori.

“Jo” … Ishte përgjigja e tyre.

“Atëherë çfarë e shkaktoi dhimbjen dhe stresin e muskulit?”

Studentët mbetën të habitur.

“Çfarë duhet të bëj unë tani që të më kalojë dhimbja?” Pyeti profesori sërish.

“Ule gotën poshtë që të pushosh” tha një prej studentëve.

“Saktë!” tha profesori. Problemet e jetës jane diçka e ngjashme si kjo.

Mbaji për disa minuta në kokë dhe ato duken OK. Mendo për to për një kohë të gjatë dhe ato fillojnë të të shkaktojnë dhimbje. Mbaji ato akoma më shumë në kokë dhe do fillojnë të të paralizojnë ty. Ju nuk do të mund të bëni dot asgjë.

Është e rëndësishme të mendoni për problemet në jetën tuaj,por AKOMA MË E RËNDËSISHME është ‘TI ULËSH POSHTË ATO’ e ti harrosh për çdo ditë para se të bini me fjet…

Në këtë mënyrë, ju nuk jeni të stresuar, ju do zgjoheni çdo ditë të freskët, të fortë dhe mund të përballoni çdo problem, çdo sfidë që ju del përpara!

Pra miku im, kur të fillosh ditën nesër, kujto këtë mësim dhe
“ULE GOTËN POSHTË SOT!”
 
Një burrë po i shërbente me shumë përkushtim rrënjës së trëndafilit që kishte mbjellë ca ditë më parë. E ujiste çdo ditë duke pritur çastin, kur gonxhja do të shperthente.

Mirëpo një ditë u mërzit nga gjembat e shumtë e tha me vete: “Si mund të dalë një lule kaq e bukur nga një bimë e mbushur plot me gjemba ?!” Dhe e la pas dore kujdesin ndaj saj, pikërisht pak para se ajo të çelte. Dhe keshtu, rrënja e trëndafilit u tha.

Fatkeqësisht, kështu ndodh dhe me shumë njerëz. Brenda çdo shpirti ekziston një trëndafil, pavarësisht fajeve dhe gabimeve. Por shumë nga ne shohin vetëm gjembat,të metat dhe nuk e vlerësojne natyrën e pastër që Zoti ka mbjellë në shpirtrat tanë. Kjo ndjenjë dëshpërimi dhe vlerësimi i ulët për veten na bën që ta lëmë pa ujitur këtë mirësi, e cila pak e nga pak vdes brenda nesh…!!
 
"Sot është një ditë e bukur!"

Autobusi me të cilin kthehesha nga puna, si zakonisht, ishte i stërmbushur me njerëz, të cilët më shtynin andej këndej, e kjo ma shtonte më tepër nervozizmin që e kisha.

Papritmas dëgjova një zë të thellë nga pjesa e përparme e autobusit:

"Sot është një ditë e bukur!"

Kush mund të jetë ky njeri që kjo ditë e vranët e me shi, dhe në këtë autobus me plot njerëz t’i duket e bukur. U mundova ta shoh, por turma e madhe ma pamundësonte këtë.

Mezi prisja të mbërrija në stacionin tim, të zbres nga autobusi dhe të ikja nga kjo rrëmujë e krijuar.

Ja arrita në stacionin tim. Fillova të “përpihem” përmes turmës dhe të arrij deri te dalja. Dola nga autobusi..., dhe në vend se të eci, u ndala. Kureshtja më shtynte ta shoh njeriun të cilit kjo ditë i dukej e bukur. Ktheva kokën dhe pash një njeri me mjekër të zezë, me syze të zeza dhe me një shkop të bardhë në dorë.

Ishte i verbër!

Në atë moment ndjeva një keqardhje ..., jo për njeriun, por për veten time.

Krijuesi më takoi me njeriun e verbër që unë të shoh. Të shoh, se ndonjëherë edhe pse gjërat shkojnë keq... edhe pse unë mendoj se çdo gjë është e zezë dhe e mjerueshme, bota vazhdon të jetë e bukur.

Me hapa të shpejtë vazhdova rrugën për në shtëpi, dhe mezi prisja t’i takoj të dashurit e mi e t’ju them se “sot është një ditë e bukur!"
 
Një i ri plot besim tek vetja, shkoi dhe u ul pranë stolit që gjeti bosh në sallë, në pritje të kumtuesit, i cili ishte një mendimtar i shquar dhe do të fliste mbi një temë interesante. Ai nuk priti shumë gjatë. Mendimtari hyri në sallë dhe filloi kumtesën e tij. Ai e pikasi menjëherë fytyrën e të riut, i cili herë pas here, u hidhte nga një vështrim plot mllef atyre që u binte zilja e celularit, një vajze që ishte ulur pranë tij dhe që dërgonte mesazhe me celular etj... Vështrimet e tij përmbanin mllef dhe neveri të madhe. Në fund të fundit, kishin ardhur për të dëgjuar kumtesën dhe jo për tu marrë me celularët.

E gjitha kjo nuk i kishte humbur syrit hetues të mendimtarit. Megjithatë, ai fliste për temën dhe askush nuk e dinte çfarë bluante në mëndje. Në një moment, ai sheh të riun që nxjerr celularin e tij dhe po shkruante diçka. Kumtuesi lë foltoren, i drejtohet djalit dhe i kërkon të ngjitet tek ai. I habitur, i riu u ngjit duke pyetur veten se përse e kishte thirrur pikërisht atë. Me tu ngjitur, kumtuesi e pyeti para publikut:”Përse e përdore celularin këtu?”

I riu i zënë ngushtë i tha:”Sepse mu desh të dërgoj një dokument të rëndësishëm tek vendi i punës.”

Mendimtari i tha:”Mirë, po përse i shihje gjithë mllef dhe neveri personat që përdornin celularët e tyre pak më parë?’

I riu i tha:”Sepse s’po bënin asgjë të dobishme.”

Kumtuesi ngriti vetullat në shenjë habie dhe i tha të riut:”Ta shohim!” Mandej iu drejtua një vajze dhe i tha:”Çfarë po bëje pak më parë me celularin tënd?”

Vajza iu përgjigj:”Ime më është e sëmurë në spital dhe unë i dërgova një mesazh tim vëllai për ta pyetur mbi shëndetin e saj.”

Pastaj kumtuesi iu drejtua një burri tjetër dhe e pyeti përse e kishte hapur celularin para disa minutash. Ai iu përgjigj:”I dërgova një mesazh tim biri, të cilit i vdiq mamaja para dy muajsh, se do të kthehem në shtëpi pas një ore për tu përgatitur ushqimin.”

Pastaj kumtuesi i hodhi sytë tek djali dhe i tha:”Asnjëherë mos mendo se ti je personi i vetëm i rëndësishëm në këtë botë! Asnjëherë mos ia lejo vetes të besosh se të gjithë njerëzit që të rrethojnë e kanë gabim dhe se ti je i vetmi në të drejtë! Asnjëherë mos i paragjyko të tjerët! Kjo s’është e drejta jote!”
 
Një ditë, gjeli vuri re një kafshë duke u ushqyer me jashtëqitjen e saj. Kjo, ia shtonte energjitë dhe forcën. Me vete gjeli mendoi:”Ide shumë e bukur.” Kështu filloi dhe ai të ushqehej me jashtëqitjen e kafshës në fjalë, e për rrjedhojë forcat dhe energjitë filluan ti shtohen ditë pas dite.
Që ditën e parë, ai u ngjit në degët e pemës më të lartë në pyll. Çdo ditë që kalonte gjeli ynë bëhej më i fortë se kurrë, duke u ngjitur lart e më lart në degët e pemës. Pas një muaji, ai u ngjit në majën e pemës më të lartë të pyllit.
E kur u ngjit në majë të pemës, ishte krejt e lehtë të vihej re nga gjahtarët. Me të vënë re njëri prej tyre, e shënjestroi me çiften e tij dhe me një të shtënë e përplasi përtokë.
Morali: Gjërat e liga dhe pislliqet mund të ngjisin në majë, por nuk të mbajnë atje për një kohë të gjatë.
 
shum te drejta jan....? flm
 
Pasi arriti shumë sukses në karrierën e tij, një djalë i ri ndjeu se duhet të paguante mbrapsht nënën e tij për gjithçka që ajo kishte bërë për të. Kështu ai e pyeti atë, “Mama çfarë mund të të jap? Çfarë mund të bëj për ty? Sinqerisht dua të të shpërblej për të gjitha sakrificat që ke bërë për mua dhe gjithë dashurinë që më ke dhuruar gjatë gjithë kësaj kohe.”

Mami u habit dhe tha, “Pse e mendon kështu? Ishte detyra ime, dhe e bëra. Nuk ke pse të më paguash. Edhe nëse do ti, nuk ka asnjë mënyrë që një burrë të ripaguajë nënën e tij.”

Pavarësisht refuzimeve të saj, ai vazhdonte të insistonte vazhdimisht. Për ti dhënë fund diskutimit, ajo tha, “Në rregull, nëse të duhet ta bësh me patjetër, atëherë sonte ti do të flesh me mua në një shtrat ashtu si ke bërë kur ishe fëmijë.”

Ai tha, “Kjo është një gjë e çuditshme për tu kërkuar, por nëse kjo gjë të kënaq, do ta bëj.”

Pasi atë e zuri gjumi, mami u ngrit dhe mori një kovë me ujë dhe e derdhi të gjithën nga ana e tij. Duke u ndjerë i shqetësuar nga lagështian që kishte nën të, nëpër gjumë ai lëvizi nga ana tjetër e shtratit. Pasi u qetësua, mami mbushi një kovë tjetër me ujë dhe ia derdhi përsëri në anën ku po flinte. Këtë herë u mundua të gjejë vend të thatë duke u spostuar në fund të krevatit.

Pas një farë kohe, ai u zgjua nga lagështira që ishte nën trupin e tij. U ngrit dhe pa mamanë e tij me me kovën në dorë.

“Çfarë po bën mama? Pse nuk më lë të fle? Si pretendon të fle në një shtrat të lagur?”, e pyeste djaloshi shumë i acaruar.

Mami iu përgjigj, “Kam fjetur me ty kur ti urinoje në shtrat natën. Ti ndërroja rrobat dhe të vendosja të flije në anën e thatë të shtratit, ndërkohë që vetë flija në anën e njomë. Kishte netë që urinoje dy a tre herë brenda natës, të ndërroja përsëri dhe kur nuk kishe më rroba, të vishja rrobat e mia. Ishim fukarenj, më duhej të flija vetëm në fill të këmishës sepse me rrobat e mia të mblidhja ty.

E pasi e kishe lagur të gjithë shtratin, të merrja e të vendosja sipër meje. Shpatullat e mia qëndronin në shtratin e lagur e të ftohtë, ndërsa shpatullat e tua në kraharorin tim të ngrohtë. Ishte e pamundur të flija nganjëherë natën, jo sepse nuk më zinte gjumi apo nuk duroja dot të ftohtin nën shpatulla, por kisha merak se gjatë gjumit ti do më ikje nga kraharori e do flije në të lagur.

Kështu biri im, meqë deshe të më paguash, do ta quaj të shlyer nëse fle një natë të vetme në këtë shtrat të lagur!”

Mësimi:
Nga të gjitha borxhet më të mëdha të botës, i vetmi borxh që nuk mund të shlyhet është ai që i detyrohesh nënës tënde. Nuk mund ta paguash kurrë dashurinë, përkujdesjen dhe kohën që nëna jote të dha për të të bërë burrë. Ti je një pjesë e mishit dhe gjakut të saj. Mos e harro këtë, sepse ajo kurrë nuk e harron. Ji një dhënës dhe jo një marrës, sidomos me prindërit e tu.
:cry:
 
Një burrë i moshuar ishte shtruar në spital dhe pothuaj çdo ditë, atë e vizitonte një djalë i ri. Djaloshi kalonte çdo dite nga një orë me të moshuarin e sëmurë. Ai diskutonte me të në shtratin e spitalit, e përkëdhelte dhe i jepte kurajo për shëndetin e tij.

Madje kishte edhe ditë kur ata shëtisnin përreth oborrit të spitalit. Rrallë mund të shikoje një djalosh të tillë që kujdesej kaq shumë për një të moshuar. Pasi mbaroi vizitën, si gjithmonë djali u largua dhe i moshuari u fut në dhomën e tij.

Një infermiere po bisedonte me kolegen e saj: "Sa djalë i mirë, si nuk harroi një herë ky njeri të vizitojë këtë të sëmurë!!"

"Patjetër që duhet të jetë i biri", iu përgjigj kolegia.

"Ah sikur të ishte ashtu moj bijë", ia ktheu i moshuari kur i dëgjoi. "Unë dhe gruaja ime nuk patëm fatin të kishim fëmijë në jetën tonë", vijoi të tregojë ai i pikëlluar dhe i pafuqishëm.

"E cili mund të jetë një djalë i ri kaq i edukuar dhe kaq i sjellshëm për çdo ditë me një të moshuar përveç se djali i tij?!", pyeti me habi njëra prej tyre.

Dhe plaku filloi të tregojë: "Një ditë po shkoja për në punë si gjithmonë kur në një nga rrugicat e lagjes sime pashë një fëmijë rreth 8 vjeç duke qarë i vetëm, mbështetur pas avllisë. Ishte ky djalosh për të cilin po flasim. Prindërit i kishin vdekur disa muaj më parë. E mora për dore, e ngushëllova dhe shkuam në një ëmbëltore. E lashë punën atë ditë dhe kemi ngrënë ëmbëlsira të dy deri sa u velëm. Prej asaj dite, nuk e pashë më vogëlushin.

Pas pothuaj 20 vitesh, unë dhe ime shoqe u rënduam nga shëndeti. Eh... mosha bën të sajën!! Ky djalosh u rishfaq përsëri, por tashmë nuk ishte më ai fëmija që qante pas avllisë; ai ishte bërë një burrë i fortë dhe me një punë shumë të mirë. Filloi të na vizitojë 2 deri 3 herë në javë, na bënte pazarin dhe na i sillte në shtëpi. Tani prej një muaji, gjendja ime shëndetësore u përkeqësua shumë dhe djali mua më shtroi në këtë spital ndërsa bashkëshorten time e mori në shtëpinë e tij dhe kujdeset për të.

E pyeta një ditë: 'Pse o bir po mundohesh kaq shumë për ne?!' Ai me një buzëqeshje të ëmbël dhe duke më rrahur shpatullat mu përgjigj: 'Eh o xhaxha... shijen e atyre ëmbësirave që hëngrëm atë ditë, e kam ende në gojë edhe sot!' "

Mësimi:
Veprat e një personi janë bumerang. Çfarëdo që të bësh, të mira apo të këqia qofshin, një ditë ato do të kthehen përsëri tek ti.
Sado te shkelet , sado te goditet nje shpirt i paster fiton perher!
 
Një fermer prodhonte misër me shumë cilësi të lartë në arat e tij. Ai fitonte gjithmonë çmim për rritjen e misrit më të mirë në zonë.
Një ditë një reporter lajmesh shkon ta intervistojë fermerin dhe e pyet atë se cili është sekreti i tij që ai fiton gjithmonë çmim për kultivimin e misrit në zonë. Përgjigja e tij ishte se ai ndante (u jepte) me fqinjët farat e misrit më të mira që kishte.

I habitur nga kjo përgjigje, reporteri e pyet, “Zotëri, pse e shpërndan farën më të mirë të misrit me të tjerët kur e di që dhe ata futen në garë dhe për pasojë të konkurojnë ty?”
Fermeri iu përgjigj, “ A nuk e di ti që era ngre polenën (pjalmin) nga misrat e maturuar (gati për tu vjelur) dhe e shpërndan atë nëpër fushat përreth? Kështuqë, nëse mendon do të kuptosh që nëse fqinjët e mi kanë misër me cilësi te dobët, nga kryqëzimi i pjalmit të misrit tim me misrin e tyre do të na rezultojë një cilësi e dobët misri. Pra, nëse unë dua të rris misër të mirë atëherë unë duhet të ndihmoj fqinjët e mi që edhe ata të rrisin misër të mirë.”

Mësimi:
Për të jetuar një jetë kuptimplotë dhe të lumtur ne duhet të pasurojmë jetën e të tjerëve.
 
Nje vajze e vogel kishe dhimbje te medha dhe prinderit vendosen ta dergojne te mjeku dhe ti bejne disa analiza.

Pas analizave del se vajza eshte e semure nga veshkat dhe se duhet te beje nje transplant me patjeter sepse asaj nuk i kishte mbetur edhe shume kohe ne dispozicion. Por problemi me i madh ishte se nuk mund te gjenin nje dhurues.

Pas disa diteve moren nje telefonate nga mjeku i cili iu thote se duhet te shkonin te klinika sepse kishte dicka per te biseduar.

Kur shkuan te klinika, aty ishe ulur nje djalosh i varfer dhe me ngjyre. Vajza e vogel u ul afer tij. Kur mamaja e vajzes e pa, u ngrit dhe e largoi ate. Por as ajo vete nuk donte te ulej prane tij, keshtuqe ngriti te shoqin dhe u largua nje karrige me tutje. Te njejtin veprim beri edhe i shoqi, ai qendroi ne kembe duke lene bosh vendin midis famijles se tij dhe djalit me ngjyre.

Pas disa minutash, del infernierja dhe u kerkon qe te futen te gjithe brenda, perfshire dajloshin me ngjyre. Cifti e shikoi djaloshin me indiferentizem dhe po hamendesonin se cfare dreqin kerkonte edhe ky bashke me keta.

Pasi u ulen, duke bere me shenje djalin, mjeku iu drejtua ciftit me fjalet:
"Dua t'ju prezantoj me dhuruesin! Ky djalosh do te jete shpetimi i vajzes suaj. Pasi e pyetem se sa para kerkonte per kete gjest ai na u pergjigj prere; une nuk ve cmim per jeten e nje vogelusheje! Cmimi qe kerkoj eshte vetem te me siguroni se ajo do te jetoje!"

Ata mbeten te habitur dhe te turperuar sepse ai ishte ai djale te cilit nuk deshironin ti rrinin afer dhe po i njejti djale i cili po i shpeton jeten vajzes se tyre.
 
Nje vajze e vogel kishe dhimbje te medha dhe prinderit vendosen ta dergojne te mjeku dhe ti bejne disa analiza.

Pas analizave del se vajza eshte e semure nga veshkat dhe se duhet te beje nje transplant me patjeter sepse asaj nuk i kishte mbetur edhe shume kohe ne dispozicion. Por problemi me i madh ishte se nuk mund te gjenin nje dhurues.

Pas disa diteve moren nje telefonate nga mjeku i cili iu thote se duhet te shkonin te klinika sepse kishte dicka per te biseduar.

Kur shkuan te klinika, aty ishe ulur nje djalosh i varfer dhe me ngjyre. Vajza e vogel u ul afer tij. Kur mamaja e vajzes e pa, u ngrit dhe e largoi ate. Por as ajo vete nuk donte te ulej prane tij, keshtuqe ngriti te shoqin dhe u largua nje karrige me tutje. Te njejtin veprim beri edhe i shoqi, ai qendroi ne kembe duke lene bosh vendin midis famijles se tij dhe djalit me ngjyre.

Pas disa minutash, del infernierja dhe u kerkon qe te futen te gjithe brenda, perfshire dajloshin me ngjyre. Cifti e shikoi djaloshin me indiferentizem dhe po hamendesonin se cfare dreqin kerkonte edhe ky bashke me keta.

Pasi u ulen, duke bere me shenje djalin, mjeku iu drejtua ciftit me fjalet:
"Dua t'ju prezantoj me dhuruesin! Ky djalosh do te jete shpetimi i vajzes suaj. Pasi e pyetem se sa para kerkonte per kete gjest ai na u pergjigj prere; une nuk ve cmim per jeten e nje vogelusheje! Cmimi qe kerkoj eshte vetem te me siguroni se ajo do te jetoje!"

Ata mbeten te habitur dhe te turperuar sepse ai ishte ai djale te cilit nuk deshironin ti rrinin afer dhe po i njejti djale i cili po i shpeton jeten vajzes se tyre.
Eshte dhe vidio kjo histori e kam par!☺️ Kurr Mos gjyko nga pamja e jashme , bukuria qendron ne shpirtin qe ka!
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.